• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historianët e Enverit, si ata të Stalinit

December 5, 2014 by dgreca

Historianëve tanë të indoktrinuar u ka mbetur ora tek ajo e Enverit!/
Nga Kostaq XOXA/
Të ishe historian i atij frymëzimi, qé puna më e lehtë. Mjafton të kishe ato njohuri historike stampë, që i ishin rrënjosur në kokë idhullit të tyre, Enverit. Nëse Haxhi Qamili duhej ngritur në rangun e heroit kombëtar, historianët do të thoshin, njëzëri “Dum babën!”. Një kaçile njohurish stereotipe, do të mjaftonte për të bërë ison e kohës. Ligjet më të përparuara ishin ato të Vishinskit. Këto njohuri “u përçuan edhe në kohën e mëpastajme. Historian në ditët e sotme është edhe njëri ndër kryetarët e P.Komuniste të tanishme, M. Dajti, açik dhe “pieno di se” (përplot me vetveten) në daljet publike, që ia dha “tërë kompetencë” përgjigjen një gazetareje në interviste, që i solli në kujtesë krimet e E.H.-s. – “Atëherë, fajtorët dënoheshin me gjyq!” – tha i intervistuari. Ende nuk dinte se, në atë kohë, gjyqi ishte sa me “diskreditue” atë që vendosej në organet e epërme të Partisë! Askush nga historianët tanë, që vënë vulën e tyre në tekstet shkollore, nuk është ndërgjegjësuar se këta libra janë tërësisht të politizuar e të mbushur me përdhosjen e historisë së vërtetë. E tani na janë ngarkuar po ata, që të bëjnë “korrigjimet” e librave shkollorë!
Një disident nga më të mëdhenjtë ka shkruar librin e famshëm, në analizë të “Klasës së Re”, që ka pasur për detyrë të konsolidojë klasën mbështetëse të totalitarizmit të kuq në BRSS-në e Stalinit, në Republikën Popullore të Shqipërisë së Enverit dhe në Republikën Federative të Titos. Kjo “Klasë e Re” përfshinte njerëzit e privilegjuar, me kushte mjaft më të mira se ato të mjerimit ekonomik të vendeve me tmerrin e kolkozeve në BS, me varfërinë e taloneve në Shqipëri dhe me sajdisjen e militantëve në Jugosllavinë e Titos; ndonëse kjo e fundit, relativisht, e kishte përmirësuar gjendjen, pas shkëputjes prej Stalinit.
Prototipat e kësaj gjendjeje të lumturisë fiktive ishin përfaqësuesit e Njeriut të Ri, të Pavlik Morozovëve e të Lejfënëve, që vrisnin edhe babën për devotshmërinë kriminale, “revolucionare”. Në mënyrë të thukët (të koncentruar) , kjo periudha e fundit mund të shprehë, me pak fjalë, detyrat e historianëve të Enverit në Shqipërinë tonë fatkeqe, për të jetësuar shpëlarjen e trurit në vendin tonë. Këta propagandistë të së keqes, me një fjalor prej vetëm 200 fjalësh, së fundi, kanë qenë mbështetësit më cinikë të Klasës së Re, sipas përcaktimit më shprehës të Klasës së Re të disidentit Milovan Gjilas. Nëse ky tabor njerëzish të privilegjuar u shpërbë, pas vitit 1956, në Perandorinë e Kuqe të Stalinit dhe u dobësua disi me ndërkalljen e Titos në Botën e Tretë dhe me zbutjen e marrëdhënieve me Perëndimin, – kjo aradhe në shërbim të E. Hoxhës, mbeti e paprekur gjer në ditët tona. Arsyeja është e thjeshtë. Mendësia enveriste mbeti e paprekur, se E.H.-a ishte i vetmi, jo vetëm në rajon, në Ballkan e, thuajse në të gjithë Rruzullin, që nuk e bëri destalinizimin. Më thjesht: Ai mënjanimi (izolimi) i tij (me përjashtim të disa langove injorantë, si Fosko Dinuçi, Amazoa e disa hiçë (mediokër) të tjerë, u shërbye dinakiërisht, për atë ankth (obsesion) të sëmurë për pushtetin vetjak mbi gjithçka. Më shkurt fare. I mbeti emërtimi: një Stalin i vogël dhe i vetëm në Ballkan!
Këtej ka rrjedhur, si pasojë, ajo thënia morroqe e Nexhmijes – kinse historiane – se “Enveri do ta bënte vetë demokracinë, po të ishte gjallë, me supozim!” (!). Menjëherë i erdhi përgjigjja nga një person jo historian, por me intuitë historiani: – Thuaji shyqyr Perëndisë (megjithëse je e patenzonë) që, edhe me hamendësim, nuk bëhet ajo që thua, se E.H.-a do të përfundonte si Çaushesku kurse ti vetë, si bashkëshortja e diktatorit tonë, do ta kishe pësuar si Jelena!”. Një tjetër “historian” enverist, sesi i kishte ruajtur marrëdhëniet me një nga titullarët e Helsinkit, Kristina La Lymierën, – ashtu si dinë të lëpihen ata – dhe pati që në fillim postin e përfaqësuesit të organizatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe na shiste “demokraci”: Por nuk vonoi që të dilnin publikisht njerëz me emër e me mbiemër dhe t’i nxirrnin fotogramën këtij farë historiani, me gjithçka ai kishte punuar për përjashtimin e studentëve në gjimnazin e Tiranës, si koordinator i K. të Partisë së Tiranës me shkollat e kryeqytetit. Një “historian” tjetër, duke përfituar nga paudhësitë enveriste të ’93-shit, me ngazëllimin e të përkëdhelurit prej të eturve për të përthithur të zvetënuarin karrierist të pa votuar në Kosovë, deshi të bëjnë “Pajtim Kombëtar” që u tret si kripa në ujë, se keqbërësit nuk denjuan të kërkojnë falje për krimet e Enverit. Tjetri, që mori goxha ofiq pas ’97-s, gjithashtu, dhe kishte dhënë prova kundër antifashistëve që kishin luftuar kundër okupatorëve në rangjet kombëtariste, e quajti si “normale” që të vinte foton sa një hata në ambientet e brendshme të dikasterit të tij, duke revoltuar ish-të përndjekurit politikë që kishin hequr të zitë e ullirit nga tirania enveriste! Ky personalitet i “shkencave historike” kishte vajtur (me paret e shtetit, sigurisht), në arkivat jashtë shtetit, për të gjetur dokumente se… ballisto-zogistët paskëshin qenë kolaboracionistë! Po si paskëshin qenë të tillë Hysni Lepenica, Besnik Çano, Qeramudin Sulo, Adi Kasimati, Jashar Cakrani Namik Mehqemeja, Selfo Hekali, Haziz Sharra… Edip Tërshana, Mustafa Gjinishi, Llazar Fundo, Isuf Luzi, Neki Ymeri, Tefik Sfiri etj. , me veprimtari të qartë kundër okupatorit? Cili u nderua nga këta me rastin e 29 Nëntorit, që E.H.-a ia ndërroi datën për të pasur festa të përbashkëta me Titon? A ka kolaboracionist më të thekshëm se Enveri që i dha vendin e Sekretarit I të PK-së shqiptare, që të ishte vetë vartësi i Mareshalit jugosllav? Apo duan të citojmë organet e tij propagandistike, si dokument i papërgënjeshtrueshëm?).
Historianët e Enverit, si ata të Stalinit
Historianët demokratë të botës janë ndeshur në vështirësi të njëmendta për të vënë një vijë të barazpeshuar vlerësimi dhe analize ndërmjet krimeve të nazizmit dhe atyre të komunizmit: 25 milionë viktima nga i pari. 100 milion nga i dyti! Këto të fundit janë të mbuluara nga një propagandë shurdhuese, e cila nuk u flashk dot plotësisht edhe pas destalinizimit, në vigjilje të Kongresit XX të P.K (b) të Bashkimit Sovjetik. Ndërgjegjja e cenuar e botës së intelektualizmit të ndershëm perëndimor, për të pasur edhe një Nuremberg të krimeve staliniste, objektivisht u gjend pa një rrugëdalje të efektshme. Stalinizmi kishte pasur apologjetë me emër në arenën e kulturës botërore: emra të një lartësie të tillë si Lui Aragoni, Romen Rolani (Romain Roland), Zhan – Pol Sartri, Simona dë Bovuari, Pol Elyari (Eluard), Hanri Barbysi, Kyritë, Edyar Herrioi, Zhorzh Dyhameli … (që të përmendim vetëm francezët), por edhe shkrimtarë të tjerë me famë, si Eminguej, për shembull, që ranë në këtë grackë: Verbëria e disave mund të përligjet, në njëfarë mënyre, se kishin vdekur para paudhësive sovjetike, që tronditën opinionin demokratik perëndimor, si në ngjarjet e Çekosllovakisë, të Hungarisë dhe të Polonisë. Disa të tjerë kishin vdekur para destalinizimit.
Intelektualët e së djathtës franceze e ngritën zërin dhe në “Figaro littéraire-in”. Kritiku letrar i njohur, Stefan Denisi, nuk kurseu as emra të shkrimtarëve të dëgjuar, të komprometuar në marrëdhënie me vendin e madh të vetëm fitues jodemokratik (me vizitat e paguara nga joshësit sovjetikë). Ai shënoi në listën e vet edhe Zhan-Pol Sartrin dhe Simona dë Bovuarin që “nuk nguruan t’u bëjnë lavde Fidel Kastros dhe Mao ce Dunit, kur vendet e tyre ishin të zhytura në mjerim dhe në shtypje”. Sartri dhe Simona u cilësuan si një çift i verbuar dhe në bashkëfajësi… Kjo bashkëfajësi qëndron në atë se jo vetëm Sartri por edhe të tjerë, nuk i pritën mirë shkrimet e dhimbshme të Shollzhenicinit për gulagët stalinistë. Demaskuesi i stalinizmit tregon në mënyrë të ethshme duelin e tij të çuditshëm me Perëndimin, ku nuk ia kuptojnë hallin meskinët, mashtruesit, hipokritët, që shesin gjithmonë të njëjtat shpifje, të cilat vërshonin dikur nga KGB-ja”. Pra, ai ishte thuajse i vetëm në demaskimin e shtetit të mungesës së lirisë. Një libër që doli në Francë, mbante këtë titull: “Kundera shkruante kur komunizmi fliste përmes parullash”. Megjithatë ky vend i sovjetëve ishte vërtet i ledhatuar nga firma të mëdha intelektuale, ndonëse zëra që e njihnin mirë realitetin, si Malkolm Muggeridge e të tjerë jepnin kushtrimin për “tokat më pjellore të botës që ishin katandisur në gjendjen e shkretëtirave të melankolisë”. Njohësi i mirë i katastrofës sovjetike në bujqësi, Robert Conquest- i, në librin e tij “The Harvest of Sorrow” (Të korrat e mjerimit) tregon se të vetmit udhëheqës me origjinë fshatare, Kalininit, iu diktua që të thoshte në një kongres kolkozësh, në qershor të vitit 1933: “Çdo fshatar e di mirë se ata që janë pa bukën e gojës janë në një gjendje të tillë jo për prodhim të keq të tokës, por sepse janë dembelë dhe nuk duan të bëjnë një ditë pune të ndershme!”. (f.261 e librit të Bullock-ut). Përmendet edhe burimi i fjalëve të Kalininit: “Pravda”, 24 qershor, 1933). Boris Pastërnaku e quante këtë sistem shoqëror si “pushtetin çnjerëzor të mashtrimit” (“Hitler et Staline”, f. 296).
Si u mashtruan, pra, kaq verbërisht intelektualë të shquar nga të gjitha vendet perëndimore? Por duhet thënë edhe se jo të gjithë u joshën nga pritjet tërë salltanete, me të gjitha të mirat, me biletat e parapaguara të udhëtimeve, nga prestigjiatorët sovjetikë dhe nga vetë Stalini (Enver Hoxha e përvetësoi për bukuri këtë tertip, por jo me intelektualë të rangut të lartë. Madje me aventurierë të dalë boje, si Fosko Dinuçi, Amazoa e qylxhinj të tjerë…).
Akademiku francez, Andre Zhidi, ishte edhe ai ndër të mëdhenjtë, por nuk ra në kurthet utopike të sloganeve propagandistike. Veçse thelbi i ruajtjes së lëkurës së terrorizmit të kuq, në krahasim me atë nazist është, sipas Thierry Woltonit, mjaft i thjeshtë: “Bashkimi Sovjetik ishte ndër vendet fitimtare të Luftës II Botërore”. (“Le KGB en France”, 1987). “Vea victis!” (Mjerë të mundurit”). Zhan-Pol Sartri ishte ndër më të shquarit, që kishte rënë nën kurthet për festat e Paqes, në B. Sovjetik. Por jo vetëm ai, por edhe të tjerët, e kuptuan të vërtetën. Ata që do të lexojnë intervistën e Sartrit me të nderuarin nga presidentët amerikanë për dijet historike e letrare, Isuf Luzajt, do të jetë objekt për një shkrim tjetër. Sa për ta mbyllur, për tani do të themi se Sartri, ka shprehur të gjithë gjenialitetin e tij shkencor me frazat më të ashpra ndaj totalitarizmit të kuq, ndaj Stalinit dhe ndaj mashtrimit komunist. E kundërta, për të kaluar nga antikomunizmi butaforik në komunizmin fiktiv, kjo do të ishte një rrugë qorre, pa të ardhme. Arvizu e përcaktoi bukur këtë udhë të shtrembër: “Enveri është një Përbindësh!”. Enverizmi s’mund të ketë të ardhme në vendin tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Historianët e Enverit, si ata të Stalinit

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT