Nga Pjetër Jaku/
Me datat 23 dhe 24 Nentor 2013, në Sallën “ Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu” të Qendrës së Shën Palit në Detroit, u mbajt Simpoziumi Shkencor : “ Hoti ndër rrjedhat e shekujve”, organizuar nga Hoti në Diasporë, nën patronazhin e Universitetit “ Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, me përkrahjen e Universitetit të Tiranës, Prishtinës dhe Prizrenit, si dhe në bashkëpunim me Qendrën Shpirtërore e Kulturore të Shën Palit në Rochester Hills- Michigan të Amerikës. Nën një kujdes të veçantë të organizatorve dhe me një organizim model, që do të ishte në nderin e një shteti e jo më të një komuniteti, sic është ai i hotjanve në Michigan, në dy ditë u realizua një takim shkencor për t’u pasur lakmi në çdo rreth akademikësh.
Në këtë simpozium moren pjesë nga Shqipëria, Kosova dhe Malësia 19 shkencëtarë dhe bashkëpunëtorë e studiues të historisë, gjeografisë dhe gjuhësisë dhe pesë të tjerë dërguan punimet e tyre, të cilat u lexuan para të pranishmëve. Pra, komunitetit shqiptar të Michiganit, i cili ishte shumë i interesuar, iu dhanë 24 punime shkencore, të një niveli shumë të lartë në këto dy ditë, i pari dhe i vetmi simpozium i këti niveli në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Të pranishmit: Akademik Kolec Topalli, Dr. Mahir Hoti, Dr. Marenglen Verli, Dr. Romeo Gurakuqi, Dr. Tomi Treska, Dr. Jusuf Bajraktari, Dr Ksenofon Krisafi, Dr. Rokin Daberdaku, Dr. Frashër Demaj, Dr. Simon Lufi, Dr. Edmond Malaj, Dr. Izber Hoti, Dr. Angjell Gojçaj, Dr. Sonila Boçi, Mr. Pandeli Koçi, Mr. Marjan Lulgjuraj, publicisti i njohur Nikolla Spathari, studiuesi Mark Junçaj, publicisti Ndue Bacaj dhe studiuesi Nikollë Camaj. Punimet e Dr. Dom Nikë Ukgjinit, Dr. Gjovalin Shkurtaj, Dr. Anton Kola Berishaj, Dr. Palokë Berishaj dhe Mr. Anton Rr. Lulgjuraj u lexuan.
Një punë shumë të mirë, e cila u mori afro një vit dhe që u kushtoi afro njëqind mijë dollar, bëri komisioni organizativ i këtij aktiviteti, i përbërë nga: Don Fran Kola, Lek Leci Gjonaj, Nikollë Rroku Camaj, Zef Toma Gjonaj, Rrok Gjergji Dedvukaj, Shtjefen Paloka Gojçaj, Dr. Gjekë K. Gjelaj, Prof. Luk Ujka Junçaj, Kol Toma Dedvukaj, Nikolin Ndue Gjelaj, Vasel Pjetri Nicaj, Tom Nika Camaj, Kanto Marashi Dushaj dhe Prek Zefi Dekaj ( Lajçaj ).
Në mbrëmjën e datës 22 Nëntor 2013 u shtrua një darkë në resorantin “Aleksis” të Lek Lecit Gjonaj dhe po këtë ditë u sistemuan secili në një nga hotelet afër aktivitetit. Komisioni organizativ i kishte marrë të gjitha masat, që nga pritja në aeroport e deri në përcjelljen, që secili prej të ftuarve të ndjehej sa më mirë. Në një bisedë me Dr. Sonila Boçi mësuam se kishin kaluar vërtetë një kohë të mrekullueshme, edhe pse kishin merakun e aktivitetit. “Një interesim dhe një bujari të tillë, – thotë Sonila, – s’më ka rastisur ta gjëj askund. Ne patëm fatin të festojmë sëbashku edhe 101 Vjetorin e Pavarësisë në Qendrën e mrekullueshme të Shën Palit, një organizim përfekt dhe një mrekulli kostumesh, që nuk e shohim as në Atdhe. Nuk dimë kë të falenderojmë më parë, ata janë aq shumë, janë të gjithë shqiptarët e komunitetit tuaj, që Qeveria Shqiptare duhet ta vlerësojë në mënyrë të veçantë.”
Simpoziumi “ Hoti ndër rrjedhat e shekujve” filloi punimet ditën e shtunë me 23 Nëntor 2013 në orën 10:00 Am dhe u mbyll afër orës 6:00 Pm për të vazhduar të nesërmen nga ora 2:00 Pm deri në orën 6:00 Pm. Në emër të Këshillit Organizativ, simpoziumin e përshëndeti Dr. Gjekë K. Gjelaj. Në emër të Qendrës ku organizohej ky aktivitet dhe të mikpritësit përshëndeti Dom Fran Kola, Famullitar i Qendrës së Shën Palit. Deklarimin e hapjes së simpoziumit e bëri Smail Maliq Çunmulaj, Bajraktar i Hotit. Moderatorë të simpoziumit ishin: Prof. Luk Junçaj, Rita Gjelaj dhe Edvin Hoti.
Në ditën e parë u mbajten dhe diskutuan 16 kumtesa, të cilat kryesisht kishin të bënin me disa të dhanë mbi krahinën e Hotit në mesjetë, mbi kontributin e hotjanve gjatë Rilindjes dhe Pavarësisë, kontributin e Hotit në Lidhjen e Prizrenit, vendin që zinte Hoti në diplomacinë evropiane, mbi Hotin para okupimit turk, dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj hotianve, 1875-1924, roli i Hotit në kryengritjen e Malësisë, roli i hotjanve në Luftën e Koplikut, të dhëna fiziko-gjeografike për Hotin, mbi të folmen e Hotit, zhvendosjet e hotjanve nëpër shekuj, kontributi i hotjanve në Beslidhjen e Malësisë etj, të cilat pas disa muajsh do të gjenden të botuara në një ose dy vellime.
Në ditën e dytë u mbajten katër kumtesa si dhe u lexuan pesë të tjera si: Kontributi i Hotit në roje të kufijve të Shqipërisë, Krimet komuniste në Hot, Roli i Hotit në Historinë e Malësisë, Hoti në objektivin e udhërrëfyesve të huaj, Kisha e Hotit dhe roli i saj, dialektologjia e Hotit nga Lamberci e këtej, organizimet fisnore të Hotit, shkolla dhe arsimi në Hot si dhe disa shënja të qytetrimit të lashtë në Hot.
Vlen për t’u theksuar se në të gjitha këto tema, asnjëherë nuk u fol për Hotin të shkëputur nga Malësia. Pra, kjo akademi për Hotin, në njëfarë mënyre ishte një kontribut shumë i vyer për gjithë Malësinë e Madhe, për Shqipërinë e Kosovën, Çamërinë e Presheven, lidhjet e patriotve dhe kapedanve i kishin kaluar kufijtë e Hotit. Në këto punime u fol edhe për Ismail Qemalin, edhe për Risto Siliqin, edhe për Faik Konicen, edhe për Dom Ndoc Nikajn, siç u fol edhe për gjithë heronjtë dhe prijësit e Malësisë.
Konkluzionet e këtij simpoziumi, në emër të trupës akademike ( të gjithë referuesve dhe punimeve të lexuara ) i bëri Akademiku Kolec Topalli, i cili pranoi disa shtesa që do t’i bëhëshin para publikimit. Simpoziumin e deklaroi të mbyllur Smail Maliq Çunmulaj, që kishte deklaruar edhe hapjen e tij.
Punimet e këtij Simpoziumi do të botohen në një ose dy vëllime pa asnjë shkurtim dhe në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.
Simpoziumi, nga fillimi deri në mbyllje u ndoq nga mediat e komunitetit shqiptar të Detroitit, të cilat sipas mundësisë do t’i përcjellin edhe në Atdhe.