Nga Zaim Kuçi/
Nënë, motër, grua, bashkëshorte, vajzë, shoqe, të gjitha keni një emër gjinor: Femër – pak rëndësi ka statusi i juaj, po ju kujtoj një thënie që e meritoni vetëm ju, si një kërkesë e shoqërisë shqiptare e cila ka nevojë për të ndryshuar atë, që ne ndjehemi keq dhe ju e keni vajtuar në vite: « Zoti nuk mund të ishte kudo dhe për këtë ka krijuar nënën».
Brodha historinë e popullit tim në vite dhe them, më shumë se kudo në këtë rruzull tokësor, ju femrat shqiptare për nga gjerësia e vuajtjeve tuaja jeni hyjnesha, ju jeni paksa ndryshe nga femrat e tjera të botës, ky është këndvështrimi im për këtë emër të shtrenjtë.
Unë i kthehem historisë së shkuar dhe sot duke sjellë si fakt se, të dyja mpleksen dhe kanë shumë të përbashkëta që do desha t’i vektorizoja në një të vetme: dhimbje.
Vite më parë ishin ato nëna dhe gjyshe, të ulura si në këtë foto varfërie, që nisnin në kurbet me lot në sy ndoshta për herë të fundit të dashurit e tyre. Ato i përcillnin dhe nuk e dinin se ku shkonin, veçse meditonin dhe ëndërronin natë e ditë, të mirën dhe të keqen – duke thënë: ata shkuan larg, shumë larg, – ardhshi shëndoshë. Të ulur në këtë prag varfërie, ato shkruan me lotët e tyre kaq shumë histori dhe kaq shumë poezi të dhimbshme.
Dukej se ky prag ishte kthyer në një skenë drame, ku muajt e vitet rropasnin dhëmbshërisht zemrat e tyre nga pritjet e gjata që përfundonin, herë me gëzime dhe herë me hidhërime.
Sa shumë vargje u thurën nga zemrat e lënduara të pritjeve të gjata dhe sa shumë këngë u kënduan për kurbetin e flamosur. Ato janë dëshmitare të së kaluarës së keqe, janë kujtesa për t’u mos harruar më, janë kujtesa që e ardhmja të mos i ngjajë më së shkuarës. Por nuk ndodhi ashtu. Ne i harruam sepse nuk ndryshuam, ato u rrokullisën për të na sjellë të tjera vargje, të tjera ngarkesa dhe të tjera lodhje- mbetëm në mërgim- mbetëm në halle.
Vuajtjet e këtij populli nuk kanë kufi, nuk kanë kohë dhe epokë: ato kanë vijimësi të mirërregulluar nga vet ne, prandaj duken se janë të përjetshme. Edhe nënat në këngët e tyre vetëm i ndërruan emrin nga kurbet në emigracion, ndërsa dhimbjet u shtuan, mbetën po ato lotë akoma të njomë, që nuk u shteruan për ndarjet nga të dashurit e tyre si në atë kohë qameti, ato rrjedhin nga një mal hallesh të tjera të shoqërisë shqiptare.
Këngët dhe vargjet u shtuan aq sa poetët dhe muzikantët duket se gjetën treg pune në ekonomine e tregut shqiptar; ato morën lehtësisht rrugët e vendit tim që ecën nuk e di se ku, si një zog i plagosur, herë bie këtu e herë bie atje.
Vitet u rrokullisën por kohrat nuk ndryshuan, rituali çudi është për të gjithë i njëjtë: « bir po rri tek dera sa të mos shoh më nga sytë ».
Me dhimbje i përcollën dikur nga ky prag, duke i ndjekur me sy deri te fundi i rrugës që e ndante ai gardh i oborrit të shtëpisë. Kohrat ndryshuan vetëm në mënyrën moderne të përcjelljes, sot ato i ndjekin deri tek ai mjet modern, qoftë ai : veture, anije legale a ilegale, tek ngritja e zhurmës së avionit, deri sa të zhduken në horizont me një pikëllim pëshpëritës “bir i nënës, rruga t’u bëftë dritë, ik, ndoshta nuk më gjen më”. Prapë, udhëtarët e rrugëve të largëta kthenin kokën dhe me siguri nuk mendonin atë që të dashurit e tyre thoshnin me zemër të ngrirë.
Ata ktheheshin të harruar pas shumë e shumë vitesh. Ktheheshin me kujtimin e asaj dite përcjellje, por çfarë gjenin? ….vetëm dhimbje duke kërkuar vendin ku prehej një qeskë kockash me një emër të gdhëndur në gurin e përjetësisë dhe një mal kujtimesh që mbeteshin si brengë jete.
Edhe sot në kohën e qytetërimit, është po ai ritual përcjellje dhe ajo pritje; asgjë në këtë botë nuk ka qenë më e vuajtur, më e dhimbshme se sa zemra e një gruaje shqiptare shekuj më parë; sot, ndoshta jo për mot.
Sa dhimbje mban përjetësisht kjo foto e kësaj anije të turpshme, ngarkuar me njerëz si mizat e dheut. Sa jetë shqiptarësht ka përpirë ai det i mallkuar, sa herë komshinjtë kanë mbytur gomonet-varkë të mbushura me femijë, gra dhe burra….nuk dihen se ku, duke lënë gjithmonë tek të dashurit shpresën se një ditë do të kthehen; duke fantazuar me kohën që kalon lloj lloj portretesh e lloj lloj alibish…i lamë pa varr. Por, sa herë ne, shtetformuesit kemi analizuar këtë fenomen si një ligësi përbindëshe të vendit? Asnjëherë!
Mbetën zemra të ndrydhura, si dikur vite e vite më pare, duke pritur me orë, dite, muaj, vite të tëra tek pragu i derës së tyre. Erdhëm së fundmi në një “risi” të përbashkët, atë që çdo derë shqiptare zor se i ka shpëtuar të keqes për të mbijetuar, botës të së keqes dhe botës së largët të emigracionit.
Është shkruar nga shkrimtarë dhe nga zemra nënash se pritja është e dhimbshme, edhe kur pret një mal të mirash nga ai vend i huaj si mërgimtar, ajo prapë për një zemër nëne është dhimbje. Por dhimbjet e kësaj gjinie nuk ndalen këtu, ato kanë marrë dhe forma të tjera, në shumë raste të pabesueshme.
Edhe pse jemi futur në një shekull modern, tek ne, prapë lotët e qënies njerëzore – femër nuk gjejnë ndalesë, më keq se kaq lotëve u është shtuar një fenomen tjetër aq sa i turpshëm për t’u sjellë si ndodhi; u kemi ngarkuar sjelljen kafshërore të gjinisë tjetër, e cila sa vjen e rritet, herë me fjalë dhe herë me forcë, herë me thikë e herë me pushkë.
Të mirët e këtij vendi do të shtonin pa hezitim të tjera akuza për ata që ndërtuan dhe prodhuan pandershmërinë, për ata që mbollën drogë e trafiqe të qënies njerëzore, që pluhurosën hartën e vendit, që bënë largimin e shumë e shumë bijave dhe bijve shqiptarë të ditëve të sotme për një jetë ndryshe, për të mbijetuar, nuk e di se ku, edhe në botën e punës skllave.
Jetojmë në një shoqëri dekadente, interesi dhe të pashpresë të udhëhequr nga ju politikanë, fatkeqësisht pjellë e këtyre nënave që ju i dhuruat këtë shoqëri të pashpresë. Përballë kësaj katastrofe të sajuar, sot edhe ne burrat jemi kthyer me zemër nënë, për ç’ka ndodh dhe për ata që vijnë dhe ikin nga diku larg.
Le të themi se ka një fillese shprese, ka një dritë e cila për të mos u shuar kërkon gjithpërfshirje, dhe forca e juaj do të jetë sulmi vendimtar për të fshirë pluhurin e zi të hedhur nga ne, të keqqeverisurit. Me forcën e një nëne ndryshimin kërkojeni tek familja e juaj, tek ata që na drejtojnë, qofshi në pushtet e pa pushtet, janë bijtë tuaj ata që prodhojnë atë që ju kurrë nuk e dëshironi.
Ju keni zemrën me medaljen altruizëm, armë që dominon burrat. Përtej detyrës, altruizëm dhe forcë tregoi dhe pilotja amerikane Nicole Malachowski e cila e hipur në avionin supersonik filloi gjunjëzimin e diktatorit serb dhe u bë heroina e luftës në krah të vëllezërve kosovarë.
Ju e dini mirë se Shteti fillon në familje dhe se ndryshimin e kërkuar e keni ju në dorë, ju që sillni jetë, dritë, bukuri, lumturi; ju që bëni gjithçka në këtë botë mizore; pa “lazarat” e pa prostitucion, me drejtësi dhe pa korrupsion, atë të kthimit në atdhe të atyre që na mungojnë përherë.
Shtetet ndërrojnë sisteme, ndërrojnë regjime, ndërrojnë qëndrime dhe pasurojnë shpirtra, ndërsa ne thurim, a na thurin fjalime me premtime të zellshme ata të kostumeve të bukura, ata që kanë privilegjin të na drejtojnë duke na zbrazur qënien dhe ftohur zemrat. Në demokracinë e shumëpritur, vrullshëm afruam përsëri largimin masiv të bijve tanë që nuk dihen se ku. Shumë shpejt krijuam misionin « njerëz të humbur » me plot histori që trembin dhe fëmijët në barkun e nënës.
Ne ndërruan emrin e kurbetit duke e modernizuar atë, e quajtën Emigracion legal dhe ilegal; pak e rëndësishme është statusi, e rëndësishme është që i larguam bijtë dhe bijat dhe prapë e dëshirueshmja mbetet, të largohemi sa më shumë nga ky vend, këtë e kërkon çdo shqiptar, i ndershëm dhe i pandershëm, këtë e kërkoj edhe unë që kam një dozë të fortë atdhetari. Këtë e kërkon varfëria.
Pranojmë se duam akoma dhe 10 vite që t’i afrohemi europës dhe 70 vite të tjera që të jemi si ata, po kush Ne, autoktonët e europës, ne që kemi hapësirën detare, ajrore e tokësore më të mirë se shtetet elite të europës.
Po përse? Përgjigjia ime do ti shkonte duke marrë pozicionin e kritikut (për t’ua hedhur të huajve) atyre që shkruan në kohë të ndryshme keq për vendin tim: strategut Albert Bushnell Hart në shkrimin “E ardhmja e Shqipërisë së pavarur”; Julian Amery, në librin e tij “Bijte e Shqipes” shkrimit te “The New York Times” në më shumë se 100 vite më parë (v.1911) ku etiketohemi me definicione të cuditshme që nuk do të dëshiroja t’i shkruaja në këtë artikull.
Për gjatë viteve nuk i vlerësuam këto definicione dashamirëse apo keqëdashëse, por, ne gjithmonë nga podiumet e injorancës brohorasim, le t’i quajmë, horrat në fushë betejën e tyre të vjedhjeve dhe shkatërrimeve; ata lozin me ne dhe ne heshtim…ky është rituali në vite i shqiptarëve. Udhëheqës të mirë dhe ju barbarë të vendit tim, a do ta shëroni nga këto epitete “disi të vërteta” vendin tonë? … edhe pse akuza për shkallën e pamjaftueshmërisë të qytetërimit të popullit tonë nuk mund të thuhet më?
Një vend i bukur dhe një popull i mrekullueshëm por pa nerv, me drejtues … dashakeqës të programuar në kohë e në vite, ata fillojnë nga Komandant Skuadre (mundësisht) e deri President Republike.
Shumë piktorë e shkrimtarë janë përpjekur të formonin portretin tend, moj nënë, por mijra e mijra portrete e vargje nuk mundën ta personalizonin atë. Nëna është quajtur diell, se pa lindjen e tij nuk ka jetë mbi tokë dhe pa lindjen e saj nuk nis jeta…! -Lule -, po cila lule nuk mban dhe ka emrin tend? Të gjithë, tek kjo lule çelim petalet, nis dhe zbukurohet jeta… por edhe ky emër i bukur nuk e plotësoka atë gjenialitet që të afron emri nënë, dhe kështu nuk gjetëm akoma definicionin tend moj nënë. Sa shumë e shumë vlerësime dhe histori vërtiten rreth jush, prandaj ju e keni levën e Arkimedit për të ndryshuar ritualin shqiptar- të atyre që na drejtojnë qofshin ne familjen tuaj apo rreth saj.
Atëherë, ne të gjinisë tjetër kemi çfarë të ndryshojmë (unë)…, dua dhe uroj një tjetër sjellje, ku në duar ne meshkujt të gjithë të mbajmë tufa me lule dhe të përulemi në gjunjë para kësaj mrekullie që na ka falur zoti apo natyra, me kusht që nëse ju mundeni të ndryshoni ata që na drejtojnë, të çfarëdolloj statusi qofshin.
Sfidat e jetës janë ndër më të vështirat dhe më të papriturat dhe përballë tyre shpesh herë ndjehemi të lodhur dhe të pashpresë sa një forcë kapitulluese dominon dhe të bën të tërhiqesh. Në fakt edhe tërheqja është e vështirë përballë gjendjes së padëshirueshme, të së shkuarës dhe të sotmes, e cila të bëhet pjesë emocionale e pandashme dhe të hyn lirshëm në ditën tënde, kjo është arsye edhe pse ndoshta ne nuk jemi të aftë aq sa duhet për ta rregulluar atë, ndërgjegjësisht nuk heqim dorë prej saj…
Qershor 2014