• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festë e madhe në Prishtinë, Shugurohet Katedralja Shën Nënë Tereza

September 5, 2017 by dgreca

Festë e madhe në Prishtinë, Shugurohet Shenjtëroreja Shën Nënë Tereza/

prifterinjte1 Ipeshkevi Presid1 tahci ok3 Kungimi1 ok katedralja 5 sht1 Kardinal Ernesti

-Festa-Mesha e shugurimit të Katedraljes Shën Nënë Tereza në Prishtinë ishte shumë solemne dhe madhështore, pjesëmarrës edhe vatranë dhe shumë shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

3 Kardinali1 dila edhe Lek Gojcaj1 Zefi ballore2 Isa Enveri1 Marjani lexon1 Isa Mustafa Fam Rugova

– Presidenti Thaçi: Kjo Katedrale u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë, por edhe dashamirësve nga mbarë bota, katolikë, myslimanë e hebrenj – prej kongresmenëve nga Amerika e deri tek qytetari që ka dhënë qindarkën e fundit për këtë Shtëpi të Zotit/

1 salle e madhe1 Marjani Fam Rugova1 Meshe me salle

-Reportazh i shkruar në 100 vjetorin Lindjes se Nënës Terezë, në 1 Korrik 2010: Kosovë – Në Katedralen Nëna Tereza Janë Ngritur Flamujt e Festës/

SPECIALE-GAZETA DIELLI NGA KORRESPONDENTI NË KOSOVË BEHLUL JASHARI, i akredituar nga Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza. Me raportimet edhe kronikë e historisë së ndërtimit të Katedrales Nëna Terezë në Prishtinë që nga vënia e gurthemelit/

PRISHTINË, 5 Shtator 2017/ Shumë solemne dhe madhështore ishte sot festa, mesha e shugurimit të Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet, madje ishte edhe pjesë e celebrimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili ka ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë në 5 shtator 2017, në ditën që është e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

Në meshën solemne ishin edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, anëtarë të Qeverisë dhe deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të partive politike, të komuniteteve fetare, të shoqërisë civile, mediave nga hapësirat shqiptare e bota, mes të cilave Gazeta DIELLI.

Kjo Katedrale, theksoi Presidenti Thaçi, u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë, por edhe dashamirësve nga mbarë bota, katolikë, myslimanë e hebrenj – prej kongresmenëve nga Amerika e deri tek qytetari që ka dhënë qindarkën e fundit për këtë Shtëpi të Zotit.

“Kjo katedrale është jo vetëm tempull fetar por edhe një rrëfim i historisë sonë. Me këtë rast me lejoni të ripërsëris faktin se jemi krenarë se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nëna Terezë. Nuk ka beze as pëlhurë te bardh ose të zezë që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit”, u shpreh Presidenti i Kosovës.

Me respekt të veçantë në meshën solemne të ftuar dhe pjesëmarrës ishin anëtarë të familjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si dhe të Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Shumë nga pjesëmarrësit janë takuar e përshëndetur me vatranët nga SHBA, para dhe pas meshës solemne të festës së shugurimit të Katedralës Nënë Tereza.

“Që nga shekulli i 4-të është zakon që një kishë katolike të fillojë të përdoret në formë solemne, para së gjithash në një kremtim solemn eukaristik – në meshë të shenjtë (shërbesë liturgjike). Zakonisht një kishë e re kushtohet, respektivisht shugurohet nga ipeshkvi i vendit”, thekson Ipeshkvia e Kosovës.

Ecuria e ritit të shugurimit ishte kjo:
Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë filloi me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të Kishës. Prinin ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues pas të cilëve shkonte i Deleguari i posaçëm i Vatikanit Kardinali shqiptar Ernest S. Troshani, i shoqëruar nga Ipeshkvi i Kosovës Mons. Dodë Gjergji bashkë me ipeshkvinjtë e tjerë të ftuar. Në hyrje të Kishës u bekua uji i përgatitur për të bërë ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Duke hyrë, Kisha dhe hapësira e Kishës u spërkaten me ujë të bekuar. Në ndërkohë këndonte Kori i Kishës i cili përcejllte ceremoninë gjatë gjithë kohës.

Vijuan leximet nga Shkrimi i Shenjtë. Pas Ungjillit dhe predikimit vijoi kushtimi apo shugurimi në kuptimin e plotë të fjalës, i cili u hap me litanitë – ku thirrën në ndihmë ndërmjetësia e shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës katolike.

Vijoi vendosja e relikteve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezes, në vendin e përgatitur – te truporja e saj anash altarit kryesor.

Pastaj altari u pastrua me ujë të bekuar dhe u lye me bagmin apo vajin e shenjtë. Gjithashtu me këtë vaj të shenjtë u lyen edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e Kishës.

Mbi altar digjej temjani apo kemi, shoqëruar nga një këngë e kënduar e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e Ipeshkvit. E gjithë kjo u pasua nga kremtimi eukaristik – kushtimi i dhuratave, respektivisht kujtimi i Darkës së fundit të Jezu Krishtit.

Në përfundim të gjithë besimtarët e kënduan lutjen ‘Lavd e ndera të qoftë, o Zot’ në shenjë mirënjohje për këtë ngjarje të rëndësishme. Të pranishmit e shumë në meshën solemne të shugurimit të Katedralës Nëna Terezë u shpërndanë pas marrjes së bekimit solemn të Kardinalit…

Brenda Katedralës dhe jashtë rreth saj në festën e shugurimit kishte mijëra njerëz,  edhe shqiptarë nga Shqipëria e viset tjera etnike dhe diaspora shqiptare.

Brenda Katedralës në meshën solemne nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ka ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botojë së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”….

Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 gusht, vlerësoi lart të gjitha kontributet. “Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë në 5 shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.

Mbrëmjen e djeshme, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

 

Korrespondenti i tashëm në Kosovë i Gazeta DIELLI  me raportimet është edhe kronikë e historisë së ndërtimit të Katedrales Nëna Terezë në Prishtinë që nga vënia e gurthemelit. Tash edhe i akredituar në Ipeshkvinë e Kosovës nga Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza.

“Kosovë – Në Katedralen ‘Nëna Tereza’ Janë Ngritur Flamujt e Festës”, është titulli i reportazhit që kam shkruar e botuar në Agjenicinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë në 100 vjetorin e Nënës Terezë, në 1 Korrik 2010.

Ndërtimi i Katedralës është bërë i mundur nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë. Rezultati është një Katedrale madhështore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, e lartë 32,50 metra, e gjerë 42,30 metra dhe e gjatë 77,40 metra.

Para një viti, në 2016-tën, shenjtërimit të Shën Nënë Terezës i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën Shën Pali Jashtë Mureve, në 3 shtator, me një përfaqësi mbarëshqiptare. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në 4 shtator.  Mesha e falënderimit është udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në 5 shtator.

Në 26 gusht 2017, kur  nisën “Ditët e Nënës Terezë”  në mbrëmje feste e programi kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës në Katedrale u hap edhe një ekspozitë e autorit Sakip Imeri e fotografive dokumentare që nga vënia e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë.

Pjesë e veprimtarive është edhe ekspozita me fotografi e dokumente “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, e cila është hapur në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytetin e Kosovës, me bashkëorganizim të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkvisë së Kosovës.

Nën një nga fotografitë e ekspozitës lexojmë: “Gonxhe Bojaxhiu nxënëse në shkollën fillore shqiptare të Shkupit, në vitin shkollor 1922/1923”.

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).

Në 10 dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

 

Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji,  Vikar Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovës, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e  traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….

Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë,  si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.

Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.

Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”.

“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në qershor 2010

“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi.

Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.

Po ashtu, Zefi tregonte  se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.

“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë…

***

Në Katedralen “Nëna Tereza” Janë Ngritur Flamujt e Festës

-REPORTAZH I VITIT 2010 – NE 100 VJETORIN E NENES TEREZE/
PRISHTINË, 1 Korrik/ATSH-Behlul Jashari/.- Flamujt janë ngritur këtë verë lart mbi kulmin e katedrales në ndërtim, me emrin e Nënës Terezës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, përballë Universitetit të Prishtinës.
Janë flamujt e ngritur në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, në këtë vit jubilar, të cilin Kosova e shënon si “Viti i Nënës Terezës”, i shpallur e tillë nga presidenti i shtetit më të ri evropian.
I pyetur për këtë imazh flamujsh në Katedrale, Don Shan Zefi, thotë se “është flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i shtetit të Kosovës, dhe Flamuri i Vatikanit Janë tre flamujt, që paraqesin Kishën Katolike edhe në Kosovë”.
Ipeshkvia e Kosovës, e cila kishte selinë në qytetin e Prizrenit, tani ka selinë në Prishtinë, në një ndërtesë të sapondërtuar, shumë pranë, në një oborr, me Katedralen “Nëna Tereza”, e cila është në ndërtim.
Don Shan Zefi, i cili udhëheq punën për ndërtimin e Katedrales, thotë se projekti ecën përpara, sipas afatit të parashikuar. “Deri më 26 gusht 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezës, mendojmë se ndërtesa e Katedrales do hyjë nën kulm, do përfundojnë punimet e mëdha, do të ketë dyert e hyrjes dhe dritaret”, thotë ai.
“Dita e 100-vjetorit të Nënës Terezë është një jubile jashtëzakonisht madhor, do të kremtohet me një pjesëmarrje të madhe e shumë veprimtari. Do të ketë edhe një meshë solmene”, tregon Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.
Ndërsa, shton ai, shenjtërimi – shugurimi i Katedralës “Nëna Terezë”, do të jetë më vonë, pas një kohe që do zgjasë sa dhe përfundimi i të gjitha punimeve, përfshirë edhe ato të brendshme në objektin e Katedrales, që do jetë edhe një mrekulli arkitekturore.
“Është një projekt që do kohë të realizohet. Do të ketë piktura, skulptura, simbole.Do të ketë dekorim me mermere të çmueshëm, me ngjyrat e Nënës Terezës.Edhe arkitektura do të ‘flasë’ shqip”, thotë Zefi.
Katedralja në Prishtinë do të jetë ngjarja më e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të “Vitit të Nënës Terezës” në Kosovë.
Më 11 nëntor 2009 në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ të Kosovës për 100-vjetorin e lindjes së të Lumes Nënës Tereze, ndërsa viti jubilar u hap në 10 dhjetor, me Akademinë kremtore me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezës me Çmimin Nobel për Paqe.
Në këtë Akademi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujtoi se “30 vjet më parë, Nëna Tereza, teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, pasi i nënshkroi Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, shkruajti ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar”.
Presidenti Sejdiu më atë rast shpalli dhe vendimin për “Vitin e Nënës Terezës”.
Don Shan Zefin tregon dhe për kalendarin e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare me famë botërore, të cilat janë paralajmëruar deri në fund të këtij viti nga Këshilli Organizativ i Kosovës.
Ai ka folur dhe rreth temës “Kush ishte e Lumja Nënë Tereza?”, në një nga aktivitetet e zhvilluara deri tani, gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor.
“Kjo datë historike e 100 vjetorit të Nënes Terezës do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua, e sidomos për popullin shqiptar, nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë”, pat theksuar më atë rast Zefi.
Gjatë kesaj vere, gushtit, pritet që “Figura e Nënës Terezës në letërsi” të jetë tema e një sesioni në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Po gjatë gushtit, mendohet që të bëhet përurimi dhe emërtimi i Urës së Mitrovicës, mbi lumin Ibër, “Ura e Paqes – Nëna Tereza”.
Për ditën e lindjes së Nënës Terezës, krahas veprimtarive për Katedralen, do të jetë edhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, dhe pritet akordimi i Medaljes Humanitare “Nëna Terezë” nga presidenti i vendit.
Më 5-10 shtator është paraparë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezës”.
Ndër aktivitetet që priten deri në fund të vitit është dhe botimi i pullës postare me portretin e Nënës Terezës dhe përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereza” në qytetin e Prizrenit.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujton fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, nga takimi i parë me të në vitin 1975.
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë. Kur i thamë se jemi nga Kosova, Nëna Tereza menjëherë u shpreh shqip. Tregoi se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakonshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët.”, kujton Zefi.
Zefi tregon se me Nënën Terezën u ritakua dhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregon se me Nënën Terezën ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë.E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidh botën shqiptare”, thotë Zefi, ndërsa bisedojmë në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralen në ndërtim në Prishtinë. Fryma, emri dhe shembulli i Nënës Terezës në Kosovë është kudo. Emrin e saj e mban dhe shoqata e bamirësisë, që ka vepruar e ndihmuar që nga kohët më të vështira për Kosovën. E mban dhe sheshi kryesor i kryeqytetit, Prishtinës.Do ta mbajë dhe ura e Mitrovicës mbi Ibër, me mesazhin për t’u shndërruar nga një simbol konfliktesh e ndarjesh në një simbol paqeje e bashkimi.
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në Akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, theksoi se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”./s.s./

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Shën Nënë Tereza, Shugurohet Katedralja

Simbolika e Logos së Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza

September 2, 2017 by dgreca

1 Logo

Sipas traditës  shekullore, institucionet dhe personat zyrtarë, kanë një logo apo stemë me të cilën identifikohen në shkresa, dokumente, vula e tjera. Një traditë e tillë shpeshherë përdoret edhe për ngjarjet e rëndësishme.

Duke qenë që Shugurimi i Shenjtërores Shën Nënë Tereza, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kishës dhe të Vendit tonë në këtë kohë, kemi vendosur që kjo festë ta ketë Logon e vetë, e cila do të përdoret në ftesa zyrtare, në figura festive, si dhe në materiale promovuese të kësaj Dite.

Çfarë simbolizon logoja e Shugurimit?

  1. Katedralja, brenda dy krahëve të Shqiponjës – simbolizojnë Popullin dhe Kishën që ka lind Shën Nënë Terezën, e cila qëndron në ballë të Katedrales, duke bekuar Vendin, Popullin dhe Kishën e vet. Krahët e Shqiponjës janë me ngjyrë të bardhë, pasi që tani populli ynë jeton në paqe dhe liri. Por mbi gjitha, ato i bënë të shëndritshme rrezatimi i dritës së  dashurisë, me të cilën  Nënë Tereza ka shëndrit zemrat e njerëzve në mbarë botën.
  2. Hapësirat mes krahëve të Shqiponjës janë përshkuar me përzierjen e ngjyrës së kuqe dhe të kaltër. Ngjyra e kuqe, simbolizon tokën tonë të përgjakur nga martirizimet e shpeshta dhe të shumëfishta, kurse ngjyra e kaltër simbolizon qiellin, që do të thotë se, me Shenjtërimin e Nënë Terezës, në popullin tonë është bashkuar qielli e toka.
  3. Kombinimi i vizave bardhë e kaltër – simbolizojnë veshjen modeste të Shën Nënë Terezës (sarinë), që është një nga veshjet më të thjeshta të grave indiane. Forma ovale e këtyre vizave ka dy domethënie: e para, është përmasa botërore e figurës së Shën Nënë Terezës, që paraqet globin dhe përfshin gjithë njerëzimin, ndërsa kuptimi i dytë është forma vezore, që simbolizon vezën e Shqiponjës, prej së cilës çelë pëllumbi i paqes, (që është vetë Ajo), e cila merrë  krahët e saj, e bashkon popullin tonë me popujt e botës dhe e fton atë të mbushë zemrën e vet me dashurinë e krishterë për mbarë njerëzimin.
  4. Katedralja – Shenjtërorja, brenda Shqiponjës dhe e mbështjellur me ngjyra bardhë dhe kaltër, është fryt falënderimi i Popullit tonë ndaj Zotit dhe shprehje e dashurisë për Nënë Terezën. Ne, populli i saj, do t’ia kushtojmë asaj këtë Kishë me 5 shtator 2017, sikur është shënuar në fund të logos. Prandaj, Fytyra e saj është vendos në ballore të Shenjtërores, kurse me shkrimin mbi krahët e shqiponjës, ftojmë Popullin tonë t’i lutet kësaj Nëne. Akrepat e orës 11:00, në orën e këmbaneres, shënojnë kohën kur do të fillojë kremtimi solemn i Shugurimit të kësaj Shenjtërore.

Gjitha këto simbolika janë të mirëmenduara nga Këshilli Organizativ për Festë, dhe janë realizuar me duart e arta të një djali të ri autodidakt, Lin Halili, i cili ka gëdhend edhe kapitolat brenda Katedrales./drita.info

Filed Under: Kulture Tagged With: Shën Nënë Tereza, Simbolika e Logos së Shugurimit të Shenjtërores

Engjell i Mirësisë, Shën Nënë Tereza, lartëson emrin e popullit shqiptar

December 16, 2016 by dgreca

1 nene Tereza shenjte

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj, New York/Festa për përkujtimin e Shën Nënë Terezës, është nder e krenari të thuhet qysh në hyrje të kumtesës sime, se ilirët të parët tanë, ishin ndër të parët banorë të pellgut të Mesdheut që përqafuan me dëshirë dhe praktikuan krishtërimin. Nga burimet historike, Krishtërimit ndër shqiptarët janë të mbushur me shumë ngjarje të rëndësishme historike.
Trojet iliro­shqiptare kanë qenë, një nga vendet e Europës ku u përhap me herët krishterimi. Historiani, i shquar i Mesjetës së Ballkanit albanologu kroat Dr. Millan Shuflaj, në veprën: “Serbët dhe Shqiparët”
është shprehur se: “Fillimi i Krishterimit ndër keto vise (Iliri) bën pjesë ne historinë e shekullit të parë të këtij besimi.” Vetë Shën Pali shprehet: “Nga Jeruzalemit e perqark në Iliri e kam përhapur
Ungjillin e Krishtit.” (Rom.15:19)
Shën Nënë Tereza duke qëndruar pranë më të varfërve të planetit bëri mrekullitë, gjë e cila bëri që Selia e Shenjtë në Vatikan të filloj procedurat e Shenjtërimit të saj. Ajo sot është e Lumtur prej vitit 2003, dhe sot do të bëhet Shenjtëresh në mbreterinë qjellore mbas dy mrekullive të cilat janë vërtetuar nga ekspertët mjekë më të mirë të botës.
Mrekullia e parë e Shën Nënë Terezës habiti të gjithë botën, por në veçanti Kalkutën e Indisë, ku një grua 30­vjeçare që vuante nga kanceri ishte shëruar plotësisht nga mrekullia e Nënë Terezës, të cilën fakt ajo e deklaroi edhe para Komisionit të ekspertëve mjekësorë të ngritur nga Vatikani.
Gjatë gjithë kohës që vuante nga sëmundja ajo ishte lutur Nënë
Terezës, që ta shëronte. Dhe një ditë mrekullia ndodhi! Si mrekulli të dytë të Nënë Terezës, është vërtetuar nga një komision ekspertësh mjekësor shërimi papritmas i një braziliani, i cili vuante nga një infeksion viral në tru, që i kishte përfshirë të gjithë trupin.
I sëmuri ishte një besimtar i devotshëm i Nënë Terezës, dhe gjatë vuajtjes lutjet e tij ia kishte dedikuar bamirëses nenes Tereze, ku ai sherohet. Sipas mjekëve të famshëm që janë marrë me hulumtimin e mrekullisë së dytë të Nenë Terezës, kjo mrekulli është e pamundur të shpiegohet shkencërisht.
Sot 4 shtatori 2016, është dita më e shënuar në historinë e Kishës Katolike Universale dhe për shqiptarët pa dallim besimi fetar. Kjo ngjarje e madhe historike perkon me Vitin Jubilar të Mëshirës për Kishën Katolike dhe Selinë e Shenjtë në Vatikan. Gonxhe Bojaxhiu e njohur sot si Shën Nënë Tereza, ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut.
Ajo mësimet e para i mori në një shkollë shqipë në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin në gjuhën serbo­kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin Tereza e mori kur ishte ne moshen 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
Murgesha shqiptare u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë, ku më vonë ajo u vendos në Kalkuta (Indi), dhe fillimisht u bë mësuese, e shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.
Nënë Tereza e Kalkutës, u quajt kur themeloi urdhrin Misionaret e Dashurisë (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, së Indisë dhe gjithë botës.
Nënë Tereza, është një Shenjt i madh, që tani ka pushtuar kohrat dhe kontinentet si mishërim i lartësisë kulmore dhe gjerësisë humane të pakrahasueshme të njerëzimit.
Figura e Shën Nënë Terezës sa tokësore dhe qiellore është shqiptare, e gjakut dhe frymës sonë. E përgatitur nga rrënjët tona hyjnore pelazgjike, ajo u ngrit si nga lartësia e shpirtit shqiptar, duke kaluar nëpër të gjitha rrugët e kontinenteve, dhe shteteve, nëpër tërë mjerimet e njerëzve, duke përhapur dashuri dhe humanizëm me frymën e Zotit në shpirtin e njeriut.
Sa shenjtore aq dhe shqiptare, me përpjekjet e flijimit sublime, Ajo krijoi një univers human të ri të saj, botën me të madhe të humanizmit në shekullin me të trazuar.
Bamirësja trupvogël krijoi një urdhër fetare, që u shtri mbi 100 vende të kontinentit, duke ndërtuar institucione për me të varfërit, gjymtuarit, leprozët, jetimet, të braktisurit, të sëmuret etj. Ajo sakrifikoi veten e saj për të varfërit, dhe me sa duket Ajo ka patur fuqi të mbinatyrshme, për të përballuar atë punë të jashtëzakonshme që bëri gjatë jetës së saj plot përkushtim.

Miliona njerëz nëpër botë e kanë konsideruar atë si Shenjtneshë. Shumë mendojnë se Zoti e dergoi atë për tu shërbyer të varfërve nëpër botë. Ajo erdhi në këtë Planet, duke u kujtuar njerëzve rrugën e sakrificave dhe mundimeve plot vuatje të Krishtit, sikurse Krishti qe erdhi ne bote tu kujtoj njerezve rrugen e Zotit.
Ashtu si Krishti që lindi në një grazhd, pra në rrethana të thjeshta, në varfëri; ashtu dhe Nënë Tereza doli nga gjiri i popullit më të varfër në Europë.Historia e njeriut tregon shembuj të fisnikërisë supreme dhe shembuj të njerëzimit të plotë.
Niveli më i lartë i fisnikërisë arrihet nga herojtë dhe nga shejtorët me punë, me lutje, ose me studime. Kjo bijë e racës shqiptare, kur hyri në përjetësi tërë bota i ra në gjunj, Nënës Shenjtneshë së parë në histori që u nderua me titullin Qytetare e Globit.
Ajo i shpjegoi botës se shqiptarët janë populli i lashtë, i shejtë I(mbushur me qindar shenjtorë), populli i Biblës, dhe populli i historisë.
Për njerëzimin mbarë, Nënë Tereza është një vlerë për të gjithë racat, kombet, dhe besimet fetare.
Për ne shqiptarët ajo është më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lënde prej dheut tonë, pjesë e
pastër prej gjakut tonë, dashuri prej gjoksit të fisit tonë.
Kjo Nënë e dashur ishte dhe mbeti simboli i dashurisë për të gjithë njerëzit e botës. Ajo ia kushtoi jetën e saj njerëzve të thjeshtë, mbushi me dashuri fëmijët me të meta fizike e mendore, për ata të varfër, për ata që pritin vdekjen nëpër rrugë, për të braktisurit, për të gërbulurit, dhe për të sëmuret.
Ajo rriti besimin ndaj Zoti, luftoi armiqesinë e hakmarrjen, inkurajoi virtytet e mira. Kujtimi për këte Nënë do të jetë shekullor për çdo njeri të çdo kombësie dhe besimi.
Humanistja e madhe ishte një shenjtore mbi tokë, ndërsa tani është një shenjtore në qiell. Zemrat e foshnjeve, fëmijëve, të rriturve e pleqëve do të përulen me respekt e nderim para figurës e portretit të
saj që nuk njeh kufi.
Eshte e qartë se Nënë Tereza kishte përkrahjen e Shën Papa Gjon Pali II, Papa Benedikti, Papa Franceku, kardinalëve, presidentëve, mbretërve, princerve, diplomatëve të huaj, fituesve të Çmimeve Nobel në fushat të ndryshme humane dhe shkencore, bisnesmenëve më të fuqishëm të globit,
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në Oslo (Suedi) më 1979 Nënë Tereza deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu
im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh.
Në vitin 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shkodër, Kukël (Bushat) etj. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende të botës.
Sot Shen Nene Tereza eshte shejte ne mbrterine qjellore, ne mesin e apostujve, shenjtorëve e shenjtereshave, dhe martirëve të tjerë të Kishës Katolike, të cilët ndër shekuj kanë bërë mrekulli dhe ndodhen
në kalendarët e Kishës ku përkujtohen çdo vit.
Shën Nënë Tereza rreshtohet pranë dy gurgdhendësve nga Ulpiana e Dardanisë Shën Florid dhe Shën Lauri të cilët anti të krishterët paganet Romak i mbytën në uje. Shën Niketa, Shën Helenës, Shën Kostandini, Shën Dardanit, Shën Lefterit, Shën Angjelines (motra e Gjergj Aranitit dhe e Donika Kastriotit), Shën Dhimitrit, Shën Xhakoni i Vlorës, Shën Frani, nga Durrësi, Shën Gjergji i Janinës, Shën Joani i Konicës, Shën Kristo kopështari i Përmetit, Shën Kristo nga Perveza, Shën Marini i Sarandës, Shen Demetri nga Vlora, Shën Naumi i Ohrit e dhjetra shenjtorë të tjerë me origjinë shqiptare.
Simbas dëshmive historike, kultura e pasur dhe pozitive e krishtere eshte pervetsuar me dashuri nga shqiptaret nder shekuj. Ata nxoren njerëz të shquar në historine e lavdishme te krishtërizmit, me figura
të shquara si. Shën Jeronimi i Ilirise enciklopedistin e famshem që bëri perkthimin e parë të Biblës latinisht, duke i dhenë botes për herë të parë librin e shenjtë, në mesin e shek. IV. Heroi Kombëtar
Gjergj Kastrioti Mbrojtësi i Krishtërimit dhe i Arberisë nga invazioni barbar islamik otoman, dhe Shën Nënë Tereza, si mishërim i idealeve të krishtera.
Kleri Katolik Shqiptar, është përpjekur ndër shekuj për të sjellë në Shqipëri frymen civilizuese të Europës. Mendjet e ndritura te klerit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mëndimit njerëzor, krijimtarine letrare artistike, shkencës dhe teknologjisë, organizimin politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin dhe përparimin e njeriut të lirë, janë vlera të rëndësishme, që kemi trashëguar ne shqiptarët. Si të tillë me krenari mund të përmendim gjuhën shqipe, një nocion i ndarë politikisht, gjeografikisht, i cili ka ruajtur të paprekur pasurinë e përbashkët të gjuhës shqipe.
Kësisoj kemi të bejmë edhe me klerin e doktorinës teologjike, që kanë ndikuar në historinë nacionale shqiptare. Në rastin konkret qytetrimi shqiptarë, është një fragment, pjesë e spirales historike të
qyteterimit botërore.
Së fundi duke u përshendetur të gjithëve në këtë ditë të madhe të shenjtërimit të Nënë Terezës, shëjtnesha dhe figura me e njohura në Botën njerzore, fjalë të ngrohta nga zëmra ju përcjellim të gjithëve juve, po ashtu klerikëve të gjithë besimeve fetare.

Filed Under: ESSE Tagged With: emrin e popullit shqiptar, Engjell i Mirësisë, Gjon Fran Ivezaj, lartëson, Shën Nënë Tereza

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT