• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shteti Helen të mos ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj 7 të rinjve rekrutë me origjinë shqiptare

January 24, 2017 by dgreca

– Po shteti shqiptar ku është?!/

1 elida bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/E njëjta ngjarje si në Zvicër, ashtu edhe në Greqi, por qendrimi 180 gradë i ndryshëm. Prokuroria ushtarake e Janinës është duke hetuar 7 të rinj rekrutë në ushtrinë greke me origjinë shqiptare të cilët publikuan një foto në rrjetet sociale duke formuar me duar shqiponjën dykrenare që është symbol i flamurit shqiptar.Burime zyrtare greke bëjnë me dije se shtatë rekrutët që po stërviteshin në një bazë të Mesologjit po hetohen për kundravajtje dhe shkelje të rregulloreve të ushtrisë që dënohet nga gjobë deri në 5 vite burg. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë greke ushtarët me origjinë shqiptare, por me nënshtetësi greke janë identifikuar dhe më 2 shkurt pritet të bënin betimin.E njëjta ngjarje ka ndodhur në Zvicër, që është mediatizuar në gushtin e vitin 2013. Të rinj rekrutë me origjinë shqiptare në ushtrinë zvicerane, midis tyre edhe një vajzë, bëjnë foto duke formuar me duar shqiponjën. Fotoja bëri xhiro në rrjetin social dhe mediat  e fokusuan ngjarjen duke i marrë në mbrojtje të rinjtë. Po ashtu autoritetet përkatëse nga ana e ushtrisë të Zvicrës shprehën qendrimin e tyre ku theksuan faktin se ushtria e Konfederatës Helvetike përbëhet nga trupa zvicerane. Edhe të rinjtë e intervistuar pohuan të njëjtën gjë, se ata janë krenarë si pjesë e ushtrisë zvicerane dhe po ashtu janë krenarë edhe për rrënjët e tyre.Konkretisht, si në Zvicër, ashtu edhe në Greqi, është fjala për të rinj që kanë lindur apo kanë marrë shtetësinë, që janë të mirintegruar dhe jetën e tyre e bëjnë në vendet ku jetojnë, por nuk i harrojnë rrënjët se nga vinë. Ata ndihen krenarë që janë pjesë e ushtrive të shteteve përkatëse, por krenohen edhe me prejardhjen. Kaq është e gjitha. T’i dënosh sikur po rrezikojnë të ndëshkohen këta të rinj është një veprim skandaloz që do të ndërmerrte Greqia.Helmi nacionalist kundër 7 të rinjve me origjinë shqiptare do të ishte i rrezikshëm.Ushtria e Greqisë dhe Shqipërisë, nga e kanë origjinën shtatë të rinjtë rekrutë, janë  anëtare të NATO-s, Aleancës Verio-Atlantike, pra janë dy vende aleate, plus fqinje. Ndërsa ushtria e Zvicrës, në respekt të neutralitetit të saj, ka një angazhim prej 1999 me njësinë e Swisscoy pranë KFOR-it dhe ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në Kosovë. Pra, të treja ushtritë, e Shqipërisë, Zvicrës dhe Greqisë janë ushtri në mbrojtje të vlerave të lirisë brënda sistemit demokratik.Ndëshkimi apo dënimi i rekrutëve me origjinë shqiptare nga ana e Greqisë do të shihet si një akt që shteti Helen e ndërmerr për të trembur dhe traumatizuar rininë shqiptare tashmë të natyralizuar në Greqi! Ky veprim nëse ndërmerret nga autoritetet greke është i papranueshëm!Për Sokratin, mënyra më e mirë për të jetuar me nder në këtë botë është që të jemi ata që ndihemi se jemi, ndërsa Perikliu, babai i Erës të Artë në antikitetin grek thosh se “Të gjithë ata që kanë marrë përsipër për të sunduar mbi të tjerët kanë vetëshkaktuar urrejtje dhe mungesen e popullaritetit…ndërsa liria është pronë e sigurt vetëm për ata që kanë kurajon ta mbrojnë atë.”Mjerisht, deri tani nuk e kemi asnjë reagim të shtetit shqiptar, që tashmë ka hyrë në fushatën zgjedhore të 18 qershorit dhe është totalisht i përqendruar e përkushtuar me mish e me shpirt tek pushteti, siç ndodh rëndom me politikën shqiptare, por jo tek detyrat që i takojnë si shtet.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, shteti Helen, shteti shqiptar

“RRNOFT SHQIPNIA EDHE PA NE”!

November 16, 2016 by dgreca

SHTETI SHQIPTAR U KËRKON FALJE  38 MARTIRËVE TË KISHËS KATOLIKE/

                                                   1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Javën që kaloi në Presidenti i Republikës së Shqipërisë kryesoi një ceremoni me rëndësi jashtzakonisht të madhe për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Në të vërtetë u zhvillua një ceremoni me një domethënje historike, e cila fatkeqsisht nuk tërhoqi vëmendjen e duhur dhe as debatin shoqëror dhe mediatik që meritonte.  Ishte hera e parë në këto 25 vjetë të tranzicionit post komunist që një udhëheqës i lartë i Shqipërisë, në këtë rast Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani kërkoi falje dhe shprehi pendesë për krimet komuniste në atë vend.  Me rastin e dekorimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike, me urdhërin e lartë të “Flamurit Kombëtar”,  Presidenti Nishani — në emër të shtetit që ai kryeson —  siç u shpreh ai, përunjësisht, u kërkoi ndjesë gjatë ceremonisë solemne të dekorimit, 38-martirëve, të cilët pak kohë më parë u lumnuan nga Papa Françesku.1-presidenti

                 Megjithse mungonte Kryeministri Rama, prania në këtë ceremoni e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, deputetve të Kuvendit, përfaqsuesve të bashkësive fetare të vendit dhe familjarëve të 38 Martirëve e bëri këtë solemnitet një ngjarje të shënuar kombëtare, gjatë të cilës u njohën dhe u kurorëzuan — publikisht — sakrificat dhe vuajtjet e këtyre viktimave të komunizmit.  

2-ilir-meta-berisha

Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar, Presidenti Nishani iu drejtua të pranishëmve, përfshirë edhe përfaqsues të Trupit Diplomatik në Tiranë, me këto fjalë:  “Pranimi me përunjësi i krimeve,  jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokëulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’ — na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.”

“Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit”, vazhdoi fjalën e tij Presdienti Nishani, “E ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat”, u shpreh Presidenti Nishani.

“T’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’, nënvijoi, ndër të tjera, Kryetari i Shtetit shqiptar.

                        ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!” (Presidenti Bujar Nishani)

Presidenti Nishani foli gjithashtu edhe mbi rolin dhe kontributin e Kishës Katolike dhe klerit të saj në historinë, gjuhën dhe kulturën e kombit shqiptar, gjatë shekujve.  Në historisë shekullore të shqiptarëve, këta klerikë martirë dhe të tjerë si këta para tyre, kanë qenë interpretuesit dhe bartësit më të shquar të aspiratave arbërore, të vlerave stërgjyshore dhe të ndjenjave më të thella të kombit shqiptar.  Këtë pohim, Zoti Nishani ua kujtoi edhe pjesëmarrsve në ceremoninë e dekorimit të këtyre martirëve, ndërsa theksoi se,  “Kisha Katolike dhe klerikët e saj të rrënjosur në këtë tokë prej dhjetëra shekujsh janë kudo në indet e këtij kombi qysh në ngjizjen e tij. Historia e këtij institucioni milenar në Shqipëri është sa histori ngadhnjimi, po aq edhe martirizimi, sa histori besimi, po aq edhe patriotizmi, sa histori fetare, aq edhe kulture, sa histori meshe, po aq edhe histori shkrimi, sa histori katoliçizmi, aq edhe harmonie e bashkëjetese, sa histori shqiptare, po aq edhe evropiane e universale.  Ajo është një trashëgimi e lavdishme e Shqipërisë, një realitet i vyer i saj”, u tha të pranishmëve Z. Nishani.

Dinjiteti kishtar dhe kombëtar i këtyre martirëve gjatë torturave dhe deri në ditën e vdekjes — në kombinim me kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës shqiptare ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbe, e deri në ditët e sotëme — u jep këtyre heronjëve një pamje madhështore qëndrese dhe trimërie, në radhët e përfaqsuesve më të mirë të kombit shqiptar.  Në lidhje me këtë, në përfundim të fjalës së tij me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  u shpreh:  “Nga Pal Engjëlli i Skënderbeut deri tek Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani, lista është e gjatë, e gdhendur librave, mungadave, kuvendeve, betejave për pavarësi dhe shtetformim, hetuesive, gjyqeve dhe plojës së Komunizmit, por mbi të gjitha në vetë kujtesën e kombit mbi të cilën mbahet thagma shqiptare. E thënë me fjalët e Atë Gjergj Fishtës, ajo rri si përmendore që nuk e dërrmon as rrufeja e as moti. Tridhjetë e tetë të kësaj liste, të cilët gjithë jetën kishin jetuar dhe ushtruar vokacionin e tyre brenda formulës së shenjtë, ‘Atdhe e fe’, teksa ndaheshin nga jeta tokësore pyesnin, ‘Çfarë duhej të bënim më tepër për të qenë shqiptarë?!’   Pasi kishin qëndruar heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i denonte me vdekje, iknin këso bote në sintoni me mësimet e shenjta duke falur ekzekutorët e tyre, duke lënë mbi dhé amanetin e fundit,  ‘Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne’.

                 Kjo ceremoni javën e kaluar, e organizuar nga Presidenca, nuk ishte e zakonshme si ceremonitë e tjera që Presidenti i Republikës organizon, nga koha në kohë, me rastin e shpërndarjes së dekorimeve të ndryshme individëve dhe grupeve të dalluara.   Kjo ishte një ngjarje madhështore, jo vetëm për faktin se Presidenti Nishani dekoroi me më të lartin Urdhër Shtetëror — atë të Flamurit Kombëtar — 38 klerikët martirë.   Kjo ceremoni mori përmasa të jashtzakonshme sepse për herë të parë në këto 25 vjetë post-komunizëm, një udhëheqës i lartë i Shqipërisë — në personin e Presidentit të Republikës –  në emër të shtetit shqiptar, kërkon falje e ndjesë dhe u shpreh pendesë këtyre dhe viktimave të tjera të komunizmit në Shqipëri.  Fjalimi i Presidentit Nishani me këtë rast, mund të thuhet se është një prej fjalimeve më me rëndësi në këto 25 vite post-komunizëm në Shqipëri, jo vetëm për nga përmbajtja, por më tepër për nga simbolika që mbartë dhe për nga mesazhi që përcjellë autoriteti më i lartë i shtetit shqiptar. Progresi i një vendi nuk matet vetëm me ndërtimin e pallateve me para burimesh të dyshimta, ose me ndërtimin e rrugëve e të fabrikave.  Këto “përparime” mund t’i pretendonin edhe regjimet komuniste, fashiste e naziste.  Si rrjedhim,  institucionet shtetërore nuk duhet të shikohen vetëm si entitete abstrakte dhe burokratike që vetëm përpiqen të zbatojnë ligjet dhe rregullat proceduriale të një shteti.  Përfaqsuesit e enteve shtetërore dhe qeveritare, si kryeministri dhe presidenti i një vendi post-komunist si Shqipëria, duhet që njëkohsisht të mibilizojnë edhe vlerat morale, gjykimet dhe emocionet — me fjalë të tjera, ata duhet të pasqyrojnë edhe forcën morale mbi të cilin mbështeten përpjekjet për krjimin e një shoqërie me vlera me të vërtetë demokratike, ku mbi të gjitha, jeta dhe të drejtat bazë të individit, duhet të jenë të mbrojtura nga shteti dhe jo të abuzohen.  

Njëri nga ekspertët amerikanë të historisë së komunizmit, emri i të cilit nuk më kujtohet tani për tani, ka thënë se nëqoftse nuk mund t’i dallojmë të mirat nga të këqiat midis komunizmit dhe anti-komunizmit — që mund të thuhet se përbënin luftën më të madhe morale të shekullit 20 — atëherë është tepër e vështirë ta marrim me mend se mbi cilat çështje mund të bisedohet në mënyrë, racionale, inteligjente, me arsye dhe transparencë, madje edhe 25 vjetë pas shembjes së komunizmit.  Nuk jam i sigurt nëse shoqëria e gjërë shqiptare, madje edhe nivelet e larta qeveritare, i kanë pranuar përgjegjësitë dhe moralin shoqëror, si standard të pranueshëm sjelljesh në përgjithësi, veçanërisht përsa i përket të kaluarës komuniste dhe krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist në Shqipëri.    Por deklarata e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, drejtuar 38-martirëve të Kishës Katolike Shqiptare se, ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”, është hapi i parë tepër i nevojshëm, ndonëse i vonuar në nivel shtetëror dhe qeveritar — siç ka thënë edhe vet presidenti – për të ndarë të mirën nga e keqja, faktet nga trillimet, kriminelët nga të pafajshmit si dhe mitet nga realiteti historik.

Me këtë veprim, Presidenti Bujar Nishani ka hedhur një hap tjetër përpara, drejtë një Shqipërie me standarde morale — duke ndarë të mirën nga e keqja– dhe duke i dhënë një hov përpara pajtimit kombëtar dhe shërimit të plagëve, për të cilat Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë aq shumë nevojë.   

***

KRONIKE610

Presidenti Nishani vlerëson Imzot Zef Skanën (pas vdekjes) me Dekoratën “Nënë Tereza”

222Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i akordoi Imzot Zef Skanës (pas vdekjes) Dekoratën “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për kontributin e shquar si klerik që shkriu jetën për idealet “Fe e Atdhe”, për edukimin e virtyteve të larta morale si misionar i pajtimit të gjaqeve në Mirditë, përhapës i kulturës, paqes dhe përparimit, si veprimtar shoqëror në lëvrimin e letrave shqipe dhe në përhapjen e arsimit në mesin e shekullit XX”.

Filed Under: Opinion Tagged With: 38 martirët, Frank shkreli, kërkon falje, shteti shqiptar

TURQIA, SHTETET SHQIPTARE DHE EVROPA

October 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/

23  tetori  2013 qe një ditë e pazakontë për hapësirën shqiptare, kryesisht për Kosovën. Në afërsi të Prishtinës u përurua aeroporti i ri i shtetit më të ri t’Evropës. Një vepër bashkëkohore që dëshmon përparimin e Kosovës nga një anë dhe pozicionimin zyrtar të saj, në kontekstin gjeopolitik të një periudhe jo të qetë për Evropën, nga ana tjetër.

Aeroporti, që mban emrin e heroit të UÇK-së e të Kosovës, Adem Jasharit, u ndërtua nga një shoqëri franko – turke që quhet “Limak Aeroport de Lyon”, me sponsorizimin e Qeverisë turke. Ai është marrë në konçesion prej kësaj shoqërie për një periudhë prej njëzet vitesh. Kjo është mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën zhvillimit në Vende që janë në hapat e para të tij. Shumë vite më parë qe këshilluar edhe për Shqipërinë pas komuniste, por pa asnjë rezultat. Klasa politike shqiptare nuk pati përfytyresën e duhur, u tregua jo larpamëse dhe krijuese në strategjinë e saj të zhvillimit, duke mos pranuar dhënien e konçesioneve, në emër të një ideje shterpë e të gabuar të interesave kombëtare. Ajo e bazoi rimëkëmbjen ekonomike të Vendit në huatë e në “kapitalin” vendas, me përfundime aspak të kënaqëshme, në krahasim me Vende të tjera të nisura në kushte të përafërta.

Ceremonitë e 23 tetorit shpalosën një simbolikë që le shteg për të interpretuar mendimin politik që zotëron sot në një pjesë të mirë të kosovarëve. Skena politike, në të cilën u zhvillua ngjarja, u zotërua nga tri figura : në plan të parë ishte Kryeministri turk Erdogan e mbas tij dyshja kryeministrore e shqiptarëve, Thaçi – Rama. Në dukje është diçka e zakonëshme, një ceremoni zyrtare në prani të Kryetarëve të Qeverive të Vendeve t’interesuara në veprën së cilës i pritej shiriti. Parë më në thellësi, dukuria nxjerr në pah elementë që lejojnë të nxirren përfundimet mbi gjëndjen politike të Kosovës e të Shqipërisë dhe prirjet e tyre në marredhëniet ndërkombëtare të së sotmes e të s’ardhmes. Në Prishtinë mungonte Kryetarja e Shtetit e cila, jo shumë ditë më parë, u shpreh hapur kundër vënies së shamive në kokat e studenteve në mjediset e shkollave, duke e përligjur këtë zgjedhje me shprehjen “Kosova është një shtet laik”. Në përurim mungonte dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, njëkohësisht Kryetar i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, Isa Mustafa, një mungesë cilësore që vërteton një farë njëanshmërie të ceremonisë, më shumë e prirur të nxjerrë në pah marredhëniet përparësore me Turqinë dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime zgjedhore. Por n’atë ceremoni, simbas shtypit, nuk ishin as përfaqësuesit e Eulexit, misionit evropian në Kosovë, dhe as ata të ambasadës amerikane, që përfaqëson mikun më të mirë të republikës së re.  Mendoj se këto mungesa nuk janë thjesht rastësi, por kanë domethënien e tyre.

Emërtimi i aeroportit, me gjithë respektin e padiskutueshëm për emrin e dëshmorit të Kosovës bashkëkohore, tregon se udhëheqja aktuale kosovare, në një farë mënyre, ka bërë një shkëputje nga tradita historike e Vendit dhe është e prirur të vlerësojë më shumë periudhën e fundit, që lidhet me luftën e UÇK-së, bijë e së cilës është ajo vetë. Fakti që, për simbol të një vepre madhore të Kosovës bashkëkohore, nuk u huajt nga historia asnjë nga figurat e shumta të saj, personazhe të shquara të historisë kombëtare shqiptare si Ymer Prizreni, Nexhip Draga, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Dervish Mitrovica, Tahir Zajmi, Xhaferr Deva, Rexhep Mitrovica, Iljaz Agushi, për të përmendur vetëm disa prej tyre, tregon pikërisht atë prirje. Në këtë kuadër hyn edhe lënia disi në hije e emrit dhe ndihmesës së Presidentit të parë të Kosovës, të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova. Sigurisht, një orientim i tillë është i lidhur me një  mëdyshje  që shqiptarët kanë qenë të detyruar t’a përballojnë në shumë etapa të historisë së tyre, atë të animit nga Lindja apo nga Perëndimi. Pa hyrë në analizën e motiveve dhe arsyeve të këtyre zgjedhjeve, të cilat janë shumë komplekse e paraqesin dritë – hije të pakundërshtueshme në rrjedhë të shekujve, duket qartë se ndikimi i Qeverisë aktuale turke në Kosovën e pavarur vjen duke u rritur.

Më 23 tetor Kryeministri Erdogan, në krye të një dërgate prej 600 vetësh, ku përfshihej gjysma e kabinetit qeveritar, u prit në Prishtinë e Prizren me një ngrohtësi të jashtzakonshme, jo nga pakica turke, por nga populli i Kosovës shqiptare. Nuk është një dukuri e pazakontë kjo, madje e gjithë historia jonë e gjysmës së dytë të shekullit të fundit, paraqet skena të tilla. Mjafton të kujtojmë pritjet e udhëheqësve komunistë të B.S. apo të Kinës në regjimin komunist dhe atë të jashtzakonshmen e Sekretarit amerikan të Shtetit më 1991. Këto pritje nuk janë vetëm shprehje e prirjes tradicionale të respektimit të mikut, por edhe e më shumë e shpresës që lind nga fuqia ekonomike e shtetit që përfaqëson, e iluzionit se vetëm të huajt mund të zgjidhin problemet tona. Ky koncept vazhdon të jetojë ende sot, edhe për inerci të kundërveprimit ndaj teorisë së “mbështetjes në forcat tona” të komunizmit enverian, zbatimi i së cilës solli mjerimin më skajor në historinë e shqiptarëve.

Por a është Erdogani “shpëtimtari i atdheut” që do të zhdukë varfërinë e Kosovës? E cili do të ishte çmimi eventual i një ndërmarrjeje të tillë? Sa do t’ishin t’interesuara Kosova e Shqipëria t’i jepnin përparësi këtij opsioni, kundrejt synimit të tyre për t’u bërë pjesë integrale e Bashkësisë evropiane ? Janë pyetje që klasa politike në Kosovë, kryesisht, por edhe në Shqipëri, duhet t’u përgjigjen. 23 tetori në Prishtinë e në Prizren, në kuadrin e deklaratave të drejtuesve të tre qeverive, i shtron më me forcë.

Turqia konsiderohet sot prej shumë kujt një mbifuqi ekonomike rajonale, një shtet i rëndësishëm i NATO-s, një faktor qëndrueshmërie në Lindjen e Afërt e të Mesme, në një zonë ku kundërshtitë janë gjithmonë të pranishme e ku luftërat mund të jenë përherë në pritë, madje edhe në zhvillim siç është ajo në Siri. Elementi i parë i këtij konstatimi besoj se meriton një analizë më të hollësishme të shifrave. Turqia ka një popullsi prej 74 milion banorësh, me një PPI prej 789,3 miliard dollarë dhe t’ardhura për frymë 10830 dollarë në vit. Përkatësisht këto shifra, simbas BB janë : për Gjermaninë 3400 miliardë dhe 44000 dollarë ; për Francën  2813 miliardë dhe 41770 dollarë; për Britaninë e Madhe 2435 miliardë dhe 38250 dollarë ; për Italinë  2013 miliardë dhe 33840 dollarë. Po të bëjmë krahasimin me   Vëndet kryesore evropiane nuk besoj se fjala mbifuqi ekonomike qëndron në këmbë, mbetet më shumë frut i një propagande se sa një realitet i prekshëm. Ajo ka një rritje të PPI në masën 2,2 %, që nuk është një shifër dragojsh ekonomikë.

Që nga viti 2005 Turqia ka bërë kërkesën për të hyrë në BE. Ishte një kërkesë që, në 2004, gëzonte miratimin e 73 % të opinionit publik turk e që këtë vit ka zbritur në 44 %. Por bisedimet kanë ngecur pa bërë përparime, si pasojë e kërkesave, gjithënjë në rritje të evropianëve kundërshtarë (Franca e Gjermania kryesisht), por edhe për një delir madhështie të Qeverisë islamike të Erdoganit, që ëndërronte një neoperandori otomane në salsë bashkëkohore. Koha duket se i ka zvogëluar këto motive, madje në Ankara nuk është më në plan të parë ministri i jashtëm Davutoglu, idhtar i “neootomanizmit”, por Egemen Baris, ministri për marredhëniet me BE. Në këtë drejtim vlen të përmëndet fakti se numuri i shteteve të BE-së, që miratojnë praninë turke n’Evropë, është shtuar. Nëse do t’i përshtasnim një klasifikim termik opinioneve të antarëve të BE-së, rezulton se të ngrohtë ndaj hyrjes së Turqisë janë sot Suedia, Finlanda, Estonia, Letonia, Irlanda, Britania e Madhe, Hollanda, Belgjika, Portugalia, Spanja, Italia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria ; të vakët janë Lituania, Polonia, R. Çeke dhe Franca ; të ftohtë janë Danimarka, Gjermania, Austria, Hungaria, Greqia dhe Qipro.

Dështimet në politikën rajonale, në marredhëniet me Izraelin, Egjyptin apo Sirinë e bëjnë Qeverinë turke të kërkojë zona ndikimi në Ballkanin ish otoman, kryesisht në shtetet me popullsi myslimane si Bosnja, Kosova, apo Shqipëria. Prirja për t’u kthyer aty ku kanë qenë para më shumë se njëqind vitesh mund të duket si një dukuri e zakontë që haset shpesh në marredhëniet  e ish fuqive koloniale me ish kolonitë e tyre. Por në rastin tonë nuk mund të zbatohet ai parim.

Deklarata e Erdoganit në Prizren se “Kosova është Turqi e se Turqia është Kosovë”, në rastin më të mirë është një lajthitje e në më të keqin një demagogji bajate, që mund të hyjë vetëm në trutë e fanatikëve apo të padijshmëve, sepse nuk mban parasysh historinë e njëqind viteve të fundit e jo vetëm atë. Kryeministri turk “harron” faktin se shqiptarët kanë një shekull që janë të ndarë në katër shtete kufitarë e që problemi kombëtar, me gjithë kufizimet që koha dhe prirjet bashkuese të kontinentit i kanë vënë, mbetet gjithmonë i gjallë në vetëdijen dhe strategjinë e tyre politike. Por në fjalimet e Prishtinës e të Prizrenit asnjë gjysëm fjale nuk doli që t’a kujtonte “dertin” shqiptar të një shekulli. Erdogani shtrembëron edhe historinë, të cilën na ka kërkuar t’a rishkruajmë në frymën që “për shekuj me rradhë kemi jetuar në vëllazëri dhe në unitet në këto toka.”. Me “shkopin magjik” të prestigjiatorit politik kërkon të na paraqesë një realitet historik të paqenë, që le në harresë 54 kryengritje, gjatë më shumë se katër shekuj pushtimi, në të cilët nuk është lejuar të hapet as edhe një shkollë në gjuhën shqipe. Feja, normalisht motiv bashkimi i njerëzve, u kthye në një mjet ndarës, veçimi e dallimi mes folësve të të njëjtës gjuhë. Ndihmesa e shumë shqiptarëve në jetën administrative e kulturore të Perandorisë otomane, është më shumë shprehje e ambicjeve dhe arritjeve vetiake të tyre, se sa një parapëlqim i institucioneve kundrejt tyre.

“Historia na mëson e vetë me sŷt t’anë po shohim se Shqiptarët, megjithë qi atdheun e vet e kanë ruejtun vetëm ata vetë me gjakun e çëmueshëm të tyne, megjithë qi deri vetë jeta e mbretnis otomane qëndron me sakrificat e tyne, me gjithë këto, po themi,  Shqiptarët po gjinden të ndrydhun prej padrejtis mâ të padurueshme, prej sundimit mâ të neveriçëm.” Janë fjalët e një shqiptari që ishte diplomuar në Mylkijen e Stambollit e që mbajnë datën 2 korrik 1912. Vlejnë edhe sot si dëshmi e një historie që nuk mund të tjetërsohet.

Por të gjitha këto konsiderata nuk duhet të paragjykojnë marredhëniet me shtetin turk që duhet të jenë të mira, shumë të mira, por gjithmonë në kuadrin e respektimit të vlerave e të interesave të ndërsjellta, pa kaluar caqet e identitetit e traditës së secilit. Nëse rruga jonë drejt Evropës është e përbashkët, nuk shoh asnjë fitim që atë t’a bëjmë nën ombrellën e Erdoganit, edhe nëse na premtohet ndonjë lëmoshë. Nëse shqetësimi i tij është i sinqertë e pa interes (e vështirë për t’u besuar), nëse ai “nuk mund të durojë dot të shohë Ballkanin të derdhë lot si në të kaluarën”, por bujarisht përpiqet të japë ndihmesën të shërojë plagët e tij, askush nuk duhet të ushqejë paragjykimin për të mos e pranuar a priori atë ndihmë. E kemi ende të gjallë para syve një mospranim të tillë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia kundrejt dorës së shtrirë të Shtrausit e Gensherit, ndërsa shqiptarët ftoheshin “të hanin bar” për të ruajtur ideologjinë kriminale të tyre.

Por ky pranim eventual i ndihmës nuk mund të kushtëzojë në asnjë mënyrë zgjedhjet, traditat, konceptet, historinë, synimet e projektet tona, që nuk mund të jenë të tjera, veç përkatësisë në Bashkësinë e kontinentit në të cilin bëjmë pjesë, në historinë e qytetërimin e tij.

Në traditën shqiptare miku është vënë gjithmonë në krye të sofrës apo të oxhakut, por nuk është bërë kurrë zot shtëpije. Komunizmi u mundua t’a tjetërsojë atë duke bërë zot shtëpije Titon, Stalinin, Mao Ce Dunin. Drejtuesit e shqiptarëve pas komunistë, edhe në ushtrimin e retorikës më të zjarrtë në marredhëniet me të tjerët, duhet t’a mbajnë para sysh atë parim të urtë të të parëve tanë.

Tetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, shteti shqiptar, Turqia

SA I KA KUSHTUAR SHTETIT SHQIPTAR ANTISHQIPTARI VASIL BOLLANO?

January 4, 2013 by dgreca

Antishqiptari i betuar Vasil Bollano, ish kryetar i Bashkisë së Himarës, i ka kushtuar shtetit shqiptar 109 milionë lekë…/

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë publike dëmet që i ka shkaktuar shtetit shqiptari, antishqiptari Vasil Bollano. Sipas shtypit të Tiranës, KLSH do të kallëzojë penalisht ish- kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano pasi ka shkaktuar dëmin e konsiderushëm prej 87 milion lekësh duke mos menaxhuar ose duke lejuar shkelje me taksat vendore. Plus dëmit të parë, Bollano nuk ka zbatuar rekomandimet e KLSH duke shkaktuar një dëm prej 22 milion lekësh. KLSH ka kallëzuar edhe ish- Drejtorin e Urbanistikës në Himarë N.C.

“Ish-kryetari i Bashkisë Himarë, V.B., për periudhën që ka drejtuar 2008 deri më 30.06.2011 nuk ka menaxhuar, ka lejuar shkelje, nuk ka llogaritur dhe nuk ka vepruar për arkëtimin e detyrimeve në tatim-taksat për periudhën objekt auditimi në shumën totale 87,783,240 lekë, si taksë nga ndërtesat, taksë për tokën, taksë hoteli dhe taksë për zënie hapësire publike.

Gjithashtu, ai nuk ka zbatuar dhe ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në refuzimin e paargumentuar të rekomandimeve të kontrollit të KLSH-së, të dërguara me shkresën nr. 187/4 datë 26.03.2008, shkresën nr. 372/6, datë 29.3.2010, dhe të rikërkuara me shkresën nr. 372/17, datë 22.10.2010, duke mos i dërguar Agjencisë së Prokurimit Publik rekomandimet e iniciuara nga KLSH, gjë që ka sjellë si pasojë mos arkëtimin dhe mos kërkimin në rrugë ligjore të dëmit të shkaktuar buxhetit të shtetit nga keqmenaxhimi i njësisë vendore, me vlerën 22,235,224 lekë.

Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit në fuqi, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 40,753,136 lekë dhe të ardhura të munguara nga mosarkëtimi i taksave lokale në vlerën 87,783, 240 lekë,” thuhet në njoftimin e KLSH.

Rezultatet e auditimit

– Për 22 raste, lejet e ndërtimit janë shqyrtuar dhe miratuar mbas 6 muajve nga vendimi për miratimin e lejes së sheshit të ndërtimit, veprim ky në kundërshtim me nenin 46 të ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”;

– Për 59 raste janë pranuar kërkesa për miratim të lejes së sheshit dhe lejes të ndërtimit pa titull pronësie nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por vetëm mbi bazën e formularit 6, Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi apo vendimit të gjykatës për njohje të faktit juridik të pronësisë në emër të kërkuesve;

– Nga Drejtoria e Urbanistikës e Bashkisë janë zbardhur leje ndërtimi pa u bërë më parë arkëtimi i tarifës së taksës së ndikimit në infrastrukturë në afatin brenda 30 ditëve të punës, për 47 raste me vlerë prej 5,332,306 lekë dhe 1 rast me vlerë prej 1,190,134 lekë

Si do të sillet shteti shqiptar më këtë njeri që nuk e njeh ligjin dhe as shtetin shqiptar dhe nuk ka lënë naziskin grek pa cuar në Himarë e pa i ngatërruar himariotët? Është koha që t’i jepet një mësim se ligji vepron njëllojë në Shqipëri

Filed Under: Opinion Tagged With: antishqiptari, shteti shqiptar, Vasil Bollano

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT