Precedenti Abazi- Në Kosovë shqiptarët e Shqipërisë janë të huaj. Dhe ndërsjelltas?
Nga Skënder Buçpapaj/
Më 16 mars, për herë të parë rikthehej në Kosovë, motivacioni (arsyetimi) “rrezikim i rendit dhe sigurisë së shtetit”, aq shumë i dëgjuar në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar. Mungonte pjesa e dytë: “bashkëjetesës në bashkim dhe vëllazërim të kombeve dhe kombësive tona”.
Lajmin e jepte KosovaPressi. Nga ora 13:30 Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes Boiken Abazi, shtetas i Republikës së Shqipërisë, arrestohej në një lokal afër selisë së saj. Ai rrëmbehej nga policë civilë, pa paraqitur fletarrest, pa iu komunikuar me gojë ndonjë arsyetim dhe dëbohej nga Kosova për në Shqipëri.
Me gjuhën e çdo kodi penal të çdo vendi, i bie që ai të ketë kryer krim kundër shtetit. Me këtë akuzë, askush nuk mund t’i shmanget një hetimi të mëtejshëm serioz gjyqësor dhe një procesi po kaq serioz dhe gjyqësor, deri në një vendim përfundimtar nga shkallët më të ulëta deri në më të lartin e sistemit të drejtësisë së një vendi.
Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes u dëbua vetëm me urdhër nga lart. Deri sot nuk është publikuar urdhëri të cilin e ka marrë dhe e ka zbatuar Policia e Kosovës. I bie që ajo të jetë urdhëruar nga Skënder Hyseni, ky të jetë urdhëruar nga Isa Mustafa.
Kryerësja e dëbimit, Policia e Kosovës, u detyrua të hiqte dorë nga akuza për “rrezikim të rendit dhe sigurisë së shtetit” dhe të pohonte se Boiken Abazi nuk kishte bërë asnjë vepër penale, ai kishte bërë vetëm kundërvajtje, duke hyrë dhe dalë nga Kosova në mënyrë jo të ligjshme. Akuzën e “rrezikimit të rendit dhe të sigurisë së shtetit” Policia e Kosovës e quajti një përvjedhje të natyrës teknike në komunikatën e saj për dëbimin e shtetasit të Republikës së Shqipërisë nga Kosova.
Me të drejtë, komentuesit në rrjetet sociale arsyetuan se Boiken Abazi është larguar me ato procedura që përdoren për largimin e spiunëve. Nëse vërtet kështu, atëherë do të ishte hera e parë në historinë e Republikës së Kosovës (RK) që ajo dëbonte një shtetas të huaj me këtë arsyetim.
Kjo praktikë do të kërkonte që i akuzuari si i dyshuar t’i dorëzohej vendit të prejardhjes. Ligjet ndërkombëtare e pranojnë këtë veprim vetëm kur i akuzuari është kapur në flagrancë duke kryer veprimtari. Përndryshe kjo do t’i krijonte, veç të tjerash, ndërlikime ndërkombëtare vendit dëbues.
Policia e Kosovës u arsyetua se Boiken Abazi kishte shkelur Ligjin e RK për të Huajt, çka përbën kundërvajtje. Në këtë rast, kundërvajtësit do t’i jepej mundësia ta kundërshtonte vendimin për dëbim, duke e paraqitur kundërshtimin e tij në sistemin e drejtësisë të RK. Vetëm pas një vendimi përfundimtar, ndaj tij do të merrej masa e largimit dhe do të përcaktohej afati i ndalimit të rikthimit të tij në RK.
Shpjegimin për dëbimin e Boiken Abazit, në të vërtetë, e jep analisti kosovar Halil Matoshi. Një ndër këshilltarët më të afërt të Thaçit, ai vleresonte të ligjshëm deportimin e aktivistit të Vetëvendosjes, Boiken Abazi, duke akuzuar se ai nuk e njohu kurrë shtetin e Kosovës. Sipas tij, secili shtet e ka të drejtën e mbrojtjes nga njerëzit që nuk i janë besnikë.
Matoshi shkruan në Facebook:
“Deportimi i Boiken Abazit asht i ligjshem dhe krejtesisht i justifikueshem per shkak se ai nuk njohu kurre shtetin e ri, as Kushtetuten dhe as ligjet e tij, as rendin simbolik te tij, por foli e punoi per shperberjen e entitetit juridik-politik te quejtun Republika e Kosoves. Pra secili shtet pra edhe Republika e Kosoves, kurdo dhe ne cdo rrethane e ka te drejten me e mbrojte veten nga njerezit qe nuk i jane besnik si atdheut te vetem te tyne. Abazi e ka nji atdhe rezerve – qe na nuk e kemi!?.”
Si provë materiale, Matoshi sjell këtë thënie të Boiken Abazit:
“Flamuri i Kosoves, si cdo flamur shteteror, nuk eshte thjesht nje dizajn apo nje cope lecke. Ai eshte shume me shume se kaq. Eshte simboli i triumfit te imponimit nderkombetar kunder vullnetit te shumices ne Kosove, simbol i politikaneve te kamur dhe te kalbur te Kosoves, simbol i nenshtrimit te tyre, simbol dhunues per lirine, simbol shenjues i rruges qe po e con Kosoven tatepjete. Me ndryshimin e kesaj rruge, me heqjen e matrapazeve nga pushteti, do t’i hiqet Kosoves shpejt edhe ky shenjues nenshtrimi …”
Në këtë tekst nuk ekziston askund mosnjohja e shtetit të Kosovës. Ai si shumëkush ka vërejtje për flamurin e Kosovës. Shumëkush ka vërejtje edhe për himnin, ende pa tekst, të Kosovës. Në një prononcim të ditëve të fundit, vetë Albin Kurti, pohon se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje e njohin flamurin e RK. Asnjë fjalë e Matoshit kundër Abazit nuk qëndron.
Por, të gjithë ata që e njohin shtetin e Kosovës, e njohin atë në të 10 877 kilometrat e saj katrorë. Vetëm Thaçi dhe Mustafa e njohin Kosovën pa mijëra hektarët që marrëveshja e tyre ia jep Malit të Zi. Të gjithë ata që e njohin Kosovën, e njohin atë si një shtet unitar, jo si një shtet më se federal, siç e njohin Thaçi dhe Mustafa në marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës. Gjykata Kushtetuese i ka kapur në flagrancë Thaçin dhe Mustafën.
Matoshi nuk është i sinqertë në komentin e tij në fb “VV-ja spiunon e kërcënon opinionistat!”, ku shkruan “Me dije per Albin Kurtin dhe Visar Ymerin: Ndaloni spunet tuaj ne FB, qe hallakatin shkrime e profile dhe qe kercenojne qytetaret; Tregojuni aktivistave tuej qe aq dendun po e perdorin cilesoron ‘fashist’ dhe ‘fasizem’ qe ata vet po perdorin metoda dhe gjuhe fashiste; Kjo asht thirrje per “goditje” dhe linc publik, zoterinj! Tregojuni atyne fanatikeve te verbuem nga ideologjia se Halil Matoshi nuk punon ne organet e zbatimit te ligjit, per me e ba bashkefajtor me policine kosovare per deportimin e Boiken Abazit!
Vetë Abazi në “Facebook”, shkruan se shqiptarët e Kosovës po jetojnë nën regjimin autoritar Mustafa-Thaçi, i cili, thotë ai, po tenton të shtypë çdokënd që e kundërshton rikthimin e Serbisë në Kosovë. Ai sqaron se në VV ka edhe shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.
Boiken Abazi u dëbua nga RK në bazë të Ligjit të saj për të Huajt. Policia e Kosovës njoftoi se ai është i teti shtetas i Republikës së Shqipërisë (RSH) që dëbohet në bazë të këtij ligji. Ky precedent dëshmon realitetin se shqiptarët e RSH janë të huaj në RK, shqiptarët e RSH nuk janë të privilegjuar në RK, fundja nuk janë aq të dëshiruar në RK, madje janë të diskriminuar e më se të diskriminuar në RK.
Kjo risjell atmosferën e viteve ’70 dhe 80, kur sistematikisht shqiptarët nga Shqipëria me banim në Kosovë konsideroheshin si një nga faktorët kryesorë për indoktrimin nacionalist, separatist dhe irrendentist të masës dhe veçanërisht të rinisë në Kosovë. Në Shqipëri, nga ana tjetër, shqiptarët nga Kosova paragjykoheshin si të dërguar të shërbimeve inteligjente jugosllave.
Me precedente si ai i Abazit, regjimi Mustafa-Thaçi mund të jetë i interesuar të provokojë ndërsjelltësi në RSH. Dhe kështu RSH do të binte ndesh me detyrimet e saj kushtetuese, të cilat nuk përputhen me interesat e Thaçit dhe të Mustafës, por përputhen me interesat e të gjithë shqiptarëve, faktor të cilin nuk e përfillin Thaçi dhe Mustafa.
Në një intervistë sot tek Shekulli, Abazi, i pyetur se çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar në përgjigje të dëbimit të tij, thotë:
“Shteti shqiptar ka për detyrë që të interesohet për çdo qytetar të vetin, kudo në botë. Në botën demokratike është e papranueshme që një qytetar i një vendi të depërtohet nga një vend tjetër, vetëm për shkak të bindjeve dhe angazhimeve të veta politike që janë në përputhje me parimet e shprehura edhe në Kartën e OKB-së. Besoj se Shqipëria do të kishte reaguar nëse kjo do të ndodhte në ndonjë vend tjetër. Por afërsia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të jetë arsye për të mbyllur sytë ndaj abuzimeve, ndaj autoritarizmit, apo ndaj deportimeve arbitrare, siç më ndodhi mua. Para disa vitesh, rasti i fundit i një qytetari të Shqipërisë të dëbuar për arsye politike, ka qenë ai i një gazetari të dëbuar nga Greqia. Ai rast ishte skandaloz, dhe u reagua deri në Parlamentin Evropian. Është normale të besoj se edhe për rastin tim, do të reagohet e do të kërkohet drejtësi. Mes Kosovës e Shqipërisë nuk duhet të kishte as kufij, e lëre më deportime.”
Kosova e Shqipëria drejt një marrëveshje për energjinë
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 2 mars 2016/
-Kryeministri Isa Mustafa ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, ditën kur është zgjedhur në postin e presidentit të Republikës së Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në qeveri. Kush do e zëvendësojë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Mars 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi sot vendimin për nismën e lidhjes së Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST sh.a. dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut- KOSST sh.a.
Në Kosovë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT është kompani publike merret me planifikimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike.
Në Shqipëri, Sistemi i transmetimit të energjisë elektrike drejtohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit – OST, që është një shoqëri publike me 100% të aksioneve shteterore.
Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.
Në Forumin e Nivelit të Lartë me temë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, dje në Prishtinë, me pjesëmarrës edhe nga Tirana, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe mbështetur nga USAID-i, u vlerësua se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.
“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundime të Forumit.
PRITEN EMËRIME NË DY POSTE NË VEND TË THAÇIT NË QEVERI
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, sot, në anën e djathtë të kryeministrit Isa Mustafa, në vendin ku ulej zëvendëskryeminsitri i parë e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ishte i ulur zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç, nga komuniteti serb.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri i parë i deritanishëm dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, ditën kur është zgjedhur në postin e presidentit të Republikës së Kosovës ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në qeveri.
“Unë dëshiroj që në emër timin dhe tuajin ta falënderoj për bashkëpunim, për punë, dhe për kontributin që i ka dhënë punës së qeverisë së Republikës së Kosovës edhe gjatë këtij mandati, edhe mandateve tjera. Në emër timin dhe tuajin i urojmë suksese në pozitën e re më të rëndësishme të vendit, presidentit të Republikës së Kosovës”, tha në mbledhje kryeministri Mustafa.
Në qeverinë e Kosovës priten emërime në dy postet ku ishte Thaçi dhe sipas medias në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme pritet të jetë Enver Hoxhaj, i cili edhe më parë, në mandatin e kaluar, ishte minister i Jashtëm. Nga PDK, partia që deri në zgjedhjen President Republike e drejtoi Thaçi, pritet të jetë edhe zëvendëskryeministri i parë në qeverinë e Kosovës.
QEVERIA E KOSOVËS MIRATON BUXHETET PËR VITIN 2016 EDHE EDHE PËR TRE KOMUNA VERIORE
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar buxhetet komunale për vitin 2016, për komunën e Gllogocit, si dhe për tre komuna veriore me shumicë serbe – Mitrovicën veriore, Zubin Potokun dhe Leposaviçin, pas ri-aprovimit të këtyre buxheteve nga ana e kuvendeve komunale të këtyre komunave në përputhje me Qarkoret Buxhetore.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për Manifestimin gjithëpopullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar është informuar edhe për kërkesën e Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë për marrjen e linjës së re kreditore nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kryeministri Isa Mustafa foli për ndryshimin dhe plotësimi e Ligjit për Prokurim Publik dhe hyrjen në fuqi pasi që është nënshkruar nga presidentja e vendit dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 76-të, të 9-tën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
SOT NE PRISHTINE- SHQIPJA PER DIASPOREN
-Zbatim marrëveshjes Shqipëri-Kosovë për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë/
-Rol dhe kontribut i madh i mërgatës shqiptare në historinë e popullit shqiptar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Nëntor 2015/ Ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, sot në Prishtinë mori pjesë në nisje të takimeve të grupeve të punës për jetësimin e marrëveshjes Kosovë –Shqipëri për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
“Ne jemi këtu jo vetëm për të thënë që e mbështesim politikisht, por sepse është detyra e çdo qeverie të kontribuojë për identitetin kombëtar, gjuhën e kulturën shiptare”, u shpreh ajo.
Ministrja Nikolla tha se, edhe pse sot është takimi i parë kur grupet e punës fillojnë t’i bashkërendojnë aktivitetet, gjatë këtij tetëmujori, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët mes dy qeverive shqiptare, Ministria shqiptare e Arsimit dhe e Sportit ka ecur në këtë drejtim, duke iu qasur secilës prej dymbëdhjetë neneve të marrëveshjes.
“Në Shqipëri e kemi filluar punën me reformën e teksteve shkollore, duke mundësuar një dokument të përbashkët të vlerësimit të këtyre teksteve”, tha ministrja shqiptare, Nikolla.
Ajo theksoi se duhet të jemi përkrah mësuesve shqiptarë në diasporë, duke i ndihmuar që të performojnë më mirë, të jenë në lartësinë e detyrës, në lartësinë e kërkesave që ka edhe kjo marrëveshje e përbashkët e tre ministrive.
Në nisje të punës së grupeve të ekspertëve ishin të pranishëm edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, dhe ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, mikpritës i takimit.
“Plotësisht e mbështesim intensifikimin e punës së grupeve teknike, meqë marrëveshja që kemi firmosur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ka qenë një marrëveshje e nevojshme, sepse jemi zotuar se si dy shtete, si dy qeveri të punojmë bashkë në ndërtimin e standardeve të mësimit unik për diasporën”, tha ministri Bajrami.
Ai vijoi se diapsorës duhet t’u ofrojmë një mësimdhënie cilësore në kushtet që ata mund ta marrin në kushtet e akomodimit brenda sistemeve juridike të qeverive të ndryshme.
“Dëshiroj që në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë të kërkoj një dinamizim të punës, të shohim një plan konkret të punës, në mënyrë që të fillojmë t’i sendërtojmë përcaktimet e marrëveshjes ndërshtetërore”, u shpreh ministri Bajrami.
Takimin e hapi ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili, pasi i përshëndeti të pranishmit, foli për rëndësinë që ka marrëveshja e përbashkët për organizimin e mësimit shqip në diasporë, për rolin dhe kontributin e madh të mërgatës shqiptare në historinë e popullit shqiptar, për organizimin vullnetar të mësimit shqip në diasporë, por edhe për ndihmën dhe financimin e arsimit shqip në vitet më të rënda të Kosovës.
“Ka ardhur koha që edhe institucionet tona të bëjnë diçka për diasporën tonë, dhe kjo më së miri mund të bëhet përmes organizimit të përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe”, tha ai.
Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët tanë në diasporë, vijoi ministri Murati, është një aset i jashtëzakonshëm, sepse mban lidhjet me vendin, me trevat shqiptare, por, njëkohësisht, kjo lidhje mund të jetë me përfitim të dyanshëm: mbajtja gjallë e mësimit shqip bëhet që këta njerëz ta kenë vendin më afër dhe të jenë çdoherë urë komunikuese midis vendit ku jetojnë dhe vendit tonë, qoftë në fushën e arsimit, qoftë në fushën e shkencës, në atë të kulturës apo në fushën e investimeve.
“Jemi mbledhur këtu që ta japim përkrahjen politike në punën e këtyre grupeve që do të punojnë për jetësimin e marrëveshjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri. Marrëveshja parasheh shumë çështje që duhet të trajtohen, që nga kurrikulat, tekstet mësimore, rekrutimi i arsimtarëve, një çështje shumë e ndjeshme, cilësia e mësimit e deri te çështjet që kanë të bëjnë me financimin e programeve, unifikimi i metodologjisë së punës, që përmes futjes së metodologjive të reja në mësimin e gjuhës shqipe ta bëjmë atë më atraktiv, të gjejmë mënyra që t’u qasemi më lehtë nxënësve shqiptarë kudo në diasporë”, tha ministri Murati.
Po ashtu, vijoi ai, në këtë proces pune duhet të involvohet edhe diaspora, që edhe ajo të jetë pjesë e këtyre grupeve punuese.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se ndihet shumë i nderuar që merr pjesë në këtë takim të parë të grupeve punuese që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve për t’u bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët.
“Të ndërgjegjësohet i gjithë faktori shqiptar, intelektual për të pasur një gjuhë të përbashkët, një standardizim të gjuhës shqipe në diasporë”, theksoi ambasadori shqiptar Minxhozi.
Takimi me grupet e punës do t’i vazhdojë punimet edhe nesër, kur do të dilet edhe me konkluzione dhe rekomandime.
Në mbledhjen e dy qeverive, “Një tokë – Një Popull – Një ëndërr”, në Tiranë, në 23 mars 2015, që pasonte të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, në Tiranë, në tetor 2015, diskutuan për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe u dakorduan për dinamikën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Njoftimi i ministrisë kosovare theksonte se, krerët shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhanë mbështetje të pa rezervë për punën e Ministrisë së Diasporës duke konstatuar se diaspora shqiptare është një dhe e vetme dhe si e tillë do të trajtohet.
Kosovë-Shqipëri, vazhdon ndërtimi i “autostradës” energjetike”
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Gusht 2015/ Në Kosovë vazhdon ndërtimi i “autostradës” energjetike drejt Shqipërisë. Në rajonin e Gjakovës, javën e ardhshme, me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë do ketë shkyqje në linën LP 10 kV Cërmjan dhe Sopot.
“Çkyqjet janë të domosdoshme për të mundësuar punimet në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri”, thekson njoftimi dërguar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a.
Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, ka thënë kryeministri kosovar Isa Mustafa në konferencën e fundit për shtyp këtë muaj, i pyetur nga ATSH, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.
“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar.
Kreu i qeverisë së Kosovës, gjatë konferencës për shtyp ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.
“Jemi shumë afër me Shqipërinë që të zhvillojmë një lloj tregu të përbashkët, për arsye të kapaciteteve të transmisionit, të cilat po i ndërtojmë, sidomos të linjës interkonektive 400 kV, ku punimet gati përfundojnë këtë vit, ndërsa presim që në vitin 2016 të përfundojnë tërësisht dhe të aktivizohet kjo linjë dhe të krijohen kushte të veçanta që Kosova e Shqipëria të kenë këmbim të energjisë elektrike në sezone të ndryshme kur mund të ketë mungesë ose mund të ketë tepricë të energjisë elektrike”, ka thënë kryeministri Mustafa.
“Dhe, krahas kësaj, ne do të shikojmë të bashkëpunojmë me Shqipërinë edhe në aspektin e gjenerimit të energjisë elektrike, dhe do të zhvillojmë biseda në të ardhmen edhe për këtë”, ka shtuar ai.
“Po punojmë poashtu edhe në planin e zhvillimit të energjisë së ripërtritëshme në Kosovë, orientimet tona janë që diku deri në vitin 2020 të arrijmë 25 për qind të energjisë nga burimet e ripërtritëshme dhe të përplotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian. Këtu llogarisim edhe në hidrocentralin e Zhurit, e poashtu do të shohim edhe mundësinë e kombinimit me Shqipërinë”, ka thënë kreu i qeverisë kosovare, Mustafa.
Në 21 dhjetor te vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes së Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kVKosovë-Shqipëri.
“Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike. Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë”, u theksua me atë rast.
Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar NS 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhet për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri, “autostradës” energjetike.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, vlerësoi se përfundimi i kësaj linje krijon damarin e nevojshëm dhe shtyllën kurrizore ku ky sistem do të ngrihet, i cili do harmonizohet me politika të përbashkëta, strategji të përbashkëta dhe investime të përbashkëta, pasi dyja vendet kanë sfida të përbashkëta sa i përket energjisë.
“Shqipëria dhe Kosova kanë nevoja të mëdha, prandaj është i nevojshëm koordinimi dhe harmonizimi i tyre dhe kjo ardhje këtu nuk është vetëm simbolike, por është konkrete, është për t’u treguar njerëzve se gjërat po avancojnë përpara”, tha Gjiknuri.
Ministri Stavileci theksoi se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri rrit pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundojë pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë. “Kjo është ‘autostrada’ energjetike në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke ditur rëndësinë që ka dhe benefitet e shumta që përfitojnë dy shtetet. Por, ne do të shkojmë edhe përtej kësaj, pra edhe me një linjë të re 110kV Dragash-Kukës. Dhe po ashtu jemi dakorduar që në konceptet tona zhvillimore të fusim ide që lidhen me ndërtimin e kapaciteteve të reja që e plotësojnë tregun energjetik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Stavileci.
Vizita në NS 400/220kV Kosova B u realizua pas themelimit të Komitetit Drejtues dhe takimit të grupeve punuese për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë mes dy vendeve, që është mbajtur po atë ditë në Prishtinë në mjediset e Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik.
Pjesë e mbledhjes së përbashkët, të parës historike, të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në 11 janar 2014, në qytetin e Prizrenit, pas së cilës u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, ishte edhe Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë.