nga ERNEST KOLIQI/
Bjen sivjet XXV vjetori i vdekjes së Faik Konicës (1875-1942) dhe LXX vjetori i daljes së numrit të parë të “Albania-s” (1897) në Bruxelles.
Nonse nuk la nji vepër organike që të pasqyronte pregatitjen e rrallë ditunore dhe vetít e shqueme artistike me të cilat e pajisi natyra, prap se prap në letrat shqipe emni tij mbetet si ai i nji stilisti plot hijeshi, i nji magjistari të shkrimit. Me gjuhën tonë ende në faqën e parë të lavrimit, ai dijti me i u afrue në shprehje shkrimtarvet ma të përmendun freng për zgjedhësí (élégance) e ligjirim fjolluer. Fjalín e lakon me mjeshtri të pashoqe, mendimin e ndryn në nji gëlvozhë a lëvozhgë gastarje, perjudhën e gjallnon me nji déll muzikuer tërhjekës tue u dhurue fjalve ma të zakonshme nji theksim të ri pa dalë kurrkund nga hullija e rritmit të natyrshëm idiomatik të shqipes.
I thjeshtë e i hollë, i lëvizun e i qartë, stili i tij shtjellohet herë plot andje e gaz, herë plot sarkazëm e maraz, këtu i urtë e i këthiellët, aty papritmas idhnak e sulmues. Gjithëkund veç i mbajtun në nji rrafsh të lum artistik pa të rrekun (sans effort), por vijanoz burues me hir të vetvetíshëm.
Për të kuptue e çmue si e sa duhet kët shkrimtar të pikatun që solli në përdorim të shqipes struktura trajtash kejèt (tejèt) të kullueta e të zgjedhuna edhe la mbas vetes në gjuhën tonë letrare gjurma që për ditë ma tepër bien në sy, lypet të dallojmë në ‘te njerín nga artisti. Njeriu paraqitet me të mbeta shumë të mëdhaja dhe artisti me virtyte të jashtzakonshme. Po kadalë… Artisti me lumnín e magjisterit të vet shpesh herë shtje në punë edhe të mbetat e njeriut, të cilat nëpër spastrim të flakës s’artit shërbejnë me i dhanë stilit at amë të veçantë e at fuqi njimtuese (séduisante), që përban cilsín kryesore të shkrimeve konicjane.
E mbeta ma në shej e njeriut ishte nji mburrje diku e haptë, diku e mbulueme për zanafillën aristokratike. Asdreni e Mihal Grameno e paditën si mprojtës anakronik i oxhakisë e i parësisë. Tjera të mbeta ishin: nji natyrë buzëhollë, e pakënaqun, grindavece së cilës i u shtonte nji paqendrueshmeni e çmeritshme në mendime dhe nji prirje idhnake që shperthente me mujshí (prépotence) të pafreshme, tue kapercye çdo cak jo vetëm t’arsyes e t’urtís por edhe të dejsís e të njerzís. Në polemika, i prente drút shkurt. Ky aristokrat në vulg të zemrimit përdorte në shkrim thanje sankulotash. S’barte qymen, nuk duronte të prekej as me pupel. Ndyeskeq ke s’ve, i kërcejshin dreqnit për ma të voglin kundërshtim. Mjafton të përmendim shamjet e sulmimet e tija kundër Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit për me dishmue ku arrinte gjaknxetësija e tij kur trenohej n’idhnim. Edhe mikun ma të ngushtë kur i delte hirit, e gjuente me rrufenat e veta.
Shkak-lehtësime (circostances atténuantes) të shumta mund të gjinden me zhgarkue Faikun s’paku prej disa fajeve të randa që i mveshen.
Qindrimi mburrës nuk ndalohej ke ndienja që e kish rrjedhjen nga nji oxhak paranikësh. Trank Spiroja e ndiente, po, veten beg, por edhe në mes të bejlervet ushqente nji ndienje epërsije e cila themelohej në vetedije të cilsive të veçanta me të cilat ishte i pajisun, cilsí pastaj lumnisht të zhvillueme nëpër nji shkollim të cenëshëm ma parë në Kolegjin Saverjan të Shkodrës, ma vonë në Stambollë e në fund në Francë.
Ky grumbullim i jashtzakonshëm prirjesh e studimesh e vente Faikun në nji numër shqiptarësh të ndritun e të dijshëm që aso kohe mund të numrohej në gishtat e nji dore.
E dinte për vete se ishte element hors série. Rrjedhimi aristokratik e naltonte mbi turmën; vetít gjeniale natyrore dhe kultura e naltojshin mbi aristokratë; nji shije artistike, mrekullisht e hollueme, anames (përveç) përvojës së gjallë e banesës së gjatë në qandrat ma të njoftuna të qytetnís prendimore, e shquejshin disi edhe ndër ata tre o katër shembra që mund i rrijshin për krah në botën shqiptare.
E verteta asht që Faiku në polemikat e ndezta të veta, shfrente mënín e vet të thellë sidomos kundra vogëlsinave shpirtnore që shemtojnë jetën, kundra mendes së madhe t’injorantave, ngushtsís mendore të gjysmakve, verbnís së fanatikvet, guximit të shpërdoruesavet të patriotizmit.
Mjerisht ndonjiherë kalemi i rrëshitte dhe me zemër të frýt vërvitej kundra ndoj atdhetari të ndershëm dhe cenonte ndoj vlerë të njimendtë shqiptare.
Me gjithëkëte, tue ra në këto lajthime, edhe si polemist mbahej në nji rrafsh epruer artistik. Ishte njeri me hanë, por edhe zemërbardhë. Të shumten e herve, zemrimi i tij kishte shkase ideale.
Në kandar t’artit të mbetat njerzore të çdo lloji nuk peshojnë asnji grimë. François Villon qe njeri vesesh e mbrapshtinash, hajdut e ndoshta gjaksuer: asgjamangut njehet nji ndër lirikë ma të mëdhaj të Francës, e cila sot krenisht stoliset me lavdín poetike të tij. Këtu s’e kemi qellimin të krahasojmë Konicën me Villon-in as si njeri as si artist: duem vetëm të themi se, cilido të jét gjikimi mbi Faikun njeri, kurrnji grimë ai gjikim nuk i a zvoglon vlerën artistike.
Shija letrare, vetija e tij ma dalluese, e nalton Faikun në kambën e nji mjeshtri të pashoq. Tjerë shkrimtarë tonë të shquem për fuqi krijuese, për hov epik e lirik, për mbrendí ma të pasun etnike e shpirtnore, për ndjesí ma të theksueme idealizmi: Konica qindron veças si zejtar i shkrimit që i shëndrron fjalët në djamanta e thurë me ta shëndriza (joyaux) vezullore.
“Albania” mund të njehet e para e përkohëshme shqiptare, ku toskë e gegë edhe arbëreshë, e shqiptarë të kolonive të Kajros e të Bukureshtit e të viseve të tjera shfaqen mendimet e veta pa ndryshim besimesh e krahinash. Mbetet si palestër vertè kombtare, pasqyrë e të gjitha rrymave mendore e shoqnore.
Me 25 mars 1897 del në Bruxelles i pari numër i “Albania-s“. Me nënshkrimin Trank Spiro beg ai mbushë gati krejt faqet e së përkohëshmes tue ternue artikujt shqip me ato në frengishte. Dy nënshkrime të tjera vrohen në numër të parë: ai i Thoma Avramit (prej të cilit botohet vjerrsha me titull Deshërimi i Mëmëdheut) e ai Nji Përmetas-it (që tregon nji prallzë a ma mirë nji llafe gazi – plaisantérie – ). Kësaj të fundit Faiku i kushton nji parathanje tre-katër rrjeshtash, ku xixillon humori thartanik i tij: “Këtë mjaft të kripurën prallëzën e kemi përmbledhur fjalë për fjalë nga goja e nji Përmetasi, jo pak i shpirtshm kur kish përpara syrit raki, meze dhe mish të pjekur në hell”.
Përrallëza fund e maje përmban shprehje skatologjike.
Artikujt në frengishte, shkrue me dorë mjeshtri që me i a pasë lakmi vetë shkrimtarët freng, parashtrojnë landë mjaft t’interesantshëme. Si ke njani “La langue des fils de l’aigle”, si ke tjetri “La littérature albanaise” spikatë zotsija e Faikut me u a paraqitë të huejvet çashtjet dhe vlerat kombtare.
Ma nalt boton përkthimin, ba prej tij, të nji ode së Pjeter Ronsard-it.
Shifni si prej të parit numër ai merr qindrim me të tanë natyrën e vet të vrashtë e shpotitëse, të prirun kah e fyemja dhe kah rrugatja (shamata). Pamphlétaire (libelist) i lindun, në prak të verpimtarís së vet si botues i nji të përkohshëme kulturore, na del përpara tue levdue gjuhën shqipe por edhe veten si përdorues i saj në përkthime, e fill tue forcue làvdin me të shame të randa kundra atyne që ai njifte si anmiqë të Shqipnís e të shqiptarizmit. Veçse shfaqet njiherit edhe si stilist plot shkelqim që të ban me i a përdëllye panjerzín mbasi din të shprehet në mënyrë aqë ngashnjyese (séduisante).
N’artikullin “La littérature albanaise”, me premí sintetizuese dhe me hollsi përimtimi (analyse) paraqet veprat e De Radës, të Skiroi-it, të Varibobës dhe përkthimin e Ungjijvet të Kristoforidhit. Thotë për këtë të fundit:
“ … a car, tandis aue, dans la plupart des autres langues, la parole du Sauveur s’affaiblit et devient banale, elle a dans la version de Kristoforidhi une force véritablement divine, et une grâce touchante et persuasive qui nous émeut; et même tel passage (le Sermon sur la Montagne par exemple) y est ceirainement supérieure au texte grec)”; që në shqip do të thotë: …ndërsa, në pjesën ma të madhe të gjuhëve të tjera, fjala e Shelbuesit dobësohet dhe bahet e zakonshme, (ajo) ka në versionin e Kristoforidhit forcë me të vertetë hyjnore dhe nji hir që që prek e të bind….dhe ai pasazhi (nga sermoni i Malit për shembull) asht superior qartësisht, krahasue me tekstin grek.
Në kët numër të parë kuptohet qellimi i dyfishtë që don të ndjeki me botimin e “Albania-s”; t’ua tregojë shqiptarvet udhën e shelbimit politik qytetnuer dhe t’ia bajë të njoftun të huejvet vetít shpirtnore ma të zgjedhuna të gjakut arbnuer.
Në numrin e dytë (25 Prillit 1897) fillon m’u rrebelue gjithënji ma tepër, me humbë durimin. Me tinguj idhnije në za, u siellet lexuesavet:
“Ç’është liria? Më mbetet pak kohë akoma. Dua të marr shpatën, tua çanj kokën gomarëve, edhe, në vend të trurit, të kllas këtë: ç’është liria? Të mos kisha nisur fletën (vaftë në djall!) s’do të humbja kohën time t’u mësonj gomarëve ç’është liria. Dy muaj janë që u nis kjo punë dhe tani jam i lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shesë pleh njeriu se të nisje punë për shqiptarët. Janë nja 50 shqipëtarë që kuptojnë ç’është liria… Po të tjerët janë gomarë dhe, si të shtyp 12 numra mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes m… (e shkruen fjalën rrumbukllak!) në vent që të mbanj të përkohëshmen: më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për shqipëtarët “.
Për të mprojtë gjuhën dhe vlerat e kombit nuk i mjafton nji radhim argumentash të përshtatshëm: rrebet e trilli e shtyjnë me kapërcye në gjikime përçmuese ndaj kundërshtarëve.
Por… mos u veni vesh pezmatimit të tij; rrebet i vijnë e i shkojnë. Ai do ta mbajë në kambë të përkohëshmen për dymbëdhjetë vjet rrjesht (1897-1909) dhe do të shesë… jo shka thotë por xhevahire.
Ndër dy vjett e para (1897-1898) Albania vjen tue u pasunue prej numrit në numër me bashkëpuntorë të rij e me landë përherë ma të vlefshme.
Vjerrsha me subjekte të nduernduerta, që kanë nenshkrimet prej N. H. F (Naim Halit Frashëri), prej Skiroi-t, prej K. J. Trebickës, prej Sulo Frashërit, prej Loni Logorit, prej K. P. Stefan Luarasit, prej M. D. Malësori (Milo Duçit), prej Z. (shkodran i panjoftun), prej Koto Haçit, e zbukurojnë të përkohëshmen me larmi ngjyrash e tingujsh dhe plotní ndjesísh atdhetare.
Prendvera poetike e Rilindjes në faqe të saja kundërmon plot burbuqe të përvoesueshme me mall lirije dhe të zdrituna nga nji afsh i thellë naltësimi qytetnuer.
Artikuj në mproje të drejtave kombtare shkruejnë, veç Faikut vetë që mbushë gjysmën e çdo numri me shkrime të tija, Visko Babatasi, Visar Dodani, Lumo Skendo, Shaqir Zabzunari etj.
Këngë të popullit, histori, shkencë, filozofi, syzime ekonomike e politike, çashtjet ma të ndryshme parashtrohen e rrahen. Pjesa frengisht asht aqë e pasun, në mos ma tepër, se ajo në shqip.
Në çdo numër, herë me shprehje të buta, herë me za qortues plot kumbime zemrake, porositen shqiptarët me i lanë m’anesh dasinat, m’u bashkue.
Nxitja m’u bashkue përsëritet or’e ças si leit-motiv gjatë dymbëdhetë vjetëve të jetës së përkohëshmes:
“Bashkim, bashkim !
M’e madhja nevojë për ne shqiptarët sot për sot është bashkimi. Pa bashkim nuk vetemi, kurr s’kemi për të vajtur përpara, por as do të na quajnë komb bota. Na duhen shkolla që të mësojnë djemt tanë dhe t’u zbukurohet mendja, që të bëhen njerëz, dhe njerëz të vertetë; na duhen udhëra që të lehtësohet tregëtia dhe vobsia të pakësohet, shkurt, kemi nevojë të qytetrohemi dhe ne si të tjerët popuj. Po me se kërkohen shkollat, si bëhen udhërat, si arrihet qytetëria? Kur të mblidhemi të gjithë shqiptarët dhe t’i kerkojmë me urtësi; me bashkim, vetëm me bashkim.
Bashkim ç’do me thënë? Armiqt e kombit tonë thonë se që të bashkohen shqipëtarët, duhet sicilido të lëshonjë fen’e vet; sa e madhe gënjeshtrë! Nuk! Sicilido le të mbajë fen’e vet; muhamedanët le të venë në xhami dhe të krishterët në kishë. Por kur të dalin nga xhamia dhe nga kisha, le të kujtohen se kanë një rrëzë, që janë një fëmijë dhe një gjak, edhe të mblidhen tok për të kuvenduar mbi të mirën e memëdheut.
Është turp të bëjmë si t’egërit, të shikojmë njeri tjatrin me sy t’ashpër se s’na ka falur Zoti të gjithëve nji fé. Është nevojë që shqiptarët e mençur të kuptojnë se feja është një gjë veç kombit, që para se të jemi të krishterë e muhamedanë, jemi të gjithë shqiptarë, rrojmë të gjithë në Shqipëri, dhe përdorim gjithë një gjuhë. Dhe shqiptarët e mençur e të urtë që kuptojnë kët gjë, kanë detyrë t’u japin të tjerë shqiptarvet ta kuptojnë dhe ata.
… Le të nisim pra që sot, gjithëkujt sa i mundet, këtë bashkimin aqë të mirë për përparimin tonë. Të duhemi të gjithë si vëllezër; të mos kursejmë as vojtje as të holla për të mbjellë dashurinë midis bijve të Shqipërisë”.
Por ndoshta stilin ma të përsosun Faiku na e la në Hijen e Hurmave. Lexuesat kët vëllim t’artë mund e gjejnë në libertore të Vatrës.
Për të tregue nji shembull t’artit të tij, na pelqen të paraqesim dy copa proze njana kushtue Abdyl Frashërit, tjetra Át Gjeçovit.
Me fjali të mprehta, plot fuqi thadruese në përshkrim të tipareve trupore dhe plot depërtim në përcaktimin e vetive shpirtnore, Faiuku ngjallë para nesh fytyrat e Abdyl Frashërit dhe të Patër Gjeçovit, tue na paraqitë njiherit edhe përshtypjen e ndiesít që ato zgjojnë në te. Shkrimi i tij skalitë e pikson, tue mbërthye përherë mendimin në shprehje kristalore: tue dhanë dishmi të plotë se qartësín e auktorvet ma të përmendun freng e ka përvetësue. Urren stolít e tepërta në shkrim, ndjek përkoren klasike, që nuk rrfen n’asnji mënyrë mungesë paje leksikore, përkundrazi u jep fuqi shprehjeje stilit jo me sasín por me cilsín dhe përpiknín e leksikut.