Tiranë, 14 Mars/ATSH-Flora Nikolla/.- Xheni Rroji, në SHBA, ka patur fatin të realizojë një karrierë muzikore të shumëanshme; perveç kontratave solistike dhe bashkëpunimeve në muzikën e dhomës dhe orkestrale, ajo ka arritur të krijojë dhe të jetë drejtore ekzekutive dhe artistike e një orkestre simfonike të quajtur nga ajo, “The Ossia Symphony Orchestra’. Kjo përvojë e ka lejuar të eksplorojë anë të industrisë muzikore si edukimi muzikor i të rinjve në shkolla të mesme, programe zgjerimi, por dhe interpretim të veprave të kompozitorëve bashkëkohorë, një aspekt i rëndësishëm për të. Kështu, Nju Jorku i dha mundësinë të zhvillohet jo vetëm si interpretuese por dhe si sipërmarrëse dhe promovuese e muzikës klasike me mënyra të ndryshme. Sot, Xheni Rroji, një artiste e formuar e quan fat që u lind dhe u rrit në një familje ku muzika kishte vend shumë të rëndësishëm. Babai i saj, Sirri Rroji, ishte dirigjent i Orkestrës Frymore të Tiranës, më parë instrumentist i Bandës së Ushtrisë dhe udhëheqës artistik i Ansamblit të Ushtrisë, profesor muzike në Liceun Artistik të Natës. Edhe në rrethin përtej familjes së ngushtë ishte e rrethuar nga muzikantë duke filluar nga xhaxhai Agim Rroji, flautisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Muzika për Xhenin si fëmijë ishte pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Xheni Rroji, pjesë e librit “Zonjat shqiptare në Nju Jork“,që do të promovohet nga Albanian Excellence, më 24 shtator në SymphonySpace në Manhattan , tregon në këtë intervistë që ka patur fatin të studiojë me profesorë me reputacion botërorë në Shqipëri, në Francë dhe në Amerikë. Ajo veçon, mësuesen e parë të pianos, zonjën Nihal Hakiu ose Zysh Lali siç njihej në qarqet e muzikës. Ajo ishte influenca dhe ndeshja e parë që ka patur me instrumentin e pianos. Zysh Lali përveçse një njeri me kulturë të gjerë muzikore, me elegancën që e karakterizonte e bëri ta donte pianon dhe muzikën duke e mësuar me durim dhe pasion. Më pas në France pati fatin të hynte në klasën e profesorit Daniel Beau, i cili e përgatiti teknikisht, muzikalisht dhe shpirtërisht për konkurset dhe karrierën e mëtejshme.
F.N : Ju sot jeni një pianiste e njohur, a keni patur më parë një histori muzike në familjen tuaj ?
Xh.RR : Po. Për fatin tim të mirë unë u linda dhe u rrita në një familje ku muzika kishte vend shumë të rëndësishëm. Im atë, Sirri Rroji ishte dirigjent i Orkestrës Frymore të Tiranës, më parë instrumentist i Bandës së Ushtrisë dhe udhëheqës artistik i Ansamblit të Ushtrisë, dhe më pas profesor muzike në Liceun Artistik të natës. Edhe në rrethin përtej familjes së ngushtë isha e rrethuar nga muzikantë duke filluar nga xhaxhai Agim Rroji, flautisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ndaj dhe pothuajse të gjithë kushërinjtë e parë kanë qenë pranë muzikës. Po ashtu, si njëri nga të diplomuarit e brezit të parë të Konservatorit të Tiranës (më pas Instituti i Lartë i Arteve, sot Akademia e Arteve) së bashku me Ferdinand Dedën, Robert Radojën, Beniamin Kruten etj. im atë ishte i rrethuar nga elita muzikore e kohës. Miq të ngushtë të babait si kompozitorët Nikolla Zoraqi, Tish Daija, Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Tonin Harapi, Avni Mula apo edhe instrumentistë të shquar si Viktor Shiroka, Margarita Kristidhi, Anita dhe Didi Tartari, Robert Papavrami, Gjergj Antoniu, e shumë të tjerë, ishin vizitorë të shpeshtë në shtëpinë tonë. Pra muzika për ne si fëmijë ishte një pjesë e pandashme e jetës së përditshme.
F.N : Në cilën moshe ju nisët të luani në piano, Dhe kur ju e patët të qartë në veten tuaj se, “ po unë në jetë do t’i kushtohem pianos “ ?
Xh. RR : Unë fillova mësimet e pianos në moshën 4 vjeçare nën drejtimin e të papërsëritshmes Nihal Gabeci Hakiu , dhe më pas në moshën 7 vjeçare fitova konkursin për në shkollën fillore Kongresi i Përmetit, njëra nga shkollat e specializuara për muzikë. Shumë shpejt e kuptova se muzika do te ishte pjesë e pashmangshme e jetës time por kjo ndjenjë u konkretizua në moshën 15 vjeçare kur vazhdova studimet e pianos në Francë nën drejtimin e Maestro Daniel Beau. E më pas nën drejtimin e profesorit te njohur Dominique Merlet me te cilin përfundova studimet e larta në Konservatorin e Parisit.
F.N : A mund të kujtoni disa nga profesorët tuaj që kanë lënë gjurmë në karrierën tuaj artistike dhe pse ?
Xh. RR : Kam pasur fatin të studioj me profesorë me reputacion botëror në Shqipëri, Francë si dhe në Amerikë, por dua të veçoj ata që cilët kanë lënë gjurmët e para në formimin tim. Ndër ta ka qenë mësuesja ime e parë e pianos, zonja Nihal Hakiu ose Zysh Lali siç njihej në qarqet e muzikës. Ajo ishte influenca dhe ndeshja e parë që kam pasur me instrumentin e pianos. Zysh Lali përveçse një njeri me kulturë të gjerë muzikore, me elegancën që e karakterizonte më bëri që ta dua pianon dhe muzikën duke më mësuar me durim dhe pasion. Më pas në France pata fatin të hyja në klasën e profesorit Daniel Beau, i cili më përgatiti teknikisht, muzikalisht dhe shpirtërisht për konkurset dhe karrierën e mëtejshme- për këtë do i jem mirënjohëse përjetë.
F.N : Cilët janë idhujt tuaj në piano?
Xh. RR : Pianistët që unë adhuroj janë fatkeqësisht në më të shumtën e rasteve nuk janë më midis nesh. Por me anë të inçizimeve që ata kanë bërë, kemi ende fatin t’i shijojmë. Pianistë si Sergey Rachmaninoff, Arturo Benedetto Michelangeli, Emil Gilels, Vladimir Horoëitz, Lazar Berman, janë disa nga ata që unë i dëgjoj me kënaqësi të veçantë. Ata janë në gjykimin tim piktorë gjenialë të çdo kompozimi që kanë luajtur. Duhet thënë se shkolla ruse e fillimit të shekullit 20 ishte më afër traditave të pianistëve se e kompozitorëve të shekullit të 19-të si për shembull Franc Liszt, Frederic Chopin duke ruajtur pasurinë artistike që trashëguan nga autorët. Në lojën e tyre pasqyrohet trajtimi i veprave në mënyrë orkestrale, një qasje muzikore që tregon një ndjeshmëri ndaj perceptimeve më të holla të kompozitorëve, aspekt që mua më tërheq si pianiste.
F.N : Aktualisht si e shihni ju zhvillimin e interpretimit pianistik, deri ku ka arritur ai në krahasim me shekullin e XX –të ?
Xh. RR : Në shekullin e kaluar u vu re një transformim në interpretimin pianistik dhe faktet që kanë përcjellë këtë transformim kanë të bëjnë me zhvillimet teknologjike që janë bërë në 50 vjetët e fundit; flas për metodat e reja të regjistrimeve, nga kalimi në LP tek kasetat, në CD dhe mp3, mjete këto që kanë luajtur rol të madh në mënyrën e interpretimit të veprave si dhe në percjelljen e timbrit të instrumentit. Me përkryerjen e mënyrave të regjistrimit erdhi dhe domosdoshmeria e regjistrimeve sa më të pastra nga ana teknike e interpretimit. Për rrjedhojë, sot per sot proçesi i regjistrimit të veprave është shumë më i shndërtuar se përpara. Me këtë nënkuptoj se pianisti sot ka mundësine të regjistrojë një vepër duke vënë ‘gurë mbi gurë’, ose masë për masë dhe të ketë një përfundim tepër të saktë teknik po ashtu dhe interpretativ. Më përpara kur nuk ishin mjetet kaq të zhvilluara, instrumentisti duhej të luante veprën nga fillimi në fund ose ta ndërpriste vetëm në seksione kryesore. Por kjo kishte të mirat e veta po ta shohësh nga këndvështrimi i frymëzimit të çastit interpretues. Në momentin që instrumentisti merr vendimin që të kërkojë një ‘përkryerje’ të anës teknike duke regjistruar të njëjtin seksion të vepres disa herë, sado i shkurter të jetë ai, atëhere në gjykimin tim ana emocionale e interpretimit vuan. Po ashtu, shumëzimi i konkurseve ndërkombëtare të pianos me 50 vjeçarin e fundit ka bërë që interpretimi muzikor i pianistëve të gjeneratës së sotshme të jetë më i prirur drejt standartizimit te lojës pianistike, ka krijuar humbje në dhënien e karakterit emocional të veprave për mendimin tim. Intervieëer:
F.N : Ju jetoni prej shumë kohësh në SHBA, çfarë ndryshimi vini re mes pianistëve në Amerikë dhe atyre në Europë ?
Xh. RR : Për mendimin tim janë dy shkolla të ndryshme në karakter. Nuk mund të them se njëra është më e vlefshme se tjetra, sepse atëhere do ishte një mendim thjesht subjektiv. Por duhet të theksoj se ndërsa të dyja kanë karakteristika të veçanta sot për sot, me fenomenin e globalizimit këto shkolla kanë filluar të përkojnë dhe përngjasojnë më tepër. Përvoja ime vetjake është se shkolla Amerikane shtyn më tepër drejt efikasitetit të lojës së veprës në tërësi dhe përgatitjes ndaj këtij efikasiteti, kurse shkolla evropiane vëren ndoshta më tepër trajtimin e detajit muzikor në interpretim.
F.N : Cila ka qënë karriera juaj muzikore në SHBA ?
Xh. RR : Në SHBA kam patur fatin të bëj një karrierë muzikore të shumëanshme; perveç kontratave solistike dhe në bashkëpunim të muzikës së dhomës dhe orkestrale , kam arritur të krijoj dhe te jem drejtore ekzekutive dhe artistike e një orkestre simfonike e krijuar nga unë, e quajtur The Ossia Symphony Orchestra’. Kjo përvojë më ka lejuar të eksplorojë anë të tjera të industrisë muzikore siç ishin,edukimi muzikor i të rinjve në shkolla të mesme, programe zgjerimi, etj. por edhe luajtja e veprave të kompozitorëve bashkohorë, një aspekt i rëndësishëm për mua. Domethënë, Nju Jorku më dha mundësinë të zhvillohem jo vetëm si interpretuese por dhe si sipërmarrëse dhe promovuese e muzikës klasike me mënyra të ndryshme. Intervieëer:
F.N: Shumë artistë shqiptarë sot në botë kanë korrur sukses në karrierën e tyre , cilat jane arsyet sipas jush ?
Xh.RR: Unë jam shumë krenare për sukseset e artistëve shqiptarë në botë. Arsyet për këtë sukses janë të shumta: neve nuk na mungon talenti po ashtu dhe aftësia për t’u zhvilluar përtej talentit te lindur. Suksesi vjen si pasojë e talentit, vendosmërisë dhe punës së pandalshme për t’u përmirësuar por kërkon edhe mbështetje nga shteti, politika artistike afatgjata në mbështetje të talenteve, një mjedis kulturor e artistik të begatë etj. Shpresoj që të gjitha këto mundësi ti jepen, jo vetëm artistëve jashtë Shqiperise por dhe atyre brenda vendit.
F.N : Përse vendosët ju të qëndroni në SHBA ?
Xh. RR: Unë vendosa të vij veçanërisht në Nju Jork sepse ky qytet është nje pikëtakim i cili tërheq artistë nga e gjithë bota sepse u lejon atyre të eksplorojnë çdo aspekt të imagjinatës së tyre si artistë dhe nga ky këndvështrim artisti ndjehet i frymëzuar të tejkalojë vetveten. Po ashtu, një faktor i rëndësishëm për mua ishte bashkimi me familjen e cila jeton e gjitha në Nju Jork. I
F.N: Si do ta përcaktonit ju sot kontinentin amerikan ?
Xh. RR : Si nje kontinent me vlera te ndryshme, ekonomike, shoqërore apo artistike: një nga më të rëndësishmet është aftësia e këtij kombi për t’u rigjeneruar, mbajtja gjallë e shpresës dhe e besimit se çdo gjë do të ecë përpara cilatdo qofshin sfidat dhe vështirësitë.
F.N: Mund të përmëndni kompozitorë apo muzikantë bashkëkohorë që ju keni takuar gjatë karrierës tuaj muzikore dhe që ka lënë gjurmë tek ju ?
Xh.RR: Kam pasur fatin të takoj shumë muzikantë bashkëkohorë dhe të shumtë janë ata që kanë lënë gjurmë, duke filluar nga kompozitorët Francezë, Pascal Dusapin, Guillaume Connesson si dhe muzikante te shquar, Martha Argerich, Nelson Freire, Renaud dhe Gautier Capuçon, Hélène Grimaud, Jean Yves Thibaudet e të tjerë. Në Amerikë kam pasur rastin të njihem me figura të shquara si kompozitori André Previn, mjeshtrin e Xhazit Winston Marsalis, këngëtarin Harry Belafonte, violonçelistin Yo Yo Ma, violinistin Xhoshua Bell etj. Secili nga ata më kanë lënë mbresa të veçanta dhe kanë ndikuar në një mënyrë apo një tjetër në karrieren time.
F.N : Cilët janë kompozitorët tuaj më të preferuar shqiptarë dhe pse ?
Xh. RR: Duhet te them se ata janë të shumtë por po përmënd disa sepse janë autoritete në muzikën shqiptare që do të qëndrojnë në kulturën muzikore kombëtare për një kohë të gjatë pikerisht sepse në muziken e tyre ndihen traditat dhe folklori kombetar. Do veçoja Nikolla Zoraqi, Tish Daija, Prengë Jakova, Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Cesk Zadeja për të përmëndur disa.
F.N : A mund të tregoni disa nga sfidat tuaj më të afërta në karrierën tuaj ?
Xh. RR : Së shpejti do të luaj koncertin numer 2 të Frederik Shopenit me orkestren filarmonike të Budapestit një koncert që nuk kam pasur rastin ta luaj përpara. Ky koncert është kaq i bukur dhe jam e lumtur ta shtoj në repertorin tim të koncerteve .
F.N : Në SHBA, jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, sa të integruar i shihni ju ata në jetën amerikane?
Xh. RR : Te gjithë miqtë e mi shqiptarë në SHBA janë krejtësisht të integruar në jetën Amerikane dhe te suksesshëm me profesionet e tyre. Por ajo që më pëlqen është se ata vazhdojne të ruajnë shumë zakone e tradita shqiptare dhe Amerika duke qene vendi i emigranteve hap rrugë për suksese tek komunitetet e medha apo të vogla.
F.N : Po gruan shqiptarë në këtë komunitet si e shikoni ?
Xh. RR : Gruan Shqiptare e shoh po aq të suksesshme sa dhe burrin shqiptar. Njoh shumë gra dhe vajza shqiptare ne Nju Jork që kanë bizneset e tyre, janë nëna dhe gra profesioniste. Gruaja shqiptare në Amerike është po aq moderne dhe e suksesshme sa çdo grua amerikane dhe kjo vjen nga forca e karakterit që është zhvilluar ndër gratë shqiptare prej shekujsh . Është i ndjeshëm fakti se shekulli i XXI është shekulli i emancipimit te gruas jo vetëm në ShBA por shpresoj dhe në çdo vend të botës.
F.N : Sipas jush cili është imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI
Xh. RR : Imazhi i gruas shqiptare për mua është ai i një gruaje të forte, nëne të mrekullueshme e të përkujdesur, por edhe të bukur, moderne dhe e suksesshme në çdo rol që merr përsipër.