• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARET E AMERIKES KREMTOJNE PASHKET

April 5, 2015 by dgreca

Panoramë shumë e bukur e kremtimit të Pashkëve nga besimtarët shqiptarë në SHBA/
Shkruan: Beqir SINA – New York/
Gëzuar Pashkët! Happy Easter!
NEW YORK CITY : Pashkët Kataolike kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq – janë duke u kremtuar me gëzim të madh edhe në mesin e katolikëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, sidomos në dy vendvendosjet më të mëdha të tyre, në zonën e Detroitit – Michigan dhe zonën e Tri-Shteshit – New York, New Jersey dhe Connecticut.
Kjo, panoramë e bukur festive pasqyrohet mjaft mirë edhe në informacionin e përcjellur në faqet e interrnetit, rrjetet sociale face book dhe tweeter, të kishave shqiptare katolike në SHBA, ku tregohet se celebrimet dhe krimtimet kudo janë madhështore, në kishat katolike shqiptare, nëpër Amerikë, duke iu bashkuar kështu kremtimeve në të gjithë botën katolike, kryqetërthor rruzullit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe viset shqiptare dhe diasporë.
Më së miri këtë fakt, e shohin në videot dhe fotografite e hedhura sot në rrejetin social facebookun të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës – Our Lady of Schodra – (https://www.facebook.com/albanianchurch?fref=ts), ku shikojmë se mesha qendrore e festës, është kremtuar të shtunën, më 4 prill, në orën 21.00, duke gëdhirë e Diela e Madhe e Pashkëve.
Ndërkohë, që po sot Ditën e Pashkëve, të dielën, më 5 prill, po në këtë kishë, kryefamullitari Dom Pjetër Popaj, dhe ndihmësi i tij Dom Viktori, kremtojnë së bashku me besimtarët e tyre, meshën në orën 09.00 dhe 12 të mesdrekës, sipas traditës së kësaj kremte të madhe.
Çka, ajo duket qartë edhe në pamjet filmike , ku në Kishë për të celebruar së bashku Pashkët, janë mbledhur mijëra besmitarë katolikë shqiptarë, të cilët mbasi kan qendruar mbrëmë deri vonë në meshat madhore për Pashkët në Kishën Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – Our Lady of Shkodra në Harstdale në Nju Jork, përsëri sot u mblodhën së bashku me fëmijët e tyre në të Dielën e Pashkëve.
Ku, simbas traditës, dhe kryerjes së këtij riti fetar katolik në liturigjinë e tij meshtari i saj Dom Pjetër Popaj – thotë ndër të tjera se :”Ndihma jonë është në emër të Zotit, i cili krijoi Qiellin dhe Tokën! O Zot dëgjoje britmen time dhe ajo të mbrrijë tek Ti! O Ati Ynë bekojë gjithë këtë ushqim, bukën, vezët dhe djathin dhe ushqimet e tjera që kemi përgatitur për këtë festë dhe na bën që në dashuri me gëzim t’i kremtojmë këto Pashkë – Na përmbush me fuqin tande që qysh tani te jetojmë me Krishtin dhe duke u ringjallemi me Të, që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!”
Më tej, Dom Pjetër Popaj lutet, duke thënë: “Zoti qoftë me Ju! ju bekoftë Hyji i gjithpushteshëm: Ati e biri e Shpipri Shenjt. Zoti ju ruajtë dhe për shumë mot dhe më gëzime – për shumë vjetë dhe Gëzuar Pashkët! të gjithë besimtarëve”,
Kurse, në fund të meshës famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, thotë se :”Meqënse, kjo natë është nata e felënderimit – dhe falënderojmë Zotin për ringjalljen e Krishtit prej së vdekurit që është shëlbimi ynë, shpresa jonë për jetën e amshueme. Dhe, ne ju falënderojmë të gjithë ju besimtarëve, sikur meshtarët e juaj, për shembullin e mirë që jepni, për inspirimin që keni ndaj një feje të dallueme tuajën, që vazhdimisht e tregoni me bujarinë tuaj të pashterrshme, solidaritetin dhe besnikërinë tuaj – Shumë ju falëmi nderit, ne sikur meshtarët tuaj – shërbëtorët tuaj gjithmonë e ndijemë veten edhe më të gëzueshëm kur ju shohim ju të gëzueshëm dhe jeni aq afër Zotit dhe aq afër njëri tjetrit. Dhe një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kan ndihmuar këtë Meshë të Madhe dhe për shumë vjetë dhe Gëzuar Pashkët! të gjithë besimtarëve”.

Pashkët të cilët simbas riteve nisën ditën e Ejte, sot, të Dielën, kan vazhduar me dy mesha të Shejta dhe gjatë gjithë ditës, besimtaret shkëmbejn dhe thyejn vezët mes tyre – deri tek banketet e shtura dhe të mbushura përplot me ushqime, të ndryshme në mjediset familjare, drekën e Pashkës – një drekë e veçantë, kjo e cila dallohet për gatimet tradicionale të krishtera – dhe më pas daljet familjare nëpër pikniqe në parqet e qyteteve për reth qendra të banimit dhe vizita tek njëri tjetri.
Një foto album në adresën e internetit të kishës Our Lady of Schodra shihet si është përcjell me një gëzim të madh edhe kremtimi Pashkëve Katolike në mesin e fëmijëve shqiptar në Amerikë, Të cilët kan zgjedhë diçka argëtuese sipas traditës së Pashkëve, për të bërë edhe më të bukur dhe kremtuar së bashku me prindërit e tyre të Dielën e Pashkëve. Fëmijët e veshur bukur me shportat me vezët me të gjitha ngjyrat, e kan bër këtë ditë festive të Pashkëve edhe më gazmore – më të mrekullueshme, për të gjithë fëmijët katolik në Nju Jork, që përfshin zonën e Tri Shtetshit .
Në hyrje të Kishës “Our Lady of Schodra”, i veshur me një mbulesë artizanale Lepuri i Pashkëve- Easter Bunny” i cili është një element kryesor kryesor i Pashkëve në shumë mjedise të krishtera, sot anembanë botës, është pjesë edhe e fëmijëve shqiptarë. Ai ishte duke qëndruar në oborrin e Kishës, teksa mbante të fshehur në shportë të madhe, vezë për ata që ai i quan fëmijët e mirë dhe ka lënë atyre nëpër shportat e tyre të Pashkëve edhe me ndonjë lodër dhe ëmbëlsira.
Megjithatë, duke e përshkruar atmosferën madhështore të kësaj kremte të madhe , duhet cekur se një pjesë besimtarëve, kan zgjedhur, edhe një nga mënyrat e tjera për të festuar me të afërmit e tyre , teksa kan vendosur,të festojnë Pashkët, edhe me vizitat tek familjarët e tyre, ose të dalin shëtitje më fëmijët jashtë në fushat e lojës dhe parqe, kopshte zoologjike dhe vende të bukura të tjera në qytetin e Nju Jorkut, e për rreth tij
Në facebookun Our Lady of Schodra (https://www.facebook.com/albanianchurch?fref=ts),Kryetaria e Këshillit të Kishës, Margarita Gazivoda Kocovic, mbasi ka uruar “Për shumë vjet Pashkët!”, shkruan në postimin e saj se :”Pashkët jane simbol i triumfit të jetës, ringjalljes se shpresës. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Ai na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të veçantë me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij pas kryqëzimit, për të ndryshuar boten.
Gëzuar Pashkët të gjithë!Ringjallja e Jezusit u sjelltë bekim dhe paqë në familjet tuaja! thotë Kryetarja e Këshillit të Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në New York, Margarita Gazivoda Kocovic

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, kremtuan Pashket, Shqiptaret e Amerikes

A E DINI?- Si u ndërtua Monumenti i Çerçiz Topullit me kontributin e shqiptarëve të Amerikës ?

March 31, 2015 by dgreca

Ideja për ndërtimin e statujës së Çerçiz Topullit u dha, që kur ai ishte gjallë, nga shqiptarët e Amerikës, në maj të vitit 1908, në gazetën “Kombi”, që botohej në Boston, më pas gazeta Dielli, që zëvendësoi Kombin dhe që nisi botimin me 15 Shkurt 1909, disa here u bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës, vecanërisht gjirokastritëve, që ta mbështesinin këtë projekt për të nderuar heroin Kombëtar.
Më pas në gazetën “Labëria” të Gjirokastrës, më 11 korrik 1925, në nr. 13, ku thuhej: “Pyesim bashkinë tonë ç’bëhet për statujën që do t’i ngrihesh të ndjerit Çerçiz Topulli?”
Populli i Gjirokastrës për të nderuar dëshmorin e kombit dhe për dashurinë e respektin që kish për të vendosi që me çdo kusht të ngrinte statujën e tij. Këtë nismë e mori Xhevat Kallajxhiu, drejtor i gazetës “Demokratia” të Gjirokastrës. Ai më 19 shkurt të vitit 1928, organizoi një mbledhje për këtë qëllim, në sallën e kinema “Ideal” të qytetit, ku merrnin pjesë shumë qytetarë gjirokastritë si dhe të ftuar nga qytete tjera të Shqipërisë.
Z. Xhevat Kallajxhiu, duke hapur mbledhjen tha: “Çerçiz Topulli është një glorie për qytetin tonë, i cili në kohën kur Shqipëria vuante nën thundrën e osmanëve, me pak trima bëri që malet e Shqipërisë të oshëtijnë nga zëri i nacionalizmës shqiptare që sapo zgjohesh nga apioni i një robërie pesë shekullore. Ai luftoi si hero dhe vdiq si hero. Na takon detyra që emrin e Çeços, i cili ështe simbol patriotik i ndritur për gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht për Gjirokastrën, ta jetësojmë në një mënyrë të prekshme e t’u tregojmë brezave se edhe qyteti i shpatajve pati trimat dhe dëshmorët e tij për idealet e kombit.”
Në këtë mbledhje u vendos për ngritjen e statujës së Çerçizit dhe, me propozim të z. Xhevat Kallajxhiu, u krijua komisioni i posaçëm, i përbërë prej këtyre zotërinjve: Beso Gega, kryetar, Galip Çano, nënkryetar, Vasil Lito, Aleks Çaçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmaz Haderi, Bame Mezini; Xhevat Kallajxhiu, sekretar-arkëtar.
Komisioni lëshoi një thirrje drejtuar popullit të Gjirokastrës.
Nisma e marrë për ngritjen e statujës së Çerçiz Topullit prej popullit të Gjirokastrës qe një vepër respekti dhe dashurie për birin e tij, për sakrificat e tij për lirinë e Shqipërisë. “Populli i Gjirokastrës ishte shumë i kënaqur për këtë vepër të lartë dhe kudo bisedohej me gjallëri në shtëpira e lagje, në zyra e kudo…”, do të shkruante gazeta “Tribuna” në Bukuresht, më 1 qershor 1928.
Statuja do të ngrihej me fondet e qytetarëve të Gjirokastrës. “Brengat e shtetit të ri shqiptar nuk e lejuan qeverinë që të kontribuonte në këtë vepër simbolike…” Do të deklaronin zyrtarët e lartë. Gjë vërtet e çuditshme, kur parlamenti mblidhej për të caktuar rrogat e ministrave dhe deputetëve, apo të ardhurat speciale të familjes mbretërore, kur vetëm një princeshe i caktohej kuota 100.000 fr. ari në vit.
Në këtë mbledhje u hap edhe fushata e ndihmave, realizimi me sukses i së cilës dëshmoi gatishmërinë e gjirokastritëve për këtë vepër madhështore, si edhe patriotizmin dhe vlerësimin e lartë që kishin për bashkatdhetarin e tyre hero.
Të gjitha shpenzimet u përballuan nga gjirokastritët. Në pamundësi të shënojmë këtu listën e gjatë të emrave, po përmendim vetëm disa prej tyre: Hirësia e Tij, At Mehmet Lutfi, i teqes Kajquzez të Misirit, nga familja e Lamkajve të Dunavatit dërgoi 400 fr. ari. Hirësia e Tij, At Sulejmani, dha 240 fr. ari. Zotërinjtë Fejzi Alizoti, Remzi Kadarea, Zyhdi Karagjozi, Elmas Haderi, Sami Karagjozi, nga 200 fr. ari; zotërinjtë Aleks Caci, Bilal Topulli, Mersin Sejdo, Xhevdet Xheneti, Foto Tola, Vasil Lito e Reuf Fico, nga 100 fr. ari, etj., etj.
Me këtë nismë vrapuan të shoqërohen edhe gjirokastritët e mërguar në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës. Të organizuar në shoqërinë “Drita”, ata kontribuan me rreth 1500 dollarë.
Komisioni u lidh me skulptorin e ri, Odise Paskali, i cili mori përsipër skicimin, projektin dhe realizimin e monumentit të heroit, në Torino të Italisë. Monumenti do të derdhej në Bronx, me një lartësi 2.70 m., dhe do të kushtonte 8.000 fr. ari. Piedestali prej mermeri do të bëhej 2.60 m. i lartë dhe do të kushtonte 3000 fr. ari. Kështu, monumenti do të kushtonte gjithsej 11.000 fr. ari.
Skulptori Odise Paskali, në saje të dëshirës së lartë për të kontribuar në këtë ndërmarrje fisnike dhe mjeshtërisë së tij, arriti të realizojë një vepër me vlera të larta aristike dhe edukative.
Realizimi i monumentit, në atë kohë paraqiste edhe vështirësitë e punës, mbasi skulptori Odise Paskali punonte në Torino. Kështu u deshën 6 vjet për ta kryer atë. Koka në gips u dërgua në Gjirokastër për të marrë pëlqimin e komisionit, në janar të vitit 1932. Piedestali prej mermeri u porosit në Korfuz dhe kushtoi 31.000 dhrahmi. Nën kujdesin e z. Jani Papallopulli, monumenti përfundoi në nëntor të vitit 1933 dhe erdhi nga Torino në Sarandë.
Teknikët për ngritjen e monumentit u sollën nga Korça. Ngritja e piedestalit iu ngarkua arkitetktit italian, z. Vitalino Poselli. Komisioni vendosi që inaugurimi të bëhesh më 28 ëntor 1933, por dolën vështirësi të tjera për transportin, doganën, pagesat e punëtorëve e deri te miratimi nga qeveria i vendit të ngritjes së monumentit.
Për inaugurimin e monumentit u krijua një komision tjetër, i cili mori masa të gjithanshme për të festuar me madhështi ditën e 18 marsit të vitit 1934, ditë në të cilën u përurua monumenti.
Sheshi para bashkisë dhe për rreth saj, rrëzë e sipër Kalasë qe mbushur plot me njerëz. Përpara monumentit qëndronin autoritetet civile e ushtarake, kryetarët e feve, nxenësit e shkollave, një togë xhandarësh, paraushtarakë dhe përfaqësues të prefekturave e bashkive të krahinave të tjera.
Në ballkonin e bashkisë kishin zënë vend të afërm të familjes së Topullinjve dhe fisit të tyre. Z. Beso Gega, në emër të komisionit të posaçëm të përmendores, I dorëzoi kryetarit të bashkisë statujën e dëshmorit. Kryatari, z. Sami Kokalari, falënderoi komisionin dhe zbuloi statujën dhe, pasi banda muzikore e qytetit ekzekutoi Himnin e Flamurit, mbajti fjalimin e rastit. Në emër të familjes Topulli, falënderoi z. Masar Topulli. Të gjitha fjalimet e oratorëve u pritën me duartrokitje dhe brohoritje nga populli. Një grup djelmoshash të veshur me kostumin kombëtar hoqën valle, duke kënduar këngën “Te Rrapi në Mashkullore”.
Në emër të qeverisë mbretërore, që përfaqësohej nga prefekti, z. Siri Leskoviku u vu tek monumenti një kurorë. U vendosën më shumë se dyzet kurora. Shquheshein, ajo e bashkisë së Gjirokastrës dhe e bashkive të qarkut dhe katundeve të Dropullit. Pastaj bashkia priti vizitat e autoritetevve dhe të popullit.
Me këte rast, shumë intelektualë, të rinj, poetë e shkrimtarë thurën shkrime e poezi kushtuar Çerçizit. Mund të dallojmë ato të Petro Markos, Jahja Govaçit, Ramiz Harxhit, Nestor H. Mukës, Sterio Spasses, Telo L. Dilos, Ethem Haxhiademit, etj.
Bajo Topulli

KENGE POPULLORE PER ÇERQIZ TOPULLIN

Dunavat një rrëzë mali

Dunavat 1) një rrezë mali
Ç’bën, moj, mos të mori malli,
Për ata të di luanë,
Çerçiz Topullin me armë
Për Çeçon e për Zenelë 2),
Zenel Bejkua me penë,
I bënte shumë limerë,
Për ushqim e xhephanenë,
Shkëmb më shkëmb, ferrë më ferrë,
I gjen Çeçua kurdoherë,
Bashkë me Mihal Gramenë.

Ç’thonë për këtë sene?

-Ç’thonë për këtë sene?
-dolli komita e re,
dolli komita nashtinë,
Çerçiz Topulli në brinjë,
Mihali me Hito Habilë
Vranë bimbash turçelinë.
Ç’i bënë plane të fortë,
Te huqumeti në portë,
Ç’e vranë, hallall u qoftë!
Dy revole mu në kokë.

Ergjëri në kasaba

Ergjëri në kasaba,
E ç’domuz bimbash u vra,
Kush e vrau axheba?!
Çerçizi me vasilta.
Tek i dhanë temenanë:
– Prite, o bimbash, i thanë.
Çerçizi, përtej në Xanë 3),
Në huqumet vë nishanë,
Copë-copë ia bëri xhanë.

Dolli shkurti, ryri marsi

Dolli shkurti, ryri marsi,
Gjirokastër u vra bimbashi.
Nga Janina vjen mazapi,
Në Mashkullorë, te Rrapi 4).
Te Rrapi, në Mashkullorë,
Foli Çerçizi me gojë:
– Mylazim-o, hiq taborrë,
Lëri djemt e mi të shkojnë,
Do t’ju kuq kokën me bojë!

Do ta mbush Rrapin të vrarë

Proto marsi, në të hirë,
Asqer nga Janina vijnë,
Në Mashkullorë, në brinjë,
Rrethosnë fshat’ e xhaminë
Lidhnë pleqt’ e parësinë:
– Komitat-o këtu rrinë!
– Vallahi, që ne s’i dimë!
Në sabah e ndaj të gdhirë,
Zunë borit’ e po bijnë:
Panë komitat që dilnë.
Zabiti vuri dylbinë,
Njohu Zenon e Çerçizë.
Mu te Rrapi, më të dalë,
Hodhë bataren’e parë,
E goditnë Hajrullanë.5)
Dhe Çerçizi tha dy fjalë:
– Vërtet Hajredin’e vranë,
Por hakën s’ja le pa marrë,
Në mazapë e në xhandarë,
Do ta mbush Rrapin të vrarë!
Lule, Çerçiz Topulli,
Vulose për Shqipëri.
Shënime: 1-Lagje e Gjirokastrës.
2-Aktivist i lëvizjes së çlirimit kombëtar, që ka ndihmuar çetën e Çerçizit.
3-Breg në anë të sipërme të rrugës që të shpie në Gërhot.
4-Pas vrasjes së bimbashit turk në Gjirokastër, forca të mëdha ushtarake erdhën nga Janina, për të ndjekur çetën e kryengritësve, të cilën e rrethuan në Mashkullorë më 1908.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: Monumenti i Cerciz Topullit, Shqiptaret e Amerikes

Shqiptarët e Amerikës demostrojnë me flamurin shqiptar që fluturoi në stadiumin e Beogradit

October 15, 2014 by dgreca

Fotografitë që po postohen në rrjetet sociale facebook- twitter tregojnë, atë; se futbollistat e kombëtares kuq e zi kanë marrë mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme nga shqiptarët nëpër botë. Ashtu siç tregon edhe kjo fotografi e cila flet më shumë se 1000 fjalë dhe, është duke na treguar me këtë rast se – sa sa është rritur krenaria kombëtare edhe tek shqiptarët e Amerikës/
Nga Beqir SINA – New York/
STATEN ISLAND NY:Siç shihet në një foto të publikuar, sot në rrjetin social facebook – një shqiptarë në Nju Jork, me anë të një stickers të madh – e vendosur në pjesën e xhamit të mbrapëm të një minivene ngjyrë të zezë, ka bërë të ditur se ai ka mbështetur flamurin shqiptarë, me mbi shkrimin Shqipëri Autoktone, dhe Jemi 1- i cili fluturoi në mes të Beogradit, në ndeshjen kualifikuese të Euro 2016, Serbi-Shqipëri – mbrëmë.
Bëhet fjalë për atë sesa krenar janë ndier shqiptarët e Amerikës – kur një drone e telekomanduar në mes të cilës ishte flamuri kombëtar shqiptar, i stolisur me një hartë të kuqe të Shqipërisë Etnike, dhe me mbishkrimin “autokton” (“autoktone”) dhe dy protretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit .
Kjo ndodh ndërkohë, që shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, shqiptarët e Kosovës Lindore, në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri dhe diasporë mbrëmë nën një atmosferë jashtëzakonisht sportive, kanë përcjellë ndeshjen kualifikuese, e vlefëshme për Euro 2016 midis Serbisë dhe Shqipërisë.
Gjatë ndeshjes shqiptarët, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada – kanë krijuar një atmosferë, e cila ka qenë e paparë ndonjëherë, dhe për t’u mbajtur mend gjatë – të paktën kështu ka qenë këtu në Nju-Jork, dhe në vende të tjera – siç treguan fotografitë e postuara në rrjetin social facebook, nga shqiptarët.
Kudo në vendbanimet shqiptare në SHBA dhe Kanada – duket se është ndezur me të vërtet atmosfera e cila ka vazhduar jo vetëm dje në mbrëmje, por edhe pas ndeshjes, derisa sot kudo sheh shqiptarët e Amerikës të veshur me bluzat kuqezi dhe mbajnë në vende të dukshme të makinave të tyre flamurin kuqezi.
Në çdo klub e lokal shqiptarësh, por edhe në shtëpitë e tyre atmosfera e krjijuar, dje gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri, ka krijuar emocione të mëdha kombëtare.
Fotografitë, që po postohen në rrjetet sociale facebook- twitter, po tregojnë atë se futbollistat e kombëtares kuq e zi kanë marrë mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme nga shqiptarët nëpër botë. Ashtu, siç tregon edhe kjo fotografi e cila flet më shumë se 1000 fjalë dhe, është duke na treguar me këtë rast se – sa sa është rritur krenaria kombëtare edhe tek shqiptarët e Amerikës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: demonstrojne, e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit, me Flamurin, Shqiptaret e Amerikes

SHQIPTARËT E AMERIKËS SAPO E KANË NISË FUSHATËN PËR NDËRTIMIN E SHTËPIVE NË KOSOVËN LINDORE

October 12, 2014 by dgreca

Mhill Velaj, Halit Nezaj, Remzi Jakupi-REMI, dhuruan nga 500 dollarë. Pati dhe dhurime të tjera…./
Ashtu sic ishte njoftuar edhe nga Gazeta Dielli online, të Dielën më 12 tetor 2014, në orën 1 pm, nisi takimi i komunitetit shqiptar me përfaqësuesit e Fondit Humanitar të Kosovës Lindore, ardhur nga Zvicra. Takimi u organizua në Monroe College.
Këtë atkim e ka moderuar poetja Makfire Canolli, e cila ka prezantuar mysafirët dhe u ka uruar mirëseardhjen pjesmarrësve.
Ndërkohë në ekrane,është shfaqur montazhi i ekranizuar me vargjet e Mitrush Kutelit:”Të dua baltë shqiptare”, falë kontributit teknik të pedagogut të Monroe College, Haxhi Berisha, i cili siguroi dhe një nga auditorët e kolegjit për takimin me mysafirët shqiptar nga Zvicra.
Adnan Mehmeti, president i shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, i lindur në Bujanoc, ka përshëndetur bashkëvendasit dhe ka bërë thirrje për ta mbështetë aksionin e ndërtimit të 100 shtëpive në Kosovën Lindore, për t’i thënë JO, shpërnguljes së shqiptarëve të atjeshëm dhe për të lehtësuar jetën, brengat e varfërisë të banorëve të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, e ka vlerësuar këtë inisiativë të bashkadhetarëve tanë në Zvicër dhe ka bërë thirrje për ta mbështetë atë. Ai është ndalë gjatë në thelbin kombëtar të kësaj Lëizje Paqsore, që ka nevojë për solidaritet mbarëkombëtar.
Kryetari i Shoqatës së Kosovës Lindore në New York, Shaban Memeti, ka shprehur sigurinë se jo vetëm shqiptarët e Amerikës që janë me origjinë nga Kosova Lindore,(edhe pse ata ishin fare të pakët në këtë takim), por mbarë shqiptarët e të gjitha trojeve amtare, që jetonë në Amerikën Veriore, do t’i thonë “PO” këtij aksioni Kombëtar, që synon të ndalojë shpërnguljen e shqiptarëve nga varfëria dhe papunësia. Së paku t’u sigurojmë njerëzve një kulm mbi kokë, një shtëpi për të jetuar e për t’u lindë shpresat e një jete më të mirë, tha Memeti.
Editori i Gazetës Dielli, Dalip Greca, shfaqi brengosjen e mospjesmarrjes të më shumë bashkadhetarëve dhe organizatave që kanë në programet e tyre cështjen kombëtare. Ky aksion kombëtar, tha ai,përbën një problem madhor kombëtar, që kërkon më shumë përkushtim.Diaspora shqiptare në Amerikë, që e ka treguar veten, nuk mund t’i shmanget. Kombi nuk duhet vec me fjalë. Njoftimi është publikuar me kohë. Është ende në media, mirëpo vetë media e komunitetit nuk është sot e gjitha këtu? Ku janë patriotët? Ne shqiptarët e Amerikës, duhet ta vzhdojmë këtë mision, të vëllezërve tanë që kanë ardhë nga Zvicra si Misionarë Kombëtar, me qëllim që; ata bashkombas që nuk janë këtu për mungesë infromacioni, të bëhen pjesë e aksionit Kombëtar, ndërsa ata që i janë shmangur, të skuqen nga mosqenia këtu sot.
Shaban Lajci dhe Tom Gjergji kanë recituar vargje me ndjenja kombëtare dhe janë duartrokitë. Po ashtu edhe poetja Makfire Canolli.
Kryetari i Fondit Humanitar të Kosovës Lindore, me qendër në Zvicër, Xhelal Memeti, ka dhënë një informacion të zgjeruar të Fondit, i cili ka 16 vite që funksionon dhe ka ardhur duke e rritur veprimtarinë e vet. Kemi marrë aksionin e ndërtimit të 100 shtëpive në Kosovën Lindore, për t’i thënë ndal shpërnguljes, por kemi ndërtuar deri tani 32 shtëpi, tha Memeti. Janë pak për atë cfarë synojmë 32 shtëpi, prandaj kemi ardhë këtu që të kërkojmë ndihmën e vëllezërve dhe motrave tona në Amerikë, nisur edhe nga përvoja historike ndër vite që ka diaspora në Amerikë.
Apeli i kryetarit Xhelal Memeti ka qenë i drejtëpërdrejët. Këtij apeli i kanë mëshuar edhe bashkëudhetarët e tij nga Zvicra, pjesë e kryesisë- Adnan Imeri-sekretari dhe Skënder Ismaili-arkëtari i Fondit, të cilët kanë konkretizuar moton e këtij aksioni Kombëtar:” ”TË NDËRTOJMË, TË SHPËTOJMË, TË PARANDALOJMË”!….
Në fund nisën dhurimet për këtë aksion Kombëtar : Mhill Velaj, Halit Nezaj, Remzi Jakupi-REMI, dhuruan nga 500 dollarë. Pati dhe dhurime të tjera. Aksioni Kombetar vecse sa është hapur, ai do te vazhdojë. Mund të lidheni edhe me Shoqatën e Kosovës Lindore në New York, kryetarin e saj Shaban Memeti ose … Për më shumë www.fondihumanitar.com (Korresp i Diellit)

***
Baltes Shqiptare/
nga Mitrush Kuteli/
Të dua, baltë shqiptare!
të dua
egërisht,
dëshpërimisht –
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën!

Se gjer mbi gju
jam brenda teje;
se lerë kam këtu
si ati,
gjyshi,
stërgjyshi.

Të dua, baltë shqiptare
se gjer mbi bel
dhe përmbi bel.
jam brenda teje;
se lerë kam këtu
si ati,
gjyshi,
stërgjyshi
……………….

Filed Under: Komunitet Tagged With: NË KOSOVËN LINDORE, PËR NDËRTIMIN E SHTËPIVE, SAPO E KANË NISË FUSHATËN, Shqiptaret e Amerikes

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARË

September 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Çdo vit, udhëheqsit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera  shqiptare në Ballkan vijnë në metropolin  amerikan të New Jorkut për të marrë pjesë  në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara  dhe si të ftuar për të marrë pjesë në organizime të tjera siç është mbledhja vjetore e organizuar nga Fondacioni Klinton i ish-presidentit Bill Klinton. Përveç takimeve zyrtare, udhëheqsit shqiptarë marrin pjesë edhe në darka e takime të shumëta të organizuara nga  shoqata dhe organizata të ndryshme, por edhe nga qendrat fetare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Gjatë qendrimit të tyre në Nju Jork javën që kaloi, ata u pritën, ndër të tjera, nga organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, Vatra. U takuan me pёrfaqёsues tё Rrjetit tё Profesionistёve dhe Sipёrmarrёsve Shqiptarё (APEN) dhe gazeta Illyria organizoi një pritje për Presidentin Nishani.  Të gjitha këto pritje e takime arrijtën kulmin me darkën vjetore gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku zakonisht ftohen  udhëheqsit shqiptarë nga të gjitha trojet dhe përfaqsues të gjithë partive politike, në pushtet dhe në opozitë.Kjo është tradita e kështu ndodhi edhe sivjet.Në Nju Jork kishin ardhur, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, udhëheqës politikë shqiptarë nga Maqedonia dhe përfaqsues nga të gjitha trojet tona në Ballkan.  Gjatë këtyre takimeve dhe darkave, përveç se atyre u jepet rasti të takohen me përfaqësues të komunitetit dhe me njëri tjetrin — vizitat e tyre në Amerikë paraqesin gjithashtu një mundësi të mirë që ata të shkëmbejnë mendime me shumë  politikanë e diplomatë amerikanë, miqë e dashamirës të shqiptarëve, të cilët gjatë dekadave të fundit kanë punuar në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së shqiptarëve kudo.

Udhëheqsit shqiptarë gjatë kësaj jave përfaqësuan Shqipërinë dhe Kosovën para botës dhe para Amerikës.  Ata u prononcuan për median si në intervista dhe në fjalimet e tyre, se kishin siguruar përkrahje nga udhëheqsit botërorë dhe amerikanë me të cilët u takuan.  Ata theksuan “mbështetjen”, nga udhëheqës ndërkombëtarë me të cilët patën takime dhe bënë bisedime për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit.

Por ishin takimet dhe shmallimet me komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston, Detroit dhe në Nju Jork, në lokalet dhe në qëndrat fetare ku ata u pritën si vëllezër e motëra, ato që dallojnë në mënyrë të mallëngjyeshme këto takime, e pse jo edhe festime, që organizohen njëherë në vit në Nju Jork.  Si çdo vit, edhe sivjet, në fund të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, në këto darka e takime me shqiptaro-amerikanët, duket sikur midis politikanëve shqiptarë nga të gjitha trevat — të pakën për një moment dhe larg problemeve në vend — thyhet edhe akulli politik midis tyre. Kështu, siç duket ndodhi të premtën mbrëma në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku të gjithë ishin ulur së bashku rreth një tavoline të gjatë. Nuk është e qartë nëse kishte ndonjë shkëmbim bisedash midis protagonistëve të ndryshëm, por  megjithëkëtë është shënjë e mirë se të pakën nuk refuzuan të uleshin ball për ball në të njëjtën tavolinë, gjë që mund të mos ndodhë në vendlindje.

Për këtë dhe për faktin se rreth asaj tavoline ishin shqiptarë nga të gjitha trevat dhe shumë miq amerikanë, këto darka e takime kanë një rëndësi të lartë simbolike, sepse duket sikurë përtrijnë dhe nënvijojnë faktin e vëllazërimit dhe bashkimit mbarë shqiptar, megjithë ndryshimet politike, krahinore e fetare, që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve, sidomos konfliktet politike. Ndoshta simbolizmin përbashkues të këtyre takimeve e shprehu më së miri, Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Nju Jork, i cili në darkën e Vatrës,  shtruar për nder të Presidentit Nishani dhe delegacionit të tij, u shpreh duke thënë se “Si shqiptarë,  jemi të përbërë prej dy besimeve, të Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm.  Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të përbashkët. Kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur.  Kemi dy shtete, por një Komb.  Kemi një hero Kombëtar Kastriotin dhe një të Lumturën Nëna Terezën.  Ne, në diasporë, gjithmonë kemi treguar solidaritet ndaj vendit tonë duke qëndruar pranë njëri tjetrit.  Si fetarë të besimeve të ndryshme qëndrojmë një me Zotin dhe një me popullin.

Theksojmë gjërat që na bashkojnë dhe jo gjërat që na ndajnë”.

Ne këtu në Amerikë, jemi nga të gjitha trojet tona, nga të gjitha krahinat dhe i përkasim feve të ndryshme.  Natyrisht se si në çdo komunitet tjetër, ekzistojnë mosmarrveshje dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i ka problemet e veta.  Madje këto mosmarrveshje shpesh pasqyrojnë konfliktet dhe grindjet politike në Atdhe.  Por megjithë ndryshimet politike e të tjera, në raste, kur është nevojitur bashkimi i komunitetit për t’i ardhur në ndihmë çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanët kanë theksuar të përbashkëtat dhe jo ato që i ndajnë.

Kjo përkrahje dhe “mbështetje” që  zyrtarët shqiptarë thonë se siguruan, sidomos gjatë takimeve me autoritetet amerikane në vizitat e tyre në këtë vend, ndodhë për faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan ka vazhduar të jetë i bashkuar për çështjet madhore dhe interesat e kombit, duke ua paraqitur atyre hallet tona me një zë dhe pa kurrfarë interesi personal, por vetëm e vetëm në mbështetje të interesave kombëtare të popullit shqiptar kudo qoftë.  Ky aktivitet i komunitetit shqiptaro-amerikan e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar me Fan Nolin e Faik Konicën dhe me përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahjen amerikane për pavarësinë e Shqipërisë dhe ka vazhduar deri në ditët e sotëme për të fituar mbështetjen e qeverisë, Kongresit dhe të popullit amerikan, fillimisht për çlirimin dhe më në fund për sigurimin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.  Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama folën për sukseset dhe arritjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme, por nuk ka fushë më të sukseshme dhe as më të rëndësishme, të pakën deri tani, se sa bashkimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në çastet kur e ka thirrur fati i Kombit.

Pa marrveshje dhe bashkpunim serioz midis shqiptarëve dhe sidomos të faktorit politik shqiptar për fatin e kombit dhe për zgjidhjen e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët kudo, “mbeshtetja” nga jashtë, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë, shpeshëherë edhe pa e pasur atë, nuk vlen pesë pare.  Edhe regjimi i Enver Hoxhës kishte përkrahjen nga jashtë, fillimisht të komunistëve jugosllavë, sovjetikë e pastaj të kinezve, por ishte në luftë të përhershme me vetveten dhe me popullin e vet.  “Mbështetja” nga jashtë vlenë vetëm atëherë kur të asgjësohen konfliktet politike të mbrendshme, kur të zhduket gardhi shpirtëror dhe të krijohet një frymëmarrje e lirë për të gjithë Shqiptarët, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, në mbështetje të vërtetë të lirive dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë dhe të interesave kombëtare, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit.

Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për mbështetjen e miqëve, por Shqipërinë do ta bëjnë vetëm Shqiptarët, mbi të gjitha, në bashkpunim dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, duke vlerësuar lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, respektin për njëri tjetrin dhe për mendimet e njëri tjetrit.  Është në dorë të vet shqiptarëve kudo që janë sot – në diasporë dhe në trojet tona në Ballkan — që të largohen nga ajo që disa thonë se është “nama” që mund të na ketë ndjekur gjatë gjithë historisë.  Për ndryshe, nëqoftse nuk vlerësojmë dhe keq përdorim dhuratën e lirisë që sot gëzon kombi shqiptar mund të na dënojë i Madhi Zot, sipas vjershës tronditëse të Fan Nolit, “Moisiu në mal”.  Edhe Perëndia mund të na përgjigjet ashtu si iu përgjigj Moisiut, i cili i kërkonte atij tokën e premtuar për veten dhe izraelitët, për të evituar mërgimin e përjetshëm dhe jetën në skllavëri, i Plotfuqishmi i përgjigjet atij me zemërim në përshkrimin plot trishtim të  vjershës së Fan Nolit:

“Ti dhe të tjerët, pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!”

Me gjithë të metat e tyre, takimet vjetore të udhëheqsve shqiptarë me komunitetin shqiptaro-amerikan mbartin vulën e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve pa dallime politike, krahinore apo fetare, duke e gëzuar lirinë së bashku për herë të parë, pas rrethanave fatmjera që na kanë ndarë për aq kohë të gjatë.  Kështu ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në Nju Jork dhe në qytete të tjera amerikane. Shpresojmë që këjo traditë plotë bujari të vazhdohet këtu në Amerikë dhe të përsëritet edhe në trojet tona dhe kudo në botë ku ka shqiptarë, si një frymëzim për qëllime të larta kombëtare dhe për lartësimin e emërit shqiptar kudo, por mbi të gjitha në trojet tona.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe politikanet shqiptare, Frank shkreli, Shqiptaret e Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT