Nga Albert HABAZAJ/
Ferhat Çakërri (04. 05. 1929 – 22. 04. 2001) është emblema e poezisë për fëmijë në Vlorë dhe një nga shkrimtarët më të dashur, i njohur në letërsinë shqipe për fëmijë. Ferhat Çakërri ose xhaxhi Ferati, si i thërrisnin jo vetëm fëmijët, por edhe krijuesit e tjerë të qytetit, që ai i mblidhte e i mbante afër si ajo klloçka zogjtë të mos i ftohen, të mos i shpërndahen se ia ha dhelpra, kujtohet në Vlorë si një emër shumë popullor, i qeshur dhe i respektuar nga të gjithë. Prof. dr. Odhise K. Grillo e ka përfshirë në botimin: “Lexikon, shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1972-1995)” , f. 36 – 37, Tiranë, Botimet Enciklopedike, 1997. Në Bibliotekën Kombëtare, numri i regjistrimeve të gjetura është 31 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është po 31. Jo të gjitha botimet e tij gjenden në Bibliotekën Kombëtare. Shtëpitë botuese (shtypshkronjat – furra botuese?!) nuk janë treguar korrekte me detyrimin ndaj Tempullit Shqiptar të Librit. Në fillim të viteve ‘60 të shek. XX, në periodikun e fëmijëve u duk një emër i ri, por jo i panjohur. Ky ishte shkrimtari Ferhat Çakërri, i cili ishte prezantuar nëpër gazeta e revista si “Letrari i ri” (organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë për kohën), “Rinia” (që më von u titullua “Zëri i Rinisë” etj. me vjersha për të rriturit. Fryt i punës së tij të viteve të para ishte përmbledhja “Traktet e kuqe”, që u prit me interes nga lexuesit dhe opinion ynë letrar. Më pas shkrimtari Ferhat Çakërri e gjeti vehten në letërsinë për fëmijë dhe pothuajse nuk shkroi më për të rriturit, por ju përkushtua poezisë për të vegjëlit në radhë të parë e hera herës edhe prozës për ta. Krijimet e para i botoi në revistat që dilnin për fëmijët e sidomos në “Fatosi”, pastaj edhe te “Yllkat” (pas viteve ’90 të u quajt “Vogëlushët”) e “Pionieri” (pas viteve ’90 të u quajt “Filizat). Për thjeshtësinë e tyre dhe për gjetjet interesante shpesh krijime të tij u botuan edhe në gazetat dhe revistat që dilnin në Kosovë e në Shkup, si “Pionieri”, “Gazeta e fëmijëve”, “Gëzimi”, “Fatosi”, “Rilindja për fëmijët” etj.
Kontributi letrar i autorit: Kontributi i tij shënohet në letërsinë shqipe pikërisht për letërsinë për fëmijë dhe konkretisht në një nga llojet më të njohura të kësaj krijimtarie siç është përralla. Gjithashtu ka botuar dhe libra me vjersha për fatosa, me tregime të ilustruara, gjëegjëza, fabula, drama etj. Së pari, me përralla ka botuar këta tituj: “Iriqi dhe gjembat” : përralla në vargje për fatosat (poemë përrallë), në [10] fletë me ilustrime nga piktori Dolli Gjinali, Tiranë, 1973; “Si ja punuan dhelprës” : përrallë në vargje në 22 faqe të ilustruara me figura nga piktori Dolli Gjinali; Tiranë, “Naim Frashëri, 1973, “Pula klloçkë bën vizita” : përralla në vargje, me 23 faqe të ilustruara nga piktori Dolli Gjinali, Tiranë, “Naim Frashëri, 1987; ribotim i librit “Pula klloçkë bën vizita” (përralla humoristike në vargje), në 20 faqe , me ilustrime, Tiranë, Toena, 1997; “Xhepat e gjyshe Anifesë”, 1995 si dhe botimi përmbledhës “Xhepat e gjyshes” (vjersha, fabula e përralla në vargje), antologji me 144 faqe, Tiranë, Toena, 1998; “Ish një lepur mendjelehtë…” : përrallë humoristike, me piktor për ilustrimet në 32 faqe Veiz H. Rrapi, Tiranë, Toena, 2000; “Arlini dhe e Bukura e Dheut” : përrallë, me 32 faqe të ilustruara nga piktori Neritan H. Mehmetaj, Tiranë : Toena, 2001; “Iriqi dhe gjembat” : përrallë në vargje, në 22 f., me il.,Tiranë : Toena, 2001; “Si ia punuan dhelprës” : përrallë në vargje (ribotim), me 23 f., me il., Tiranë : Toena, 2001; (redaktor i këtyre librave është Prof. Odhise K. Grillo); “Si u mbyt dhelpra në lumë” me përralla, Tiranë, Eurorilindja, 1998 [ky titull ende nuk ka shkuar në fondin e Bibliotekës Kombëtare – shën. im: A.H); “Dredhitë e dhelprës” : përrallë, në 32 f., me il. nga piktori Kosta Raka, Tiranë : Toena, 2003; (dy librat e fundit nën redaktimin e Prof. Dr. Bardhosh Gaçes). Së dyti, me poezi ka botuar këta tituj: “Traktet e kuqe”, vjersha në 59 f., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1967; “Zemra ime”, vjersha për fëmijë, me 23 f. me il., Tiranë, “Naim Frashëri”, pa vt. [1972]; “Pata, pata, bark govata”, vjersha për fatosa, me 50 f. me il., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1975;” Ç’u bë bora?”, vjersha në 29 f., me il., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1978; “Plumbat dhe lulet”, vjersha, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1980, në 45 f., me il. dhe redaktor Xhevat Beqaraj; “Nënat ndezën yjet”, vjersha me il. nga piktori Pleurat Dervishi, nën redaktimin e prof. Grillos, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1982; “Pata kot e ndezi sherrin”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1986; “Mira, shiu dhe babagjyshi”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1986, me vjersha në 54 f., me il. nga piktori Gjinali dhe redaktor Profesorin nga Vunoi; “Deti më hedh valë” : vjersha në 29 f. të il., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1988, me të njëjtin staf të përgjegjësisë dytësore; “Në sytë e Egnës çel qershia”, me 40 f. të il. nga e mirënjohura Safo Marko, me red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Eurorilindja, 1998; “Po pret deti mysafirë”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1989 [as ky titull s’gjendet në Bibliotekën Kombëtare]; “Argita pyet yjet”, me 47 f. të il. nga piktorja Safo Marko, red. nga Bardhosh Gaçe, Tiranë, Eurorilindja, 1997, [as ky titull s’është në BK]; “Një shportë me yje” : poezi në 79 f.,Tiranë, Toena, 1999; “Ku ta gjej pranverën” : vjersha, në 175 f., me il nga piktori Kosta Raka, përgat. dhe red. nga Bardhosh Gaçe Tiranë, Toena, 2007, etj. Së treti një kontribut të dukshëm F.Çakërra ka me fabulat, nga të cilat po citojmë titujt: “Pata kot e ndezi sherin”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1986, me 38 f. : me il., me redaktor Kostandin Lelin;”Pasqyra dhe pata” me 39 f. të il., Tiranë, Eurorilindja, 2000 “Shqiponja dhe lejleku”, Tiranë, Toena, 2006, 117 f. me il. nga piktori Kosta Raka, përgat. dhe red. Bardhosh Gaçe. Së katërti, edhe prozën e shkurtër, në llojin e tregimit dhe të novelës, të tregimit të ilustruar, kontributi i F.Çakërrit është i dukshëm. Po përmend vetëm katër tituj: “Si u kap një spiun”, tregim i ilustruar me figura nga piktori Llambi Blido,me 46 f., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1977 “Ujkonja” : tregime Tiranë, 1999, 52 f. : me il; “Zbuluesit e vegjël”, tregim i ilustruar nga piktori Shkëlqim Fekushi, me 34 f., red. Kostandin Leli, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1981; “E fshehta e kalasë”, novelë dhe tregime, red. K. Leli, me 109 f. të il., Tiranë : Naim Frashëri, 1984; “Kali fluturues”, novelë, në 46 f. me il. nga piktori Kosta Raka dhe red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Toena, 2003. Së pesti, në llojin e gjëegjëzave shkëlqen me libra shumë të dashur për fëmijë si ato me tituj: “Mendo pak se do ta gjesh”, me 87 f. të il.,Tiranë, “Naim Frashëri”, 1971; i cili shënon dhe botim e parë të librave për fëmijë nga autori Ferhart Çakërri; “Unë pyes, ju përgjigjeni” me 26 f. të il. nga piktori Namik Prizreni, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1974; “Kush e gjen nga ju fëmijë?, Tiranë, [“Naim Frashëri”], pa vt.; “30 gjëza”, Tiranë, Eurorilindja, 1997; “Një qiell e gjëza”, në 26 f., me il, Tiranë, Eurorilindja, 1998; “Gjëegjëza”, bashkëautor me Edmond Daliun e Luto Memokondin, mbledhur e përgat. nga Bardhosh Gaçe, me red. Flora Koka, në 16 f. të il.,Tiranë : Extra, 2014 etj. Së gjashti, kontributetet e tij janë të dalluara dhe në fushën e dramaturgjisë për fëmijë. Dua të kujtoj me këtë rast dramën për fëmijë “Në vitet e para”, 1979. Disa nga pjesët e tij teatrale janë vënë në skenë nga trupat profesioniste (teatrot e kukullave etj.) si: “Pulat dhe dhelpra” (1972), “Dreri mendjemadh” (1973), “Shkronjat e përgjakura” (1974), “Trimëreshat pulëbardha” (1983). Gjithashtu xhaxhi Ferati është dhe redaktor i një libri me poezi të shkrimtarit tjetër vijues vlonjat të mbarënjohur dhe për fëmijë Prof. Dr. Bardhosh Gaçe me titull: “Lirika arbëreshe”, 68 f., Tiranë : Naim Frashëri, 1994 etj. Shkrimtari Ferhat Çakërri ka lindur në qytetin e Vlorës, në një familje me tradita atdhetare dhe arsimdashëse. Dera e fisit të tij ka nxjerrë burra e gra të mendjes e të pushkës, që i janë përkushtuar atdheut. Musa Ali Çakërri, me pseudonimin “Berberi” njihet si ati i gjuhës shqipe për Vlorën e kohës së murme, kur sa kishin filluar të mbilleshin luleshqipet ndër shqiptarët e etur për dije e liri. Shkollën fillore, Ferhati, e kreu në vendlindje; po kështu edhe të mesmen (në shkollat e quajtura pa shkëputje nga puna. Ndërkohë punonte buldozerist në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi” Vlorë. Me kalimin e viteve, ai u pasurua nga ana letrare dhe kulturore dhe për shumë kohë punoi punoi në administratën shtetërore të rrethit (siç quhej Qarku i sotëm i Vlorës në atë periudhë). Respektin e fëmijëve dhe të qytetarëve e fitoi në shkallën më të lartë gjatë viteve kur qe përgjegjës i kinemave të qytetit të Vlorës. Ish – Kinemaja kryesore, ajo me emrin “Ali Demi” identifikohej plotësisht bukur me emrin e xhaxhi Feratit. Kishte gjallëri. Veprimtari të pasura. Ziente. Zjarr. Ylberet kulturorë ne i shikonim në ballë, në sy e në shpirtin e qeshur të xhaxhi Feratit. Ai ishte babaxhani i Qyetit. Sot Vlora s’ka kinema fare. Sidomos kur ai doli në pension, krahas krijimtarisë letrare, që nuk e ndërpreu deri në frymën e fundit, ai u angazhua në shoqëritë atdhetare kulturore të kohës, duke dhënë një kontribut të çmuar ndër veprimtarët idealist të kohës së re. ai ishte ndër nismëtarët e Shoqatës Kulturore Mbarëshqiptare “Ismail Qemali”, e cila u krijua më 10 Tetor 1991. U zgjodh anëtar i kryesisë së saj deri në largimin nga jeta fizike (e kam trajtuar aq sa duhet këtë çëshjte në gazetën “Dielli” në profilin e Nermin Vlorës, Kryetare Nderi e shoqatës “Ismail Qemali”). Ai ka një meritë të patjetërsueshme në mbështejten e talenteve të reja në qytet, në promovimit e vlerave letrare, në unitetin e pastër dhe miqësinë midis krijuesve. I donte bashkë krijuesit. Emri i tij ndërkohë po merrte përmasa të tjera më të larta në periodikun e fëmijëve, në ballinat e librave, në antologjitë letrare për fëmijë dhe po bëhej një zë i respektuar artistikisht për kritikën letrare shqiptare. Shtëpia e tij në lagjen “Lirim” që qe si një mëhallë tradicionale qytetare vlonjate ishte e hapur për miq. Një dhomë në shtëpinë e tij quhej “Oda e Poetëve”. Ferhat Çakërri qe i veçantë e s’na vjen më në qytet njeri si ai. Aq i virtytshëm, aq i dashur. Jo më kot edhe burra me thinja i flisnin me respekt deri në adhurim “Xhaxhi Ferati”. Ai qe miku i Dritëroit të Madh dhe i Lelit tim të vogël, në ato vite 5 – 6 vjeç. Në shumë konkurse letrare kombëtare Ferhat Çakërri është nderuar me çmime, si për librat: “Mendo pak se do ta gjesh”, “Iriqi dhe gjembat”, “Zbuluesit e vegjël”, “Në vitet e para”, “Xhepat e gjyshes” dhe “Bledi e kali” (ky i fundit film vizatimor) . Po kështu, ai është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Tretë dhe të Klasit të Dytë, për ndihmesën që ka dhënë në zhvillimin e letërsisë sonë për fëmijë.Shoqata e Shkrimtarëve dhe e Artistëve “Petro Marko” në Vlorë, në organizimin e konkursit vjetor të forcave krijuese në letërsi, pikturë, muzikë etj., akordon 13 çmime për fituesit, sipas fushave letraro-artistike, duke cilësuar secilin titull me emrin e personalitetit vlonjat të fushës. Në këtë kuadër për fituesin e konkursit në gjininë e letërsisë për fëmijë jepet çmimi “Ferhat Çakërri”.
Tipologjia e krijimtarisë së F. Çakërrit: Ai futet në botën e fëmijëve. I tëri. Me natyrën e tyre, në gjuhën e tyre, me lodrat e tyre, në psikologjinë e tyre. Është shok me ta. Nuk dallon nga ata. Ata s’e vënë re. se e duan shumë. Se ia pëlqejnë poezitë. Ato janë të shkurtra, ashtu si ata i duan, të thjeshta, me metafora, epitete e krahasime të cilat futen natyrshëm e në vendin e duhur midis vargjeve.mbahen mend vargjet e xhaxhi Feratit. Bëhen dhe këngë. Ja kështu, ai bëhet Fëmijë i Madh. Vjershat etij kanë art, kanë ndjenjë, kanë moral, kanë bukuri estetike dhe janë dafina të kodit etik në shoqërinë e sotme. Ai të bën për vete me vjershat e tij: “Një shportë me yje/ ka xhaxhi poeti,/ fluturon mbi kodra,/ çan mbi ballgë deti./ Nga shporta nxjerr këngët, / si zogj i shpërndan,/ ato cicërijnë/ vendit anembanë…”. Ai u këndon mbesave të tij të vogla Argitës, Egnatias, Rilindës, Eneidës dhe Valbonës, me shpirt, me dashuri, me zemër gjyshi e me vargje poeti për një harabel, për një dallëndyshe, për një shqiponjë, për një trim, për botën gazmore dhe pastërtisht shkëlqimtare të vogëlushëve. Florën dhe faunën e ka mbledhur në librat me gjëza si ajo bleta nektarin e luleve për mjalt. Dhe ua dhuron mbesave. Vini re se me ç’ emra simbolikë e kuptimplotë i ka pagëzuar mbeskëzat gjyshi. Ato sot janë rritur dhe e nderojnë atë, duke vijuar rrugën e re me edukimin e shëndetshëm të atij njeriu të bekuar. Duke u kënduar mbesave, ai u dhuron fëmijëve të “Lirimit”, të Vlorës, të Shqipërisë, të mbarë botës një shortë me yje për të fluturuar qiejve të fantazisë fëminore, aq të papritur, tërheqëse dhe simpatike. Edhe sot mbahen mend rrëfimet e përrallat e gjyshit: “Si u mbyt dhelpra në lumë”, “Ëndrra e lepurushit”, “Drenushat e vegjël dhe tigri”,”Elefandi i vogël dhe fshatari”, “Ditëlindja e koteles”, “Gaforret e mençura”, “Dhelpra dhe ujku”, “Milingonat dhe Urith mëndjemadhi”, “Majmuni, qukapiku dhe maçoku”, “Trumcak mburraveci”, “Çlirimtari i tokës”, “Buldozeri miku ynë”, “Dreri mëndjemadh” etj., etj. Ferhat Çakërri është njëri ndër poetët e shkrimtarët e mirënjohur të letërsisë shqipe për fëmijë. Krijimtarinë e xhaxhi Feratit e ka vlerësuar kritika letrare dhe e ka pëlqyer lexuesi i grupmoshës për të cilën shkruan autori i njohur vlonjat. Vjershat, përrallat e këngët e tij për fëmijë janë një kopësht i bukur ku vogëlushët lodrojnë me ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Në krijimtarinë e tij është bota e pasur me figura të gjetura artistike, gëzimet dhe vizionet e fëmijëve me të cilat fluturojnë në hapësirate kohës. Ajo zë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe për fëmijë. Ai na ka lënë thesare për vogëlushët që ngrihen në këmbë brez pas brezi. Krijimtaria e tij një kopsht i lulëzuar, i begatë e i bollshëm në lulëzimin letrar, me atë mozaik ylberor që rrëmben e bën për vete dhe të rriturit, për të hequr mendjen nga rutina e halleve dhe problemeve të realitetit të përditshëm. Lulet e tij letrare që la na tregojnë se thëngjinjtë në vatrën e poezisë për fëmijë i mbajti ndezur, se vatrën e xhaxhi Feratit nuk e lënë të shuhet poetët vlonjatë fisnikë të të vegjëlve si Bardhosh Gaçe, Pëllumb Velo, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Andrea Petromilo, Leka Skëndaj, Luto Memokondi etj. I la me uratë Ai, Shenjtori i ëngjëve. Vargjet e rreshtat e tij nuk bërtasin, nuk zhurmojnë, pasi u ngjajnë thëngjijve dhe nuk u ngjajnë flakëve të dëllënjës. Të mbeten sytë në dy vjershat e të tij, të shkurtra katërvargjëshe: “Ku e shuan etjen/ Zogu në mëngjes?/ – Nëpër trëndelina/ Pi dy pika vesë.” Është një vjershë e brishtë, që përcjell të pastrën dhe të bukurën, që janë në trëndafilin, në vesën dhe në zogun dhe që duhet të jenë edhe ë zemrën e njeriut dhe në jetën e tij. Vjersha tjetër: “Me shqelma qëllonte era,/ Si mushkë xanxare./ Nga dhimbja kërciste dera/ Dhe vajtonte në dritare”. Është një metaforë që përcjell dhembjen e shkaktuar nga një e keqe. Duke i vënë krah njëra- tjetrës këto dy vjersha, lexuesi zbulon se poeti figurativisht e jep të mirën dhe të keqen, gëzimin dhe dhembjen, që jetojnë bashkë në jetë, por që njeriu synon drejt të bukurës. Në tërësi vargjet e F. Çakërrit janë të thjeshta, por të thjeshta artistikisht, që ngjallin emocione dhe të vënë më mendime. Janë të tjeshta si vetë Ferhat Çakërri, ai burrë i urtë, fisnik e mikpritës që e mbante ngaherë hapur portën e shtëpisë për shokët e miqtë dhe njerëzite mirë, sepse kishte dhe një zonjë grua, Zenepen.vërtetë zonjë grua. Burrneshë sa dhe qytetare. Aq bujare! Po sa e prerë! Këto virtyte ata i kanë trashëguar nga të parët, i kanë bartur dhe iua transmentuan fëmijëve, nipërve dhe mbesave. Dritëro Agolli e kishte si shtëpinë e tij shtëpinë e Xhaxhi Feratit dhe Teta Nepit, si i flisnim ne asaj me respekt e dashuri. Sinqerisht si nënës tonë. Unë me Mejon dhe një poet tjetër, liriku i Vlorës Hiqmet Mehmetaj me Nazon, si dhe poeti epiko lirik Anastas Bita (dritë i pastë shpirti ku prehet) me të shoqen dhe ai, Elsën shkonim herë pas here në shtëpinë e tyre, në “Lirim” Edhe Bardhoshi me Kozetën patjetër. Venim e vinim te njeri- tjetri. I kishim miq shtëpie. Më saktë ata na vlerësonin si të tillë. Ne ndiheshim të nderuar dhe i nderonim shumë, sepse e meritonin. Ne mësonim nga ata. Ja ç’kujton Plaku i Bardhë i Letrave: “Më 1948 dhe 1949 dhe në dy vitte e parë të vitev 50 – të [të shek. XX – shën. im: A. H] unë mësoja në Gjimnazin e Gjirokastrës, në degën pedagogjike të tij. Në rrethin letrar të gjimnazit vinte gjithmonë edhe Ferhat Çakërri i veshur ushtarak, me kapelën mënjanë, i pastër dhe i qethur, si pëllumb. Në atë kohë ai shërbente në ushtri. Si të gjithë ne të rrethit letra, edhe ai shkruante vjersha dhe na i lexonte me një zë si të këngës. Kur ia dëgjonim vjershat, ne thoshim se Ferhati shkruan vargje për rebeçkat dhe për nipkat dhe mbeskat, sikur të jetë gjysh. Ai qeshte dhe e fuste në xhep fletorkën, duke ikur në kazermë se i mbaronte liri-dalja ushtarake. Pas dy-tre ditëve na vine përsëri në konvikt dhe kur ishte koha e rrushit, na sillte ndonjë shportë, duke thënë: – Me zor e kam sjellë, se ne ushtarakëve nuk na lejojnë të mbajmë në dorë as shporta, as ibrikë… Kështu, Ferhati ka mbetur zemërbardhë si gjysh dhe po aq zemërbardhë është edhe Zejnepja, e shoqja e tij, një labe trime e ashpër ndaj të liqve dhe e butë ndja të mirëve.Ndërsa Ferhati është i butë ndaj të gjithëve. Atij, kur të takon, i mbushen sytë me lot dhe zë qan, duke nxjerrë shaminë nga xhepi me një butësi të vërtetë njerëzore..”. Këto visare jetësore mbresëlënëse kujtonte Dritëroi ato ditë marsi të vitit 1998, ndërsa lexonte me kënaqësi një nga librat e shokut të tij të vjetër. Një gjysëm shekulli njohje e shoqëri të çiltër. Miq në ditë me diell dhe në ditë me furtunë. Në vite. Në dekada. Kush më bukur dhe më saktë se ai do ta tipizonte Xhaxhi Feratin tonë?! Krijimet e F. Çakërrit shquhen për temat e larmishme me frymë atdhetare, refleks ky edhe i traditave familjare e të qytetit të lindjes, Vlorës, për thjeshtësinë e çiltërsinë, për konçizitetin, për muzikalitetin e vargut, për gjuhën e mbështetur në gurrën popullore, për mënyrën lodruese të dërtimit të poezive dhe për komunikimin e natyrshëm me lexuesit e vegjël.
Ndihmesa e tij në letrat shqipe për fëmijë: Studiuesi Bardhosh Gaçe e vlerëson kështu ndihmesën e Ferhat Çakërrit në letërsinë shqipe për fëmijë: “Ferhat Çakërri, njëri ndër poetët e mirënjohur të letërsisë shqipe për fëmijë, është bërë mjaft I njohur me krijimtarinë e tij të begatë, në të cilën fëmijët kanë ushqyer ëndrrat, dëshirat dhe muzën e tyre poetike. ai u shfaq në letërsinë shqipe për fëmijë qysh në vitet ’70, kur këtë letërsi nisën ta blerojnë me shopirtin e tyre autorë të shquar si Bedri Dedja, Odhise Grillo, Vehbi Kikaj, Bekim Harxhi, Rifat Kukaj, Tasim Gjokutaj, Agim Deva, Adelina Mamaqi, Xhevat Beqaraj etj…Krijimtaria letrare e Ferhat Çakërrit, për më shumë se 40 vjet, ka lënë gjurmët e saj me një varg poetik të ëmbël e të brishtë, me një botë të gjerë e të thellë poetike, që ka tërhequr vëmendjen e lexuesve të vegjël dhe mendimit kritik e letrar”. (Shih: Gaçe, Bardhosh: “Letërsia shqipe për fëmijë”, Vlorë, Triptik, 2006, f. 201). Duke shfletuar librat e tij të bukur, ndjejmë se Vlora – qyteti bregdetar e ëndërrimtar i poetit është përherë e pranishme në krijimtarinë poetike të F. Çakërrit, duke simbolizuar fatin kombëtar të shqiptarëve, por edhe ëndërrimet e të vegjëlve në kohëte ereja të Atdheut. Duke u ushqyer nga tradita poetike e Vlorës dhe e Labërisë, poeti ka ngritur poezinë e tij për të vegjël, duke e bërë atë këngë në buzën e fëmijëve. Në vjershërimin e F.Çakërrit për fëmijë, vihet re peizazhi i natyrës së Atdheut dhe peizazhi shpirtëror i fëmijëve, të gërshetuara dhe të harmonizuara këto, me mendime de ndjenja të bukura artistike të botës fëminore dhe fantazisë së tyre. Ëndrrat dhe imagjinata e fëmijëve lidhen ngushtë me jetën e tyre; shkollën dhe lodrat, kureshtjen dhe dashurinë për të mësuar dituritë e botës. Vargu i skalitur i poetit herë derdhet në ngjyrate ylberit e herë dallgëzon në valët e detit, herë del nga përrallate fëmijërisë e herë bleron mes drurëve të pyjeve mesdhetare. Dallëndyshet e kujtimeve të poetit shpesh përshëndesin e përqafojnë pulëbardhat në brigjet e Vlorës. Gjyshja dhe nëna mëkojnë në vargun e këtij poeti një dashuri të rrallë njerëzore, gjyshi me abetaren e përgjakur u tjerr historinë kombëtare, deti përkund ninulla trimërie, urtësie dhe mençurie. Këto motive e detaje poetike paraqiten nga poeti me metafora, krahasime dhe përgjithësime poetike, si një lojë në jetën fëminore. Shkolla përherë është vatyar e dahsur e diturive, ndërsa liria dhe flijimi për Atdheun mbartin një botë universale. Begatia e krijimtarisë poetike të Ferhat Çakërrit për fëmijë tregon dashurinë e veçantë të këtij poeti për të vegjëlit, njohjen e botës dhe të psikologjisë së tyre, si dhe nxitjen e fantazisë dhe imagjinatës së fëmijëve për të njohur mjedisin që i rrethon dhe përjetimin emocional të jetës së tyre. Në mjaft poezi të këtij poeti gjenden tema, motive, ngjarje dhe fenomene interesante, të cilat krijojnë një jedis të gëzuar në jetën e fëmijëve, këto veçori, poezia për fëmijë e këtij poeti e ka përftuar nga këngët lodra, gjë që i ka dhënë mundësi poetit të japë detaje poetike, figura e përshkrime artistike, që përcjellin mesazhe të fuqishme në botën fëminore. Poeti, njohës i thellë i vargut dhe muzës popullore, ka shfrytëzuar me mjeshtëri traditën folkorike të trevës së vet. Imagjinata e pasur e F. Çakërrit shpalos botën emocionale, shpirtërore dhe imagjinative të fëmijëve në shkollë, në shoqërinë e tyre, buzë detit dhe pranë monumenteve, në ëndërrimet dhe gëzimet, stinëte vitit, portretet e fëmijëve dhe dëshmorët e Atdheut. Krijimtaria letrare dhe poetike e F. Çakërrit zë një vend të veçantë në fondin e letërsisë shqipe për fëmijë. Dhe siç klasifikon Prof. Gaçe: “Mbi 40 prej vjershave të këtij poeti janë bërë këngë e lodra në jetën e fëmijëve shqiptarë, gjë që tregon për shpirtin e thellë poetik të poetit dhe komunikimin e drejtpërdrejtë të tij me botën dhe psikologjinë fëminore” (Shih: Gaçe, Bardhosh: vep. e cit., f. 205). Muzikaliteti i vargut të tij, botëpërjetimet e thella, gjuha artistike e lodruese, humori dhe fabulat, bota përrallore dhe ëndërrimtare, vlerat artistike dhe estetike të krijimatrisë së Ferhat Çakërrit, kanë krijuar një personalitet të veçantë të letërsisë për fëmijë.
Miku i Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël: Për të festuar me nderim 70 vjetorin e lindjes së Shenjtorit të ëngjëjve, në vitin 1999, në Tiranë, shtëpia Botuese “Eurorilindja” nën kujdesin e Shoqatës Kulturore “Ismail Qemali”, Vlorë boton një libër shumë të veçantë si një tufë me lule mirënjohjeje për xhaxhi Feratin tonë. Bëhet në Vlorë një festë e bukur letraro- artistike. Unë isha në Itali. Refugjat. Akoma s’isha bërë emigrant…Në atë festë të shkëlqyeshme xhaxhi Ferati fton Mejon me të tre djemtë, Aldin, Nikun dhe Lelin 6 vjeçar…Në atë festë fisnikësh qe dhe Dritëroi. Nga që unë mungoja, xhaxhi Ferati bëri fotografi me familjen time dhe me Dritëroin, i cili mban Lelin e vogël në prëhër… Në librin për 70 vjetorin e xhaxhi Feratit kanë shkruar Dritëroi, me Sadijen, Elonën dhe Artan Agollin (familja e Devolliut), ka shkruar Odhise Grillo, Dilaver Dilaveri, Adriatik Kallulli, Bashkim Kozeli, Astrit Bishqemi, Ferhat Caka, Hiqmet Mehmetaj, Idajet Jahaj, Seit Seitaj, Ideal Muho, Bardhosh Gaçe, Pelivan Bajrami, Qerim Skënderi, Myrteza Mara dhe Albert Habazaj. Këto gjëra të bukura mbajmë mend dhe na trëndafilojnë shpirtin artistik e njerëzor. Dita e vdekjes së tij nuk na kujtohet. S’e mbajmë mend…Sepse qe dhe mbeti Shenjtori i ëngjëjve të bukur e të freskët.