• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGRITJA DHE RËNIA E SHTETIT ISLAMIK

July 8, 2021 by dgreca

Ph.D Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, anëtar i Këshillit të Vatrës, sjell para lexuesit librin e tij më të ri “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)”. Në një rrëfim për ‟Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Ph.D Dritan Demiraj deklaron se në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë. 

ZHVILLIMET DRAMATIKE TË PRANVERËS ARABE DHE KRIJIMI I ISIS-IT

Librin “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)” kam filluar ta përgatis që në vitin 2014 dhe ka përfunduar në vitin 2017. Ky libër është një nga studimet më profesionale dhe nga të parat në Europë dhe vlen të theksohet se në mbi 700 faqet e tij flitet për të gjitha detajet e origjinës së Shtetit Islamik në Irak dhe jo vetëm. Në vitet 1960-70 në Lindjen e Mesme ishte krijuar bindja se nuk ka luftë pa Egjiptin dhe paqe pa Sirinë, duke nënkuptuar këtu Izraelin dhe atë korrelacion gjeopolitik që mbajti stabilitetin e militarizuar të Lindjes së Mesme, që nga viti 1973 deri në fillimin e të ashtuquajturës “Pranverë Arabe”. Në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe kryesisht në Siri por dhe planet për zgjerim strategjik në Libi dhe Egjipt, duke na çuar në përfundimin se si rrjedhojë e zhvillimeve dramatike të pranverës arabe e deri tek krijimi i ISIS-it, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë. 

KALIFATI ISLAMIK NË MOSUL

Gjatë kapitujve të këtij libri, jam ndalur për të analizuar me kujdes krijimin e të ashtuquajturit Kalifati Islamik në Mosul në vërin e vitit 2014, përshkrimit të figurës të të ashtuquajturit Kalifi Abu Bakr al-Bagdati, edukimin e tij fetar, femijërisë, kontekstin social dhe familjar në të cilin ai u rrit, mbështetja për studimet dhe familjen e tij pas rënies në luftë të vëllait të madh si ushtarak në përkrahje të regjimit të Sadamit dhe konsiderimit të tij si dëshmor i Irakut. Përshkrimi i jetës së tij të mëvonshme deri në momentin që ai i prezantohet botës si drejtuesi i Kalifatit të Ri është i vëmendshëm deri në detaje të shpjegimit të aftësive dhe të dobësive të këtij subjekti sa enigmatik aq edhe interesant. Më pas kam përshkruar me detaje strukturën e Kalifatit, institucionet e tij piramidale, komandat e tij qëndrore, rajonale dhe shtrirjen e tyre horizontale nga Siria në Irak, si dhe natyrisht ngarkesën dogmatike ideologjike të individëve që përbëjnë Kalifatin, të liderit të tyre kalifit Ibrahim dhe ideologjisë së tyre unike, e cila në fakt është edhe kërcënim për vetë vendet arabe dhe ato Islame.Më pas kam bërë një analizë të gjerë gjeopolitike të kushteve dhe të parakushteve ku zhvillohen këto ngjarje epokale, të aktorëve shtete të orës së parë, atyre që kanë një rol mbështetës dhe të kundërshtarëve reciprokë, si dhe aleatëve të lëvizshëm në bazë të interesave të tyre tipike për luftërat e pista dhe të bazuara në interesa. 

KUR SADAM HYSEIN PËRPLASEJ ME AMERIKËN 

Në këtë libër ka shumë informacion, i cili fillon me përgatitjet e Sadam Hysein-it kundër pushtimit amerikan, fillimin e konfliktit në muajin prill 2003 e deri sot në fund të vitit 2017. Gjatë përgatitjes së këtij libri nuk është përdorur asnjë informacion sekret. Prej më shumë se tetë vitesh këto informacione i kam grumbulluar nga mediat më prestigjioze të botës, nga eksperienca e drejtimit të misioneve luftarake në këto zona, leximi i qindra librave dhe artikujve online, literaturë që më është mundësuar në shumë biblioteka të NATOs, seminaret ndërkombëtare, konferencat shkencore, leksionet dhe takimet jashtë shtetit veçanërisht në SHBA, Qëndrën e Studimeve të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani, Universitetin e Përbashkët të Forcave Speciale në Tampa, Florida në USA, Universitetet amerikane, “sitet” ndërkombëtare, kanalet televizive, lajmet e përditshme, nga shikimi dhe analiza e qindra orëve të filmave të publikuar në you tube, në televizionin Zaëra, Al-Jazzera, Turkish CNN, BBC, CNN, ABS Neës, etj rreth SHI, bashkëbisedimin dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe mësimeve të nxjera me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, me kolegë të forcave speciale që kanë marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri, etj të cilëve ju shpreh mirënjohjen më të lartë. 

SHTET GANGSTERËSH, AVENTURIERËSH, TË ÇMENDUR DERI NË EKSTREM

Në këtë libër jepet një përshkrim i hollësishëm të natyrës së dhunës mbi të cilën bazohet Kalifati. Dhuna e cila ka ardhur si rrjedhojë e një sërë faktorësh që kanë çuar në ndryshime të pakthyeshme në jetët e qytetarëve të këtyre rajoneve, të luftrave që kanë prishur shtëpitë e pasuritë e tyre, të humbjes së pronave dhe të jetëve të qindra mijëra njerëzve, të fëmijëve që kanë lindur në luftë, të atyre që u rritën në luftë dhe atyre që humbën detrave apo rrugëve teksa përpiqeshin për t’u bërë refugjatë në Europë, aty ku i konsiderojnë për shkak të propagandës të gjithë terroristë sepse vinë nga territoret ku është krijuar i ashtuquajturi Shteti Islamik duke ngatërruar Islamin, një Besim të shtrirë në të gjithë njerëzimin, me një të ashtuquajtur shtet gangsterash, aventurierësh, të çmendur deri në ekstrem, me një ideologji tërësisht të çartur, e cila shkatërron gjithçka që gjen përpara.   

BURIME TË NATYRËS OPERATIVE DHE INTELIGJENCËS

Ky libër është pjesë e kolanës së çështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe terrorizmit në Lindjen e Mesme, të vetmet të botuara deri tani në gjuhën shqipe, e cila është vlerësuar si njëpërpjekje kurajoze dhe serioze me referenca akademike dhe burime të natyrës operative dhe inteligjencës të fituara nga autori drejtpërdrejt në terren, i cili ia vlen ta lexosh dhe studiosh. Ky libër vlen jo vetëm për ata që merren në përditshmërinë e tyre me çështje të natyrës politiko-ushtarake-diplomatike-inteligjencës dhe të sigurisë, por dhe të atyre që kanë dëshirë të informohen nga një këndvështrim ndryshe nga ai mediatiko-propagandistik për këto ngjarje epokale të kohës që ne jetojmë. Ky libër ka vlera analitike dhe krahasimore historike në të ardhmen, kur brezave të ardhshëm do t’i duhet të studiojnë nëpër shkolla apo universitete, pas disa vitesh apo dhe dekadash, kur njerëzit do të jenë më të ftohtë në raport me ndryshimet e kësaj kohe dhe pasojat që këto luftra do të kenë pasur mbi njerëzimin.

NJË STRATEGJI TË QARTË KUNDËR SË KEQES

Të gjitha burimet e informacioneve janë shënuar me “fusnota” në fund të çdo faqeje dhe nuk ka asnjë burim anonim informacioni. Kryengritësit e SHI, al-Qaedës, al-Nusras, etj nuk kanë asnjë mundësi që të mësojnë nga ky libër, me përjashtim të asaj që duhet ta kuptojnë se janë çdo ditë të monitoruar, TTP-të e tyre po analizohen çdo ditë, ata duhet ta kuptojnë se jemi të gatshëm të përballemi seriozisht dhe fuqimisht me ta për t’i shkatërruar dhe se kemi një strategji të qartë se si duhet t’i mposhtim përfundimisht.

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan demiraj, Nderi i Kombit, Shteti Islamik

“SHTETI ISLAMIK DUHET TË ASGJËSOHET”

November 24, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Kështu u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama gjatë një konference që zhvilloi të martën me shtypin së bashku me presidentin francez Francois Hollande, pas takimit dhe bisedimeve të tyre kokë më kokë, në Shëpinë e Bardhë.  Në fillim të konferencës me shtypin, Presidenti amerikan e siguroi Presidentin e Francës dhe nepërmjet tij, popullin francez se, “Si amerikanë ne do të mbështesin miqët tanë”.   Udhëheqsi amerikanë, me një gjuhë më të ashpër se çka përdorur deri më tani, u tha gazetarve se, “Terrorizmi i sponsorizuar nga Shteti Islamik nuk mund të tolerohet”, duke shtuar se ai “duhet të asgjësohet” dhe se këtë do ta bëjmë së bashku.  Ai e cilësoi terrorizmin si “një murtajë që na kërcënon të gjithëve.”

Objektivi i vizitës së Presidentit francez në Washington ishte që të merrte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një koalicion më të gjëtë ndërkombëtar në luftën kundër ISIS-it e që do të përfshinte edhe Rusinë në luftën kundër terrorizmit.  Por rrëximi i një aeroplani rus nga Turqia të martën, që ajo tha se ndodhi në territorin e saj ajror, duket se ndërlikoi disi bisedimet midis dy udhëheqsve. Të dy udhëheqsit u bënë thirrje Turqisë dhe Rusisë që të punojnë dhe të bisedojnë së bashku për të mos e keqësuar  mëtej situatën e krijuar nga rrëximi i aeroplanit luftarak rus.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara sugjeroi  gjatë konferencës me shtypin që zgjati një orë, se nëqoftse Rusia do të përqendronte disa nga këto aktivitete të fundit ushtarake kundër Shtetit Islamik, këto konflikte dhe gabime  mund të evitoheshin më kollaj.  Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se ndonëse po pret për hollësi të mëtejshme mbi incidentin që ndodhi në hapësirën turke, “Turqia ka të drejtën e vet të mbrojë territorin dhe hapësirën ajrore të saj”.  Ai u shpreh gjithashtu se Moska është më e interesuar të mbështesë diktatorin sirian Bashar Al Assad se sa të luftojë kundër  terroristëve të Shtetit Islamik.  Ai cilësoi pak si me ironi mbështetjen e Rusisë dhe të Iranit për regjimin diktatorial të Bashar Al Assadit, si “një koalicion prej dy shtetesh”, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë një koalicion prej më shumë se 60-shtetesh”, që sipas tij ka, “ndërprerë aktivitetet terroriste dhe kanë sulmuar pozicionet e Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak.”

Ndërkaq, media citon Presidentin rus Putin të ketë  reagur ndaj  incidentit të rrëximit të aeroplanit rus nga forcat turke, duke thënë se rrëximi i aeroplanit rus nga Turqia “do të ketë pasoja të rënda për marrëdhënjet midis dy vendeve”, gjë që, sipas vërejtësve politikë, do të komplikojë me siguri përpjekjet e Presidentit Hollande, kur të vizitojë Putinin në Moskë mbrenda dy ditësh, me qëllim për të krijuar një front të gjërë ndërkombëtar në luftën kundër ISIS. Deri tani  Rusia ka refuzuar gjithnjë tu bashkohet thirrjeve për largimin e presidentit të Sirisë Assad nga pushteti.  Si rrjedhojë, zyrtarët francezë, përball kësaj situate të re të krijuar nga rrëzimi i aeroplanit rus nga Turqia, citohen nga media të jenë shprehur  se në vend të bashkpunimit ata do të përpiqen të realizojnë të pakën një  angazhim për një bashkrendim ndërkombëtar të aktiviteve kundër Shtetit Islamik. Megjithkëtë,  Presidenti francez theksoi  optimizmin e tij se “mbarë bota është e angazhuar” në luftën kundër ISIS dhe se shpreson të sigurojë më shumë bashkpunim edhe nga Rusia, e cila mbështetë regjimin e  diktatorit Assad dhe aeroplanët e të cilës po sulmojnë forcat moderuese që janë kundër regjimit të Assadit, në vend që të luftojë kundër  terroristëve të Shtetit Islamik.

Pas sulmeve terroriste në Paris, Franca falë ndihmës nga agjensi të zbulimit të fshehtë amerikan, ka shtuar sulmet ajrore kundër kundër objektivave kryesore të Shtetit Islamik.  Ndërkaq, gjatë konferencës me përfaqsues të medias në Shtëpinë e Bardhë të martën, Presidenti i Francës, Hollande, shprehu falënderimet, solidaritetin dhe mirënjohjen e tij dhe të popullit francez për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë vendit të tij pas sulmeve në Paris.  Ai deklaroi se me Shtetet e Bashkuara, “ne ndajmë të njëjtin qëndrim dhe besim ndaj lirisë”.  Ai, njëkohsisht, bëri thirrje për një përgjigje të përbashkët  aktvitetesh ushtarake kundër terrorizmit pas sulmeve në Paris dhe ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga Shteti Islamik.

Komentatorët politikë theksojnë se ishte Franca ajo që është sulmuar kësaj radhe nga terrorizmi dhe si rrjedhim është Presidenti Hollande ai i cili po kryeson përpjekjet për një koalicion të gjërë ndërkombëtar kundër ISIS dhe jo udhëheqsi i botës së lirë, Presidenti Obama, për të cilin 66% e amerikanëve shprehen se ai nuk ka një plan të qartë për të asgjësuar Shtetin Islamik.  Vërejtsit politikë thonë gjithashtu se Washingtoni e Parisi mund të kenë të njëjtin objektiv për zhdukjen e kësaj murtaje, por duket se midis tyre ekziston një divergjencë e cila pasqyrohet në pikamje të ndryshme politike se si duhet dhe cilat janë masat që duhet të merren,  për  realizimin e këtij objektivi të përbashkët për asgjësimin e Shtetit Islamik.

Filed Under: Analiza Tagged With: duhet te asgjesohet, Frank shkreli, Shteti Islamik

Kërcënimi i Shtetit Islamik për Ballkanin

June 6, 2015 by dgreca

“Një tokë e karakterizuar me male të fuqishme, që për shekuj të tërë janë lëkundur nga beteja të përgjakshme”…
Mund të tingëllojë si citat nga një broshurë turistike që shet pushime verore në Ballkan, por në fakt me të tilla citate nis një video e re propagandistike e asaj që njihet si qendër mediale “Al-Hayat”, e ndërlidhur me grupin militant “Shteti Islamik”.
Videoja ka në shënjestër myslimanët që jetojnë në shtetet e Ballkanit dhe theksi bie mbi versionin revizionist të Shtetit Islamik mbi historinë e Ballkanit, duke nisur nga Lufta e Parë Botërore.
Ajo është publikuar në rrjetet sociale më 4 qershor, por duket se është xhiruar para 6 shkurtit, kjo për faktin se njëri nga militantët që shfaqet në video, Mirza Haklaj nga Mali i Zi është raportuar të jetë vrarë pikërisht në atë datë.
Mesazhi në këtë video është i ngjashëm me atë që kanë video mesazhet tjera të IS-it: Myslimanët në Evropë janë përçmuar nga “të pabesët” dhe ata mund ta rimarrin dinjitetin e tyre vetëm përmes “xhihadit” në radhët e Shtetit Islamik.
Dhe përveç thirrjeve për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, videoja bën thirrje gjithashtu për sulme të vetme kundër caqeve vendore në Ballkan.
Dy nga personazhet në këtë video, flasin shqip.
Abu Muqatil [Al Kosovi] dhe Abu Bilqis [Al Albani] paralajmërojnë hakmarrje “ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët”, ndërsa thonë se “armiqtë e Allahut po kërkojnë t’i përçajnë”.
Në mesazhin e Al Kosovit flitet për “ditë të zeza” ndaj atyre që kanë nënçmuar myslimanët dhe Allahun, “në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni dhe në të gjithë Ballkanin”.
Ndaj videos së publikuar nga Shteti Islamik me përmbatje kërcënuese, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj Bashkësie, Ahmet Sadriu duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Bashkësia Islame e Kosovës i gjykon ashpër kërcënimet që Shteti Islamik i përcjellë për rajonin, përfshirë edhe Kosovën, përmes videos së publikuar.
“Këto nuk kanë të bëjnë absolutisht me anën fetare Islame, sepse të kërcënosh me vrasje, me shkatërrime dhe gjera të tjera, Islami këto i ndalon. Ato faktikisht nuk kanë të bëjnë fare me Islamin”.
“Kështu që, ne si institucion, si Bashkësi Islame, paraqitjet e tilla i gjykojmë, mirëpo apelojmë tek institucionet tona shtetërore që të jenë vigjilente dhe t’i përcjellin këto gjëra”, thotë Sadriu.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se ekzekutivi është duke i dhënë përkrahje të gjithë dikasterëve që janë përgjegjës për sigurinë në vend, përfshirë këtu, Policinë e Kosovës dhe Departamentin e saj Kundër Terrorizmit, prokurorinë dhe Agjencionin Kosovar të Intelegjencës, në mënyrë që ato t’i kenë resurset e nevojshme për të kryer detyrat e tyre.
Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se organet e sigurisë janë të gatshme të reagojnë përballë çfarëdo lloj kërcënimi, përfshirë këtu edhe kërcënimet sikurse ky i fundit nga Shtetit Islamik, përmes videos së publikuar.
“Unë besoj që nëse policia, përmes analizave të veta dhe përmes bashkëpunimit që e kanë me AKI-në , vlerësojnë që ka kredibilitet në ato kërcënime, atëherë ata i kanë masat e veta që i ndërmarrin në përputhje me kërcënimin”, theksoi Miftari.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie ka vlerësuar se “tani për tani nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës, megjithatë Kosova nuk mund të jetë imune sikurse nuk janë edhe shtetet me te zhvilluara ne Evropë e me gjerë”.
Gjithashtu në këtë komunikatë thuhet se Policia e Kosovës, “ monitoron çdo aktivitet të personave fizik dhe juridik, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.
Sidoqoftë, ajo që është e dukshme në këtë video, është mungesa e Lavdrim Muhaxherit, militantit më të njohur nga vendet e Ballkanit në IS.
Muhaxheri pretendohej të jetë vrarë vitin e kaluar, deri në shpërfaqjen e një videoje më 21 maj, në të cilën shihej teksa kryente një sulm me raketahedhës kundër një të riu sirian. Koha se kur është bër videoja në të cilën shihet Muhaxheri mbetet ende e diskutueshme.
Ndryshe, sipas hulumtimit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, mbi 230 qytetarë nga Kosova thuhet se u janë bashkuar organizatave terroriste në Siri edhe Irak, duke e renditur Kosovën në vendin e tetë nga numri i shteteve, qytetarët e të cilave u janë bashkuar luftërave të huaja.(Kortezi:Bekim Bislimi dhe Joanna Paraszczuk)

Filed Under: Analiza Tagged With: kerceon, shqiptaret, Shteti Islamik

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT