• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shfrytëzimi i fotografisë

June 30, 2016 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA-New York/

U dha lajmi se një shqiptar në SHBA në vitin 2012, kishte dhënë për fushatën presidenciale amerikane një shumë prej 80000 dollarësh në favor të Obamës, të cilat ia kishte dhënë Edi Rama. Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi, Presidenti Obama bëri një fotografi me Edi Ramën.

Ishte maj i vitit 2013. Zhvillohej fushata zgjedhore në Shqipëri. Në tubimin e madh të zhvilluar në Tiranë, për të paraqitur kandidatët për deputet, PS-ja solli dy risi:  fotografinë, në të cilën paraqitej Edi Rama në një takim me Presidentin Obama, dhe koncertin e përbashkët festiv të kandidatëve për deputetë dhe popullit. Në atë kohë, për këtë ngjarje, unë bëra një copë shkrim i cili, me disa ndryshime fare të vogla, ishte ky:

Çdo kandidat për deputetë, duke përfshirë edhe Edi Ramën, kishte zë s’kishte zë, këndoi solo një copë të këngës së zgjedhur enkas për atë ditë. Disa dashakeqë e quajtën këtë mënyrë të kënduari dhe atë shfaqje aheng. Ndofta këta nuk e dinë se në botë pjesëmarrja e udhëheqësve në gëzime popullore është gjë e zakonshme. Mjafton të përmendim këtu pjesëmarrjen e Putinit, Xhorxh W. Bushit, të dy princërve britanikë, Uiliam dhe Heri, e të tjerë, e të tjerë që bashkohen me masat në një gëzim të përbashkët dhe kërcejnë e këndojnë, apo siç thuhet sot: përformojnë bashkë me to, për t’i dhënë gjallëri atij gëzimi. Masat i vlerësojnë udhëheqësit që shkrihen me to.

Por risia më e madhe e atij tubimi ishte fotografia që Edi Rama kishte bërë me Presidentin Obama nja një vit më parë dhe që u ruajt me kujdes për t’u zbuluar tashti. Në fotografi të treguar në një ekran të stërmadh elektronik, paraqitej Edi Rama tek bisedonte me Presidentin Obama. Të dy dukeshin të qeshur e të gëzuar, të dy kishin tokur duart, të dy dukeshin se ishin në pajtim të plotë, apo, siç thuhet tashti, ishin dakordësuar. Edhe për fotografinë thanë se nuk ishte ndonjë gjë kushedi se çfarë, se është diçka e zakonshme që udhëheqësit bëjnë fotografi të tilla, jo vetëm me udhëheqës të tjerë, por edhe me njerëz fare të zakonshëm. Unë nuk jam i atij mendimi, dhe ja sepse.

Po kalojmë nja 30 vjet më parë, në kohën kur po zhvillohej fushata e madhe e tufëzimit, fushatë që populli shqiptar e priti “me gëzim të madh”, ashtu sikurse kishte pritur  dhe çdo fushatë tjetër të Partisë. Të gjithë, fshatarë e qytetarë, ose duhej t’i thernin bagëtitë private, ose duhej t’i bashkonin ato në tufat kooperativiste. Prona private ishte e rrezikshme dhe ajo duhej zhdukur. Të mbaje, jo një lopë, por edhe një pulë, do të thoshte të kishte tendenca kapitaliste, do të thoshte  të mbaje të ndezur frymën e kapitalistit. Megjithatë, tek tuk, kishte edhe nga ata që nuk iu bashkuan menjëherë asaj fushate madhështore, e cila do të çlironte njeriun nga varfëria dhe do ta drejtonte nga bollëku dhe nga kultura.

Tregohej në formë shakaje, por mund të ketë qenë e vërtetë se, në këtë kohë, aty nga fillimi i viteve 1980, në një fshat në Lezhë, një familje mbante ende një derrkuc të fshehur. Organizata e frontit e fshatit dhe veprimtarët e saj, nuk mund të pranonin që në fshatin e tyre, ndryshe nga fshatrat e tjerë, të kishte edhe një familje me tendenca kapitaliste dhe i bënë një kontroll të befasishëm asaj familjeje e cila dukej se e kishte nuhatur kontrollin dhe kishte marrë masat e saj. Kontrolli u bë, u kontrollua çdo vrimë e shtëpisë, por nuk u gjet gjë. Organizata e atij fshati deklaroi me mburrje se në fshatin e tyre nuk kishte më gjë të gjallë private. Ç’kishte ndodhur? Burrat e shtëpisë që mbante derrkucin, i kishin dhënë derrkucit raki, e kishin dehur, e kishin vënë në gjumë dhe një nga nuset e shtëpisë e kishte vënë në djep, e kishte mbuluar dhe kur veprimtarët e frontit u futën në dhomën ku nusja po tundte djepin dhe po këndonte një nina-nana, ajo ua bëri me shenjë që të mos lëshonin zë, se po i zgjonin fëmijën. Kështu, derrkuci shpëtoi, shpëtoi dhe familja. E paraqita këtë rast për të kuptuar atmosferën absurde dhe të rrezikshme të kohës kur do të zhvillohet ngjarja që do të tregoj më poshtë.

Punoja në Institutin Hidrometeorologjik të Akademisë së Shkencave. Qendra ime ishte tek ai që quhej Observatori i Institutit dhe që ndodhej ngjitur me klubin e futbollit “Partizani”. Ishte një ndërtesë dy katëshe që kishte një oborr të bukur përpara dhe një kopsht mjaft të madh anash dhe mbrapa në të cili kryheshin matje e eksperimente të ndryshme meteorologjike e hidrologjike. Kur shkova para tri vjetësh për ta vizituar, kopshti ishte tkurrur dhe shkretuar, kurse sot nuk ekziston fare. E mori me vete demokracia, ashtu siç mori edhe vetë Akademinë e Shkencave dhe institutin tonë me gjithë ndërtesa e njerëz. Në atë kohë, oborri dhe kopshti mbaheshin mirë, ishin gjithë bar e lule. Një herë apo dy herë në vit, bari korrej dhe i shitej një ndërmarrje komunale që i nevojitesh si ushqim për kuajt që kishte.

Në njëfarë kohe na erdhi si rojë një ish-polic. Azbi quhej. Azbiu, rrinte që rrinte në atë kopsht të bukur e plot bar, mori edhe një dele dhe e kulloste aty. Pas pak kohe delja i mbeti me barrë dhe Azbiu u gëzua. Do të merrte edhe një qengj prej saj. Gëzimi i Azbiut zgjati pak. Fronti Demokratik i lagjes, si gjithnjë vigjilent, mori vesh se Azbiu mbante një dele. Një ditë i shkoi dhe e urdhëroi ta therte delen, përndryshe Azbiu do të kthehej në kapitalist dhe mund të pushohej edhe nga puna. Azbiu nuk ia bëri dysh fjalën Frontit dhe Partisë. Ai e theri delen. Siç na tha, nuk i erdhi keq që humbi delen, por, se mishi i deles me barrë nuk hahej dhe shkoi dëm. Prej deles, Azbiu fitoi vetëm 100 lekë nga shitja e lëkurës.

Po në këtë kohë, vinte dhe fuste nja 7-8 dele në kopshtin tonë edhe një person që tha se ishte nga Kukësi, një prej atyre që me dashakeqësi dikur quheshin “dru me pre”. Emrin nuk ia mbaj mend, por po e quaj Zylfi. Zylfiu jo vetëm që fuste në kopsht delet për t’i kullotur, po na vinte edhe brenda në laboratorë dhe na tregonte për jetën e tij. Një ditë e pyetëm se si ishte puna që Azbiu kishte vetëm një dele, një dele me barrë, dhe Fronti e detyroi të therte, ndërsa atij që kishte disa dele nuk i thoshte asnjë fjalë. Pa e zgjatur, Zylfiu zbërtheu xhaketën, e hapi, futi dorën në një xhep të madh të qepur mbi astar dhe nxori prej tij një fotografi të madhe me kornizë dhe me xham. “E shikoni këtë, – na tha –  kjo m’i zgjidh problemet mua”. Pamë komandantin, Shokun Enver, që kishte tokur duart me një person në spital, në shtrat, tek bisedonin të dy të gëzuar.

“Ç’është kjo?” – e pyetëm.

“Ky është Shoku Enver dhe ky tjetri jam unë, Zylfiu. Jemi pas provokacioneve greke të gushtit të vitit 1949. Unë kam qenë ushtar në atë kohë, mora pjesë në luftë  dhe u plagosa. Shoku Enver erdhi e më takoi në spital. Më pyeti se si isha dhe unë i thashë se, gjersa kishim mirë Shokun Enver të gjithë ishim mirë. Biseda qe shumë e përzemërt dhe miqësore. Më pyeti për familjen dhe unë e pyeta për partinë. ‘E kemi të shëndoshë partinë,’ – më tha. Nuk na i marrin dot fitoriet as armiqtë e brendshëm, as armiqtë e jashtëm, përderisa të kemi djem si ju.’ ‘Partia në ballë, populli në këmbë!’ – iu përgjigja unë zjarr për zjarr. ‘Ashtu de, të lumtë! – më tha – Dëgjo këtu, se njerëz jemi e jetë është kjo, po të kesh ndonjë hall, e di ku më gjen’. ‘Faleminderit, Shoku Enver’. Kështu u ndamë me Komandantin. Takimi u fotografua dhe pas ca ditësh persona të dërguar prej Shokut Enver ma dhuruan këtë fotografi të cilën e mbaj gjithnjë me vete.”

“Po, – e pyetëm ne – shkove ndonjëherë te Shoku Enver për ndonjë hall?” “Përse të shkoja, të gjitha hallet mi zgjidhte fotografia. Kudo që shkoja, u tregoja fotografinë dhe punët më zgjidheshin. Nuk pati asnjë që të më kundërshtonte”.

E pra, kjo është forca e fotografisë, kur di ta shfrytëzosh. Thonë se një fotografi, vlen sa për 1000 fjalë. Unë, kur pashë Edi Ramën që kishte dalë në fotografi me Barak Obamën, besova se fotografia vlente edhe më tepër dhe u binda, si edhe të tjerët, se Edi Rama kishte një mik për kokë në Uashington.

Zylfiu nga Kukësi e kishte kuptuar këtë para të gjithëve. Të tjerët, edhe pse udhëheqës, e kuptuan më pas.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Ilir Hashorva, Shfrytëzimi i fotografisë

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT