Opinion nga Mimoza Dajçi/Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për vendet e ish Jugosllavisë liron si të pafajshëm liderin e partisë radikale serbe Vojislav Sheshel, ndërkohë që ai gjatë një proteste refuzoi kthimin në Hagë e dogji flamujt e Nato-s dhe BE-së. Ultranacionalisti Sheshel akuzohej për pastrim etnik, krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1991-1993 në Kroaci, mbi popullsinë muslimane në Kroaci, Bosnje dhe Vojvodinë, por Gjykata e ICTY -se e la të lirë. Vendim shokues ky për të gjithë që ata që u torturuan, vranë dhe u zhdukën padrejtësisht nga ai personalisht dhe forcat militare serbe që ai drejtonte mbi popullsinë e pambrojtur.
Personalisht ky vendim i këtij tribunali nuk më çudit aspak.
Disa muaj më parë kam qenë prezent si vizitore në atë Tribunal Drejtësie – si përfaqësuese e organizatës – The Women’s Organization “Hope & Peace”, që meret me të drejtat e gruas e të fëmijëve, asistova në gjyqin që po zhvillohej ndaj kriminelit Ratko Mladiç. I cili akuzohet për krime lufte në Kroaci, Bosnje, Hercegovinë. Por mënyra se si po zhvillohej ai proçes gjyqësor linte për të dëshërur, e më la një shije të hidhur.
Edhe mënyra se si fëmijët e kriminelit Ratko Mladiç, e vetë ai qeshin apo komunikonin së bashku pas xhamit të tejdukshëm e hermetik të sillte hije dyshimi. Sikur aty nuk po zhvillohej një gjyq i krimeve të rënda, e sigurisë së lartë, por një gjyq ordiner. Familjarët dhe krimineli Mladiç ndiheshin aty si në shtëpinë e tyre (kështu mu duk mua, qofsha e gabuar).
Por këto skena që vumë re ne nuk besoj të kenë kaluar pa u vënë re edhe nga trupi gjykues, nuk e besoj, ose bënin sikur nuk i vinin re!…Mladiç qëndronte tepër indiferent ndaj trupit gjykues e akuzave të tij, e seancës gjyqësore ndaj tij. Ulur në një karrige rrotulluese, kokën e trupin kthyer komplet nga salla, fëmijët e vizitorëve në sallë. Gjyqtarët e prokurorët fisnin, por sikur nuk flisnin për të akuzuarin përballë, por për një jashtëtokësor. E habitshme, por ishte e vërtetë, ashtu po ndodhte.
Shumë punonjës me peshë në atë institucion të rëndësishëm ishin me kombësi serbe, të paktën siç na u prezantuan, pa e ditur që unë apo dikush tjetër nga ne ishim shqiptare.
Në sallën e konferencave ku u zhvillua biseda mes grupit tonë dhe drejtuesve të Tribunalit, nga pyetjet që ne i drejtuam ata vunë në dyshim origjinën tonë, por që nuk arritën të na pyesnin direkt. Vetëm sa shikonin njëri tjetrin në heshtje, pasi në atë sallë ndodheshin edhe misionerë të tjerë të paqes nga vende të ndryshme të botës. Nuk mund të them, se nuk kishte edhe shqiptarë të punësuar në atë godinë, por personalisht veshi dhe syri më zuri vetëm serb, mbështetës të kriminelit Ratko Mladiç, të cilët erdhën më pas në sallën e gjyqit si miq të kriminelit Mladiç.
I akuzuari Ratko Mladiç ndihej aty, sikur nuk ishte në sallën e gjyqit, ku gjykohej për genocid mbi popullsinë civile e të pafajshme muslimane, por veshur shik sikur kishte dalë shëtitje, e ishte ulur në kafe për qef të tij. Frika e krimit e detyronte të pyeste me kokë kush ishim ne, apo çdo qytetar i panjohur që hynte në atë sallë. Kështu edhe situata me kriminelin Sheshel, i cili edhe pse dogji flamujt e Nato-s dhe BE-së, e krimeve që rëndojnë mbi atë si ish zv/ president në kohën e Millosheviçit përsëri doli i pafajshëm.