• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUMICA E RE KA 63 DEPUTETË, OPOZITA E RE KA 37 DEPUTETË

June 26, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Pa llogaritur deputetë e pakicave (20 sish), të 100-ët e Kuvendit të Kosovës janë ndarë në këtë mënyrë midis shumicës së ardhshme (LDK-VV-AAK-NISMA) dhe pakicës së ardhshme (Misioni i Ri): Shumica e re ka 63 deputetë, ndërsa opozita e re ka 37 deputetë.
Konkretisht: Lidhja Demokratike e Kosovës, që ka 30 deputetë + Vetëvendosja, që ka 16 deputetë + Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që ka 11 deputetë + NISMA, që ka 6 deputetë (30+16+11+6) bëjnë 63 deputetë.
Duke pasur parasysh qëndrimet e pakicave, të cilat kanë deklaruar asnjanësinë e tyre, pra mospërfshirjen në asnjë loje politike të partive shqiptare të Kosovës, të çfarëdo pozite apo opozite, atëherë i bie që shumica e re të ketë 63% të Kuvendit të Kosovës, ndërsa opozita e re të ketë 37% të përbërjes së tij.
Në media dhe qarqe të ndryshme në Prishtinë, madje edhe në Tiranë është spekulluar këto ditë se Kosova ndodhet në prag të një krize institucionale, çka në fakt nuk manifestohet askund, qoftë në rezultatet përfundimtare zyrtare që shërben Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, qoftë në konfigurimin e ri të formacioneve qeverisëse dhe opozitare të saj.
Me 37 deputetë, sa i ka opozita e re, është e pamundur të përfytyrohet një mundësi e shkaktimit të krizës institucionale nga ana e saj. Këtë e thotë realiteti i kulluar statistikor. Realiteti logjik e përforcon më tej këtë fakt kokëfortë: të gjitha praktikat e thonë se shumicat qeverisëse janë ato që paraqiten të konsoliduara në radhët e tyre.
Krahasuar me shumicën e mëparshme, atë të tri viteve të fundit, e cila erdhi zvarrë, duke u mbështetut vetëm tek koniunktura e caktuar – ajo e beisedimeve që ishin ndërmarrë me Beogradin, shumica e re do të jetë shumë më e fuqishme dhe do të kishte baza shumë më të forta për t’ia siguruar Kosovës një qeverisje të qëndrueshme në katër vitet e ardhshme dhe për të kryer reformat e domosdoshme dhe urgjente në të gjitha fushat e jetës së Kosovës.
Është spekulluar, sidomos në qarqe tejet të dyshimta të Tiranës, se diplomatët perëndimorë, gjoja për të shmangur krizën institucionale, po këmbëngulin pranë faktorëve politikë shqiptarë që të krijojnë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse, me të gjitha partitë shqiptar dhe të gjitha partitë e pakicave. Sipas këtij spekullimi, vetëm një qeveri e tillë teknike do të ishte në gjendje t’iu përgjigjej sfidave që i vë përballë bashkësia ndërkombëtare Kosovës në këto katër vite.
Kjo formë dhe të gjitha format e tjera të përçudshme që kanë qarkulluar në mediat e Tiranës dhe Prishtinës, janë kthim i Kosovës prapa, në forma të cilat ajo i ka provuar në vitet e para të pas çlirimit apo në mandatin e parë të pas zyrtarizimit të pavarësisë. Të gjitha ato forma kanë prodhuar kriza pas krizash dhe janë faktori kryesor që e kanë mbajtur Kosovën në këtë gjendje të as shtetit dhe të as protektoratit ndërkombëtar apo evropian.
Sado e ndrojtur të ketë qenë vota e 8 qershorit, ashtu siç e kanë theksuar edhe mediat perëndimore, si rezultat i frustrimit të madh të votuesve – e pasqyruar në abstenimin e qindra mijë votuesve, ajo duhet lexuar në logjikën e saj të vërtetë: Një kryesim qeverisjeje të ardhshme nga ana e PDK dhe e Thaçit, apo një pjesëmarrje e tyre në një qeverisje të ardhshme do të ishte e papranueshme dhe e kundërshtueshme nga ana e popullit të Kosovës.
Skenarët me kriza institucionale, me zgjedhje të reja do t’i shërbenin vetëm së shkuarës. Dhe Kosova ka nevojë jetike të ndahet nga çdo shkuar qoftë më e largët, qoftë më e afët e saj, përfshirë edhe këtë të tranzicionit pesëmbëdhjetëvjeçar të saj.
Këtë do pasur parasysh edhe nga faktorët e interesuar për konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, për konsolidimin e demokracisë në Kosovë dhe për mbarëvajtjen e rajonit perëndimor të Ballkanit.

Lista zyrtare e deputetëve në Parlamentin e Kosovës
– 2014-06-26 15:56:12

PDK

1. Hashim Thaqi 166,458
2. Kadri Veseli 54,883
3. Enver Hoxhaj 22,179
4. Elmi Reçica 18,015
5. Hajredin Kuçi 17,987
6. Memli Krasniqi 16,094
7. Rafet Rama 15,426
8. Arsim Bajrami 15,191
9. Raif Qela 15,035
10. Agim Aliu 14,877
11. Fadil Beka 14,392
12. Labinotë Demi – Murtezi 14,232
13. Sala Berisha – Shala 14,180
14. Bekim Haxhiu 13,699
15. Xhavit Haliti 13,339
16. Ramiz Kelmendi 13,310
17. Latif Gashi 12,527
18. Adem Grabovci 11,964
19. Azem Syla 11,146
20. Zenun Pajaziti 10,884
21. Agim Çeku 10,802
22. Naim Fetahu 10,750
23. Nuredin Lushtaku 10,745
24. Besim Beqaj 10,524
25. Nezir Çoçaj 10,478
26. Gëzim Kelmendi 10,041
27. Rrustem Mustafa 9,484
28. Mexhide Mjaku – Topalli 7,607
29. Flora Brovina 7,557
30. Blerta Deliu – Kodra 7,477
31. Edita Tahiri 7,442
32. Margarita Kadriu – Ukelli 7,100
33. Selvie Hakimi 6,438
34. Vlora Çitaku 6,177
35. Xhevahire Izmaku 5,792
36. Luljeta Veselaj Gutaj 5,761
37. Safete Hadergjonaj 5,182

LDK

Isa Mustafa 121,052
2. Vjosa Osmani 39,925
3. Teuta Rugova 37.157
4. Anton Quni 24,315
5. Ismet Beqiri 17,576
6. Nuredin Ibishi 15,796
7. Arben Gashi 14,879
8. Haki Demolli 14,820
9. Kujtim Shala 14,654
10. Sabri Hamiti 12,833
11. Armend Zemaj 11,160
12. Avdullah Hoti 10,886
13. Hykmete Bajrami 10,207
14. Njomza Emini 9,683
15. Naser Osmani 9,647
16. Lirie Kajtazi 9,300
17. Hatim Baxhaku 8,881
18. Shpejtim Bulliqi 8,856
19. Muhamet Mustafa 8,585
20. Fatmir Rexhepi 8,527
21. Ali Sadriu 8,409
22. Sadri Ferat 8,400
23. Adem Salihaj 8,266
24. Blerim Grainca 8,049
25. Agim Ademaj 8,008
26. Salih Morina 7,984
27. Alma Lama 7,486
28. Besa Gaxheri 7,266
29. Teuta Sahatqia 7,224
30. Doruntinë Maloku-Kastrati 7,194

Vetëvendosje
1. Albin Kurti 63.598
2. Visari Imeri 29.650
3. Glauk Konjufca 16.465
4. Ilir Deda 15.753
5. Dardan Sejdiu 14.727
6. Rexhep Selimi 12.126
7. Liburn Aliu 10.399
8. Besnik Bislimi 9.765
9. Smail Kurteshi 8.348
10. Mytehar Haskuka 7.907
11. Sali Salihu 7.786
12. Aida Dërguti 9. 808
13. Puhie Demaku 15.270
14. Albulena Haxhiu 7.975
15. Shqipe Pantina 3.988
16. Besa Bahtia 4091

AKK

1. Ramush Haradinaj 50,391
2. Daut Haradinaj 11,590
3. Pal Lekaj 8,481
4. Donika Kada Bujupi 6,150
5. Bali Muharremaj 6,135
6. Blerim Shala 5,833
7. Time Kadrijaj 5,751
08. Rrustem Berisha 5,663
09. Lahi Brahima 5,641
10. Teuta Haxhiu 4,000
11. Melihate Tërmkolli 2,589

Lista Srpska
1.Bojan Mitiq, 8.914
2.Velimir Rakiq, 8.861
3.Sllavko Simiq, 8.586
4.Sllobodan Petroviq, 7.528
5.Sasha Millosavleviq,7.189
6.Millka Vuletiq,7.074
7.Milena Miliq 7.056
8.Jasemina Zhivkoviq 6.324
9.Jwelena Bontiq 6311
Nisma

1. Fatmir Limaj 26,770
2. Jakup Krasniqi 18,600
3. Haxhi Shala 7,285
4. Shukrije Bytyqi 6,024
5. Zafir Berisha 4,609
6. Valdete Bajrami 3,754

Partia demokratike Turke
1.Mahir Jagxhillar 3.377
2.Mufera Sribica Shinik 1.942

Koalicioni Vakat
1.Rasim Demiri 2460
2.Duda Balje 1.920
Progresivna Demokrasta Stranka
1.Nenad Rashiq 4.212
Parti demokratike e Ashkalive të Kosovës
1.Danush Ademi 1.784
Nova Demokratska Stranka
1.Emilija Rexhepi 1.781
Partia Liberale Egjiptiane
1.Veton Berisha 1.204
Partia e Ashkalive për Integrim
1.Etem Arifi 989
Koalicija za Goru
1.Adem Hoxha 682
Kosovaki Nevi Romani Partia
1.Kujtim Paçak 280

Filed Under: Analiza Tagged With: 37 DEPUTETË, E RE KA, KA 63 DEPUTETË, Opozita, SHUMICA E RE, Skender Bucpapaj

REVOLUCIONI ME VOTË – KOHA E KOSOVËS

May 26, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare të Republikës së Kosovës bien përafërsisht një vit pas atyre që u mbajtën në Republikën e Shqipërisë. Thuajse e pamundur, pra, të mos e vëresh konotacionin midis këtyre dy datave – 23 qershorit 2013 dhe 8 qershorit 2014, midis këtyre dy zhvillimeve të rëndësishme shqiptare e më gjerë.
Një nga karakterizimet më të qëndrueshme ndaj zgjedhjeve parlamentare të vjetme, nisur – në radhë të parë – nga rezultati, ishte se ato ishin një revolucion me votë. Më metaforik ishte karakterizimi – sinonimik gjithsesi, ngaqë u shpreh me votë – se ai ishte një revolucion i heshtur.
Revolucioni i heshtur, revolucioni me votë ishte zhvillimi më i mirëpritshëm, më i duhur, më i përshtatshëm për realitetin në Republikën e Shqipërisë. Ishte, ndërkaq, zgjidhja më e mençur, më e saktë dhe më komode e gjetur nga uni kolektiv i zgjedhësit. Ishte edhe akti më i përgjegjshëm, më qytetar, më shembullor e njëherësh më detyrues ndaj të zgjedhurve që do të dilnin nga vota popullore, si ndaj atyre që do të vinin në pushtet, si ndaj atyre që do të linin pushtetin.
I pandërlikuar, i qashtër në vetvete, i tejpashëm në shpalosjen e tij, revolucioni me votë i 23 qershorit 2013 është kollaj – tejet kollaj – i interpretueshëm dhe vështirë – tejet vështirë – i ngatërrueshëm në interpretimin e mesazhit të tij, pra të porosisë së tij – njëkohësisht për qeverisjen e re dhe për opozitën e re.
Ky revolucion u mundësua vetëm e thjesht falë pjesëmarrjes masive të votuesit, çka ishte e papritura e madhe brenda së papriturës tjetër – asaj të fitores së thellë të koalicionit PS-LSI dhe humbjes së thellë të PD-së. Në një çast të parë, madje edhe në një kohë të pacaktuar më vonë, është i saktë interpretimi që humbja e PD-së ishte e merituar, ishte më se e merituar.
Nisemi prej këtu, tek pjesëmarrja sa më masive – që do të ishte përmasa e domosdoshme e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 në Republikën e Kosovës. E pikërisht këtu do vënë gjithnjë e më tepër theksi nga të gjithë faktorët e interesuar për një shndërrim të madh, për një transformim të madh në politikën e Prishtinës dhe në jetën e Kosovës pas kësaj date. Pjesëmarrja e lartë, mundësisht sa më e lartë, aktivizimi sot sa më i madh do t’i kursente elektoratit të Kosovës dhe të gjithë vendit energji kolosale të cilat nesër do të shpenzohen për një hop të ri të gjithanshëm dhe nuk do të shpenzohen kundër një vazhdimi të padrejtë të qeverisjes së deritashme.
Populli i Kosovës vetëdijshëm nuk pajtohet se nuk ka si të pajtohet me qeverisjen të cilën e ka pasur këto vite. Nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita superiore, është i kompleksuar ndaj popullit të tij, nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita inferiore, është i kompleksuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare, nuk pajtohet me një lidership të kompleksuar, nga pozita inferiore, ndaj fqinjve, sidomos ndaj Serbisë. Kompleksi që e pengon lidershipin që po e qeveris Kosovën këto vite është lehtësisht i lexueshëm – ky lidership është i korruptuar në çdo qelizë, këtij lidershipi i lexohet korrupsioni, keqbërja, keqqeverisja në çdo sjellje, në çdo paraqitje, në çdo veprim.
Largimi i kësaj qeverisjeje nga pushteti në mënyrë vendimtare është plotësisht i mundshëm pikërisht nëpërmjet votës masive të elektoratit të Kosovës, nëpërmjet rizgjimit të asaj pjese të elektoratit që ka rënë në letargji këto vite. E përsëris, prandaj, faktorëve të interesuar për shndërrime të mëdha, për shndërrime rrënjësore në politikën dhe jetën e Kosovës, iu takon sot të bëjnë maksimalen e tyre për të nxitur, frymëzuar e trimëruar një pjesëmarrje sa më masive të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Një argument i përdorur nga abstenuesit dhe i sponsorizuar tërthor nga pushtetarët e sotëm është se hedhja e votës në kuti është e kotë, pasi atë e vjedhin, e blejnë, e transformojnë ata që e kanë bërë këtë gjë përgjatë këtyre viteve. Këtë teori fataliste e përdorën, pas 23 qershorit në Tiranë, humbësit e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja e lartë, sa më e lartë të jetë – aq më shumë i tut, i step, i ndal në veprën e tyre hajnat e qeverisjes së deritashme, hajnat e deritashëm të votës.
Me slloganin “Pushtetarë hajna, larg duart nga kutitë e votimit”, me vendosmërinë për fitore sa më të thellë kundër qeveritarëve aktualë, Kosova, vetëm me një pjesëmarrje sa më bindëse do të sjellë një humbje bindëse për humbësit dhe një fitore bindëse për fituesit. Ashtu, vetëm ashtu Kosova do të jetë fituesja e vërtetë e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Askush nuk do të guxonte ta cënonte vendimin e shprehur nga populli i Kosovës nëpërmjet votës së tij sa më masive.

Filed Under: Analiza Tagged With: - KOHA E KOSOVËS, REVOLUCIONI ME VOTË, Skender Bucpapaj

Gazetarët e APES priten nga Kancelarja Federale

May 21, 2014 by dgreca

MADAM CASANOVA: DEMOKRACIA DIREKTE DHE SISTEMI POLITIK BËSHTETUR NË PRINCIPIN E KOLEGJIALITETIT E KULTURËS SË KONSENSUSIT
Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/
Viti i tretë që APES mirëpritet nga Madam Corina Casanova, Kancelarja e Konfederatës Helvetike, e cila për nga rëndësia e institucionit që përfaqëson rradhitet bashkë me të shtatë Këshilltarët Federalë. Dhe sa herë që bëhet foto zyrtare e qeverisë zvicerane, ajo është bashkë me ta në foto.
Kësaj here tema e takimit kishte të bënte me “Të drejtat politike në sistemin zviceran të demokracisë direkte“.
APES ishte lajmëruar me kohë për takimin, dhe të paktën një javë përpara aktivitetit ishte dërguar axhenda e vizitës me detajet më të hollësishme, që nga koha kur gazetarët e APES do të merrnin trenin nga Gjeneva, Zürichu, Baseli e deri në kthim.
APES, organizata e vetme në Zvicër e gazetarëve të huaj, shumica rezidentë dhe një pjesë e mirë e natyralizuar, themeluar më 1928, me 120 anëtarë aktivë, përfaqëson mediat nga të gjitha kontinentet e botës me seli në OKB dhe ka një kontakt permanent dhe shumë bashkëpunues me institucionet në Zvicër. Berna mban një komunikim konstant me APES dhe ky komunikim mes tyre është i shkëlqyer.
Zvicra ka në fokus imazhin e Konfederatës Helvetike dhe përcjellësit e këtij imazhi, padyshim që janë gazetarët.
Sipas programit, e morëm trenin në mëngjes, bashkë me disa nga gazetat e ditës të cilat mbanin dy lajme kryesore. Lindjen e binjakëve Leo dhe Lenny të çiftit Mirka dhe Roger Federer si dhe vizitën e Presidentit të Zvicrës, njëherësh edhe kryesues i OSBE-së Z.Didier Burkhalter në Moskë. Roger Federer, që për zviceranët është King Roger, kishte lajmëruar që në mbrëmje në Facebook për gëzimin familjar. «Përsëri binjakë, mrekulli». Pas dy binjakeve vajza. Ndërsa rreth vizitës të Burkhalterit, 20 Minuten, gazeta më e lexuar dhe popullore në Zvicër që shpërndahet gratis pranë stacioneve të tramit, busit e kudo – pyeste që në kryetitullin e faqes të parë «A do të jetë Burkhalteri sot Hero në Moskë». Mision i pamundur, paçka se Putini kishte rënë dakord për shtyrjen e referendumit, pretendimit të tij se i kishte tërhequr trupat nga Ukraina, i përgënjeshtronte menjëherë NATO dhe Pentagoni, ndërsa filorusët nuk e shtynë gjithësesi referendumin. Ukraina pritet të votojë më 25 Maj, një votim shumë i rëndësishëm për demokracinë e këtij vendi.
Kriza në Ukrainë u demonstrua me dy qëndrime: qëndrimi rus që ndërhyn me tanke e ushtri dhe qëndrimi Europian me fjalë, por pa pasur fuqi t’ia ndryshojë mendjen Putinit me anë të retorikës.
Në APES ne jemi gazetarë nga e gjithë bota. Midis nesh kemi edhe kemi kolegë rusë e ukrainas. Presidentja e APES, kolegia jonë e shkëlqyer Emilia Nazarenko është nga Ukraina, Juri është rus; në APES po ashtu ka gazetarë edhe nga ITAR-TASS, jo më kot Gjeneva është një nga metropolet e diplomacisë botërore.
Ndërkohë shteti zviceran ka ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë, duke mos lejuar udhëtimin në Zvicër të një numri zyrtarësh rusë, duke pezulluar negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë, duke suspenduar eksportin e armatimit nga Rusia, si dhe duke bllokuar pasuritë e presidentit të përmbysur të Ukrainës, Viktor Yanukovich si dhe të ndihmësve të tij në bankat zvicerane.

Takimi në Qendrën e Mediave të Pallatit Federal

Kjo qendër shumë moderne është inauguruar në vitin 2006 , si transformim i një ndërtese rikonstruksioni i të cilës ka kushtuar rreth 43 milionë franga zvicerane. Më përpara gazetarët kishin sallën e tyre brenda Parlamentit, pastaj sipas teorisë “Parlamenti për Parlamentarët” u vendos ndarja fizike e deputetëve me gazetarët, që tani e kanë qendrën e tyre shumë pranë Pallatit Federal. Me të gjithë logjistikën e duhur. Ne ju kemi treguar edhe më parë për sallën qendrore në muret e të cilës janë të vizatuar veshë gjigandë. Ne shqiptarëve na kujton proverbën se “edhe muret kanë veshë”, ndërkohë këta veshë hiperbolikë u takojnë pikërisht gazetarëve, të cilët kanë të drejtë të dëgjojnë më tepër se gjithë të tjerët, në emër të opinionit publik, si përfaqësues të pushtetit të katërt, në mbrojtje të shtetit të së drejtës.
Në Shqipëri e Kosovë, me ndikim edhe në diasporë,gazetari është në një shërbim të pështirë klientelist, 180 gradë kundër me misionin që i takon të ketë, prandaj ky tranzicion çerekshekullor në Shqipëri e një dekadë e gjysmë në Kosovë, e ka metamorfizuar sistemin në një hybrid-mostër.
Në Qendrën e Mediave posa hymë na e dha mirëserdhjen vetë mikpritësja, Kancelierja federale Madame Corina Casanova, e cila qëndron në këtë pozitë prej janarit 2008. Me profesion avokate, njohëse e gjashtë gjuhëve, ka një karierë brilante, si president e Gjykatës të Lartë, Tribunali Federal; pastaj e deleguar në Kryqin e Kuq ndërkombëtar me misione në Afrikën e Jugut, Angola, Nikaragua, El Salvador; pastaj kthim në Zvicër në departamentin e Punëve të jashtëme, kur ky department drejtohej nga Flavio Cotti e më pas nga Joseph Deiss. Në 2005 zgjidhet zvkanceliere Federale e pastaj prej dy mandatesh është Kancelierja e Konfederatës Helvetike.
Zonjës Casanova një vit më parë i dhuruam disa nga librat tanë dhe ajo na dërgoi një falënderim shkruar në shqip. Është një dhuratë-kujtim që e ruajmë me shumë kujdes. Edhe kësaj here, kur u takuam folëm pak për Shqipërinë. Implementimi i një sistemi demokratik kërkon kohën e duhur, na tha ajo, duke patur parasysh izolimin dhe diktaturën e egër të Enver Hoxhës.
Në Qendrën e Mediave të Pallatit Federal ne jemi të familjarizuar. Na njohin edhe punonjësit e shërbimit. Aty u ritakuam me kolegët tanë që vinin nga Gjeneva dhe Zürich-u. Kësaj here Bob, gazetari veteran i Reuters nuk kishte ardhur, e ne i dërguam të fala përmes Emilias. U takuam edhe me Jian Chen, një koleg nga Kina, i cili ka vetëm disa muaj që është vendosur në byronë e Gjenevës si korresponent i Economic Day, gazetë e përditëshme me të paktën 20 zyra të saj në vende të ndryshme të botës.
Dhe pas përshëndetjeve, shkëmbimeve të të rejave më të fundit, shoqëruar me një croissant e cafe au lait të nxituar u drejtuam në sallën e takimit.

Referendumi i 9 shkurtit dhe sistemi unik i Zvicrës

Madam Casanova sa e mori fjalën u fokusua menjëherë tek referendumi i 9 shkurtit 2014, ndërsa në dy ekranët e mëdhenj u shfaqën tituj të gazetave kryesore të Gjermanisë, Britanisë të Madhe e Francës, si The Guardian, Bild dhe Le Mond, të kolegëve tanë cilat i bënin jehonë votimit 50.3%, ku populli zviceran, sado me një diferencë të vogël, kishte votuar „Kundër migracionit masiv“.
Madam Casanova shpjegoi se „po“-ja e popullit zviceran habiti botën politike, si Këshillin Federal, ashtu edhe Parlamentin që ishin shprehur kundër iniciativës së partisë SVP, por populli është sovran, shtoi ajo, dhe nuk ka alternativë tjetër. „Tri ditë pas vendimit të 9 shkurtit, Këshilli Federal komunikoi procedurën që do të ndiqej për ta implementuar këtë vendim, me një vonesë 3 vjeçare, ndërsa Zvicra, paralelisht është duke vazhduar komunikimin si me Bashkimin Europian, ashtu edhe me 28 vendet anëtare të tij. Meqë vihet në diskutim qarkullimi i lirë, fillimisht BE reagoi negativisht ndaj verdiktit të popullit zviceran. Në fund të qershorit, Këshilli Federal do të paraqesë një mesazh, ku do të ekspozojë mënyrën se si do ta vejë në jetë iniciativën që u votua më 9 shkurt. Megjithëse kushtet janë komplekse, Zvicra ka një eksperiencë në këtë kuadër“, vuri në dukje madam Casanova rreth kësaj teme. E cila ishte edhe në fokus të gazetarëve gjatë konferencës për shtyp, ku pyetja kryesore lidhej me faktin nëse përmbushja e kësaj inisiative a binte ndesh me ligjet ndërkombëtare. dhe zonja Casanova, e shoqëruar nga zonja Barbara Perriard një eksperte e të drejtave politike dhe Këshilltari i saj për mediat Claude Gerbex, nënvizoi faktin se gjithçka do të kalojë nga Parlamenti me kujdes të veçantë, që mos të cënohet e preket asnjë ligj ndërkombëtar.

Demokracia direkte në Zvicrën multikulturale

Pastaj madam Casanova, iu kthye temës kryesore të takimit, që lidhej me disa veçori tipike të sistemit politik në Zvicër, të instrumentave që e vënë në funksion demokracinë direkte, si dhe rolin e Këshillit Federal.
Përbërësit kryesorë të sistemit politik zviceran, nëse do t’i referoheshim një grupi fjalësh çelës janë: parlamenti me sistem bikameral, Këshilli Nacional ose Dhoma e Popullit, me 200 parlamentarë; Këshilli i Shteteve ose Dhoma e Lartë, me 46 vende që përfaqëson kantonet; shtatë këshilltarë federalë, që përfaqësojnë pesë parti politike ; federalizmi, me 26 kantone dhe 2352 komuna si dhe katër gjuhët që përfaqësojnë multikulturalizmin.
Sa i përket demokracisë direkte, instrumentat e saj janë inisiativat dhe referendumet, që shprehin të drejtat popullore. Duke iu referuar statistikave, prej vitit 1891 kanë kaluar për votim 189 inisiativa popullore, ku nga këto 168 janë hedhur poshtë dhe 21 kanë kaluar, ku përfshihet edhe ajo e 9 shkurtit të këtij viti.
Të gjithë këta elementë përbëjnë demokracinë direkte helvetike, si një sistem politik unik në botë. E gjitha kjo në kontekstin e neutralitetit, me një ekonomi të orientuar nga eksporti, me një monedhë të fortë dhe bashkëpunim bilateral me BE, paçka se Zvicra nuk është anëtare.
Pastaj madam Casanova iu referua qeverisë zvicerane e cila këtu njihet si «Këshilli Federal », duke nënvizuar pozitat e barabarta midis anëtarëve. Paçka se ky institucion është autoriteti suprem drejtues i Konfederatës, Zvicra ka instrumenta të tillë që nuk lejojnë as krijimin e kultit të individit dhe as katapultimin në majë të askujt.
Principi i kolegjialitetit, kultura e konsensusit dhe kalendari i „përjetshëm i votimit“
Madam Casanova në fjalën e saj vendosi në qendër të vemendjes kulturën zvicerane të konsensusit, e cila mbështetet në bindjen se vendimet e rëndësishme nuk kanë jetëgjatësi nëse nuk pranohen jo vetëm nga shumica, por edhe nga pakica. Prandaj vendimet kryesore të Konfederatës janë marrë me konsensus të maxhorancës me minorancën.
Nuk ka si të mos hedhim paralele me Shqipërinë dhe ku jetojnë shqiptarët, ku fati i Sovranit ka mbetur peng dhe shërbëtor i klasës politike që e ka përjashtuar gjuhën e konsensusit, kompromist dhe marrëveshjeve, krejt ndryshe nga zviceranët, të cilët përmes demokracisë direkte përpiqen që ta perfeksionojnë sistemin duke fuqizuar rolin e tyre.
Pikërisht duke vendosur në qendër të vemendjes demokracinë direkte, madam Casanova vuri në dukje se asnjë vend tjetër në botë nuk ka në dispozicion një sistem të drejtash politike si Zvicra. Me anë të iniciativës popullore, mjaftojnë 100 mijë firma për të propozuar një modifikim të Kushtetutës; ndërsa 50 mijë firma mjaftojnë për një referendum fakultativ, ku shkohet në votim kundër një ligji të votuar nga Parlamenti. Ndërsa referendumi i detyruar kërkohet nga Parlamenti në rastin kur ka ndryshim të Kushtetutës, siç ishte për shembull rasti i aderimit të Zvicrës në OKB në vitin 2002 etj.
Në demokracinë direkte përfshihet edhe „Kalendari i përjetshëm i votimit“, një kuriozitet shumë i veçantë, që nuk e hasim askund, ku janë të fiksuara datat fikse të votimeve deri për vitin 2030. I tillë është stabiliteti që ofron sistemi.
Po duke iu referuar demokracisë direkte, madam Casanova e evidentoi si një rekord helvetik të drejtën që i jep mundësi qytetarit zviceran të jetë pjesë aktive e proceseve dhe vendimeve politike, ku fjalën e fundit gjithmonë e thotë populli. Që nga koha e Revolucionit francez, viti 1789, Zvicra ka një rekord universal, ku nga 1645 referendume sa janë mbajtur në gjithë botën, në Zvicër me votimin e 18 majit, bëhen 591 të tilla.
Në lidhje me Këshillin Federal, që është Qeveria e Zvicrës, madam Casanova nënvizoi rolin e këtij Këshilli, i cili e ka si detyrim të informojë qytetaret dhe qytetarët me objektivitet, transparencë dhe në mënyrë proporcionale, detyrim që shprehet edhe me ligjin mbi të drejtat politike të informimit. Këshilli Federal informon, por nuk bën fushatë elektorale në kuptimin e pastër.
Zakonisht çdo këshilltar federal jep shpjegime në radio dhe TV jo më shumë se tre minuta, ndërsa përpara çdo votimi publikohet paraprakisht një broshurë e titulluar „Shpjegimet e Këshillit Federal“, e cila për nga publikimi në 5.2 milionë kopje, përbën një lloj „best-selleri“, që përmban argumentat e Parlamentit dhe Qeverisë dhe ku këshillohet populli të votojë pro ose kundër një inisiative.
Roli i Këshillit Federal është të informojë, por edhe të pranojë rezultatin. Puna e informimit e Këshillit Federal, theksoi madam Casanova, jep përgjithësisht frutet e saj, jo gjithmonë, por shpesh. Duke bërë bilancin e votimeve, prej vitit 2008, populli në më të shumtën e herëve, ka ndjekur rekomandimet e qeverisë, pra Këshillit Federal, por për çerekun e temave, populli ka votuar kundër rekomandimeve, siç ishte edhe rasti i inisiativës të 9 shkurtit.

Dy konkluzionet themelore

„Së pari, sistemi politik i Zvicrës është i bazuar në konsensus dhe pjesmarrje. Së dyti, në këtë sistem politik, vendimet e rëndësishme janë marrë më tepër ndikuar nga qendrimi helvetik pragmatist, sesa nga ai frenetik. Për Këshillin Federal dhe për Parlamentin ushtrimi i demokracisë direkte nuk është gjithmonë i lehtë, siç ishte edhe rasti i inisiativës „Kundër migracionit masiv“, që u votua më 9 shkurt, ku populli votoi kundër rekomandimeve të parlamentit dhe Këshillit federal. Por unë besoj, e përmbylli fjalën e saj zonja Kanceliere e Konfederatës Helvetike, prologu dhe epilogu i fjalës të saj, u lidhën me votimin e 9 shkurtit, „se sistemi politik në Zvicër, është i aftë ta asimilojë mirë vendimet e popullit, edhe kur me vështrimin e parë këto vendime duken si „revolucionere“. Për këtë është roli i autoriteteve, që të kërkojnë zgjidhje, për të vënë në jetë verdiktet popullore. Prandaj Këshilli Federal është në shërbim të popullit, ku përfshihet edhe roli i Kançelarisë Federale, që të mbështesim Këshillin Federal në këtë angazhim, sepse zviceranët janë shumë të lidhur me sistemin e tyre të demokracisë direkte si dhe dhe instrumentat e saj që janë inisiativat popullore dhe referendumet“, përfundoi madam Casanova. Dhe ky fakt i ka bërë që Zvicra të jetë në krye në librin e Guinness World Records.

Reagimi i NUMES

Ndërkohë vota e 9 shkurtit ishte një goditje e rëndë edhe për europeistët në Zvicër, të cilët mesa duket nuk dorëzohen. Sipas njoftimeve më të fundit, që datojnë pas pritjes që zonja Casanova dha për APES, delegatët e NUMES, Lëvizja e Re Evropiane e Zvicrës, e mbledhur në Bernë këtyre ditëve, ka treguar gatishmëri ta mbrojnë në mënyrë edhe më të vendosur politikën bilaterale. Objektivi final i NUMES mbetet anëtarësimi i Zvicrës në BE. Për këtë arsye ka miratuar një rezolutë ku kërkon të rikthimin në votim. Në mënyrë të qartë i kërkohet Parlamentit Kombëtar të “përgatisë një votim të ri popullor që e mundëson Zvicrën të dalë nga situata aktuale“. Të reja të tjera nuk kemi, por e sigurt është se fjalën e fundit e thotë gjithmonë Sovrani.

Vizitë në Parlament

Në programin tonë përveç takimit me Kançelieren e Zvicrësi, ishte paraparë një vizitë në Parlament. Ne e kemi vizituar disa herë Parlamentin Zviceran. Nga Qendra e Mediave parlamenti është dy hapa. Na kishin rezervuar lozhën e diplomatëve dhe filluam të ndiqnim për së drejti një sesion special të Këshillit Nacional. Tema e diskutimit kishte të bënte me antibiotikët që përdoren në veterinari. Ishte fjala për antibiotikët në përdorim për gjënë e gjallë që pastaj përdorent si mish për konsum, ku përdorimi i disa syresh ka efekt negativ tek njeriu, pasi që nuk lejojnë që të kenë efektin e duhur. Mishi zviceran ishte nën kontroll, por njëra palë në parlament kërkonte që të merrej nën kotroll edhe pjesa e mishit që importohet në Zvicër, ndërsa pala tjetër e konsideronte këtë një fenomen global. Po të na pyesnin ne, edhe ne ishim për kontroll edhe të mishit që importohet me që lidhet direkt me shëndetin e qytetarit. Zvicra dallohet nga vendet e para në botë ku sipas statistikave çdo njeri i varion të jetë i sëmurë nga 3-7 ditë në vit.
Në fund të vizitës tonë në prag të largimit na rezervoi një takim të shkurtër por shumë të përzemërt kryetari i Parlamentit të Zvicrës z.Ruedi Lustenberger me të cilin bëmë disa foto në grup.

Bufé në Bernerhof

Kësaj here dreka në formë bufeje ishte organizuar në Bernerhof, ndërtesë qeveritare ndërkohë edhe selia e Departamentit Federal të Financave. Madam Casanova sa herë i fton gazetarët e APES, jo vetëm që paraqet në mënyrë të shkëlqyer temën për të cilën është organizuar takimi, por ajo dhe stafi i saj i kushton rëndësi çdo detaji, me qëllim që t’i bëjë një prezantim sa më të përkryer të imazhit të Zvicrës. Dhe ne gazetarët e APES mezi presim takimin e rradhës.
Bernerhof – ku ishte duke na pritur madam Casanova, është një ndërtesë e pasur me histori. Dikur ka qenë një Hotel superluksos. Në këtë sallë madhështore, ku ne po trokisnim ne gotat e verës, dikur, në vitin 1912 është pritur për shembull gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër perandori Wilhelm II i Gjermanisë. Por, prej 1923 Bernerhof u kthye në një ndërtesë e administratës dhe kati i tij parterre, pikërisht atje ku u pritëm edhe ne gazetarët e APES, përdoret për pritje qeveritare të nivelit më të lartë. Arkitekt i parë i ndërtesës është Jakob Friedrich Studer, qi cili ka arkitektuar edhe Parlamentin Zvicran, pjesën Perëndimore. Nga pjesa jugore e ndërtesës gjigande, pikërisht nga krahu ku gjenden sallat e pritjes, shtrihet një verandë madhështore e hatashme me pamje nga Alpet dhe Lumi Aare, ku mund të soditësh si në një ballkon mrekullinë që të ofron natyra zvicerane nën perandorinë e gjelbërimit të muajit maj.
Bufeja u parapri nga aperitivi me verëra të zgjedhura, ku Madam Casanova, mikpritësja na uroi mirëseardhjen për t’i hapur rrugë një takim të ngrohtë midis asaj dhe gazetarëve të APES nën shoqërinë një bufeje të përzgjedhur me ushqime tradicionale zvicerane, që kishte ardhur e porositur posaçërisht për ne nga Guzhina e BELLEVUE PALACE Hotel në Bernë. Supra të ftohta, lloje pastash me porcione, jo më shumë se një deri në dy pirunj, salmon, mish, tofu e mbështjellë me salcëra e kështu me rradhë, të cilat na i ofronin disa punonjëse ardhur po nga Bellevue, duke na u lutur që t’i shijonim, për të mos folur pastaj për desertin, i cili ishte i gjithëfarllojshëm, por servirej si nëpër bufé, me nga një 4apë goje, me qëllim që të pranishmit të mos largoheshin pa provuar gjithçka nga gjithë kjo delikatesë që përmbyllej me një kafe ekspress të denjë me pesë yje. Ndërkohë blicat e aparateve dhe celularëve nuk ndaleshin duke u fotografuar ndërsa madam Casanova u jepte intervista gazetarëve të APES. Të cilët, nuk harronin që t‘i shprehinin falenderimet e tyre për takimet speciale që organizon Zonja Kançeliere e Konfederatës Helvetike.
Kështu i thamë edhe ne duke i shtrënguar duart në prag të largimit, se Madame Casanova e paraqet Zvicrën si një „diamant“. Aq më tepër kur ka se me çfarë të krenohet!
Dhe këtu përfundoi edhe kjo vizitë e APES me Kancelieren Federale.
Kur dolëm nga Bernerhof, retë në qiell pikonin shi si me pikatore. Natyrisht Berna nën diell është diellore, por e tillë është edhe nën shi, i cili gjithësesi u tregua me ne shumë i mirësjellë deri në Stacionin Qendror, aty ku morën trenin nëpër drejtime të ndryshme, drejt shtëpive tona, duke mos harruar të përshëndetemi me njëri-tjetrin me mirë u pafshim: Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida, gazetaret priten nga Kancelarja, Skender Bucpapaj

NJË OPOZITË E SHPARTALLUAR KUNDËR NJË QEVERIE ENDE TË PAKONTURUAR

May 16, 2014 by dgreca

Opinion Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Pamë një përplasja të re midis opozitës dhe qeverisë, inskenuar në mënyrë të njëkohëshme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku pritej të mbahej seanca plenare e radhës dhe jashtë Kuvendit, në sheshin pranë, ku mbahej protesta e opozitës. Ishte një pritë e organizuar nga njëra palë, së cilës tjetra palë nuk mund t’i shmangej duke ua ndërruar kohën apo vendin lëvizjeve të saj.

Kjo përplasje më kujtoi duelin në aktin III, skena IV të një prej komedive më dëfryese të Uilliam Shekspirit, “Nata e Dymbëdhjetë” (për ironi të rastit, autori i ka vendosur ngjarjet diku në brigjet e Ilirisë), të cilin e ruajmë gjatë në kujtesën tonë edhe falë realizimit të përkryer nga Roland Trebicka dhe Roza Anagnosti, respektivisht nën petkun e Sir Andrew Aguesheek dhe të Violës (alias Cesarios). Skena në fjalë është konsideruar nga kritika si një lojë brenda lojës, pra si një komedi brenda vetë komedisë.

I shtrënguar të tregojë burrërinë e tij, Sir Andrew i shpall duel Cesarios, të cilin e mendon si rival në dashurinë e tij të refuzuar ndaj Olivias, ndërsa Cesario (pra Viola), pré e pashmangshme e rrethanave, është e detyruar të përfshihet në rrengun e radhës.

Të dy kundërshtarët, në përplasjen e tyre, bëhen qesharakë ngaqë i druajnë njëri tjetrit – deri në panik – për të hyrë në duel. I pari ngaqë nuk e ka burrërinë e nevojshme, i dyti ngaqë nuk e ka përgatitjen e nevojshme. Kjo, në të vërtetë, është simbolika që mua më intereson në rastin e përplasjes midis opozitës dhe qeverisë në Tiranë, nga 14 shtatori e këndej.

Një opozitë e shpartalluar në radhët e saj, në moralin e saj, në motivet e saj u paraqit edhe në protestën e së enjtes së 15 majit. Partia kryesore opozitare, PD, e cila protestoi e vetmuar edhe kësaj radhe (nuk pamë asnjë parti tjetër opozitare përkrah saj) është praktikisht pa Këshill Kombëtar dhe pa Kryesi që nga kuvendi i saj i fundit zgjedhor, i mbajtur diku nga shtatori i vitit 2008. Gati një vit pas zgjedhjeve parlamentare, kjo parti nuk është në gjendje të organizojë zgjedhjet e strukturave të saj nga baza në qendër, sepse nuk është gati të analizojë qeverisjen e saj tetëvjeçare dhe shkaqet që çuan në humbjen e 23 qershorit. Dhe, mjerisht, sa më tepër largohemi në kohë, kjo humbje tingëllon më fatale për PD-në.

Prandaj një opozitë së cilës ia jep tonin një parti e tillë e paorganizuar, e pamotivuar, e pazonja, vjen në përplasjet e saj kundër qeverisë duke iu dridhur gjunjtë dhe duke iu dridhur zemra. Duke mos u përballur dot me të shkuarën e saj, kjo parti nuk mund të përballet realisht as me qeverinë. Dhe mbijetesën e kërkon tek pasiguria që manifeston qeveria në hapat e saj të parë, kundruall një trashëgimie mjaft jokomode nga paraardhësja e saj.

Pasiguria e qeverisë së re shpreh në vetvete kryesisht pasigurinë e partisë kryesore, pra Partisë Socialiste.

Aktualisht, PS përballet me një opozitë jashtë saj, Partinë Demokratike, me një opozitë brenda saj, konservatorët, e ashtuquajtura garda e vjetër, me një opozitë brenda koalicionit, LSI-a. Secila prej tyre ka mungesë të madhe skrupulli. E para ngaqë nuk e pranon ende de fakto daljen në opozitë. E dyta ngaqë nuk ndihet e shpërblyer dhe e kënaqur. E treta ngaqë ka ambicjet të zgjerojë terrenin e saj brenda koalicionit.

Këta tre faktorë nuk lejojnë që qeveria e re të hyjë plotësisht në rolin e saj. Nuk lejojnë që të ndërmarrë apo të prijë reformat aq jetike për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, të demokracisë, të shtetit. Një opozitë konstruktive do të kishte qenë e interesuar dhe e përkushtuar për ta vënë në punë sa më shpejt dhe me kapacitet sa më të plotë qeverinë pasardhëse, do të kishte qenë e interesuar të dëshmonte shembullin e një opozite në reformim e sipër, në reflektim e sipër duke i dhënë qeverisë pasardhëse mbështetjen e plotë në kryerjen e reformave, nëse jo me votat e saj, gjithsesi me pjesëmarrjen e saj, me konsensusin e saj për kryerjen e reformave me shpejtësinë e duhur dhe me vendosmërinë e duhur.

Përballë një opozite që nuk është ende në vete pas humbjes shembullore të 23 qershorit, do të ishte jetike një qeveri e vendosur, e sigurtë në hapat e saj, e mobilizuar në mënyrë konstruktive, krijuese dhe pozitive brenda radhëve të saj, brenda vetë koalicionit dhe me një përkrahje sa më të gjerë të opinionit. Numri i votave të 23 qershorit është një bastun që dobësohet sa më tepër që largohemi nga kjo datë. Kjo e vë në pikëpyetje përherë e më shumë kryerjen e reformave dhe suksesin e zbatimit të tyre, mëkëmbjen e ekonomisë, gjallërimin e jetës së vendit, zhvillimin e demokracisë, konsolidimin dhe rritjen e institucioneve të saj, pa të cilat nuk kemi të sotme as të ardhme.

Opozita, alla Sir Andrew Aguesheek, pati në protestën e së entjes parulla kryesore “Shqipëria – Kolumbia e Evropës” dhe “Drejt Evropës, jo drejt Kolumbisë”. Edhe sikur ta pranojmë si qind për qind realitet, në tetë muaj qeverisjeje, edhe sikur qeveria të kishte marrë masat më rrënjësore dhe më energjike për këtë qëllim, Shqipëria nuk do të ishte bërë dot në kaq pak kohë Kolumbi. Për këtë do të ishin dashur dhjetëra vite. Dhe, natyrisht, tetë vitet e qeverisjes së kaluar do të kishin qenë vendimtare.

Lazarati, për shembull, është një realitet që përcillet nga njëra qeverisje në tjetrën, një realitet të cilin nuk e ka sjellë kjo qeveri, por që e ka gjetur në mesin e realitetit shqiptar. Duke u shndërruar në tabu, Lazarati tashmë rrezaton gjithandej Shqipërisë. Dhe autorësinë e kësaj tabuje nuk e ka qeveria aktuale. Nëse opozita do të ishte e përgjegjshme në rolin e saj, atëherë do të kërkonte të vihej në krye të një fronti popullor përkrah qeverisë së re për të çrrënjosur trafikimin e drogës nga Shqipëria dhe nga imazhi i saj.

Në këtë kontekst, edhe avionët e drogës, qoftë ai që mbeti në baltë, qoftë të tjerët, që nuk mbeten në baltë, qoftë si inskenim, qoftë si të vërtetë, janë një barok që nuk i shton gjë realitetit të mirëfilltë. Ata mund të kenë ekzistuar edhe në tetë vitet e shkuara, në kushtet e moratoriumit ndaj skafeve, çka i bën rudiment në periudhën pas heqjes së moratoriumit. Dhe tingëllon se ish qeveritarët ndihen tashmë të cënuar e të kërcënuar në interesat e tyre, pikërisht në infrastrukturën e përdorur për interesat e tyre.

Përveçse qesharakë në përplasjet e vazhdueshme, opozita dhe qeveria në Tiranë dita ditës bëhen të dëmshëm për fatet e vendit. Sa më shumë të merren me veten e tyre dhe sa më shumë të jenë në rolin e tyre të mirëfilltë, për të cilin janë votuar më 23 qershor, aq më shumë vota e 23 qershorit do të jetë shpërblyese për shqiptarët, do të jetë e merituar për vetë këto dy grupime politike. Papërgjegjshmëria ndaj kësaj vote, mosmirënjohja ndaj kësaj vote, moskuptimi i saj, do ta largonte nga karriket e pushtetit qeverinë e sotme, por gjithashtu do ta fshinte, do ta qëronte nga politika opozitën e sotme.

Filed Under: Opinion Tagged With: E SHPARTALLUAR KUNDËR, NJË OPOZITË, NJË QEVERIE ENDE, Skender Bucpapaj, TË PAKONTURUAR

FTESE PER DEBAT: DEFETARIZIMI I POLITIKËS DHE DEPOLITIZIMI I FESË

April 15, 2014 by dgreca

Nga koka e Blushit dhe nga koka e çdokujt tjetër ndër ne të hiqet përfundimisht ideja apo mendimi se ne mund të bëhemi qendër botërore e islamit, e krishterimit lindor, krishterimit perëndimor apo të çfarëdo ideologjie tjetër./
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Ne shqiptarët dështuam në përçartjen tonë gjysmëshekullore për t’u bërë qendër botërore e ideologjisë komuniste. Mjerisht, në Tiranë, mjerisht, duket të ketë koka që ende, pas rreth një çerek shekulli nga ky dështim, të përçartin drejtpërdrejt para publikut idetë e tyre që ne shqiptarët të jemi qendër botërore e ideologjive fetare.
Ndryshe nuk mund të shpjegohet as mund të interpretohet kontributi i fundit i shpallur nga Ben Blushi, me titullin “Hëna e Shqipërisë”, në temën fort të njohur përgjatë këtij çerekshekulli të fundit.
Në shpalljen e tij, autori i “Hëna e Shqipërisë” kërkon defetarizimin e Shqipërisë, me sa kuptoj unë ende jo ateizimin e Shqipërisë. Pra, kërkon laicizimin e Shqipërisë, e cila, sipas tij, nga një vend ateist tashmë qenka shndërruar në vend fetarist me prirje për t’u shndërruar në një vend ku qiellin ideologjik fetar ta zaptojë Hëna dhe ku të eklipsohet Dielli.
Më mirë kishte qenë, gjithsesi, që kjo qarkore të punohej dhe të shpërndahej si material partiak para se t’i shërbehej publikut të gjerë, sepse Blushi nuk është pa pushtet, nuk është senza voce in capitolo.
Laicizimi i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, kudo që ndodhet ajo, nuk mund të bëhet pa defetarizimin e politikës sa dhe pa depolitizimin e fesë.
Në fillim të ‘pluralizmit politik’ në Shqipëri u bë zakon që liderët e vendit, politikë, shtetërorë, qeveritarë e tjerë, me rastin e festave fetare, t’iu bëjnë vizita selive të krerëve të komuniteteve fetare. Diçka të tillë e kërkonte në atë kohë krijimi i imazhit të ri të Shqipërisë si një vend deri atëherë ateist. Rreth njëzet e pesë vite rresht, katër seli qendrore në kryeqytet dhe kushedi sa seli të tjera nëpër qarqe, rrethe dhe njësi të tjera lokale vizitohen nga liderë qendrorë dhe lokalë. Dhe këto vizita janë gjithnjë e më të mediatizuara. Blushi, me sa kuptoj unë, nuk ka propozuar që të hiqet dorë nga kjo traditë. E shumta, këtë ritual mund të vazhdojë ta bëjë kryetari i Shtetit, por pa ndonjë mediatizim kushedi.Natyrisht, si persona privatë askush nuk ia ka për rëndë as nuk ka pse t’ia ketë për rëndë askujt pse rëndom apo edhe në festat fetare viziton tempullin në të ciln beson apo tempujt për të cilët ka respekt, por këtë ta bëjë në mënyrë private, si çdo qytetar tjetër, pa bujë, ashtu si e kërkojnë edhe librat e shenjtë dhe porositë e shenjta.

“Një laicizëm i drejtë e lejon lirinë fetare. Shteti nuk e imponon religjionin, por në vend të kësaj iu jep hapësirë religjioneve me një përgjegjësi ndaj shoqërisë civile, dhe kështu i lejon këto religjione të jenë faktorë në ndërtimin e shoqërisë,” thotë Papa Benedikti XVI, i cili gjithashtu është teologu katolik aktualisht ndër më kompetentët në mos më kompetenti.
A e ka bërë dhe e a e bën këtë që thotë Joseph Ratzinger shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, politika shqiptare në Shqipëri dhe jashtë saj në këto rreth njëzet e pesë vitet e fundit. A kanë qenë të paanshëm këta faktorë në krijimin e hapësirës ndaj religjioneve, a kanë ndërhyrë në punët e religjioneve, a kanë përdorur mjete joligjore në raportet dhe marrëdhëniet me këto religjione. Rezervoj bindjen time të plotë se këta faktorë nuk e kanë kryer as më së paku këtë që kërkon Ratzinger, pra nuk kanë bërë asgjë për laicizmin e drejtë. Kjo sjellje në mos deri tashti, më vonë, sigurisht, ka për të rezultuar kundërproduktive.
Në një shoqëri demokratike pluraliste, ku kultivohet edhe pluralizmi fetar, nuk mund të ketë komunitete fetare të nënës apo të njerkës. Në Shqipëri, në shoqërinë shqiptare, në politikën shqiptare, rezervoj bindjen time se ekziston kjo mendësi dhe kjo praktikë. Dhe kjo është e vërtetuar katërcipërisht në Tiranë, në Prishtinë e gjithandej ndër ne.
Kam gjithashtu bindjen se Blushi, kur nga pozita politike ngre shqetësimet e tij fetare, ka në kokë kryesisht modelin e një vendi dhe një shoqërie të caktuar që ende nuk e kanë pranuar pluralizmin fetar. Do të ishte me pasoja të pandreqshme që ne shqiptarët të shkojmë drejt kësaj. Oksigjeni për shqiptarët është pranimi i njëri tjetrit pavarësisht se janë apo nuk janë besimtarë, pavarësisht se cilës praktikë fetare i përkasin.
“Unë kurrë nuk e kam marrë një ndryshim mendimi në politikë, religjion, filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik,” thoshte dikur Thomas Jefferson, politikan, diplomat, intelektual, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është njeriu i emancipuar dhe iluminist të cilin e kemi të domosdoshme për ta pasur në mesin tonë në Shekullin XXI. Është krejt e kundërta e realitetit që ne shikojmë rrotull në këto njëzet e pesë vite.
Oksigjen për shoqërinë shqiptare të kohës është edhe njeriu për të cilin fliste dikur në vetën e parë i madhi Abraham Lincoln, tek thoshte: “Kur unë bëj mirë, ndjehem mirë. Kur unë bëj keq, ndjehem keq. Ky është religjioni im.” Në mesin tonë, shpreh bindjen, po kultivohet i kundërti i tij, ai që thotë: “Kur unë bëj mirë, ndjehem keq. Kur unë bëj keq, ndjehem mirë. Ky është religjioni im.” Ky religjion, mjerisht, po bashkon përherë e më shumë njerëz në Shqipëri dhe në shoqërinë shqiptare.
Shpallja e Blushit, e bërë prejt tij nga pozita të pasinqerta, më forcon bindjen se në Shqipëri dhe ndër ne shqiptarët nuk është kuptuar aspak globalizmi, nuk është kuptuar aspak çfarë sfide përbën globalizmi për shoqëritë, vendet, kulturat, qytetërimet. Aq më shumë për vendet, shoqëritë, kulturat me ato veçanësi të rralla si tonat. Do menduar, do punuar, do bashkuar forcat, energjitë mendimet që një shoqëri e tillë të shndërrohet në faktor dhe të dalë faqebardhë përballë sfidave të globalizmit. Në mënyrë monopartiake, monofetare e tjerë ne do të dilnim me faqe të zezë përballë tyre dhe do të bëheshim kafshatë e kollajshme e të tjerëve. Dhe dukuritë përherë e më atipike që lulëzojnë ndër ne, janë pikërisht pasojë e moskuptimit të sfidave që sjell globalizmi.
Zgjidhja ndaj kësaj nuk është një kthim në vetizolim, siç e propozon sado tërthorazi e me nostalgji Blushi, nuk është marrja e ndonjë modeli që kanë në kokë ata si puna e Blushit. Ne shqiptarët nuk kemi nga t’ia mbajmë – ose do të sillemi, të veprojmë, të mendojmë në kuadrin e sfidave globale, ose do të marrim fund. Mbetet vetëm çështje kohe.
Feja në Shqipëri dhe ndër shqiptarët, në pluralizmin e saj, iu nënshtrohet patjetër ligjeve të një vendi demokratik. Shteti demokratik i përmbush detyrimet ndaj fesë si ndaj çdo fushe tjetër të jetës së vendit e të shoqërisë. Detyrim i shtetit në këto njëzet e pesë vite është që komuniteteve t’ua kthejë, t’ua kompensojë pronat që ua ka marrë shteti monist ateist. Ky detyrim do përmbushur sa më urgjent. Nga ana tjetër, kleri në shtetet tona, në Shqipëri dhe Kosovë, ka të drejtat dhe detyrat e tij si çdo pjesë e shoqërisë sonë, në përballje absolute me ligjet. Informaliteti në komunitetet fetare është i mbarsur me pasoja. Aq më tepër në një realitet të pushtuar nga informaliteti. Vendosja në kuadër ligjor e sa më shumë hapësirave në jetën e një vendi, shoqërie është masa më e shëndetshme që ndërmerr dhe kryen një shtet i përgjegjshëm demokratik. Një shtet i përgjegjshëm është ai që merr përgjegjësi mbi vete, nuk është ai që ua ngarkon përgjegjësitë të tjerëve. Të metat, dobësitë, mbrapshtitë janë, në radhë të parë, për faj të shtetit. Nëse nuk funksionon shteti, atëherë do riparë (riparuar) sistemi. Prandaj sistemet reformohen pa pushim në vendet dhe shoqëritë demokratike të konsoliduara apo në konsolidim e sipër.
Nga koka e Blushit dhe nga koka e çdokujt tjetër ndër ne të hiqet përfundimisht ideja apo mendimi se ne mund të bëhemi qendër botërore e islamit, e krishterimit lindor, krishterimit perëndimor apo të çfarëdo ideologjie tjetër.
Këtë shënim me temën e fesë do ta përmbyll me një mendim të Muhamet Aliut, boksierit legjendar të të gjitha epokave: “Lumenjtë, pellgjet, liqenet, përrenjtë – të gjithë kanë emra të ndryshëm, por të gjithë përmbajnë ujë. Ashtu si dhe religjionet – ato të gjitha përmbajnë të vërtetat.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Depolitizimi i fese, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT