KRYEQYTETI I KOSOVËS ME SHTATORE TË TRE PERSONALITETEVE AMERIKANE: CLINTON, ALBRIGHT DHE PREJ SOT DOLE-
-Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole u përurua sot në Prishtinë në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Gjatë ceremonisë, Senatori Amerikan Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve/
-Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Elmi Berisha dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari folën në ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e Senatorit Amerikan Bob Dole/
-Kryeministri Hoti: Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-ve që e kanë vizituar Prishtinën dhe Presidentin historik Ibrahim Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës-
-Ministrja Haradinaj Stublla zbulon pllakën përkujtimore për të kujtuar vizitën në Kosovë të senatorëve amerikanë më 29 gusht 1990, ditën kur bota nuk heshti më ndaj shkeljeve e krimeve të regjimit serb…
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 30 Gusht 2020/ Në Prishtinë sot u përurua shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vendimi për ndërtimin e shtatores për një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës ishte marrë më 22 Korrik 2019 me rastin e ditëlindjes së Senatorit Dole.
Kjo është shtatorja e tretë e personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.
Në Prishtinë në 1 Nëtor 2009 është përuruar Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij, ndërsa në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë u bë edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj. Clinton mori pjesë në të dy përurimet, ndërsa Albright në përurimin e bustit të saj.
Gjatë veprimtarive të ditës së sotme në sheshin qendror të Prishtinës nga kaloi para 30 viteve delegacioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbulimin e pllakës përkujtimore e bëri Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla.
Poashtu në Shesh, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit hapi ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit Amerikan që kishte mbërritur në Kosovë në 29 Gusht të vitit 1990.
KRYEMINISTRI HOTI: SENATORI DOLE-SHEMBULL I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR PËR VENDIN NË LUFTË DHE NË PAQE
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, mori sot pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të Senatorit Amerikan Bob Dole, në lagjen Dardania të Prishtinës.
Kryeministri Hoti duke folur për figurën e senatorit Dole, theksoi se ai është një person që po të lexosh CV-në e tij, punën e tij, pa dyshim që impresionohesh. Kryeministri Hoti u shpreh i bindur që secili nga ne e merr si simbol dhe shembull të përkushtimit se si duhet të ketë një politikan, një atdhetar për vendin e vet në luftë dhe në paqe.
“Unë jam i bindur që ky bust këtu të jetë vend ku edhe gjeneratat e ardhshme do të mësojnë për historinë e tij, historinë e ndërtimit të miqësive në mes të dy popujve tanë dhe do të inspirohen për kontributin dhe dedikimin që duhet të kemi secili nga ne për vendin tonë”, tha Kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti veçoi se Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-ve që e kanë vizituar Prishtinën dhe Presidentin historik Ibrahim Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vërtet është nder i veçantë për mua që sot së bashku e zbulojmë këtë bust. Le të mbetet ky vend, kjo simbolikë e nderit e miqësisë së përhershme e popullit të Kosovës me popullin e SHBA-së”, përfundoi Kryeministri Hoti, theksohet në komunikatën e dërguar nga Qeveria e Kosovës.
ODA AMERIKANE DHE QEVERIA E KOSOVËS INAUGUROJNË BUSTIN E SENATORIT BOB DOLE
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në komunikatën e dërguar thekson se në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës mbajtën sot ceremoninë e zbulimit të bustit të mikut të shqiptarëve, Senatorit Amerikan Bob Dole, në shenjë mirënjohje për punën e tij të palodhshme dhe rolin e tij në pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
Gjatë kësaj ceremonie, Senatori Amerikan Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi se është nder i veçantë për Odën Amerikane të jetë pjesë e këtij aktiviteti mirënjohës për punën dhe kontributin e Senatorit Bob Dole, i cili është një hero i veçantë në Kosovë. Ai tha se jehona e vizitës së Senatori Dole dhe gjashtë senatorëve të tjerë tridhjetë vite më parë në Kosovë i dha drejtim tjetër rrugëtimit të Kosovës drejt çlirimit, pavarësisë, dhe hapjes së mundësive për ndërtimin e një shteti demokratik.
“Busti është edhe rikujtim i përgjegjësisë për ne dhe gjeneratat pas nesh për të kujtuar dhe shprehur mirënjohjen tonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre të vazhdueshëm në procesin e krijimit dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës”, theksoi Zeka.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesia e tij Philip Kosnett, theksoi se ndihet i privilegjuar të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje historike. Derisa falënderoi ata që e kanë bërë të mundur këtë ditë, Ambasadori Kosnett tha se me vendosjen e kësaj shtatoreje po shënohet edhe jeta e një heroi amerikan dhe një miku të Kosovës. Ai gjithashtu potencoi se Bob Dole ka qenë prijës për promovimin e kauzës së lirisë nëpër tërë botën, dhe se vizita e Senatorit Dole para tridhjetë vitesh u hapi sytë bashkësisë ndërkombëtare për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë.
“Sot po e kremtojmë jetën e një prijësi, guximi dhe përkushtimi personal i të cilit për kauzën e lirisë ka frymëzuar aq gjatë popullin e Shteteve të Bashkuara, të Kosovës dhe miqve nëpër botë’’, tha Ambasadori Kosnett.
Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Elmi Berisha dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari folën në këtë ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e Senatorit Amerikan Bob Dole.
Përveç Odës Ekonomike Amerikane dhe Qeverisë së Kosovës, në ndërtimin e bustit kontribuan edhe kompanitë kosovare KIVO, Tregtia, Meridian Corporation, ELKOS, Devolli Corporation, Mabetex, Emona, Al-Petrol, NLB Banka, Al Trade Center dhe Klinika Amerikane.
MINISTRJA HARADINAJ STUBLLA ZBULON PLLAKËN PËRKUJTIMORE PËR VIZITËN NË KOSOVË TË SENATORËVE AMERIKANË MË 29 GUSHT 1990
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, të dielën, në qendër të Prishtinës, zbuloi pllakën përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të parë të dërguar nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministrja e Jashtme tha se kjo pllakë do të jetë kujtesa jonë kolektive e ditës kur bota nuk heshti më.
“Me 29 gusht 1990, delegacioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga senatori Bob Dole vizitoi Kosovën për herë të parë. Kjo vizitë u organizua në kohën e heqjes së njëanshme te statusit të njësisë federale të Kosovës brenda Jugosllavisë, dhe imponimit të politikave diskriminuese ndaj popullatës etnike shqiptare në Kosovë nga Serbia”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.
Qëllimi i kësaj vizite, sipas kryediplomates së Kosovës, ishte mbledhja e informatave të drejtpërdrejta në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut që kryheshin në mënyrë sistematike kundër popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi serb.
“Dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës dolën në rrugë për të mirëpritur senatorët e ShBA-ve dhe u mblodhën rreth kësaj ndërtese, ku delegacioni zhvillonte takimet. Policia serbe përdori forcë brutale për të shpërndarë këtë tubim të qetë dhe kremtues të qytetarëve”.
“Pas përfundimit të vizitës, senatori Dole bëri deklaratën historike: Liria po vjen, demokracia po vjen! Dhe që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës”, tha Ministrja Hardinaj Stublla, duke kujtuar se diaspora shqiptaro-amerikane, udhëhequr nga veprimtari Xhim Xhema, kishte rol vendimtar në realizimin e kësaj vizitë historike.
Vizita e senatorëve Bob Dole, John W. Warner, Jake Garn, Don Nickles, Alfonse M. D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack e vulosi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, deri te çlirimi, pavarësimi dhe shtetndërtimi i Kosovës, thekson komunikata e dërguar nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
HAPET EKSPOZITA E HAZIR REKËS, SHPALOSEN FOTOGRAFI TË DELEGACIONIT TË SENATIT AMERIKAN NË KOSOVË PARA 30 VITEVE
Sot në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë u hap zyrtarisht ekspozita e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit Amerikan, që ndodhi në gusht të vitit 1990.
Këto foto para publikut po paraqiteshin për herë të parë dhe për fotografin Reka kjo do të thoshte shumë, ai falenderoi të pranishmit për vizitën dhe e shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën. “Për të gjithë ju që nuk keni qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, sot keni rastin të shihni se çfarë ndodhi para 30 viteve”, deklaroi ai para të pranishmëve.
Ekspozita e fotografit Reka, do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës.
KultPlus shkruan se, pandemia ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke respektuar masat AntiCovid, kështu ndodhi edhe me ekspozitën e Rekës e cila zuri vend në ambient të jashtëm.