• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

” SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA”

February 1, 2021 by dgreca

KUR ARTI SFIDOI DIPLOMACINË DHE SHEMBI MURET E NACIONALIZMIT/

NGA FILIP GURAZIU/

   Pasioni për muzikën më bashkoi (në rolin e drejtuesit organizativ) me Shoqatën Artistike Kulturore “Prenkë Jakova” – Shkodër   me të cilën përshkuem së bashku, në  nji periudhë shumë vjeçare,  nji rrugë të gjatë pune,   me sakrifica  e suksese artistike që nderuen  jo vetëm pjestarët e Shoqatës e qytetin e tyne, Shkodrën , por të gjithë  Shqipninë e shqiptarët kudo që ndodhën. 

Krahas qinda koncertesh ( Shkodër, Tiranë, Korçë, Fier, Tuz, Podgoricë, Gjakovë, Tetovë, Dubrovnik, Kraguejevac, Peç, Budapest, Horoshaza, Venezia, Modena, Borgo San Lorenzo, Camerino, Bari etj.,  po kujtoj veprimtaritë kryesore:  

* Regjistrimi në Radion e Vatikanit të Korit polifonik “Prenkë Jakova” dhe prodhimin e CD-ve  me titullin ” Jubileu 2000″.

 * Koncertet korale polifonike “Lake airs”,  (Kori polifonik “Prenkë Jakova” së bashku me Korin polifonik të Akademisë së Arteve të Cetinies) në Shkodër, Virpazar e Tivat, 2001. 

* ” Medalje Bronzi” në Festivalin Ndërkombëtar të muzikës  polifonike ” Orlando di Lasso” –  Camerino – Itali, 2002. 

* Java e Kulturës Shqiptare në Firenze (Koncertl në  mjedisin e Salone del Cinque Cento,  Palazzo Vecchio), 2006..

 * Koncertet korale polifonike në veprimtarinë “Peace on Earth”, 2008; ( korista e muzikanta prej Berlinit, Novisadit dhe Shkodrës në nji grup artistik të përbashkët)

 * Koncert në Teatrin e Operas të Istanbul së bashku me pianistin me famë botnore Giacomo Campanella të ” Petit Messe Solennele” – Gioachino Rossini, 2010.;

 * Koncerti shoqnues i Meshës së Papa Bergoglio në Tiranë, 2015 etj.

   Ndër veprimtaritë e masipërme,  dëshiroj me kujtue  aktivitetin ” Peace on Earth” si dëshmi e  fuqisë ” magjike”  transformuese të muzikës  në psikologjinë e individit  e në nji shoqni njerëzore.

   Arti në përgjithësi e muzika në veçanti gëzojnë karakter universal  mbasi ato mirëkuptohen nga të gjithë popujt e botës, edhe pse gjuhët i kanë të ndryshme. Në këtë kandvështrim, arti shërben ma mirë se çdo gja tjeter për afrimin e popujve, për rritjen e miqësisë  e forcimin e bashkëpunimit reciprok tue ndikue pozitivisht për vendosjen e themeleve të nji  paqe të qendrueshme, aq të dëshirueme prej të tanve. 

   Mbas ngjarjeve dramatike që përjetuen popujt e ish Jugosllavisë  në vitet nandëdhetë të shekullit të kaluem, nji projekt i përbashkët artistik me protagonista muzikanta me prejardhje etnike dhe fetare të ndryshme prej Ballkanit, merrte kuptimin e nji nisme të mbarë drejt nji periudhe të re miqësie e bashkëpunimi,  çka do të përbante, si me thanë,  nji kontribut konkret për konsolidimin e paqës në rajon.

   Ishte pikërisht ky, motivi që nxiti muzikantin e shquem berlinez  Z.Gerhard Oppelt, për me projektue aktivitetin ndërkombëtar  muzikor ‘Peace on Earth’ me pjesëmarrjen e artistave   berlinez të  ‘ Berliner Figural Chor’ e ‘Jugendorchester Berlin’; prej Novi Sad (Serbi), Kori  ‘Sveti Stefan Deçanski’ e prej Shkodrës, Kori Polifonik ‘Prenkë Jakova’. Projekti u mbështet financiarisht prej  Qeverisë Gjermane e Fondacionit ‘Goethe’.

   Nji ansambël madhështor mbi njiqind e njizet artistash, në të cilin bajshin pjesë, përveç grupeve  të sipërpërmenduna,  edhe  solistë të shquem prej Berlinit ( A. Köpcke, A.C. Carlsted, J. Schnurr, P. Dasch ) mbrrijti me funksionue në mënyrë perfekte, falë profesionalizmit të naltë artistik të Drejtuesve të koreve; z. Gerhard Oppelt,  zj. Tamara Petijević e z. Gjon Shllaku.

   Edhe pse  repertori artistik përmbante muzikë  të nji shkalle të naltë vështirësie, si ishte vepra vokale  ‘Peace on Earth’ e kompozitorit gjerman Arnold Schönberg, impenjimi i pjesëmarrësve bani të mundun realizimin e të gjitha objektivave artistikë. 

   Si nji trupë e vetme artistike, ansambli ‘Peace on Earth’ dha me shumë sukses  dy koncerte në Berlin (26, 27 Shtator 2008);  nji koncert në  Novi Sad  (19 Tetor 2008) e nji tjeter në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, (21 Tetor 2008).

   Muzika e zgjedhun prej Maestro Oppelt ( kompozitori Tomas Tallis) u interpretue  prej tetë grupeve korale me 10 zane  të vendosun në pozicione të ndryshme në sallë, tingujt e shumtë që dukeshin se  vijshin prej qiellit, krijojshin nji atmosferë magjike, tue ngjallë  nji  optimizem të ri për jetën. 

   Historiani filozof  Hendrik Willem van Loon  në studimin e tij ‘ THE ARTS’ shkruen: “ Muzika përban gjuhën me të cilën njerëzimi  komunikon me Zotin”

    A  nuk jemi të tanë krijesat e të njajtit  Zot ? Pse me u  urrye kur në mes nesh kemi dashuninë ? A ka gja ma të dëshirueshme, ma të bukur e ma humane  se vllaznimi i popujve e veçanarisht i të rijve  me prejardhje të ndryshme etnike e fetare, larg nacionalizmave  primitive e regresive?

   Larmia e muzikës së zgjedhur ( J.S.Bach, A. Pärt, S. Mokranjac, H. Schutz, F. Poulenc, Gj.Kapedani )  e gërshetueme me interpretimet origjinale t’asaj që tingëllonte ‘ndryshe’, pasojë kjo e  rrugëve të formimit historik t’artit, i dha një larmi ngjyrash  e pasunoi artistikisht veprimtarinë.

   Me organizue një aktivite të kësaj natyre, natyrisht se asht  mund e sakrificë e madhe, por mbasi “kapet” suksesi, proporcionalisht me mundin asht edhe kënaqësia e krenaria legjitime.

Mija artëdashës shkodranë që mbushën  Katedralen e Shën Shtjefnit, ishin dëshmitarë t’asaj force të madhe magjike që transmeton  muzika. Artistat u vllaznuen, populli u lumtunue. Kanga e “Zojës së Shkodrës” e këndueme bashkarisht prej ansamblit artistik e spektatorëvet ishte urimi ma i bukur e ma kuptimplotë që përhapi veprimtaria ‘Peace on Earth’: “Me ndihmen e Zotit e të vllaznuem,  kemi me ndertue bashkarisht  Paqen. 

   Mbas koncertit, në mjedisin e ‘Fshatit të Paqës’, Karitasi Shkodër organizoi mbramjen e lamtumirës.  Ishte një festë që nuk mund të harrohet jo vetëm për entuziazmin e demostruem, por mbi të tana  për mesazhin që mori çdo pjesëmarrës.  Artistat  gjermanë, serbë dhe shqiptarë, protagonista të veprimtarisë, do të ktheheshin në shtëpitë e tyne me nji ndjejë krenarie për kontributin e dhanë në favor të Paqës, tue ruejtë në zemrën e tyne parimin human  “Dashunia ndërton, urrejtja shkatërron.”  

Jashtë repertorit artistik: 

   Prej organizatorve,  patëm kuptue se nuk kishte qenë edhe aq  e lehtë bashkëpunimi me  nji kor prej Serbije. Shumë propozime për pjesëmarrje në projekt qe u ishin ba grupeve korale në Serbi. ishin refuzue prej tyne; Shkaku ishte se në projekt merrshin pjesë edhe shqiptarët…  No coment! Vetem Kori ‘Sveti Stefan Deçanski’ që ishte kori i Kishës Ortodokse në Novisad,  kishte pranue pjesëmarrjen në projekt mbas shumë ngurrimesh ,” falë vizionit përparimtar të Ipeshkvit Ortodoks të Novisadit”.

   Mbasi patëm realizue fazen e parë të projektit në Berlin, organizatorët na njoftuen se kori serb që do të vinte për koncert në Shkodër, nuk e kishte në plan me fjetë atë natë në Shkodër , por mbas koncertit do të kthehej menjiherë për  në Podgoricë. Arsyeja?! Se nuk ndiheshin të sigurtë në Shkodër… Ky qendrim na shqetësoi, u ndiem të fyem e menjiherë i dhamë përgjigje gjermanëve: ” Në qoftë se kori serb nuk pranon me fjetë në Shkodër, atëherë edha na nuk do të pranojmë me fjetë në Serbi”. Praktikisht kjo donte me thanë se projekti ndërpritet e nuk nuk do të vazhdonte ma, gja që  organizatorët nuk e deshirojshin e nuk e pranojshin. Presioni i tyne i detyroi serbët me ndrrue mendje.

   Faza e dytë e projektit parashikonte koncertin në Novisad, ku shkuem me qef e me kuriozitet. Sistemimi në hotel ishte shumë i mirë, qyteti i bukur,  pjesa e vjeter kishte mjaft  ngjajshmëni  në arkitekturë me qendren e Shkodrës. Shetitëm lirisht, askush nuk na shqetësoi, partnerët serbë të korit nuk i takuem veçse në prova e në natën e koncertit që u zhvillue në Sinagogen e qytetit. Qytetarët e kishin mbushë plot e përplot sallen e madhe të Sinagogës, koncerti pati  shumë sukses, por  binte në sy mungesa e mediave televizive serbe dhe e autoriteteve të qytetit...Mbas koncertit, përfaqësuesi i korit serb na propozoi me ndejë së bashku    në mjedisin e nji taverne në qendër të  qytetit. Shkuem me dëshirë e zumë vend të grupuem  përballë njeni tjetrit. Çdokush  porosiste e paguente vetë! Kishte  nji farë ftoftësije ndërmjet nesh e për me i dhanë pak gjallni mjedisit, filluem me këndue  nji kangë angleze shumë të njoftun ndërkombëtarisht. Mbasi  e mbaruem, menjiherë kori serb filloi me këndue nji kangë vajtimi e, prej shprehjes ” kukù majko “, kuptuem se  ishte kanga e vajtimit të nanës serbe për djalin  që shqiptarët ia kishin vra në Kosovë… No coment! Ftohtësisë së mjedisit iu shtue edhe heshtja!  Nuk kishim se pse me ndejë ma, i thamë natën e mirë dhe dolëm.

   Në Shkodër Kori Serb nuk erdhi i plotë. I mungojshim 6 persona. Prej organizatorëve gjerman kuptuem se ishin pasë qenë pengue prej familjeve të tyne që kishin frigë ” prej shqiptarve në Shkodër”, Si kundërpërgjigje të sjelljeve të masipërme patëm vendosë që në Shkodër, serbve ti tregojmë mikpritjen shqiptare, ” e mira fiton mbi te keqen”. Për ket u organizuem në grupe; i shetitëm në qytet, qendruem së bashku në Bar-Kafe  e i ofruem çdo gja që ato dëshirojshin, edhe qytetarët shkodranë qenë shumë miqësorë me artistat serbë.  Mbas drekës, pronari i Restorant ” Legjenda” ( pjestar i korit shkodran) i ftoi koristat serb për  nji ” party” në mjedisin piktoresk të lokalit ku mbeten shumë të kënaqun. Suksesi i koncertit e qëndrimi miqësor që iu ofrue në Shkodër artistave gjermanë e serbë, u manifestue  edhe në atmosferen entuziaste që shoqnoi darken e mbylljes së aktivitetit te “Fshati i Paqes” Të nesërmen i përcollëm deri në pikën e kufinit  të Hanit të Hotit e i uruem rrugë të mbarë. 

   Mbas kthimit në Novisad, drejtuesja e korit serb na çoi nji leter falënderimi për pritjen miqësore e të veçantë  që kishin gjetë në Shkodër, po kështu edhe Ambasada Serbe në Tiranë na përgëzoi për suksesin e veprimtarisët dhe na falenderoi për qendrimin miqësor që i ofruem koristave serbë.

“Ate çka nuk mujti me e ba diplomacia ma e sofistikueme bashkëkohore tue aktivizue   mija vetë për periudha të gjata kohe e financime  të mëdhaja  e bani mrekullia e artit.” 

Mbramja e mbylljes së aktivitetit ‘Peace on Earth’ në Shkodër datë 21.10.2008  e provoi plotësisht:  “Qëndrimi primitiv nacionalist, pasojë e helmit ideologjik me të cilin  edukohet brezi i ri në disa vende…, u dorëzue para miqësisë së vertetë që  depërtoi në shpirtin pjesëmarrësve nëpërmjet muzikës. 

Dashunija fitoi mbi urrejtje; muret nacionaliste ranë, muzika e bani mrekullinë e sajë…!”

F.G.( Pjesë e librit Dromca kujtimesh” i dërguem për botim)

Filed Under: Analiza Tagged With: " SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA", Filip Guraziu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT