• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DUKE KUJTUAR SHKRIMTARIN  ODHISE GRILLO, MIKUN E MADH TE FËMIJËVE

June 28, 2023 by s p

Ng Skifter Këlliçi/

Ishte pranverë e vitit 1959, kur u njoha me Odhise Grillon, student i vitit të fundit të fakultetit histori-filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe në UT dhe po përgatitesha për provimet përfundimtare, kurse Odhiseja, ndonëse disa vjet më i madh se unë, ishte  student i vitit të dytë  i këtij fakulteti. Deri atëherë dija që  ende 17 vjeçar, ai  kishte nisur të punonte gazetar  në revistën “Hosteni” dhe kishte botuar  vjersha për fëmijë; kurse unë, i dhënë pas sportit, shkruaja në gazetën  “Sporti Popullor” dhe “Zeri i Rinisë”, ku kisha botuar edhe një tregim, ç’ështëe vërteta të dobët, dhe asgjë më shumë. Por nuk u bë letërsia që të na njihte. Shkak u bë lënda e gramatikës dhe sintaksës së  gjuhës shqipe, që e jepnin profesorët shumë të zotë, por dhe shumë të rreptë, Shaban  Demiraj dhe Stefan Prifti, ku unë dhe Emil Lafe, që më pa su bë nga gjuhëtarët e njohur, ishim nga më të mirët e kursit. Ndaj dhe  Odhiseja u njoh me mua dhe më kërkoi që ta ndihmoja në këto lëndë në të cilat nuk shkëlqente si në lëndët e leërsisë.

Dhe unë ashtu bëra. Por, pas marrjes së diplomës, kur fillova të punoja gazetar në Radio Tirana, takoheshim rallë, sepse të them të drejtën, nuk e ndiqja thuajse fare letërsinë për fëmijë. Mirëpo, në shtator të vitit 1964, kur kisha dy vjet që isha bërë  dajë,  mbeska  ime, krahas edukatoreve të kopështit dhe prindërve të saj,  nisi  të më kërkonte që edhe unë t’i tregoj… përralla. Dhe këtu më zuri fort ligsht sepse, jo vetëm kisha harruar përrallat  që më kishte treguar dikur gjyshja, por nuk kisha lexuar përralla që botoheshin në revista për fëmijë. Mirëpo e keqja ishte se mbeska kërkonte që, veç të tjerash  t’i rrëfeja edhe përrallat që i kisha rrefyer më parë. Por ngaqë ato ishin përralla të sajuara unë ia rrëfeja ndryshe, domethënë hiqja ose shtoja ngjarje të tjera, duke pandehur se kështu po e hidhja lumin; mirëpo mbeka më qortonte, sepse ajo mbante mend me hollësi rrëfimin e parë të kësaj ose asaj  përralle.

Ishte kjo arsyeja që unë u takova me Odhisenë, i cili, ndërkohë, ishte bërë nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë  për fëmijë. Dhe Odhiseja, fisnik dhe hokatar, ma qau hallin dhe jo   vetëm kaq, por më dhuroi dy nga librat për fëmijë që kishte botuar në atë kohë. Kështu që unë, jo vetëm kisha ç’t’i rrëfeja mbeskës dhe  vite më pas nipit,  për të ardhur te  fëmijët e vëllait dhe djalit tim në vite, nga libra të tillë  “Qukapiku”,”Xhepi i kungulleshës”, Pipiruqi mëson shkronjat”, novelën “Pushkë në bregdet”.

Me sa e sa  sa  vëllime të tjera sidomos me vjersha,  Odhise Grillo  ishte bërë nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë për fëmijë, madje dhe autor tekstesh të këngëve të njohura të kompozitorëve Agim  Prodani,  (“Kujtimet e studentit”, ”Vajza me trëndafil”, dhe Leonard Deda,( “Kur gjethet bien”) etj.  Ishte kjo edhe arsyeja që atij iu dha medadalja ”2000 millenium”nga Instituti Biografik  Ndërkombëtar i Amerikës, që akordohet për njerëz të shquar në fushën e letërsisë .

Pata rast të njihesha dhe më shumë me Odhise Grillon, kur krejt rasësisht edhe unë, u bëra shkrimtar për fëmijë. Dhe ja se si:

Në  shtator të vitit  1966, kur si pasojë e të ashtuquajturit “qarkullim kuadri”, nisa të punoja arsimtar në Berat, u njoha dhe më shumë me shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare,  që  edheai ishte caktuar  në Berat, por  si korrespondet i gazetës “Drita” . 

Një ditë me tha të lexoja novelën e tij ”Qyteti i  jugu”, me motive vetëjetëshkrimore që ishte botuar në revistën “Nëntori’. Në novelë, që më pas u bë shtrati i romanit të famshëm “Kronikë në gur”, siç dihet, realiteti i viteve të  Luftës së Dytë Botërore  rrëfehen nga një fëmijë i vogël, banor i një  qyteti jugor, që është “Gjirokastra”, me ngjarje shumë origjinale  dhe nivel shumë të lartë artistik.

 Meqë dhe unë kisha përjetuar ngjarje nga kjo periudhë së bashku me vëllanë tim binjak, Luanin, i ndikuar edhe nga kjo  vepër e Kadaresë, vendosa që të shkruaja një novelë.  Nëse në sfondin e ”Qytetit të Jugut” janë rrugët dhe shtëpitë gurta  gjirokastrite,  në sfondin e novelës sime ishin  muret dhe shtëpitë prej qerpiçi  të një mëhalle të Tiranës , ku kisha  kalur fëmijërinë. Dhe personazhe kryesore, dy binjakë, unë dhe vëllai im.
Pandeha se kisha shkruar nje vepër për të rritur si “Qyteti  i  jugut”, por në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku e dërgova, më thanë se novela se  i përkiste letërsisë për fëmijë. Nuk u binda. Ia dashë Odhisesë ta lexonte . Ditë më vonë u takova me të dhe më përgëzoi se kisha   shkruar një vepër origjinale për fëmijë, ndërthurur, për herë të parë  në këtë gjini  edhe me ndeshje   futbolli që  zhvillonin fëmijët.

Nën titullin ”Kujtimet e mëhallës së vjetër”, kjo novelë botua  në vitin 1968 dhe për habinë time u prit mirë nga fëmijët. Jo vetëm kaq, por më pas Odhiseja i propozoi drejtorisë së  botimeve    në  Ministrinë e Arsimi t që ajo  të përfshihej si lexim jashtëshkollor. Dhe kështu ndodhi . “Kujtimet e mëhallës” së vjetër” që nga viti 1971 deri në vitin 1991 shërbeu  si lexim i tillë   për klasat e gjashta të shkollave tetëvjeçare.

Dhee jo vetëm kaq.

Kisha vënë re se Kadareja  disa nga personazhet e një romani i trajtonte dhe në një roman tjetër. I kërkova atij nëse dhe unë mund të veproja kështu . E quajti të natyrshme idenë time.  E miratoi këtë ide edhe Odhiseja. Kështu dy vëllezërit binjakë të novelës”Kujtimet e mëhallës së vjetër” tashmë u bënë personazhe të romanit të ri ri “Pas gjurmëve”, me ngjarje dramatiko-humoristiko -aventurore në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. 

    Në fund të vitit 1969 e dërgova për botim në Shtëpinë  Botuese ”Naim Frashëri” dhe   desha  që recensionin ta bënte Odhisea. Por me që ai ishte i ngarkuar me shumë punë, recensionin e bëri një kritik që ishte dhe shok imi. Dhe për habinë time, pa u takuar me mua, kur punoja ende arsimtar në Berat, ky shok e dërgoi recensionin  e tij në redaksinë e fëmijëve me të cilin hidhte poshtë krejtësisht romanin  tim ”Pas gjurmëve”. Mbeta i shushatur. Ua dhashë ta lexonin  dy shokëve shkrimtarë për fëmijë,  në Berat, të cilët nuk  arrinin  të gjenin se ku qëndronin të metat këtij romani. Atëherë kërkova ndihmën e Odhisesë që ishte i zënë  me dy dorëshkrime të tij.  I la mënjanë ato dhe pas disa ditësh u takuam në shtëpinë e tij. Më shpjegoi se duhej të hiqja krejtësisht  kreu ne parë të romanit,  i cili, sidoqë ngërthente  ngjarje  gazmore të  fëmijëve, nuk lidhej organikisht me ngjarjet kryesore që pasonin pra, siç tha ai,  ishin  “mish i  huaj” në roman. Më bëri edhe disa vërejtje të tjera.

    Pasi i ndreqa këto të meta të romanit, që m’u dukën të arsyeshme, ia dërgova  redaksisë së fëmijëve në “Naim Frashëri”.  Dhe pa kaluar mirë tri javë,  filloi  procesi i redaktimit të romanit. E pëqafova Odhisenë me shumë mirënjohje për  ndihmesën që më kishte dhënë për këtë roman, të cilin  pandeha se nuk do të shihte kurrë  dritën e botimit.

    Odhisea nuk u mjaftua me kaq. Kur në vitin 1972 Kinostudioja “Shqipëria e  Re” shpalli një konkurs  për skenarë filmash artistikë  dhe “Pas gjurëve”  u bë një  libër i këndshëm për fëmijët,  ai më dha mendimin që mbi motivet e  tij të shkruaja një skenar dhe ta paraqitja në këtë konkurs. E falenderova, por ngurrova t’i përvishesha kësaj punë të koklavitur, ku nuk kisha asnjë përvojë. Por Odhiseja nuk m’u nda. E shkrova skenarin dhe e paraqita në konkurs. Dhe u habita, kur skenari “Pas gjurmëve” fitoi çmimin e dytë .  Ai tërhoqi dhe vemendjen e Xhanfise Kekos   që, ndërkohë nga montazhire, ishtë bëre regjisore e disa filmave artistikë për fëmijë. Ajo më takoi dhe me përzemërsi më  bëri vërejtje, që më mërzitën , sepse m’u dukën shumë të vështira për t’u realizuar. 

Ndërkohë, Xhanfiseja u mor me skenarë të filmave të tjerë për fëmijë dhe kjo punë u harrua. Por nuk harroi  Odhiseja, që një ditë më takoi ne Klubin e Lidhjesë së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe me nxiti që vërejtjet e Xhanfisesë, të njëllojta  edhe vëretje të tij,  ishin plotësisht të mundshme për t’u ndrequr dhe kështu skenari do të bëhej shumë I goditur. 

Përsëri  ngurrova. Por  këtë radhë ishte Xhanfiseja që një ditë  më takoi   enkas  dhe më kërkoi të lexonte skenarin, tashmë thuajse të  harruar. E lexoi shpejt dhe më bëri disa sugjerime. Ia dorëzova pas disa javësh.  Kur e takova,  më tha se e kishte lexuar së bashku me Endrin, burrin e saj, regjisor i njohur dhe se tashmë do ta paraqiste atë  në këllishin artistik. Por e lexoi sërishmi Odhiseja që më dha disa ide të të tjera me interes. Kështu, edhe pas vërjetjeve të tjera të këshilit artistik, skenari u miratua, brenda vitit 1978 u xhirua dhe filmi po atë vit u shfaq  na sallat e kinemave të vendit tonë.

Në gusht  të vitit 1979  në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për  Fëmijë në Xhifoni,  (Itali),  ai u nderua me çmimin e tretë midis filmave nga 95 vendeve të botës, që shënoi kështu nje sukses në kinematografinë tonë . Më uruan miq dhe shokë. Natyrisht edhe Odhiseja.

Por ndihmesa e tij nuk përfundoi me kaq. 

Kaluan vite. Ndërkohë më kishte  bërë shumë përshypje jeta e Bilal Xhaferit, shkrimtar me origjinë   çame, me babanë të pushkatuar nga diktatura komuniste si nacionalist, që kishte sjellë si pasojë që ai të katandisej si punëtor me punë nga më të  rëndat. Sidoqoftë, kjo nuk e kishte penguar të merrej me letërsi; kishte nisur të botonte tregime dhe poezi në faqet e “Zërit të Rinisë “dhe gazetës “Drita”, duke  dëshmuar se po bëhej nga shkrimtarët më të njohur. Por me ashpërsimin luftës së klasave  në vitet 1967 e tutje, atij iu mohua e drejta për të botuar, duke përfshirë edhe romanin me temë historike nga periudha e Skëderbeut”  “Krasta Kraus’. Në këto rethana, u shtrëngua të arratisehj në Greqi  dhe që andej në Amerikë, dhe atje  të demaskonte regjimin komunist në  faqet e revistës  “Krahu I Shqiponjës’, e cila     me nismën e tij nisi  të  botohej në Cikago.

Ishte Odhisea që pasi lexoi një skicë-idenë një romani që mendoja të shkruaja mbi motivet e jetës së Bilal Xhaferit, e pasuroi  atë me  detaje të reja dhe kështu midis viteve 1997-1998 unë shkrova romanin “Vdekja është midis nesh”,  kushtuar Bilal Xhaferit,( hamendësohet  se ëshë vrarë nga Sigurimi i Shtetit, i cili  e ndiqte edhe në mërgimin e largët.

   Romanin e dorëzova në vjeshtë të vitit 1998 në Shtëpinë Botuese “Toena”. I bindur se ai  do të priste radhën që të futej  në procesin e redaktimit, u mora  vetëm me shkrime  që u botuan në gazetat e kohës. Dhe ja, e papritura e këdshme. Një pasdite dëgjoj të trokitura në derën e apartamentit tim. E hap dhe shoh Odhisenë të qeshur,  që futet me një  libër në duar. Ma zgjat  mua. Në ballinë lexoj ”Vdekja është midis nesh”, autor , Skifter Këlliçi. Në faqen e brendshme  të librit, redaktor  Odhise  Grillo!…Mbeta i stepur  nga kjo e papritur kaq e këndshme. E kishte marrë dorëshkrimin nga ”Toena” e kishte redaktuar dhe ja,  më sillte kopje të tij. “Të përgëzoj, – me tha. –  Kisha dhe disa vërejtje të vogla ,por i kam ndrequr vetë…sepse ti je shumë I ngarkuar.( Kisha fituar ndërkohë lotarinë amerikane dhe së bashku me gruan dhe djalin po merresha me dokumentacionin  e ngatërruar të kësaj pune).

Në fillim të viti 1999 ishte Odhiseja që në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve  organizoi një takim me shkrimtarë dhe pjesëtarë të Shoqatës “Camëria”,  për të promovuar  këtë roman. Më kujtohet së ndër të tjerë romanit i bënë analizë dhe shkrimtarët e njohur çamë  Qamil Buxheli,  Bedri Myftari dhe Odhiseja, duke e cilësuar si roman që pasqyronte me vërteësi artistike disa nga momentet e jetës së mundishme të Bilal Xhaferit. 

Në ditët e para të vitit 1999, u largova nga Shqipëria për në Amerikë. Por pasi u ndava i përmalluar edhe me Odhise Grillon. Por fati desh që më pas  ai të vinte në  Nju Jork, ku kishte të afërm të tij. E mora nga Bostoni disa herë në telefon, lamë të takoheshim  dhe të  shmalleshin, por ai befas u sëmur…Ishte goditur nga hemoragjia cerebrale. Arriti një çast që nuk mund të komunikonim. U nda nga nga jeta në Nju jork  në muajt e parë  të vitin 2003 me dëshirën që të varrosej në Vuno, ku kishte lindur 71 vjet më” përmbledhjen me përalla  “Hajduti me çizme”,  librin me vëzhgime “Panorama  letrare”, të gjtha për fëmijë.

I shkrova këto radhë, për të kujtuar këtë shkrimtar të rallë në leërsinë tonë për fëmijë, që, mbi të gjitha, veç talentit, ishte fisnik dhe dhe gatshëm  të  jepte gjithçka që kishte në zemër dhe shpirt, që krijimet e shokëve dhe miqve të tij  shkrimtarë të dilnin sa më të goditura, ashu siç  veproi me dhe me mua. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Skifter Kelliçi

DIKTATORI “GJU ME GJU” ME POETET

July 3, 2021 by dgreca

 (Copëza ngjarjesh nga një mbledhje historike, me pjesëmarrjen e diktatorit)/ 

Nga Skifter Këlliçi- Boston- USA/

 11 korrik  i vitit 1961, pra 60 vjet më parë…

 Enver Hoxha, megjithesë nuk ishte njoftuar se do të merrte pjesë,  erdhi  befas në një takim  me inteligjencien e Tiraës, ku u diskutuan edhe probleme shqetësuese që kishin lindur në krijimtarinë poetike shqiptare. Jo vetëm kaq, por, nga dëgjues  i vemendshëm i diskutimeve të poetëve  të afirmuar komunistë që kritikonin ashpër poetët e rinj, të cilët kërkonin shtigje dhe mjete të reja shprehëse në krijimtarinë poetike,  si dhe dëgjues po kaq i vemëndshëm  i përgjigjeve  të  këtyre të fundit,  çuditërisht u bë gjyqtar për të vendosur  paqe midis tyre. Dhe kjo për arsye që do të dalin në pah në këtë dosier.

 PROLOG 

Enver Hoxha:

 “Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë, p.sh. atë që ai ka shkruar  për Kalanë e Gjirokastrës, ( ”Princesha Argjiro”), dhe mua më ka pëlqyer. Kam lexuar edhe disa vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshypjen se është i një ri me talent”.

( Vlerësime të shprehura në takimin e 11 korrikut të vitit me inteligjencien, 11 korrik 1961)

Enver Hoxha:

“I thashë Ramizit… Përgatitu dhe thirr Ismail Kadrënë dhe vëre para ”mutrave”  të tij  dhe bëje t’i lëpijë… Ai është  nga ata elementë me talent, prandaj e kemi mbrojtur….Ai shkruan bukur, ka turnyra dhe imazhe të bukura, ka dhe idera , por   në mes të këtyre ideve ai ka dhe figura dhe ide të hidhura që tregojnë botëkuptimin e tij të vecantë”.
(Nga kritikat e ashpra për poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, shkëputur nga ditari i tij  vetjak, 20 tetor 1975)

   Këto janë dy karakteristika të diktatorit për Kadarenë në harkun e 14 vjetëve, periudhë gjatë së cilës ai , veç të tjerash, u kushtoi rëndësi të veçantë edhe problemeve të zhvillimit të arteve dhe letërsisë, vecanërisht pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH, (dhjetor 1972), nga ku mori pikënisjen, për të të dënuar të ashtuquajturat shfaqje borgjezo-revizionoste në këto fusha,  që arritën kulmin në Plenumit e 4-t famë keq të KQ të PPSH-së, më  1973, me masa të rënda, deri në burgime dhe internime  të shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve. Nga këto masa, siç shprehet dhe më sipër dhe vëtë  diktatori, Kadareja shpëtoi mrekullisht.

DIKTATORI  SY#ELTESOR  DHE I PERZEMERT ME SHKRIMTARET 

   Sidoqoftë, Enver Hoxha edhe para takimit të11 korrikut të vitit 1961, që do të analizojmë më poshtë,  ka dashur të tregojë  gjithnjë, qoftë hipokrizisht, se qëndron pranë shkrimtarëve dhe artistëve, ose siç thotë populli “gju më gju” me ta, të ndiqte shfaqjet e tyre artistke, por edhe si tiran që ishte, të ndërhynte brutalisht.   

    Kjo ndodhi  kur shkoi  më 1964 në Korçë dhe më 1979, në Tiranë, kur, me të parë dramat “Rrethimi i bardhë dhe “Njollat e murrme”, përkatësisht të shkrimtarëve Naum Prifti dhe Minush Jero, i kritikoi ato dhe urdhëroi që të mos shfaqeshin më, për gabime ideore, megjithëse të dytën e kishte parë më parë dhe madje me dorën e tij i kishte dhënë Teatrit të Korçës Flamurin e Festivalit të Teatrove Profesioniste, bash Mehmet Shehu, ish-kryeministri, të cilin  vite më pas do ta shpallte armik  poliagjent dhe do ta vriste.

    Pastaj, siç u vu në dukje pak më  sipër, kur këtë radhë la të përfundonin të katër netët  e Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH,  (22-26 dhjetor 1972), që i ndoqi nga vila e tij në Vlorë, për ta sulmuar dhe asgjësuar pas disa javësh, ndonëse për të nuk kishte bërë vërejtje asnjë nga byroistët, duke fillur nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe RamizAlia.

   Enver Hoxha takohej me shkrimtarët dhe artistët edhe në kongreset e tyre. Por këto herë përzemërsisht. Kështu ka ndodhur në Kongresin e Parë, më 1954, të  Dytin, më 1979 dhe në Kongresin e Tretë, më 1983.

“Por në Kongresin e Parë, – tregon shkrimtari ynë i njohur, Naum Prifti, – kur ai ai ishte  ulur krahas byroistëve të tjerë në radhën e parë, ndodhi një e papritur. Befas në një nga seancat e ditës së parë  se kush erdhi dhe  diç i tha në vesh njerit  prej byroistëve. Pastaj ky  ia përcilli atë fjalë tjetrit që ishte në krah dhe kështu fjala erdhi deri te veshët e diktatorit. Ai menjëherë brofi nga karrikja ku ishte ulur bukur mirë dhe doli nga salla, i ndjekur zdruq-zdruq nga byroistë të e tjetë. Më pas mësuam a se ata ishin larguar për një mbledhje  të rrufeshme nën kryesinë e tij, sepse sapo ishin njoftuar se Panajot Plaku, ushtarak i lartë dhe anëtar i Komitetit Qendror, ishte arratisur në Jugosllavi dhe, doemos, kjo “gjëmë” e papritur kishte shumë më tepër rëndësi se ky Kongres”.

Në dy kongreset e fundit kam qënë i pranishëm edhe unë si shkrimtar. Më 1979 mori pjesë  në dy seanca dhe qëndronte në presidium pranë Dhimitër Shuteriqit, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. I ulur pranë shkrimtarëve Fatos Arapi dhe Agim Cerga, e kam parë që shkëmbente biseda të ngrohta me Shuteriqin. #’ëshë e verteta,u shfaq  në nga pushimet midis seancave edhe në hollin e e selisë së Kuvendt Popullor, ku zhvillohej ky kongres dhe bëri  foto me tërë shkrimtarët dhe artistët që ndodheshin në sallë.

Në Kongresin III të LSHA-së, më 1983 ai mori pjesë vetëm  ne seancën plenare, i shoqëruar nga Ramiz Alia. Së bashku me shkrimtarin e njohur Skënder Drini, ndodhesha diku në një ndënjëse nga ana e djathtë e sallës dhe e pashë nga afër në lozhën ku u ul dhe  ku  dukej thuajse i fikur. Shihja tiparet e fytyrs së tij të mplakur, faqet pakëz të kuqe, siç dukej të ritushuara, sytë që thuajsë nuk  lëviznin fare dhe dorën që kur na përshëndeti e tundte me shumë vështirësi.

Pikërisht pas dy vitesh ai do të fikej përfundimisht.

Por, sidoqoftë, erdhi. Ishte një nga daljet e tij të fundit në publik, ndonëse këtë radhë pa qëndruar as edhe një grimë “gju më gju me popullin”.

Por një nga takimet, ku ai vërtet ka mbajtur qëndrim të tillë  me krijuesit, me të cilët ka diskutuar edhe gjallërisht, ka qënë ai i 11 korrikut të vitit 1961, pra 60 vjet më parë. Dhe, sic do të shohim më poshtë, jo rastësisht. 

TAKIMI

   Nga një anë Llazar Siliqi, Kolë Jakova, Andrea Varfi, Aleks Caci, Luan Qafëzezi…nga ana tjetër Ismail Kadare, Fatos Arapi,  Dhori Qiriazi…

Janë dy grupime poetësh, të ndryshëm, jo vetëm nga mosha, por edhe nga mendësia poetike, stili, konceptimi. Ja përse midis tyre ka nisur një luftë  e  pashpallur, që është shndërruar në një debat të hapur  në shtyp, shprehur kryesisht me krijime  poetike, që përjashtojnë njera-tjetrën.Vringëllimat  e shpatave gjatë  këtij dueli dëgjohen deri lart në kupolën e kuqe, deri te vetë Enver Hoxha.

Në sallën qendrore të UT organizohet, pra kjo mbledhje e gjerë me intelektualët. Qëllimi i saj:”Diskutimi rreth vendimit të KQ të PPSH-së “Mbi letërsinë dhe artet”, (7 qershor 1961). Referatin kryesor e mban Ramiz Alia,sekretari i KQ për ideologjinë.

Në këtë mes  nuk ka asgjë të befasishme, sepse deri atëherë Ramiz Alia, ashtu si Enver Hoxha, është takuar jo rrallë me shkrimtarë  me intelektualë, poetë e shkrimtarë dhe po takohet sërishmi.Por këtë radhë ky referat është vetëm ballorja e këtij takimi, ku nuk u diskutua me  intelektualët, sepse  pas referatit, takimi u shndërrua në një debat të ndezur vetëm  midis poetëve të vjetër dhe poetëve të rinj.

Pa pritur, disa çaste para fillimit të mbledhjes, veshur me kostum të bardhë beharor, në sallë futet Enver Hoxha, duke lënë të shtangur jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe vetë drejtuesit e mbledhjes.

Nuk është lajmëruar se  kreu i Partisë do të marrë pjesë në këtë mbledhje, ndryshe do të ishin marrë masa të rrepta nga Sigurimi  i Shtetit, që në fakt u shfaq menjëherë në mjediset rreth sallës.

Ka një arsye. Diktatori do që të shohë nga afër dhe të dëgjojë se ç’do të thonë pikërisht poetët e vjetër dhe si  do t’u përgjigjen poetët e rinj.

DUKE KTHYER VESHTRIMIN NGA TRADITAT E POEZISE SONE  

           (Parantezë)

  Poezia e re e realizmit socialist, ashtu si tërë letërsia shqipe ndikuar nga letërsia dhe arti sovjetik, lindi qysh në vitet e e luftës kundër pushtuesve nazifashistë, që solli pastaj vendosjen regjimit tiranik komunist. Sidoqoftë, vazhduan të botoheshin poetët e mëdhenj të Rilindje Kombëtare- Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Fan Noli, Cajupi…Migjeni…por u sulmua ashpër Fishta, si poet antikombëtar dhe u harrua Poradeci dhe poetë të tjerë.

Poetët më në zë u bënë pikërisht ata që përmendëm në hyrje të këtij cikli. Një pjesë prej tyre kishin nisur të shkruanin edhe gjatë viteve te regjimit zogist. Kishin mbaruar jo vetëm shkollën e mesme, ku kishin studiuar gjuhë të huaja që u kishin dhënë mundësi të njihnin në origjinal vepra të shquara të poetëvë më të mëdhenj të huaj, por edhe kishin vazhduar shkolla të larta   të përfunduara, ose të lëna përgjysmë, pë t’u kthyer në atdhe për t’u hedhur në radhët e Luftës antifashiste. Dhe  në radhët partizane  kishin vazhduar krijimtarinë letrare, kryesisht në poezi dhe më pas disa prej tyre kishin studiuar për letërsi në vendet socialiste.

E verteta është se, me gjithë traditën  jo të vogël në fushën e poezisë, sidomos me veprat e Nolit, Poradecit e Migjenit, veprat  e tyre, të ndikuara dhe nga dogmatizmi i poezisë sovjetike, me përjashtime të vogla,  nuk arritën ndonjë nivel të lartë.

Këtë e vë në dukje, vec të tjerëve, edhe studiuesi kanadezo-gjerman, Robert Elsi, në veprën e tij  “Histori e letërsisë shqipe”, ku thekson:”Pjesa më e madhe e shkrimeve me shumicë në vitet pesëdhjetë dhe në fillim të viteve gjashtëdhjetë, dëshmuan shterpësi dhe mjaft konformizëm në çdo kuptim. (Vepër e cituar, faqe 383, botim në shqip, Pejë 1997).

Në veprat poetike të poetëve të mësipërm himnizoheshin lufta heroike e popullit tonë kundër pushtuesit të huaj  dhe…  sukseset e mëdha që po arrinte Shqipëria e re socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës, me  Enver Hoxhën në krye.

Mirëpo, e ndrydhur në kanunet e realizmit socialist, ajo në më të shumtën e rasteve mbeti një poezi e sipërfaqshme, pllakateske, dhe nuk qe në gjendje të vazhdonte traditën më të mirë të  poezisë shqipe të Paraclirimit.

“Tematika e krijimeve të kësaj periudhe, – vijon Elsi, – përsëritej rreth një qarku të caktuar, kurse lexuesi ushqehej vazhdimisht me tekste të thjeshtëzuara e pa ndonjë kujdes të veçantë për elementet themelore të stilit…Edukimi politik i masave dhe ushqimi i tyre me ndjenjën kombëtare quheshin më të rëdësishme se vlerat estetike. Ky qendrim synonte të thellonte frymën revolucionare dhe të forconte bindjet socialiste të “njeriut të ri”, (po aty).

Bëjnë përjashtim disa nga vjershat e Lame Kodrës, (pseudonimi i Sejfulla Malëshovës), të nxjerra nga vëllimi “Vjersha”, që mbeten të freskëta edhe sot, duke na kujtuar motivet noliane, nga të cilat edhe  ishte ndikuar, poema “Prishtina” e Llazar Siliqit, ”Kënga e partizanit Benko”,e Fatmir Gjatës, etj.

 Mirëpo Malëshova që premtonte në fushën e poezisë, u sulmua për gabime të rënda ideore nga diktatori Hoxha dhe bashkë me zhdukjen e tij fizike erdhi edhe zhdukja e tij  si krijues.

Dhe ja,  nga fundi i viteve 50-të dhe fillimi i viteve 60-të, në shtypin letrar u dukën emrat e poetëve të rinj, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dhori Qiriazi,Vehbi Skënderi….Ata nuk u shfaqën të drojtur, por me zë të plotë dhe të tingëllueshëm, që u pa qysh në vëllimet e  tyre, edhe sot me vlera të dukshme,”Shekulli im”, “Hapat e mia në asfalt”,”Shtigje poetike”, “Balada intime”.

Këtë e dëshmom përsëri studiuesi  kanadez Robert Elsi,icili në veprën e mësiprme nënvizon:”Ishte brezi i dytë i shkrimtarëve të Shqipërisë së Pasluftës, ai që erdhi përherë e më tepër duke kuptuar se bindjet politike, edhepse të rëndësishme në kontekstin e shoqërisë shqiptare të periudhës, nuk mjaftonin pë të qenë kriter i meritave artistike”, (faqe 383 e veprës së mësipërme).

Pikërisht këto vëllime poetike, dhe sidomos të parat, u përpinë nga lexuesit, veçanërisht, lexuesit e rinj, sepse sillnin nota të reja, të freskëta  dhe, mbi të gjitha, me  nivel të lart artistik, qoftë nga forma, mjetet artistike, ashtu dhe  nga fjalori poetik.

2

Në veprën e tij “Alternativa letrare shqiptare”, botuar në Shkup më 1995, poeti dhe studiuesi  njohur kosovar, pr. dr. Agim Vinca, sendërton mjaft qartë idetë e mësipërme, duke na dhënë konkretisht dallimin rrënjësor të nivelit artistik të poetëvë të vjetër, krahasuar me poetët e rinj, emrat e të cilëvë i cituam më sipër. Kështu, për shembull, ai ndalet te poema “Miku” e Llazar Siliqit,(1951), dhe përmend prej saj këto vargje: 

”Me makina punt’ e randa ,

ata bajnë, si vllazën rrojnë,

bashkë gëzojnë,

si asht ma mirë jetën e çojnë”.

Këtyre vargjeve studiuesi në fjalë u kundërvë një fragment nga “Poema e maleve”, ku autori i saj, poeti i ri, Dritëro Agolli, shkruan :

”Unë e di, fisi im, ti ende jeton vështirë,

fëmijët e tu brekushe me arna mbajnë,

dhe çokollata një herë në muaj hanë a s’hanë”.

(“Vitet 60-të dhe beteja për novatorizëm”, faqe 50 e veprës së mësipërme.)

Siç shihet, Dritëro Agolli, jo vetëm nuk e lustron realitetin, si në vargjet e Llazar Siliqit, që kanë, vec të tjerash edhe fjalor të varfër poetik, por e pasqyron atë në mënyrë më bindëse dhe, natyrisht,edhe  më me emocion.

E, meqë po ndalemi te  fjalori poetik, duhet të vemë në dukje se poezia e deriatëhershme, duke synuar të jepte madhështinë e epokës, e paraqiste atë me epitete tashmë të vjetëruara  si vigan, trim, sypatrembur, zanë, shtojzavalle…

Poetët e rinj Kadare, Agolli, Arapi, që vinin nga studimet universitare në vendet e Lindjes, duke u njohur me poezinë klasike të Pushkinit, Lermontovit, a  të poetëve bashkëkohorë,  Majakovski, Esenini…si dhe poetëve perendimorë, të përkthyr në rusisht, dhe, për më tepër,  duke qenë të talentuar, sillnin një mënyrë të re konceptimi në krijimet poetike, krejt e ndryshme deri atëherë në poezinë tonë.

Të jem i sinqertë, deri në vitiin 1960, ndonëse kisha mbaruar studimet për gjuhë-letërsi në UT, i dhënë më shumë pas rubrikave artistike dhe sportive  që mbuloja në Radio Tirana, ku kisha nisur të punoja, ndiqja kryesisht shtypin sovjetik dhe lexoja më shumë letërsi të huaj në gjuhën ruse. Lëtërsisë shqiptare dhe, aq më shumë , poezisë së saj, nuk i kushtoja vemendje. Por ja që poezitë e Kadaresë të botuara atë vit në vëllimin “Shekulli im”, që tingëllonin krejt  ndryshe në  formë dhe përmbajtje nga poezitë të deriathershme të poetëve të tjere shqiptarë, më bënë shumë përshtypje. Dhe jo vetëm mua. Ishte një brez i tërë bashkëmoshatarësh të mi, (unë isha atëherë  vetëm 22 vjec), që u rrrëmbyem nga këto poezi dhe më pas të poetëve të tjetrë, midis të cilëve të Fatos Arapit.

Nuk kishte si të ndodhte tjetërsoj, kur  Kadareja në poemën e tij “Endërr industriale”, qytetin e ri që po ndërtohet e përshkruan në këtë mënyrë:

Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,

s’ do të gogësijë duke pirë çaj,

i futur në pizhame.

Duke shkruar për dashurinë, ai shprehet kështu:

”Do të kujtoj 

mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,

dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim,

si dëborë e pashkundshme…”.

Po të njejtat ngjyrime gjejmë edhe në poezinë erotike të  Fatos Arapit , i cili  shkruan:

”Miliona dashuri u nisën në takime,

Po ecin përmbi taka të holla, të shpejta.

Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre,

Nën trokëllimën ritmike të këmbëve të lehta,

Me gëzim të kthjellët, drejt dashurisë rend jeta…”

Pikërisht kjo mënyrë e re, ky stil poetik që befasoi lexuesit në fillim të viteve 60-të , nuk u pëlqeu poetëve të brezit të vjetër, të cilët shihnin në këto dukuri, shkarje të dukshme nga traditat e poezisë shqiptare të asaj periudhe.

Kurse  në të vërtetë duhet të themi se në këtë rast kemi të bëjmë me vazhdimin e traditave më të mira të të poezisë shqipe, duke filluar nga Noli, Poradeci dhe sidomos Migjeni.

Eshtë pikërisht kjo arsyeja që e shtynte aso kohe kritikun dhe poetin Drago Siliqi të botonte në fillim të  vitit 1960 një artikull me interes “ Në kërkim të së resë”, ku ai, duke trajtuar probleme të poezisë bashkëkohore, shkruante:

“Formën në poezi e përbën, në radhë të parë, i gjithë sistemi i sintezës figurative që përdor poeti, për të përgjithësuar tiparet kryesore të fenomenit që pasqyron. Forma, pra, me fjalë të tjera, është mënyra e të shprehurit të përmbajtjes dhe këto dy nocione gjenden gjithmonë të gërsheturara me njera-tjetrën. Në nocionin e formës hyjnë pastaj edhe gjuha, ritmi, rima, dhe veçoritë tjera stilistike të poetit”.

Ky pohim i  drejtorit të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në atë kohë ishte dhe një afirmim i rrugës që po ndiqnin poetët poetët Kadare, Agolli,Arapi dhe disa të tjerë, dhe, ndonëse jo hapur, një kundërvënie ndaj poetëve të vjetër, të cilët nuk pajtoheshin me këto kahje  të reja të poezisë sonë.

Pikërisht në këto rrethana zhvillohej edhe takimi i 11 korrikut të vitit 1961. Kishte ardhur koha e një ballafaqimi të madh midis poetëvë të vjetër dhe poetëvë te rinj.

Tani mbi ta si gjyqtar vihej Partia. Ajo dërgonte atje  shefin e ideologjisë në Komitetin Qendror, Ramiz Alinë. E nuk mjaftonte kjo, por në atë sallë ku do të bëhej ky takim, shfaqej si papritur e pakujtuar edhe vetë Enver Hoxha!

SULMI I POETEVE TE VJETER

Varfi, Siliqi, Qafëzezi

Si prolog i takimit ishte “Diskutim  rreth vendimit të KQ të PPSH-së mbi letërsinë dhe artet”, ( 7 qershor 1961), botuar në gazetën  “Zëri i Popullit”. Në këtë diskutim, midis të tjerash shkruhej:”Trajtimi i heronjve pozitivë…Shkrimtarët të rrrojnë sa më afër me popullin..Për këtë qëllim të përdoren sa m gjerë e me vend lejet krijuese, të shftytëzohet koha e punës fizike…Pjesëmarrja në ekipet me afat të gjatë, bashkëpunimi me organet e shtypit…Eshtë e domosdoshme të shumëfishohen përpjekjet e vetë shkrimtarëve dhe artistëve që të lidhem  sa më ngushtë me popullin…të shkrihen me jetën e popullit”.

Këto ishin pak a shumë disa nga tezat kryesore që pëmend Fatos Arapi në librin e tij me mjaft interes, “Kujtohem që jam”, (faqe 63, 1997), të cilit do t’i referohemi disa herë gjatë këtij cikli.

Takimi i 11 korrikut të vitit 1961 u hap me referatin e Ramiz Alisë , sekretar i KQ të PPSH-së. Duke ritrajtuar tezat e mësipërme , ai u ndal në dukuritë e reja që viheshin re në poezinë shqiptare.”Theksi i referatit,  – nënvizon Fatos Arapi në librin e tij, godiste më tepërtë rinjtë”. (faqe 71).

Dhe kur pas këtij referati nisën diskutimet, të parët që e morën fjalën qenë përfaqësuesit më  në zë të poetëvë të vjetër, midis të cilëvë edhe komunistë. Kishin marrë edhe më shumë zemër, sepse referati në fjalë u hapte shtigje te reja. Kurse për poetët e rinj krijohej një atmosferë e rëndë, aq më tepër, kur në sallë ndodhej vëte Enver Hoxha dhe shumica e anëtarëve të Byrosë Politike të KQ.

Gjithnjë duke u mbështetur të veprën e Fatos Arapit, “Kur kujtohem që jam”, po paraqes disa fragmente nga diskutimet.

Andrea Varfi:”

Të jesh artist i realizmit socialist dhe të ndjekësh në të njejtën kohë novatorizmin për hir të novatorizmit, është krejt pa kuptim dhe punë e dështuar që në fillim…

Cilësia dhe vetëm cilësia artistike të bën  novator dhe original dhe aspak akrobacitë dhe majmunizimet  e të huajve. Futuristët, me shokë, deshën të varrosnin çdo gjë të trashëgimit kultural dhe artistik të së kaluarës. Edhe sot izmat e ndryshme që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim, nuk lë gur pa luajtur në kët drejtim…”.

Siç shihet, diskutimi mbarte  nota shumë të ashpra dhe kuptohet mirëfilli se u drejtohej vetëm poetëvë të rinj, që me prirjet e tyre, sipas Varfit, po vazhdonin madje edhe rrugën e futuristëve.

Llazar Siliqi:

”Unë jam i mendimit se ne e kemi një letërsi dhe art novator dhe nuk ka mbetë puna që atë ta fillojmë me e krijue sot, pa mohue përpjekjet e matejshme që ne të gjithë duhet të bajmë për ta çue edhe ma përpara letërsinë dhe artin tonë novator…

Karakteri novator kuptohet disa herë, nga njena, anë si ndryshim, ose ma saktë si thyemje e  formës dhe, nga ana tjetër, novatorizmi dhe fryma e kohës kontestohet atje ku  ka fjalë të reja si asfalt, najlon dhe tematikë ndërkombëtare. Mendoj se edhe  kërkimi  i tepruem i figurave dhe ngarkimi me figura , kur kjo shndërrohet në një kërkesë të domosdoshme  për çdo varg, mund të çojë në rrugë jo të drejtë dhe mund ta bajë  të vështirë kuptimin nga lexuesi”.

Por shumë më i ashpër qe në diskutimin e tij poeti Luan Qafëzezi, i cili, ndër të tjera theksoi:

”Në vitet 1960-61, vargjet e lira filluan të duken përsëri në shtypin tonë të përditshëm dhe periodik, por këtë herë me një formë të re, më me pretendime , duke dashur të thyejnë të gjitha normat tradicionale të metrikës sonë nën preteksin e një farë “ novatorizmi”…

Përdorimi i vargjeve të lira nga disa poetë nuk duhet shikuar si një çeshtje thjeshtësisht formale, si një çështje teknike dhe pa rëndësi. Përkundrazi, kur përdoret pa kriter , duhet parë si fenomen negativ dhe, në qoftëse nuk frenohet me kohë, mund t’i sjellë dëme poezisë sonë. Edhe disa dëme ia ka sjellë që tani. Ne prapa këtij “modernizimi”shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë. Thjesht, në këtë lloj poezie gjen mjegullime, paqartësira, përçartje dhe figura ekstravagante. Tema e saj kryesore është tema  ndërkombëtare, shekulli i 20-të, kozmosi e të tjera, duke u  larguar kështu nga jeta shqiptare e përdidtshme, nga problemet që preokupojnë Partinë në mënyrë direkte. (F.Arapi,vepër e cituar , faqe 73-74-75).

Pa qenë nevoja të zgjatemi, shihet qartë se diskutimet e poetëvë të mësipërm qenë tendencioze, madje edhe të mveshura me një farë  ligësie. Me një fjalë, ata mohonin tërësisht poezinë e kolegëve të tyre të rinj. Për më tepër, këtë e bënin para vetë Enver Hoxhës, të bindur që ai do t’u jepte plotësisht të drejtë.

Tani e kishin radhën poetët e rinj. Duhej jo vetëm të mbroheshin, por edhe të kundërsulmonin, sepse, në fakt, mbrojtja  më e mirë në të tilla raste, është sulmi. Ishte e rrezikshme, por  edhe e domosdoshme.

3

DHE KESHTU NDODHI…

Mbrohen dhe kundërsulmojnë  Kadare, Arapi, mungon Agolli

“Seanca e paraditës mbaroi. Salla u boshatis dhe unë po rrija i vetëm dhe i dëshpëruar ende në karrige.Parandieva rrezikun që u kërcënohej të rinjve. Andrea Varfi, Llazar Siliqi dhe Luan Qafzezi  kishin thënë aq, por ishte e natyrshme që nenteksti dhe çfarë lexohej midis radhëve të shkruara, ishte akoma shumë i rëndë”.

Kështu shkruan Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam” (faqe 75). Më tutje vazhdon::

“E mori dreqi këtë punë”, – mallkova veten nëpër dhëmbë dhe u çova të dilja  jashtë. Në krye të sallës bisedonin midis tyre më zë të ulët Nexhmia Hoxha dhe Fiqrete Shehu…Atëherë Nexhmia më tha:”A do të diskutosh, Fatos?”.  “Jo, – iu përgjigja i dëshpëruar”. “Pse? – pyeti Nexhmia. – Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën tuaj”. (Kështu tha”tuaj”, që nënkuptonte:”Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën e të rinjve”, (faqe 76).

Më pas Arapi rrëfen se si u takua me Ismail Kadarenë dhe Dhori Qiriazin dhe se si duke ngrënë drekë në një restorant  të Tiranës,vendosën që dy të parët  të diskutonin në seancën e pasdites të kësaj mbledhjeje, që ishte edhe seanca e fundit. Fatos Arapi, kujton se Agolli nuk ishte në mbledhje. Flitej se kishte shkuar në Durrës. Megjithatë, siç do ta shohim, do të thoshte fjalën e tij në artikullin “Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, (Drita”, 27 gusht 1961).

Po rendis  më poshtë disa fragmemte nga diskutimet e poetëvë në fjalë, që, ndonëse të rinj në moshë, ditën, jo vetëm të mbronin veten, por të hidhnin poshtë me argumente të matura dhe të zgjuara akuzat pa vend të poetëve të  brezit të vjetër.

Ismail Kadare:

”Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës “Drita”, në esencë të tij është problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz. Bile, me sa duket, këta njerëz nuk e kanë hallin te vargjet e lira, por te poezia e disa poetëve të rinj, të cilën poezi nuk e pranojnë dhe duan ta hedhin poshtë në cdo mënyrë…Vargu i lirë lidhet pa tjetër te ne nga disa me emrin e modernizmit . Po sikur të ngriheshim e të thoshim, të nisur  nga poezia formaliste, se vargjet më të rregullt kanë qenë të lidhur më monarkitë dhe kanë lulëzuar me tërë akademizmin e tyre, sidomos pranë oborreve mbretërore? Këto përfundime,kur nisesh nga formalizmi, të çojmë në qorrsokak…

Unë mendoj se në kohën tonë nuk është bërë te ne asnjë shpikje forme.Te ne përmbajtja e re ka sjellë gjetjen e disa mënyrave të reja shprehjeje, disa herë me sukses e disa herë pas sukses. Asgjë tragjike nuk ka ndodhur, asnjë traditë s’është mohuar, asnjë klasik s’është përbuzur.

 Në qoftë se arti është i  vërtetë, ai do të ketë pa tjetër të renë , novatoren. Novatorja mund të jetë edhe brenda strofave të rregullta, ashtu siç mund të jetë konservatorja  në mes të vargjevet ë lira”. (Revista “Nëntori”,11,1961).

Fatos Arapi në diskutimin e tij, siç do të shohim, shkoi edhe më tutje, duke zbuluar se te poetët e vjetër fshihej synimi që t’i zhvendosnin poetët e rinj  gati në opozitë:

”Shpesh  here, – tha ai,-  na qortojnë se gjoja jemi mosmirënjohës, nënçmojmë gjithçka që është krijuar te ne dhe në mënyrë të veçantë gjithçka që është krijuar te ne pas #lirimit e këndej. Akuza, sic shihet, është e rëndë. Ta themi hapur, ajo i nxjerr poetët e rinj në pozita antimarksiste.

Në qoftë se se dikush kë bërë traditë të tij “personale” të shkruajë vjersha të dobëta, dhe këtë traditë kërkon të na e shesë si traditë kombëtare, këtë ne nuk e pranojmë kurrë. Tjetër punë pastaj në qoftë se mendon që respekti kundrejt tij tregohet duke shkruar vjersha  edhe më të dobëta…Por mua më duket se problemi i vargut të lirë nuk ngrihet drejt…lihet përshtypja sikur është ky varg i lirë që i ndan tradicionalistët  nga jo tradicionalistët, klasikët nga jo klasikët, të ashtuquajturit modernë…

Nuk e ka fajin vargu. Dhe nëqoftëse dikush, duke bërë poezi të këqia ka diskretdituar veten e tij, ai nuk ka diskredituar tetërrokëshin  tonë të mrekullueshëm. Ky poet duhet të kuptojë se vargu i thyer nuk i ka rrëmbyer atij lavdinë poetike që s’e ka pasur…Shyqyr që na doli vargu i lirë , sepse disa kështu kanë rreth kujt të bëjnë zhurmë dhë të tregojnë se ekzitojnë, janë gjallë…(Revista “Nëntori”,11, 1961).

Eshtë e kuptueshme se pas këtyre dy diskutimeve që dukeshin se ishin vazhdimi logjik i njeri-tjetrit, me argumente të qarta, ku mbrohej ajo që ishte për t’u mbrojtur, tradita, fjalë me të cilën poetët e vjetër kishin spekuluar  në diskutimet e tyre, duke u rrekur t’i vinin poetët e rinj në bankën e të akuzurve, u krijua një mjedis i tendosur.

Për më tepër, kur në presidium ndodhej vëtë Enver Hoxha dhe referatmbajtësi, Ramiz Alia, për të mos përmendur, siç thamë, dhe anatërë të tjerë të Byrosë Politike.

Ishte hera e parë që  në një takim letrar të bëheshin diskutime krejtësisht të kundërta me njeri -tjetrin., të cilat  dëshmonin se problemet ishin shumë të mprehta. Mund ta kishte marrë fjalën Ramiz Alia për të bërë  konkluzionet. Por kjo ashtu, siç kishin rrjedhur ngjarjet, u bë e vështirë për të, aq më tepër që  Ismail Kadareja dhe Fatos Arapi me diskutimet e tyre, në një mënyrë a në  një tjetër, i ishin kudërvënë edhe vetë  shefit të ideologjisë në Komiteti Qendror.

Ja përse në fund të takimit u ngrit vetë Enver Hoxha. Më këtë veprim ai dëshmoi se nuk kishte ardhur  në këtë takim thjesht për të përshndetur, por për  të gjetur një rrugë të mesme paqëtuese. Shkurt, siç e thamë dhe më sipër,  për t’u bërë  gjykatës midis poetëv të vjetër e poetëve të rinj.

NUK  ESHTE  PROBLEM  CESHTJA  “TE RINJ”  dhe “TE  VJETER”

Flet diktatori  Hoxha

Kjo është një nga shprehjet ku e vuri menjëherë theksin Enver Hoxha, që atë ditë, e përsëris, ishte veshur me një kostum të bardhë, si të dëshmontë se kërkonte të vendoste mirëkuptim në këtë mjedis që po bëhej i ndezur.

Dhe kështu ishte. Që ai të kishte lexuar  referatin e Ramiz Alisë, mbajtur në këtë takim, ku do të diskutohej  vendimi i  KQ të PPSH-së  “Mbi letërsisnë dhe artet”, (7 qershor 1961) dhe ta kishte aprovuar atë , as që vihet në dyshim. Pra, që ai të kishte miratuar, gjithshtu, edhe kritikat që Ramiz Alia do t’i drejtonte poetëvë te rinj, edhe kjo nuk vihet në dyshim.

Si pasojë, ai edhe mund të mos kishte ardhur në këtë mbledhje. Por ja, pra, që erdhi, se kështu e pa të arsyeshme, pikërisht  disa çaste para fillimit të takimit, kur askush nuk e priste.

“Shoku Andrea Varfi, – nisi të fliste  Enver Hoxha, – kur zuri të diskutonte, – theksoi se atij i pëlqen tetërrokëshi. Edhe mua më pëlqen tëtërokëshi , edhe dhjetërrokëshi. Dhe kur dëgjova diskutimin e e shokut Andrea, i thashë në pushim se unë jam dakord me pikëpamjen e tij. Atëherë Andrea iu kthye shokëve dhe u tha me shaka: ”Flisni tani po të  doni”. Por në fakt u gabua. Dhe e verteta është se dolën shokë e folën, diskutuan, dhe mbrojtën me zjarr pikëpamje të kundërta.

Të them të drejtën, veç për një gjë nuk më erdhi mirë, që doli sikur cçeshtja shtrohet “ të vjetër” e” të rinj”.T ë rinjtë, me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre, bëjnë mirë që na shkundin ne, të vjetrëve. Prandaj, unë nuk besoj kurrë që shkrimtarët dhe artistët e vjetër duan të pengojnë krijimtarinë e më të rinjve, veçse ata, duke patur kaluar më parë nëpër këto shtigje , kanë frikë se mos nga hovi i madh, ju shkisni  nga rruga…Por unë jam i bindur se ju,  shokë të rinj …nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabur…..

Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar,   p.sh, atë që ai  i ka kushtuar kalasë së Gjirokastës, (“Princeshës Argjiro”), dhe mua më ka pëlqyer. Kam lexur edhe vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se ai është një i ri me talent.

Mendimi im personal është se gjersa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste, me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, terheqëse, të qartë, ato 

s’ kanë sepse të mos pëlqehen…Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë. (Revista “Nentori”, 11, 1961).

Me fjalë të tjera, Enver Hoxha, duke u vënë parballë poetëve të rinj dhe poetëvë të vjetër, u jepte të drejtë të dyja palëve. Pra, nga një anë këshillonte të vjetërit të mos sulmonin të rinjtë, por, nga ana tjetër, u vinte një farë kushti këtyre të fundit që, nëse poezia e tyre do të pëlqehej nga lexuesi , të cilin ai e quante populli, ajo poezi ishte e vlefshme.

“Në këtë mënyrë ai “kërkonte unitet”, -vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij ”Kur kujtohem që jam”.

Të mos harrojmë ,jemi në korrrik të viti 1961, kur  nëntë muaj më parë ishte zhvilluar Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste, në të cilën Enver Hoxha kishte dalë kundër vijës politike të revizionistëve sovjetikë  dhe disa muaj më pas, në në tetor  të atij viti, kur kundërshtitë ideologjike midis partive komuniste të të dy vendeve, do të bëheshin të njohura botërisht nga vetë Hrushovi në Kongresin e 22-të të PK të Bashkimit Sovjetik. 

“Në një farë kuptimi, – vazhdon Fatos Arapi, – fjala e Enver Hoxhës linte në hije raportin e Ramiz Alisë, i cili ishte disi i ashpër më  të rinjtë. I papritur duhet të ketë qenë qendrimi i tij për drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Dhimitër Shuteriqi nuk diskutoi fare. Në fund të mbledhjes ai dukej në presidium shumë i lodhur dhe i shqeteësuar. Më vonë nga gojë të këqia u tha se ai kishte ardhur në mbledhje me dy referate  në xhep. Do të mbante atë nga ana e të cilit anonte peshorja”. (Faqe 82).

Lind vetevetiu pyetja: ”Përse Enver Hoxha mbajti një qendrim të tillë, pra, përse u dha dorën të rinjve?

Logjikisht, duke miratuar referatin e Ramiz Alisë, do të mjaftonte që në fund të takimit të theksonte se poetët e rinj duhet të të kenë parasysh këshillat e poetëve të vjetër, që të mos thellojnë gabimet e tyre, të cilat  po i  shpien drejt  një krijimtarie poetike të mbarsur me ndikime moderniste, ashtu sic vunë në dukje me  Andrea Varfi, Llazar Siliqi e   Luan Qafzezi… dhe nënkuptohet që poetëve të rinj do t’u mbyllej rruga për një kohë të gjatë.

Dhe, duke marrë parasysh se ç’ndodhi disa vite më pas kur nisi i ashtuquajturi revolucionarizim i jetës së vendit, me qarkullimin e kuadrit dhe të shkrimtarëve e artistëve për të njohur nga afër jetën e vendit  dhe më 1973 pas Plenumit të 4-t të KQ të PPSH-së, kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste, që kam përmendur më sipër, është e kuptueshme se nuk dihet se kur ne do të kishim  pasur në dorë ato vepra aq të njohura të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit e shumë e shumë poetëve të tjerë që u shfaqën më pas në lëtërsinë tonë.

Enver Hoxha në këtë takim përkrahu poetët e rinj, kryesisht se ai e shihte se ata ishin shumë më të talentuar se poetët e vjetër. Kjo nuk ishte shumë e vështirë për t’u kuptuar, aq më tepër nga ai vetë. Vërtet kishte shkuar për studime në Francë, ku nuk kishte mundur të jepte asnjë provim, por të mos harrojmë se kishte mbaruar Liceun  francez të Korcës, ku ishte njohur jo vetëm me krijimtarinë e poetëvë më të mirë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, por, mbi të gjitha, me letërsinë dhe poezinë franceze dhe evropiane.

Si pasojë, nuk e kishte të vështirë  të dallonte se c’ndryshim të madh artistik kishin krijimet  e poetëvë të vjetër me krijimet  e poetëve të të rinj, qoftë edhe nga ato pak shembuj që janë përmendur më sipër .

Ai kishte nevojë për talentin e rë rinjve, paçka se të shprehur në mënyrë moderniste. Ata do t’i duheshin atij që të thurnin vargje  për Partinë, vepra që do të mbeteshin, pikërisht falë  talentit të tyre.

Dhe në fakt kështu ndodhi. Poetët tanë të rinj, krahas poezive lirike intime dhe erotike do të detyroheshintë shkruanin edhe vepra ku t’i këndohej “rrugës heroike të Partisë sonë të lavdishme për ndërtimin e socializmi, luftës së saj madhështore dhe të guximshme  kundër revizionizmit modern, për ruajtjen e fitoreve të popullit tonë të arritura  nën drejtimin e saj dhe, mbi të gjitha, të atij vetë, si krijuesi i kësaj partie, i këtyre fitoreve”.

Nuk gabonte:ishin më pas poemat “Përse mendohen këto male,”Shqiponjat fluturonjnë lart”, të Kadaresë, “Devoll,Devoll!”, “Baballarët”, të Dritëro Agollit, “I përkasim komunizmit”, të Fatos Arapit, ndonësë në të nuk përmendet gjëkundi fjala “parti”, e më pas poetëve të tjerë të rinj që iu kushtuan Partisë dhe atij vetë, të cilat edhe sot mbeten në historinë e letërsisë shqipe si ndër më të mirat, pavarësisht se poetët e mësipërm nuk mund t’i shmangeshin kurrsesi direktivave të partisë dhe Enver Hoxhës vetë.  Këta poetë ishin të detyruar në një mënyrë, a në një tjetër të paguanin këtë harac.

Jo më kot në librin e tij “Alternativa letrare shqiptare” poeti dhe kritiku  njohur kosovar,Agim Vinca shkruan kështu rreth kësaj cështjeje:

”Këtë përkrahje shkrimtarëve të rinj, Kadareja e shpjegon si një manovër për t’i përvetësuar ata, (poetët e rinj,shënimi im- S.K.) , si një karrem që u hidhej atyre në mënyrë që prej talentit të tyre të përfitonte pastaj regjimi dhe vetë diktatori. Pavarësisht nga paraqitja, sipas Kadaresë, djallëzore që kishte, këtë qëndrim  të shefit të Partisë dhe të shtetit sikurse edhe me klimën liberale që u krijua në fund të viteve 50-të dhe në fillim të viteve 60-të,…shkrimtarët shqiptarë e shfrytëzuan për t’ia ndërruar dukshëm fizionominë deri atëherë tejet uniforme letersisë shqipe dhe veçanërisht krijimtarisë poetike”.(Vepër e cituar, faqe 71).

4

JEHONE E KETIJ TAKIMI  NGA  ERNEST KOLIQI DHE MARTIN CAMAJ

Duhet të vemë në dukje se zhvillimet e letërsë shqipe ndiqeshin me vemendje dhe nga shkrimtarë e studiues shqiptarë që ishin detyruar të linin atdheun me uzurpimin e pushtetit nga regjimi komunist. Të tillë ishin, p.sh.,. Ernest Koliqi e Martin Camaj. Në revistën “Shejzat’,( Viti VII, 1963), që botohej në Itali, shkruhet  një artikull i gjatë kushtuar takimit të Enver Hoxhës me poetët e vjetër dhe poetët e rinj, të cilin Fatos  Arapi e përfshin  të plotë në librin e tij “Kur kujtohen që jam”, ku jepen vlerësime të tyre për këtë takim.

Po citojmë disa fragmente nga ky artikull:

“Në letërsinë shqipe kanë pasë qenë ba hapat e parë të mbarë dhe kanë qenë vu gurët e themelit të gjinive letrare përpara ardhjes  së komunistëve në fuqi. Kjo asht kaq e vertetë sa edhe sot mbas zhbimjes, sharrimit e shartimit të shkrimtarëve ma të mirë, që gjetën të kuqt, përpjesëtimi i të rinjve me te vjetrit në Shqipni qindron ende afërsisht tre me dy në fitim të të rijve.

E tash, për të pa se qysh i ve në hulli e shtrum Enveri pendëtarët  e Shqipnisë sot, le t’i hudhim nji sy premtimit të tij patetik në mbledhjen e gjanë me shkrimtarët (Revista “Nëntori’, nr 8, gusht 1961), mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të PPSH-së, (Partisë Komuniste Shqiptare):

“Prandej këtë dashuri, këtë besnikëri dhe patriotizëm, që ushqeni për popullin dhe atdheun, (lexo partinë), partia do t’ua shpërblejë dhjetë  dhe njëqind herë më shumë me kujdesin e saj. Partia është me ju, partia është çdo cast me të renë dhe ju për cdo hap tuajin do të kini kurdoherë ndihmën e parkrahjen e pakufishme të Parisë dhe  Komitetit Qendror.”

Më poshtë në këtë artikull theksohet:

“Duhet shënue këtu se kjo mbledhje ngjet mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të Partis mbajtë për shkak t’akrobacisë politike qi bani udhëheqsia e kuqe e Tiranës tue shqelmue Moskën dhe tue u lëshue në prehën të Pekinit. Mandej duhet vërejtë se bari kryesuer qi Enveri i kon turmës së privilegjueme të shkrimtarëve të hutuem e të friksuem se mos binë në kurthe befas,  asht temjani dehës “superhipokrit” i nacionalizmit….

Hec e thuej tash se këta shkrimtarë e artista nuk janë… “ushtarë që dalin prej kazermës simbas buris së burizanit për në paraqitjen e forcës në resht e gërthasin me sa za kanë -“nji dy,këtu, këtu,këtu..!”.

I gjitha halli qi e shtrëngon partinë me u lëshue penin…  asht frika  se mos e “mprehin pendën , dhe krijojnë nji kundërrevolucion, si atë të tetorit të 1956-ës në Hungari..”

  Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndonse larg artdheut,  bënin një analizë të drejtë të gjendjes së krijuar pas  mbledhjes së 11 korrikut të vitit 1961..Poetët e rinj e të vjetër, edhe po të  mos  donin,  ishin të detyruar të bëheshin ushtarë të bindur të Partisë. Sidomos të rinjtë, talenti i të cilëve i duhej diktatorit më shumë se kurrë.

MEGJITHATE,  DEBATI ZHVNDOSET NE SHTYPIN LETRAR

Guarakuqi kundër Agollit

Fillimi i viteve 60-të duhet vënë në dukje  ka qenë  periudha e një farë  lirie shtypi nëpermjet debatesh në shtypin letrar, ku shfaqeshin edhe mendime të kundërta, (natyrisht, jo kundër Partisë). Eshtë për t’u habitur se si nga Kupola e Kuqe nuk erdhi ndonjë sinjalizim, për t’i ndërprerë këto debate që lexoheshin me kurreshtje dhe interes dhe në një farë mënyre të kujtonin debate dhe rrahje mendimesh të intelektualëve tanë   që ishin parë në shtypin tonë gjatë viteve ’30. Por duhet shtuar se aso kohe frynte një farë liberalizmi, që u shfaq sidomos në krijimtarnë letrare dhe vecanërssht në poezi.

Them kështu, sepse pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1961, dhe sidomos në vitet 1963 -64, censura hyri menjëherë në veprim.

   Kjo solli si pasojë që në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të kritikoheshin ashpër dy drama, përkatësisht të Fatos Arapit dhe Qamil Buxhelit, ”Drama e partizanit pa emër” dhe”Dueli”, të cilat nuk panë kurrë dritën e skenave. Më keq, s ic përmenda më sipër, ndodhi me dramën “Rrethimi i bardhë”, të Naum Priftit, që u shfaq në në Teatrin e Korcës më 1964, të cilën e kam permendur  në fillim të ketij dosireri. 

Po të kthehemi të debatet në shtyp për poezinë. Kam ruajtur që atëhërë disa artikuj që u botuan menjëherë pas takimit të 11 korrikut, të cilat pasqyrojmë  një diskutim të gjerë , sido që jo rrallë përsëri  të ashpër, por, megjithatë  konsrtuktiv, që , siç e cilëson poeti dhe kritiku Agim Vinca, “mund të cilësohet një polemikë me të vërtetë letrare.(“Alternativa letrare shqiptare”, faqe 59).

Edhe pse diktatori Hoxha, u dha pasaportën poetëvë të rinj, prapaseprapë ata mbetën nën shënjestrën e poetëve të vjetër. Do të përpiqem ta rindërtoj këtë debat edhe nëpërmjet  studimit të Agim Vincës, botuar në librin e mësipërm.

Ato që kritiku dhe poeti Mark Gurakuqi nuk kishte arritur, me sa duket , t’i shprehte në takimin e 11 korrikut, gjeti rast t’i trajtonte në një artikull të gjatë, me titull “Traditë dhe novatorizëm, (“Drita”,13 dhe 20 gusht 1961), ku, ndër të tjera, shkruante:

”Në këto vitet e fundit, kryesisht disa poetë të rinj kanë fillue të shkruejnë në një mënyrë tjetër nga c’shkruhej ma parë.Hapin e parë e bani Ismail Kadareja e mandej disa të tjerë si Fatos Arapi, Dritëero Agolli, Halil Qendro, e madje edhe Dhori Qiriazi e Sandër Gera, që zakonisht shkruenin simbas modeleve klasike. Nuk po përmend  disa emna fillestarësh”.

Më pas gjuha e Mark Gurakuqit nuk ka asnjë ndryshim nga gjuha që përdorën Andrea Varfi e Luan Qafëzezi në diskutimet e tyre para Enver Hoxhës. Madje ai tregohet i ashpër kur nis e analizon poezinë e Kadaresë:

“Për mue, -s hkruan ai, – kjo asht në një  pjesë të mirë të saj, një poezi e diskutueshmne për disa arsye, sic asht ajo e reduktimit të figurës si mjet më vetë e, në disa raste, e shmangjes së saj nga tradita e  poezisë sonë…”.

Për ta ilustruar mendimin e tij, ai merr si shembull poezinë “Laç” dhe ndalet te vargjet:

 Shoh se si një mbrëmje vere,

do të zbresë nga mali një malësor ,

si kompas mbi këmbët e gjata.

   Më tutje veçon vargjet :

Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,

s’do të gogësijë duke pirë caj,

i futur në pizhame.

“Sa i ruejnë tiparet e një poezie kombëtare disa vjersha të  Kadaresë?” – shtron pastaj ai pyetjen.

Mirëpo, të shtrosh këtë pyetje dhe  në këtë mënyrë,  do të thotë ta ngushtosh shumë konceptimin e kombëtares, për të mos thënë se nuk e kupton këtë konceptim të ri, ose, për më keq, se nuk do që  ta përceptosh. Dhe kjo sepse ai nuk duron figura të tilla, të cilat për herë të parë e më guxim po përdoreshin nga poeti i ri, që thyente tabunë vendosur me një ligj të pashkruar nga poetë e vjetër, duke përfshirë  edhe vetë Mark Gurakuqin..

Të njejtin qendrim mban ai edhe ndaj poezisë së Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit. Duke e vlerësuar Agollin si “ndër poetët ma të talentuem”, qysh në vëllimin e  tij të parë “Në rrugë dola”, Gurakuqi, papritur vëren se “edhe ai ka fillue të kapet pas kërkimit të figurës”. Dhe si shembull për këtë merr vargjet: 

#itjanet mjegulla i ngriti e bredh,

ashtu si plakë,

kur lumin hedh.

Dhe më poshtë:

Dhe fletët e trishta i hodhi zabeli,

si fjalë idili. 

si fjalë gazeli..”.

Të gjithja  këto gjetje edhe sot të goditura, Mark Gurakuqi i quan si figura “të kërkueme të papërceptueshme e alogjike , sepse “ç’punë ka mjegulla me citjanet e plakës”, (po aty).

Më poshtë në artikullin e tij ai nuk kursen as Fatos Arapin, i cili duhet thënë se deri          në atë  kohë ende nuk kishte botuar vëllimin e e tij të parë poetik, por kishte tërhequr vëmëndjen e kritikës dhe lexuesit me poezitë e godituar   në shtypin letrar.

Mark Gurakuqi e cilëson Arapin poet “që nuk parakuptohet e nuk shijohet shumë”, për shkak se në të hasen “gjurmë të një përceptimi të mjegullt poetik, ku figura nuk asht në funksiontë idesë.”(Po aty).

Eshtë për të ardhur keq, por duhet thënë se  në këtë artikull të gjatë studimor shprehej  një farë zilie, sic më thoshte më pas një miku im që u bë edhe përgjegjës i redaksisë së poezisë ne Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Gurakuqi, sipas tij, dhe të tjerë poetë të vjetër, i kishin  zili poetët e  rinj,  jo sepse përdornin figura, që shpinin në “shfaqje manierizmi”, por sepse ata vetë nuk ishin më gjendje të krijonin poezi me të tilla figura.

Natyrisht, sic thekson Agim Vinca – “audatur et altera pars”, (shprehje latine:”Të dëgjohet edhe pala tjetër.”)

Pjesa e fundit

DHE PALA TJETER NUK VONON TE  PERGJIGJET

Agolli kundër Gurakuqit

Ishte Dritëro Agolli  ai që iu  pëgjigj Mark Gurakuqit në nëj artikull me titull shumë kuptimplotë: ”Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, botuar në gazetën “Drita”, më 27 gusht 1961.

Ky ishte i pari artikull serioz kritik që botonte poeti ynë i ri, aso kohe gazetar  i “Zërit të Popullit”. Dhe, ç’është më intreresante, në këtë artikull ai më shumë se sa mbron poetët e rinj, duke përfshirë edhe veten, kritikon krijimtarinë e poetëve të  vjetër , duke shpallur kështu hapur luftën kundër konservatorizmit dhe dogmatizmit  që kishte mbërthyer deri atëherë poezinë shqipe.

Në këtë artikull Agolli nënvizon se poezia e deriathershnme e poetëve të vjetër vuante nga skematizmi, nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja, trajtimi i zbehtë i dukurive  jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet tek tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njejta vepër”, (po aty).

Këto gjykime ai i përcillte me shembuj nga poezitë e vetë Mark Gurakuqit dhe potëve të tjerë konservatorë, Luan Qafëzezit. Kolë Jakovës, Aleksandër Banushit, Llazar Siliqit, të cilët, veç të tjerash, kishin një konceptim jorealist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur me epitete stereotipe që i kemi përmendur dhe në pjesën e parë të këtij cikli, si kreshnikë, syshqiponjë, trima me fletë, zemërshkëmb, etj., kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideoemocionale të kujtojnë heronjtë e baladave të shekullit XV.”(“Traditë , natyrisht, por jo shtampë’, “Drita”, 27 gusht 1961).

Dritëro Agolli theksonte më tej se, të kënaqur me krijime të nivelit mesatar, nën preteksin e ruajtjes së traditës, që s’është vecse një iluzion i bukur, e frenojnë procesin e rinovimit  të poezisë ,  ngushtojnë përmbajtjen e tematikës…varfërojnë teknikën e mjetet shprehëse dhe, për pasojë, e ftohin lexuesin prej poezisë.” (po aty).

Ky artikull shkruar me profesionalizëm dhe zgjuarsi, ishte vazhdimi  jo vetëm i diskutimeve të Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit në takimi e 11 korrikut, ku ai kishte munguar, por dhe vazhdimi një artikulli tjetër të rëndësishëm të poetit dhe kritikut, Drago Siliqi, i cili do të humbiste jetën tragjikisht në një katastrofë ajrore më 1963, me titull “Në kërkim të së resë”, që ishte botuar po në gazetën “Drita’, më 18 , 25 qershor dhe 2 korrik, te vitit 1961, artikull  cituar  në pjesën e parë të këtij cikli.

 Siç thekson Agim Vinca, Drago Siliqi në këtë artikull”…merret  me shpjegimin dhe intrepretimin e e këtij fenomeni, duke e shikuar atë në lidhje të ngushtë me procesin letrar të kohës, në kohën kur, kërkimi i së resë, ishte bërë “çështje dite”. (“Alternativa letrare…”faqe 68).

EPILOG 

NGADHENJIMI I SE RESE DHE HARA#I I SAJ 

Në këtë betejë të gjatë poetët e rinj fituan. Natyrisht, në radhë të parë nga mbështetja që u dha vetë Enver Hoxha për arsyet që kemi përmendur më lart. Si çdo diktator,  ai do t’i shfrytëzonte poetët e rinj,  që t’i thurnin himne partisë dhe, doemos, dhe udhëheqësit të saj “gjenial”, pra, vetë atij, detyrë prej skllavi që poetët e rinj, siç e kemi vënë në dukje, ishin të detyruar ta zbatonin. Ja sepse redaktorët, “për të qenë brenda”, ishin, edhe ata, të detyruar t’u kërkonin poetëve që vëllimet e tyre të nisnin  pa tjetër me poezi kushtuar Partisë dhe shokut Enver.

Po jap një shembull tipik që ma ka treguar miku im, kritiku i njohur letrar,Adriatik Kallulli: 

  ”Kur Bilal Xhaferi, – kujton ai,- më solli vëllimin e tij poetik, “Lirishtja e kuqe”, vura re se nuk kishte përfshirë në të as edhe një poezi për Partinë. E këshillova që të shkruante një të tillë. Dhe pas disa ditësh ai më solli një poezi që fillonte me këto vargje:

Parti,

emrin tënd të gdhendur  e kam,

në pëllëmbën e dorës sime. 

Thikë me dy presa. Pra: ” E dua kaq shuëmë partinë, sa e kam me vete kudo në dorë,” por edhe: ”Dua, s’dua, partia nuk më ndahet, përderisa shkronjat e saj  më janë ngulur në dorë.”

Megjithatë, poetët tanë më të mirë vazhduan rrugën e tyre drejt  krijimit të një poezie  që shtronte kërkesa të reja duke kapërcyer madje  edhe kufijtë që kishte shpallur  vetë diktatori.

Dhe e paguan rëndë. Më 1965 në gazetën  “Drita” botohej poema “Baballarët”  e Dritëro Agollit. ”Pati pëshpëritje dhe pakënaqësi për një farë “patriarkalizmi” në poemë,- vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”, (faqe 150). Dhe vazhdon: ”Para një gote konjaku Agolli pinte i vetëm. Ishte i dëshpëruar. Shkova drejt tij…Në çast Dritëroi tha :”Kështu i duan këta? Unë i bëj më të mira”. (po aty).

Më pas, me sa dihet, ai e ripunoi poemën, që më 1969 fitoi madje edhe çmimin e parë në konkursin letrar me rastin e 25-vjetorit të Clirimit.

   Vëllimi poetik “Më jepni një emër”, i Fatos Arapit, jo vetëm nuk do të qarkullonte për gabime të rënda ideore, por ai  vetë, nga pedagog i letërsisë në UT, do të përfundonte mësues në një shkolle mbrëmjeje. Kjo ndodhte pas Plenumit të 4-t të  vitit 1973.
Ismail Kadareja, pasi ishte kritikuar rëndë më 1969 për botimin në faqet e “Nëntorit “ të novelës “Përbindëshi”, që do të hiqej edhe ajo nga qarkullimi, më1973 për gabime ideologjike në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” që u detyrua ta ripunonte dhe ta ribotonte disa vjet më vonë, më 1975 , siç e pamë dhe më lart, do të kritikohej ashpër nga vetë tirani në ditarin e tij vetjak të datës 20 tetor 1975  për poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, të cilësuar prej tij  si vepër armiqësore dhe vetë Kadereja si ‘poet korbash”. 

  Siç shprehet në faqet e këtij ditari, veç të tjerash,  atë e tmerruan vargje të tilla të kësaj poeme si:

 Burokratët janë tjetër gjë,

Jo me bojë pelikan përjargur, 

Si tuafë të këndshëm, ho,ho,ho,

 Por të kobshëm,

 Me duar të përgjakura, 

Gjer  në bërryle unë i shoh.

  Ndaj në ditarin e tij për këto vargje diktatori shkruante tërë mllef:

  ” Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”. Të gjithë këta përbindësh të veshur “si pashallarë  të kuq me dekorata…etj.,”, kanë zyrat, ministritë , Komitetin Qendror dhe e çojnë trupin e revolucionit në varr”. ( Ditari vetjak 20 tetor 1975).

   Dhe më poshtë ky i ashtuquajtur vazhdues  i veprës së Markit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, duke përdorur një fjalor banal dhe të pështirë të denjë për një rrugaç, e urdhëron kështu lakeun e tij, Ramiz Alia:

  “…Përgatitu dhe thir Ismail Kadarbë  e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë”.

  Nuk mjaftohet me kaq, por pastaj i sulet dhe Ramiz Alisë, që e kishte dhe ideologun e tij dhe e asgjëson me fjalët përcmuese:

  “ Nuk të lejohet të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga figurat dhe pseudomburjret që i bën Enver Hoxhës. Kjo, i them, Ramizit, tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë…..Duhet të kesh forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti”. (Ditar vetjak, 20 tetor 1975).

   (Sigurisht me fjalët “ pikëpamje liberale” diktatori e ka pasur fjalën për Festivalin e 11-të të Këngës në RTVSH, (22-26 dhjetor 1972) dhe dukuri të tjera në fushën e letërsisë dhe arteve, që janë trajtur në pjesët e para të këtij dosieri, për të cilat i pari  kishte pasur përgjegjësi Ramiz Alia, ndaj të cilave kishte marrë masa, deri në burgime dhe internime, kurse ndaj tij vetëm disa kritika, pikërisht për këto pikëpamje liberale që po nxirnin kokë përsëri tek ai).

   Sikur këtë poemë ta  kishte shkruar ndonjë poet tjetër, pa më të voglin dyshim do të kishte përfunduar prapa hekurave. Por, siç dukej, megjithë urrejtjen, por edhe  dhe zilinë ndaj Kadaresë që po përkthehej jashtë vendit nga “shtëpi botuese borgjeze”, siç i quan ai në ditarin e tij, kurse të ashtuquajtura vepra të tij përfundonin në bodrumet e ambasadave ose në koshat e plehrave, të hedhura nga ata të cilëve u ishin dhuruar, Enver Hoxha nuk e mori  këtë masë të skajshme kundër  Kadaresë. 

   Dhe kjo, sepse e merrte me mend se personalitete të mëdha të kulturës dhe letërsisë botërore do të ngriheshin dhe do të kërkonin lirimin e mënjëhershëm të të këtij shkrimtari që kishte tashmë popullaritet në shumë vende të botës dhe do ta demaskonin atë si diktator fanatik stalinist. Dhe nuk do të gabonin as edhe një grimë.   

   Po të kthehemi të problemet që po trajtojmë.

  Vini re: Janë pikërisht ata poetë që u kritikuan më 1961 nga poetët e vjetër për “izmat” e tyre dhe u morën në mbrojtja nga Enver Hoxha.!..Por tani e kishin kapërcyer kufirin e caktuar nga ai!…

Do ta pësonin edhe shumë poetë të rinj për të cilët Kadareja, Agolli e Arapi ishin shembujt më të mirë se si mund të shkruhej poezi me frymë bashkëkohore.Të tillë ishin B. Xhaferi, vëllimi poetik i të cilit, “Lirishtja e kuqe” dhe romani “Krasta Kraus”, u ndaluan dhe ai  u detyrua të arratisej në Greqi e që andej në SHBA, ku u gjend i vdekur në një spital të Cikagos në rrethana misterioze. (Hamendësohet të ketë pasur dorë Sigurimi i Shtetit). H. Qendro, redaktori i vëllimit me tregime “Zhurma e erëravë të dikurshme” të Agollit  dhe poet me talent,u internua për vite e vite  në fshatrat e Progonatit, F. Haliti,u  degdis në humbëtirat e  Lushnjës, Xh. Spahiu, dy herë i kritikuar nga vetë Enver Hoxha  për poezi surealiste, shpëtoi çuditërisht pa u dënuar.  H.Mece u dërgua me dënim në Vlorë, M. Zeqo u hoq nga gazeta “Drita”.Të dy për dukuri   hermetike në poezitë e tyre, kurse një tjetër, Frederik Reshpja, poet i talentuar,  përfundoi madje në burg dhe pas tij edhe poetët J.Bllaci. Z.Morava. P.Taçi…

Në  përpjekje për t’u arratisur më 1963, fat tragjik pësoi poeti ushtarak,Trifon Xhagjika,I  cili u dënua me pushkatim. Këtë fat pësuan edhe  poetët e rinj V.Blloshmi dhe G. Leka, që u pushkatuan mizorisht më 1978 nga diktatura.

”Afirmohuni me vargun tuaj dhe, në rast se ju do populli, ai varg është i mirë,” u bënte thirrje Enver Hoxha poetëve të rinj në takimin e 11 korrikut të vitit 1961.

Mashtronte. Populli i kishte afirmuar poetët e rinj. Por jo  ky diktator. Ja sepse, herë pas here, siç e pamë, kur shihte edhe shkarjen  më të vogël nga kanunet e tij, vringëllonte pa mëshirë, kosoren mbi kokat e tyre.

Sidoqoftë, poetët, atëherë të rinj, Kadare,Arapi,Agolli, e pas tyre të tjerë që u frymëzuan nga krijimtaria e tyre, ngadhënjyen. Këtë e dëshmon edhe veprat që krijuan në atë periudhë të plumbtë, e cila, me gjithë censurën e fortë, tingëllon  e freskët, e gjallë, kumbuese edhe në ditët tona.

FUND

Filed Under: Politike Tagged With: “GJU ME GJU”, diktatori, ME POETET, Skifter Kelliçi

‘C 35 US rënë në tokën shqiptare’, romani më i fundit i shkrimtarit Skifter Këlliçi

February 19, 2021 by dgreca

Pas romanit ‘Shtatori i gjëmës së madhe’, kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit në kullat binjake të Nju Jorkut, në të cilën   midis 3000 viktimave ishin dhe e tre shqiptarë, personazhe të romanit, shkrimtari Skifter Këlliçi del para lexuesve me romanin ‘C 35 US rënë në tokën shqiptare’ këtë radhë me temë shqiptaro-amerikane. Romani merr shkas   nga një ngjarje e vërtetë:
     Në nëntor të vitit 1943 një avion ushtarak amerikan   po drejtohej për në Bari, për të marrë ushtarë amerikanë të plagosur rëndë   në luftime kundër nazistëve gjermanë dhe për t’i shpënë në Spitalin Ushtarak Amerikan në Katania. Por për   shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe prishje së radiomarrësit, avioni u detyrua të ulej në Belsh të Elbasanit, ku u prit me ngrohtësi nga banorët vendas. Që aty, për dy muaj nis aventura e grupit të mjekëve dhe infermierëve, djem dhe vajza amerikane, që të ndihmuar nga fshatarë të viseve të   Shqipërisë së Jugut, iu shmangën ndjekjeve të njësive të pushtuesve  gjermanë,kaluan në fshatra të Korc$ës, Gjirokastrës dhe Vlorës,të mbrojtur dhe nga formacione partizanësh dhe ballistësh, që lanë kundërtitë midis tyre, dhe   arritën në brigjet e Karaburunit, ku u morën nga një anije angleze dhe u derguan në Bari. 
  

Po botojmë fragmentin e fundit te romanit.

Hodoja se bashku me Abazin dhe disa trima të tjerë të tij, po ktheheshin nga Dhërmiu ku kishin shoqëruar amerikanët, për në Dukat. Ballistët e tjerë ishin bashkuar me forcat gjermane. Por, kur dëgjuan krismat e armëve, u ndalën dhe kthyen kryet andej nga vinin ato krisma, andej nga deti, andej nga ishte duke ardhur anija, ajo që do të merrte grupin e amerikanëve, por vetëm nëse partizanët, dhe ata vetë, do të mposhtnin dhe asgjësonin gjermanët.
 – Hodo, i pritëm amerikanët sipas zakonit si miq dhe i shoqëruam deri te caku ynë si të tillë, – tha Abazi me një zë që shprehte ndërdyshje, lëkundje, ngurrim. – Tani ata dhe partizanët, gjithashtu sipas zakonit, janë armiqtë tanë.
 Ai heshti, si të kishte frikë të shprehte atë pezëm që po mposhtte në vetvete, por pastaj ndrojturazi tha: 
 – Por mua nuk ma thotë zemra t’i quaj armiq.
 Hodo nuk bëzani.
 – Hodo, po hidhem të luftoj krahas tyre, – vazhdoi pastaj Abazi.
– Por tok me ta po luftojnë partizanët?! – nënqeshi përvuajtshëm Hodoja.
– Unë do të luftoj që të mbroj amerikanët, – tha Abazi.
 Nuk priti se ç’do t’ i thoshte Hodoja, që mund ta qortonte, që mund t’i kanosej, që mund t’i dilte përpara dhe të rrekej ta ndalte. 
Nga ana tjetër, Hodoja u mat pastaj të shtonte se po ai po bënte gabim të rëndë, por u rrëkut i tëri, kur pa se edhe ballistët e tjerë ndoqën Abazin. Me sy të vëngëruar deshi t’i ndiqte, deshi të klithte, të sokëllinte, të ulërinte si shtazë e egër, por nuk bëri gjë tjetër, veçse vështroi nga bregdeti, atje ku lufta vazhdonte, atje ku ballistët e tij ishin tani bri amerikanëve dhe partizanëve, kundër gjermanëve, në shërbim të të cilëve ai vetë ishte vënë.
 Dhe ashtu mbeti…

 x

 Amerikanët vazhdonin të luftonin. Djem dhe vajza. Me ta si ngaherë edhe Kosta, së bashku me partizanët. Ata, djem dhe vajza e kuptonin se ky ishte rasti i fundit për të shpëtuar, sepse, nëse nuk fitonin në këtë betejë, nuk do të ishin më të ndjekur nga gjermanët, por skllevërit e tyre. Ndaj duhej të asgjësonin së pari artiljerët e topave kundërajrorë gjermanë. 
Javë më parë strukeshin dhe luteshin atje në avion që ai të mos goditej nga predhat që lëshonin artiljerë armiq kundër tij. Tani ata nuk strukeshin dhe as luteshin, tani pas guroreve, ata goditnin, së pari artiljerët, që do të qëllonin kundër anijes, e cila po vinte, anijes që do të sillte lirinë e tyre. 
Disa gjermanë, duke ecur të kërrusur dhe pastaj duke u zvarritur, arritën t’i dilnin pas krahëve grupit të partizanëve, bashkë me të cilët vazhdonin të luftonin amerikanët. 
 Ishin çaste të mynxyrshme. Por lëvizjet e tyre i pikasi Rikardoja, i cili i ndoqi me sy, i strukur pas shkëmbinjsh dhe me mitralozin e tij që nuk e kishte ndarë kurrë nga dora, që kur kishin zbritur nga avioni në Belsh, me breshëri të shtënash arriti t’i rrëzonte të vdekur.
 Erdhi një çast dhe beteja mbaroi. Gjermanët, duke parë se po pësonin humbje të mëdha, u tërhoqën dhe autokolona e tyre u kthye andej nga kishte ardhur.
  Në të dy anët e rrugës shiheshin tani të vrarë të forcave ndërluftuese. Midis tyre Gareth Tejlori, radisti anglez. Kishte mbetur i vrarë edhe Diegoja, italiani, që edhe ai me aq dëshirë ishte bashkuar me amerikanët. Kishin mbetur të vrarë dhe plagosur ballistë dhe partizanë. Kishin mbetur të plagosur rëndë edhe Billi me Polin. 
Çarlsi po ndihmonte një partizan të plagosur, i cili, ngaqë nuk fliste dot nga dhembjet e plagëve në kraharor, bëri me dorë, diku tutje nga shkëmbinjtë. Çarlsi vështroi andej dhe shqoi një ushtarak shtatlartë gjerman, një gjeneral me trup dhe me sy të mbërthyer tek ai. Dhe nuk po ia ndante. Me automatikun të ngrehur zuri t’i afrohej deri sa u ndodh vetëm disa hapa larg tij.
Çuditërisht, gjenerali gjerman nuk lëvizi, nuk u kthye, nuk ia dha vrapit, ashtu siç ndodh zakonisht ne beteja ku humbësit marrin arratinë, për t’u shpëtuar ndjekjeve të armiqve ngadhënjyes, të cilët nuk e kanë të vështirë t’i arrijnë, t’i kapin dhe, ajo që është më e tmerrshmja, t’i vrasin mizorisht. Dhe e kishte këtë mundësi. Prapa shpatullave të gjeneralit gjerman nderej një hapësirë e pamatë, një pyllishtë veshur me drurë, shtigje, e monopate, ku ai mund të depërtonte, mund të humbte gjurmët dhe natës së thellë dhe të nxirosur, të kaptonte brigje e gërxhe dhe, ndonëse i uritur, i etur, i çartur, të arrinte i shpëtuar tek të tijtë, që po ndereshin paprashëm në krahinat e jugut të këtij vendi. 
 Jo, ai qëndronte dhe dukej sikur po priste atë vetë, Çalsin, si ta kishte mik të hershëm, me te cilin, befas një ditë kishte pasur grindje kaq të ashpra, për çështje sedre a nderi, që duhej të shoshiteshin vetëm me dyluftim.
 Por Çarlsi pikasi që ai nuk kishte armë në dorë. Për më tepër, mbante krahët të lëshuara poshtë, sikur të dëshmonte se nuk kishte ndërmend të luftonte, as edhe të përleshej trup me trup me të, ashtu si në mundjet e kahershme greko-romake. 
 Ai qëndronte para tij i ngurtësuar, si shtatore e gjallë, me sy të prushitur, vështrim të bishëruar, si të ( si të donte të tregonte se) arma e tij e fundit ishte goja, nga buzët e tij të zhuritura të së cilës do të shpërthenin fjalë të serta, përzhitëse, që do ta goditnin atë, po me fuqinë e predhave. 
Dhe ashtu ndodhi.
– Zoti amerikan, jam gjenerali nazist Henkel, – tha pastaj me përçmim dhe krenari. – Siç e shihni, po ju pres i çarmatosur, ndonëse kisha mundur që nëpër këta shkëmbinj dhe pyllit pas të zhdukesha dhe kështu të shpëtoja, por me turp. Pata premtuar t’ju kapja, ose ndryshe do të vrisja veten, t’ju kapja ju dhe shokët tuaj, që ratë nga një avion juaji këtu, në tokën shqiptare por, për habi të gjithkujt, u mbajtët nga populli i saj, që kaq shumë ju mbrojti dhe tani po ju shpëton. Nuk dua kurrsesi të bëhem rob juaji… 
Çarlsi nuk arriti të kuptonte se ç’po ndodhte, por kur vuri re se gjenerali diç shtrëngoi brenda gojës, se pastaj fytyra iu ngërdhesh dhe u plandos pa lëvizur përtokë, besoi se ai i kishte dhënë fund jetës së tij.

 x

 Barka të lëshuara nga anija po merrnin me ngut amerikanët në bregdet. Në barkën e parë Rikardoja me shokët ngjitën me vig Billin dhe Polin, të cilët nga plagët rënda kishin humbur ndjenjat, pastaj zemërsfilitur edhe kufomën e Tejlorit dhe të Diegos. 
Kur barka e dytë po i afrohej anijes, Violeta dhe Çarlsi u habitën kur në kuvertë shquan Xhonin që ua bënte me dorë.
– Xhon, ti këtu? – tha pastaj Violeta duke u përqafuar plot mall me të.
 – Po, Violetë, unë i tëri, – iu përgjigj Xhoni.
 Pasi u përqafuan dhe me Çarlsin, Xhoni u tha:
 – Solla me avion në Bari teknikë që të ndihmojnë forcat tona për ndërtimin e disa fortifikatave. Dhe gjeneral Kallageri me dha leje të nisesha me këtë anije angleze, që të ktheheshim bashkë.
Pa mbaruar mirë këto fjalë, ai e përfshiu Violetën në krahët e tij dhe e puthi sërishmi.
 – Po puthu dhe ti, Donikë me Rikardon, paçka se gjithnjë keni qenë bashkë, – tha Çarlsi, që nuk e kishte zakon të bënte shaka.
– Nuk po ta prishim, Çarls, – tha Rikardoja dhe nisi ta puthte Donikën. 
Ndër amerikanet e fundit që kishte mbetur në breg, ishte Agnesi. Ajo ktheu kryet nga Kosta. Pastaj iu afrua dhe qëndroi përballë tij. Pa ia ndarë miklueshëm sytë, pa shqiptuar asnjë fjalë. Vetëm zgjati dorën; gishtat e saj prekën ballin, fytyrën e Kostës. Pastaj edhe ai zgjati kokën dhe buzët e saj u puthitën me buzët e tij.
Atëherë ai nderi të dy duart dhe i vuri pas shpatullave të saj; të dy u ngjeshën pas njeri- tjetrit, aq sa u duk sikur ata po treteshin, si të ishin një trup, një shpirt, një zemër e vetme.
 E kredhur tani në një përhumbje dalldisëse, ajo vazhdoi ta puthte edhe më dendur, në sy në ballë, përsëri në buzë, si të donte të shuante me këto puthje tërë atë afsh dashurie dhe përmallimi që kishte ndrydhur në shpirt gjatë atyre javëve që ata ishin njohur. 
 – Të dua shumë, shumë, Kosta, – mundi të thoshte, megjithëse e kuptonte që me ato puthje zhuritëse kishte shprehur gjithçka
– Edhe unë, Agnes.
 Të dala nga goja e tij ato fjalë tingëlluan si shushurimë.
 – Atëherë, përse nuk vjen me mua në Amerikë?
 Kosta heshti një grimë.
 – Të kujtohet ç’më the atë ditë kur po bisedonim në spitalin partizan?- e pyeti me aq drojë dhe me aq brishtësi, thua se pa dashur po e fyente.
 Edhe ajo heshti një grimë dhe e mbështolli me një vështrim sylëbyrës.
 – Po, Kosta, – mërmëriti pastaj dhe sytë iu venitën: “Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë”. Petëf.
 E puthi sërishmi, pa mundur të mbyste në vetvete një thirravajë. Edhe Kosta. 
Dhe ashtu siç shkëputet me vështirësi një magnet nga një magnet tjetër, ata gjetëm fuqi të shkëputeshin nga njëri-tjetri. Agnesi hipi në barkë dhe nuk e ktheu kokën pas.
Kosta mbeti vetmitar në breg dhe i bëhej se ndiente ende erëmimin e trupit, fytyrës dhe buzëve të saj.
– Pa na rënë në sy, u dashuruan në heshtje gjatë këtyre javëve që u ndodhëm në Shqipëri, – tha Çarlsi, që po i ndiqte me vështrim të përkorë nga barka tjetër.
– Dhe po në heshtje po ndahen, – tha nga Margareti pranë tij. – Ky qe dhe fati i dashurisë së tyre të trishtë.

 x

Kur anija u nis, të gjithë në kuvertë përshëndetën edhe një herë Kostën, që vetmonte ende në bregdet. 
– Kosta Stefi! – tha Çarlsi dhe iu bë se një mallëngjim drobitës po zgavronte qenien e tij. – Ç’njeri i mahnitshëm! Bëri tërë atë rrugë dhe vuri kokën në rrezik që ne të shpëtonim!
– Po Hasani, – tha Davidsoni, – të cilit u shtrëngova t’i prisja një këmbë, pa anestezi, ai që për pak dha jetën, që të na lidhte me misionin anglez! Pastaj edhe ai bashkëfshatari i tij dhëndër, që la gruan përjetësisht kërcure natën e parë të martesës, që të na gjendej neve pranë. 
 – Po ata fshatarë që edhe shpirtin ishin gati te jepnin për ne! – tha Bergmani.
– Po Kamberi, ai fshatari që u vu përballë atij oficerit gjerman dhe u vra për të më shpëtuar mua dhe dhe Agnesin! – tha Margareti.
– Po ata partizanë që na dhanë zemër edhe neve, vajzave, të luftonim kundër gjermanëve! – shtoi Gertruda.
 – Po Tejlori, radisti anglez, që na lidhi me Katanian, që na shoqëroi deri këtu dhe u bë edhe ai theror për ne! – tha Billi, që, ashtu si të tjerët nuk mbajti dot lotët.
– Nuk do të harrojmë kurrë edhe ata ballistë me Hodo Memon, që na pritën dhe na përcollën, – tha pastaj me gulç Donika. – Besoj, Agnes, i ke mbajtur shënim të gjitha këto ngjarje, që përjetuam në këtë vend kaq të vogël, në atdheun tim, të quajtur Shqipëri?
– Po, Donikë, të gjitha i kam mbajtur shënim, – iu përgjigj Agnesi ende e mbytur në lot, gjithnjë pa e kthyer kryet nga bregdeti. 
 Edhe Kosta pa se si anija më së fundi u imtësua dhe iu tret nga pamja. Atëbotë, ndjeu se dikush e preku nga pas. Ishte Hodo Memo.
Pasi Abazi dhe ballistët e tjerë e kishin lënë vetëm, kishte zbritur edhe ai në bregun e detit, që edhe ai t’u jepte amerikanëve një lamtumirë, por nga larg.
– Çështja për shpëtimin e amerikanëve na bashkoi edhe ne, ballistë e komunistë, – i tha Hodoja, si të rënkonte. – Doemos, sepse ata janë aleatët më të mëdhenj në këtë luftë, kundër fashizmit gjerman, që rrezikon botën, – tha Kosta. 
– Dhe që nga ky çast ne ndahemi, për t’u bërë përsëri armiq. Përse, Kosta? – pyeti i trandur Hodoja dhe sytë iu muguan. 
– Sepse ju po bashkëpunoni me gjermanët, Hodo, – iu përgjigj Kosta edhe ai trandur. 
– Vetëm e vetëm që të mposhtim komunistët, për të bërë më pas një Shqipëri demokratike. Kurse ju jeni bërë palë me komunistët serbë, që në Shqipëri të vendosni një diktaturë të egër, si në Rusi!
 Kosta mbeti i shugatur.
– Ke hak, – tha pastaj zemërlavosur. – Sidoqoftë, ne, vëllezër të një gjaku, duhej të ishim bashkë në këtë luftë të madhe dhe të përgjakshme.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Skifter Kelliçi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT