Përgatiti për “Diellin”, Shefqet Kërcelli/
Më 14 prill të vitit 1865, u vra Presidenti Abraham Lincoln. Një shekull e gjysëm më vonë, ai konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të Amerikës, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë. Në vijim po i hedhim një vështrim arritjeve kryesore të presidentit Linkoln dhe si po e përkujton atë një kinema-ikonë e Uashingtonit këtë ngjarje historike. Njëqind e 50 vjet më parë, më 14 prill, u vra presidenti amerikan Abraham Lincoln, kur bashkë me të shoqen po shikonte një shfaqje në kinemanë Ford në Uashington. Ndërsa vrasë si i tij, John Wilkes Booth largohej nga skena e krimit, zotin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes. Vdekja e tij ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë. Shpëtimi i Unionit ishte një prej arritjeve më të shquara të presidencës së tij, thotë Michelle Krowl, historiane në Bibliotekën e Kongresit. “Në se vendi do të ishte udhëhiqur nga një burrë më pak i fortë, më pak i vendosur, më pak mendjemprehtë, shumë thjesht mund të kishte ndodhur ndryshe. Por ai i pa Shtetet e Bashkuara si një eksperiment i demokracisë, që ai po e mbështeste, një çështje që baballarët e kombit e kishin filluar dhe ai nuk donte që ky ekperimentim i demokracisë të dështonte.” Presidenti Lincoln ndihmoi gjithashtu që t’i jepej fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Proklamata e Emancipimit e publikuar më 1 janar të vitit 1863, i hapi rrugën lirisë së afrikano-amerikanëve. Më vonë, po atë vit, zoti Lincoln mbajti fjalimin historik të Getisburgut, katër muaj pasi ushtarët e Unionit mundën forcat e Konfederatës në betejën më të rëndësishme të Luftës Civile. “Kur lexon fjalimin e Getisburgut, Lincolni thotë se “kjo është qeveria e popullit, e zgjedhur nga popullit dhe në shërbim të popullit”, ai e nënkuptonte këtë. Lincolni ishte një njeri i cili donte t’i zgjeronte të drejtat e popullit. Ai donte që Shtetet e Bashkuara ta përmbushnin me të vërtetë potencialin e tyre demokratik, për të qenë një vend që përmbush Deklaratën e Pavarësisë, ku thuhet “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”. Për të shënuar 150 vjetorin e vrasjes së Presidentit Lincoln, muzeumet dhe institucionet historike të mbarë vendin kanë hapur ekspozita të veçanta, ku jepen edhe shfaqje. Një nga më të rëndësishmet është kompleksi i Teatrit Ford. Këtu, objektet paraqiten së bashku për të parën herë që nga ajo mbrëmje tragjike. Mes tyre është edhe një pistoletë e vogël, me të cilën John Ëilkes Booth vrau Presidentin. “Domenthënia e kësaj arme është se ajo ka ndryshuar drejtimin e historisë; në një moment të vetëm, një nga presidentët tanë më të madh e rrëzuan, duke e vrarë.” Tracey Avant, kuratore e ekspozitës, thotë se po ashtu janë ekspozuar shumë nga objektet personale të zotit Lincoln, mes tyre dhe kapelja e tij karakteristike. “Kjo është një kapele-ikonë. Të gjithë e përfytyrojmë Abraham Lincolnin me kapele. Por ajo që e bën atë më të bukur, është se ai i vuri kapeles këtë shirit për të kujtuar djalin e tij Willie, i cili vdiq në vitin 1862 nga ethet e tifos. Kjo tregon se sa shumë e ndjeu ai humbjen e djalit.” Një objekt tjetër i preferuar i vizitorëve janë syzet e Presidentit Lincoln. “Bishti i syzeve ishte thyer, prandaj ai përdorte një copë spangoje për t’i lidhur. Për mua ky është një detaj që e bën atë shumë njerëzor.” Ndërsa jeta e tij u pre në mes, legjitimeti i zotit Lincoln vazhdon të jetojë, si një nga presidentët më të mëdhenj në historinë e Shteteve të Bashkuara. Për të janë shkruar më tepër libra se sa për çdo president tjetër amerikan. Fytyra e tij është gdhendur tek monedha amerikane. Miliona njerëz e vizitojnë memorialin e tij në Uashington. Ndërsa amerikanët shënojnë 150 vjetorin e vdekjes së presidentit të tyre të 16-të, shumë besojnë tek vizioni i Abraham Lincolnit dhe i paraardhësve të tij, – për një vend ku të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, -se një ditë do të realizohet. Nërkohë Presidenti Abraham Linkoln do mbetet dhe për shqiptarët kudo që janë, vecanërisht për shqiptaro-amerikanët, simbol i demokracisë, i së drejtës, i sakrificës, i barazisë dhe humanizmit njerëzor.
Konferencë sipas modelit të Kombeve të Bashkuara 2015
Nga Shefqet Kërcelli/
Sot më datën 13 prill, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, u hap konferenca sipas modelit të Kombeve të Bashkuara 2015. Nxënës nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Tiranë, {ku secili përfaqësonte një shtet nga e gjithë bota}, në mënyrë që të rikrijojnë eksperiencën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kështu pjesmarrësit duke mësuar nga instruktorët e Korpusit Vullnetar të Paqes, nga mësuesit dhe me njëri-tjetrin, krijuan një atmosferë të vërtetë diplomatike mes tyre. Në Konferencë mori pjesë dhe Zv/Ambasadori i SHBA në Tiranë, zoti Henry Jardine i cili duke përshëndetur nxënësit në këtë konferencë të vecantë tha:-“Gjithësecili prej jush përfaqëson diçka të rëndësishme për Shqipërinë dhe për botën. Ju përfaqësoni dëshirën dhe shpresën për të mësuar me njëri-tjetrin nxitjen e paqes në një shkallë më të gjerë”, theksoi Zv/ Ambasadori Henry Jardine.
US Embassy Deputy Chief of Mission Henry Jardine attends the opening ceremony of the 2015 Model United Nations Conference, held at the Albanian Parliament. Students from all over Albania are gathered in Tirana to represent countries from around the world to re-create the United Nations experience. These students have practiced with their Peace Corps Volunteer trainers, their teachers, and with each other, to simulate a real diplomatic environment. “Each and every one of you represents something important for Albania, and for the world: you represent a desire to learn about others in the hope of fostering peace on a broader scale,” Deputy Chief of Mission Henry Jardine tells the Model UN students.
Përkujtohet 76 vjetori i rezistencës antifashiste në Durrës
Ne Foto: Durres,7 Prill 2015/
Nga Shefqet Kërcelli/
Paraditen e datës 7 prill 2015, në sheshin para përmendores së Heroit të Popullit “Mujo Ulqinaku” u përkujtua 76 vjetori i rezistencës antifashiste nga patriotët dhe populli durrsak. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë patriotë dhe veteranë të Luftës Antifashiste, bij dhe familjarë të të rënëvë të 7 prillit 1939, qytetarë durrsakë, përfaqsues të pushtetit qëndror e vendor të Durrësit, detarë, nxënës të shkollave, media të ndryshme, etj. Ceremonia filloi me ekzekutimin e Hymnit Kombëtar dhe më pas me fjalën e rastit dhe vendosjen e kurorave në përmendoren e Heroit “Mujo Ulqinaku” dhe pllakën përkujtimore të dëshmorëve të 7 prillit 1939. Gjatë ceremonisë u evidentuan përpjekjet e marinarëve, ushtarakëve të asaj kohe, patriotëve të ardhur nga gjithë anët e vendit, të cilët nën drejtimin e Kapterit të Marinës Mbretërore Mujo Ulqinaku, zbrazën fishekët e parë kundër pushtuesve fashistë. Kjo përpjekje shënon dhe përballjen e parë me fashistët në Ballkan, ku mjaft luftëtarë shqiptarë dhanë dhe jetën për liri. Madje këta shënojnë dhe dëshmorët e parë të Luftës Antifashiste në Ballkan dhe Evropë. Në fjalën e rastit, zoti Adrian Gurra, Shef i Mardhënieve me Publikun Bashkia Durrës, theksoi se, “Data 7 prill shënon aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica, nga bijtë dhe bijat shqiptare, që kryen detyrën karshi atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e vendit dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah koalicionit antifashist”. Ndaj, dita e 7 prillit, rezistencës antifashiste, është kthyer në një ditë simbolike për patriotët, veteranët e qytetarët durrsakë, të cilët e përkujtojnë atë me krenari në nderim të gjithë atyre, që pamvarësisht bindjeve politike, bashkuan armët për mbrojtjen dhe clirimin e vendit. Nderim dhe mirënjohje për të rënët e 7 prillit 1939! -Ky ishte mesazhi i kësaj ceremonie përkujtimore.
Anija e Marinës së SHBA, DDG-98, “USS Forrest Sherman” vizitoi Shqipërinë
Shkruan:Shefqet Kërcelli-Vlorë/
Në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak midis Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, nga data 31 mars deri më 2 prill 2015, zhvilloi një vizitë në vendin tonë anija ushtarake e Marinës së SHBA, DDG-98, “USS FORREST SHERMAN”. Anija është pjesë e Flotës së 6-të të SHBA, që operon në detin Mesdhe dhe Afrikën Perëndimore. Destrojeri amerikan DDG-98, mëngjesin e datës 31 mars u prit në ujërat tona nga Anijet e Flotiljes Detare Pashaliman, “Butrinti”, P-134 dhe “Archangel-02”. Më pas për katër ditë DDG-98, qëndroi në gjirin e Vlorës. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i mardhënieve midis Forcës Detare Shqiptare dhe Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara. Vizita e kësaj anije pason vizitat e dhjetra anijeve të Flotës së SHBA në portet kryesore të vendit tonë, të realizuara mbas viteve ’90. Në programin e këtyre vizitave ka pasur stërvitje të ndryshme detare që i kanë shërbyer kualifikimit të detareve tanë dhe shkëmbimit të eksperiencës dypalëshe. Gjithashtu këto stërvitje kanë përmirësuar ndërveprimin midis dy Flotave tona si dhe rritjen e aftësive të përbashkëta operacionale për të siguruar kufijtë e detit Adriatik dhe Jon. Në vijim të këtij bashkëpunimi 25 vjecar edhe vizita e destrojerit DDG-98, nëpërmjet stërvitjes së përbashkët me Institucionet detare shqiptare, vizitave në bordin e anijes të personaliteve shqiptare, por dhe vizitave të marinarëve amerikanë në Vlorë e vende të tjera, i shërbeu më së miri forcimit të këtyre lidhjeve. Në ditën e parë të të qëndrimit, datë 31 mars, anijen e vizituan Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Donald Lu. Fillimisht Ambasadori i SHBA, u prit nga Komandanti dhe ekuipazhi i anijes “Oriku”, të cilëve i uroi suksese e mbarësi në detyrën e tyre, mesazh të cilën e shkroi në gjuhën shqipe në librin e vizitorëve të kësaj anije. Ministrja e Mbrojtjes znj.Kodheli u prit nga komandanti i anijes “USS Forrest Sherman”, Kapiten i Rangut të I-rë John Krisciunas, ku me këtë rast falënderoi ekuipazhin e anijes për pritjen që i rezervuan dhe u shpreh mjaft e kënaqur për bashkëpunimin që ekziston midis Forcës Detare Shqiptare dhe strukturave të Marinës Amerikane. Ndërkohë Ambasadori Lu theksoi se “Lidhja midis dy Forcave tona detare është vetëm një nga aspektet e shumta dhe jetëgjatë të marrëdhënies midis ushtrive të dy vendeve tona, shembulli më i fundit i së cilës është shërbimi dhe sakrifica jonë e përbashkët në Afganistan, si pjesë e misionit të qëndrueshëm të NATO-s atje”. Ishte simbolike gjithashtu servirja për pjesmarrësit e një torte me flamujt e SHBA dhe Shqipërisë, të cilën e ndau Zonja Kodheli, Zoti Lu dhe Komandanti i anijes. Më pas, Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe personalitetet e larta politike dhe ushtarake që e shoqëronin, vizituan ambientet, lokalet dhe postet luftarake të anijes “USS Forrest Sherman”. Në vijim të programit paraditen e datës 31 mars, në rajonin e gjirit të Vlorës, u zhvillua stërvitja bashkëvepruese e koduar “Peshkatari”, e drejtuar nga Qëndra jonë Ndërinstitucionale Operacionale Detare. Qëllimi i kësaj stërvitje ishte rritja e bashkëpunimit nderinstitucional, bashkërendimi i veprimeve, kryerja e procedurave operacionale detare për zbatimin e ligjshmërise detare, verifikimi i zbatimit të rregullave kombëtare e ndërkombëtare kundër kontrabandës detare dhe parandalimi i akteve terroriste në det. Gjithashtu në këtë stërvitje u synua rritja e aftësive profesionale të grupit të bordimit të Flotiljes Detare për zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëpunuar me grupin e bordimit të destrojerit “Forrest Sherman”. Për disa orë Gjiri i Vlorës, kryesisht rajoni afër bregut të Kalasë, gumëzhiu nga zhurma e motorave të anijeve të shumta, pjesë e stërvitjes. Në stërvitjen e drejtuar nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, morrën pjesë personel e forca nga QNOD, {Përfshi sallën operacionale dhe grupin e drejtimit}, Flotilja Detare Pashaliman, {Forca Detare}, ICITAP, Kapitaneria e portit Vlorë, NJLTKM, Delta Forc, Inspektoriati i Peshkimit Vlorë dhe grupi i bordimit i “USS Forrest Sherman”. Ndërsa mjete detare, nga Flotilja Detare, anija “Butrinti”, P-134 bashkë me skafin, MV R-118, “Archangel P-02”, MV e Delta Forc, Motoskafi i anijes DDG-98, një anije peshkatore, si anije imituese, me emrin “Kristo” e pronar zotin Sali Saliaj, {I cili meriton një falenderim bashkë me ekuipazhin për rolin e tij në zhvillimin me sukses të stërvitjes “Peshkatari”}, pjesë e flotiljes së Peshkimit Vlorë. Stërvitja u zhvillua në kushte reale dhe përfshiu integrimin e dy situatave në Gjirin e Vlorës, ku u zbatua ligji në det nga grupet e bordingut në bashkëpunim me institucionet e tjera që kanë interesa në det, Forca Detare, Kapitaneria e Portit, Policia e Kufirit, Forca Delta dhe Inspektoriati i peshkimit. Kështu në zbatim të skenarëve të parapregatitur filloi stërvitja në terren. Grupi i Drejtimit në QNOD, u informua se një anije peshkatore pa flamur dyshohet për aktivitet të paligjshëm në Gjirin e Vlorës. Anija nuk ju përgjigj thirrjeve në radio të bëra nga kapiteneria e Portit të Vlorës, e cila njoftoi QNOD për këtë situatë. Oficeri i Drejtimit në QNOD i kërkoi anijes së gatëshme të Rojes Bregdetare të imbarkojë grupin e bordingut dhe personel të Qendrës së Zhytjeve për të kontrolluar imtësisht anijen. Në ndihmë të grupi tonë të bordimit erdhi dhe grupi i bordimit të DDG-98. Kështu së bashku, djem të fortë shqiptarë dhe amerikanë zbatuan ligjin me forcë për të verifikuar peshkatoren. Gjatë verifikimit doli se një person nuk rezultonte në listën e ekuipazhit të peshkatores. Kështu ku person u ndalua në bordin e anijes dhe u lajmërua Forca Delta, e cila e shoqëroi personin e jashtëligjshëm në Komisariatin e Policisë Vlorë. Gjatë kontrollit nga grupet e bordingut u gjet një armë e fshehur në lokalin e kuzhinës dhe më pas lëndë narkotike në kallumin e anijes. Kështu që aksioni u forcua deri në bllokimin e peshkatores. Në këto kushte, bazuar në sendet e jashtëligjshme të gjetuar në anije, Oficeri i Drejtimit i QNOD, urdhëroi shoqërimin e peshkatores për në portin e Vlorës, me qëllim vazhdimin e procedurave të mëtejshme nga institucionet përkatëse. Drejtimi i stërvitjes u bë nga bordi i anijes “Butrinti” dhe Grupi i Drejtimit i QNOD. Në të dy skenarët e zhvilluar, u realizua praktikisht bordimi i anijes, plotësimi i listës së pyetsorit përkatës, bordimi në situata të ndryshme sipas shkallës së rrezikut, kontrolli dhe gjetja e armëve të fshehura, prangosja e personave shkelës të ligjit, teknikat e hyrjeve në lokale e kontrolli i ambienteve të anijeve, zbulimi i vendeve të fshehta në anije, i lëndëve narkotike, etj. Në fund u bë përfundimi i operacionit të bordingut dhe plotësimi i dokumentacionit përkatës. Ndjekësit dhe vëzhguesit e kësaj stërvitje specifike vlerësuan shkathtësinë, forcën, teknikat dhe guximin e treguar nga të dy grupet e bordimit për realizimin me sukses të kësaj stërvitje, e cila i realizoi me sukses objektivat e saj. Vlen të theksojmë se gjatë stërvitjes u komunikua në shqip dhe anglisht. Mbi të gjitha, gjatë stërvitjes u trajtuan dhe elementë të luftës kundër terrorizmit në det, problem kryesor për situatën e sotme. Por, aktivitetet e ekuipazhit të anijes DDG-98 dhe detarëve tanë nuk mbaruan me kaq. Ndërkohë që paradite zhvilloheshin aktivitete stërvitore dhe vizita në bordin e anijes DDG-98, mbasdite deri natën vonë, anijet e Flotiljes Detare shoqëronin për në portin e Vlorës, detarët amerikanë të cilët vizituan dhe shijuan bukuritë natyrore, historike dhe kulturore të qytetit të Vlorës dhe bregdetit të saj si dhe ushqimet tradicionale të kësaj treve. Pjesë e kësaj ishte dhe vizita në këndin {Cornerin}, amerikan të Vlorës, në bibliotekën “Shefqet Musaraj”, ku marinarët u njohën me punën e këtij këndi dhe dhuruan libra me përmbajtje të ndryshme. Njëkohësisht detarët amerikanë blenë dhurata, libra dhe suvenire të shumta në dyqanet e marketet e këtij qyteti. Gjithashtu një pjesë e marinarëve të anijes “USS Forrest Sherman”, zhvilloi vizita në qendrën arkeologjiko-turistike të Butrintit, në Apolloni dhe qytetin historiko-piktoresk të Beratit. Vlen të theksojmë kontributin që dha Autoriteti Portual i Vlorës i cili në bashkëpunim me Policinë Ushtarake të Qytetit zbatuan masa sigurie të parashikuara në këto raste. Por, mbi të gjitha ishte mikpritja dhe bujaria e qytetarëve dhe popullit të Vlorës, të cilët me sjelljen dhe qëndrimin e tyre bënë që detarët e “USS Forrest Sherman” të ndjehen si në shtëpinë e tyre dhe kjo vizitë të kurorëzohet me sukses. Para largimit drejtuesit dhe marinarët e DDG-98 shprehën mirënjohjen për mikpritjen dhe organizimin shembullor të kësaj vizite. Mëngjesin e datës 2 prill 2015, destrojeri i Flotës së 6-të, i shoqëruar përsëri nga anije të Forcës Detare Shqiptare u largua nga ujërat tona territoriale. I bëjmë me dije lexuesve se në lidhje me vizitën e sukseshme të destrojerit DDG-98, së shpejti do lexoni reportazhin e zgjeruar “Vlora hapi dyert dhe zemrën për marinarët e “USS Forrest Sherman”.
Kush është Destrojeri DDG-98.
DDG-98 është e 48 anije e klasit “ARLEIGH Burke”, me të cilët është pajisur Marina amerikane. Është destrojer me raketa, me aftësi të larta luftarake, i ndërveprueshëm dhe shumë dimensional, i destinuar për operacionet e paqes e sigurisë në det dhe krizave apo emergjencave detare kudo që ndodhin. Ka ndihmuar dhe në zhvillimin e operacioneve strategjike të Ushtrisë së SHBA. Gjithashtu ai mban kontakt, bashkëpunon e zhvillon stërvitje apo trajnime detare me aleatët e miqtë në Evropën Juglindore dhe Afrikën Perëndimore. DDG-98 u lëshu në ujë në tetor 2004 dhe filloi misionin në marinën e SHBA më 28 janar 2006. Ka këto përmasa, 509.5 x 66 foot, tonazh 9300 t dhe shpejtësi 30 nyje. Destrojeri DDG -98, mban emrin e Admiral Forrest Sherman, Ushtarak i lartë i Marinës së SHBA, i cili midis të tjerave ka shërbyer si Shef Ekzekutiv në stafin e admiralit Nimitz, 1943-1945, Komandant i Flotës Amerikane në Mesdhe, 1948-1949, Shef i Operacioneve të Marinës së SHBA, 1949-1951, etj.
****
U.S. Ambassador Donald Lu and Albanian Minister of Defense Mimi Kodheli, visited the USS Forrest Sherman ship anchored in Vlora. The navy is part of the U.S. Sixth Fleet, which enjoys a very active cooperative relationship with Albanian Navy. This relationship includes regular exercises between transiting U.S. Navy ships and Albania’s Navy. These exercises improve our interoperability and strengthen our common ability to provide maritime security in the Adriatic and Ionian Seas.
“The bond between our two navies is just one facet of the broad and enduring military-to-military relationship between our two countries, exemplified most recently by our shared service and sacrifice in Afghanistan as part of the enduring NATO mission there,” said Ambassador Donald Lu during his visit to the “USS Forrest Sherman” ship anchored in Vlora.
* Shefqet Kërcelli,bashkëpunëtor i Diellit nga Shqipëria
Vlorë, 31 mars-2 prill 2015.
Përkujtohet tragjedia detare e anijes Austro Hungareze “Linz”
Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 24 mars 2015, në rajonin e kepit të Rodonit, u përkujtua 97 vjetori i mbytjes së avullores së transportit detar të perandorisë AustroHungareze “Linz”. Në këtë ceremoni morën pjesë Ambasadori i Republikës së Austrisë, shkëlqesia e Tij, zoti Thomas Schnoll, Ambasadori i Republikës së Hungarisë, shkëlqesia e tij zoti Antal Neizer, Komanadanti i Forcës Detare, Gjeneralbrigade Qemal Shkurti, Patër Aurel Gjerkaj, Ministër provincial, diplomatë e ushtarakë, përfaqsues nga Ministria e Kulturës, të medias, kuadro dhe detarë të anijes “Iliria”, P-131, etj. Avullorja austrohungareze “Linz”, me kapiten Hugo Tonelli, ishte vapori i “Lloydit” austriak dhe në vitin 1918, u mor për nevojat e ushtrisë perandorake, transport trupash. {Avullorja “Linz” u prodhua në kantierin e Triestes në vitin 1909, me përmasa 104×13.4 m, peshkim-7.9 m dhe tonazh 3819 t}. Gjatë lundrimit nga porti i Rjekës për në portin e Durrësit, më datën 19 mars 1918, ora 19.00, anija hasi me një minë detare në bordin e majtë, 3.7 milje në perëndim të Kepit të Rodonit. Goditja ishte fatale, dhe për rjedhojë anija u mbyt brenda 25 minutash. Në këto kushte dhe tre anijet luftarake {dy anije siluruese, “98” dhe “TB 974” si dhe destrojeri “Balaton”}, që e shoqëronin “Linzin”, nuk patën asnjë lloj mundësie për të evituar mbytjen e saj. Në bordin e anijes bashkë me ekuipazhin, ishin 1003 persona të rregjistruar, nga të cilët 413 robër italianë, të cilët do përdoreshin për punë në territorin shqiptar nga ushtria austrohungareze. Por në anije kishte dhe persona të parregjistruar, ushtarë austrohungarezë që në prag të përfundimit të Luftës së I-Botërore zgjodhën destinacione të tjera qëndrimi, përkthyes shqiptarë dhe italianë, personel nga Kryqi i Kuq, etj, të cilët e bëjnë këtë tragjedi detare nga më të mëdhatë e kohës. Specialisti i zhytjeve, nip tek familja e detarëve të vjetër ulqinako-durrsakë Kapidani, zoti Ilir Capuni, thotë se anija është mbytur në thellësinë 42 m dhe është në gjendje të mirë. Gjatë eksplorimit të bërë nga një ekspeditë shqiptaro-austriake është parë qartë vrima e shkaktuar nga mina detare si dhe gjendja e anijes. I apasionuar pas sportit të zhytjeve, zoti Capuni thotë se në ujërat Adriatiko-Joniane ka me dhjetra anije të mbytura, të cilat mund të eksplorohen nga zhytësa shqiptarë e të huaj, duke i shërbyer më së miri zhvillimit të turizmit nënujor. Organizimi i kësaj ceremonie, por dhe të tjerave në të ardhmen, është një mënyrë për promovimin e këtyre vlerave në ujërat shqiptare. Pjesmarrësit e këtij aktiviteti përkujtimor shkuan në vendin e mbytjes së anijes “Linz” me anijen “Iliria”, {P-131}, ku u zhvillua një ceremoni e thjeshtë në respekt të detarëve e personelit të mbytur në këtë fatkeqësi detare. Diplomatët dhe Gjeneral Shkurti në përshëndetjen e tyre evidentuan fatin tragjik të personelit civilo-ushtarak të anijes “Linz”, mbytur më pak se një shekull më parë. Kontakti në një minë detare e vendosur nga pala tjetër ndërluftuese solli mbytjen e menjëhershme të anijes bashkë me marinarët dhe personelin e saj. Gjithsesi ata ishin njerëz, të cilët lundronin afër brigjeve tona dhe u mbytën në ujërat tona. Natyrisht dhe dhimbjen e parë për ta, e përjetuan banorët e zonës së Ishmit e kepit të Rodonit, të cilët historikisht janë shquar për mikpritje dhe bujari. Ngelet detyrë e studjuesve tanë ta evidentojnë se si e përjetuan banorët e kësaj treve mbytjen e marinarëve të “Linz-it”. Vazhdimësi e kësaj dhimbje njerëzore është ceremonia që u zhvillua sot, për të përkujtuar humbjen tragjike të këtyre marinarëve. Ceremonia barti dhe simbolikën e saj, sepse në këtë ngushëllim për detarët e mbytur morën pjesë dhe marinarë shqiptarë. Pra, shpirtërat e detarëve austro -hungarezë dhe ushtarëve robër italianë, të tretur në thellësitë e Adriatikut bashkë me trupat e tyre, mbas një shekulli morën ngushëllimin e diplomatëve respektivë dhe detarëve shqiptarë. Kjo tregon se vitet bëjnë të vetën, historia, përpjekjet e vazhdueshme për paqe të popujve në këtë anë të Adriatikut sollën këtë ditë të vecantë, që askush se mendonte një shekull më parë. Në vijim diplomatët e huaj nënvizuan përpjekjet për paqe e siguri gjatë këtyre viteve nga vendet e rajonit, si dhe të ardhmen evropiane të popullit shqiptar. Mbas ceremonisë fetare të drejtuar nga Patër Aurel Gjerkaj, nga dy ambasadorët, Ai austriak dhe hungarez dhe Komandanti i Forcës Detare u hodhën në det kurora me lule, në nderim të viktimave të kësaj tragjedie. Kështu në këtë ceremoni të thjeshtë, pjesmarrësit shprehën dhimbjen, hidhërimin dhe ngushëllimet e tyre për detarët e anijes “Linz”. Ju prehtë shpirti në paqe! Ky ishte mesazhi që ata përcollën në këtë ditë marsi, pak milje nga brigjet e Rodonit.
- « Previous Page
- 1
- …
- 36
- 37
- 38
- 39
- 40
- …
- 44
- Next Page »