• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse ndodhin incidente midis dy shteteve fqinjë?

November 13, 2018 by dgreca

Sepse Greqia nuk ka hequr dorë nga Vorio-Epiri-Rasti Bularat/

1 Kacafi Varrim

Nga Nuri Dragoj/Qendra e Studimeve Albanologjike- Instituti i Historisë/

1 Nuri Dragoj.JPGVrasja e shtetasit grek, Kostandinos Kacifas, nga fshati Bularat i nënprefekturës së Gjirokastrës, i cili kreu një akt terrorist në territorin e Republikës së Shqipërisë, ka ndezur debate në të dy shtetet fqinje, duke nxitur shpesh herë dhe qarqet nacionaliste ekstremiste. Zhvillimet rreth kësaj çështje janë të pakuptimta. Kacifas, me veprimin që kreu, duhej të konsiderohej terrorist, sepse ishte i tillë. Kush përdor forcën e armës për qëllime politike, apo për të terrorizuar qytetarët, është terrorist. Ky është ligj ndërkombëtar. Nëse Athina zyrtare do të mbështeste aktin e tij kriminal, pas shpalljes nga pala shqiptare të Kacifas si “terrorist”, nënkuptohej se terrorizmi mbështetej me qëllime të mbrapshta politike. Nëse Greqia përfaqëson një shtet normal, me dëshirë për të patur marrëdhënie të mira fqinjësore, qeveria e saj duhej të vihej në mbështetje të Tiranës zyrtare, pasi terrorizmi luftohet vetëm në mënyrë të organizuar dhe të bashkuar. Mirëpo ngjarjet nuk ecën në rrjedhën e vet. Qeveria shqiptare nuk e cilësoi veprimin e Kacifas “Sjellje terroriste”, edhe pse ishte i tillë. Policia shqiptare u sulmua me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake, madje u dëmtua automjeti i policies, ndonëse për fat nuk pati policë të vrarë. Në rrethanat e krijuara, policia shqiptare ka vepruar derjt dhe, në këtë mënyrë, ka bërë vetëm detyrën.

Po përse ndodhin incidente të tilla? Ngjarje të këtij lloji ndodhin sepse ende në Ballkan sundon urrejtja në vend të arsyes, sepse varfëria ekonomike shoqërohet me varfërim të trurit, sepse etja për të rrëmbyer nga tjetri është kthyer në akte çnjerëzore. Politika në Ballkan, në vend që të punojë për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe të ushqejë dashurinë fqinjësore, i frynë armiqësisë. Në vend që të hartojë një histori të vërtetë dhe të nxjerrë mësime prej saj, duke e parë realitetin në sy, pse jo të kërkohet dhe ndjesë për veprimet e të parëve, vazhdohet në të njëjtën rrugë. Kjo ndodh për shkak se politika në këto vende është ende e paemancipuar, tërësisht e korruptuar, pa dinjitet, sepse nuk respektohen normat e reciprocitetit. Këto ngjarje të turpshme ndodhin në një kohë që Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të NATO-s, anëtarë me të drejta të barabarta, por njëkohësisht dhe në gjendje lufte me njëri-tjetrin! Dhe për çudi NATO pajtohet me këto raporte të dy shteteve anëtarë të Aleancës së Atllantikut të Veriut. Ndodhin kur ne presim të hyjmë në Europë, në atë Europë që ka hyrë Greqia, madje të kërkojmë dhe ndihmën e saj. Të hyjmë, ashtu të paqytetëruar. Të hyjmë pa u bërë “europianë”. Greqia ka hyrë. Por edhe ajo ende nuk është europianizuar. Jemi ballkanas. Ndoshta do të na duhen dekada të bëhemi “europianë”. Por do të bëhemi. Mbase jo ne, shpresohet për fëmijët tanë. Le të presim. Siç duket, deri atëherë, do të na ndjekin pas histori të tilla me kufij e varre, me kërcënime e vrasje, kur luajmë futboll e kur festojmë. Megjithatë jemi fqinj. Këtë fat nuk na e ndërron kush. Ndaj le t’i shohim gjërat më qetësisht dhe të jetojmë në paqe.

Reagimet politike dhe e vërteta e marrëdhënieve dypalëshe

Pas kësaj ngjarjeje ka patur deklarata të ndryshme nga Athina dhe nga Tirana. Mirëpo ngjarjet në Bularat, ditën e ashtuquajtur të varrimit të personit të vrarë, morën karakter politik me nota të larta antishqiptarizmi, me tipare të një nacionalizmi shovenist, pasi qenë të organizuara. Ata që duhej të përcillnin me qetësi funeralin, shpërthyen në urrejtje duke i quajtur shqiptarët “qënë” dhe shkuan deri aty sa të thoshin hapur se Vorio-Epiri ishte i tyre dhe se do të digjnin Tiranën. Eurodeputetja Eleni Theocharous, e cila u shpall penson “non grata”,  me fjalët dhe veprimet e saj nxiti urrejtjen midis dy kombeve dhe shpalli hapur pretendime territoriale. Dhe kjo nuk është hera e parë që shprehet në mënyrë të organizuar urrejtje ndaj shqiptarëve. Më 4 mars të vitit 2007, u publikua një video, me pamje makabre, ku ushtarët grekë këndonin këngë për vdekjen e shqiptarëve. Ishte një marsh urrejtjeje, i kënduar prej ushtarëve grekë gjatë stërvitjes, i cili acaroi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo video u publikua në internet, ndërkohë që teksti i këngës u botua nga gazetat greke dhe shqiptare. “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh…”! Ky ishte teksti i këngës që shkaktoi reagime në disa qytete të vendit. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë i kërkoi Athinës të dënonte skandalin, gjë që u bë prej zëvendësministrit të Jashtëm grek.

Politika shqiptare u përpoq ta paraqiste këtë rast në mënyrë të moderuar, duke e quajtur atë të veçuar, që nuk influencon në marrëdhëniet midis dy vendeve. Nga përvoja gjermane, dimë se ksenofobia është më e fortë atje ku kontakti me të huajt është më i pakët. Pra, sa më shpejt që të intensifikohet ndërveprimi dhe komunikimi, aq më shpejt shuhet ksenofobia. Mirëpo në këtë rast, është e kundërta. Në Greqi punojnë e jetojnë mijëra shqiptar. Janë kurorëzuar martesa të shumta me njëri-tjetrin. Grekët që punojnë në Shqipëri nuk kanë asnjë shqetësim. Minoriteti grek gëzon të drejta më shumë se çdo minoritet tjetër në botë. Atëherë përse shfaqet një urrejtje e tillë? Në një bisedë për Dojçe Vele (Deutsche Ëelle), më 7 tetor 2006, Prof. Ilias Kadsoulis, sociolog në Universitetin e Athinës, e konsideron rast specifik dhe shton: “Njësitë speciale janë një rast më vete në ushtri. Këto forca stërviten për të qenë agresive, në mënyrë që ato të jenë gjithmonë të gatshme të ndërhyjnë në situata të veçanta. Por kjo lloj kulture nuk praktikohet në njësitë e tjera dhe në sektorët e tjerë të ushtrisë…”.

Pra këto nuk janë veprime rastësore, por të organizuara, gjë të cilën do ta shohim dhe pak më poshtë. Gjithsesi, kryeministri grek, Cipras, e cilësoi ngjarjen jo normale. Të njëjtën gjë bëri dhe kryeministri shqiptar, dhe të dy nuk i shmangën termat nacionaliste. Fillimisht nga Greqia u trajtua si çështje e familjes së të ndjerit, më pas Parlamenti Helen mbajti 1 minutë heshtje për shtetasin grek që kreu terror në territorin shqiptar. Ish ministri i Jashtëm i Greqisë, Pangallos, u tregua më racional, kur tha: Kush qëllon mbi policinë, vritet! Kështu ndodh në të gjithë botën. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, përmendi këshillën e dhënë nga kryeministri anglez, sipas të cilit: “Rrethanat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja është pjesë e fuqisë tonë. Ne politikanët gjykohemi vetëm nga veprimet tona për të nxitur ose urtësuar situatat”.

Këshilla është me të vërtetë e vlefshme për të gjithë. Mirëpo, gjatë gjithë histories, politika shqiptare ka mbajtur qëndrim të moderuar, ka lëshuar në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa politika greke ka bërë gjithçka për të përfituar politikisht, ekonomikisht dhe deri në gllabërim terriroresh. Greqia vetëm kërkon nga Shqipëria. Kërkon më shumë det, lëvizen piramidat kufitare, mban në fuqi ligjin e luftës, përdor minoritetin si shkak për presione dhe konflikte. Kërkon të hapen shkolla greke, jo vetëm në minoritet, por në gjithë Shqipërinë. Janë hapur të tilla, duke filluar nga kopështet dhe deri te universiteti, programet e të cilëve nuk njihen nga shteti shqiptar. Pra Athina vetëm kërkon. Nuk ka reciprocitet midis nesh. Greqia nuk e njeh çështjen çame. Shqiptarët që përbëjnë minoritet të madh në shtetin grek, nuk gëzojnë asnjë të drejtë, pasi nuk njihen si të tillë. Në një shoqëri, e cila nuk është në gjendje të kontrollojë fatin e vet, lulëzojnë teoritë e komplotit. Absurditeti shitet për racionalitet, hipoteza për realitet, hajvanëria për patriotizëm, spekulimi për hulumtim. Të gjitha këto i ngjajnë psikoanalizës përverse të pushtetit totalitar. Natyrisht, brenda saj qëndrojnë dhe mendësitë shtetërore.

Përse e gjithë kjo zhurmë për një terrorist? Më 4 shtator 2004 u vra në Athinë 20 vjeçari Gramoz Palushi vetëm pse ngriti flamurin shqiptar për fitoren e skuadrës së tij ndaj Greqisë dhe nuk u bë zhurmë e tillë. Kjo ndodh sepse historiografia greke e ka konsideruar Shqipërinë e Jugut, si pjesë të Greqisë, ndërsa historiografia shqiptare interesohet në mënyrë të vakët për krahinën e Çamërisë, si territor në të cilin kanë banuar shqiptarët në shekuj. Qeveria greke ka hedhur hapa konkret, pasi ka ravijëzuar vijën Venizellos me anë të varrezave të ndërtuara, ndërsa pala shqiptare është mjaftuar me ndonjë fjalë të thënë foltoreve e mitingjeve çame, por pa platformë konkrete. Këto trajtime historike e politike kanë ndikuar në ulje-ngritjet e vërejtura në marrëdhëniet ndërshtetërore midis Shqipërisë e Greqisë, varësisht nga zhvillimet politike, apo ngjarjet e vërejtura në terren. Politika shqiptare nuk duhet të bëjë rolin e strucit. Gerqia e ka kërkuar Vorio – Epirin në Konferencën e Londrës 1912-1913, në Konferencën e Paqes së Versajës (Paris 1919-1920), në Konferencën e Paqes në Paris më 1946 dhe vazhdon ta kërkoj përditë, pasi nuk ka hequr dorë. Pikërisht platforma e tyre e qartë, Kishë-Qeveri, për të marrë jugun e Shqipërisë, raviojëzoi vijën Venizellos me anë të varrezave të ushtarëve të rënë në Luftën Italo – Greke 1940-1941, rajon në të cilin, me para dhe 1000 forma të tjera, thuhet se operohet me një shtet paralel grek, strukturat e të cilat mund të jenë më të fuqishme se ato të shtetit shqiptar. Është gjykim foshnjarak të mendosh që Greqia ka hequr dorë nga Vorio-Epiri.

Çfarë ka ndodhur në vite?

Më rënien e sistemit njëpartiak, politika greke u hodh në mësymje, për të rizgjuar endërrën e vjetër të Vorio-Epirit. Në vitin 1991, një grup gazetarësh grekë, pyetën Presidentin shqiptar, në lidhje me çështjen e pakicave kombëtare, kryesisht për ato greke në jug të vendit. Ramiz Alia u kujtoi gazetarëve se ka pakica shqiptare edhe në Janinë dhe Çamëri, të drejtat e të cilave janë mohuar nga qeveria greke. Të nesërmen, ministria e Jashtme greke e cilësoi provokacion politik deklaratën e tij. Mediat helene, për disa ditë rresht komentuan nëpër faqet e gazetave kundërshtimet e tyre për deklaratën presidenciale ndaj minoriteteve.

  • Më 28 qershor të vitit 1993, prifti grek, Kristostomu Maidonis, u shpall person non grata, pasi zhvillonte aktivitet të paligjshëm, për të cilën u dëbua nga Shqipëria. Sipas autoriteteve shqiptare, shkak ishte propaganda antikombëtare që bëri ky prift në Gjirokastër, duke shpërndarë në kishat ortodokse shqiptare harta të “Vorio-Epirit”, ku jugu i Republikës së Shqipërisë paraqitej si Greqi. Pas këtij dëbimi, Athina zyrtare reagoi ashpër, duke akuzuar presidencën shqiptare për këtë incident.
  • Një muaj më pas dhe pikërisht më 14 korrik 1993, kryeministri grek, Kostandin Micotaqis, paraqiti një platformë të re prej 6 pikash, hartuar prej këshilltarit të tij, Nikolas Gejxh, në të cilin kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë, me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë dhe Epiri të merrte të njëjtin status që do të merrte Kosova.
  • Në vitin 1994, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës u ftohën më tepër, për shkak të një neni të Projekt-Kushtetutës, i cili përjashtonte mundësinë e zgjedhjes në krye të kishës shqiptare, të një peshkopi i cili nuk kishte nënshtetësinë shqiptare. Më pas ata mundën ta hiqnin një nen të tillë nga dokumenti themeltar i shtetit shqiptar, të rrëzonin Statutin e Kishës Ortodokse të Fan S. Nolit dhe atë të kohës së Mbretërisë së Ahmet Zogut. Bënë Statut të ri, ashtu siç u nevojitej.
  • Më 10 prill të vitit 1994, një komando greke prej 8 personash, me uniforma të ushtrisë greke, hyri në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi, dhe vranë në befasi ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagosën tre shqiptarë. “Këto i keni dhuratë për “Vorio-Epirin”, – thërrisnin ata, ndërsa gjuanin me armë. Gazeta Elefterotipia publikoi lajmin, sipas të cilit vrasja ishte marrë përsipër nga grupi terrorist MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit), i financuar nga Nikolas Gejxh. Prokuroria greke nuk e zbardhi plotësisht ngjarjen dhe Athina zyrtare ende nuk u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve për këtë masakër terroriste.
  • Në muajin shtator të vitit 1994, u arrestuan pesë krerë të njohur të organizatës minoritare “Omonia” për spiunazh në favor të Greqisë, për të cilën u gjykuan dhe u liruan një vit më pas, në saj të presionit të ndërkombëtarëve. Në përgjigje të kësaj mase qeveria greke organizoi operacionet “Fshesa”, duke përzënë me dhunë nga territori grek dhjetëra-mijëra shqiptarë që patën shkuar si emigrant ekonomik.
  • Më 27 shtator 1995, në një nga gazetat më të mëdha greke, “To Paron”, një zyrtar i lartë i Athinës deklaroi se “Kryepeshkopi Janullatoas duhet të qëndrojë në Shqipëri, pasi homogjenët e Shqipërisë kanë më shumë nevojë për të, si i vetmi mbrojtës i tyre dhe i pazëvendësueshëm për kishën shqiptare. Nëse ai qëndron, me gjithë sulmet që shteti shqiptar u bën minoritarëve, ata do të jenë të sigurt”.
  • Në vitin 1997, në qytetet e jugut të Shqipërisë o hodhën trakte me përmbajtje antishqiptare: “Vorio-Epiri është grek. Grekët e Shqipërisë të bashkohen me Greqinë”. Sipas gazetës greke “Stohos”, datë 5 mars 1997, “oficerë vorio-epirotë… shpallin autonominë, në Himarë dhe Tepelenë… dhe ngrihet flamuri grek. Shtabi i andartëve të Epirit bën thirrje: “Tani autonomi, mos na tradhtoni prapë”.
  • Në 5 mars 1997, disa gazetarë grekë, jepnin pamje në televizionet më të ndjekura, ku grupe të armatosura në jug, sipas tyre, ngritën për herë të parë flamurin e “Vorio-Epirit”. “Kriza aktuale në Shqipëri është përqendruar në jug, ku popullsia është greqishtfolëse. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës se jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena dhe duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”, thuhej në mediat greke.
  • Në mars të vitit 1997, një nga organizatat greke për çlirimin e “Vorio-Epirit”, bëri thirrje publike për marshimin drejt Shqipërisë, sepse: “Situata e vështirë në të cilën ndodhet Epiri i Veriut, u bën thirrje të gjithë epirotëve të Veriut të kthehen në vatrat e tyre për të mbrojtur pronat. Në këtë moment të vështirë, vetë epirotët duhet të marrin përgjegjësinë e fatin, në duart e tyre”.
  • Për opinionin italian, ajo që po ndodhte në Shqipëri, në vitin 1997, kishte lidhje me çështjen e “Vorio-Epirit”. Kështu, gazeta Corriere Della Sera, më 12 mars 1997, shkruante se trazirat në Shqipëri, ishin koordinuar prej avokatit të njohur grek, Aleksandros Lykourezos. Sipas gazetës, “përfshirja e këtij personi në Shqipëri, mund të shkaktonte rreziqe të paparashikuara për vendin”.
  • Një nga incidentet ku kanë marrë pjesë ligjvënësit grekë, është edhe ai i zgjedhjeve parlamentare, në tetor 2000, në Himarë. Deputetët kanë ushtruar presion propagandistik mbi votuesit, kanë hyrë nëpër qendra votimi, kanë organizuar protesta përballë kamerave të televizionit grek, te ardhura enkas në ditën e votimit, kanë premtuar viza në këmbim të votave për kandidatin e PBDNJ-së.
  • Në vitin 2003, në Himarë u shënuan disa incidente mes simpatizantëve të PBDNJ-së dhe partive të tjera. Kryeministri grek, Georgios Papandereu, deklaroi: “Himara është një pakicë solide greke dhe duhet të konsiderohet si e tillë”. Kjo deklaratë u prit keq në Tiranë, kur ende në Himarë dëgjoheshin thirrjet antishqiptare.
  • Në pranverën e vitit 2005, në Grykën e Këlcyrës, në një prej pikave më strategjike të jugut të Shqipërisë, kishte filluar ndërtimi i një objekti, i cili ruhej me roje dhe aty nuk mund të hynte askush pa leje. Flitej se ndërtohej një kishë prej grekëve. Të tjerë bënin fjalë për një manastir. Pushteti vendor, gjatë kohës që ndërtohej memoriali në Grykën e Këlcyrës, është shprehur se nuk qe ne dijeni për një gjë të tillë dhe se nuk ishte firmosur asnjë leje ndërtimi. Më 10 maj 2006, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pati takim me homologun e tij grek, Vangjelis Meimaraqis, por ky i fundit, sipas mediave, e anuloi vizitën me argumentin se “autoritetet shqiptare ende s’e kanë zgjidhur çështjen e varrezave të ushtarëve grekë në zonën e Këlcyrës”. Në fakt ndërtuesit kishin leje gojore për të ngritur manastirin grek, pasi në një vend pa rregulla loje, pa shtet të konsoliduar, jepen leje gojore për ndërtim, jo vetëm pë rata që ngrenë një kasolle banimi, por edhe për një shtet që kërkon të nguli Gozhdën Nastradinit në territorin shqiptar. Dhe vërtetë varrezat e ngritura pa leje në Këlcyrë, u legalizuan në vitin 2009, njëlloj si ndërtimet pa leje të qytetarëve.
  • Qeveria greke kishte planifikuar të ngrinte disa manastire, brenda të cilëve të fuste eshtra të “ushtarëve grekë”, por duke ditur që nuk kishte të tilla, organizoi zhvarrime të eshtrave të shqiptarëve në disa fshatra të Përmetit, duke filluar nga Kosina në Bubës e deri në Malëshovë. Varrezat e familjeve të larguara nga fshati u dhunuan natën dhe eshtrat e tyre iu dorëzuan të dërguarëve grekë që donin të mbushnin arkivolët e prurë bosh nga Athina, kundrejt një pagese që luhatej nga 50 në 200 euro, në varësi të numrit të eshtrave dhe distancës. Më 9 qershor 2006, në emër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Prof. Dr. Sokrat Meksi dhe Fatos Harito, pohuan se nga ekspertimi i bërë  në disa prej “skeleteve të gjendura brenda arkave prej inoksi, shumica e tyre nuk kanë të bëjnë me ushtarë të vrarë në luftë. Mes tyre bien në sy eshtrat e të paktën dy grave, njëra në moshë të thyer dhe nënë e dy fëmijëve”.
  • Në datën 1 nëntor 2005, Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, do të takohej me homologun shqiptar, Alfred Moisiu, në Sarandë. Papulias kërkoi që më parë të shkonte në konsullatën e Gjirokastrës, por në hyrje të saj protestues të Shoqatës Çamëria, kishin vendosur parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre. Kreu i shtetit grek e interpretoi këtë si një provokim dhe e anuloi takimin me Moisiun.
  • Në 18 maj 2008, në qytezën e Konicës, prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, mori pjesë në një tubim, ku kërkohej zbatimi i Protokollit të Korfuzit. Ky protokoll antishqiptar, i datës 18 maj 1914, pa dijeninë e shtetit shqiptar, parashikonte që dy prefekturat jugore të vendit tonë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, pavarësisht se formalisht do të bënin pjesë në gjirin e shtetit shqiptar, do të administroheshin më vete, në mënyrë autonome. Spiro Ksera, përfaqësues i shtetit shqiptar, del në mes të sheshit i mbështjellë me flamurin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir” dhe kërkoi publikisht, domosdoshmërinë e kthimit në “identitetin grek” të jugut të Shqipërisë. Pas kësaj ai u bë deputet në parlamentin shqiptar dhe ministër.
  • Më 23 korrik 2008, ministri i Mbrojtjes, Meimaraki, pas një takimi me përfaqësuesit e “Vorio-Epirit”, deklaroi se grekët që jetojnë në Shqipëri, mund të kryejnë tre muaj shërbim ushtarak në Greqi.
  • Organizata Omonia, në një njoftim të saj, pas mbledhjes së datës 9 gusht 2008, bëri publike në Gazeta Shqiptare, datë 11 shtator 2008, se Këshilli i Përgjithshëm ka kërkuar njohjen e greqishtes si gjuhë të dytë në Shqipëri. Ata bënë paralelizëm midis shqiptarëve në Maqedoni, të cilët përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë, dhe minoritetit grek në Shqipëri, i cili zë 2 deri në 2.5 për qind të popullsisë. Në këtë deklaratë për shtyp, Omonia nënvizon: “Duke iu referuar vendimit të fundit të Parlamentit të Shkupit, për të njohur si gjuhë zyrtare ato të komuniteteve etnike, Këshilli i Përgjithshëm i Omonias, fton qeverinë shqiptare që të përmbushë detyrimin e saj, që rrjedh nga konventat ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkruar si palë, edhe për përdorimin e gjuhës së minoritetit etnik grek në Shqipëri në dokumentet zyrtare, ashtu siç theksohet në konventën kuadër të Këshillit të Europës për minoritetin grek”.
  • Në muajin shkurt të vitit 2011, konsulli grek në Korçë, Theodhoros Ikonomos, me rastin e 20 vjetorit të degës së Omonias në atë qytet, u shpreh: “Grekë të Korçës! Mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë. Ju duhet të shpallni origjinën tuaj reale dhe të gjithë ata që janë me dyshim dhe që kanë frikë, duhet të pyesin veten e tyre, dhe me siguri, që do ta kuptojnë se janë grekë”. Ai u bëri thirrje vllehëve të Korçës, që të regjistroheshin si grekë. Kryetari i Omonias për Korçën, Ligoraq Karamelo, po në atë takim pohoi: “Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullsisë greke. Ju e dini se ekzistojnë të drejta të minoriteteve, por këto të drejta duhet të vihen në funksion në të gjitha zonat e Shqipërisë, të cilat përfaqësojnë “Vorio – Epirin”. Ndërsa dy deputetë grekë, të pranishëm në këtë takim, Mihalis Pandulas i Janinës dhe Stathis Theodhoris i Follorinës, u kanë lënë banorëve korçarë “detyrën kombëtare”, sipas së cilës ata duhet “të deklarojnë kombësinë greke, gjatë regjistrimit të tyre në Korçë”.

Deputeti Vangjel Dule, tha atë ditë se Athina nuk ka bërë sa duhet. “Greqia, akoma nuk ia ka kthyer borxhet Korçës për helenizimin e saj. Helenizimi kur është i bashkuar, bën gjëra të mëdha dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë dhe ta pengojë”. Me fjalë të tjera, ai u tha banorëve të Korçës, të vazhdonin në rrugën e helenizimit të qytetit të kulturës së lashtë. “Juve, shumë shpejt do t’u dalin pengesa, të cilat duhet t’i përballoni me frymën që ju thashë dhe pengesa e parë do të jetë, regjistrimi i popullsisë, ku përfshihet feja, gjuha dhe kombi”.

Deklarata të tilla nuk mbështeten mbi asnjë të vërtetë dhe duhej dhënë alarmi në të gjitha strukturat shtetërore shqiptare, të cilat duhet t’u thonë “ndal” fushatave për helenizimin e Jugut të vendit. Ndërsa, personat që i deklarojnë ato, duhet të shpalleshin “non grata”. Deklarime të tilla janë me impakt të rrezikshëm për integritetin territorial të vendit dhe për unitetin tonë të brendshëm kombëtar. Deklaratat e konsullit Ikonomu nuk kishte asnjë të vërtetë, pasi përbërja shqiptare e Korçës dhe e zonave jugore të vendit është vërtetuar nga ndërkombëtarët, nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës më 1913 dhe më pas nga Komisioni Hetimor i Lidhjes së Kombeve në vitin 1923.

I dhamë disa prej këtyre ngjarjeve për të kuptuar se ato nuk janë rastësore. Lista e incidenteve greke kundër shqiptarëve është tepër e gjatë. Janë shumë të vrarë padrejtësisht. Dje na u shfaq Bularati, nesër do të përballemi me bllokimin e rrugës në Grykën e Këlcyrës, pasi ka qenë vet qeveria shqiptare që ka pranuar teorinë e politikës greke për Vorio-Epirin.

A ka mendime ndryshe në politikën greke? Të shohim çfarë thoshte Pangallos

Aktualisht janë të shumë qytetarët grekë, gazetarë dhe politikanë, që nuk pajtohen me një politikë të tillë. Ata e dinë se po të qëllonte dikush me armë në Greqi, kundër policisë së atij vendi, do të vritej në vend. Ndërsa pot ë ishte shtetas shqiptar apo turk, krahas vrasjes së tij, do të kishte protesta të fuqshme në të gjitha kancelaritë e Fuqive të Mëdha dhe shkundje të diplomacisë europiane. Por nuk kanë fuqi të veprojnë sepse, terrori mbi politikën shqiptare dhe Shqipërinë, është në programin e qeverisë greke, ngaqë në çdo kohë duhet të përmendet Vorio-Epiri, për të cilin presin rastin që ta marrin, ashtu siç kanë marrë dhe pjesë të tjera të territorit të populluar me shqiptarë.

Teodoros Pangollos, një nga personalitetet më të shquara politike dhe ushtarake të historisë së Greqisë për shekullin e 20-të, president i vendit në vitet 1925-1926 dhe gjyshi i një prej politikanëve të njohur grekë, me të njëjtin emër (Teodoros Pangollos), në atë kohë shkruante: “Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht (ishte vajzë e më të madhit pasunar të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit, në Salaminë, la frymën e fundit mareshali i paharruar, Karaiskaqi). Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë… Admirali Kundurioti, tre brezat e Nikolaidhëve (gjyshi, biri dhe nipi), gjeneral Kunduli, admirali Saqellariu, heroi i nëndetëses L. Kaconi, V. Lasko, dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut”.

Pangallos ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj njerëzve të afërm të tij, të cilët kërkonin të nxisnin një “luftë” artificiale midis shqiptarëve me banim në Greqi. Po në këto kujtime, ai shkruan: “Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke, në mënyrë të dhunshme dhe pa marrë parasysh marrëveshjet, përzënë banorët shqiptarë të asaj zone dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël, dhe protestave të tyre u përgjigjen duke thënë se ata (çamët; shënim i përkth.), janë të shkëmbyeshëm. Shqyrtova dokumentet përkatëse dhe u binda, se interpretimi i Ministrisë së Jashtme greke nuk qëndronte, pasi në Marrëveshjen e Lozanës përcaktohej prerë, se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm si turqit e Thrakës.

Historia dëshmon qartë, se kemi të bëjmë me një tejkalim të të drejtës nga ana e grekëve, qoftë në lidhje me identitetin, autoktoninë, territoret, përmasat e heronjve të tyre, qoftë me mungesën e mirënjohjes për ndihmat që i kanë dhënë njëri-tjetrit gjatë shekujve. Pra, këtu duhet parë shkaku i kësaj tabloje negative midis dy popujve më të afërt të Ballkanit. Të gjitha këto lloj mosmarrëveshjesh, në shumicën e rasteve orientohen nga politikanët dhe amplifikohen prej historianëve të angazhuar, por në të gjitha rastet këto mosmarrëveshje janë të përkohshme. Shumë rrallë ka ndodhur që politikat e një vendi të standardizohen me keqdashje periodike, ndaj fqinjit të tyre, siç po ndodh sot me politikën greke.

Por nuk kanë munguar dhe nxitjet e së keqes. Pangallos nuk i fsheh vështirësitë e hasura. Shpesh porositë e tij, në drejtim të kujdesit që duhej treguar në trajtimin e shqiptarëve, nuk zbatoheshin. Janë dhjetëra institucione, ku secili duhet të bëjë detyrën për shmangien e këtyre “ngërçeve”. Në të vërtetë, Pangallos ka reaguar, siç mund të shihet në vijim: “Një drejtor kompetent më tha: “Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo, arsye emergjente, si edhe qëllimi kombëtar, na imponojnë të dëbojmë shqiptarët, për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë, që kanë ardhur prej Azisë së Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë palo shqiptarë, z. President”. Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta diplomatin. Dhashë urdhër që shqiptarët të kthehen të lirë në fshatrat e tyre. Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona, u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do të shohim, pothuaj trajtën e një konfederate”.

Nëse popujt lihen të qetë, pa ngarkesa nacionaliste e shoviniste, janë aq të afërt shpirtërisht, sa do ta gjejnë vetë rrugën e miqësisë e të bashkëjetesës, pa pasur nevojë për klithmat e politikës dhe demagogjisë. Jo vetëm kohë më parë, por edhe në ditët tona, numri i martesave midis grekëve dhe shqiptarëve është rritur dukshëm, gjë që tregon për mungesën e kompleksitetit midis popujve dhe afeksionin shpirtëror midis tyre. Popujt, natyrshëm, përherë janë më të emancipuar se sa vetë politika e shteteve ku ata bëjnë pjesë. Lidhjet me popullin grek janë të pandara prej thellësisë së shekujve, për shkak të elementëve të përbashkët të kulturës, këngëve dhe dokeve. Idetë e njerëzve, afeksionet e tyre shpirtërore, dëshira për harmoni e paqe, ngjasojnë me ditët plot diell, me rrezet që lindin mbi mal, që përplasen në shkëmbinj, dete dhe oqeane, që bien në baltë, por asnjëherë nuk përlyhen. Mbeten gjithnjë rreze të praruara. Veprat e njerëzve me mendje të ndritur, na mësojnë të kemi guxim për të kaluar kufijtë e shteteve, për të kapërcyer nacionalizmin primitiv, që e karakterizon fuçinë e barutit ballkanik e, mbi të gjitha, për të kapërcyer vetveten, që shpeshherë na lë pas, në kohë e hapësirë, duke mbetur në bisht të historisë.

Po të mos kishte ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit, nëse nuk do të kishte pretendime territoriale, atëherë marrëdhëniet midis dy vendeve do të ishin shumë më të mira. Vetë Pangallos nënvizon: “Po të ndiqej një politikë e studiuar dhe e qëndrueshme ndaj Shqipërisë, ajo do të ishte, jo armike, por do të mund të ishte mikja më e mirë, më e çmuar dhe e vetmja besnike e Greqisë në Ballkan. Nga pikëpamja racore shqiptarët nuk janë as mongoloidë, as sllavë, as turq. Është historikisht e vërtetuar, se ata janë ilirë, pasardhës të pellazgëve. Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, me serbët e bullgarët, por, përkundrazi, gjaku, tradita dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë me popullin grek”.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Epiri në historiografinë mesjetare dhe moderne, Nuri Dragoj, Shqiperi-Greqi, Vorio-Epiri

Shqipëri-Greqi, Ligji i luftës në mes

April 5, 2016 by dgreca

Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Bushati: Ligji i luftës pengesë kryesore/

Heqja e ligjit të luftës do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet mes Greqinë. Ky është qëndrimi i Ministrit të Punëve të Jashtme të vendit tonë, Ditmir Bushati.

Kryediplomati shqiptar, i pranishëm në komisionin për punët e Jashtme raportoi sot mbi vizitën e tij në vendin helen.

Bushati tha se marrëdhënia me Greqinë kushtëzohet nga tre elementë kryesorë. “Kryefjalë është ligji i luftës, i cili është vendosur pas luftës së dytë botërore. Kjo do të çlironte pozitivitetin e munguar mes vendeve”, nënvizoi Bushati.

Ai shtoi se pjesë e qenësishme e ligjit të luftës lidhet dhe me çështjen çame, një çështje të diskutuar tej mase nga pala shqiptare.

Gjate punimeve ne Komisionin per Punet e Jashtme (Arbi Fortuzi)

“Çështja çame për herë të parë ka dal në skenë në vitin 1991, u diskutua deri në 1993, pastaj fjeti deri në 2000. U rihap në atë kohë nga kryeministri Meta, pastaj u rikthye në vëmendjen në vitin 2013 si një çështje kryesore e programit qeverisës. Bisedimet tona me Greqinë janë të ndara me tre pjesë. Së pari, Lufta e Dytë Botërore. Heqja e ligjit të luftës që ka jo vetëm efekte politike por edhe ligjore, pasi mban të bllokuar pronat e shqiptarëve të çamërisë. Tek kjo ndarje kemi listuar çështjen çame”, tha ministri Bushati.

Elementi i dytë nga ku kushtëzohet marrëdhënia me vendin helen, sipas Ministrit Bushati lidhet me minoritetin grek në vendin tonë, por dhe atë shqiptarë matan kufijve. “Në këtë drejtim, pala shqiptare ka garantuar të gjitha kushtet, që minoriteti grek në vendin tonë të jetë plotësisht i integruar. Ne kërkojmë të njëjtën gjë nga pala greke”, u shpreh Bushati.

Deputeti Socialist, Ben Blushi, duke lexuar gazeten ne pritje te nisjes se punes ne Komisionin per punet e Jashtme

Elementi i tretë lidhet me marrëveshjen detare, atë të sigurimeve shoqërore, por dhe njohjes së lejes së drejtimit shqiptarë nga pala greke. Sipas Bushatit, në këtë drejtim janë bërë hapa përpara, por ky ngërç nuk lidhet me faktin se përballë tryezës është Greqia.

“Ky mbetet një problem i hapur edhe me Italinë, që kemi dhe marrëdhënie më pak të tensionuara. Dua t’ju kujtoi se mesdheu vijon të mbetet problematik sa i takon ndarjes kufitare. Ne kemi kërkuar që çështja të ndiqet sipas modeleve të mira ndërkombëtare dhe po presim, që Italia të gjejë gjuhën e përbashkët me Greqinë për të vijuar tentativat. Sa i takon sigurimeve shoqërore mbetet i njëjti problem dhe me Italinë”, shtoi Bushati.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë proçesit të pyetjeve dhe përgjigjeve u shpreh se qeveria e shkuar duhet të hetohet për marrëveshjen e vjetër të detit.(Kortezi Arbi Fortuzi, ATSH)

Filed Under: Komente Tagged With: Ligji i luftës në mes, Shqiperi-Greqi

SHERRI I JANULLATOSIT PERPLAS SHQIPERINE ME GREQINE, SHEN THANASI NE MES

August 22, 2015 by dgreca

Kisha në Dhërmi, con ne përplasje diplomatike Shqipëri-Greqi/
Shembja e Kishës Ortodokse nga Bashkia Himarë, ka sjellë edhe reagimin e shtetit helen. Përfaqësuesi i  Ministrisë së Punëve të Jashtme greke, Konstandinos Kutras, i pyetur nga gazetarët, u shpreh i shqetësuar mbi ngjarjen e ndodhur në kishën e Shën Thanasit.
“Ngjarjet në Kishën e Hirshme të Shën Thanasit në Drimades (Dhërmi) të Himarës përbëjnë një shqetësim shumë të madh. Largimi i dhunshëm dhe pengimi i besimtarëve për të hyrë në vendin e besimit të tyre, heqja e ikonave dhe objekteve të shenjta nga kisha si dhe shkatërrimi që u bë me ndërhyrjen e bashkisë së Himarës janë veprime të dënueshme dhe të papranueshme, pavarësisht pretendimeve për ligjshmërinë e ndërhyrjes dhe nuk janë shenja të një vendi që aspiron të bëhet pjesë e familjes Europiane. Respektimi i Lirive Fetare, mbrojtja e vendeve të kultit dhe mospengimi i ushtrimit të besimit janë karatkteristika të një shteti të së drejtës dhe parimeve europiane. Presim shpjegime dhe marrjen e masave nga ana e qeverisë shqiptare. Ambasada e Greqisë në Tiranë dhe autoritetet tona konsullore kanë marrë udhëzime të ndjekin dhe të kujdesen për këtë çështje”-tha në deklaratën për mediat zyrtari i qeverisë greke.
Por menjëherë pas reagimit të zëdhënësit të MPJ  greke, ka reaguar edhe MPJ e Shqipërisë. Zëdhënësi Glen Dervishi deklaroi se MPJ “shprehet e habitur dhe e shqetësuar  nga deklaratat e zëdhënësit të MPJ greke.MPJ e Shqipërisë thekson se po ndjek nga afër çështjen  dhe se këto deklarata të Greqisë janë ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë thekson poashtu se  marrëdhëniet shtet-fe janë të shëndosha”,- tha ai.
Sipas MPJ tonë, qëndrimi grek nuk shpreh bashkëpunim, por një insinuatë të izoluar të marrëdhënieve.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Jashtme Shqiptare
“Në vijim të interesimit të medias mbi deklaratën e zëdhënësit të MPJ greke mbi të ashtuquajturin incident të ndodhur në terrenin e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi,  zëdhënësi i MPJ të Shqipërisë Glevin Dervishi shprehu habinë dhe shqetësimin ndaj këtij reagimi të nxituar.
Shqipëria përkujdeset të sigurojë zbatimin e ligjit në tërësinë dhe pacenueshmërinë e tij.  Në raport me bashkësitë fetare, po ashtu edhe në raport me parandalimin e çfarëdolloj informaliteti dhe dallimin e tij nga shfrytëzimi korrekt i pronës private , në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe aktet e tjera ndërkombëtare në të cilët Shqipëria aderon.
Në Republikën e Shqipërisë marrëdhënia midis institucioneve të shtetit shqiptar dhe institucioneve fetare janë tepër të shëndosha dhe mishërojnë frymën e bashkëjetesës unikale mes besimeve të këtij vendi.  Komiteti Shtetëror i Kulteve siguron në këtë kuadër dialogun e privilegjuar që, si çdo bashkësi tjetër, edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila ka përfaqësuesit dhe zëdhënësit e saj përkatës në territorin shqiptar, gëzon me pushtetet publike.  Shqipëria është e gatshme të ndajë eksperiencën e saj të vyer me Greqinë në ketë drejtim.
Konstatojmë se qëndrimi i djeshëm i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, përbën, në këtë kontekst, një ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm civil, administrativ dhe gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, ai paragjykon në mënyrë të njëanshme dhe eksesive angazhimin e kahershëm të Greqisë për të shoqëruar integrimin evropian të Shqipërisë, të mbështetur nga partnerët e tjerë evropianë, gjë e cila bie ndesh edhe me praktikën e konsultimit dhe qasjes së përbashkët të problemeve mes vendeve qe ndajnë të njëjtën aspiratë evropiane.
Ky qëndrim,  është larg frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të cilën kishte për qellim të promovonte takimi i fundit i Ministrave Bushati – Kotzias. Ai është larg çdo parimi dhe praktike ndërkombëtare që orientojnë marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve sovrane si dhe normave dhe frymës së bashkëpunimit evropian dhe fqinjësisë së mirë.  Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreson se deklarata e djeshme, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të shihet si qëndrim i një autoriteti që ushtron garanci morale apo kanonike mbi Kishën ortodokse autoqefale shqiptare dhe besimtarët e saj, do të mbetet vetëm një insinuatë e izoluar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke”.

Filed Under: Komente Tagged With: con ne përplasje diplomatike, Kisha në Dhërmi, Shqiperi-Greqi

SHQIPERI-GREQI, LIGJI I LUFTES NE MES

July 26, 2015 by dgreca

*Më 28 tetor 1940, tetë divizione italiane të përbërë nga 140 000 ushtarë, nën një shi të furishëm, filluan sulmin ndaj Greqisë në një front prej 200 km/
*A ekziston ligji i luftës me Greqinë? Si ta komnetojmë qëndrimin e Nikolaos Kotzias?/
*-Duçja, kishte besim tek kjo fitore, mbasi informacionet për ushtrinë greke, ku numri i saj nuk i kalonte të 30. 000 vetët, nuk ishte i saktë, ashtu sikundër nuk kishte informacion të saktë për armatimin, përgatitjen dhe moralin e ushtrisë greke./
*-Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636, i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasuri armike”.
*-Njëkohësisht Greqia, të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”./
*-Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë/
*-Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni/
*-Në Korrik 1987, qeveria e PASOK-ut e kryesuar nga Andrea Papandreu shpalli me ligj abrogimin e “Dekretit Mbretëror”, pjesën politike/
Nga Albert Z. ZHOLI/
-Ditët e fundit (15 korrik, 2015), në Shqipëri, bëri një vizitë zyrtare, Ministri i Jashtëm i Greqisë, z. Nikolaos Kotzias. Ndër temat që u hodhën në tryezën e bisedimeve ishte dhe ai i “Ligjit të luftës”, Greqi- Shqipëri, i shpallur nga Mbreti i (asaj kohe) Greqisë, Konstandin, i cili nxori Dekretin Mbretëror nr. 2636, i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasri armike”, pas sulmit që i bëri Italia fashiste më 28 tetor 1940 (tetë divizione të përbërë nga 140 000 ushtarë) shtetit grek. Qysh ahere, kanë kaluar plot 75-vjet dhe ky ligj është diskutuar dhe pështjelluar si në kalendat greke të lashtësisë. Dikur u tha se ky ligj u hoq nga qeveria e Andrea Papndreut, disa thonë se u hoq pjesërisht, ndërsa në vizitën e fundit të ministrit të Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias në Tiranë, ai theksoi se nuk ka ligj lufte midis dy vendeve. Mediat greke theksuan në këtë vizitë se, në këmbim të një kompromisi për paktin detar, ministri Kotzias do të premtojë abrogimin e ligjit të luftës dhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Më datë 15 korrik, gjatë Konferencës për shtyp me Ministrin Bushati, Ministri i Jashtëm grek Nikolaos Kotzias, deklaroi: Nuk ekziston ligji i luftës me Shqipërinë, ai duhet të konfirmohet. Ndërsa ka një reagim serioz nga historiani Xhufi i cili theksoi se, jo vetëm ky ligj ekziston, por marrëveshja për Paktin Detar nuk duhet të zhvillohet pa u hequr ky ligj. Duke pasur parasysh sa më lart lindin një sërë pyetjesh:- Kur dhe pse u vendos ligji i luftës? A ishte i drejtë dhe i bazuar në ligjet e kohës? Pse ekziston ende dhe pas 75-vjetësh ky ligj? A e ka hequr Andrea Papandreu këtë ligj (në Korrik 1987, qeveria e PASOK-ut e kryesuar nga Andrea Papandreu shpalli me ligj abrogimin e “Dekretit Mbretëror”) kur ishte Kryeministër, apo e ka hequr pjesërisht? Duke qenë se për një periudhë të gjatë kam gërmuar në arkivat greke për këtë problem (kur kam qenë gazetar në Athinë), po sjell disa fakte rreth ligjit absurd të luftës.
Lufta e dytë botërore dhe qeveritë kuislinge
Lufta e dytë botërore ka hyrë nëpër analet e historisë si lufta më e egër që ka parë historia e njerëzimit. Në këtë luftë jo vetëm që u vranë rreth 50 milionë njerëz, por kjo luftë do të kujtohet me dhimbje dhe me interes edhe për shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me rolin aktiv të spiunazhit, aviacionit por edhe sidomos për mënyrën më të perfeksionuar të efekteve politike –propagandistike që përdorën vendet agresore ndaj vendeve që pushtuan. Gjermania naziste, Italia fashiste dhe Japonia militariste, për interesat e tyre pushtuese, përdorën ndaj vendeve që pushtuan të ashtuquajturën aleanca, për të justifikuar krimet çnjerëzore. Pushtimet e dhunshme me plumba, bomba predha, zinxhirë tankesh apo shpimet me bajonetë, këto vende u munduan që t’i mbulonin formalisht duke krijuar regjencat, qeveritë kuislinge, të cilat sipas pushtuesve do të kishin “autoritetin politiko-juridik të qeverive të pavarura”. Qeveritë kuislinge u bënë modë në këtë luftë, që megjithëse u propaganduan gjerësisht nga pushtuesit sidomos në vendet e lindjes. Ato në sytë e opinionit ishin tepër qesharake dhe pa vlerë, ku nga masat popullore ato u quajtën qeveri kukulla.

Dekreti mbretëror i Greqisë

Më 7 prill 1939 Italia fashiste pushton Shqipërinë. Një ditë më parë mbreti zog largohet nga Shqipëria. Pak kohë më vonë pas pushtimit, pushtuesi italian do të formonte një qeveri kuislinge. Dhe, një vit më vonë, pra më 1940, Konti Çiano, përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej ministrit të jashtëm të Greqisë Z.Metaksa. Ultimatumi i ngjante atij që kishte përgatitur dhe ia kishte paraqitur mbretit, Zogu i I, të Shqipërisë, ku përmblidhej “ose pushtimi, ose Lufta”. Në këtë ultimatum, Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin Italian të disa bazave strategjike. Ambasadori italian në Greqi Z. Grazzi, që ia paraqiti ultimatumin në orët e vona të mesnatës Z.Metaksa nuk qe në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së Metaksasë se për ç’baza strategjike bëhej fjalë. I nervozuar nga kjo heshtje, Metaksai, iu përgjigj me një “Oqi” “Jo “ ultimatumit. Më 28 tetor 1940 –tetë divizione të përbërë nga 140 000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Në këtë sulm, Duçja donte t’i jepte një “mësim” të mirë Hitlerit, mbase shumë pushtime të tijë, (Hitlerit) ai i merrte vesh nga radiot dhe nga gazetat. Edhe Duçja tashmë dëshironte që Hitleri, pushtimin e Greqisë nga Italia ta merrte vesh nga gazetat. Ai kishte besim tek kjo fitore, mbase informacionet për ushtrinë greke, ku numri i saj nuk i kalonte të 30. 000 vetët, nuk ishte i saktë, ashtu sikundër nuk kishte informacion të saktë për armatimin, përgatitjen dhe moralin e ushtrisë greke. Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636, i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasuri armike”. Njëkohësisht të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë. Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni. Për këtë dekret u morën për bazë, ekzistenca e qeverisë kuislinge shqiptare, dhe se në këtë luftë Italia kishte organizuar dy batalione mercenarësh shqiptarë, të rreshtuar bri armatave italiane, por të cilat dezertuan nga fronti përpara se të fillonte lufta. Duke u bazuar në këto fakte absurde, Greqia monarkiste e konsideroi Shqipërinë “ shtet armik” dhe shpalli ndaj saj “ gjendjen e luftës”. Por këto “ fakte” absurde bien vetiu sepse;
1- Shqipëria në atë kohë nuk ishte një vend i lirë dhe sovran ku të ushtronte në mënyrë të pavarur vullnetin e saj politik.
2- Shqipëria nuk gëzonte zotësinë juridike dhe aftësitë politike për të deklaruar lëvizjet e saj të pavarura në hartën politike të Evropës.
3- Shqipëria nuk gëzonte me të vërtetë autoritetin e vërtetë dhe të plotë vetëveprues si një subjekt aktiv i së Drejtës Ndërkombëtare.
Dhe ajo që vlen për tu theksuar me forcë është se Dekteti Mbretëror kërcënonte se “DO TË KONSIDERONTE TRADHËTI KOMBËTARE AKTIN E CDO QEVERIE GREKE QË DO TË NDËRRMERRTE HAPIN E VENDOSJES SË MARËDHËNIEVE DIPLOMATIKE ME SHTETIN ARMIK SHQIPËRINË…”
MBAS LUFTE…
Jo shumë kohë mbas luftës së Dytë Botërore, vendet e shpallura agresore dhe vendet viktima të luftës u ulën në tryezat e bisedimeve për të sheshuar problemet e së kaluarës dhe për të shtruar urat e miqësisë të së ardhmes… Këtu mund të përmendim Gjermaninë me Francën … Në të njëjtën rrugë ecën edhe Italia me Greqinë të cilat nënshkruan pakte dhe marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi. Por këtu qëndron edhe çudia ! Me Italinë u nënshkruan sa e sa marrëveshje, ndërsa me Shqipërinë ngelej në fuqi Dekreti Mbretëror !!! Pra “Ligji i Luftës”. Dhe kjo gjendje me Shqipërinë nuk ishte çështje muajsh apo vitesh, por dekadash të tëra . Ende Shqipëria konsiderohej vend armik. Si rrjedhojë, midis dy vendeve ishin të ndërprera marrëdhëniet diplomatike, ekonomike, humane, kulturore-artistike… Ndërmjet dy vendeve ishte vendosur një perde e hekurt ndarje deri në armiqësi. Dhe një nga çuditë ndodh në Maj 1971. Në Greqi kryhet grusht shteti, dhe vjen në fuqi junta ushtarake e kolonelëve grekë me në krye Papadhopulin. Dhe ishte pikërisht ky ushtarak, që kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Lind pyetja, se cilat ishin motivet kryesore që e nxitën Papadhopulosin të merrte këtë nismë!? Së pari mendohet se duke ardhur në pushtet me grusht shteti, i papërkrahur prej komunitetit ndërkombëtar, junta ushtarake e pa Shqipërinë si një faktor të ri, për të dalë prej izolimit. Së dyti, duke bërë një hap të tillë ndaj një vendi komunist, siç ishte Shqipëria, garda e kolonelëve mendonte se do të fitonte kredon e lakmuar, se gjoja ajo me këtë veprim nuk I përkiste së djathtës ekstreme, por një qeverie dhe një vendi demokratik. Së treti, mendohej që me këtë hap edhe komunistët grekë dhe në tërësi partitë komuniste në lindje dhe në perëndim do të besonin se nuk kishin të bënin me një juntë puçistësh ushtarakë apo me një klikë uzurpatore antidemokratike siç po cilësohej nga Komuniteti Ndërkombëtar. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Midis Shqipërisë dhe Greqisë u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Megjithatë dekreti mbretëror mbetej një kërcënim gjithnjë evident. Pavarësisht se u vendosën marrëdhëniet diplomatike, ku si rezultat juridikisht dhe praktikisht ishte zhvleftësuar Dekreti, dhe zyrtarisht kishte këmbime në të gjitha fushat ( sigurisht me kufizime), kuptohej që marrëdhëniet midis dy vendeve nuk arrinin nivelet e dëshiruara, mbase sërish ndihej frika e Dekretit dhe kufizimet midis dy sistemeve të kundërta. Marrëdhënie u vendosën, por Dekreti nuk u abrogua.
Abrogimi i Dekretit
Dekreti mbretëror, ngeli për dekada një relike e shëmtuar e shkruar e zezë mbi të bardhë, ndoshta edhe si një dëshirë dhe ëndërr e keqe e qarqeve ultranacionaliste, me paragjykime donkishoteske, tipike provinciale ballkanase. “Megaloidheja”, (Greqia e Madhe) kur heshtur dhe hapur, po vegjeton ende e kësaj dite si një ëndërr e keqe nëpër subkoshiencat e qarqeve greke. Dhe ky problem duket sikur u zgjidh në Korrik 1987 kur qeveria e PASOK-ut e kryesuar nga Andrea Papandreu shpalli me ligj abrogimin e “Dekretit Mbretëror”. Derisa të hidhej ky hap specialistë grekë të Së Drejtës Ndërkombëtare, vlerësuan se me çfarë lloj akti të barasvlershëm juridikisht duhej abroguar një dekret Qeveritar. Tashmë Greqia nga monarki, kishte kaluar në një sistem Repuplike Parlamentare. Sipas specialistëve abrogimi I një ligji të tillë I barazvlefshëm me një Vendim të Këshillit të Ministrave ( Vendim Qeverie). Me shpalljen e vendimit dhe firmosjen nga kryeministri, Greqia zyrtare e konsideroi publikisht Dekretin të hequr me ligj.
Dy pjesët e këtij ligji
Ky veprim i qeverisë Greke nga njëra anë abrogonte plotësisht pjesën politike të dekretit. Pra atë të heqjes së “LIGJIT TË LUFTËS”, Ndërsa shtojcën që fliste për pasuritë e shqiptarëve në Greqi nuk e prekte fare. Pra, dekreti u hoq i pjesshëm. Arsyet për këtë ndarje janë të shumta. Së pari tek pjesa e dytë e Dekretit prekeshin interesa të shumta të veçantë dhe të ndjeshme ekonomike. Së dyti kjo pjesë mund të prekë interesa individësh apo grupe individësh në Greqi (në planin ekonomik). Pra është kjo pjesë e dekretit për të cilën bëhet zhurmë sot e kësaj dite, nga ku pretendohet se “ Ligji i Luftës” me Greqinë nuk është hequr. Pra pjesa ku Dekreti shpall “…pasurinë e shqiptarëve, pasuri armike…” duke i vënë ato (pasuritë e shqiptarëve) në “sekuestro konservative”, është sot e kësaj dite pjesa e pazgjidhur e “Ligjit të Luftës”

Reagimet e qarqeve shoviniste
Është mëse e saktë, se ndërsa një pjesë e mirë e popullit grek as që e shkonte ndërmend se ekzistonte një ligj lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë, sërishmi nga shumë që kishin dijeni për këtë ligj ky abrogim u prit me mirësi, sidomos nga forcat progresiste dhe demokrate greke, të cilët edhe e përshëndetën këtë hap të qeverisë së Papandreut. Ndryshe ndodhi me qarqet ultranacionaliste, monarkiste dhe një pjesë të qarqeve fetare. Në unison, të gjitha këto qarqe organizuan dhe filluan një sërë protestash kundër Vendimit të Qeverisë së Papandreut. Gjithë shtypi i djathtë e kundërshtonte me forcë këtë akt të Qeverisë. Thirrjet frenetike që arrinin deri në ekstazë, filluan të akuzonin Qeverinë për Tradhti Kombëtare. Në gjithë këtë valë antiqeveritare nuk munguan edhe rastet e violencës. Në krye të të gjithë këtyre protestave qëndronin ithtarët e klaneve fashiste EPEN. Organizatat nacionaliste të ashtuquajtura vorioepiriote, QEVA etj…sikundër grupimi antishqiptar i grekëve të Amerikës POAKA. Ata theksuan se Dekreti duhej hequr me anë të Parlamentit.
Dekreti përballë miqësisë së popujve
Aktualisht, në kohën kur po flasim, në Greqi ndodhen më shumë se 700 mijë emigrantë shqiptarë. Viti 1991, do të mbahet si viti i lidhjes së miqësisë më të madhe ndërmjet dy popujve tanë nga më të vjetrit në Evropë. Ky vit, ishte viti i shpërnguljes masive të shqiptarëve mbas rënies së komunizmit drejt fqinjit tonë jugor, dhe kjo për arsye ekonomike. Populli grek u hapi portat e shtëpisë, u shtroi sofrën me bujari vëllezërve shqiptarë. Politikat armiqësore shumëvjeçare i kishin ndarë artificialisht këta popuj që kanë shumë gjëra të përbashkëta. As “ Ligji i Luftës”, as telat me gjemba nuk mund të ndanin miqësinë e trashëguar në shekuj deri në lidhje gjaku. Duke parë realitetin e sotëm, ku shqiptarë e grekë punojnë bashkë, kanë krijuar lidhje martesore, aktivitete të përbashkëta tregtare, apo bashkëpunimi i vazhdueshëm kulturor, tregon qartë se “ de fakto”, e çdo Dekreti Mbretëror midis dy popujve nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Popujt duan paqe, punë, mirëkuptimì. Politikat duhet ta ulin peshën e tyre të acarimit përballë dëshirës së popujve për bashkëjetesë paqësore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albert Zholi, Ligji i Liftes, Ministri Grek, Nikolaos Kotzias, Shqiperi-Greqi

Ministri grek ne Tirane: Nuk ekziston ligji i luftës me Shqipërinë, jemi në NATO

July 15, 2015 by dgreca

Ministri i Jashtëm Grek, Nikolaos Kotzia ka deklaruar sot në Tiranë se mes dy vendeve nuk ekziston ligji i luftës. Ai tha se dy vendet janë aleatë në NATO dhe kanë një fqinjësi të mirë.
“Greqia dhe Shqipëria kanë ura shumë të fuqishme miqësie, të cilët janë emigrantët shqiptarë dhe sigurisht minoriteti grek që ekziston këtu prej shumë vitesh. Bashkë me këto diplomacia krijon shumë ura të tjera. Nuk besojmë se nuk ekzisotn një ligj lufte me Greqinë. Në besojmë se bashkëpunimi në NATO jo vetëm na bëjnë miq, por janë dy vende që janë partnerë aleatë”,- tha Kotzias gjatë konferencës së përbashkët të dhënë më ministrin e jashtëm shqiptarë, Ditmir Bushati. Ai tha se marrëveshjet mes dy vendeve që do të nënshkruhen janë dëshmi se mes dy vendeve nuk ka ligj lufte.
“Në të gjitha marrëveshje që ne do të bëjmë do të gjejmë mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në gjendje lufte. Përsa i përket heqjes së ligjit të luftës dhe të drejtës së pronës, çdo qytetar shqiptar mund të shkojë në gjykatat greke dhe të kërkojë të drejta e tij”,- tha ai.
Lidhur me çështjen Çame, diplomati grek u përgjigj në mënyrë indirekte. “E kam si zakon të them; të mësojmë nga historia. Të mos përsërisim gabime të së shkuarës, por edhe të mos mbetemi të burgosur në këtë linjë. Ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen”.(KJ)

Filed Under: Rajon Tagged With: Nikolaos Kotzia, s'ka ligj Lufte, Shqiperi-Greqi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT