• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shenjtëreshë për Dashuri – Nëna Tereze (1910-1997)

December 8, 2017 by dgreca

2017- Përvjetorët e Shenjtëreshës- Nëna Terezë: 20 vjetori i vdekjes, 1 vjetori i shenjtërimit; 38 vjetori i Çmimit Nobel për Paqe/

1 Don Lushi

Shkruan: Don Lush GJERGJI/

Vitin që po e lëmë pas, 2017, për ne, Kishën katolike dhe popullin Shqiptar kudo në botë, ka qenë i  shënuar dhe i bekuar, shumë i frytshëm dhe domethënës në shumë kuptime dhe drejtime, sidomos në përkujtimin e përvjetorëve të Shën Nënës Tereze:

1 nene Tereza

  • 38 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe, në Oslo (Norvegji), 10 dhjetor 1979;
  • 20 – vjetori i vdekjes së Shën Nënës Tereze,  në Kalkutë,  5 shtator 1997;
  • 1- vjetori i shenjtërimit të Nënës Tereze nga Papa Françesku, në Vatikan (Romë), 4 shtator 2016;
  • Shugurimi i Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë,  5 shtator 2017.

Këto ngjarje shënojnë historinë e Kishës Katolike në popullin Shqiptar, si dhe historinë tonë kombëtare, me domethënie dhe porosi të mëdha dhe shumë aktuale për ne, por edhe për mbarë njerëzimin.

Ta njohim, zbërthejmë, shqyrtojmë, përjetojmë Nënën tonë Tereze, tiparet e saja dalluese, porositë e saja karakteristike,  risitë që i ka dhuruar Zoti nëpërmjet saj, domethënien  për ne dhe prej brezat e ardhshëm, veçoritë që atë e kanë karakterizuar dhe dalluar,  sidomos në domethënien e  fesë dhe të dashurisë së krishterë.

Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianët  të ndryshme të botës, që nga takimi im i parë personal në vjeshtë në Romë në vitit 1968. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian” në Romë. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986; isha me të gjatë Çmimit Nobel për Paqe (Oslo, 1979); në shumë vende të Evropës Lindore;  sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë (1989)…

Çdo takim ishte si i pari dhe  i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos malli për Atdhe, lidhja e ngushtë shpirtërore me Popullin dhe Kishën ndër Shqiptarë,  por edhe vuajtja me ne dhe për ne, por edhe  për njerëzit e mbarë botës.

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës: tradita dhe përvoja familjare, kombëtare shqiptare, që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, si dhe përvoja dhe jeta dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit që identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e  bëtë për mua” (Mt 25, 40). Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 17 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashterrshme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllaun apo motrën Njeri.

  1. Disa risi në jetën dhe veprën e Nënës Tereze: feja, shpresa dhe dashuria

Ndër risitë më të rëndësishme që kam hetuar unë janë këto: feja – që për Nënën Tereze ishte kërkim i Zotit në Njeriun dhe i Njeriut në Zotin në çdo fazë të jetës së saj. E kishte kërkuar Zotin dhe thirrjen, planin e tij prej moshës 12 deri 18 vjeçare, kur kishte vendosur plotësisht t’i kushtohet atij: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës” (Letnicë, 14 gusht 1928). Gjatë 18 viteve si “Motër e Loretos”  dhe së fundi prej vitit 1950 e deri te kalimi në amshim. Ajo kurrë nuk e ka ndarë Zotin prej Njeriut dhe Njeriun prej Zotit.

Shpresa – veprim gjithnjë dhe kudo me dashuri dhe për dashuri, me parimin: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”. 

Dashuria – flijim dhe dhurim pa kursim për t’u bërë dhe mbetur Nëna e Dashurisë.

  1. Nëna universale – universalizmi i jetës dhe dashurisë

Misioni i Nënës Tereze është Dashuria, vendveprimi është bota, mbarë njerëzimi, metodologjia është dëshmia e krishterë, qëllimi është lehtësimi dhe pakësimi i vuajtjeve, mënyra është pjesëmarrja e plotë dhe e lirë në jetën e tyre, të privilegjuar janë të braktisurit dhe të dëbuarit e botës.

Risia e dytë e Nënës Tereze ishte UNIVERSALIZMI në çdo kuptim dhe drejtim kohor dhe hapësinor në dy parime themelore: Për Zotin – Dashuri dhe Njeriun – vëlla apo motër, pra, i jetës dhe dashurisë. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur në vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo nuk kishte për qëllim kthimin e të tjerëve në fenë e krishterë, në Kishën Katolike, por “që të jetë në mesin e tyre rrezja e Pranisë dhe e Dashurisë së Zotit, që t’ ua dhurojnë të gjithëve Zotin – Dashuri – Atë”.

Qëllimi i saj, pra, ishte diçka tjetër, dashuria dhe prania e Zotit në botën e sotme, sidomos ndër të varfrit më të varfër, të braktisur, të gërbulur, njerëz të përbuzur dhe të përjashtuar nga jeta e rëndomtë, për t’ua dëshmuar të gjithëve se çdo njeri është së pari Njeri, i afërmi ynë, vëlla apo motër, deri te ajo që në çdo Njeri ta shohim, njohim, duam dhe shërbejmë vetë Jezusi, dhe këtë me shembullin e jetës dhe dëshminë e përditshme.

Ja çka thotë Nëna Tereze për motrat që i ka themeluar ajo me emërtim “MISIONARET E DASHURISË”: ”Misionarja e Dashurisë duhet dhuruar, por mbi të gjitha duhet ta dhurojë vetveten… Për t’iu dhuruar të varfërve dashuri, ne duhet të jemi të afta ta duam njëra-tjetrën në bashkësinë tonë rregulltare, t’i dhurohemi tërësisht Zotit nëpërmjet të afërmit, nevojtarit… Ne jemi motra rregulltare dhe thirrja jonë nuk është puna me të gërbulur, apo me njerëz në buzë të vdekjes: Thirrja jonë është të jemi tërësisht të Jezusit. Pasi jam e Jezusit, puna ime është mjet për ta treguar dashurinë ndaj Tij. Prandaj puna është mjet e jo qëllim jete”.

  1. Vuajtja – bekim e jo mallkim

Risia e tretë e Nënës Tereze është kjo: vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, Sida, si dhe çdo pësim tjetër, nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Ajo e shihte, e njihte, e shërbente  dhe e dashuronte Jezu Krishtin në ata që nuk kishin më as pamje njerëzore.

Ajo thoshte kështu:”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Ne varemi tërësisht prej Provanisë hyjnore… Ja ana më e bukur e rregullit tonë… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

  1. Dhurim falas dhe në tërësi

Risia e katërtë e Nënës Tereze është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëre këtë punë me zemër, ose mos e bën aspak!”.

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.Ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore dhe morale, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit  nëpërmes njeriut.

  1. Kontemplative aktive në botë

Veçoria e pestë e Misionareve të Dashurisë është kjo: kontemplative aktive në botë. Kjo do të thotë të jenë tërësisht të kushtuara Zotit në lutje, meditim, adhurim, pendesë, dhe si pasojë e kësaj jete shpirtërore, të jenë edhe aktive në botë me dashuri vepruese. Pse dhe si? “Të gjitha për Jezusin, në Jezusin dhe me Jezusin”.Urata, meditimi, adhurimi, mesha, kungimi, me një fjalë e tërë jeta shpirtërore ka për qëllim që motrat të aftësohen për dashuri, për dëshmi, për veprim, për ta njohur, ndihmuar, dashur dhe shërbyer Jezusin në njerëz që vuajnë.Kontemplative aktive domethënë ta kërkojmë, gjejmë, shërbejmë Zotin jo vetëm në çaste të kushtuara atij, në jetën tonë shpirtërore, por gjithkund dhe gjithnjë pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë.

Nëna Tereze thoshte: ”Nëse e njohim, duam, adhurojmë, ushqehemi me Jezu Krishtin vetëm në meshë, në Kungim, është tepër pak. Ne lutemi, meditojmë, adhurojmë, marrim pjesë në meshë, e marrim Jezusin në Kungim në zemër për ta vazhduar këtë kërkim dhe shoqërim me të në përditëshmëri. Nëse e gjejmë dhe shërbejmë Jezusin në të varfrit tanë, atëherë jemi kontemplative në mesin e botës”.

Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe gjatë do të mbesë Ungjilli i gjallë, risia ungjillore, Misionarja e Dashurisë, Nëna e botës së mjerimit, tash Shenjtëresha  Jetës dhe Dashurisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: (1910-1997), don Lush Gjergji, Nena Tereze, Shenjtëreshë për Dashuri –

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT