Nga Heather Maher/
Derisa Kongresi amerikan dhe Shtëpia e Bardhë e debatojnë nëse dhe si duhet t’i përgjigjen qeverisë siriane për dyshimin se ka përdorur armë kimike, një gjë është e qartë: një sulm ushtarak në vendin e kapluar nga lufta ka potencial të prodhojë pasoja të paqëllimta.
Skenari më i mirë për Shtëpinë e Bardhë do të ishte të ndihmojë opozitën që të arrijë fitoren vendimtare kundër Bashar al Assadit, duke i hapur kështu rrugë forcave demokratike që ta marrin pushtetin.
Në rastin më të keq, intervenimi mund t’i ndihmonte opozitës siriane që ta arrijë fitoren vendimtare kundër Assadit dhe grupet islamiste si Fronti Al Nusra e lidhur me Al Kaedën ta marrin pushtetin.
Mark Jacobson është ish zyrtar në Departamentin amerikan të mbrojtjes i cili tani e ka specializuar çështjet e sigurisë dhe politikat e kërcënimit të sigurisë në kuadër të Fondit gjerman të Marshallit.
“Një nga sfidat më të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe sinqerisht të them aleatët e NATO-s, komuniteti ndërkombëtar në masë të madhe, ka qenë deri në çfarë niveli duhet ne të përkrahim opozitën dhe të ndryshojmë balansin e fuqisë në Siri? Ne nuk e dimë saktë kush është opozitë apo ta them më qartë, ne nuk e dimë saktë se çfarë veprimesh do të ndërmarrin ata nëse do të arrijnë që ta përmbysin pushtetin”, thotë Jacobson.
Pavarësisht se cili grup arrin ta marrë pushtetin pas Assadit, Jacobson thotë se rruga para nuk do të jetë e lehtë.
“Mos gaboheni: nëse Assadi bie, atëherë do të del një set tërësisht i ri i problemeve që kanë të bëjnë me rindërtimin e një shteti të dështuar. Dhe kjo do të thotë një lloj vëmendje që komuniteti ndërkombëtar, ta them sinqerisht jo pak shtete duan të evitojnë në këtë pikë”, vlerëson më tej Jacobson.
Për t’ia arritur objektivit të presidentit Barack Obama për të parandaluar përdorimin në të ardhmen të armëve kimike, Jacobson parashikon se planifikuesit e Pentagonit do të zgjidhnin caqe që shihen shumë qartë siç është Ministria e Mbrojtjes së Sirisë dhe forcat ajrore:
“Pas të gjithave, arsyeja që ne po i mendojmë veprimet ushtarake është se Assadi e ka vënë popullatën e vet në rrezik. Është vështirë e mendueshme që do të shohim sulme kundër armëve kimike. Regjimi i Assadit ka qenë duke i lëvizur ato armë që një kohë dhe kështu ne do të rrisnim rrezikun për më shumë viktima në civil, përmes shkatërrimit të pa duhur të këtyre armëve apo sepse Assadi i ka vendosur forcat e armatosura në zona me shumë popullatë”, thotë Jacobson.
Sekretari i shtetit, John Kerry ju ka thënë pjesëtarëve të Kongresit gjatë kësaj jave se ai është “100 % i sigurt” që Assadi do të përdorë armë kimike prapë nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë.
Por çfarë nëse Uashingtoni reagon dhe Assadi nuk e pranon mesazhin? Në rastin që Assadi përdor armë kimike në të ardhmen, Jacobson thotë se ushtria amerikane duhet të riangazhohet me “forcë dërrmuese”.
Ky skenar e shqetëson Dov Zakheim, i cili ka qenë sekretar për siguri në administratën e presidentit George W Bush.
“Nëse Assadi mbijeton, Hezbollahu do të jetë ende aktiv, Irani do të jetë ende aktiv dhe Assadi do të jetë ende aktiv. Nëse bie Assadi, atëherë ne prapë do të akuzohemi për ndryshim qeverish, dhe iranianët lirisht mund të vendosin që e vetmja mënyrë për të evituar ndryshimin e regjimit të tyre është të ndiqet rruga e Koresë së Veriut dhe të kërkojnë hapur fuqi bërthamore, më shpejtë dhe më bindshëm. Atëherë çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara?”, pyet Zakheim.
Kjo ishte një nga pyetjet e mëdha në seancën dëgjimore të 3 shtatorit në Senat: A do të trimërohet Irani në ndjekjen e rrugës së armatimit bërthamor nëse Uashingtoni nuk e bën përgjegjës Assadin? Askush nuk tha “jo”.
Por, Mehrzad Boroujerdi, drejtor i programit të veçantë të studimit të Lindjes së Mesme, në Universitetin Syracuse, është skeptik.
“Unë nuk pajtohem me atë retorikë. Mua më duket më shumë një justifikim për të nisur luftë kundër Sirisë se sa bazë reale e realitetit me Iranin”, ka thënë ai.
Sa i përket Rusisë, një nga aleatët kryesor të Sirisë, analistët ushtarak dhe diplomatik e parashohin një rritje të mundshme në ofrimin e armëve për Assadin në rast të një sulmi, por jo diçka më shumë.
Sulmet hakmarrëse kundër Izraelit në rast të një intervenimi Amerika janë gjithashtu jo shumë të mundshme, thotë Jacobson nga Fondi gjerman i Marshallit.
“Nuk mendoj që në mes të tjerave, që as Irani apo Sirianët janë aq vetëvrasës në atë aspekt. të tërheqësh Izraelin në këtë e ndryshon tërë masën e konfliktit dhe padyshim që do të rezultojnë në shkatërrimin e plotë të regjimit sirian”, thotë Jacobson.