• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NUK MUND TË KETË ARDHMËRI ME SHIKIM NË RETROVIZORËT E HISTORISË

November 16, 2021 by s p

Nga prof.dr. Skender ASANI

Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.

Marrëdhëniet në mes të popujve në Ballkan gjithmonë kanë qenë të ngarkuara me tensione dhe raporte të pasqaruara etnike si pasojë qasjes së gabuar të elitave politike për t’i tejkaluar ato probleme. Ka kohë që flitet për një paqe të përgjithshme në Ballkan, mirëpo si duket oligarkive politike iu konvenon status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska,  kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë sl Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë si një aleat që do të mund ta nxirrte nga ngërçi i marrëdhënieve të tensionuara me Bullgarinë. 

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik i cili do t’i largonte mjegullat e historisë nga tryeza e negociatave. Nuk ka zgjidhje të mosmarrëveshjeve me formula historike të shek. 19, për arsye se tani jetojmë në një realitet të ri, politik, social e ekonomik. 

Kjo vlen edhe për kontestin në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të shmangen nga hijet e së kaluarës dhe t’i mbështeten plotësisht procesit eurointegrues të BE, që parasëgjithash kërkon fqinjësi të mirë dhe besim reciprok në mes të palëve.

 Shtetet e rajonit tani kanë arritur t’i përshtaten një harte të re gjeopolitike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sot kemi komplet një realitet të ri. Maqedonia është e pavarur, Kosova gjithashtu, ndërkohë që Bullgaria e Serbia duhet ta pranojnë dhe respektojnë këtë realitet. Por edhe elitat politike në Prishtinë dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste të problemeve. 

Nuk mund të ecet përpara duke e mbajtur shikimin në retrovizorin e historisë sepse aksidentet në rrugëtim janë të pashmangshme. Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.

Shkup, 15 nëntor, 2021

(Autori është drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup)  

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Asani

ARBËRESHËT E ITALISË, NJË GUR KUJTESE NË PESHOREN E NDËRGJEGJJES SONË

November 14, 2021 by s p

Prandaj edhe përpjekja jonë si studiues në kuadër të ITSHKSH është e orientuar drejt mobilizimit shkencor për një ndërgjegjësim më të madh kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së lashtë arbëreshe, një objektiv ky që do të shpërfaqet gjatë ditëve në vijim në  kuadër të Ditëve të Alfabetit që fillojnë sot dhe përfundojnë më 22 nëntor. Shpresojmë që në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, me gjithë potencialin tyre kulturor, në të ardhmen të jenë një gur kujtese në peshoren e ndërgjegjes sonë.

Nga Skender ASANI

Më shumë se 600 vjetë, menjëherë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu,  në Itali  jeton një komunitet shqiptar i ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga arvanitasit e Greqisë, kryesisht nga zona e Peloponezit, Epirit, dhe ishujt e Jonit. 

Arbëreshët e Italisë sot paraqesin një subtrakt kulturor e tradicional mjaft specifik në saje të ruajtjes me dashuri e fanatizëm të gjuhës, kulturës, besimit, mënyrës së jetesës, dokeve, e zakoneve.

Ata e ruajtën me plot dashuri edhe emërtimin arbëresh, duke e bërë këtë emërtim edhe pjesë zyrtare të administratës vendore.

Deri më tani janë bërë shumë studime dhe janë organizuar një sërë konferencash shkencore, të cilat kanë hedhur dritë mbi profilin kolektiv e individual të arbëreshëve dhe këmbënguljen e tyre për të ruajtur identitetin dhe prejardhjen në një ambient të huaj. Dhe një nga pyetjet më të shpeshta që bëhet aktualisht në qarqet shkencore është se si është e mundur që një komunitet i ardhur nga jashtë të ruajë identitetin e tij gjuhësor e kulturor. Për rrjedhojë ka ardhur vetvetiu edhe përgjigja se ka qenë krenaria  për vendin e origjinës, që u bë edhe motivi kryesor i letërsisë arbëreshe, pastaj kompaktësia e jetesës së përbashkët në vendin ku u vendosën, ato që ndikuan në ruajtjen e identitetit të arbëreshëve. Kjo përpjekje shekullore për t’u dukur ndryshe nga të tjerët, bëri që arbëreshët të identifikoheshin lehtësisht nga vendasit për shkak të gjuhës së veçantë që përdornin në komunikimin e tyre të përditshëm.

Të vendosur në Jug të Italisë, kryesisht në Kalabri, Sicili dhe në disa zona të tjera, arbëreshët patën një favor vet ambientin rural që ndikoi në mosndikimin e madh të kulturës italiane në jetën e tyre të përditshme. Prandaj ne sot kemi katunde të tëra arbëreshe, ku koloriti gjuhësor i arbërishtes përbën shenjën dalluese në tabela rrugësh dhe institucionesh.

Por ky realitet nuk është gjithkund i pranishëm dhe sidomos në zonat urbane ku u vendosën arbëreshët e ku kontaktet me vendasit ishin më të mëdha. Kjo ndikoi që përgjatë dekadave e shekujve, arbëreshët nuk mundën t’i shpëtojnë asimilimit dhe tani sipas një statistike që është bërë nga hulumtimet shkencore rezulton që  rreth 30 lokalitete arbëreshe janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën dhe identitetin e origjinës duke u integruar në atë italiane. 

Prandaj ky është edhe motivi qendror që sivjet ITSHKSH në kuadër të Ditëve të Alfabetit të trajtojë pikërisht çështjet identitare që lidhen me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe, si një përpjekje për të reflektuar në ndërgjegjet tona për një mobilizim më të madh në shpëtimin e këtij komuniteti nga kthetrat  asimilimit. Kjo edhe për faktin se aktualisht  në të gjithë Italinë njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe, në të cilat jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë. Prej tyre më të dalluara janë disa qarqe apo regjione, ku arbëreshët janë vendosur më masovikisht siç janë  Kalabria, me rreth 60.000 banorë, të vendosur në 30 komuna dhe 3 qendra më të vogla banimi, kryesisht në provincën e Kozencës. Një komunitet i madh është vendosur në ishullin e Sicilisë, pranë Palermos, por edhe në zonat tjera ku arbëreshët jan të shpërndarë dhe nuk janë kompakt si në Kalabri dhe n Sicili.

Nëse i hedhim një sy hartës demografike, do të shohim se komunitetet arbëreshe më të mëdha për nga numri i popullsisë dhe territorit janë Piana degli Albanese (Hora Arbëresh) në Palermo, Spezzano Albanese, San Demetrio Corone (Shën Mitri), San Giorgio (Mbuzat), San Sofia d’Epiro (Shën Sofia e Epirit), Vaccarizzo (Vakarici) në provincën e Kozencës, San Marzano di San Giuseppe në Taranto etj.

Ndërkaq komunitete të konsiderueshme arbëreshë gjenden edhe në qendrat e mëdha të metropolit në Itali, si në Milano, Torino, Napoli, Bari, Cosenza, Crotone dhe Palermo. Gjithashtu, komunitete arbëresh që mbijetojnë fort dhe mbajnë akoma të gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën e jetesës të vendit të tyre të origjinës gjenden edhe në SHBA, Kanada, Argjentinë dhe Brazil, si rrjedhojë e emigrimeve kryesisht në fund të shek. XIX e fillim të shekullit XX.

Neve si studiues na takon të hedhim më shumë dritë mbi specifikat e mbijetesës arbëreshe nëpër shekuj. Na takon të zbërthejmë edhe më tepër vitalitetin e arbëreshëve, të cilët,  për më shumë se 6 shekuj e ruajtën identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.

Vetëm duke e studiuar më hollësisht këtë komunitet, siç do të veprojmë edhe në ditët në vijim, përmes kumtesave e kontributeve shkencore, do të nxjerrim si përfundim se arbëreshët e Italisë paraqesin një nga rastet unikale në botë në ruajtjen e vetëdijes dhe krenarisë së tyre kombëtare, në saje të përkushtimit që treguan  poetët, gjuhëtarët dhe muzikologët arbëreshë. Ky kontribut kolosal i tyre ka ndikuar që në truallin arbëreshë të kryhen eksplorime të shumta gjuhësore, folklorike e etnografike edhe nga studiues shqiptarë e të huaj, të cilët dëshmuan për begatinë identitare që ruajtën arbëreshët, që ishte edhe një hallkë e fortë lidhëse në mes të truallit të origjinës dhe arealit kulturor evropian. Prandaj jo rastësisht romantizmi evropian së pari trokiti në dyert  poetëve arbëreshë, siç ishte rasti me Jeronim de Radën dhe me poemat e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, “Serafina Topia” etj.

ITSHKSH me plot vetëdije iu ka  qasë temës bosht që lidhet me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe me qëllim të sensibilizimit të opinionit shkencor dhe jo vetëm, që ky komunitet i ynë të shpëtojë nga tendencat e asimilimit që po ndodhin si rezultat i kontaktit me vendasit por edhe i globalizimit në çdo aspekt të veprimtarisë njerëzore.

Insituti ynë para dy vitesh realizoi një vizitë studimore në disa vendbanime arbëreshe të Kalabrisë dhe studiuesit  tanë janë kthyer me mbresa të thella nga këto treva të cilat dëshmojnë për një prezencë mjaft vitale të elementit arbëresh. Nga kjo vizitë përpos mbresave të pashlyera, na mbeti vragë në shpirt edhe tendenca gjithnjë e në rritje e asimilimit të arbëreshëve, që po vjen si rezultat i problemeve ekonomike dhe të zhvillimeve të diferencuara Jug -Veri, ku nevoja për punësim drejt Veriut të Italisë apo vendeve të tjera, po e bën të veten dhe për pasojë elementi arbëreshë dalngadalë po shkrihet në ambientet e mëdha urbane të Italisë. Kjo ikje e tyre drejt Veriut të zhvilluar  ka sjellë si rrezik permanent fenomenin e braktisjes së vendbanimeve historike të arbëreshëve. 

Mospërdorimi i gjuhës në komunikimin e  përditshëm është hapi i parë drejt asimilimit dhe humbjes së identitetit arbëresh. Fatkeqësisht me një fenomen të tillë u ballafaquan edhe shqiptarët katolikë të Shkupit, tash  e disa dekada më parë dhe tani na kanë mbetur vetëm disa fotografi dhe kujtime nga ata, për të dëshmuar se në Shkup dikur, para një shekulli, kishim një komunitet aktiv që ishte zëri më autentik i prezencës shqiptare këtu.

Prandaj edhe përpjekja jonë si studiues në kuadër të ITSHKSH është e orientuar drejt mobilizimit shkencor për një ndërgjegjësim më të madh kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së lashtë arbëreshe, një objektiv ky që do të shpërfaqet gjatë ditëve në vijim në  kuadër të Ditëve të Alfabetit që fillojnë sot dhe përfundojnë më 22 nëntor. Shpresojmë që në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, me gjithë potencialin tyre kulturor, në të ardhmen të jenë një gur kujtese në peshoren e ndërgjegjes sonë.

(Fjalë rasti në hapje të manifestimit tradicional “Ditët e Alfabetit”)

Filed Under: Politike Tagged With: Skender Asani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT