• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria në kohën e drogës, drogmenëve dhe demagogëve!

August 31, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/Florida/ SHBA/

1) Vitin e kaluar si kjo kohë ndodhesha në Shqipëri. Dhe në një tavolinë mes miqve, diku në Tiranë. Shtrova një pyetje naïve. Vërtet, kaq shumë drogë po mbillet maleve tona?

Nuk kaloi shumë dhe një nga bashkëbiseduesit se me kë foli, a teksti diku. Dhe vërshuan sms-të. Pashë ca foto që më kujtuan fermat e kartelit të drogës në Kolumbi. Njerëz që koha jonë a demokracia jonë i kishte çuar drejt një lloj skllavërimi me ndërgjegje. Gjysmë lakuriq, me ca peshqira kokës, qeshje. Me ca kova të vogla nën ca tenda degësh të thara.

Parcela mes dushqeve a rrëpirave, ku këmba e shqiptarit civil a ushtar mund të kishte gati tridhjetë vjetë pa shkelur. Karvane të rinjsh që kishin marrë malet, jo për në Greqi. Greqia as që bëhet më fjalë. Por, ku e ku më thellë Shqipërisë, pasi tregu i kanabisit ishte më fitim prurës se ai i emigrimit jashtë shtetit. E kam përmendur shkarazi këtë fakt. Në një nga opinionet e vjetshëm. Duke e aluduar se droga mund ta çoj një vend deri në ndarje territoriale, për shkak të fuqizimit të karteleve, paralizimit të ekonomisë ose të të ardhurave të pakta, informalitetit dhe syrit mëshirues nga vendet perëndimore. Pse jo në një lloj lufte dhëmbësh e gjoja bindjesh. Siç është sot Kolumbia, një vend i madh ku kartelet nën emrin e armatave marksiste mbajnë territore të tëra, krahina, ku nuk shkel dot kurrë këmba e shtetit. Në këto territore nuk bëhet asgjë tjetër, veç prodhimit të kokainës. Dhe shance për dasime të tilla, sigurisht i kanë vendet ku klima politike është tepër e nxehtë. Ku me një sigurisht më të forte akoma, Shqipëria jonë nuk bën përjashtim.

2) Kërkush nuk ka heshtur tjetër gjatë viteve 2015, 2016 -të, për punën e kanabisit se qeveria dhe mediat e saja. Kërkush? Madje edhe kur aleatët si LSI-ja, për ndonjë qejfembetje a përplasje për post, pohonin se droga ekzistonte. Prapë qeveria ngërdheshej. Ndofta ishte një luftë e heshtur për zonat e kultivimit midis tyre. Kutadish? Vetë km-ja shikonte vëngër dhe nga lartësia e gjatësisë së tij, i aludonte atij apo asaj, sipër kokës dhe me nënqeshje se kishte marrë informata të gabuara nga Shqupi. Ata kaçatorrë ishin mushkonja, me një lloj tallje bythe me mentalitetin e kohës së babë Dullës, i cili para mikrofonave e quante Myzeqenë hambar. Kurse darkave, sallonëve të dhunës, vendin e malarjes dhe malarikëve. Ndaj gjahun e tij e çonte atyre anëve në internim. Kërkush nuk ka heshtur pra, se kjo qeveri. Kërkush tjetër? Megjithatë shqiptarët e votuan. Ndofta të bindur se droga nuk ekzistonte. Se me paratë e saj nuk u shit apo u ble ndonjë vote. Ose më e fundit, ishin edhe vetë pjesëmarrës aktiv në këtë fushatë të kanabizimit të Shqipërisë, gjatë viteve 2015, 2016-të. Dhe kjo nuk përjashtohet. Ndaj e solla shembullin e fotove. Në fund të fundit, (se e kam përsëritur shpesh) strategjitë apo platformat, nuk mund të bëhen vetëm. Duan njerëz, popull etj. Enveri përshembull nuk vrau vetëm, po me nje njerëz, me popull, në emër të popullit. Dhe ky padyshim që është një faj kolektiv. Dhe mjerë ato familje, ku ndonjë nga bijtë apo bijat, është nën efektin e drogës, ku me siguri dhuna është duke punuar me qejf. Aty nuk ka gjë tjetër, veç grindje, rrahje, sherre dhe si përfundim ndarje.

3) Sot i duhet thënë LSI-së, Monës, me që është dhe nënë e tre fëmijëve. Si edhe ideuse e programit për kultivimin shafranit etj. Po edhe si ish pjesëmarrëse në qeveri. Se është pikërisht ajo që ka shancin e madh të tregojë e para, fushatën e kanabisit. Se vitet 2015, 2016-të, do mbahen mend gjatë, për djegjen e Lazaratit me metodën e çobenëve, se vënia e zjarrit u shërben përtëritjeve të kullotave. Pra, pikërisht për këtë fushatizimin e bimëve narkotike. E ka shancin se duke qënë brenda një kabineti, mund të tregojë të vërtetën e madhe të një lloj qeverisje butaforike që tashmë është bërë rutinë për shqiptarët. Madje nga këtu mund të nisi vërtet një opozitarizëm tjetër. I cili do prishi përfundimisht këtë realitet të drogës, drogemenëve dhe demagogëve. Askush tjetër se një pjestar i shtëpisë nuk i di dertet e saj. Ndaj nëse e ka seriozisht opozitarizmin i duhet ta bëj publikisht. Këto dy vite kanë plot data e fakte dhe fotot e avionët kaçatorrë janë akoma memories së internetit. Këtë mund ta bëj edhe çdo shqiptar, kushdo që mendon se nuk ka qënë pjesëmarrës në fushatën e mbjelljes, korrjes, së kanabisit. Eshtë një problem social që sapo ka filluar, lëreni entuziazmin e Edi Ramës që, thotë se e kapi drogën. Eshtë si puna atij që pasi i vuri flakën shtëpisë, doli i bërtiste fqinjëve, ejani më ndihmoni.

Ndaj një nga aludimet më naïve, është hedhur si virus në internet. Dhe pa diskutim me yshtjen e webe pro Edi Ramës. Një lloj bah-ije habie, se, në Shqipëri nuk u mboll aq shumë drogë sa thuhej nëpër lajme. Se në Shqipëri nuk kish aq shumë kanabis, sa shtypi përreth të na cilësonte si një Kolumbi e vogël e ballkanit perëndimor etj. Se ato pamjet me avionat e vegjël ngecur dherishtave e ranishtave sa në Ishëm e Divjakë. Ato haluçinacione njerëzish nga fushat e zbrazëta të Myzeqesë ku u shkonin e uleshin papritur kaçatorrët e ajrit dhe nga ana tjetër afroheshin furtunë ca fuoristrada me thasë plasmasi të zinj, etj. Kaçatorrët e ajrit që kryeministri i cilësonte si mushkonja, Të gjitha paskan qënë zhurmë. Dhe ja fakti, konkret, që policia a shteti e bllokoi menjëherë drogën. Pra shumë shpejt. Sepse pak ishte etj.

Përkundrazi tani ka filluar. Dhe ato që policia ka kapur, nuk janë gjë tjetër veç ca koka turku të sojit armiku i klasës.

Një fakt kokëfort që Shqipëria është plotësisht në kohën e drogës, drogmenëve dhe demagogëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, në kohën e drogës, shqiperia

„Jo Antibes, por Drimadhë“ – Shqipëria

August 9, 2017 by dgreca

Pushime verore në mes të Evropës/

1 ksamil-hotels-saranda-albania-5

Greqia, Spanja e Italia ishin dje. Destinacioni në fakt aspak i ri i pushimeve verore sivjet është Shqipëria, më saktë Jugu i saj.

1 Saranda

NGA SONILA SAND/DW/

Albanien Tourismus (DW/S.Sand)

Ndonëse në Gjermani vera si stinë le përherë për të dëshiruar, në shumë pjesë të tjera të Evropës e sidomos në Jug të saj temperaturat e këtyre ditëve kalojnë në 40 gradë celcius. Por për fat të mirë shumë vende jugore shtrihen buzë detit dhe ofrojnë gjire të fshehur pas malesh dhe të rrethuar nga ujë i gjelbër i kristaltë, i cili ndonëse i qetë dhe i shndritshëm, mbahet si nën kontroll në të dyja anët nga shkëmbinj të vegjël e shterpë, por disi kryeneçë.

Të tilla pejsazhe gjenden në jug të Francës, në Sardenjë, në Korsikë dhe në jug të Shqiperisë. Madje në këtë të fundit rruga nga kryeqyteti drejt Jugut është shpesh qëllimi. Pamjet marramendëse që ofrohen pas kalimit të Qafës së Llogarasë janë pastaj shpërblimi, si një bonbon ekstra që udhëtari e shijon me shumë dëshirë e nge.

Albanien Tourismus (DW/S.Sand)

400 kilometër vijë bregdetare, vende të fshehura e qytete të mëdha, plazhe me festivale ndërkombetare elektronike si „Turtle Fest”, që sapo u mbajt në Drimadhë, fshatra turistike për familjarë pranë Dhërmiut, plazhe hip për rininë më të përkedhelur nga fati se shumica e shqiptarëve ndodhen në Jalë. Dhe të gjitha këto vende janë plot me njerëz këto ditë të nxehta gushti. Grupe të rinjsh shqiptarë, “backpackers” francezë e gjermanë, familje italiane e spanjolle me fëmijë të vegjël. E gjitha një përzierje e këndshme njerëzish që kalojnë pushimet buzë detit në mes të Evropës.

Albanien Tourismus (DW/S.Sand)

Restorantet shpesh rrëzë shkëmbinjve ofrojnë ushqime të mrekullueshme për çdo lloj shijeje. Shërbimi është i sjellshëm, shumëgjuhësh dhe plot vetëbesim. Shumica e stafit të personelit janë studentë, që marrin një rrogë shumë modeste gjatë pushimeve verore. Si Ilirjani, i cili punon si kamarier sezonal në Hotel Marina Palace, në Drimadhë. „Studjoj veterinari në Tiranë”, tregon 20 vjeçari. „Muajt e verës vendosa të punoj këtu”.  „Nuk është vendim që duhet menduar shumë.”, shton Evi, e cila punon në recepsionin e hotelit dhe studion gjermanistikë në kryeqytet. „Kur e di se sa shumë më nxehtë është në Tiranë, vij më mirë dhe punoj këtu”, buzëqesh ajo.  Sigurisht që të dy kanë të drejtë. Pamja spektakolare e detit pafundësisht të kaltër shpeshherë vezullues që ofron tarraca në të cilin ndodhet restoranti i hotelit dhe ku Ilirjani dhe kolegët e tij shërbejnë pushuesit, është shpesh një bonus i mirëpritur për të gjitha palët.

Albanien Tourismus (DW/S.Sand)

Edhe shtypi ndërkombetar e ka zbuluar prej disa vitesh tashmë bukurinë ende të virgjër të Jugut, i cili mbante deri para pak vitesh vetëm për shqiptarët detin e mrekullueshëm si thesar të fshehur pas malesh krenarë, që duket sikur mezi i tolerojnë rrugët e ngushta për makinat.  Dhe pikërisht për këtë thesar shkruajnë Lonely Planet, National Geografic e deri New York Times dhe inkurajonë lexuesit e tyre ta marrin rrugën për atje, me premtimin se çfarë do të gjejnë kur të arrijnë, do të jetë shperblimi më i majmë që mund të marrë çdo turist individual që deshiron t´u rrijë larg masave të pushuesve.

Albanien Tourismus (DW/S.Sand)

Dhe ky premtim nuk duket aspak i ekzagjeruar kur ndodhesh atje, në mes të Evropes, rrethuar mes pyjesh, malesh, detit që shkrihet në horizont me qiellin që mban ekzakt të njëjtën nuancë si ngjyra e detit që e përkëdhel, dhe njerëz të qetë, që pushojnë miqësisht pranë njeri-tjetrit.

Të tilla pejsazhe gjenden në Jug të Francës, në Sardenjë, në Korsikë dhe në Jug të Shqipërisë. Në këtë të fundit unë i gjeta të gjitha vendet e sapopërmendura në një, duke kaluar pushime siç duhet të jenë ato.

Filed Under: Featured Tagged With: „Jo Antibes, por Drimadhë“, shqiperia

Kosova dhe Shqipëria, arsimin prioritet kombëtar

August 2, 2017 by dgreca

1 arsimi shqip Kos

-Vlerësohet si mision i lartë patriotik puna e mësuesve me fëmijët shqiptarë në diasporë për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare/

PRISHTINË, 2 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim ministren e re të Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Mirela Karabina, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin në arsim të të dyja vendeve.Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se me ministren Karabini janë dakorduar që arsimi dhe edukimi duhet të jetë një fushë ku duhet të realizohet integrimi i sistemit arsimor, të ofrohet një arsim sa më unik dhe kombëtar, i bazuar në vlerat tradicionale kombëtare, por edhe në trendet bashkëkohore dhe evropiane.

“Shfrytëzojmë rastin që t’i bëjmë apel Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të vendosin edukimin dhe arsimin si prioritet kryesor kombëtar, sepse ne vlerësojmë që të ofrosh një arsim cilësor është gjëja më e rëndësishme për të rinjtë e të dyja vendeve, duke pasë parasysh që Shqipëria dhe Kosova kanë një popullsi të re dhe inteligjente”, tha ministri Bajrami.

Ndër të tjera, ministri Bajrami theksoi se sistemi arsimor ende nuk është në nivelin që e dëshirojmë, por tha se gjatë këtyre tri viteve është vënë një bazë e mirë e bashkëpunimit dhe është rrëzuar muri ndarës i sistemit të edukimit.Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Mirela Karabina tha se shpreson që vitet e ardhshme të kemi edhe më shumë të materializuar bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive.Ministrja Karabina theksoi faktin se dje bashkë me ministrin Bajrami kanë marrë pjesë në hapjen e Seminarit të 13-të mbarëkombëtar të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Ajo e vlerësoi si mision të lartë patriotik punën e mësuesve që punojnë me fëmijët shqiptarë në diasporë për të ruajtur kështu gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: arsimi prioritet, Behlul Jashari, kosova, shqiperia

RAPORT I DEPARTAMENTIT TË SHTETIT TË SHBA- TRAFIKIMI I PERSONAVE- SHQIPËRIA

June 28, 2017 by dgreca

Në vitin 2016, qeveria trajnoi 75 gjyqtarë dhe 20 oficierë policie për hetim dhe ndjekje penale të trafikantëve dhe për mbrojtjen e viktimave. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo denim të punonjësve qeveritarë si bashkëfajtorë në kundravajtje trafikimi. /

19430076_10154784038535838_5454546684212155071_n

Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raprotimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje duke ndjekur penalisht dhe dënuar më shumë trafikantë dhe duke përdorur për herë të parë “fondin e posaçëm” të saj për mbrojtjen e viktimave nga asetet e kapura prej trafikantëve. Qeveria rriti financimin për Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Anti-Trafikim (ZKKA) dhe rregullisht mblodhi aktorët e mekanizmit kombëtar të referimit dhe komitetit anti-trafikim. Megjithatë, qeveria nuk arriti të përmbushte standardet minimale në disa fusha kyçe. Policia vazhdoi të pasqyronte të kuptuar të kufizuar të trafikimit njerëzor dhe dështoi në disa raste të identifikonte viktimat e trafikimit mes individëve të përfshirë në prostitucion të detyruar apo si shërbëtorë shtëpie. Qeveria hetoi dy viktima dhe dënoi një viktimë për akte të jashtëligjshme kryer si rezultat i nënshtrimit ndaj trafikimit, edhe pse ligji përjashton viktimat nga ndëshkimi për krime të kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre.

REKOMANDIME PËR SHQIPËRINË

Të zbatohet ligji që përjashton viktimat nga dënimet për akte të jashtëligjshme të kryera si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e nënshtrimit ndaj trafikimit, sidomos viktima të trafikimit seksual që shfrytëzohen në prostitucion; të trajnohet policia, inspektorët e punës, si dhe zyrtarë të tjerë të vijës së parë për identifikimin proaktiv të viktimave; të vazhdohet me rigorozitet hetimi, ndjekja penale dhe dënimi i trafikantëve sipas neneve 110(a) dhe 128 (b); të ngrihen mekanizma të qëndrueshme financimi për njësitë e lëvizshme që administrohen nga ligjzbatuesit dhe grupe të shoqërisë civile për të identifikuar viktimat; të rritet mbrojtja për viktimat kundrejt kërcënimeve dhe kanosjeve gjatë seancave gjyqësore duke lehtësuar pjesëmarrjen në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe duke zgjeruar trajnimin për prokurorë që merren me dëshmitarët viktima; të rritet financimi për strehat e administruara nga OJQ për viktima të trafikimit dhe të ofrohet financim në mënyrë të rregullt; të përmirësohet kapaciteti i policisë së kufirit dhe migracionit për kontrollin e migrantëve të parregullt për tregues të trafikimit; si dhe të rriten përpjekjet për të kontrolluar fëmijët e rrugës për shenja të trafikimit. NDJEKJA PENALE Qeveria vazhdoi përpjekjet e ligjzbatimit për anti-trafikimin. Nenet 110(a) dhe 128(b) të kodit penal ndalojnë trafikimin për qëllime seksuale dhe të punës dhe parashikojnë ndëshkime prej tetë deri në 15 vite burg; këto janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi. Policia e shtetit hetoi 69 raste me 69 trafikantë të dyshuar në vitin 2016, krahasuar me 80 raste me 90 të dyshuar në vitin 2015. Qeveria nuk bënte  ndarje në të dhënat e ligjzbatimit për të demonstruar përpjekjet kundër trafikimit për qëllime seksuale dhe punë të detyruar, por mbante shënime nëse viktimat ishin të rritur apo fëmijë. Njëzetenjë nga këta të dyshuar në vitin 2016 u hetuan për trafikim të fëmijëve dhe 48 për trafikim të të rriturve. Zyra e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndoqi penalisht 18 trafikantë të dyshuar, krahasuar me 15 në vitin 2015. Nëntë nga këta të dyshuar u ndoqën penalisht për trafikim të fëmijëve, krahasuar me dy të dyshuar në vitin 2015. Gjykatat dënuan 24 trafikantë, krahasuar me 11 në vitin 2015. Njëmbëdhjetë nga këta trafikantë u dënuan për trafikim të fëmijëve dhe 13 për trafikim të të rriturve. Të gjithë trafikantët e dënuar morën dënime me burg, të cilat varionin nga dy deri në 25 vite. Autoritetet vazhduan të ndiqnin penalisht disa trafikantë për krimin më të lehtë të shfrytëzimit të prostitucionit. Autoritetet raportuan konfuzion midis elementëve të mbivendosur të prostitucionit dhe trafikimit dhe, hera-herës, aplikuan akuzën më të lehtë sepse kërkonte më pak specializim dhe kohë ose për shkak të besimit të gabuar se krimet e trafikimit kërkonin një element ndërkombëtar. Trafikantët e akuzuar për shfrytëzim të prostitucionit mund të merrnin dënime më të lehta se ata të akuzuar për trafikim për qëllime seksi. Në vitin 2016, qeveria trajnoi 75 gjyqtarë dhe 20 oficierë policie për hetim dhe ndjekje penale të trafikantëve dhe për mbrojtjen e viktimave. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo denim të punonjësve qeveritarë si bashkëfajtorë në kundravajtje trafikimi. U rritën përpjekjet për ligjzbatimin ndërkombëtar. Qeveria bashkëpunoi në dy hetime të përbashkëta me ligjzbatuesit italianë dhe spanjollë. Në vitin 2016, tetë shqiptarë u arrestuan në Holandë, Gjermani, Greqi dhe Itali për përfshirje të dyshuar në trafikim; tre nga këta të dyshuar u ekstraduan në Shqipëri. Shqipëria ekstradoi tetë trafikantë të dyshuar të huaj në Itali, Maqedoni dhe Moldavi. MBROJTJA Qeveria vazhdoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Qeveria dhe OJQ-të identifikuan 95 viktima të trafikimit dhe viktima të mundshme të trafikimit, krahasuar me 109 në vitin 2015. Nga këta, 55 ishin të rritur dhe 44 ishin fëmijë (61 të rritur dhe 48 fëmijë në vitin 2015), 11 ishin meshkuj dhe 84 ishin femra (22 viktima meshkuj dhe 87 viktima femra në vitin 2015), dhe tetë ishin të huaj (katër viktima të huaja në vitin 2015). Gjashtëdhjetë e dy u identifikuan si viktima të mundshme dhe 33 u identifikuan zyrtarisht si viktima, një status i akorduar pas një interviste të përbashkët kryer nga përfaqësues si ng ashërbimet e ligjzbatimit ashtu dhe nga ato të shërbimit social shtetëror. Ligji garantonte shërbime të barabarta për si për viktimat e mundshme ashtu edhe për viktimat e njohura zyrtarisht. Tri streha të specializuara administruar nga OJQ dhe një strehë e administruar nga shteti ofronin asistencë për viktima të trafikimit, përfshi ushqim, këshillim, asistencë ligjore, kujdes shëndetësor, shërbime shkollimi, shërbime punësimi, asistencë për fëmijët e viktimave, ndihmë financiare, strehim afatgjatë, veprimtari shoqërore, trajnim profesional, dhe ndjekje për pasintegrimin. Strehat e administruara nga OJQ-të mbështetën 75 viktima të trafikimit dhe viktima të mundshme ndërsa streha e administruar nga shteti mbësheti 30, 10 prej të cilave ishin nga viti 2015. Qeveria ofroi 21.7 milionë lekë ($169,231) për strehën e administruar nga shteti, më pak se sa 23,970,000 lekë ($186,900) në vitin 2015. Qeveria ofroi 15.3 milionë lekë ($119,093) për strehat e administruara nga OJQ-të për të mbështetur pagat për 24 anëtarë të personelit, çka shënon rritje nga fondi prej 10 milionë lekë ($77,972) për të mbështetur pagat për 12 anëtarë të personelit në vitin 2015. Për herë të parë, qeveria shtoi 4.7 milionë lekë ($36,647) për buxhetin nga asetet e konfiskuara kriminale për të financuar shërbime të riintegrimit dhe mbështetjes. Mbështetja me ushqime për strehat e drejtuara nga OJQ-të u ul në 1.8 milionë lekë ($14,035) nga 3 milionë lekë ($23,392) në vitin 2015. Strehat e drejtuara nga OJQ-të vazhduan të operonin në kushte të shtrënguara financiare dhe mbështeteshin në burime të jashtme për kostot operative. Mekanizmat financiare të përdorura për të financuar këto streha gjatë vitit mbetën të ndërlikuara dhe të prekshme nga manipulimet nga qeveritë vendore. Financimi i qeverisë për tre streha të drejtuara nga OJQ-të u vonua me dy muaj dhe një strehë nuk arriti të merrte ndonjëherë financimin për ushqime. Strehat e drejtuara nga OJQ-të lejuan viktimat e rritura të largoheshin nga strehat në mënyrë të vullnetshme, ndërsa streha e drejtuar nga shteti iu kërkonte viktimave të kërkonin miratim nga drejtuesi i strehës. Qeveria ofronte falas trajnim profesional, tekste për viktimat fëmijë, si dhe karta shëndeti që ofronin akses falas në kujdesin shëndetësor. Vetëm një strehë e drejtuar nga OJQ-të ofroi shërbime të specializuara për viktima fëmijë nën moshën 16 vjeç. Viktimave meshkuj iu ofroheshin apartamente me qera, ku merrnin ndihmë nga OJQ-të. Viktimat e huaja kishin akses në të njëjtat shërbime si viktimat vendase, përfshi ndihmën ligjore. Personat përgjegjës në vijën e parë ndiqnin një procedurë standarte pune për identifikimin dhe referimin e viktimave tek shërbimet; megjithatë, qeveria kishte çaktivizuar njësitë lëvizëse të identifikimit sepse donatorët e huaj nuk ofronin më mbështetje dhe qeverisë i mungonin fondet për të vazhduar me njësitë. OJQ-të raportuan se ligjzbatuesit burgosnin viktimat për akte të jashtëligjshme si rezultat i drejtpërdrejtë i nënshtrimit ndaj trafikimit njerëzor. Për shembull, një viktimë femër e trafikimit u dënua për prostitucion me 16 muaj burg, nga të cilat kreu nëntë muaj. Një tjetër viktimë u dënua me 18 muaj provë por e fitoi çështjen në apel. OJQ-të raportuan se policia shpesh e shoqëronte trafikimin me lëvizjen dhe nuk ishte në gjendje të identifikonte viktimat e rekrutuara dhe shfrytëzuara në të njëjtin rajon të vendit. Vëzhguesit raportuan raste kur rojet e kufirit dhe zyrtarë të migracionit nuk kryenin procedurat standarte të kontrollit. Qeveria, në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare, trajnoi 388 zyrtarë në 12 rajone për identifikim, referim dhe ndihmë për viktimat. Ligji iu siguronte viktimave të huaja një periudhë tremujore reflektimi me status të përkohshëm banimi dhe autorizim pune për deri dy vite, edhe pse qeveria ende nuk ia kishte akorduar këtë status ndonjë viktime. Viktimat mund të merrnin kompensim nga qeveria ose të ngrinin padi civile kundër trafikantëve; tre viktima aplikuan për kompensim por çështjet e tyre ishin pezull gjatë periudhës së raportimit. Vëzhguesit raportuan kërcënime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre gjatë seancave gjyqësore. Gjykatat lejonin dëshmitë me anë të viedokonferencave dhe viktimat që dëshmonn kundër trafikantëve kishin akses në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, por asnjë viktimë trafikimi nuk mori pjesë në program.

PARANDALIMI

Qeveria rriti përpjekjet për parandalimin e trafikimit. Qeveria rriti financimin për ZKKA në 5.7 milionë lekë ($44,444) nga 5.2 milionë lekë ($40,546) në vitin 2015. Qeveria miratoi një plan veprimi të rishikuar pas një vlerësimi nga ZKKA në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare. ZKKA vazhdoi të publikonte raporte të rregullta për veprimtarinë në faqen e internetit dhe mblidhte aktorët e përfshirë në mekanizmin kombëtar të referimit. Dymbëdhjetë komitete rajonale anti-trafikim (KRAT), përbërë nga zyrtarë vendor dhe OJQ, punuan për parandalim dhe ndihmë për viktimat. Kryeministri nxori një urdhër për të forcuar KRAT duke formalizuar raportimin, vendosur afate, dhe duke rritur përpjekjet për rritje ndërgjegjësimi. KRAT dhe koordinatorët kombëtarë anti-trafikim nga Mali i Zi dhe Kosova nënshkruan një deklaratë të përbashkët që siguronte aplikimin e një procedure standarde pune për mbrojtjen dhe riatdhesimin vullnetar të ndihmuar të viktimave.  Qeveria sponsorizoi fushata ndërgjegjësimi mbi praktikat e shfrytëzimit për punë; një organizatë ndërkombëtare raportoi se vetëm 28 nga 47 agjenci punësimi operonin në mënyrë të ligjshme. ZKKA trajnoi mbi 1,000 punonjës të qeverisë, gjyqtarë, prokurorë dhe partnerë të shoqërisë civile mbi çështje të trafikimit. Qeveria nuk bëri përpjekje për të reduktuar kërkesën për shfrytëzimin e seksit për tregti. Qeveria ofroi udhëzime anti-trafikim për personelin e saj diplomatic dhe koordinatori kombëtar informoi diplomatët shqiptarë të vendosur në nëntë qytete mbi rregulloret lidhur me trafikimin njerëzor. PROFILI I TRAFIKIMIT  Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është një vend burimi, tranaziti dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Femrat dhe fëmijët shqiptarë i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, sidomos gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rreme të tilla si oferta për martesë apo punësim për t’i detyruar viktimat të përfshihen në trafikimin seksual. Trafikantët përdorin gjithnjë e më shumë median sociale për rekrutim viktimash. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë të tjera tipe pune të detyruar si shitje e artikujve të vegjël. Fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom, shfrytëzohen në Turqi për punë sezonale. Pati edhe raste fëmijësh që detyroheshin të punonin në fusha kanabisi në Shqipëri dhe disa trafikantë me gjasë janë të përfshirë në trafik droge. Viktimat shqiptare i nënshtrohen trafikimit seksual në vende kudo në Europë, sidomos Kosovë, Greqi, Itali dhe Mbretëria e Bashkuar. OJQ-të raportojnë rritje në numrin e fëmijëve shqiptarë që detyrohen të punojnë në Kosovë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat e huaja nga vende europiane, Filipinet, Nigeria iu nënshtruan trafikimit seksual dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migrantët e parregulltnga Azia punësohen gjithnjë e më shumë si punëtorë shtëpie nga familje të pasura ku janë të prekshëm nga kushtet e skllavërisë në familje.

Migrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afrika kalojnë tranzit në Shqipëri për të arritur në Europën Perëndimore dhe janë të prekshëm nga trafikimi.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: RAPORT I DEPARTAMENTIT, shqiperia, TË SHTETIT TË SHBA- TRAFIKIMI I PERSONAVE

THE NEW YORK TIMES: E PREMTJA E SHENJTE NE SHQIPERI

May 22, 2017 by dgreca

Nga Aurenc Bebja*, Francë/1 The New York timesNë « Bulletin périodique de la presse américaine » gjejmë një shkrim të gazetës prestigjioze, The New York Times, botuar me 8 prill 1939, me titull « E premtja e shenjtë në Shqipëri ».Media e famshme ironizon asokohe në mënyrë mjeshtërore sulmin e padrejtë të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë. Për më shumë, do të gjeni në vijim shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :« Një tjetër vend i vogël në Evropën Qendrore shlyen krimin e tmerrshëm se është një shtet i vogël. Arsyeja e luftës që ka shpërthyer në Adriatik është krejtësisht e qartë. Shqipëria ka provokuar Italinë. Ajo e ka provokuar atë sepse Italia është e dobët, e vogël dhe pa mbrojtje, viktimë ndaj një egërsire, të cilës bllofi iu zbulua prej dikujt të përmasave të saj.

E frenuar nga Franca, e cila ka refuzuar t’i frikësohet, dhe përballë rritjes së vazhdueshme të Britanisë së Madhe për të pasur përgjegjësi në kontinent, qeveria fashiste e Musolinit ka kërkuar në Shqipëri mundësinë për të provuar se, në fund të fundit, Italia është një vend shumë, shumë i madh, shumë i mrekullueshëm dhe që meriton të rrespektohet.

Italia i ka dhënë provat duke shkatërruar qytete krejtësisht pa mbrojtje, duke i bombarduar nga deti dhe qielli, duke hedhur eksplozivë mbi kokat e njerëzve për fatin e keq se ishin shqiptarë, duke përhapur vdekjen dhe shkatërrimin mbi fshatrat paqësorë – të gjitha këto nën pretekstin e « rivendosjes së rendit », « mbrojtjes së interesave jetike » dhe afirmimit të drejtave territoriale që datojnë 229 vite para lindjes së Krishtit.Kohët e fundit, Gjermania ka pasur triumfet e saj. Dhe tani Italia, gjithashtu, ka diçka për të qenë krenare ! »(Kortezi:Aurenc Bebja-www.darsiani.com)

Filed Under: Histori Tagged With: Arena Bebja, e Premtja e zee, shqiperia, The New York Times

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT