NGA ERNEST KOLIQI/
Mё qet puna shpesh tё kem tё pёrpjekun me djelmosha qi merren me kulturё shqiptare. E kam fjalё sidomos ke ata prej atyne qi dolen nga nji kurs epruer studimesh tё mesme e qi zotnojnё me njoftime tё veta nji shtrîmje bukur tё gjânё tё çâshtjeve kulturore t’ona. Flas edhe pёr tё rij qi kryen fakultete universitare. E shumta e tyne, mbasi qi kёto takime ndodhin nё mёrgim, janё djelm kosovarё, ase t’ikun prej Shqipnije nё Kosovё e mandej tё shpёrngulun nё Prendim ku vazhduen shkollimin ase Arbreshё tё dhânun mbas gjuhёs e letrave shqipe; shkurt: intelektualё moshe sё re. Mue, si arsimtar, shёndrrimi i mendimeve me pёrfaqёsuesa tё djelmёnís studjuese jo vetёm mё kёnaqё por mё vlen pёr mos m’u shkёputё nga pёrpushjet mendore tё botёs aktuale, d.m.th. me qindrue nё dijení e nё vlug tё frymёs sё kohёs. Jetojmё nё nji faqe nierit ku ndrrimet nё mendёsí, nё zakone, nё shije, nё parime gjikuese ndrrojnё pajadá, kapёrdihen, marrin drejtime tё paprituna, ecin para e kthejnё mbrapa me ritёm tё vrullshёm. Deri sa bân hije mbi kёt tokё, pёrditё dishka mёson njeriu. Me njomsín e ndieshmёnís sё tyne, tё rijt na bâjnё, deshtas a padeshtas, tё prekim me dorё gjendjen ku shpirtnisht e qytetarisht arrîjti rodi i ynё. Tue krahasue pёrshtypje e opinione breznísh tё ndryshme, shofim patjetёr mâ qartas ku i dhemb e ku i djeg çâshtjes kulturore shqiptare.
Grumbulli i vlerave tё kombit d.m.th. pasunija kulturore e jonё ka nevojё pёr organicitet. Pyetjeve: kush jemi na Shqiptarёt? Cilat janё tiparet qi na dallojnё nga kombet e tjera? Ҫ’farё botёkuptimi trashiguem nga stёrgjyshat, a mâ mirё, ç’tharme njerzore kanё zakonet qi rregullojnё jetёn t’onё? Ҫ’pajisje tё mira e tё kёqija ndryen shpirti arbnuer? Si paraqitet toka ku banojmё, e ç’ndikim patёn mbi rodin t’onё karakteristikat e saj? Ҫ’kavija (shkaqe) e ç’pasoja (rrjedhime) kryesore spikasin nё zhvillim tё ngjarjeve historike kombtare? Ҫ’ideal jetese paraqet nё thalb tё vet letёrsija e jonё gojore e ajo ditunore?[1]
Nji njerí me mende e shqise tё zhvillueme dishron e don me pasё pёrgjegjen e kёtyne pyetjeve tё ngashёrueme. Lakmon nxehtёsisht tё két para vetes pámjen sa mâ tё zdritun tё dhânave qi i pёrkasin jetёs shqiptare nё kalesё e nё tё tashme pёr t’i a blé neshtrashёn ardhёmёnís.
Mungesё e pafajshme dijenije
E mbeta qi, – nё takime me tё rij tё Shqipnís, tё Kosovёs e tё diasporёs, – mё bjen nё sý menjiherё âsht mungesa e lidhjeve ndёrmjet pjesve tё botёs shqiptare. Rrethânat e sotshme, shkaktue nga stuhít politike e luftarake tё kёtij qindvjeti, kanё shkaktue copёtim nё mes gjymtyrve tё trupit shqiptar. Sot pёr sot, duhet tё kapёrcehen shum vishtirsí pёr tё pasё nji idé gangullore tё vlerave sё njimendta t’ona. Pjesёt e ndryshme nё tё cilat copёtohet gjindja e jonё shkaktojnё nji krijim qarqesh tё veçueme kulturore aspak tё harmonizueme njâni me tjetrin. Mungon njisija e nji tânёsije organike. Me kandar e me kút tё ndryshёm peshohen e maten vlerat, qi duhet tё njehen tё pёrbashkёta. Kuptohet qi larmija e mendimeve dhe e pleqnimeve begatё menden e njerzís dhe zgjânon horizontin kulturuer. Por, pjestarёt e nji kombi, nё disa pika thalbёsore, pёrkitazi me tё qênunit e tij, duhet tё jenё tё njâj mendimi po deshtёn, me mish e me shpirt, tё qindrojnё pjesё e pashkёputёshme e trunkut rracjal origjinar. Pёshtjellimi i vlersimeve dhe turbullimi i parimeve pleqnuese cёnojnё tânёsín shpirtnore dhe e çojnё nji komb nё humbnerё tё çoroditjes e tё shkombtarizimit.
Nuk mund tё paditet kurrkush, – dhe mâ pak se tjerakush djelmёnija, – pёr mungesё kriteresh tё pёrbashkёta nё vlersim tё dukunive, me tё cilat sot paraqitet bota shqiptare. Duhet tё punojmё pёr nji ndriçim. Duhet me gjoks tё pёrpiqemi me sqarue periudha historike, fytyra tё pikatuna tё kalesёs e tё tashmes, rrethâna e hollsina pёr tё rendue me paânёsí e drejtёsí vlerat kombtare, tё cilat sot nё vendrim (contemplation) i shofim tё koklavituna e tё ngatёrrueme. Fajin e kanё zhvillimet e historís s’onё mâ tepёr se njérzit.
Lypi ndjesё pёr kёt parathânie bukur tё gjatё qi e vonoi hŷmjen n’argument shёnue nё titull. E ka arsyen e vet. Ndër personalitete shqiptare, nji ndër mâ të përgojuemit e të shoshluemit âsht Mustafa Kruja. Nuk due të polemizoj me kurrkend: dishroj vetёm t’a çveshi fytyrën e këtij Shqiptari në shêj nga moskuptimet, nga thashethanat e përcipta, nga paragjikimet verbuese.
Dikush, me arsye, do të më drejtojë vërejtjen tue qitë e thânë se mbi Mustafa Krujën u shkrue edhe mbas luftës dhe njerz të shquem vûnë në dukje meritat e tija. Po, âsht e vërtetë; por, takimet qi përmenda në krye të këtij artikulli, i pata mâ të shumtat tash vonë dhe të rijt me të cilët fola nuk dijshin gjâ mbi ato shkrime. Prandej e shof t’arsyeshme t’u a kujtoj atyne qi dishrojnë me pá qartë mbi të kaluemen e Shqipnís dhe të bijve të saj mâ të vlefshëm, êmnin dhe veprimtarín e Mustafës mbas afro pesëmdhetë vjetve të zhdukjes së tij.
Koha ka qetësue shpirtnat e gjakimet politike synojnë qoka tjera. Prandej mendojmë se fjalët sqaruese zânë vend tashmâ pa kundërshtime të ndezuna.
Tё rijt e zdritun nga kultura dhe tё mbrûjtun nё shakulluer shpartallues tё mbasluftёs sё dytё kuptojnё mirfilli se njerz e ngjarje tё botёs s’onё lёvdohen e pёrbuzen jo nё nji rrafsh racjonal, por n’atê pasjonal dhe duhet tё dijnё tё vёrtetёn, dhe i a vêjnё detyrё vetes me zhdaravitё mjegullinat, me pá qartё e me rendue pa mbajtё pajё n’asnji ânё vlerat e botёs shqiptare. Kush mundohet t’i gёnjejё tue shfytyrue (falsifier) ndodhína e vetje dâmton e njollosё gjân mâ shêjte qi kemi si Shqiptarё: menden e djelmёnís s’onё, d.m.th. tё birnís sё sejcilit prej nesh, e cila don t’eci kah ardhёmenija me pajёn e sё vёrtetёs nё xhep.Natyrisht këtu paraqesim Mustafa Krujën si njeri kulture.
Disa pika bibliografike
Shkruesi i kёtyne radhёve botoi nё Shêjzatnё Vjetin e I (1957), nr. 2 – 3, faqe 70 – 76, nji syzim me titull Shtatёdhjetёvjetori i lindjes sё Mustafa Krujёs.
Mё 1959, mbasi qi Ai ndrroi jetё nё Niagara Falls – N.Y., Shêjzat(Vjet’ i III, nr. 1 – 2, faqe 1 – 12) botuen artikuj tё Zef Valentinit, Tahir Kolgjinit dhe Ernest Koliqit. Nё fund t’atij vjeti (nr. 11 – 12, faqe 381 – 384) i paharrueshmi Dashamirё e Bashkpuntuer i ynё prof. Karl Gurakuqi pёrkujtoi Mustafёn me thekuní miqsore. Edhe nё veprёn e tij Nёpёr vullâjt e Shêjzave(Romё 1969, faqe 7 – 9) foli mbi shkrime tё Mustafёs botue nё tё pёrkohёshmen t’onё.
Mё ka qillue nё Shqipní me ndie gjithfarё fjalёsh mbi Mustafa Krujёn, prej tё cilave delte nё shesh nji gjâ: ai levdohej ase shahej si veprimtar politik, por pak’ e kush e pёrmendte e merrte parasýsh vlerёn e tij kulturore. Mun, shumica e kujtojshin njerí me shkollin tё pёrgjysёt.
Ky vlersim i gabuem apo s’paku i gjymtё nuk duhet tё çudisi. Mustafa mund tё quhet I mёrguemi i pёrherёshёm.Ajo Shqipní e lirë, qi n’akt të pamvarsís së vet përpilue në Vlonë me 28 Nanduer 1912 ka edhe nënshkrimin e tij, i a mohoi shpesh të drejtën me banue lirisht në tokë të saj.
Por tё rrjeshtojmё pikat mâ tё spikatёshme tё jetёs plot travajё e njiherit edhe plot punё.
U lind nё Krujё mё 15 mars 1887. Shkollёn fillore e kreu nё qytet tё lindjes dhe atê tё mesmen nё Janinё, e cila aso kohe, ishte e pёrfshime nё Perandorín osmane. Vazhdoi mёsimet n’Institutin epruer “Mulkije – i – Shahané” tё Stambollit prej kah mё 1910 doli “licencié en sciences politiques et sociales”.
Ҫ’prej moshёs mâ tё ré tregoi prirje shkrimtari e kёt cilsí i a kushtoi kryekёput mprojёs sё drejtave kombtare dhe naltёsimit menduer tё kombit. Nё shtypin liberal tё Stambollit botoi artikuj me pseudonimin Asim Djénankundra qёllimeve tiranike tё Zhoen Tyrqvet. Mё 1909 u dbue nga Instituti si protagonist i nji demostrate sё rrebёt nё favor tё minoriteteve kombtare tё Perandorís osmane e mujt m’u pranue rishtas mbas nji ndёrhymjeje energjike tё Deputatve shqiptarё nё Parlamentin turk.
Mustafa shquhej për karakter burrnuer, për idé të qarta e të préme së cilave u rrinte besnik pa marrë në dorë interesin vetiak. Urrente kompromiset. Shkurt: ishte njeri nji copet: pohen po e johen jo. I ndershem tejet, ishte i matun e i drejtë në pleqnime. U a njifte edhe kundërshtarvet zotsín e vlerën. Në karakter të tij synthetizoheshin lumnisht burrnija e fisit shqiptar me nji dituní organike. Vetít gojdhânore zdriteshin në njoftime të gjâna me të cilat e kishte pajisë mâ parë shkolla e ndjekun me cenë e mandej nji përpjekje e përditëshme kambëngulëse studimi sidomos në shkencat historike, politike, shoqnore e gjuhsore.
Kur erdhi me 1924 si Prefekt nё Shkodёr solli me vete biblioteken e vet tё pasun me botime nё frengjishte. Natёn e Kёshndellave t’atij vjeti, ngjarjet e dituna e shtrёnguen me lânё thekatueshёm Shkodrёn e Shqipnín. U mёrgue bashkё me Luigj Gurakuqin. Librat mbetёn tё shpёrdám do n’Arqipeshkёvní tё Shkodrёs, do ndёr Fretёn e Jezuitё. Mё 1930, si u ktheva unё n’atdhé prej nji mёrgimi pesё vjetsh, i ngarkuem prej tij, mblodha librat nё shtёpí t’ême: ishin me mija dhe nxejshin krejt faqet e murit t’odёs s’eme e tё nji pjese sё çardakut. Vёllime, e shumta, tё bléme ndёr “bouquinistes” tё bregut tё Seine-s nё Paris, nё periudhёn kur ndodhej me 1919 nё kryeqytet tё Francёs si pjestar i Dergatёs shqiptare nё Konferencёn e Paqit. Ai, me kursime (Emzot Bumçi e Luigj Gurakuqi miqasisht talleshin me tê e i thojshin: “Mustafё, mos i shpenzò tё gjitha paret ndёr libra: pёrfitò prej rasёs qi jé nё Paris me bâ pak qejf!”) kishte arrijtё tё grumbullojё nji numёr bukur tё madh veprash tue mendue t’i shfrytzojё nё punёn e tij kulturore, por fati i padrejtё e ndau nga biblioteka e dashun dhe, nё varg tё parreshtun mёrgimesh, punoi pa mujtё t’a pёrdori. Ndrroi jetё nё Niagara Falls tё Shteteve tё Bashkueme t’Amerikёs me 27 dhetuer 1958.
Shkrimet e Mustafёs janё tё shpёrdáme nё fletore e nё tё pёrkohёshme tё ndryshme. Shkroi artikuj nё Mbrojtja Kombёtare (Vlonё mё 1921 drejtue nga Dom Mark Vasa), nё Populli (Shkodёr 1921, drejtue nga Salih Nivica), nё Corriere delle Puglie (Bari), nё Kuvêndi(botue me 1919 – 20 nё Romё nga Sotir Gjika), nё Shqipёria e Ré (nё Kostancё tё Rumanís), n’Albanie Libre (botue nё Romё 1946 – 1956) dhe studime e syzime nё tё pёrkohёshmet Hylli i Dritёs, Leka, Pёrpjekja Shqiptare, Illyria, Shêjzat, Shpirti Shqiptar.
Vepra tjera tё botueme: pёrkthimi i veprёs politike tё Vladan Gjorgjevich Arbanasi i Velike Sile (Zara 1927), Abetari i tё Mёrguemit (Aleksandrí t’Egjyptit me 1952); tё pabotueme: pёrkthimi shqip i Illyrisch Forschungen tё Dr. Ludvig v. Thalloczy me bashkёpunimin e dr. Milan Sufflay e Theodor Ippen.Nisi, por e la tё pakryeme nji Historí t’Aleksandrit tё Madh.
Pёrkthime e punime tё ndryshme, gjithёnji tё pabotueme: Burri (Pyrrhus i Madh), pёrkthye nga Plutarku me shёnime; Die Indogermanisierung Griechenlands und Italiens nga Hans Krahe shqipёrue nga gjermanishtja.
Rradhimi anasjelltas nё shqip-latinisht i “Dictionarium latino-epiroticum” tё Franco Bardhit (1635) me shёnime e shpalime tё denduna gjuhsore.
Mustafa si njeri
At Valentini, qi pat rasë t’a njofi themelisht Mustafën gjatë nji bashkëpunimi të dendun n’Institutin e Studimeve Shqiptare të Tiranës, pohon për sá i përket karakterit të tij se në çdo rrethanë “u tejshifte ase nëpërndritte ndershmenija e thellë dh’e leale e tij, pasjoni i tij për atê qi Ai njehte si ma i madhi visar kulturuer i atdheut, gjuha shqipe”.
Por qe, dishmija ma e çmueshme mbi Mustafën qi kemi nga Valentini, matunija e fjalve të cilit dihet se arrin në shkrupolozitetin mâ të shtrënguet dhe në drejtsin ma të ndërgjegjëshme: “Mundte njeriu mos me pranue përftimet ase methudhat e tija politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo vetëm me mohue, por edhe vetëm me dyshue se pasjoni suprem i tij, mun i vetmi pasjon rreth të cilit bashkërendoheshin ase radhiteshin të gjitha tjerat (pasjone) e të gjitha veprimtarít, ishte dashunija për Shqipnin”.[2]
Proverbjalet mbetet qindresa e tij në punë.
Karl Gurakuqi, njohës i mirë edhe ky i Mustafës, thotë për tê: “Ndonse i diplomuem në shkenca politike (n’Instambul në vjetin 1910), mori rrugën e mësuesís. Kishte nji shpirt arsimtari… Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në Prefekturën e Elbasanit. Këtu u tregue në naltësín e misjonit të rrokun, tue punue me ndergjegje e me at zellin e madh, qi e ka shque gjithmonë sa qe gjallë”.
Karli, ai vetë arsimtar i lém, i ka rá në tê përsa i përket prirjes natyrore të vërtetë të Mustafës. Ai, po të shqyrtohen hollë shfaqjet veprimtare të personalitet të tij, nuk vûni kurr pregatitjen e rrallë kulturore në shërbim të politikës qi ndiqte, por u rrek qi politikën e vet t’a vente në sherbim të kulturës. Kishte shpirt apostulli. Për tê problemi kryesuer ishte naltësimi shpirtnuer i gjindes shqiptare e këtë e pritte vetëm e vetëm nga përhapja e ditunís. Ai në nji njeri çmonte, bashkë me vetít tipike shqiptare, shkallën arsimore, pajisjen ditunore. Shfaqej ballhapët si anmik i çdo qindrimi hypokrit, nganjiherë edhe versulej me shprehje të vrazhda kundra mendelehtvet e spitullacavet trûshprazët, përkundrazi nderonte, si thámё, edhe kundërshtarin me vetína pozitive intelektuale. Urrente njerzit e cekët qi me nji lëmashk njoftimesh, si të ngjituna nё mende me pështymë, mtojshin me ndёrhŷ në çdo bisedim tue shitë mend e dije pa sjellë nji kontribut ndertues. Urtín paramune të njerzve të pashkollë por të pasun me njohunít e trashigueme dhe me atê vetjake fitue në tallazet e jetës e nderonte sa s’ka: e njehte krue të pashterrshëm të përvojës shekullore të kombit, t’asaj përvojë qi përmbledh ahtet e shamtinat, galduese e të trishta, të breznive të kalesës.
Palci i shkrimeve të Mustafës
Mustafa Kruja njifej si njeri i shprehjeve të rrëmbyeshme, akuzohej qi nuk duronte mendimin kundërshtar e qi përdorte fjalë mujshare në rrahje të çdo çâshtjeje qoftë politike qoftë gjinije tjetër. Ka gjasë qi kët qëndrim të papërkulshëm (intransigeant) ai e muer nganjiherë me ata, sidomos me t’ashtuquejtun intelektualë, për të cilët ushqente bindjen se flitshin me mende të mbrapësht, porse rëndom shtronte bisedë ndejshëm si mbas zakonit të maleve: si pleqt në kuvende të Kanûnit. N’asht se flitte e përgjigjte thertas aty ku dyshonte n’interlokutorin ndoj mbrapamendim, thartimi i përkitte trajtës jo përmbajtjes së mendimeve. Mendimet ishin të matuna e të përkuerme.
Si të gjithë njerzit e kulturuem të Rilindjes s’onë, para gjendjes qi u krijue mbas sundimit shekulluer t’Osmanllijvet, edhe Mustafa kërkoi idét ndërtuese me i a vû si gur themelit Shqipníssë ré. Rrethânat historike fatkeqësisht e kishin mbajtë popullin shqiptar në nji errësí mesjetare. Aradhja e intelektualvet, e vogël por shum aktive, e cilësueme nga nji larmí e teprueme paraqitjesh kulturore, lakmonte me ngulm nji përparim mâ tepër të dukshëm se sa substancjal për shtetin e ri. Mustafa bashkë me disá mâ mendendritunit personalitete të kohës, u bind se përkundrazi duhej shkue kadalë në shkëputjen prej Orientit dhe n’ecjen kah Oksidenti. Nevoja kryekrejet qindronte në ngujim të dokeve të shëndoshta gojdhânore, d.m.th. m’u përmbledhë sa mâ tepër në rreth të zakoneve mâ gjenuine shqiptare. Studimi i gjuhës për tê donte të thonte edhe depërtim në thalb të gjallë të shpirtit të kombit, thellim në pasunín stërgjyshore, fryma e së cilës duhej të lëvitte në psihe të përtrîme të Shqiptarit. Njoftja e gjuhës shqipe ndihmon me njoftë historín, ethnografin, psykologjín e fisit. Ata qi mtojshin të caktojnë vijat ndërtuese të jetës së ré shqiptare tue mos dijtë shqip, por tue folë gjuhë të hueja e tue u mbështetë vetëm në kulturna të hueja, Mustafa i njehte njerz abstrakt, vizatuesa të nji Shqipnije n’erë, pa rrajë në humusin autokton. Ai mendonte me vû në drejtpeshim përvojën e vjetër trashigue nga të Parët me shkencë, tue shartue n’urtí tё kalesës kulturën mâ të përshtatun moderne. Jo me u hapë dyer e dritore idéve tepër të shtyme: dronte se nuk i bár mendja e popullit, plandosë prej qindra vjetësh në nji rrënesë t’âmullt. Shkurt: mendimi i Mustafës, qi u pasqyrue si në shfaqje të jetës ashtu në shkrime të tija, qindron në kult të vlerave shqiptare, natyrisht të përtrîme e të spastrueme në frymën mâ të kulluet të qytetnimit. Ishte njeri i rendit dhe i dishiplinës, i ligjës e i kanûnit, urrente privilegjet, demagogjít, besonte ngultas se vetëm meritokracija mund të mbëkâmbte nji shtet e nji shoqní shqiptare të dênjë m’u rrjeshtue në radhë të shteteve të qytetnueme. Meritokracija âsht ai koncept qi cakton me i a lëshue rrugën njervze t’aftë, të pregatitun, të pajisun me cilsít e nevojshme për t’i shërbye nji bashkarije shoqnore. Ai nuk përbuzte kurrkend por, mbi të gjitha, në nji njerí çmonte cilsit morale e kulturore.
Gjuhtari e shkrimtari
Tё gjitha fuqít mâ tё zgjedhuna tё veta, gjatё mâ se pesёdhetё vjetve, i a kushtoi studimit tё gjuhёs shqipe. Njifte me themel leksikun dhe frazeologjín e gegnishtes dhe tё tosknishtes. Nё Zara, nё Sant’Ilario afёr Genovёs, nё Genève e kam pámun gjithmonё pёrkulё mbi tekste shqipe gjuhsije, libra e tefterё shёnimesh dhe memzi i a mbushёshe menden (i nxitun edhe prej Zojёs Caje, bashkёshortes sё tij fisnike) me dalё e me bâ ndoj shetí. Edhe tue shetitё shtjellonte çâshtje gjuhsije. Prej si kam pasё dobí shum: ai mё shtyni nё pёrdorim tё trajtave tё mesme (t’Elbasanit) nё shkrime tё mija, ai mё kёshilloi t’u a vê menden sinonimevet pёr t’a bâ mâ tё pёrpiktё stilin.
Mbi rezultatet e punёs sё tij me vullnet titanik kushtue gjuhёs shqipe, kanё dhânё lajme At Valentini e Karl Gurakuqi. I pari shkruen:
“Chiunque abbia avuto occasione di leggere anche uno solo dei suoi articoli di filologia, non può non aver constatato quale fosse la immensa quantità di materiale da lui raccolto, sistemato, continuamente presente alla sua memoria. Ma non è forse uscito da quaranta anni in qua un dizionario o un anche modesto glossario albanese che egli non abbia esaminato e commentato con migliaia di osservazioni, d’aggiunte, di rettifiche, tutte abbondantemente e sicuramente documentate. I suoi amici e quelli che gli furono colleghi nell’Istituto di Studi Albanesi di Tirana hanno potuto vedere e consultare i suoi 12 grossi volumi manoscritti in formato protocollo, che se non fossero rimasti inediti, certo avrebbero costituito il primo e vero grande dizionario della lingua albanese. Quante volte nella discussione d’un qualsiasi particolare filologico, in sede di commissione linguistica o di commissione letteraria, un florido gruppo di competenti veniva a trovarsi nell’incertezza, quasi altrettante volte il ricorso a quel dizionario che egli poneva a nostra disposizione, risolveva la questione nel modo più soddisfacente”[3]
“Cilido qi ka pasё rastin tё kёndojё edhe vetёm njenin prej artikujve tё tij tё filologjisё, nuk ka mundun mos me vёrejtё sasinё e pamasё tё landёs sё mbledhun prej tij, pёrherё e pranishme nё kujtesёn e vet. Prej dyzet vjetёsh nuk ka pasё asnji fjalor tё botuem, madje edhe çdo glosar i thjeshtё qi tё mos jetё shqyrtue prej tij nёpёrmjet mijra vёrejtjesh, shtesash, ndreqjesh, tё gjitha tё dokumentueme bollshёm e me saktёsi. Miqtё e tij dhe ata qi qenё kolegё tё tij nё Institutin e Studimeve Shqiptare tё Tiranёs kanё pasё mundёsi me marrё nёpёr dorё 12 vёllimet e trasha tё dorёshkrimit nё formё protokolli, tё cilёt, sikur tё mos kishin mbetun tё pabotuem, sigurisht do tё pёrbâjshin fjalorin e parё tё madh e tё vёrtetё tё gjuhёs shqipe. Sa herё nё diskutimin e çfarёdo hollёsie gjuhsore, nё selinё e komisionit filologjik apo atij letrar, nji grup i shёndoshё kompetentёsh gjindej nё mёdyshje, po aq herё pёrdorimi i atij fjalori, qi ai e vente nё dispozicionin tonё, zgjidhte problemin nё mёnyrёn mâ tё kёnaqёshme.” (Pёrkthim i Eugjen Merlikёs)
I dyti thotё:
“Edhè atёhera kúr rrethanat e shtynё tё ndiqte rrugёn e politikёs vepruese, nuk e la mbas dore lavrimin e gjuhёs. I fali kёsaj studime tё matuna e tё frytshme gramatikore e sintaksore. Mjafton tё pёrmendim Fjalorin e madh tё shqipes, rreth tё cilit ka punue gadi krejt jetёn, pá u lodhё, tue mbledhё visarin gjuhёsuer tё malit e tё fushёs. Ky fjaluer, i pajuem me shembuj e fraza tё nxjerruna nga goja e gjallё e popullit, me sinonime tё qemtueme me nji zéll tё mrekullueshёm, pat qênё miratue nga Instituti i Studimeve Shqiptare tё Tiranёs, i cili pat vendosё tё shtypej, por qi mjerisht u pengue nga gjendja e kapёrdime. Fjalori ká qênё 2400 faqesh formati tё madh me 30.000 fjalё, tё spjegueme shqip. Nuk dijmё nё se dorёshkrimi ka shpёtue nga rebeshi i kohёs”[4]
Dihet qi ai i Mustafёs âsht shembull stili parashtrues (ekspozitiv). Letrat e tija janё nji visar ku, veç pёrmbjtjes sё çmueshme pёr historín t’onё, shqipja shpalisё tё gjithё zotsín e vet shprehёse nё ton bisede, ku mendime e ndiesina e gjikime dalin tё çânёsueme me premí e qartёsí t’admirueshme. Ai, njerí realist e i prirun kah spjegimi logjik i ngjarjeve, kёrkonte thjeshtёsín nё shkrim. Dhe i a arriti nё stil tё vet, nji tejpasije (transparence) nёpёr tё cilёn drita e mendimit del e gjallё n’ind tё fjalve e tё fjalive.
Kur shkruente mbi ndoj argument qi i a prekte shpirtin, stili i tij ngjyrohej e pёrflakej por pa rrёshqitё nё llasё tё nji brydhёsije (tendresse) qi nuk pёrkonte me natyrёn burrnore tё tij. Shprehet me nji zbunim tё pёrmbajtun, skofiar (delikat) e tё ngrohёt por jo butlosh. Tё shifet nё shkrimin kushtue qytetit tё Krujёs si e âmbёlson mashkullisht fjalёn kur çekё sende qi ka pёr zêmёr.
Shkruesi i kёtyne rradhёve ka jetue me vjet pranё Tij, ka thithё frymёn e shёndoshtё shqiptare tё votrёs sё tij shtёpijake nё vende tё ndryshme mёrgimi ku atê e hodhёn stuhít politike, âsht ushqye me miqsín bujare e bujarsuese tё Tij, e ka pasё mjeshtёr gjuhe dhe, mbas vdekjes sё Luigj Gurakuqit, e ka njehё Udhёhjekёs tё vetin nё çdo nismё kombtare. Kjo lidhje e ngushtё e vên nё gjendje me folё pёr Tê me dijení tё plotё tё dhânash. Me gjithёkёtê, tue shkrue kёto rradhё âaht pёrpjekё me ruejtё paânёsín. Sidoqoftё, si do qi tё merren gjikimet t’ona, veprat e Mustafa Krujёs jesin dishmim i shkёlqyeshёm i kontributit moral e kulturuer tё botёs shqiptare.
Marrё nga broshura “Mustafa Kruja si njeri kulture e si gjuhёtar”, SHÊJZAT 1973
[1]Djelmёnija studjuese sot don tё hŷjё nё thalb tё çâshtjeve. Ideologjít e ndryshme nё luftё me shoqishoqen e detyrojnё me zgjedhё. Nacjonalizёm a internacjonalizёm? Ndёrmjet kёtyne dý skâjeve kundrore (opposées) valavitet mendimi i sotshёm. Tue vlerёsue problemet nё lidhje me kombёsi, tё rijt duen tё hulumtojnё edhe zanafillёn e tyne, d.m.th. kalesёn e kombit prej kah burojnё kavít (les causes) e rrymbave tё ngjarjeve. Nё kёtё hulumtim gjêjnё pengoja: disá ngjarje nuk janё tё shkrueme e gjurma e tyne qindron nё kujtim tё njerzve tё motnuem, disá janё tё shkrueme por pёsojnё nga nji ânёsí e qartё interpretimi. Sidomos veprimtarija e personaliteteve qi u shfaqёn nё skenё tё historís si protagonista shpesh rrethohet me avullim shoshlimesh tё cekta a tymtajё pasjonesh. Tё rijt serjoza dishrojnё m’e kullue punёn, sidomos kur dyshojnё se nji mёní vazhduese orvatet me shfytyrue (falsifier, dénaturer) tё vёrtetёn. Ata kuptojnё se i erdhi koha nji paraqitjeje tё drejtё, pa shtrёmbnim, tё fytyrave mâ tё pikatuna kombtare. Nuk niset nji ecje e mbarё kah ardhёmёnija me paravûmje (premisses) idésh kallpembi kalesёn.
[2]Shif Shêjzat, Vjet’i 1959, 11 – 12
[3]Shif Shêjzat, Vjet’i III, 1959, nr. 1 – 2, faqe 4
[4]Shif Shêjzat, vjet’i 1959, nr. 11 – 12, faqe 382. Dymbёdhjetё tefterёt me fjalё tё mbledhuna e tё shpalisuna nga Mustafa kanё mbetё n’Institutin e Shkencave e mâ vonё n’Universitetin e Tiranёs e prandej ajo lândё leksikore gjendet sigurisht, e shfrytzohet, nё Fakultetin e Letrave t’atij Universiteti.