Nga Gasper Marku/Ne Universitetin “Luigj Gurakuqi” te Shkodrës u promovua sot librin “Diplomacia e Ismail Kemal Bej Vlorës – Rivalitetet e brendshme në Shqipëri dhe rruga e Pavarësisë 1912/13″, i prof. dr. Eqrem Zenelaj. Autori rreth një vit më parë promovoi monografinë “Gjenealogjia e familjes shqiptare Albani nga Urbino dhe Bergamo e Italisë – Papës Clementi XI – ALBANI”.
Në promovimin e librit te ri Zenelaj shoqërohej edhe një grup personalitetesh të botës akademike dhe studentësh nga Kosova. “Libri më i fundit i studiuesit Eqrem Zenelaj është një kontribut me vlerë të lartë shkencore, pasi vjen si rezultat i një pune të gjatë shkencore, me burime arkivore austro-hungareze, italiane dhe osmane”, u shpreh prof. dr. Artan Haxhi, Rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Autori Zenelaj, gjatë fjalës së tij, ndër të tjera vuri në dukje disa elemente nga origjinale, që i paraqiten lexuesit për herë të parë si, “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës më 26-27 nëntor 1912”; “Memorandumi i Ismail Kemal Vlorës” i vitit 1903 dërguar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë, si dhe “Apeli politik kombëtar” i këtij patrioti, drejtuar parisë shqiptare nga Roma në vitin 1909. Ndrekohë, që një tjetër risi që shoqëron këtë botim është edhe zbulimi i pemës gjenealogjike të familjes Vlora.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe diskutimet e poetit dhe shkrimtarit, njëherazi dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Vatra”, Jonuz Fetahaj, zv/rektorit te Universitetit Shtetëror të Kosovës, prof. dr. Muhamet Mala, si dhe dr. Elena Kocaqi (Levanti), historiane e njohur për raportet e Shqipërisë me Austrinë.
Në CV-në e autorit Eqrem Zenelaj, aktualisht, ligjërues në Universitetin “FAMA” në Prishtinë dhe në Universitetin Mbretëror “ILIRIA”, deri më tani figurojnë të publikuar pesë libra me recensentë të njohur ndërkombëtarë të vendeve gjermanofone, ndërkohë që libri i promovuar sot në Shkodër është libri i tij i gjashtë. Ndërsa ekspozita e sotme “Shkodra me rrethinë, foto të viteve 1912-1917″, vjen pas tri ekspozitave të tjera të përmasave më të mëdha me dokumente dhe gravura të vjetra arkivore me rëndësi kombëtare, si ajo në Galerinë e Arteve të Kosovës me rastin e 540-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, tjetra në Muzeun Kombëtar të Kosovës me rastin e njëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si dhe ajo në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, ku ka paraqitur 240 gravura e dokumente të vjetra kombëtare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë
PAPA GJON PALI II… PËRBALLË GJERGJ KASTRIOTIT…25 PRILL 1993…
Nga Fritz RADOVANI/
25 Prill 1993… Shkodra Ringjallet!/
Një varg i pafund njerëzish lidhë aeroportin e Rinasit të Tiranës me Kishën Katedrale të qytetit të Shkodrës së rindërtueme/
Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve, Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruajtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithe së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë…. Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt …., këtu mblidhuni,…bre Burra…kushtrim!
Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:
“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”…
Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:
Asht Papa Gjon Pali II….
Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464…
Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërhiqen me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia….
U realizue andrra e shekujve të shkuem!…
Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.
Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës…
Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun…tue i Bekue!
***
Vjen muzgu i asaj dite të lume… Yjët kanë fillue me shndritë….
Në sheshin ma të madh të Shqipnisë, mu në qendrën e Sajë mes brohoritjeve e duertrokitjeve të Fitorës, sande, si t’ishim një shkamb që s’thërmohet ma thërrasin mbi 150.000 Katolikë, Myslimanë, Ortodoksë, të gjithë vëllazën të një truelli Arbënor:
Rrnoftë Papa Gjon Pali II-të!..
E, qé, pra,…. Erdhi Ajo Ditë e shumëpritun e Historisë!
Takohën Dy Burra!
Njeni me shpatë të futun në kllef e, Tjetri me Kryq në krahnor!
Asht Skenderbeu përballë Karol Vojtilës!
Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë!
Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!
Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë!
Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut!
Mirëse erdhe, o Burr’ i Bekuem! E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë me 12 Dhetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë! E dora e rame mbi gjoks tash 500 e sa vjet, ngrihët naltë!…
“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli i em Shqiptar! E, Ti jé bash Ai Burrë Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë të Ré edhe për Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka thotë!…Edhe unë dikur…
Këta… ndigjova,.. e, Fitova!..”.
Bije një heshtje në nderim të pritjes së fjalës së Mikut Shekullor! “Shqiptarët, dikur, kur përmendej Emni i Tij u çonin në kambë dhe hiqnin kësulen”….Po, sot? – Sot, Ata kanë në Shtëpinë e moçme Ilire Atë Trim që me fjalën e Tij trandi Botën mbarë….E, prap, sot në kambë!…
Shqiptarët e të gjitha trojeve Arbënore me sy të përlotun e shpresë të sigurt, prap sot ndigjojnë porosinë e këshillen Tande, Atë i Bekuem:
“Zotni President!
Të nderuem zotnijë Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!
Vëllazën e Motra Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!
Mbas njëdite me një program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po edhe ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe.
Në çiltërsinë tuej pashë kurajon e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një ateizmi mbytës.
Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju falëmnderës!
Erdha mes jush për me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të munduem, solidaritetin e gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës.
Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh:
Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje të përzemërt.
Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës.
Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërinjtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.
Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.
E gjithë kjo ndodhte në njëkohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.
Ju sot keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun. Jeni ngritë nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri drita e shpresës.
Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.
Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
Populli Shqiptar, – dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit. Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm.
Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju.
Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashjetesë tek Ju. Duhët mësue arti i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm. Ky asht çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.
Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohët puna dhe, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”.
Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun. Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë.
Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Sajë asht kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes për mos me hy në çeshtje thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin, i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër të çdo projekti ekonomik, social dhe politik.
Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyeve të aftësive dhe të spikatjes së solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit ndaj etikës dhe moralit.
Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit! Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës. Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar. Lé ti ndrisë hapat e Tua dashunia për familjën, shpirti i vëllazënimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare.
Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm , të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës. E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…
Erdhi çasti i ndamjës.
Ju përshëndes i prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.
Përshëndes veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi. Përshëndes autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot. Kam dëshirë ti drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.
Përshëndes të gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës. Lus Zotin, që mbi secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e Këshillit të Mirë.
Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!
Zoti e ruajtë Atdheun Tuaj! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!
Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!
Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”
Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171, viti 1993.
University of San Francisco, USA.
Shenim nga Fritz Radovani: Material ii plotë asht marrë nga dorshkrimi i pabotuem F.R.:
“GURËT E THËMELIT” Melbourne 2004.
Melbourne 2014, 25 Prill.
Në Kukël u hap viti jubilar i 100-vjetorit të Kishës së Mjedës (1913-2013)
Nga Klajd Kapinova/
Sikurse tregojnë bashkëatdhetarët tanë në vendlindje (të pranishëm në tubimin festiv), të dielën, më 7 prill 2013, në Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda”, në Kukel, u zhvillua Veprimtaria e çeljes se vitit jubilar, të 100-vjetorit të Kishës së Mjedës (1913-2013).
Për të ndarë gëzimin e përbashkët, ishin mbledhur shumë banorë të Kuklit, të zonës për rreth, të ardhur nga Lezha e Shkodra. Morën pjesë klerikë dhe personalitete të kulturës dhe arsimit. Me këtë rast, Kisha e i gjithë mjedisi kishte marrë pamje të bukur festive.
Në ambientet e brendshme të Kishës, ishte vendosur posteri festiv, ku, shkruhej: “Jubileu i 100-vjetorit të Kishës së Mjedës 1913-2013”.
Në tubimin kulturorë dhe përkujtimor, nderonin me pjesëmarrjen e tyre autoritetet e pushtetit qendror nga kryeqyteti, si: zv/Ministrja e deritanishme e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, zv/Ministri i Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit Abaz Hado, drejtori i Monumenteve të Kulturës për rrethin e Shkodrës, Ervin Gjini, deputeti Gjok Uldedaj.
Gëzimin e kësaj kremte e shtuan, ardhja e atyre miqve të nderit, që pakursyer gjithnjë me zemër e bujari, kanë ndihmuar në ringjalljen e “Qendrës Muzeore Ndre Mjeda” në Kukël, si: kryetari i Komunës Bushatit, z. Zef Hila, Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, z. Gjergj Liqejza, nga New York-u kishte ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit z. Tomë Mrijaj me bashkëshorten zj. Liza Mrijaj, nga Detroiti, ish famullitari i Kishës së ‘Shën Palit’, atdhetari i shquar i çështjes shqiptare, Dom Anton Kçira, etj. Më ketë rast, u veçua dhe falënderua ngrohtësisht, për gjestin bujar donatori i bankave ulëse të Kishës, bashkëatdhetari ynë nga New York-u, besimtar i devotshëm i Kishës ‘Zoja e Shkodrës’ (Harsdale) z. Ndoc Lacaj.
Takimin e hapi drejtori i Qendrës Muzeore kombëtare “Ndre Mjeda”, famullitari i Kuklit, studiuesi Dom Dr. Nikë Ukgjini, i cili, theksoi se kjo ngjarje zhvillohet nën moton e vetë poetit: “Ma mirë me kënë, se me u dukë“.
Kjo theksoi oratori, do të thotë se programi do të zhvillohet në heshtje, lutje dhe reflektim, trinome këto, të cilat e kanë shoqëruar në tërë jetën, veprimtarinë klerikale, shoqërore, letrare dhe shkencore të poetit tonë të shquar Mjeda.
Ndër të tjera, studiuesi Ukgjini, përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Arqipeshkvit Metropolitan të Shkodrës Mons. Angelo Massafra, dhe prezantoi Dom Anton Kçirën, i cili e udhëhoqi Eukaristin (Meshen), për shpirtin e përsonalitetit të shquar të botës shqiptare Dom Ndre Mjedës.
Për më tej, folësi përcolli falënderimet e përzemërta në adresë të misionarit tonë shqiptaro-amerikanë, Të Përndershmit Dom Anton Kçira, i cili, punoi e veproi me përvujtëri dhe përkushtim, në shërbim të grigjës së Zotit në emigracionin e largët të Amerikës (Detroit, MI), si ndërtuesi i Qendrës shqiptare, organizuesi i shumë takimeve fetare, atdhetare, kulturore dhe politike për çështjen shqiptare etj.
Në fjalën e vet hulumtuesi i palodhur i Kishës së Kuklit Dom Dr. Nikë Ukgjini, shpalosi në vija të përgjithshme programin e Vitit Jubilar, si: “Botimi i Vëllimit I, “Studime mjedologjike”, Qendrës Muzeore “Ndre Mjeda”, organizimi i ditëve të Mjedës më 1 gusht, restaurimi i Shtëpisë së Muze të Mjedës, organizimi i Konferencës shkencore kushtuar Mjedës, me rastin e ditëlindjes më 20 nëntor, kthimi i tryezës 100-vjeçare të Mjedës, e cila është ende në depot e Muzeut të Shkodrës, duke u shkatërruar nga pakujdesia e pushtetit lokal.
Hulumtuesi Dr. Ukgjini, mbajti kumtesën: “Sinonimet fetare në poezitë e Mjedes”, ku, nder të tjera theksoj, se në të gjitha poezitë e Mjedës, janë të pozicionuar, sinonimet, si: Hyji, Zoti, Ngjallja, Jeta e pasosur, Parajsa, Altari etj.
Ndërsa, studiuesi i mirënjohur pasionant i Mjedës, Dr. Mentor Quku, foli mbi temën: “Mjeda dhe botimet teologjike”.
Botimet teologjike të Mjedës, mbeten një nga fushat më të rëndësishme dhe më interesante për t’u studiuar në historinë e letërsisë shqipe. Autori Mjeda, vetë botimet teologjike, i klasifikoi në tri periudha. Studiuesi Dr. Quku, në ligjëratën e tij shkencore, u ndal disa prej pikave kryesore të kësaj fushe.
Kështu në hyrje studiuesi, në essence, tha se: “Mjeda, gjatë tërë jetës së tij pati si synim gjurmimin dhe zbulimin e veprave të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, transkriptimin, studimin, si edhe ribotimin e tyre. Në këtë fushë, ai mbetet paleografi më i shquar shqiptar për kohën.
Ai ndoqi shembullin e Buzukut, Bogdanit, Budit, Bardhit, duke botuar në shqip, vepra të përkthyera, apo të përshtatura nga autorët klasikë botërorë, por edhe vepra origjinale teologjike.”
Ndërsa në vijim hulumtuesi shkodran, doli me përkufizimin e bazuar në argumente historisë, se Mjeda, na dhuroi kryevepra teologjike, jetë shenjëtorësh, etërish, që mbeten kryevepra të prozës shqipe. Ato mbeten kryevepra stili, të shprehura me një leksik të pasur dhe me një strukturë gramatikore nga më modernet.
Në tre argumentet apo pikat e fundit të kumtesës ligjëruesi i shquar Dr. Mentor Quku, tha se: “Mjeda, synoi, që përmes botimit të veprave teologjike në shqip, të kontribuonte për pasurimin dhe studimin e gjuhës shqipe, për unifikimin e alfabetit shqip, si edhe për një drejtshkrim të letrave shqipe. Ai, na dhuroi tekste shkollore dhe katekizma të historisë biblike por edhe të mësuarit e mësimit të krishterë, hartuar me metodat didaktike më të përparuarat e kohës.”
Ndërsa në mbyllje të kumtesës Dr. Quku, shtoi se: “Mjeda, kontribuoi në prirjen e klerit katolik shqiptar, për t’a kthyer liturgjinë kishtare në gjuhën shqipe, si edhe që drejtuesit e hierarkisë të ishin vendas, me qëllim që të rritej kontakti shpirtëror me popullin.”
Me aktivitete të pasur festive vijoi dita, me vizita në mjediset e Shtëpisë së Mjedës, që pritet të restaurohet së shpejti. Dy zv/ministrat pjesëmarrës, u njohën me problematikat e këtij restaurimi, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek fati i tryezës së Mjedës, që duhet të shpëtohet urgjent nga shkatërrimi, duke u restauruar dhe vënë në vendin e vet të origjinës, në dhomën e Mjedës, mjedisi kryesor i Shtëpisë së poetit.