• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT GJERGJ FISHTA SI VLERË KOMBËTARE‏

October 20, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Disa ditë më parë, gazeta e Tiranës Telegraf njoftonte për gjëndjen e mjeruar të shtëpisë ku ka jetuar poeti kombëtar At Gjergj Fishta, duke thënë se vetëm disa ditë para 144 vjetorit të ditlëlindjes së Fishtës më 23 tetor, janë disa foto të hedhura në facebook që na kujtojnë gjëndjen e mjerueshme të shtëpisë ku ka banuar poeti dhe rilindasi shqiptar. Gazeta vazhdon duke theksuar se ndonëse busti i Fishtës ndodhet përpara shtëpisë, mbrenda saj është një gjëndje me të vërtetë e mjerueshme dhe për të ardhur keq, ndërkohë që dhomat e shtëpisë janë këthyer në magazinë për kallamishtët e misrit, shkruante gazeta Telegraf.
Nuk është hera e parë që shtëpia, në rrënim e sipër, ku ka banuar At Gjergj Fishta bie në sytë e medias dhe të publikut. Tetorin e vitit të kaluar biznismeni nga Kosova Sabri Maxhuni u kishte propozuar autoriteteve qëndrore në Tiranë dhe administratës vendore në Shkodër restaurimin e shtëpisë, duke ofruar që shpenzimet për restaurimin e banesës së atit të letrave shqipe t’i merrte ai vet përsipër, ndërsa kishte deklaruar se projektin për një nismë të tillë e kishte gati, duke u shprehur se do i kushtohej vëmendja më e madhe rujatjes së orgjinalitetit të shtëpisë. Në atë kohë Z. Maxhuni kishte deklaruar për median se nuk duhej të përballej me ndonjë pengesë për miratimin e këtij projekti, por duket se e kundërta ka ndodhur, pasi ka kaluar më shumë se një vit dhe asgjë nuk ka ndodhur, madje as ndonjë prononcim nga autoritetet, në favor ose kundër. Sipas lajmeve të asaj kohe, Sabri Maxhuninuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe asnga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër. Në të vërtetë, ai kishte paralajmëruar se autoritetet shqiptare mund t’i qisnin probleme, ndërsa pat deklaruar se, “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë”, së At Gjergj Fishtës.Por Sabri Maxhuni megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mundi të përballonte burokracinë anti-fishtjane të Shqipërisë post-komuniste.
Për arsye të mungesës së transparencës nga autoritetet, është e pamundur të thuhet se çfarë komunikimesh mund të ketë pasur midis Sabri Maxhunit dhe autoriteteve përkatëse shqiptare në lidhje me këtë projekt dhe se ku mund të qëndrojë problem. Por ajo që duket e qartë sot, sipas lajmeve në median shqiptare, del se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar. Përkundrazi, ajo që është e qartë, është se përveç mungesës së vullnetit të mirë zyrtar për ta restauruar shtëpinë e Gjergj Fishtes, ajo banesë në të vërtetë po denigrohet, duke u këthyer në një magazinë për kallamishtët e misrit. Vendi ka përvojë 50-vjeçare nën komunizëm për të këthyer monumentet dhe qëndrat e kulturës shqiptare në magazina dhe salla sporti e për kallamishte misri!Mos prononcimi i deritanishëm zyrtar në lidhje me banesën e At Gjergj Fishtës, në të vërtetë, tregon mos interesim dhe heshtjearrogante të autoriteteve për këtë projekt. Si e tillë, nuk mund të cilësohet më thjeshtësi një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje. Kjo tregon një mos respekt të theksuar dhe të kalkuluar mirë nga autoritetet shtetërore, ndaj Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij me vlera kombëtare, në një kohë kur në midis të Tiranës ndërtohet një bunker, gjoja për t’i kujtuar brezave të ardhëshëm kohën e komunizmit, ndërkohë që anë e mbanë Shqipërisë ka ende me mijëra bunkere të asaj kohe.Bunkerat, këto simbole të izolimit të Shqipërisë dhe të një politike absurde të udhëheqjes së saj komuniste, gjoja për t’u mbrojtur nga armiqë që nuk ekzistonin!
Megjithë absurditetin e shpenzimeve për ndërtimin e një bunkeri mu në qëndër të Tiranës, është e vërtetë se shteti nuk mund dhe nuk duhet të financojë lloj projektesh, por ama janë disa projekte dhe figura të historisë kombëtare që duhet të kujtohen dhe vlera e vepravedhe kontributi historik i tyre të përjetësohen për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve por edhe si pasurim i historisë dhe kulturës shqiptare edhe për të tjerët. Një i tillë është dhe duhet të jetë At Gjergj Fishta,në mirënjohje ndaj tij dhe në kujtim të kontributit historik kombëtar në përgjithësi, të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave të shumëta letrare e sidomos të epopesë kombëtare, Lahutës së Malësisë: të kësaj kënge, që sipas At Daniel Gjeçajt, “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel alpet e mjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit”.
Për më tepër, At Daniel Gjecaj ka shkruar në parathanjën e Lahutës së Malësisë të cilë ai e kishte botuar në Romë më 1958 se kjo vepër e At Gjergj Fishtës,është një thesar i vlerave stërgjyshore të kombitshqiptar, është terësia e tipareve morale të shqiptarit, të cilat janë çmuar dhe çmohen nga bota.“Ashtë shkolla e votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës u ruajt, deri më sot nderi, burrënia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese e racës , bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqetsi shembull heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës, fëtyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo’ Lulit, fisnikëria e virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At Daniel Gjeçaj në paraqitjen e botimit të Lahutës më 1958 në Romë.
Fatkeqësia — që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë edhe sot At Gjergj Fishta është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm shekulli. Nga vet kombi i vet të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbit të gjitha, t’i ruante ato dhe në veprat e tija të pavdekshmetë përjetësonte vlerat kombëtare të fisit të shqiptarit.
Megjithëkëtë, kundër At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij vazhdon “përdhunimi historik”, harresa dhe denigrimi, nga një grup siç duket gjithnjë me influence në vendimarrje të tilla, nga një grup historianësh politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese si si “fashist” e “tradhëtar’’. Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian – dhe nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave kombëtare – të një familjeje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.
Fishta i kishte thënë Konferencës së Parisit se nga kjo familje rrjedhë kombi i sotëm shqiptar, “aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë”. Ndonëse, At Gjergj Fishta, gjithë jetën mbrojti të drejtat dhe vlerat e shqiptarit që historikisht gjykohej aq zi në Europë dhe nga armiqët e tij për rreth, lind pyetja se kush do të dalë sot zot e të mbrojë Gjergj Fishtën dhe trashëgiminë e tij nga harresa, denigrimi dhe “përdhunimi historik” nga vet populli tij, zakonet, tiparet dhe vlerat e të cilit ai i përjetësoi, i bëri të pavdekshme!!!!!!????????
Kujtimi, vepra dhe kontributi i At Gjergj Fishtës në historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe duhet të ruhen dhe të kultivohen, sepse kështu do të ruhen vetë vlerat shekullore të shqiptarëve. Vlerat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar – simbol i të cilave ishte Fishta — duhet të shpëtohen nepërmjet kujtesës së trashëgimisë së At Gjergj Fishtës,vlera të cilat ai i përjetësoi në vargjet e pavdekshme të Lahutës së Malëcisë dhe veprave të tjera. Restaurimi i banesës ku ka jetuar At Gjergj Fishta do të ishte një hap i nevojshëm në këtë drejtim. Fatkeqsia është se ushtarët e lodhur dhe mbështetsit në këtë përpjekje — janë të pakët në numër — për të mos thënë në zhdukje e sipër, e me ta edhe kujtesa ndaj poetit kombëtar, At Gjergj Fishta.

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, si vlere kombetare

VIZION PËRBASHKUES PËR DIASPORËN SHQIPTARE SI VLERË KOMBËTARE

April 15, 2013 by dgreca

SHKRUAN ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)/

Shqipëria dhe Kosova; komuniteti shqiptar shtetformues në Maqedoni; komuniteti shqiptar vetqeverisës vendor në Luginën e Preshevës; pakica kombëtare shqiptare në Mal të Zi; shqiptarët e Greqisë pa status të plotë të emigrantit për dy dekada; diaspora e shqiptarëve në Europë dhe ajo në Amerikë po dëshmojnë se nuk janë në një zë kur bie fjala për ardhmërinë e Çështjes Kombëtare Shqiptare në tërësi.

Kur themi “një komb- një qëndrim”, të gjitha çfarë përmënda më lart duhen marrë në konsideratë për të patur një strategji të përbashkët për Çështjen Kombëtare që ende nuk e kemi. Dhe patjetër duhet të mendojnë për këtë të gjithë faktorët qeverisës dhe shoqërorë të shqiptarëve në Ballkan dhe në Diasporë.

Kurrë ndonjëherë në historinë tonë kombëtare s’kemi patur kaq përkrahje dhe vëmendje të plotë nga Amerika dhe Europa Perëndimore në Tiranë dhe Prishtinë apo dhe ndër komunitetet shqiptare në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Dhe ka një arsye të fortë përse ne e kemi këtë miqësi. Edhe interesat e tyre po e po, por edhe prej Diasporës Shqiptare që është kthyer në të vetmin ambasador të vërtetë, sepse sakrifikoi dhe ja doli mbanë që çdo familje shqiptare të gjente vetveten e të përfaqësojë me dinjitet vlerën kombëtare, dhe të realizojë aspiratën për liri e rend demokratik me ekonomi të zhvilluar në vendet pritëse ku liria dhe mundësitë e jetesës janë më të prekshme.

Ne shqiptarët ndër më të vjetrit e Europës si komb, jemi me shumicë mërgimtarësh jashtë kufijve natyralë, disa milionë, për arsye që tashmë dihen si: prej luftrave pushtuese të perandorisë Turke dhe prej ndarjes së padrejtë nga Fuqitë e Mëdha që me Traktatin e Shën Stefanit e mandej, njëqind vjet më parë, më 1913, me ndarjen politiko-gjeografike të truallit etnik në Ballkan në interes të fqinjëve satelitë të Rusëve më shumë dhe shteteve të Europës Perëndimore.

Arsye të tjera të largimit nga trualli etnik janë regjimi asimilues dhe spastrues ndaj shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës Lindore në Jugosllavinë e dikurshme apo dhe Serbinë e sotme, nga dëbimë më një gjenocid të paparë të popullsisë Çame që ende lëngon vendlindjen e saj si dhe nga instalimi i regjimit komunist në Shqipëri.

Dhe më e fundit ishte vala e Re e pas 1990-ës e Diasporës larguar nga Shqipëria fill pas rënies së regjimit komunist me shpresën e Lirisë dhe mundësive ekonomike për një jetë më të mirë në Greqi dhe në vendet perëndimore.

Historikisht Diaspora Shqiptare e ka udhëhequr ose e ka përkrahur me para, me diplomaci, dhe me luftëtarë kauzën kombëtare që me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me organizimin kombëtar, politik e diplomatik të Federatës Panshqiptare VATRA të shqiptarëve të SHBA-së (më e fuqishme në vitet 1912-1924). Spikati më vonë, përkushtimi që prej 1986 e deri më sot nga Lidhja Qytetare e DioGuardit ( ish-Kongresmen me origjinë Arbëreshe) në SHBA si dhe pjesëmarrja direkte e  shqiptarëve të Amerikës me formacionin luftarak të Batalionit Atlantiku në UÇK si dhe ndërveprimi midis Kosovës, Shqipërisë dhe  Organizimeve të Diasporës Shqiptare në Europën Perëndimore ( Fondi “Vendlindja na thërret” kryesisht në Zvicër, Gjermani, Suedi dhe Belgjikë) në shërbim të Lidhjes së Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Edhe sot pas 135 vjetësh të Lidhjes së Prizrenit me gjithë ndikimin e rendit demokratiko-integrues të familjes Europiane, shqiptarët si komb në Ballkan hasin barriera në ushtrimin e të drejtave për pakicat kombëtare, për komunitetet shtetformuese e vetqeverisëse apo edhe për përdorimin e Gjuhës Shqipe në institucione qëndrore, publike apo vendore si dhe përdorimin e simboleve kombëtare në truallin e tyre etnik.

Ka presione të hapura shtetërore serbe, greke, maqedonase dhe malazeze nga policia sidomos në Preshevë dhe Maqedoni së fundi, nga ushtria e përqëndruar në Preshevë dhe në Greqi nga segmente politike neonaziste si Agimi i Artë apo ish-struktura policore të Serbisë që veprojnë në rajonin përreth Mitrovicës.

Diaspora duhet parë e vlerësuar si frymë e shëndoshë e demokracisë shqiptare dhe e përbashkimit të kombit. Asaj duhet ti krijohet mundësia për një infrastrukturë sa më efikase që të marrë pjesë në vendimmarrje sepse shumica e saj edhe pse jeton në Europë i janë mbyllur shtigjet për të dhënë kontributin e saj që me themelin e demokracive shqiptare -Votën. Prandaj, reflektimi dhe ndërgjegjësimi i klasave politike në Tiranë dhe Prishtinë për ti hapur rrugë Diasporës është nevojë e ngutshme për ta finalizuar stadin e integrimit që duhet të kemi nesër me Europën por edhe një falenderim për kontributin e shqiptarëve të mërguar kur bie fjala për remitancat në miliarda dollarë që e kanë zbutur krizën financiare edhe pse qeveritë po e rritin borxhin në dëm të ardhmërisë.

Rikthimi i vetqeverisjes lokale pas 70 vjetësh nga shqiptarët në Kërçovë (Maqedoni) tregoi edhe njëherë se nuk ka dëshmi më të madhe të atdhedashurisë nga shqiptarët e mërguar. Prandaj, respektimi, inkurajimi dhe ftesa vëllazërore që Diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes ( me votë apo me kandidatë përfaqësues) në Shqipëri dhe Kosovë apo në komunitetet vetqeverisëse shqiptare në Preshevë, Maqedoni, apo dhe në Mal të Zi duhen parë si sjellje e një fryme të re të demokracisë perëndimore në zhvillimet demokratike ndër shqiptarët e Ballkanit.

Qindra zëra shqiptarë të intelektualëve të shkolluar në Perëndim pjesa më e ndjeshme e Diasporës Shqiptare po tregojnë maturi dhe aksion të përbashkët atdhetar jo të paktë për të hedhur poshtë një ndikim Turk së fundmi, për rishkrimin e historisë shqiptare për periudhën kur territoret shqiptare etnike ishin nën administrimin Turk.

Prapa këtyre përkujdesjeve Turke është me sy e vesh edhe Serbia, që mezi pret të njolloset me duar shqiptare figura e Skënderbeut dhe Identiteti i tij Kombëtar shqiptar që ajo të fitojë terren ( politik dhe mediatik në botë) për të ndikuar keqasi më shumë në Kosovë edhe pse kjo lojë e pistë e fqinjësisë po vjen erë me shekuj.

Zgjimi i intelektualëve shqiptarë për të firmosur një peticion kundër ndryshimit të historisë kombëtare shqiptare për periudhën e shqiptarëve nën sundimin Turk duhet përshëndetur me çdo media dhe forum.

Ja për çfarë kemi nevojë të përkushtohemi për ardhmërinë:

1-Promovim të Identitetit Kombëtar shqiptar me veprimtari atdhetare e kulturore të programuara dhe të kordinuara midis shqiptarëve në Ballkan dhe Diasporës Shqiptare në botë sipas edhe një kalendari kombëtar për ngjarje e figura madhore të kombit.

2-Bashkim me bashkëkuvendim të Diasporës Shqiptare në Europë dhe Amerikë duke ruajtur modelet e sukseshme të organizimeve shqiptare me bazë qyteti a ndërqytetëse siç janë sot në SHBA për angazhimin e brezit të ri të shqiptarëve të shkolluar në Perëndim që janë sot për sot zëri i shqiptarëve në shtetet apo qytetet ku jetojnë, si e ardhmja lobuese dhe përfaqësuese në qeveritë lokale dhe qëndrore të vendeve pritëse.

3-Institucionalizim dhe mirëintegrim të agjencive të qeverive të shteteve shqiptare në Ballkan në rang Ministrie të Diasporës jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri si edhe ngritjen e një Bordi bashkëpunimi për Diasporën ndërmjet tyre me përfaqësim edhe të Diasporës.

4-Punë më e kualifikuar dhe e studjuar nga institucionet arsimore shqiptare për trajnimin e mësuesve të Gjuhës Shqipe për specifikat që paraqet zhvillimi i mësimit të Shqipes në Diasporë sipas vendeve pritëse.

5-Hapja e qëndrave të Edukimit dhe Kulturës për Komunitetin shqiptar në Diasporë me bashkëfinancim të të dy shteteve shqiptare më shumë dhe të Diasporës në përputhje me mundësitë ekonomike të mbitokës dhe nëntokës shqiptare.

6- Perspektivë për Investimin e Diasporës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me sipërmarrje direkte në bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe të vendeve pritëse.

7-Botimi i literaturës letrare apo shkollore e nevojshme kjo, në gjuhën Shqipe dhe të huaj sipas vendeve pritëse për promovimin e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

8-Ringjallja e një Ansambli Kombëtar me program muzikor perlat e këngës dhe valleve popullore, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare që të promovojë në Diasporë trashëgimë e pasur dhe të ndihmojë ringjalljen e pasionit tek brezi më i ri për të ruajtur traditën kombëtare.

9-Aktivizimin e intelektualëve të sukseshmëm të Diasporës në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë potenciale edukimi dhe punësimi në fushën e politikës dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Europë dhe SHBA për ta bërë më të besueshëm shërbimin diplomatik nga qeveritë e vendeve pritëse.

10-Hapësirë të nevojshme mediatike, në median e shkruar dhe atë elektronike për Diasporën në Shqipëri dhe Kosovë qoftë me kronika të drejtpërdrejta po të kemi parasysh teknologjinë e sotme elektronike dhe me emisione të përjavshme.

Duke e marrë seriozisht punën me Diasporën patjetër që do të kemi një përmirësim gradual dhe shpresëdhënës për më shumë projekte atdhetare e diplomatike, studimore e kulturore, artistike e sportive për një evidentim e zhvillim të talenteve të reja në Diasporë.

Sepse po shohim në realitet që mosaktivizimi i brezit të ri të shkolluar të shkolluar në Perëndim, parcelizimi i organizimeve komunitare pa ndonjë përbashkim të të gjithë Diasporës Shqiptare dhe mungesa e një strategjie kombëtare për Çështjen Kombëtare në tërësi kanë krijuar terren për një vendnumëro të pakuptimtë.

Faktori kohë është në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare falë edhe përkrahjes për mbështjen nga SHBA dhe BE për Shqipërinë dhe Kosovën në aleancat euro-atlantike, por shqiptarët si në Shqipëri dhe në Kosovë kanë më shumë probleme social-ekonomike me tranzicionet demokratike se sa të merren seriozisht në unison për më shumë promovim dhe përfaqësim të Saj në organizmat ndërkombëtare.

Vetë Diaspora i ka mundësitë ta tejkalojë situatën e vendnumërosë, me anë të një përafrimi të të gjithë organizimeve shqiptare kudo ku janë në Europë, SHBA dhe Kanada. Ekipet drejtuese të shoqatave shqiptare me përgjegjësi të plotë po përgatiten për bashkëkuvendime ndërkomunitare për të patur një platformë të përbashkët, një zë të vetëm si e vetmja shpresë për të vazhduar misionin kombëtar të Diasporës me projekte bashkëkohore e gjithëpërfshirëse pa dallim.

Këto bashkëkuvendime janë mënyrë e drejtëpërdrejtë e rrahjes së mendimeve për mirëorganizimin e Diasporës si dhe ngritjen e punës sensibilizuese për nevojën e përbashkimit programor dhe projektimin e një strategjie sa më afër nevojave të integrimit të Diasporës apo edhe me shtetet dhe komunitetet shqiptare në Ballkan.

Puna e hapur me çdo organizatë apo agjenci shtetërore shqiptare ka më shumë vlerë se sa praktika e deritanishme kur takohemi në Diasporë apo në vendlindje (në Ballkan) vetëm për darka që nuk japin frymë për ardhmërinë e dyanshme. Të dy palët së bashku, shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora duhet të jenë më të qartë të përcaktojnë realisht nevojat dhe mundësitë që kemi të ecim përpara të sigurtë për të përballuar sfidën e asimilimit që është evidente në çdo komunitet shqiptar të Diasporës.

Diaspora është pasuri kombëtare sepse me të identifikohet kombi ynë dhe përpjekja e vazhdueshme e saj për ta parë kombin shqiptar të lirë, të bashkuar dhe të respektuar si në truallin etnik dhe në vendet pritëse, duke qënë urë bashkëpunimi e identifikimi e dyanshme midis shqiptarëve të Ballkanit dhe qeverive të vendeve euro-atlantike.

Mirëorganizimi i Diasporës është për më shumë edhe një mundësi lobuese kur bie fjala për integrimin e njëhershëm të Shqipërisë dhe Kosovës në BE dhe të Kosovës në OKB dhe në NATO. Ndaj kërkohet më shumë vullnet, sakrificë dhe kontribut të të gjithëve, në Diasporë dhe ndër shqiptarët e Ballkanit.

A kemi mundësi ta bëjmë përbashkimin e Diasporës? Mund të nënvizojmë se mundësitë janë po të kemi parasysh shqiptarët e sukseshëm në Amerikë dhe Europë, organizimet e përkushtimin e tyre, po të kemi parasysh komunikimin e përditshëm Diasporë – Vendlindje si dhe dorën e ngrohtë të shteteve shqiptare.

Sepse shqetësimi për ardhmërinë është i përbashkët dhe evident si për vetë Diasporën, për demokracitë shqiptare dhe për Çështjen Kombëtare. Ndaj dhe duhet të punojmë së bashku dhe vetëm së bashku për ta çuar më përpara integrimin kombëtar duke i shërbyer më shumë interesave jetike të sotme dhe të nesërme të kombit se kombi është i pari.

Vetëm me  vizion përbashkues Diaspora shqiptare do ti përkushtohet kombit, dhe do të ndihmojë edhe më shumë për ardhmërinë e tij si e vetmja shpresë që duhet ushqyer nga çdokush që i thotë vetes shqiptar, që ta bëjmë këtë realitet të prekshëm e frytdhënës. Ti dalim kështu përpara problemit asimilues të brezit të ri të Diasporës. Pra, vetëm me veprim të koordinuar e të planëzuar, me përbashkim do të përfitojmë në kohë.

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, per diasporen, si vlere kombetare, Vizion i perbashkuar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT