• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtëpia muze e artistit shkodran

September 24, 2017 by dgreca

1 shtepia e zef

Nga Pjeter Logoreci/Vjene/

Gjatë shetitjes në qytetin verior të Shkodres, syrit të vizitorit nuk i shpëtojnë ndryshime të shumta në rrugët kryesore të qytetit (që tashti janë të gurta), po ashtu edhe në stilin e ngjyrën e fasadave të reja, të rikonstruktuara apo të përshtatura nga arkitektët, në mes tradicionales dhe modernes.  Në rrugicat e ngushta që degëzojnë nga shetitorja në drejtim të periferisë, vazhdojnë, aty këtu, të qëndrojnë në këmbë mure të lartë, të mbuluar me shermashek apo lule vile, karakteristike për shtëpitë qytetare shkodrane. Dyer të vjetra e të mëdha prej druri, mbyllin oborre të mbushur me trëndafila e lule të shumëllojshme e shumëngjyrash, apo ndonji cardak karakteristik i cili “vuan” nga  pesha e kohës apo nga mungesa e banorëve, të cilët kanë emigruar.

SONY DSC
Ndërsa pres kafen e mëngjezit, në një lokal pothuejse në pikën zero të qytetit,  më kuriozon “misteri” i një shtëpie tradicionale catia e së cilës shihet pas murit të lartë me gurë zalli në krah të kafenesë. Kjo ndertesë, e cila mban mbi kurriz peshën e dy shekujve, është foleja ku lindi dhe u rrit ylli i skenës teatrore, aktori shkodran Zef Jubani. Shtëpia edhe pse me vlera të mëdha etnografike, historike e arkitekturore, sot, nuk është një muze i hapur për të gjithë, por një banesë normale private, pjesë e inventarit të objekteve me vlerë dhe të mbrojtura të qytetit, qysh prej viteve 60-të.Përballja me derën e madhe të oborrit dhe avullinë e lartë shekullore, deshmitare të shumë ndryshimeve historike në qytet, më zgjuan dëshirën që ta vizitoj këtë shtëpi, që të shkruaj dicka për të sjell në kujtesën e bashkëqytetarëve këtë vlerë pothuajse të lënë në harresë. Edhe më përpara kam shkruar për disa shtëpi karakteristike të Shkodres, të ciIat i kam njohur privatisht në periudha të ndryshme të jetës, si: shtëpinë e Pashko Vasës, shtëpinë e familjes Ceka apo atë të Gurakuqit. Kësaj here, i shoqëruar nga të zotët e shtepisë, nipat e aktorit Zef Jubani, Cini dhe Viktori (të cilët i falenderoj miqësisht), pata mundësinë të përjetoj momente të bukura e krenari për këto vlera që Shkodra ka trashëguar nëpërmes këtyre familjeve në zë.

Shtëpia Muze Zef Jubani/

SONY DSC

Shtëpia Muze Zef Jubani, që gjindet në rrugën kryesore të qytetit ose në rrugicën Ndoc Coba, ka një histori afro 200 vjecare dhe është ndërtuar për ti shërbyer familjes shkodrane të Zef Mesit. Sipas familjareve, tregëtari Mati Mesi (pasardhësi i Zefit), i cili vazhdoj traditën e familjes së tij,  bënte tregëti me shumë vende në rajon. Ai ishte një burrë me kulturë përendimore pasi ishte i shkolluar në Venezia. Përvec se tregëtar, Matia njihej dhe si koleksionist i librave dhe fotografive me vlerë të cilat i blinte gjatë udhetimeve të tija jashtë vendit. Ai zotëronte disa gjuhë dhe instrumenta muzikorë dhe ishte ndjekës e pjestar i ahengut dhe grupeve muzikore shkodrane, ku më vonë do të bënte pjesë dhe dhëndrri i tij Cin Jubani. Pas vdekjes në moshë të re (nga zemra) të Matisë,  vajza e tij e vetme Roza, nëna e aktorit Zef Jubani, u martua me Cin Jubanin që vinte nga një familje e mesme qytetare, i cili e trashëgoj shtëpinë në fjalë.

Që në pamje të parë kuptohet se për mirëmbajtjen e shtëpisë nuk është bërë shumë nga shteti. Vetëm pullazi i shtëpisë është rikonstruktuar nga ndërmarrja e Monumenteve të Kulturës në vitin 2005-së, por në pjesët e mbrendëshme edhe pse ka disa probleme, nuk është punuar. Kati i sipërm i ndërtesës ka 5 dhoma të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën nëpermes një cardaku i cili deri nga fillimi i shekullit të kaluar ishte i hapur, por për nevojat e familjes është mbyllur dhe përdorur si sallon. Sipas kujtimeve të piktorit të madh Simon Rrota në ditarin e tij, shkruhet se pas termetit të vitit 1905, u bë e domosdoshme riparimi i shtëpive. Shumë familje shkodrane duke parë nga ana praktike shfrytëzimin sa më të mirë të hapsirave të shtëpive (edhe si pasojë e rritjes së fëmijëve), mbyllen hapsirën e stërmadhe të cardakut duke e ndarë atë në siperfaqe të banueshme e dhoma për familjarët.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Rindërtimi vazhdonte gjithnji, por jo ma me atë stilin e vjetër, e nevoja e madhe për ambiente bani me transformue shtëpitë, tue mbylle cardaqe të kotme, tue hjekë musandra e trapazana (Musandra: rafta të mdhej në qoshe të dhomës për me vendose dyshekë, jorgana, shilte, jastëke etj., gjana për fjetje. Trapazan: lloj mensolete druri e gdhendun qi zente pjesën e sipërme të nji faqe muri, përmbi musander, për me vendosë rraqe të ndryshme qi ka shpija, faqja e përparme e mbyllun me drrasë bojë të mbylltë të gdhendun), qi nuk nepshin kurrfarë dobije. “

Në një pikturë të varur në sallonin e shtëpisë me autor  vëllaun e aktorit, Mati Jubanin, vërehet pamja e plotë dhe origjinale e ndërtesës, ashtu sic ishte ndërtuar në fillim, ku për tu ngjitur në katin e sipërm shërbente një shkallë me gurë të latuar me harqe e qemerë.

Kati përdhes është ndërtuar për të shërbyer si bodrum ose ahur dhe komunikon me pjesën e banuar me një shkallë të mbrendëshme. Ahuri është i ndarë në disa pjesë, për ti mundësuar familjarëve vendosjen e objekteve të përdorimit shtëpijak, ushqimeve, pijeve, e sendeve të tjera. Në mes mureve të lartë, gjëlberon një oborr i mbushur me lule dhe pemë, ku dikur nuk mungoni dhe objekte të tjera si: kulla e sanës, jerevija, pusi apo lugu për larjet e rrobave.

Pesë dhomat (odat) e shtëpisë janë: oda e zjermit, oda e bukës e tri oda gjumit, të gjitha të stolisura me punime druri (lisit apo qershije) të gdhendur. Nga druri i gdhendur janë: raftet e murit (musandrat), kapaket e dritareve, pjesët e sipërme të murit (sergjijat) dhe tavanet ku varen ndricues plot elegancë, të një cilësie të lartë, të prodhuar në perëndim. Dy nga odat janë paisur me oxhakë të bardhë tradicional të punuar me mjeshtri në gips. Po ashtu nuk mungojnë objekte të tjera karakteristike si djepi në dru të gdhendur e ngjyrosur me motive të ndryshme  ku u rriten të gjithë fëmijët e familjes, por edhe arka e pajës prej drurit me motive të pikturuara.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Dishmohet që punëtorët që ndërtuen këto shtëpi ishin muratorë ose mjeshtra dibranë të cilët ishin shumë të njohur. ….Këto ustallarë ishin të veshun me dollama (veshje kombëtare, në formë pantallonash të gjana deri pak nën gju), me fesa tanuz në krye (fesa të kuq ngjyrë të mbylltë, jo të naltë, me nji tufë ngjyre blu të mbylltë qi ishte e kapun në majën e nji kordoni jo të trashë në të njajtën bojë si tufa), këpucë të kuqe. Karakteristika më e madhja e tyne ishte qeseri qi e mbajshin në brez. Ata ndërtojshin shtëpijat krejtësisht, pa inxhinier, ashtu në stilin e tyne (si i shohim edhe sot). Mjaftonte qi i zoti i shtëpisë tu diftonte dishirin dhe sasinë e odave, për me pasë nji shtëpi të ndërtueme. Ndër ustallarët që më bien ndër mend mue janë kenë të famshëm, ustah Jashari, ustah Muharremi, ustah Isaku, të cilët ishin teknikë të mirë në ndërtim muresh edhe me latue gurët me mjeshtri të madhe. Ndër katolike janë kenë vetëm Zef Marndreu, Pjeter Gjura, Lazer Sekuj, Mark Dibrani.

Duket se të parët tonë i kanë dhanë randësi të madhe dyerve të oborrit tue shpenzue shumë për punimin e gurëve (të latuem) e të harqeve të bukur, qi sot napin karakteristikën ma të madhe kur i shohim rrugës. Gjithashtu dyert i kanë ba të gjana sa me hi qerrja për cdo nevojë qi ishte p.sh. me shti arkën e nuses, dru zjerrmi, bastan, rrushin prej vneshtet etj.

…nji kujtim i mirë që ka mbetë ndër shtëpijat shkodrane janë punimet me daltë, të bame prej dibranëve tonë sidomos prej mjeshtrit qi ia mbaj mend emnin: Dan Celiketa, i cili ka punue shtëpinë të Sahati i Inglizit, të Lord Pagjot-it. Këto punime gdhendje në dru paraqiten shumë të bukura dhe ekzakte në pikpamje të vizatimit si dhe simetrike si në tavane, trapazana, rafta, dyer. Kto lloj punimesh gjinden ndër shumë shpija të vjetra të Shkodres megjithëse stili i tyne perkon i gjithi me stilin Arab, Persian, Turk Oriental, me nji fjalë nji Bizantinizëm i plotë, qi me kohë vendi jonë i bani për vedi, i edukuem në atë mënyrë mbasi kishin kontakte të ngushta me popuj në kohnat e Turkisë.

Familja Jubani, e cila gëzonte reputacion të mirë dhe kulturë e shkollim përendimor, bëri ndryshime cilësore duke futur elementë dhe objekte moderne në hapsirat e banesës së tyre. Vëndosja e dyerve, dritareve, orendive cilësore e të kushtueshme të firmave të njohura europiane, i dha shtëpisë pamjen e një epoke e kulture tjetër,  ndryshe nga stili oriental i banesës dhe ambienteve për rreth shtëpisë. Familja pat kontakte dhe miqësi me përsonalitete të vyer. Pjestarët e familjes kujtojnë që shpesh ndër odat e mëdha të shtëpisë, ku mblidheshin miq e të njohur, shfaqej film, ndigjohej muzikë e diskutohej për të rejat kulturore të kohës.

Edhe mjeshtri Simon Rrota në kujtimet e tija, shkruan për ndryshimet, modernizimin e ambienteve të mbrendëshme të shtepijave karakteristike të Shkodres.

…disa prej familjeve pasanike, tue kenë se shkojshin në Venedik (Venezia), mundoheshin me stilizue jetën me ndoj send tjetër qi shifshin atje si p.sh. ndonji pasqyrë të madhe me korniqe stilit barok etj. …Por ma vonë, të rijtë qi delshin jashtë për studime e panë vedin se sa mbrapa ishim prej popujve tjerë, athere filluen me ba martesa “alla franca”, me stolisë odat me mobilje, me ndërtue shpija moderne, tue lanë menjanë musandrat e trapazanat e tue marrë nji drejtim tjetër e ma të përparuem, simbas kohnave qi jetojmë sot.

Një vlerë tjetër e shtëpisë muze Jubani është se në këtë shtëpi lindi me 2 dhjetor 1910 Artisti i Popullit, aktori  Zef Jubani, i njohur si Harpagoni shqiptar. Zefi ishte fëmija i katërt i Cinit dhe Rozës Jubani. I rritur në një ambient familjar ku muzika, letërsia e arti ishin pjesë e jetës, Zefi u bë një nga korifejtë e skenës teatrore shqiptare duke arritur kulmin me realizimin e roleve më të vështirë nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në një nga odat e shtëpisë muze ruhen shumë objekte me vlerë muzeale që përfaqësojnë aktivitetin në skenë të këtij personaliteti, trofe të ndryshëm, dekorata, fotografi historike e artistike, dëshmi e tituj nderi. Por, ndër objektet e vecanta që i perkasin jetës së tij artistike është paruka që ai mbajti kur luajti në mënyrë brilante, në teatrin e Shkodres, rolin e Harpagonit si dhe titulli ARTIST I POPULLIT, i shoqëruar me medaljen perkatëse. Në qëndër të dhomës, në mes të ralikeve të familjes, më tërheq vemendjen një bust i aktorit i punuar me mjeshtri nga artisti shkodran Kolec Ljarja. Për ato që e kanë njohur Zef Jubanin, ngashmëria është e përkryer. Ndërsa, mbi dyshemenë e vjetër, përballë Zefit – Bust, bri oxhakut karakteristik oriental, i ruajtur në mëndyrën më të mirë të mundëshme, ndodhet  djepi-shtrat ku u rritën pjestarët e familjes së Cinit, ndër to edhe Zefi.

Në muret e odës varen perlat e fisit, foto të vjetra, që janë historia e familjes e që duhet të jenë nga fillimet e fotografisë Marubi. Më e hershmja është ajo Zef Mesit me grue,  më pas Matia i biri i Zefit me grue Ninen (viti 1878) dhe me familjen e tij e ndjekur nga fotoja familjare e Cin Jubanit me Rozen e fëmijet (ndër to edhe aktori Zef Jubani). Natyrshëm, po e mbyll këtë shkrim, duke pasë bindjen e krenarinë, që në Shkoder qytetaria jeton, në shumë familje të cilat janë dhe mbesin elitare, për kulturën e traditat familjare që trashëgojnë.

Vjene, me 18.09.2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: Pjeter Logoreci, Shtepia muze, ZEF JUBANI

A do të bëhet Shtëpia muze e familjes patriotike Vlora?

March 10, 2014 by dgreca

– Shtëpia ku u ngrit flamuri nuk ekziston më/
-Ekziston godina e banesës të Ekrem Vlorës ku u vendos senati(pleqësia)/
 
Nga Gëzim Llojdia*/
 
1.Shtëpia ekzistuese e Vlorajve sot pa destinacion/  
Shtëpia e Vlorajve ,ajo që ka mbetur nga koha   është vetëm 10 m nga sheshi historik i flamurit dhe është pjesë e kompleksit muzeal historik.Ngrehina me dy ka të shk\shënjuar emërtesën;””Monument kulture”.
 Shtëpia e Vlorajve që së fundi njihet si shtëpia  beut, nuk është në funksionimin e saj  as  e lidhur me kompleksin muzeal ndonëse ajo është pjesë e saj. Pas marrjes së saj nga pasardhësit e kësaj familje, godina ka parë rikonstruksione por në vetvete i ka munguar qëllimi. Brenda saj nuk ka një muze të kësaj familje të shquar. Interesi i shtetit shqiptar dhe kryesisht  MTKRS do të ishte që kjo ndërtesë të kthehej në një muze për Vlorajt. Ndërtesa dy kate ka shërbyer më së shumti si lokal kur koha është që ajo të ketë një funksion tjetër,jo vetëm atë të banimit. Muzeu i Vlorajve do të përbente pjesën më të respektuar të burrave të kësaj familje të shquar. Ajo do të vizitohej sepse është më pranë kompleksit si dhe do të kishte më tepër akses për turistët e vizitorë të cilët do të shikojnë njëherësh  monumentin e pavarësisë ,varrin e Ismail Qemalit dhe muzeun e Vlorajve.
Sheshi i Flamurit me monumentin e tij ende nuk kanë atë pamje dhe formë që duhet të kenë objektet muzeale  si në të gjithë botën. Sheshi i Flamurit ka edhe godinën e bankës, rrugën “Justin Godart, sahatin, godinën e bashkisë, rrugën e hebrenjve etj .
Nga shtëpitë e  fisit të Vlorajve, fis me degët e tij një prej tyre ishte Ismail beu, kanë ekzistuar këto shtëpi :shtëpia e Xhemil Beut, Syrja Beut, Eqrem Vlorës. Tek shtëpia e Xhemilit, është pritur në jetë ardhja e engjëllit shqiptar Ismail Qemali.
2.Të dhënat për plakun e Vlorës
Ismail Qemal Bej Vlora ka lindur ne Vlore me 16 te Vjeshtes se dyte ne yjetin 1844 ne shtepine e Familjes Vlora, Shkruan Sefa Vlora Rome me 6 Maj 1968Vdiq ne Perugia te Italise me 24 Jenar 1919. Me pare u varros nS avllin e teqes se Kanines simbas porosis qe kish lene vete. Me vone me vendimin e qeveris Mbreterore te Shqiperis u varros ne lulishten popullore te qytetit Vlores. Lulishtja se bashku me ndertesat qe kane pase qene aty ishin prona e Familjes tij. Keto prona j’u shiten Bashkis se Vlores ne vitin 1919. Ismail Beu lindi ne godinen e quajtur te Haremeve. Fati i tij dhe i Shqiperis e solli qe te ngrere Flamurin tone kombetar dhe te shpalle pamvaresin e vendit ne pjesen e ndertesave qe quheshin Selamlleket, n’ate kohe pasuria e Xhemil Bej Vlores. Ismail Beu ish bin i Mamut Beut dhe i Zonjes Hedije, bija e Tahir Beut, nga Arsllan Pashallit — Libohova, vezire te Janines.Fisi i tij rrjedh nga Sinan Pasha, varrosur ne Tyrben e posacme ne avllin e Teqes se Kanines, duke pushuar midis varreve te birit tij Sulltan Zade Mehmet Beut dhe Shehut qe vendosi teqen. Sinan Pashai u vra ne perpiekie detare qe u shkaketuan midis flotes Turke dhe anijeve napolitane dhe Raguzaneqe kishin hyre ne 26 Qershor te yjetit 1503 ne limanin e Vlores. Per kete shkak teqeja eshte veshtruar me dashamiresi nga kjo Familje dhe shume pjestar te saj jane varrosur aty. Deri ne yjetin 1944 (mundet ndofta eshte ende dhe sot) ka qene nje derrase ne hyrjen e teqes qe shkruante ne gjuhen turqishte se Ibrahim Pasha Vlora, sanxhak beu (urdheronjesi) i Beratit, kish bere meremetimet e teqes per shpirt te Sinan Pashes, kryegjyshi i Familjes.
Ismail Beu ish i nipi i Ibrahim Pashe Vlores, miku i Napoleonit te Pare thotë Sefa Vlora. Athere ne krye te Frances ish i biri i vellajt te Perandorit, Princi Louis Napoleon.Mbas disa vjeteve qeveria e fali Mahmut Bejne dhe j’a ktheu pasurin, po mjerisht te tere nuk e hodhi dot ne dore. Pasuria qe trashegoi Ismail Beu qe e paket: gjysmert e shtepis, disa dyqane, pake caire ne Vlore dhe ciflikun e seres se Selenices, te cilen j’a shiti Bankes Otomane kur qe ne Stamboll..
3.Ndërtesa ku u ngrit flamuri
Sefa Vlora të cilit u referohemi në këtë shkrim ka shkruar me dorën e tij ,e bardha mbi të zezë: Më pare kjo ndertese sherbente si selamllek (dhomi pritjje) te” nderteses se madhe (haremet) qe ndodheshin fit klltj ihtBpie. Nje mur e ndante oborrin e te dy shtepive. Ne fttill 1919 ndSrtesat j’u shiten Bashkis se Vlores nga pronaret. Nëndertesat te quajtur “Haremet” kish lindur Ismail Qemali dhe  djepja e tij u ruajt deri ne mbarimin e shekullit te kaluar. Fati i mbare e i math Ismail Beut se ne ate ndertese ku u lind aty vuri ne jete vepren e tij te madhe historike dheëndërrën  shekullore te shqipetareve dhe po ne ate toke me vone u  varros dhe pushon ne gjumin e perjeteshme.
Ndërtesa e flamurit është prishur sipas të dhënave në vitin ‘25 dhe u kthye në lulishte. Banesat e familjes Vlora aso kohe emërtoheshin saraje.Këto banesa ,pra  sarajet e familjes Vlora ishin  të përbëra nga dy godina të mëdha. Godina ku u ngrit flamuri  quhej Selamllëku dhe këtë  emërtim siç do ta shohim na e sjell në kujtesë,kujtimet e E.Vlorës. Godina e flamurit  siç paraqitet  nga një foto e cila qarkullon kudo në botime ka gjithashtu  një skicë që është ruajtur deri në ditët  sotme  tregon një godinë  të madhe  për nga lartësia dhe gjerësia e saj.
Shtëpia ku u ngrit flamuri.Skica që është realizura për ndertesat e familjes Vlora ,banesa e Xhemil bej Vlorës janë dy skica të cilat sjellin ndër mend godinat e mëdha të familjes patriotike Vlora.Godina e parë  me dy kate, që quhej selamllëk ishte me dy kate.Gjatësia nga pjesa e rrethuar e murrit shkonte në 165m,kurse gjatësia e ndërtesës së sellamllëkut ishte 70 m.Dritarja ku u ngrit flamuri  ka një lartësi 2.75 m.Ndërtesa tjetër quhej harem është ndërtesa ku ka lindur I.Qemali.Krejt ndërtesa ka një gjatësi prej 83 m.Secila ishte e rrethuar dhe kishte nga një port për të hyrë në selamllëk si dhe tek harem sikurse një portë tjetër në perëndimpas banesësë s dytë.Në fotografin  e cila është origjinale  ku shfaqen tre katet e banesës se harem nga katër siç shqipton më tej E.Vlora .Janë tre katet e banesë historike që u rrafshua diku nga vitit 1925. Edhe këtë vit- shuarje të saj e sjell po ky dëshmitar. Eqrem bej Vlora thotë se :Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave).Shqyrtojmë selamllëkun ose të njohur si banesën e burrave. Ndërtesa ka pasur tre kate lartësi një numër të madh dhomash korridore dhe ambiente të tjera. Zhbirimi në pamja e parë majtas tregon pozicionin e dritareve të çdo kati .Dritaret  e katit të parë  janë të gjitha me hark dhe duken rreth 6 copë  ndërsa në fakt kanë qenë më tepër por kaq kanë hyrë në fokusin e fotos.Janë dritare të njohura për kohën të vogla të larta por të ngushta duke përfunduar me hark .Në dritaret  e katit të dytë majtas janë rreth 7 copë të cilat na shfaqen në disa forma të çrregullta .E para dhe kryesore ku u shpalos flamuri është më  madhe se të tjerat është edhe derë .Duke treguar se portën hyrëse për në saraje. Përpara saj shquhen qartazi shkallët,nga lartësia e banesë zbresin duke cekur token.Kati më sipërm duken dritare me forma drejtkëndësh pa hark ,ku shquhen rreth 8 të tilla majtas . Kurse ne krahun e djathtë  shquhen tre të tilla  të vogla një e madhe po kaq gjenden edhe  një kat më poshtë. Kjo është banesa Xhemil BeJ Vlorës.Të gjithë autorët që përshkruajnë ngjarjen madhore të 28 nëntorit mbështesin qëndrimin se delegatët janë mbledhur në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemalit. Godina e Xhemil bej Vlorës gjendej aty ku është sot monument kushtuar pavarësisë .Shtiza e Flamurit është e ndërtuar ka vendin e lartësimit të flamurit kombëtar .Mendohet se kjo shtizë përkon me dritaren e katit të dytë të selamllëkut ku u ngrit Flamuri, pasditen e 28 nëntorit. Duke ju referuar sërish E. Vlora,.me dëshmi autentike  nxjerrim gjysmë fraze ” ku ai shprehet U mblodhëm të gjithë në selamllëk ….Pra te sarajet e Xhemil beut.Kati i dytë,ka 11 dritare dhe vendëhyrjen, në foton origjinale ato shfaqen në formë të çrregullt disa më të mëdha dhe disa më të vogla. Disa përfundojnë me hark dhe disa përfundojnë  në formë trekëndëshi.Ndërtesa u shemb në vitin 1925 .A mund të rindërtohet ajo duke ruajtur origjinalitetin,elementët strukturor por në madhësi dhe më e vogël se ekzistuesja?
4.Ndërtesa e senatit(pleqësisë)banesa  e Ekrem Vlorës
Si në kujtimet e Ekrem Vlorës por këto të Sefa Vlorës që janë të panjohura në tregojnë një udhë q ëpërshkonte plaku i Vlorës.Ekrem Vlora mbas gati nje muaji ktheu nga Himara ,thotë S.Vlora duke shkuar më tej:Ismail Beu, pas drekes, kalonte nga dera e murit qe ndante oborrin e te dy shtepive dhe vinte te shetiste me Ekremin ne divanhanin e math. Tregonte me mallengjim ngjarjet e te kaluares se familjes dhe te tijt. Keto biseda familjare vetem me te nipin e clodhnin nga lodhjet dhe mundimet qe i epnin ceshtjet e qeverise. Shume here cfaqte deshperimin e tij te math ne lidhje me kufit e padrejta qe i qene caktuar Shqiperise. Thoshte: “Na lane vetem kenetat e Myzeqese”.
U muar vendimi nga qeveria qe te krijohesh senati i pare-i Shqiperise dhe selija u caktua te ish shtepia ku banonte Ekrem Beu. Ay vete u emerue dhe kryetar i senatit. Mbas gati dy muajsh qendrimi ne shtepin e Xhemil Beut, Ismail Qemali vendosi qe qeveria te shkoje ne nje ndertese te shtetit. U zgjoth per kete qellim godina qe quhesh e “Karantines” ne skele te Vlores. Te rinjte do t’a mbajne ment kete ndertese se deri ne vitin 1939 ka sherbyer si Muze e Bashkis se qytetit.Ne seremonin e permoteshme kur ‘i U varros per te paren here ne Kanine as fshatar as qytetar nuk qendroi ne shtepi te tij: tere faqet e maleve dhe brigjeve qe i qendronin gjate udhetimit ishne mbushur me njeres. Ish nje apoteoze madheshtore e popullit te gjithe pa dallim, dhe nje kurore qe ay e fitoi me punen e tij te madhe ne sherbim te vendit tij deri sa dha frymen e fundit. Trasferimi i dyte i trupit tij nga Kanina ne Vlore ne 1932 pati formen zyrtare po dhe kesaj here populli me te math e me te vogel rrodhi vetiu aty ne’ sheshin e liris ne Vlore per t’a nderuar Birin e tij te Math.
5.Koleksioni arkeologjik Vlora
Një koleksion i pasur me objekte arkeologjike ka ekzistuar në banesën e Vlorajve.Sipas Pr.Dr N.Ceka  ,Emri vjen nga botimi i pjesës arkeologjike të tij nga L. M. Ugolini ne Albania Antica, I, Roma-Milano, 1927. Ugolini u strehua gjate revolucionit ti! qershorit 1924 ne shtepine e Syrja bej Vlorës dhe birit të tij Ekremit. “…te cilët kërkojnë, blejnë dhe ruajnë me dashuri te madhe objekte arkeologjike, te cilat dalin herepashere nga toka shqiptare. Kështu, ne pallatin e tyre ne Vlore kane krijuar një koleksion te mire arkeologjik, nga i cili këto janë objekte me interesante:” (fig. 111: armatimet dhe siper vazot). Komiku i Bylisit- Koke e Dionisit-mermer. Statuje e një muze, prej mermeri, 80 cm -Koke e Zeusit, mermer, 13 cm.-Koke burri, mermer, 11 cm -Koke gruaje, mermer, 9 cm -Hekata trikokeshe, mermer, 34 cm -Hyjni ujor (Triton), mermer, 32 cm. Skopas. Busti i nje gruaje ilire-Finteia, nga Berati. Gur, 48 cm. Me veshje si vajza e Vlores.Tre pllaka me mbishkrime nga Shkoza, Klosi -Terrakota nga Oriku, si dhe vazo qeramike -Figurina bronzi, 11 dhe 7 cm.Ne kopshtin e kazermes, perballe xhamisë, ishin ekspozuar objekte te gjetura gjate ndërtimit: Diana, kapitele. Ne kopshtin e Bashkise ishte ekspozuar një stele prej guri me relieve ne dy faqe- shek V p. Kr. si dhe kionisku dopio i Teimas dhe Klaudia Seimaka.Vajza e Vlores, gur, 87 cm. Stele e Selenicës me mbishkrimin e prytanit dhe toksarkut.
6.Biblioteka e Vlores ka regjistruar si fond themelor-bibliotekën private të familjes së njohur Vlora
Në mjaftë dokumente të shekullit të 18, përmendet biblioteka e familjes Vlora,Ismail Vlora,Ibrahim Pasha,Mustafa Pashë Vlora,të cilët  rreth viteve 1812 kishin në banesat e tyre 5200 ekzemplarë, libra, dorëshkrime. Pas kohës së Mustafa Pashë Vlorës në vitin 1895 nga udhëtarët e huaj vihet në dukje se krahas familjes Vlora. Biblioteka e këtij qyteti detar,në ringritjen e saj në zhegun e verës në 22 gusht 1946,ka regjistruar si fond themelor,bibliotekën private të familjes së njohur Vlora. Kjo pasuri kulturore ishte  mbledhur me durim ,ishte  gjurmuar si bleta nga diplomati Syrja Vlora dhe intelektuali ,deputeti dhe diplomati Eqrem Bej Vlora. Në vitin 1914 sasia e librave të kësaj biblioteke shënohet aty te 14640 vëllime. Librat ishin në këto gjuhë: latine, arabisht, turqisht,gjermanisht,italisht,greqisht,shqip .Brenda këtij thesari kulturore  kishte dorëshkrime të pasura arabe,libra fetare si Bibla, Kurani. Por librat e familjes Vlora ishin të llojit albano-ballkanologjik,gjendeshin aty dorëshkrime, korrespodencë, kur e veçanta ishte korrespodenca me shkrimtarin Duma.Nga fondi tepër i madh i Vlorajve në këtë bibliotekë gjendet albanologjia,fondi i kësaj familje me rreth 2000 libra të rrallë,që përbëjnë fondin e artë të bibliotekës së Vlorës.Flitet, për dy saurela me rimorkio,ata ngarkuan pasurin kulturore të Eqrem beut,kryesisht libra me dstimnacion Jugosllavinë ndërsa zëra të tjerë e hedhin poshtë këtë version.Studiuesi vlonjat, F.Shaska  më ka rrëfyer vite më oarë se, biblioteka ishte ndër më të mëdhatë në Ballkan, në dekadat e para të shekullit XX, por, pavarësisht, regjimi komunist i shkatërroi vlerat e saj.“Prej saj u zhdukën vlera të jashtëzakonshme”, sqaron Shaska, sipas të cilit, përveç një numri të jashtëzakonshëm titujsh, në këtë bibliotekë përfshiheshin dokumente të rralla. Mes tyre, një ditar të shënimeve të Hoxhës të fshatit Armen, Sali Efendiut e vitit 1757; shënimet e Hafës Zenel Efendiut nga Armeni, që përkojnë me vitin 1768; përmbledhje e kopjeve të letërkëmbimit të Ismail Pashë Velebishtit me njerëzit më të shquar të Vlorës; letërkëmbimin e Çelo Picarit me Ismail Beun; shënimet historike “Mbi “oxhaqet” e Shqipërisë e Azem Bej Janinës e vitit 1889; dy libra të shtypura në shtypshkronjën e Voskopojës, në vitet 1720-1769 “Gjithçka shkelej me këmbë dhe askush nuk pyeste për ata libra të rrallë që griseshin e shkatërroheshin”, thotë Shaska.Por, mes atyre që ndodheshin gjatë bastisjeve në mjediset e banesës së Vlorajve, që sot njihet me emrin Shtëpia e Beut, kishte edhe nga ata që mendonin se ata libra kishin një vlerë të madhe dhe mund të duheshin një ditë. Ne vitin viti 1974,  , banesa e Eqerem beut , shërbeu edhe si bibliotekë dhe shtëpi kulture.

Filed Under: Histori Tagged With: a do te ebhet, e familjes vlora, Shtepia muze

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT