• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadorja Gjermane: Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj

July 2, 2013 by dgreca

Në një intervistë ekskluzive për DW Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller -Holtkemper, bën vlerësimin e zgjedhjeve dhe çfarë duhet të ndryshohet në favor të përmirësimit të procesit në të ardhmen.

DW: Cili është vlerësimi juaj për procesin zgjedhor, për mënyrën se si u zhvillua fushata elektorale, dita e votimit dhe faza e numërimit të fletëve në kutitë e votimit pas 23 qershorit?

Müller -Holtkemper: Ta themi që në fillim se këto zgjedhje parlamentare janë më të mirat të zhvilluara ndonjëherë. Nuk mund të përsëris deri në detaj observimet paraprake që ka bërë misioni i OSBE/ODIHR-it, por ca gjëra ja vlen t’i them. Megjithëse zgjedhjet më të mira, por sigurisht që ka hapësira për përmirësime. Ja psh, deri më sot Komisioni Qendror i Zgjjedhjeve është i pakompletuar dhe punon vetëm me anëtarët e mazhorancës. Ky është një nga kufizimet e procesit zgjedhor. Mendoj se në të ardhmen një institucion i qëndrueshëm, jo politik, tërësisht profesional është i nevojshëm. Dita e votimit në pjesën më të madhe ishte e qetë, përjashto raste të veçuara të përdorimit për fat të keq të dhunës. Rasti më i rëndë u shënua në qytetin e Laçit. Për ne ushtrimi i dhunës nga kushdoqoftë është tërësisht i patolerueshëm. Procesi i numërimit të fletëve të votimit dukshëm është më i shkurtër në kohë se herët e mëparshme. Por në disa qendra të numërimit ka pasur vonesa dhe zvarritje dhe këtu mendoj se ka shume vend për përmirësime të performancës në të ardhmen. Që procesi të jetë edhe më i shpejtë, që të angazhohen dhe përcaktohen njerëz brenda afateve ligjore nga ana e partive dhe jo të ketë emërime dhe ndryshime të anëtarëve të komisioneve të numërimit në fazën kur puna është në vijim. Kjo i jep mundësi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që ta artikulojë më herët rezultatin final të zgjedhjeve dhe do të shmangë mundësitë për rritjen e tensioneve.

DW: Nuk kemi ende rezultat zyrtar, por i sigurtë është fakti se është votuar në shumicë për rotacion politik. Si i konsideroni qendrimet e partive kryesore dhe liderëve të tyre pas ditës së votimeve?

Müller -Holtkemper: Vërtet nuk kemi rezultat final, por vendet në Kuvendin e ri thuajse janë përcaktuar në pjesën më të madhe, për të nisur nga puna në fillimi të muajit shtator. Unë uroj që procesi i finalizimit të numërimit dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar të jetë sa më i shpejtë. E rëndësishme është që deri më tani një hap i madh është bërë përpara. kryeministri Sali Berisha e ka njohur humbjen dhe tani me shprese do vijohet me kalimin e butë të pushtetit për tek ish opozita që vjen në qeverisje.

DW: Ju përmendët më parë aspekte kritike të procesit zonja Ambasadore. Duke pasur parasysh dhe raportin paraprak të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë, cilat do të ishin gjërat që duan ndryshim në favor të përmirësimit të procesit zgjedhor në të ardhmen?

Müller -Holtkemper: Mendoj se në përgjithësi personeli që angazhohet me zgjedhjet, duke nisur nga anëtarësia e KQZ-së, e komisionerëve të numërimit të fletëve të votimit, apo me administratorë të tjerë – këta duhet të jenë njerëz shumë të kualifikuar. Kjo është çështje e trajnimit të tyre, por dhe e përgjegjësisë së atyre që emërohen. Menaxhimi i zgjedhjeve të bëhet me ekipe të depolitizuara . Po ju marr rastin e Gjemanisë. Kemi zgjedhje parlamentare në shtator të këtij viti dhe si çdo herë ato do organizohen nga Zyra e Statistikave. Unë si shumë të tjerë në vendin tim nuk njoh asnjë prej tyre, as dhe si portret. Sepse është një proces me tipare profesionale dhe teknike. Nuk ka mbledhje të tensionuara apo kriza, ndaj dhe nuk njoh askënd prej tyre.

DW: Nga mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet e 23 qershorit a është përmbushur kushti politik për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE?

Müller -Holtkemper: Por le të themi se një test është kaluar. Zgjedhjet janë një arritje e madhe. Do të shikohet dhe mënyra e procedimit dhe aktivitetit në jetën parlamentare, ndërkohë që janë dhe dy çështje varur për të cilat ka pasur dakordësi në mbledhjen e Këshillit dhjetorin e vitit të kaluar. Këto dy çështje janë lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Dua të them se në këto dy aspekte ka ende shumë për të bërë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadorja gjermane, ne historine e saj, shqiperia, zgjedhjet me te mira

A MUND TË KETË NDRYSHUAR DIÇKA NË SHQIPËRI?

June 27, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Qe edhe zgjedhjet parlamentare shumë të pritura të 23 qershorit, 2013 në Shqipëri erdhën e shkuan.  Fitoi aleanca e majtë e kryesuar nga Partia Socialiste.   Koalicioni i majtë  ka marrë 84 mandate deputetësh, ndërsa koalicioni i djathtë ka siguruar 56 mandate në Kuvendin e ri të Shqipërisë, që fillon nga puna në Shtator.

Kryeministri i deritanishëm, Dr. Sali Berisha dhe njëherzi edhe personi që dominoi politikën shqiptare gjatë 20-vjetëve të kaluara, pranoi burrërisht humbjen, mori vet përgjegjësinë për ‘të dhe njoftoi se do të tërhiqet nga funksionet e Partisë Demokratike.  Duke folur dje nga selia e partisë së tij, në një fjalim emocional, kryeministri Berisha tha se, “Qytetarët tanë votuan me shumicë projektin e kundërshtarit tonë”, dhe uroi kundërshtarin e tij politik, Zotin Edi Rama për fitoren e tij me fjalët: “Duke njohur rezultatin, i uroj atij punë të mbarë.”

Edhe fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhëshëm Edi Rama, në fjalimin e tij të fitores, njohu kontributet e kundërshtarit të tij politik, Kryeministrit Berisha, për të cilin tha se, “Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua.  Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu.  Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo gjë të mirë që historia, mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”.

Duke qenë dëshimtarë të këtyre deklaratave qytetëruese midis dy politikanëve  kryesorë shqiptarë pas një fushate tepër të ashpër midis tyre,  përfituan nga rasti dhe reaguan shpejtë edhe ndërkombëtarët, të cilët përgëzuan koalicionin e majtë për fitoren dhe vlerësuan punën e Kryeministrit Sali Berisha për tetë vitët e qeverisjes së tij.  Komisioneri i Baskimit Europian për Zgjërimin, Z. Stefan Fyle përgëzoi koalicionin a majtë që fitoi në zgjedhjet e së dielës duke thënë se pret që qeveria e ardhëshme do të vazhdojë të zbatojë reformat e  nevojshme për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.   Duke folur për arritjet e qeverisë Berisha, përfaqsuesi europian tha se, “Tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë  reformash të rëndësishme dhe të rritjes ekonomike.  Shqipëria ka arritur përparim të dukshëm në rrugën e integrimit evropian.   Liberalizimi i vizave, si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për statusin e kandidatit janë dëshmi për këtë, tha ai.  Stefan Fyle tha  gjithashtu se megjith sfidat e shumëta me të cilat përballet sot Shqipëria,  “Kjo është koha që shqiptarët të shikojnë përpara me besim, të bashkuar, drejt të ardhmes së tyre evropiane”, ka thënë Fyle.

Edhe Shtetet e Bashkuara reaguan nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, me të njëjtin ton, duke përgëzuar shqiptarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e të djelës që kaloi, dhe njëkohsisht u bëhet thirrje udhëheqësve shqiptarë, që pas formimit të qeverisë së re të riangazhohen për thellimin e reformave që nevojiten për integrimin europian të vendit.  Ambasada amerikane në Tiranë, në emër të Uashingtonit zyrtar falënderon Kryeministrin në largim, Z. Sali Berisha, duke vlerësuar mbështjetjen e tij qëndrueshme për marrëdhënjet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. 

Humbja në politikë  nuk është kurrë e këndshme, për askënd.  Por maturia dhe profesionalizmi politik, e pse jo edhe burrëria shqiptare, e treguar kësaj radhe nga dy forcat kryesore të vendit, kanë tërhequr vëmendjen e shumë vërejtësve, si diçka shumë pozitive për politikën shqiptare, diçka që nuk është venë re në zgjedhjet e më parëshme, të cilat gjithmonë kanë qenë të kontestuara nga humbësi, ose humbësit.    

Deklaratat pasqyruan një atdhedashuri që, të pakën, tani për tani, duket se  tejkalon interesat vehtjake e partiake.  Një atdhedashuri e thjeshtë, e pa bujë, por një atdhedashuri që i sjellë  Shqipërisë dhe kombit shqiptar dobi, tani dhe në të ardhmen.  Në këtë moment të historisë së kombit shqiptar, këjo është edhe një dëshirë edhe e të gjithë shqiptarëve të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë edhe diasporën e fortë dhe urë-lidhëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin strategjik të kombit shqiptar.  Megjithëse larg Atdheut, dhe për arsye historike, pa të drejtë vote, shqiptarët kudo ia duan të mirën Shqipërisë.   Duam ta shohim atë të lavdëruar, të përparuar dhe të nderuar jo vetëm në sytë e vetë shqiptarëve, por edhe para botës së qytetëruar.  Gjatë shekullit të kaluar, kombi shqiptar u gjënd—kundër vullnetit të tij – në shtigje të papritura dhe shkatërruese.  Por jeta dhe rrethanat e historisë ndryshojnë çdo ditë, për shqiptarët dhe për njerëzimin, e të cilat sot kërkojnë një kulturë të re politike.  Një kulturë, mbi të gjitha, të atdhedashurisë për fatin e  Atdheut.  E këjo dashuri pikëspari qëndron dhe lulëzon, në mos  në dashurinë për njëri tjetrin, atëherë në respektin për njëri tjetrin – për ndryshe mohohet mundësia e një bashkjetese mbrenda shtëpisë së përbashkët.   Kundërshtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar, historikisht, kanë pretenduar se Shqiptarët nuk mund të qeverisin vetveten.  Ata gjithmonë do të thonë këtë, por të pakën, klasa politike shqiptare të mos u japë municion në mbështetje të këtij pretendimi. 

Deklaratat e protagonistëve kryesorë të politikës shqiptare, pas zgjedhjeve të të djelës së kaluar, të japin  shpresë për një tranzicion të qetë dhe për një të ardhme demokratike të Shqipërisë.  Le të shpresojmë se deklaratat e Kryeministrit në largim, Z. Sali  Berisha dhe ato të Kryeministrit të ardhëshëm Z. Edi Rama, pas numërimit të votave, të pasqyrojnë edhe mendimet dhe pikpamjet e tyre dhe të partive që ata përfaqësojnë.  Për ndryshe këto deklarata politike, nga të dyja palët, do të konsiderohen si një  mashtrim  dhe lojë e  radhës, që mund të kënaqin vetem ata që angazhohen në to, por  njëkohsisht vështirëson jashtë mase shkuarjen përpara të kombit shqiptar në rrugën fatale të tij që i ka caktuar historia.

Unë flasë kështu, jo për të mbrojtur njërën ose tjetrën parti, ose njërin ose tjetrin udhëheqës politik, por flas kështu, nga Amerika e largët, nga   një urgjencë që ndjejë si shqiptar, se kombi shqiptar ka nevojë për një bashkim të të gjitha forcave të tij për të kapërcyer sfidat dhe krizat, të cilat duket se ende e trazojnë dhe rëndojnë mbi kombin shqiptar, madje edhe pas 20-vjetë  të rënjes së komunizmit.  Të shpresojmë se të gjithë Shqiptarët, e sidomos klasa politike shqiptare, me një marrëveshje vëllazërore, gjithmonë do të “sjellin ujin në mulli të Atdheut”, për triumfe të reja të racës arbërore.  Këjo është porosia e heroit kombëtar dhe prijsit të të gjithë Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbe, por  edhe dëshira e të gjithë Shqiptarëve kudo.  Me bashkpunim, vëllazërim dhe tolerancë politike dhe njerëzore ndaj njëri tjetrin për të mirën e vendit dhe të kombit të tyre, Shqiptarët do të kenë mbështetjen jo vetëm të aleatëve të tyre perëndimorë, por edhe bekimet e të Madhit Zot për agime të reja të kombit tonë shumë të vuajtur.  

Tani gjithçka varet nga mënyra se si koalicioni i majtë to të menaxhoj fitoren dhe si koalicioni i djathtë do të menaxhoj humbjen.  Deklaratat e Zotërinjve Berisha dhe Rama japin shpresë se diçka mund të ketë ndryshuar në Shqipëri, në krahasim me të kaluarën.  Mirëpo, kjo mbetet për tu parë në ditët, javët, muajtë dhe vitet e ardhëshme.

Filed Under: Komente Tagged With: a mund te kete, Frank shkreli, ndryshuar, paska ndryshuar, shqiperia

RESHAT KRIPA: DEKLARATA PËR SHTYP NUK U BOTUA NË ASNJË NGA GAZETAT E TELEVIZIONET

March 29, 2013 by dgreca

SHQIPËRIA VENDI KU KATOVICA PO ZBATOHET ME PËRPIKMËRI – I KAM BËRË THIRRJE PD E LIDERIT TË SAJ TË KORIGJOHEN/
Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ/

PYETJE: A u botua Deklarata për shtyp – e Shoqatës tuaj Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë – SHPREHIM INDINJATËN E THELLË QË PRESIDENTI I REPUBLIKËS DEKRETOI KANDIDATURA ME PREJARDHJE NGA REGJIMI, sepse kërkova sot me sy dhe nuk e pashë kund?
RESHAT KRIPA: Për sa i përket deklaratës së shoqatës atë ua dërguam gjashtë gazetave dhe pikërisht gazetave “Metropol”, “Republika”,“Standard”, “Koha Jonë”, “Telegraf” dhe “Shqip” si dhe katër televizioneve“Klan”, “Koha”, “URT”dhe “NTV” por deri më sot asnjëra nuk ka botuar apo transmetuar gjë. Sot u dërguam edhe një E-mail tjetër ku iu kërkojmë arsyen e mosbotimit. Jemi në pritje të përgjigjes. Vetëm gazeta “Telegraf” është përgjigjur deri tani. Sot ua kemi dërguar gjithshtu edhe gazetave “Tirana Observer” dhe “Kombëtare” si dhe “Zërit të Amerikës”. Edhe për këto jemi në pritje.

PYETJE. Në apelin që i bëni Kryetares të Kuvendit, vini re me keqardhje, se shkrimet tuaja nuk botohen në shtypin e Tiranës, keni ndonjë koment për këtë?
RESHAT KRIPA: Predispozicioni i shtypit të Tiranës për shkrimet e mia është shumë i paktë. Përveç gazetës “Metropol” dhe deri diku gazetave “55” dhe“Republika”, te të tjerat ka qenë shumë e vështirë. Këtë jua argumentoj me shembujt e mëposhtëm: Në vitin 2010, nisur nga i njëjti problem, bëra nje shkrim me titullin “A ka media të lirë në Shqipëri?” të cilin ua dërgova disa gazetave por asnjëra nuk e botoi. U detyrova ta botoj në mediat elektronike. Këtë shkrim po jua dërgoj edhe juve për ta patur parasysh se sa i lirë është shtypi te ne. Por kjo punë vazhdon edhe në ditët e sotme. Për mua është e pamundur të botoj një shkrim në gazetën “Panorama” pasi disa shkrime të dërguara njeri pas tjetrit nuk janë botuar. Pothuajse e njejta gjë është edhe me gazetën “Mapo”.

Në këtë gazetë kam botuar gjithsej dy shkrime. Më 24 maj 2011 u dërgova shkrimin “Kur do të shpëtojmë nga kthetrat e komunizmit?”, të cilin po ua dërgoj gjithashtu dhe zv/redaktori i saj më ktheu përgjigje ku më thoshte se shkrimi nuk ishte sipas parimeve të Bordit Drejtues të gazetës. I kërkova kush ishin këto parime dhe m’u përgjigj se ishte e kotë të zgjateshim. Gjithashtu po kjo gazetë nuk ka botuar shkrimet e mia : “A vriten poetët?” datë 11 gusht 2012, “Të përndjekurit politikë dhe qëndrimi i tyre ndaj zgjedhjeve”datë 20 shkurt 2013, “Sindroma komunizëm” datë 6 mars 2013 dhe shkrimi i fundit“Një thirrje Kryetares së Kuvendit” datë 26 mars 2013, shkrime të botuara në median tuaj.

Habia është se themeluesi i kësaj gazete, zoti Henri Çili, merr pjesë në një“Konvent딓Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Përndjekurve Politikë” mbajtur këto ditë në Tiranë dhe nuk boton shkrimet e mia që bëjnë fjalë pikërisht për këto probleme.

PYETJE: Dje dekretet e Nishanit nuk u votuan, për shkak se Ilir Meta nuk i dha votat e tij, si e komentoni mos votimin e dekretit?
RESHAT KRIPA: Për çështjen e dekreteve nuk jam i qarte përse. Nuk besoj se duhet të jetë vetëm shkaku i votave të Ilir Metës. Një kopje të deklaratës ne ia dërguam zyrtarisht edhe zonjës Topalli. Pastaj mos harroni se në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve deputeti Enkelejd Alibeaj abstenoi po për arsyet që shprehnim edhe ne. Kështu që mund të jetë edhe kundërshtimi i një pjesë tjetër të deputetve demokratë shkaku.

PYETJE: Si e shihni faktin se PD sjell në organet më të larta të drejtësisë njerëz me hipoteka?
RESHAT KRIPA: Për problemin e sjelljes së njerëzve me hipoteka në organet e larta të drejtësisë kjo ka qenë një praktikë e vazhdueshme në këto vite të tejzgjatura “tranzicioni”. Kemi shembuj plot duke filluar që nga Fehmi Avdiu që u bë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe duke përfundur te këta dy të fundit që kanë qenë në Gjykatën e Lartë. Të tillë gjen plot edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo në Prokuroritë ku si shembull do të sjellë famëkeqin Skënder Breca që edhe u dekorua nga ish Presidenti Topi apo Njazi Jahon dhe Fatmira Laskajn.

PYETJE: A nuk i shihni të tradhëtuara idealet e ish-të persekutuara nga ajo forcë politike që ka 22 vjet që jep premtime dhe kjo shtresë politike ka 22 vjet që u jep votën?
RESHAT KRIPA: Përsa i përket qëndrimit ndaj të përndjekurve politikë do ta ndaja në tre faza. Faza e parë është periudha 1992-1997 ku, për të thënë të vërtetën, u bë diçka në këtë drejtim, si në drejtim të arsimimit, punësimit dhe çështje të tjera të integrimit të tyre në shoqëri.

Faza e dytë është ajo e qeverisjes socialiste 1997-2005. Ajo është periudha më e errët për këtë shtresë. Pushimet në masë nga puna, ndërprerja e arsimimit me preçedencë, rikthim i kuadrove të vjetra në detyra të rëndësishme ishin karakteristikat kryesore të asaj periudhe.

Faza e tretë është kjo e periudhës së dytë të qeverisjes demokratike (2005-2013). Fillimisht u duk sikur diçka do të ndryshonte. U miratua një rezolutë për ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist, ligj që nuk u votua nga socialistët. U miratuan disa ligje për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ku socialistët përsëri nuk morën pjesë dhe filloi zbatimi i tij. U hartua një ligj lustracioni që nuk u firmos nga ish Presidenti Topi dhe që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me Fehmi Avdiun anëtar.

Të gjitha këto krijuan përshtypjen se gjithçka do të bëhej si në qeverisjen e parë të kësaj qeverie. Por nuk ndodhi kështu.

Rezoluta mbeti vetëm një letër pa vlerë. Nga të gjitha pikat e saj pothuajse nuk u realizua asnjë, vetëm miratimi i ligjit për dëmshpërblimin dhe ngritja e Komisionit për hetimin e krimeve të komunizmit. Por edhe këto sikur kanë ngecur në vend.

Në lidhje me ligjin e dëmshpërblimit nuk kanë përfunduar dy këste ende, megjithse kanë kaluar më shumë se katër vjet nga fillimi i zbatimit, ndërsa për çështjen e Komisionit ai deri tani merret vetëm me ceremoni përkujtimore dhe promovim librash të autorëve të përndjekur. Për të gjitha këto kam shkruar pothuajse në të gjitha shkrimet e mia.

PYETJE: Lideri i maxhorancës akuzon shpesh liderin e opozitës se në PS ka trashëgimtarë të PPSH, dhe kjo qëndron, por në rradhët e PD-së ka po ashtu trashëgimtarë të PPSH, siç është rasti i Ilir Rusmajlit, çfarë komenti keni?
RESHAT KRIPA: Përsa u përket akuzave të ndërsjellta që bëjnë liderët e maxhorencë dhe opozitës midis tyre, ato nuk janë gjë tjetër veçse një demagogji propagandistike në kuadrin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Një miku im thoshte: Partia Socialiste është pasardhëse direkte e Partisë së Punës, ndërsa Partia Demokratike u ngjan shalqijve që nga jashtë duken të gjelbër por, po t’i çash, dalin të kuq. Kjo duket në shumë drejtime. Le të shohim qëndrimin që kanë këto ndaj nacionalizmit shqiptar. Bie në sy se të dy forcat politike synojnë ta kalojnë në heshtje këtë nacionalizëm, duke filluar historinë e vendit tonë, si dikur, që nga 29 nëntori 1944. Një gjë e tillë shfaqet në faqet e shtypit të të dy krahëve. Mjafton të përmend një rast të vetëm, figurën e liderit të Ballit Kombëtar, Mit-hat Frashëri. Kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Hartimit të Alfabetit, Ministër i Botores në qeverinë e Ismail Qemalit, Pjesmarrës i Konferencës së Paqes në Paris më 1920, Ambasador dhe plot detyra të tjera të rëndësishme. Çfarë është bërë për vlerësimin e kësaj figure? Asgjë. Asnjë përmendore, asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë institucion shtetëror apo kulturor nuk mban emrin e tij. Mos vallë nuk e meriton? Përse? Sepse nuk duan. Me pak fjalë Shqipëria është vendi ku politika e Katovicës po zbatohet me përpikmëri.

PYETJE: Zgjedhjet po trokasin tek dera, çfarë mendimi keni për zhvillimin e tyre ?
RESHAT KRIPA: Për sa u përket zgjedhjeve mendoj se jemi në udhëkryq. Kemi vetëm dy alternativa. Nga njëra anë janë socialistët që, për të qenë realist, kanë qenë gjithmonë kundërshtarët tanë dhe të përndjekurit politikë nuk mund të bashkohen kurrë me ta. Nga ana tjetër demokratët të cilët karakterizohen nga një demagogji e madhe propagande duke realizuar vetëm fare pak. Forcat e tjera politike janë inekzistente në Shqipëri. Të tilla janë, për fat të keq, edhe partitë nacionaliste që pretendojnë se ruajnë parimet e partive të vjetra nacionaliste. Do të kishim dashur që të kishte një pol të tretë ku ndoshta mund të mbështeteshim por, për fat të keq ai nuk ekziston.

Një mundësi tjetër është bojkotimi i zgjedhjeve. Por cili do të ishte përfundimi i këtij bojkotimi? Në favor të cilit do të shkonte? Me siguri në favor të socialistëve dhe një gjë të tillë ne nuk e duam. Ndaj them se jemi në një udhëkryq. Ndaj kam kohë që në shkrimet e mia i bëj thirrje Partisë Demokratike dhe liderit të saj që të bëjnë korigjimet e duhura. Jemi në pritje por ditët po ikin dhe shenjat tregojnë se nuk do të bëhet asgjë në lidhje me ato që ne kërkojmë… Atëherë çfarë duhet bërë? Problemi mbetet dilemë. Jam kryetar i nje dege të rëndësishme të një shoqate të përndjekurish megjithatë, si i tillë, jam i detyruar të veproj sipas vendimeve që merr shumica e kësaj shoqate. Ndaj do të presim dhe do të vendosim.

Lidhur me këto tema mund të shkruash faqe të tëra, por mendoj se për sot mjafton me kaq për të krijuar një ide të qartë të pikpamjeve të mia. Përshëndetje miqësore

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, interviste me Reshat Kripa, katovica, shqiperia

ROBERTO BENIGNI I THURI HYMN ‘MË TË BUKURËS SË BOTËS’ – DHE SHQIPËRINË AKTUALE E KRAHASOI ME MESJETËN

January 2, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ*/

Në dhjetorin që shkoi ngjarje e vitit televiziv për Italinë ishte dalja e Roberto Benigni-it tek Rai UNO, kanali kryesor i televizionit publik. Roberto Benigni u shfaq përpara italianëve në kohë krize globale e cila ka përfshirë dhe vendin e tij për t’iu dhënë kurajo, jo me fjalë, por me arsye legjitime.

Po ta përkufizoja Benigni-in, thjesht do ta quaja Danteja i kohëve moderne të Italisë ose ndërgjegja kombëtare italiane. Ashtu si gjithnjë, rebel dhe antikonformist i gatshmëm për të shpallur çdo të vërtetë sado e hidhur qoftë, kur vendosen në balancë fatet e Italisë dhe italianët.

Roberto Benigni edhe kësaj here u tregua i gatshëm për ta shqiptuar në mënyrën më elegante dhe brilante të mundëshme të vërtetën, duke e transformuar atë në të bukur, pra në nocion të estetikës, etikës, sociologjisë dhe moralit njerëzor. Kush e dëgjon Roberto Benignin, i vjen të shpërthejë në të qeshura dhe në të qara njëkohshëm. Gjeni i kohës sonë! Produkt i kohës sonë! Larg egocentrizmit brutal, prej të cilit jemi aq shumë të neveritur.

Në daljen e tij të kësaj here, ai i thuri hymne, iu përul në gjunjë dhe iu fal jo Biblës, por asaj të cilën e quajti “Më të bukurën e Botës”- Kushtetutës së Italisë, krijuar prej statistëve më të mëdhenj të saj, të cilët e kanë shkruar atë me një përkushtim hyjnor, duke i dhënë çdo gërme frymë, dashuri e humanizëm, sepse ajo e shpallte çdo qytetar të Italisë sovran të fatit të vet. Kushtetuta e një vendi demokratik, e mbështetur në parimet universale, ngre në piedestal të drejtat e njeriut dhe njeriun. Zoti është krijues i njeriut, kushtetutat e vendeve demokratike i japin atij de jure, ato të drejta hyjnore që në mënyrë të barabartë na i ka dhënë Hyu.

Roberto Benigni, poet i improvizimeve, ka një raport shumë të veçantë me Komedinë Hyjnore dhe Danten. Të njëjtën afërsi ai e ka edhe me Kushtetutën e Italisë, të cilat i barazon me njëra tjetrën. Në njërën anë kulturën, në tjetrën të drejtën për të jetuar jetën në mënyrë të bukur, si tek „La Vita e bella“.

Ndofta Roberto Benigni beson – ose shumë nga italianët besojnë – dhe është plotësisht afërmendjes se sipas metempsikozës, shpirti i dantesk të ketë kaluar nga Poeti kombëtar i Italisë tek ai, sepse për ndryshe si mund të shpjegohet ky mishërim i të dyve– i Dantes dhe Benignit.

Në 2006 në Firence, Benigni mbajti një cikël kushtuar Komedisë Hyjnore, pastaj Benigni bëri një tur në Itali dhe më vonë në botë të titulluar Tutto Dante, që pastaj u shfaq në një show po nga RAI UNO më 2007. Ishte një spektakël i paparë, që tregonte pushtetin e artit dhe artistit të dimensioneve të tilla. Me mijëra kilometra larg distancë kohore nga plehrat që na ofrojnë TV sot, ku si në kohën e diktaturës kërkojnë të na i imponojnë “njerëzit e kulturës”, të cilët na ofrojnë vetëm akulturim dhe dekulturimin, duke shpërfytyruar e prishur shijen e artit të vërtetë.

Kësaj here, në fund të dhjetorit 2012, si një ngjarje për jetën kulturore të Italisë, Roberto Benigni në vend të Komedisë Hyjnore, krijuar nga Dante njëri prej etërve të gjuhës italiane, zgjodhi të sjellë Krijesën më të Bukur të etërve të Italisë Moderne dhe demokratike, të cilët i lanë si trashëgim italianëve brez pas brezi, dhuratën më të çmuar, e cila të krijon mundësi që ta jetosh jetën me dinjitet, në paqe dhe harmoni, duke punuar.

Paçka se një vit më parë në Itali u kremtua me popmpozitet 150 vjetori i unifikimit të Italisë, Roberto Benigni, arsyen për të jetuar të gjithë italianët bashkë si qytetarë të denjë të Europës, e gjen tek Kushtetuta e Italisë, e cila i bëri bashkë për ta shkruar të gjithë ata që, pavarësisht bindjeve politike, e deshën Italinë deri në pikë të fundit të rrahjes të zemrës së tyre. Krejt ndryshe nga klasa politike në Shqipëri.

Ata vinin nga kahe të ndryshme të politikës, midis tyre ishte Alcide de Gasperi dhe Palmiro Togliatti, ishte Benedetto Croce, ishte Aldo Moro, ishin djemtë dhe vajzat më të mirë të Italisë, të cilët pastaj iu lanë italianëve në trashëgiminë e tyre që ta gëzojnë “Gjënë më të bukur të Botës”.

Kushtetuta e Italisë, sipas Roberto Benignit është një kryevepër, sepse iu jep italianëve të drejtën legjitime ta jetojnë jetën ashtu si jep mundësi vetëm liria dhe një shtet demokratik, ku puna e gjithëseicilit nuk ushqen vetëm jetën, por edhe shpirtin.

Roberto Begnini në fluturimet e tij danteske rreth Kushtetutës të Italisë, bëri dallimin midis mjerimit që prodhon një regjim diktatorial dhe lumturisë njerëzore që është produkt i demokracisë; bëri dallimin midis regjimeve primitive komuniste dhe mundësive të pafund që të krijon shteti i së drejtës, ashtu si Kushtetuta e Italisë, e cila u krijon mundësi italianëve të bëhen me dije e punë njerëzit më të lumtur të botës, sepse njeriu i lirë është i bekuar nga Zoti, sepse njeriu në liri mund të krijojë mrekullinë vetë me duart dhe mendjen e tij, ndërkohë që mund të jetë njeriu më solidar i botës me ata që kanë më tepër nevojë. Dhe kështu zbukurohet bota, dhe kësisoj kurohen plagët e njerëzimit e të shoqërisë njerëzore.

Roberto Begnini, i cili fitoi Oskarin me “La vita e bella”, është ndërgjegja jo vetëm e elitës italiane, por edhe asaj europiane dhe botërore. Me fjalë të tjera është europianisti më elitar dhe ndërkohë aq i lidhur me njerëzit e thjeshtë, që shqetësohet për fatin e njeriut, kur bie në dorën të keqe, dhe i thur hymne Biblës të shtetit të së drejtës që nuk të lë të gabosh. Roberto Begnini e poetizoi Kushtetutën e Italisë si Biblën e Sovranit, që i bashkon të gjithë, dhe që nuk bën asnjë dallim dhe që nuk privilegjon askënd dhe që e shpëton shoqërinë nga korrupsioni dhe keqbërësit.

Kulmi i deklamacioneve të tij arriti kur bën paralelizma midis periudhës obskurantiste të Mesjetës me partinë e Umberto Bossit, i cili është larguar nga kreu u partisë prej skandaleve, arrogancës dhe pafytyrësisë. Le të kujtojmë se ky faqeziu, Umberto Bossi ishte nga të paktët që u takuan me Milosheviçin dhe iu kundërvu fushatës të NATO-s që do të ndalte genocidin dhe eksodin biblik të Shqiptarëve të Kosovës nga vendi i tyre.

Dhe ndërsa platea dhe telespektatorët ishin përfshirë në mrekullinë dhe fuqinë e artit benignian, ku tragjedinë dhe komedinë e ndajnë midis tyre vetëm një fije peri, papritmas Roberto Benigni, iu bie kambanave të alarmit për ne shqiptarët, kur teksa përshkruante mjerimin, primitivizmin dhe pashpirtësinë e politikanëve të mesjetës, kujtonte njëfarë Trota, që shpërdorte paratë publike dhe i mbytur në ves e korrupsion blente diplomën në Shqipërinë mesjetare! Trota është i biri i Umberto Bossit, ndërsa Shqipëria mesjetare që përshkruan Benigni është Shqipëria aktuale, që jetojmë ne të gjithë, por që është shumë larg asaj që të ofron një Kushtetutë si ajo e Italisë, ku çdo qytetar është Sovran i fateve të tij.

Në fakt, nuk ishte rastësi krahasimi i tij me Mesjetën. Roberto Begnini deshte të nënvizonte shkallën e lartë të rrezikut, sepse partia e Umberto Bossit është ajo që i kundërvihet Kushtetutës italiane dhe bashkimit të Italisë. Roberto Begnini ka neverinë më të madhe për ta, të cilën e nxjerr edhe më në pah kur i përball me Etërit e Kushtetutës, të cilët pastaj i krahasoi me personazhet e Woodstokut! Këtu ishte një kulm tjetër Benignan, ndofta më i bukuri, kur etërit e Kushtetutës i krahason me John Lennon, dhe fjalët dhe nenet e Kushtetutës me fjalët dhe vargjet e “Imagine”, me „I’m a dreamer, but I’m not the only one I hope some day you’ll join us / And the world will live as one“ –„Unë jam një ëndërrimtar dhe nuk jam i vetmi dhe shpresoj se një ditë ju do të bashkoheni me ne dhe botën do ta jetojmë si të jetë një“ – pa ndarje, pa kufij. Prandaj, sipas Robertos, është gjëja më e bukur e botës Kushtetuta e Italisë, sepse krijon mundësi që çdo qytetar ta jetojë në botën e lirë dhe pa kufij, në botën pa armë, pa luftë dhe me paqe. Në mënyrë hiperbolike, Benigni doli me deduksionin se fjalët e Imagine janë krijuar tridhjetë më parë nga koha kur e krijoi John Lennon, nga Etërit e Italisë, paçka se mbajnë stilin e John Lennon, Jim Morrison apo të Jimmy Hendrix. Duhet të shkohet deri aty, fluturoi me imagjinatën e tij poetike Roberto Benigni, sa t’i kërkohet e drejta e autorëve Oko Onës, se tekstin e Imagine e kanë shkruar Alcide de Gasperi e Palmiro Togliati, etërit e„gjësë më të bukur të botës“.

*Falenderojme gazetaren Elida Bucpapaj per bashkepunim me Diellin.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Roberto Benigini, shqiperia

KOMEDIA E PARTIVE: U NGJALL NGA IDEALISTËT/U RUAJT NGA RASTET\ U VRA NGA POLITIKANËT

December 17, 2012 by dgreca

SHKROI: Faik KONICA/

Korrespondenca e mikut t’one të kthiellt, Francesco Argondizza, që “Dielli” boton në numër të sotmë, na heq përsëri vërejtjen mi reziqet që e rethojnë Shqipërinë. Kur popujt dëshërojnë paqe dhe kërkojnë marëveshje e mëiqësi në mes tyre, aventurierët e politikë nërkombëtare si Mussolini dhe Pashicci e shkojnë kohën duke bërë plane për të turbulluar qetësin e botës, për të derdhur përsëri gjak, dhe për të shtuar mjerimet që rendojnë si plumb i nxehtë në kurriz e në shpirt të njerëzisë. Nuk është punë aq e lehtë të prishet një Shtet i vendosur, dhe s’duhet të na trembet aqë shumë syri. Atë lakmi ccakalle që kanë sot, fqinjtë t’anë e kishin dhe die. Ish më lehtë të prishej die se sa sot Shqipëria; më lehtë në kohë të Konferencës së Parisit, kur Shqipëria nuk ish edhe e njohur si Shtet dhe armiqt’ e saj flisjin si shokë dhe aliatë të nderuar të Fuqive të Mbëdha mundëse, se sa sot që Shqipëria jo vetëm është një Shtet i njohur po mer pjesë dhe në Lidhje të Kombeve. Pastaj, ka sot n’Evropë burra si Radicc-i i Kroatisë dhe Morel-i i Inglisë, fytyra fisnike që përfaqësojnë ndërgjegjjen e njerëzisë dhe zëri i të cilëve, i shtrënguar të heshtë gjer die nga gishtërinjt’ e hekurt të despotismave e të censurave të lindura nga lufta, dëgjohen tani anë mb’anë të botës dhe janë të zotët të bashkojnë për veprim gjithë forcat morale të dheut.
Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rezik, – të pakën jo dhe për shumë kohë. Po kjo s’do të thotë se jemi të siguruar në ccdo rast dhe në ccdo mënyrë.
Asnjë Shtet nuk është i siguruar plotësisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vent dhe trëmbem se dicc do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve “udhë-heqës” do t’u vijnë
menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa ccpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:

U NGJALL NGA IDEALISTËT
U RUAJT NGA RASTET
U VRA NGA POLITIKANËT

Po. S’ka dyshim se politikanët – turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim – kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s’këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam ccfaqur arësyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi. Këtu këtje, nonjë artikull i veccuar ccfaq te bërësi një ndienjë të problemeve të mbëdha që janë shtruar përpara Shqipërisë; po përgjithësisht s’duket gjëkundi filli i pakëputur i mendimeve të përgjithëshme, po vetëm një bisedim i rëmbyer hollësirash, detajesh.
Për shembëll, le të marrim reformën e kodit. Pse duan t’a reformojnë dhe me cc’frymë do t’ reformohet? S’meret vesh mirë. A duan t’a shkurtojnë kodin dhe t’i përmbledhin gjithë kanunet në një pakicë faqesh, sicc bëri tani shpejt Japoni, gjë për të cilën ky vent u lëvdua nga juristët, se shumësia e kanuneve është një sëmundje dhe një pengim? Po të kishin një ide t’atillë reformatorët t’anë, ahere ja një fill udhëheqës, një mendim i përgjithëshm: arsyeja e reformës do t’ish simplifikimi. – A duan t’i lënë më tepër liri njeriut dhe të shkurtojnë gjer në kufirin më të ngushtë nërhyrjen e Shtetit në punët individuale, dhe jo si në Prusi ku për të ndruar odë duhet të kërkosh leje nga opolicia, sistem skllavërie i kopiuar gjer më një pikë dhe nga Turqia? Ja përsëri një fill udhëheqës: zgjerimi i lirive individuale dhe pakësimi i pengimeve të vëna nga Shteti. – A duan të kenë kanune më elastike, më t’ epëshme, dhe jo rigide pa nevojë, – si për shembëll në Skolland ku ka shumë forma martese: përpara një njeriu feje, ose përpara registar-it, ose përpara miqsh të thirur si dëshmonjës në shtëpi, etj., të gjitha forma legale, kurse në Francë ka vetëm një formë legale dhe do s’do je i shtrënguar t’i bindësh asaj forme? Ahere, ha bhë thatër fill udhë-heqës: të reformuarit e kodit për të kallur ane mb’anë një epërsi më të madhe në formalitetet. Munt të vazhdojmë duke dhënë shembëlla të tjera. Këto arrijnë për të treguar se një reformë, që të jetë reformë e dobishme, duhet të ketë një fill udhëheqës, një frymë përmirësonjëse të re. Në këtë reformë të kodit, s’shohim për kundrë veç se një ndryshim. Po çdo ndryshim nuk është doemos një përparim. Dhe po të përmbledhim fjalët e reformonjësve dhe fjalët e kundërshtarëve do të gjejmë këto mendime: Reformonjësit duan t’a reformojnë kodin e sotmë se s’janë mësuar me të, kundërshtarët e mprojnë se janë stërvitur pas tij. As gjë tjatër.
Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimi i përgjithëshëm; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: – ato janë dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e shvillimeve në të katër vjetët e fundit. Patmë këto ditë një provë tjatër në të “themeluarit” e dy “partive” të “ra”. Asnjë nga këto të dy “parti” s’ka nonjë gjë të re brenda, as njerës të
rinj as parime të ra: njerëzit jan’ ata që i kemi njohur në disa partira të tjera, – parti “‘nacionaliste”, “popullore”, “përparimtare”, “liberale” dhe s’di se ç’emëra të tjera me -ore, -are, -ale ose -atre: po kurdohere ”the same old damned thing”, një grup njerëzish që nuk i lith as një e shkuar e përbashkm: as dashuria për një ideal të përbashkët, po vetëm ca inate e ca interesa të çastit. E vetëma gjë e re ketu jan’ emërat e “partive”, emëra që s’kan’ asnjë kuptim të caktuar: fjala “demokrat” ësht’ aq’ elastike, sa ka ngjarë shumë herë të meret për flamur mbulonjës nga reaksionarët më të tërbuar; sa për fjalën “radikal”, kjo ësht edhe me elastike, -aq’ elastike sa më Sërbi “radikale” një kohë quhej partia rusofile, në Francë “radikale” ka qenë partia që lëftonte lidhjen e Shtetit me Kishën Katholike, n’Ingli “radikale” jan’ ata liberalë që anojnë nga partia e punëtorëve, dhe n’Amerikë më në fund fjala “radikal” është një emër i mbuluar për të thënë socialist. Aqë kuptime sa edhe vende. S’munt të mohojmë se në të dy “partitë” që u themeluan ka njerës të mirë; përveç kësaj, sekretarët që të dy partive janë miqatë t’anë, dhe nukë munt të vënë në dyshim kthiellësin’ e qëllimeve të tyre. Po dhe njerës të mirë shumë herë bien viktima të rrethit e të rasteve. Themelimi (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i të dy partive të ra, nuk është veç se një lodrë fjalësh, – një ndryshim etikete, ndryshim që Shqipëtarët pas zakonit të tyre e kujtojnë përparim. Po a do t’ gënjehet Populli? Besoj që jo.
Besoj që Populli kur të shohë se gjith’ ata njerës që i kanë dalë një mot më parë n’emër të një partie tjatër dhe tre vjet më parë n’emër të një partie tjatër prapë, do të thotë me vete të tij se këta njerës tallen me të, dhe do t’u kthejë kurrizin. Dhe do t’ votojë pas mendjes tij, – do t’votojë për njerëzit e “ndershëm”, pa vënë re maska, etiketa, dhe emëra. Kemi shvilluar shumë herë në këto shtylla mendimin që një vent nukë munt të qeveriset mire po s’pati dy parti t’ organizuara, po parti në kuptimin e vërtetë të fjalës, do me thënë parti që kanë një parim udhëheqës të kthiellt, një program me hollësira të caktuara mirë, me anëtarë besnikë e të patundur, dhe me një kryetar të njohur e të dëgjuar. Që të gjitha këto mungojnë në Shqipëri. Dhe kur na çfaqen dy parti pa kokë, pa trup, dhe veçan pa frymë, besojmë se nuk do t’gënjehet njeri me etiketa, – etiketa që janë dhe fallse, se etiketa e vërtetë e që të dy partive në fjalë duhej t’ish “konservative e matur”; që t’i çquajme duke marë hua një fjalë nga jargoni i parlamentit të Francës, njëra munt të quhet “parti centre-gauche” dhe tjatëra “parti centredroit’: S’shohim, gjë tjatër n’ato “partira”.
Po pse te humbasim kohën? Populli u ngop me gënjeshtra. Ka humbur besimin në politikanët. Dhe Populli s’ka aspakë faj, se politikanët më të vërtet s’meritojnë aspakë besim. Aherë ç’do të dalë nga zgjedhjet? Hiç gjësendi. Populli shqipëtar – si popujt e tjerë të Ballkanit, si Grekët për shembëll që një-qint vjet me radhë s’kanë patur veç se partira personash, “Trikupiste” dhe “Delijaniste”, “Venizeliste” dhe “Kostandiniste” – do t’ grupohet pas personave. Populli Shqipëtar do t’votojë për njerëzit “më të ndershëm”, dhe Perëndia e di se ç’farë njerës jan’ ata që Populli i gjykon të ndershëm.
Përpara një kauzi ballkanik si ky, është më kot të thajmë gurmazin duke predikuar në shkretëtirë. Besojmë se detyra e vatrës është paskëtaj të rij’ e paanëshme, duke stërvitur Popullin për një të nesërme më të kthiellt dhe duke përkrahur, çdo guvernë që të japë ca garantira të paka ndërgjegjjeje dhe pune, pa kërkuar nga ky brez i korruptuar gjëra të pamundura.

Botuar më 1924

Filed Under: Editorial, Politike Tagged With: Faik Konica, shqiperia, u ngjall nga idealistet, u vra nga Politika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT