BERATI DHE TRIDHJETË E NJË APOSTUJT E TIJ/
Tridhjetë e një ese nga Xh.Ll./
SHËN MËRIA E URËS SË GORICËS – SHENJTORJA E DYTË/
Ese nga Xhevair Lleshi/
Do të vinte një kohë kur dashamirësit e etur të historisë do të lexonin Aleksudhin dhe do të bindeshin se ai ka lënë dokumente, shkrime e refleksione për të gjithë zotërimin e tij peshkopal, domethënë për Shqipërinë e jugut. Kishat e Beratit ishin ngritur që në Mesjetën e Hershme dhe ajo, e prishura e madhe, e rrënuara nga fashistët italianë, Shën Mëria e Urës së Goricës, aty ku banorët kanë gjetur një mundësi fasade në faqen e patëkeq të shkëmbit të Kalasë dhe hedhin për shpirt pará. Mbrojnë shpirtin e tyre dhe shpirtin e të humburve, të atyre që fizikisht nuk jetojnë më. Nuk e bëjnë për spektakël por pse të mos themi se prania e fasadës murale mbi shkëmb e ka bërë njëfarësoj punën e vet. E kam parë me vëmendje, kam studiuar fotot e kishës-katedrale të shekujve të mëparshëm, kam njohur kishat bizantine të Beratit dhe jam bindur se themelet e para i takojnë shek. XI, pastaj ka njohur dy rrënime: një në shek. XVI dhe tjetri në shek. XX prej italianëve që shpikën rrugën për të hyrë në qytet e për ta bërë mos më keq atë që edhe e bënë: shfarosjen. Si nuk e dëgjuan zërin e arkitektit italian që u sugjeroi katër rrugë të ndryshme për ta shpëtuar kishën e madhe? E pra do të ishte zgjerimi i rrugës me hark përmbi lumë: aty në ngushticë; e dyta të ndërtonin një tunel me hark brenda shkëmbit, pa e cenuar kishën,; e treta një tunel tjetër që do çante shkëmbin me një tërthore që futej nën kodër para kishës dhe do të dilte te parku «Dëshmorët e Kombit«, domethënë te Varreza e dëshmorëve sot. Edhe në këtë rast kisha nuk cenohej; rruga e tretë do të ishte një urë përmbi kishë, në harkun e së cilës do të kalonin makinat, kurse këmbësorët e kishin të zgjidhur, sepse do të kalonin gjithnjë para urës dhe para kishës. Arkitekti italian, i frymëzuar nga një kumt i madhërishëm qiellor, ishte po ai që bëri bllokun e ndërtesave nga kolonat, Muzeun Arkeologjik (QSA), Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin e Arteve dhe Stadiumin «Qemal Stafa». Pikërisht atë stadium që sot janë gati t’i vënë kazmën në emër të modernitetit! Pikë e zezë! Ai ansambël sigurisht duhet ruajtur. Me çdo kusht, sepse është një e tërë. Për të mos i ngatërruar gjërat unë mora emërtimet e reja, kuptohet. E pra, ja ku erdhëm te pika kritike: mendjet e nxehta bëjnë hatanë, ashtu sikundër fashistët nuk zgjodhën asnjë nga katër rrugët për të shpëtuar kishën e Shën Mërisë, por i vunë tritolin dhe kazmën. Dhe ashtu si e trashëgoi nga lufta, ashtu u dreqos puna edhe më tej. Rruga vazhdimisht u zgjerua në dëm të shkëmbit që mbante në gjirin e vetë katedralen e vjetër…
Mirëpo kanë ardhur kohë të reja. Sido që të jetë kisha do bëhet, dhe kjo të ngjall shpresë, shpresë dhe vetëm shpresë, por kërkohet pak durim, sepse projekti i katedrales do ribërë sipas fotove ballore, ajrore, anësore, dëshmive të arkitekturës së botuar në «Kishat e Shqipërisë» nga Aleksandër Meksi. Në letër kjo duket si një çështje e zgjidhur, madje dhe shumë e thjeshtë, e dëshirueshme, e etur për t’u bërë, sepse ky është qytet i UNESKO-s dhe ne kemi me se mburremi, edhe sikur tërë energjitë shqiptare të harxhohen drejt Beratit, pa lënë pasdore asgjë tjetër nga trashëgimia, po aq me vlerë dhe po aq të rëndësishme për t’ia treguar botës rrënjët tona! Por ç’ndodh? E para as vetë Kisha, mitropolia e Beratit tonë të shtrenjtë, nuk e ka shtruar qoftë dhe një herë këtë problem, e dyta Bashkia nuk e di fare se ç’është katedralja e vjetër dhe as e ka në hesap, ndërsa të mençurit e mëdhenj heshtin të mbytur nga pluhuri i indiferentizmit. E dini pse ndodh kjo? Ndodh sepse kemi mjaft gjëra nëpër duar dhe s’dimë kujt t’i japim përparësi. Ja, pse! Mirëpo unë dua t’u jap, miqtë e mi, një shembull të thjeshtë, i cili, edhe pse s’ka lidhje me Beratin, është këmborë që bie për të! Arqile Bërxholi, profesor i nderuar në pension, ringriti edhe njëherë kishën Shën e Prëmtes në Këllëz (Lunxhëri), duke i përballuar vetë të gjitha shpenzimet. TË GJITHA! Dhe nuk është pasunar, por futi në punë kursimet e familjes, durimin e vajzave e të dhëndurëve, dëshirën e papërmbajtur të nipave e mbesave! Dhe kisha në Dhoksat u ngrit. E kur e pyet profesorin të thotë duke u përmbajtur se kisha u ndërtua me ndihmën e jashtëzakonshme të banorëve dhe të ish-kryetarit të komunës Ilia Kuro! Po mirë, nënteksti është i qashtër: banorët e Beratit, të gjithë, të krishterë e myslimanë, e duan ringritjen e katedrales së tyre me emër dhe mundësia për ta bërë këtë është krejt e mundshme. Aq më tepër që rrugët për ta shmangur kishën janë të katra, njëra më e bukur se tjetra. Më e mira prej tyre është tuneli me hark që del menjëherë pas kishës. Hyn, kur je duke dalë nga qendra e Beratit, para kishës, në xhepin e krijuar vetë nga natyra dhe me hark nëntokësor del atje ku mbaron kisha. Pjesa tjetër i takon vullnetit të njerëzve. Për fat aty askush nuk ka ngritur një shtëpi, si ka ndodhur rëndom edhe në lagjet jomuzeale të Beratit. (Madje edhe në ato muzeale! Zot na ruaj nga ky krim i epërm!) Dikush më thoshte pa tepri se këto gjëra janë rralluar, por si gjithnjë fajin e kanë politikanët. Po, kështu them edhe unë, megjithëse kjo frazë është bërë bozë! E kam fjalën për politikanët e të gjithë ngjyrave dhe llojeve. Si, more, askush që erdhi në Berat nuk tha qoftë edhe një fjalë për këta shenjtorë të mëdhenj, sepse të gjithë e dinë se aty ka qenë murgada, shkolla mesjetare ku mësonin njerëzit, pastaj sërish të gjithë e dinë se ajo ka qenë kishë e të vobektëve. Ja, mund t’ju tregoj se në mbrëmjen e maturës sonë, në shëtitjen e gjatë nga Burimi deri tek Ura e Goricës, ne vajtëm dhe lamë pare nga fukarallëku ynë prej të rinjsh dhe këto i bëmë për shpirt na ndihtë! Mendo, unë i kam parë kolegët e mi, të krishterë dhe myslimanë që edhe vitet pas prishjes fatale me fenë, njerëzit ndalnin aty, mbanin këmbët, lartësonin shpirtin dhe hidhnin të tepërtat… E dinin që aty do t’i gjenin ato pare të varfrit e mjerë dhe fukaraja e ka me të tepërt shpirtin e madh, bujarinë dhe revoltën. Ky qorrsokak i bukur i tyre s’ka sjellë asnjë pështjellim, për dhunë s’bëhet fjalë, as për kaos, ndonëse te bishti i Urës së Goricës më 1997 kishte qëndruar dhe bënte roje, si postbllok kryeneçësie për të kaluar në revistë nderi qytetarët! E bukur ka qenë parada e atij viti!…
Po kjo shkresë? – do të pyeste një miku im. Kujt i duhet kjo shkresë? Paratë për kishën mund të mblidhen fare mirë, edhe paratë për mënjanimin e rrugës, për tunelin me hark e kam fjalën, mund t’i mbledhim me fb. Tani ka plasur kjo mënyrë e sinqertë për të shpëtuar njerëzit e jo më shenjtëritë e tyre, monumentet e lashta. Ah, po është fjala për lejen e ndërtimit, nuk e ke kuptuar? Ja, përse duhet shkresa! Sepse së pari duhet ta kuptojë kryetari i bashkisë, megjithëse thonë se e ka pak të vështirë për ta kuptuar. Por, mik i dashur, ka edhe mjaft të tjerë që ndoshta s’e kuptojnë. Se do mbushur mendja e KKT që varet nga kryeministri, ndonëse të themi hakun këshilltarët e tij arkitektë kanë zotësi shprehimore dhe vizatuese. Të paktën kanë dhënë shenja të mbara. Por, ku zë besë ariu? E shikoni si vjen puna? Jemi rehat, ç’na duhet ta ngasim arën me tre qe! Ne edhe me dy e nuk e ngasim dot, se thjesht përtojmë! Po më tej? Më thoshte njëherë i madhi Vehxhi Buaraja, kur po shëtisnim në parkun «Dëshmorët e Kombit» bashkë me të vyerin Ahmet Kondo, se kjo katedrale është prishur si të thuash punë inati, pasi trupat fashiste donin të hynin në qytet me arrogancë ushtarake dhe prepotencë pushtuese. Sikur të luhej një film. Regjisori, domethënë gjenerali, donte që kalonin lirshëm në qytet. Me sa duket punë besëtytnie. Dhe ia arritën, pa pyetur as për arkitektë dhe as për vendas. Qytetarët e mbanin kokën dy herë ulur: e para pushtimi dhe e dyta rrënimi i kishës-katedrale, e simbolit të tyre. Do të ishte gjë e çmuar jeta e saj prej shenjtoreje. Sepse vend i shenjtë është edhe sot, por mungon i shenjtëruari dhe ky është jo muri dhe fasada po gjithë ngrehina madhështore, ashtu se e projekton vërtet mendja e njeriut të shëndetshëm. Dhe mos harroni, nuk është shpella e Memecit të Dines që dilte në bulevard me dyzet langonjtë e tij për t’i dhënë mend njerëzisë me ato ulërima «Aaaaa!». Aleksudhi, mitropoliti që ka lënë histori, duke na përshkruar me rrënjë e degë gjithë hapësirën e sundimit të tij, teksa shkruante në Akropol apo në Katedralen e madhe në Kala, atë që e përndrit emri i madh i Onufrit, ikona e ikonabërësve, legjenda e ikonografisë. S’ka teka mendjelehta, as gjynahe të shpirtëzuara, as rrugë të djallit, as edhe mallkime ogurzeza. Ka vetëm përshpirtje të ndjera, zemërgjera dhe me aq ashk perëndie sa humbet kuptimi i çdo gjëje të mefshët e të gabuar. Njeriu kur lutet nuk humbet asgjë: edhe gjarpri kthen rrugën, i largohet, me sa duket e ndien thellë edhe ajo qenie që lutjes nuk i bëhet dot ballë, ligësitë largohen vetiu dhe vihen për të ecur mbarë. E liga mbetet diku tjetër, por jo ballas, ka frikë. Atëherë le të lutemi ta ngremë këtë shenjtor të ri, me themelet e të vjetrit, aty ku është, mbështetur në shkëmb, se aty pulson zemra. Dhe zemra që pulson në shkëmb s’ka vdekje kurrë. Po ja që tritoli e shembi, ashtu si mund të shembë ky tritol edhe «Qemal Stafën», në vend që ta dekorojë, ta lyejë, ta mirëmbajë, t’ia heqë plasaritjet, rrudhat e ta bëjë dhëndër të qytetërimit. Po gjërat e reja le të ngrihen! Edhe stadiumi i ri le të bëhet në krah të shëtitores së re, në Qytetin e Ri, në Tiranën e shek. XXI. E, pra, miq, ja tek vijmë sërish tek Shpëtimtarja jonë, te Shenjtorja jonë, te Katedralja e Vjetër e Shën Mërisë. Ajo do të ribëhet në këto fillime të shekullit që jetojmë. Sepse edhe kjo ka domethënien e vet. Mendo sa afër rri me Shën Mëhillin! Mendo se është ndërtesa e parë e Mangalemit të madhërishëm dhe puqet me murin si brezare që rrokte muret e kishës-simbol të qytetit. Kisha e udhëtarëve u lante sytë besimtarëve, u jepte shpresë udhëtarëve, priste krahëhapur edhe bujtësit, miqtë që shkelnin në Berat, si kishte përqafuar udhëtarët e mëdhenj, siç kishte marrë në krahë fëmijët, për t’i bërë ballë Shën Spiridonit në Goricë, mureve të bekuar të shtëpive të traditës, engjëllit mbrojtës të Kalasë kur zbrisnin grarí e burra në «tunelin» e mbuluar nga Tabia në Osum, nën strehët e saj, për të mbushur ujë. Dikush nga udhëtarët e mëdhenj e quajti frëngjí të Urës së Goricës dhe ndoshta të tillë e pa kurdoherë edhe Kurt Pasha prandaj dhe ia besoi kurbanin kësaj kishe për të ndërtuar ujëmbajtëset që do të ngjiteshin në Kështjellë…
Dialogu me Thoma Jançen kishte natyrë tjetër, por m’u desh t’i thosha se ai e kishte kunguar penën me intervistën me Kadarenë, kurse unë do t’i lutesha që ta bekoja penën me gjakun e kësaj kishe. S’ka kërkesë më të hollë, sepse të gjithë andej vijmë, prej atij gjaku jemi. E di pse kemi ardhur ne, pyeste një nga regjisorët e një televizioni, më duket se Marini, po edhe Roland Gjoza po të kishte ardhur, sepse djalë me gjak Berati është, përsëri nuk do ta çmoja aq, sepse më vjen inat që e ka lënë pas dore këtë kishë, katedralen e Shën Mërisë! Dhe kush pa, ai që gjeti dhe i përuroi Shtatë rrugët e mrekullueshme që të çojnë në Mangalem, ai që shkroi elegjinë e famshme të Tavaneve të Beratit. Nuk e harroj dot. Koha, kjo shenjtore e fuqishme dhe zemërgjerë, ajo ka për t’i vënë gurët në vend. Sepse, siç edhe e kam thënë edhe diku tjetër, «treni elektrik» do të ngjitet në katakombet shkallare të ujit të pijshëm nga kisha e re e Shën Mërisë në burgun e Tabies së Kalasë! Dhe sytë, ndërkaq do t’i mbajë aty te sheshi i Shën Mëhillit ku ashensori nuk do të gjejë derman duke ngjitur dhe zbritur njerëz, turistë të huaj e të vendit, që nxitimthi të pushtojnë Kalanë, pikërisht atë Kala që nuk e pushtoi dot Hygo de Syli i anzhuinëve të Napolit, për të zbythur së andejmi bizantinët dhe qytetarët. Te kisha e Shën Mëhillit më bëhet sikur shoh Mim Kumatin që ecte përkulur duke marrë frymë me supa e duke përkëdhelur bllokun e kuq që dilte paksa në xhepin e përparmë të xhaketës prej kadifeje dhe, gjithaq, duke murmuritur një këngë kineze, për ne të tjerët pa kuptim. Kisha vajtur njëherë për të çuar në Shën Mëhill Sokol Prognin, mikun tim aktor, me që vinte nga Alpet dhe kërkonte pa prerë të njihte nga afër Beratin e mistereve. Dhe një nga pesë misteret e mëdha i ruante të fshehura në rrënojat e dhuruara nga fashistët, të cilët donin hapësirë. Mbaj mend që edhe Sokolit dhe Nikolla Lenës ua kam treguar këto mistere që mbartte kjo kishë. Mbi të gjithë ishte guri në shkëmb për ritet e domosdoshme. «Zemra në shkëmb.» E kam dëgjuar edhe nga dr. Ymer Dishnica, e kam lexuar edhe në shënimet e shkruara me ngut prej Xhevdet Dëshnicës, e kam gjetur si frymë edhe te ditari i Eftihim Xhiblatit. Misteri i dytë ishte klasa ku bëhej mësim, e cila herë bëhej sallë për meshë dhe pastaj shndërrohej në klasë mësimi për të vegjlit. Misteri i tretë ishte kambanorja e veçantë e ardhur nga shqiptarët e Kostandinopojës. Nuk kam gjetur dot shënime të veçanta, por Eftihimi thotë se ajo kishte shkronja dhe një tingull të allasojtë, saqë edhe pse e ndërtuar në ngushticë tingujt i shpërndante edhe drejt Shpiragut edhe drejt Tomorit. Kurse misteri i katërt ishin muret e skalitur brenda faqeve të kishës, të kishin një vendosje të fshehtë të cilën edhe mitropoliti nuk e dinte saktë. Më në fund bën ballë e fshehta e fundit, e pesta, që kishte të bënte me ujin, pusi me shkallë që zbriste nga Kalaja dhe futej deri në buronjat e Osumit. Ky mister përshkruhet nga udhëtarë të asaj kohe, kronikanë osmanë dhe personazhe historikë të qytetit. Thonë se Andrea I Muzaka, gjëmëmadhi i historisë së qytetit dhe të krejt Myzeqesë dhe ç’mbetej nga Dasaretia e dikurshme deri në Kostur, është kunguar dhe ka marrë uratën në këtë kishë të udhëtarëve dhe të miqve të qytetit.
Këtu e merr fjalën historia, që shkruhet sipas oreksit, histori që e filmojnë regjisorët, duke e aktualizuar në filma sa për të bërë një dokumentar dhe kaq. Për kë bëhet filmi? Cili televizion do ta ketë porositur vallë? Sikur nuk shkulen nga nervoziteti edhe ata që filmat i kanë lënë pengje në TV shqiptar.
Ta bënin amerikanët?
Jo, jo, rusët, se ata kanë marrë përsipër, përmes shoqatash të ortodoksëve kalarinj për të ndërtuar kishat e Kalasë! Dyzet kisha dhe tridhjetë e nëntë shtëpitë e Kalasë!
Vërtet, thua? S’më besohet që të bëjnë detyrat që ka lënë Puzanova, shenjtorja historiane dhe arkeologe ruse që e ka tretur talentin e saj në Berat!
Ka vend, si jo, përgjigjet një i tretë, teksa kërkonte Kuvendin e Qelqët të Telelkave, diku nga fundi i Mangalemit lindor. Më duket me këtë përcaktim sikur Mangalemi është një kontinent. Pse, nuk e ditkeni që Mangalemi është sa një kontinent?!
Mos more! Kush?
Po Mangalemi, pra?
Dhe Kalaja, ku mbeti?
Sa ngutesh, more bir, Magalemi një herë, që fillon tek Shën Mëria e Urës së Goricës dhe mbaron te shtëpia e Kom Picinanes! Pastaj Kalaja. A do ngjitemi nga Shën Mëhilli në Tabie me ashensor? Po? Atëherë pse ankoheni!…
Plakat e jetës do të vijnë në sheshin e ngushtë të kishës për të prerë shiritin kuq e bardhë të përurimit. Se këto vendet e ngushta bëjnë gjëra të mëdha! Ta dini prej meje. Plakat e jetës me nga një dhemb tipik në gojë qeshnin dhe zbulonin floririn e vetëm në gojë për të përtypur gjithë dynjanë…
E fshiva një pikë lot. Nuk thahet më loti tjetër? T’ia vinim flakën njëherë këtij shkëmbi, pa le të digjemi edhe vetë… Punë e madhe fort! Ec e shuaje zjarrin e shkëmbit ku osmanlliu i parë zbriti dhe thirri «Çekbení!» për të njoftuar ushtrinë e madhe të sulltanit që të vinte fshehtas dhe të gjente në gjumë Skënderbeun, ashtu siç e gjeti në të vërtetë. Dhe ky është një nga 999 misteret e pakrahasueshme të Beratit magjik!…
Unë me besim të plotë po hedh gurin e themelit. Më ndiqni! Amen!
Tiranë, më 29.04.2016