• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

COVID-19 NË BRUKSEL DHE SHQIPTARËT NË BELGJIKË

May 8, 2020 by dgreca

Gazetarja Ledja Canaj rrëfen nga karantina për gazetën Dielli, Brukselin e izoluar, bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja/

Ledja Canaj ne studio.

Brukseli nuk është më si më parë. Kryeqyteti belg nuk është me dinamik. Kryeqendra institucionale europiane i ngjan një zbraztie të trishtë, të zymtë, të vakët. Covid-19 ka shëndërruar qendrat më të mëdha europaine në sheshe boshe që të ngjallin një trishtim të madh. Kudo ka frikë e panik. Jetohet me të panjohurën nëpër këmbë. Motori financiar i Brukselit është prerë, nuk ka më qarkullim, nuk ka më konsum, nuk ka më evente, maratona, apo koncerte. Universitet jane mbyllur, shkollat pjesërisht janë hapur sot, spitalet i kanë anuluar të gjitha konsultat dhe i kanë dhënë përparësi vetëm urgjencave, fluturime pothuaj nuk ka fare, udhëtimet me tren janë të limituara, institucionet Europiane nuk gëlojnë më nga diversiteti që hasje dikur. Duket se Europa ka marrë një goditje të fortë që do duhet kohë e gjatë për rimëkëmbje. Kjo pandemi botërore ka ka shkundur të gjitha shtetet dhe institucionet e vendeve të eurozonës sidomos. Më shumë se kriza e tanishme duket se të trishton e nesërmja që sdihet si do të jetë. Pasiguria është rritur kudo. Brukseli të plogështon edhe më shumë, kur mendon se sa shqiptarë janë në kampe refugjatësh në këtë periudhë. Sa e sa të tjerë jetojnë në menyrë ilegale dhe burim financiar kanë pasur vetem një punë në të zezë(pastrim apo ndertim) të tillë ka shumë, që janë me fëmijë e nuk e paguajnë dot më qeranë por në këto ditë karantine i janë drejtuar kishës për të marrë disa ushqime bazike. Nuk mungojnë dhe rastet kur disa prej bashkëatdhetarëve tanë e kanë humbur luftën me Covid -19, trupat e tyre gjenden ende në morg sepse amaneti ka qenë të varrosen në Shqipëri. Kjo pandemi botërore ka helmuar shumë zemra, dhe ka shokuar shumë të tjerë. Dikush më shumë, dikush më pak, të gjithë jemi të humbur nga kjo kohë e ngecur, nga kjo kohë e çmendur, nga ky vit i trishtë dhe i brishtë.   

Bruksel.

Gazetarja shqiptare Ledja Canaj punon dhe jeton prej 4 vitesh në Bruksel, Belgjikë. Pas një eksperience të gjatë në median vizive në Tiranë, në shtator të vitit 2016 Ledja zhvendoset në Belgjikë ku iu dha mundësia të moderonte në Radion Jehona e Shqipes-Bruksel. Më shumë se kenaqësi, është përgjegjësia që të lind në atë radio e cila fillimet i datojnë që në 20 shkurt të vitit 1986 tregon për Diellin Ledja Canaj. Një zë i lirë që artikulonte Shqip, në mes të Europës, e në një Shqipëri teresisht të mbyllur nga regjimi komunist. Të gjithë e dimë sfidën që mbartin ato vite. Veç këtij angazhimi në Radio për të promovuar gjuhë e kulturë –shqipe në Belgjikë, Ledja punon me kohë të plotë në një Organizatë Belge me staf Internacional. Quhet SeTis, laboratori i përkthyesve dhe mediatorëve kultural. Aty janë rreth 80 përkthyes nga e gjithë bota dhe shërbejnë në gati 47 gjuhë të ndryshme. Ata janë prezent kryesisht në të gjitha institucuonet shtetrore (gjykata, burgje, zyra pune, shkolla, spitale etj). Përpara datës 13 mars, ditë kur u komunikua nga Qeveria Belge–lockdoun, jeta jonë, aktiviteti ditor, interesat ndryshuan menjëherë shpjegon Ledja. Ajo na tregon jetën që dikur bënte përpara mbylljes në shtëpi. “Unë kisha një ditë të ngarkuar me 4-5 takime pune çdo ditë gjatë orarit 09:00-17:00, më pas merrja vajzën nga shkolla e çoja në Conservatuar e Brukselit-Balet Klasik. Ato 90 minuta /3 herë në javë i shfrytëzoja për të marrë pjesë në një seminar, aktivitet libri, arti apo sporti. Pas orës 19:00 hynim në banesë, e aty fillonte gatimi e përgatitja për ditën tjetër. Ditën e shtunë ia dedikoja fëmijëve Shqiptare të ardhur apo të lindur në Belgjike, për të transmetuar tek ta rëndësinë që ka gjuha e nënës në zhvillimin dhe formimin e personalitetit të tyre. Pra çdo të shtunë, 16:00-18:00. Në “Muntpunt” Biblioteka Nerlandofone, në qendër të Brukselit me fëmijët recitonim poezitë Mitrush Kutelit, Dritero Agollit e të gjithë autorëve që janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Projekti vullnetar quhet “Festivali Fjalës Artistike”, një mundësi shumë e mirë për ta përfshirë në “Meetup” dhe komunitetin Shqiptar. Dita e dielë është e radios 15:00 – 17:00. Por sigurisht që përpara se të dalësh në transmetim live e kur dëgjohemi në FM dhe internet, numri dëgjueseve është mbi 3000, të duhet dhe të mbledhësh informacion të përshtasësh të ftuarit me aktualitetin apo me çështjet me të rëndësishme për gati 70.000 shqiptare që jetojnë në Belgjikë. Çdo veprim ka qënë vrapim, ritmin ta imponon jo vetëm lëvizja e kryeqytetit por edhe injoranca që të duhet të mësosh e të vraposh tre herë më shumë se vendasit (sepse ti i thua vetes që nuk ke kohë të rritesh bashkë me fëmijën, por ke detyrime si prind) dhe duhet thënë se kjo sakrificë për fëmijët ne na identifikon kudo ku ndodhemi si popull, në Belgjike, Itali, Gjermani apo Amerikë. Duhet të mësosh gjuhën, kulturën, zakonet dhe filozofinë e vendit ku ke zgjedh ta nisësh nga zero gjithçka. Prandaj për ne të huajt që nuk jetojmë me të ardhura të trashëguara por që çdo ditë duhet të punojme për ta siguruar ekzistencën kjo pandemi na ka impaktuar jo vetëm të tashmen por dhe të ardhmen e afërt. 

Filed Under: Featured Tagged With: Ledja Canaj, Sokol Paja

BETEJA E LONDRËS E RRËFYER NGA SHQIPTARËT

May 7, 2020 by dgreca

-ADRIAN FANDI DHE LINDA MUSLI DOKTORËT BASHKËSHORTË NË LONDËR RRËFEJNË BETEJËN E FITUAR NDAJ COVID-19-/

Dr. Adrian Fandi Associate Specialist në Emergency Medicine dhe Linda Musli Specialty Doctor në Emergency Medicine në spitalin Kingston Hospital Foundation Trust, London, UK, i rrëfejnë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, betejën që kaluan me Covid-19./

Doktor Adrian Fandi së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Dr. Linda Musli pranë “Kingston Hospital Foundation Trust, London, UK” kanë kaluar me sukses betejën personale ndaj Covid-19 dhe së fundmi ata kanë pranuar kërkesën e NHS England për të dhuruar plazmën e tyre me qëllim që të ndihmojnë pacientët me Covid-19. Doktor Adriani dhe bashkëshortja e tij Linda Musli vazhdojnë konsultat on line me shqiptarët në Londër dhe jo vetëm me qëllim asistimin dhe këshillimin për çdo nevojë mjekësore sidomos në kushtet e pandemisë botërore Covid-19. Së fundmi doktor Adrian Fandi është përzgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri dhe është bërë pjesë e grupit të eksperteve shqiptarë në luftën ndaj Covid-19. 

KONTAKTI ME VIRUSIN VDEKJEPRURËS

Doktor Adrian Fandi tregon se virusin e mori në mes të muajit mars gjatë një vizite normale në spitalin “Kingston Hospital Foundation Trust” në Londër gjatë kohës që po vizitonte një djalë të ri. “U preka nga kovid rreth mesit të marsit në një periudhë që sapo kishte filluar të përhapej virusi në UK dhe masat mbrojtëse për personelin shëndetësor ishin jo adeguate. Ndiqja me vëmendje çfarë ndodhte në Itali ku përhapja ishte masive, diskutoja me manaxherët për rritjen e masave të sigurisë së mjeteve mbrojtëse por ishte një përgjigje e vrazhdë ku ne në Angli kemi rregullat tona, rregulla që më vonë po na i ndërronin çdo 2-3 ditë. Në punë patëm urdhër që të mos përdornim maska në EmergencyDept ku nuk kishte të sëmurë me shënja Covid-19 se përhapnim panikun në popull. Kështu që duke vizituar pacientë në zonën e pastër, ose pa pacientë që dyshohen me Covid-19, po vizitoja një djalë 25 vjeç që erdhi me dhimbje koke e temperaturë që i kishte shpëtuar kolegut të filtrit. Natyrisht isha pa maskë dhe pas vizitës e kuptova që ishte Covid-19. Atij djali i kishte ikur nuhatja si dhe disa shënja të tjera si kollë e dhimbje gryke. Për momentin nuk u shqetësova por mu desh të ballafaqohem me eprorët për incidentin dhe kërkova prap vënien e maskave për të gjithë personelin e Emergency Department. Pas disa ditësh ndërruan rregullat për më mirë por tashmë ishte tepër vonë. Pesë ditë pas kontaktit duke u kthyer në shtëpi pas turnit të punës fillova të dridhem e sa arrita në shtëpi temperatura ishte 38 gradë celcius. Aty e kuptova se më erdhi radha edhe mua . Ishte data 25 mars dhe mediat në Itali flisnin për mijëra viktima nga Covid-19. Të gjitha kanalet televizive me ekspertë e pseudoekspertë që flisnin për këtë tragjedi e njerëz që humbnin jetën. Puna e parë, fika televizorin jo se kisha panik por nuk duroja më shpirtërisht këtë bombardim  mediatik” rrëfen i trishtuar doktor Adrian Fandi.

NDRYSHIMET NË TRUP PAS PREKJES NGA COVID-19

Pas prekjes nga virusi vdekjeprurës, doktor Adrian Fandi tregon se: “Temperatura ishte në rritje e tamponi doli positive pas 4 ditësh. Nuk kisha nevojë të ma thoshte tamponi por shënjat që kisha Covid-19. Nuhatja me iku, filloi dhimbja në gjoks, kur kollitesha më dhimbnin të gjithë muskujt, nuk kisha fuqi të çohesha për nevojat personale derisa më filloi edhe vështirësia në frymëmarrje. Ndërkohë një koleg më kishte sjellë një aparat për të mat oksigjenin në gjak dhe po e shifja që ulej ditë pas ditë. Në 1 prill frymëmarja mu vështirësua dhe gruaja ime, që është mjeke e punojmë bashkë në të njëjtin department, më çoi në spital. Aty kolegët më pritën të mallëngjyer e të shqetësuar. Analizat ishin jo mirë, oksigjeni ishte ul 89% nga 95 e lart nga sa duhet të jetë. Fillova oksigjenin si dhe pyeta a do marr ndonje ilaç. Më thanë se duhej të firmosja për Trial dhe pranova. Llotaria e kompiuterit më futi te grupi i pacientëve që nuk do merrnin asnjë terapi. Aty më kërcyen pak, po tani unë jam mjek e nuk dua të bëj eksperimente por të merrja të pakten Plaquenil. Vështirë të ecësh kundër rregullave angleze. U deshën 24 orë të fshihesha nga kompjuteri e të filloja terapinë në spital. Tre ditët e para isha keq me kollë e vështirësi në frymëmarrje. Për të shkuar në banjë kisha një bombul të vogël oksigjeni se nuk mundesha. Qëlloi ditën e parë që një i sëmurë i dhomës time pati një kolaps dhe humbi ndjenjat në shesh, mu desh të ngrihem me oksigjen në fytyrë për ta reanimuar. Harrova që isha pacient dhe kur kolegët me gjeten në punë më falendëruan por edhe kritikuan që mos ta bëja më se rrezikoja jetën time. Specialistët e Intensive Care vinin dy herë në ditë për të parë curinë e nqs nuk përmirësohesha do të më intubonin. Nuk doja, ose më saktë nuk më pëlqente se e dija që puna do të shkonte gjatë e jo mirë me një shans për të mbijetuar 30%” rrëfen frikshëm doktor Adrian Fandi. 

LUTJA NDAJ ZOTIT SI BURIM FORCE E SHPRESE

Çdo natë më zinte gjumi duke ju lutur Krishtit dhe Zonjës së Bekuar në Medjugorje (Bosnjë). Ndërkohë më vinin tekste nga kolegët e shokët që luteshin për mua kush Allahut, kush Budës, kush nuk e di kujt. Ditën e katërt në spital fillova të ndihem diçka më mirë dhe ula nivelin e oksigjenit që merrja aty fillova të bëhesha më optimist. Bëra një CT SCAN që tregonte se kisha një pneumoni nga kovid. Çdo gjë që ndodhte ishte në sekret për prindërit e mi në Bari të Italisë. Ata nuk dinin asgjë deri sa dola nga spitali. Në 6 prill u çova dhe shkova në banjë pa oksigjen. Atëherë vendosa të mos ta përdorja e për dy orë nuk mu ul nën 95%. Aty vendosa të thërras mjeken e repartit e cila ishte e kenaqur me ecurinë dhe me dha lejen të shkoja në shtëpi te doktoresha ime” tregon doktor Adriani për bashkëshorten e tij që kanë 30 vjet së bashku . 

RIKTHIMI NË FAMILJE I SHËRUAR

Sapo dola nga spitali i shëruar Gruaja sa mori vesh erdhi të më merrte. Që atë ditë filloi jeta ime e dytë. Gëzimi për të qenë pranë familjes time, me të dashurit e mi, me jetën që kishim krijuar së bashku për gati 30 vjet. Ditë pas dite po bëhesha më mirë dhe vendosa të kthehem në punë pas 10 ditësh pasi dola nga spitali. Gëzimi i shokëve të punës ishte mallëngjyes. Aty fillova edhe një herë me energjinë si më parë. Natyrisht siguria në punë ishte rritur dhe masat mbrojtëse ishin bashkëkohore tashmë. Një pjesë e kolegëve ndërkohë ishin prekur nga Covid-19 por me shënja më të lehta se unë. Pacientët që vinin nuk ishin vetëm të moshuar por shumë të rinj si dhe në gjendje të rëndë. Masat e lock doun në UK nuk janë të forta dhe përhapja e virusit është e madhe” shpjegon për gazetën Dielli doktor Adrian Fandi. 

HUMANIZMI I DOKTOR ADRIAN FANDIT DHE LINDA MUSLI

Doktor Adriani sëbashku me bashkëshorten e tij mjeke Lindën edhe pse sapo kanë kaluar sëmundjen, prapë se prapë nuk ndalen në ndihmë të patriotëve të tyre shqiptarë në Londër të cilët e kontaktonin në Cel në Fb ose Skype për këshilla mjekësore në këtë kohë pandemie globale. Edhe pse ende nuk janë në 100% e tyre si pasojë e përplasjes me Covid-19, mjekët bashkëshortë vazhdojnë prej 23 vitesh t’ju shërbejnë me pasion e humanizëm çdo patrioti shqiptar sidomos. Doktor Adriani na tregon një histori të dhimbshme të Agimit një shqiptari që punonte taksist në Londër. “Gruaja e Agimit ishte e shtruar në reanimacion e intubuar në frymëmarje të drejtuar në gjendje të rëndë. Agimi është shofer taksie në Londër dhe ka 3 fëmijë, ku djali i madh ka probleme disabiliteti në tru që kur ka qenë fëmijë pas epilepsisë. Gruaja ishte ajo që kujdesej më shumë për djalin dhe tani luftonte për jetën. Spitali e merrte përditë në telefon por nuk kuptonte çfarë thonin mjeket. Që atë ditë spitali ku ndodhet më telefonon mua dhe më pas më duhet t’ja shpjegoj me fjalë të thjeshta Agimit” citoi për gazetën Dielli doktor Adrian Fandi cili prej shumë vitesh i këshillon shqiptarët si mjek, si përkthyes dhe si psikolog. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Adrian Fandi, Reteja ne Londer, Sokol Paja

Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë

May 6, 2020 by dgreca

ANDRA TUTTO BENE – (Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë)/

Esmeralda Marinaj rrëfen për gazetën Dielli betejën për jetën në sallat e reanimacionit në Milano, Itali, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja

Në sytë e pacientëve që luftojnë me vdekjen, punonjësit e shëndetësisë janë “engjëjt” e tyre. Përveç Zotit qiellor, këta njerëz të jashtëzakonshëm janë forca, besimi dhe shpesa e pacientëve për ringritje nga krevati i vdekjes. Përkushtimi i këtyre “engjëjve” dhe asistimi në çdo moment në përballjen me armikun vdekjeprurës, i jep çdo pacienti një forcë të madhe në këtë luftë të tmerrshme ku vdekja kërcënon në çdo cast. Mbështetja e personelit shëndetësor është burim i jashtëzakonshëm qëndrueshmërie e mos dorëzimi. Këta “engjëj” janë dëshmitarët e fundit të pacienteve në kacafytjen e jetës mbi vdekjen. Një betejë kjo sa e egër, sa e dhimbshme por aq dhe krenare. Këta s’janë vetëm heronj por edhe dëshmitarë të gjallë se sa e sa përpjekje u bënë çdo ditë për jetën, për shpirtin, për njeriun. 

Ankthi se mos vdekja ka goditur gjatë natës ndonjë jetë, e bën mëngjesin e Esmeraldes të frikshëm, të trishtueshëm, të padurueshëm. Sapo del nga shpija duke vrapuar nëpër rrugicat e Milanos deri në spitalin e mirenjohur “H.P”, mëngjesi i Esmeraldës është  plot ankth. Mezi pret të shohë gjëndjen e pacientëve që luftojnë me vdekjen. Mëngjeset fillojnë me lutjen e shpresës se lufta do mbarojë shpejt e jetët në rrezik do të shpëtohen e vdekja do ikë duar thatë. 

“Andra tutto bene” është bërë moto e jetës për të mposhtur vdekjen në çdo spital italian. Një ngushëllim i dyfishtë i cili përmban brënda shumë mister, përshpirtshmëri, lutje dhe shpresë. Një “Padre Nostro” urata që çdo ditë shoqëronte Esmeralden për në punën e saj si punonjëse e vijës se parë të luftës në Milano,  muajt e fundit ka marë një tetër kuptim. E stërmunduar por kurrë e dorëzuar nga ditët e ngarkuara me betejën jeta-vdekje, te lutja e “Ati Ynë” ajo merr forcën për të gjetur një tjetër ditë motivuese në kalendarin e tmerrit covid-19. Kufoma, njerëz që përpëliten në oksigjen, çaste lamtumire e vetmie, sirena policie e ambulancash çdo ditë në rrugët e Milanos të kujtojnë një kohë apokalipsi. Shpresa se të intubuarit do bëhen më mirë dhe se shpirtrat në koma do kthehen prapë në jetë, i jep Esmeraldës forcën e arsyes për të besuar se mrekullitë ndodhin dhe se për ata që besojnë në Zot, s’ka asgjë të pamundur. Edhe kur vdekja godet pabesisht, edhe kur fiken përpjekjet, besimi në Zot, burimi i shpresës dhe forca e sentencës “andra tutto bene” duket sikur i jep çdo personeli shëndetësor pak oksigjen, pak shtysë, pak kohë, pak frymë dhe pak kurajo për mos dorëzim. “Do shkojë gjithçka mirë, do ia dalim së bashku të gjithë” është momenti kur fjala ka një peshë të jashtëzakonshme, edhe më shumë se te Ungjilli i Gjonit Apostull. Pacientët kanë të frikë të flënë, të mbyllin sytë se mbase s’do zgjohen më kurrë.  I vetmi çast që sdo doja kurrë të isha prezente rrëfen Esmeralda është lamtumira on line e pacientit me familjen. Një çast teknologjik që shkëput jetën prej vdekjes. Një videocall që skalitet përgjithmonë në memorien tënde. Të gjendur në “intubacione respiratore” pacientët që luftojnë fisnikërisht me vdekjen shihen në “vidiochiamate” me të dashurit e zemrës, nga ku japin shpesh lamtumirën e fundit, një pikëllim on line, një trishtim i paimagjinueshëm, një ndarje e pabesë, një dëshmi e fundit jete përpara dorëzimit përfundimtar. 

Besimi dhe lutja se një ditë të afërt s’do të shohë më jetë të humbura, vdekje të trishta njerëzish të vetmuar, i jep Esmeraldës dhe kolegëve të saj kurajon dhe forcën të punojë pa u ndalur. 

Nuk ka mission më të shenjtë sesa të mbash jetën gjallë në sallat e vdekjes. 

Esmeralda Marinaj jeton me familjen dhe nga tmerri se mund të sjellë virusin vdekjeprurës në shtëpi, ajo izolohet në një dhomë të posaçme. Tragjizmi i jetës rrefen Esmeralda është të luftosh me vdekjen në spital dhe më pas të të ngjitet vdekja pabesisht deri në shtëpinë tënde. Një ankth i dyfishtë i një jete me vdekjen nëpër këmbë. 

Vdekja është ngjarja më e pabesë në jetën e njeriut.

Motivi për të shpëtuar jetë, e mposhtë frikën për për të vdekur. 

Pas çdo përpjekjeje, rrëfen Esmeralda, pas çdo luftë, pas çdo beteje, me dëshirën që jeta të fitojë mbi vdekjen edhe kur gjunjët na dridhen, prapë se prapë nuk dorëzohemi dhe besojmë fort: “andra tutto bene”. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Esmeralda Marinaj, Sokol Paja

SPANJA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË SHTETIN IBERIK

May 5, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Profesor Arben Merkoçi, drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin Katalan të Nanoshkencës e Nanoteknologjisë  në  Barcelonë, Spanjë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

Sipas Profesor Arben Merkoçit, qeveria spanjolle në përgjigje të krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 ngriti një grup të veçantë qeveritarë dhe ekspertë për ti dhëne zgjidhje situatës nga pikëpamja epidemiologjike, klinike etj. U bë një mobilizim të jashtëzakonshëm duke filluar nga pajisja e shpejtë e spitaleve me materiale që mungonin e deri tek ngritja në një kohë rekord e spitaleve të përkohshëm. Spanja mbylli kufijtë e vendit dhe e të gjitha aktiviteteve jo jetike/thelbësore dhe shumë hotele dhe mjedise të tjera u shndërruan në spitale si dhe u bë grumbullim urgjent i materialeve sanitare. Shteti spanjoll nxiti dhe financoi projekte urgjente shkencore e teknologjike për ti ardhur në ndihmë luftës ndaj COVID-19.   

SITUATA NË SPANJË

Sipas të dhënave të gazetës “La Vanguardia” të datës 3 maj 2020, numri i personave të infektuar nga virusi SARS-CoV-2 ka arritur në 217.466, numri i personave që kanë humbur jetën deri tani është 25.264, numri i personave të shëruar është 118.902. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 164 persona ndërkohë që dje ky numër ishte 276. Ky është numri me i vogël i humbjeve te jetës në një ditë që nga Marsi. 

MASAT E MARRA NGA QEVERIA SPANJOLLE

Qeveria spanjolle mori një seri masash për përballimin e situatës së pandemisë. Sikurse ndodhi edhe në shume vende të tjera ajo që bëri qeveria spanjolle ishte ngritja e një grupi të veçantë qeveritar (me disa ministra) si dhe një grupi ekspertesh për ti dhëne zgjidhje situatës nga pikëpamja epidemiologjike, klinike etj. Përveç masave ekonomike dhe ato të sigurisë shumë të nevojshme për një situatë pandemie, e ngjashme me atë të një lufte. Pati një mobilizim të jashtëzakonshëm duke filluar nga pajisja e shpejtë e spitaleve me materiale që mungonin (situata ishte shumë e papritur) deri tek ngritja në një kohë rekord e spitaleve të përkohshëm për të përballuar numrin shumë të lartë të të sëmurëve. Nga masat më të rëndësishme ka qenë padyshim mbyllja e kufijve të vendit dhe e të gjitha aktiviteteve jo jetike/thelbësore. Nga ana tjetër u morën një seri masash për distancimin social dhe ju dhanë këshilla të vazhdueshme popullsisë nëpërmjet të gjitha mjeteve të komunikimit masiv. Qeveria spanjolle nxiti apo urdhëroi edhe institucionet shtetërore dhe private qe ti përgjigjeshin urgjentisht me ndihma kësaj situate. Pati edhe hotele dhe mjedise të tjera që u shndërruan në spitale si dhe grumbullim urgjent i materialeve sanitare që ndodheshin në shumë sektorë të tjerë për t’ju vënë në dispozicion spitaleve. Shteti mori gjithashtu masa të rëndësishme ekonomike për të ndihmuar sidomos biznesin e vogël dhe të gjithë atë pjesë të popullsisë të prekur nga papunësia e papritur. Një masë tjetër shumë e rëndësishme e shtetit dhe shoqërisë spanjolle ishte dhe nxitja dhe financimi i projekteve urgjente shkencore e teknologjike për ti ardhur në ndihmë luftës ndaj COVID-19. Në këtë kuadër edhe instituti ku unë punoj, Instituti Katalan i Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Barcelonë, vuri në dispozicion pjesë të projekteve në shërbim të kërkimit dhe zhvillimit shkencor të lidhur me COVID-19. Grupi që unë drejtoj është i angazhuar pikërisht në një projekt për zhvillimin dhe përdorimin e nanobiosensorëve për diagnostikime në lidhje me COVID-19.   

SHQIPTARËT NË SPANJË 

Me sa kam dëgjuar nuk ka pasur Shqiptarë të prekur nga pandemia botërore Covid-19. Jam në dijeni të ndihmës së vazhdueshme që tregon Ambasada shqiptare në Madrid për riatdhesimin e Shqiptarëve dhe ndihmën ndaj atyre që kanë pasur nevojë ndërkohë që janë ndodhur përkohësisht në Spanjë në këtë periudhe, për arsye të ndryshme.

E ARDHMJA DHE KTHIMI NË NORMALITET I SPANJËS

Pas katër javësh në një gjendje pothuaj alarmante masat e marra për distancimin/mbylljen e aktiviteteve e dhanë rezultatin e tyre. Kurba që tregon numrin e atyre që infektohen dhe humbin jetën çdo ditë nga koronavirusi është tashmë në rënie. Jemi në javën e shtatë të mbylljes dhe kjo tendencë e kurbës është e konsoliduar ndërkohë që numri i vdekjeve dhe infeksioneve të reja vazhdon por me një ritëm më të ngadaltë. Shteti spanjoll ka njoftuar dhe po vë në zbatim një plan mjaft rigoroz prej katër fazash për rihapjen e vendit. Ndryshe nga disa vende të tjera nuk ka data fikse për secilën faze pasi gjithçka mund të ndryshojë në funksion të vlerësimit rigoroz të situatës që do të bëhet në mënyrë të vazhdueshme për të evituar çdo të papritur. Fazat kanë të bëjnë që nga fillimi i daljeve nga shtëpia, sipas moshave të ndryshme, për shëtitje, sporte e deri tek hapja graduale e aktiviteteve jo esenciale (sektorëve të ndryshëm të aktiviteteve ekonomike) e deri tek hapja e plotë. Kjo e fundit besoj do të jetë e lidhur / e varur edhe nga hapja e vendeve të tjera.

MESAZHI PËR LEXUESIT E GAZETËS DIELLI DHE SHQIPTARËT NË USA

Së pari do të doja të përgëzoja Gazetën Dielli dhe Shoqatën Vatra për punën e shkëlqyer që bën prej më se 100 vjetësh për të mbajtur pranë shqiptarët në Amerike dhe informuar ata në gjuhën Shqipe. Si për çdo Shqiptar, edhe për ne që jemi jashtë atdheut prej shume vitesh, pra edhe për lexuesit e Gazetës Dielli, jam i sigurtë që është kënaqësi të lexojmë në gjuhën tonë për gjithçka, për çdo vend dhe kështu edhe për Shqipërinë, tokat shqiptare dhe Shqiptarët kudo që ndodhen.  Ruajtja e gjuhës shqipe është ndoshta mesazhi më i rëndësishme që do të doja ti transmetoja lexuesve të Gazetës Dielli. Flituni gjuhën shqipe fëmijëve, nipërve dhe mbesave tuaja! Ruajta e gjuhës, ruajtja e identitetit është respekt për veten, rrit personalitetin dhe ndikon tek niveli i respektit që merr edhe nga të tjerët.  Ruajtja e gjuhës ndikon në lidhjen dhe forcimin e familjes, lidhjen me të afërmit kudo që janë, komunikimin e natyrshëm me ta, mos harrimin e origjinës dhe pse jo, bashkëpunimin me vendin e origjinës. Diaspora shqiptare ka një mundësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe kulturore për të ndihmuar apo ndikuar sado pak për çfarë ka nevojë Shqipëria, Kosova apo edhe zonat e tjera Shqiptare. Ruajuni nga virusi, qëndroni sa të mundeni në shtëpitë tuaja, dhe paçi shëndet të mirë të gjithë!

KUSH ËSHTË PROFESOR ARBEN MERKOÇI

Arben Merkoçi është aktualisht Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shipërisë, Profesor IKREA dhe drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin.Katalan te Nanoshkencës e Nanoteknologjisë i vendosur në Universitetin Autonom të Barcelonës në Bellaterra (Barcelonë), Spanjë. Pas doktoraturës (1991 ) në Universitetin e Tiranës, në fushen e Elektrodave Jono Selektive ( ISE) dhe aplikimin a tyre në analizën klinike dhe mjedisore, Prof. Merkoçi kreu studimet e Postdoktoraturës në disa qëndra të tjera hulumtuese evropiane dhe SHBA duke punuar në fushën e nanobiosensorëve dhe teknologjive të quajtura laboratorë në një çip. Kërkimi shkencor i Prof Merkoçit është i përqendruar në zbulimet dhe aplikimet e nanoteknologjisë dhe nanoshkences tek biosensorët. Nanobiosensorët që ai studjon janë bazuar në integrimin e molekulave biologjike me mikro/nanomateriale e biomateriale të tjerë. Ato gjejnë aplikim në diagnostikim, monitorimin ose mbrojtjen dhe sigurinë e mjedisit etj. Prof Merkoçi është Editor i revistës prestigjoze të Elsevier “Biosensors and Bioelectronics” më e rëndësishmja në nivel ndërkombëtar përkushtuar kërkimit shkencor, zhvillimit dhe aplikimeve të biosensorëve dhe bioelectronikës. Është anëtar i bordit editorial të revistave Electroanalysis, Microchimica Acta etj. Aktualisht Prof. Merkoçi është drejtuesi i Konferencës Onlinë që do të mbahet më dt.6 Maj: “Biosensowet për pandemitë” si një përgjigje urgjente e pandemisë COVID-19. 

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

FLET NGA FRANCA EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN DIELLI DR. VEDAT ELJEZI

May 4, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË FRANCË DHE MASAT QË MORI SHTETI FRANCEZ NË BETEJËN NDAJ COVID-19/

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dr. Vedat Eljezi mjek anestezist-reanimator në Qëndra Klinike Universitare Clermont Ferrand, Francë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

       Në betejën ndaj Covid-19 shteti francez renditet i katërti në botë me të infektuar dhe viktima si shkak i pandemisë botërore. Si Francën po ashtu edhe shumë shtete evropiane, vala e pandemisë i gjeti të përgjumur dhe reagimi me vonesë solli viktima dhe gati sa nuk solli kolaps shëndetësor total. Të dhënat e pasakta nga Kina dhe mosmarrja me seriozitet e valës së shpërthimit të Covid-19 bëri që pasojat në Europë të ishin katastrofike. Sistemi shëndetësor francez sot përballet me mungesa në bazë materiale, në personel shëndetësor, buxhet të pamjaftueshëm për shëndetësinë, mjete mbrojtëse,veshje, maska, pajisje respiratore etj. 

SITUATA NË FRANCË

Mjeku shqiptar, anestezist-reanimator, Doktor Vedat Eljezi tregon se si trajtohen pacientët e prekur me Covid-19 në shtetin francez dhe se nga Franca më në fund vjen një dritë jeshile. Edhe pse ka rritje të numrit të të vdekurve, mund të themi se Franca e ka kaluar tani më pikun e sëmundjes dhe spitalet po zbrazen nga pacientët me Covid-19, çka ka rezultuar me rënie të dukshme të numrit të pacientëve në reaminacion dhe numrit të pacientëve të hospitalizuar. Franca arriti kulmin e pandemisë dhe të krizës shëndetësore më 8 prill. Izolimi ishte dhe është arma më efikase në luftimin e pandemisë. Në valën e parë të madhe të epidemisë së virusit, izolimi ishte një masë e padiskutueshme. Në Francë izolimi si masë, u mor ndoshta pak me vonesë pasi aksush nuk i besoi valës dhe përmasave të jashtëzakonshme të pandemisë. Sipas statistikave, transmetimi i virusit falë izolimit është ulur me 80%. Izolimi në Francë mundësoi shpëtimin e mbi 60 mijë jetëve njerëzore. Me kalimin e ditëve ne po fitojme njohuri të reja mbi virusinCovid-19. Pavarësisht rrethanave te krijuaranga pandemia,  jeta duhet të vazhdojë, njerëzimi nuk mund të rrijë në izolim total për kohë të pacaktuar. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta ulim kujdesin, po përkundrazi, pas daljes nga karantina duhet shtuar vëmëndja dhe kujdesi në nivel akoma më të lartë.

Izolimi në formën e tij strikte nuk duhet të vazhdojë për kohë të gjatë të paktën për tre arsye :

  1. Pasojave ekonomike negative për çdo shtet dhe individ,  
  2. Gjëndjes së rënduar psikologjike te njerëzit, 
  3. Rritjes së dhunës dhe agresivitet në familje. 

Sistemi shëndetësor francez ishte në krizë përpara se të fillonte pandemia botërore. Reduktimi i buxhetit të shtetit për shëndetësinë, reduktimi i personelit shëndetësor, mbyllja e disa reparteve të reanimacionit, mbyllja e disa spitaleve te periferike sollën sistemin shëndetësorë francez në situatë aspak të favorshme. Goditja e fortë nga vala e pandemisë e nxorri këtë krizë akoma më mirë në shesh. Mirëpo sistemi shëndetësor francez nuk ra, falë punës së palodhëshme të personelit mjekësorë i cili diti të adaptohet në mënyrë të përkryer në këtë situatë të jashtëzakonshme. Megjithëse situata me furnizim me materiale dhe barna ka filluar të përmirësohet jemi akoma larg normalizimit të plotë të situatës. Dua të theksoj edhe problematikën e lënies pas dore të mjekimit të sëmundjeve tjera jo covid, sikurse pacientët që janë në listë të pritjes për tu operuar apo për të marrë mjekim tjetër. Kjo është një listë e gjatë e pacientëve që janë në pritje. Mungesa me materiale dhe barna na bëjnë të jetojmë me ankthin e përballimit të mundshëm të situatës nëse do kemi një valë të dytë të pandemisë nga Covid-19 në javët e ardhshme.

SI KANË REZULTUAR PROTOKOLLET E TRAJTIMIT 

Trajtimi i Covid-19 vazhdon të ngelet simptomatik, pra ne mjekojmë vetëm pasojat që jep infeksioni viral. Aktualisht ne nuk kemi një armë të fuqishme për të bërë trajtim etiologjik, pra të godasim virusin në mënyrë direkte. Aktualisht janë mbi 300 studime klinike kërkimi në botë që provojnë trajtime të ndryshme. 

Dua të theksoj se asnjë trajtim deri tani nuk ka dhënë efekte mjekimi të mjaftueshme për tu konsideruar si mjekim bazë dhe referent për Covid-19. 

PREKJA E SHQIPTARËVE QË JETOJNË NË FRANCË NGA COVID-19

Nuk kam informata të sakta mbi numrin e shqipëtarëve qe jetojnë në Francë që janë të prekur nga infeksioni viral Covid-19. Grumbullimi i këtyre të dhënave është i pamundur në një popullësi 65 miljonëshe sikurse është Franca. Në qendrën ku punoj unë nuk ka pasur asnjë rast me pacient shqiptarë që ka pasë nevojë për reanimacion. Kam patur vetëm disa konsultime nga larg, nga shqipëtarë që jetojnë ne vende të ndryshme të Francës dhe që janë të prekur me Covid-19. 

KONTRIBUTI I FEDERATËS SË MJEKËVE SHQIPTARË EUROPIAN

Federata e mjekëve shqiptar europian me qëllim të ardhjes në ndihmë dhe informimit të të gjithë shqiptarëve kudo ato ndodhen ka vendosur një platformë on-line në ueb faqen e saj. Mjekët shqiptarë të shpërndarë kudo në europë ju dalin në ndihmë dhe ju shërbejnë vëllëzërve e motrave tona kudo ata ndodhen. Personalisht si mjek kam zhvilluar deri në 5 kosulta në ditë me bashkëkombas për probleme që lidhen qoftë me pandeminë e Covid-19 qoftë edhe për probleme të natyrave të ndryshme mjekësore. 

MASAT E SHTETIT FRANCEZ DHE PËRDORIMI I MASKAVE

Edhe pse me masa të vonuara, prapë se prapë shteti francez e rimori veten dhe tani mund të themi se situata po shkon drejt normalizimit dhe kjo sidomos falë masava të izolimit. Ruajtja e masave barrierë, e ndër ta përdorimi i gjerë dhe i drejtë i maskës, janë një domosdoshmëri për të shmangur një valë të dytë të pandemisë. Mbajtja e maskave dhe kujdesi rigoroz duhet të na shoqërojë me çdo kusht deri në zhdukjen përfundimtare të pandemisë. Çdo gabim apo neglizhim i këtyre masave ka shumë shansë të rezultojë me ripërhapje të gjerë dhe të shpejtë të infeksionit në kushtet e daljes nga karantina ku edhe kontaktet janë të shtuara. Mbajtja e distancës ndër personale dhe përdorimi i maskës është mjet i pakontestueshëm i parandalimit të përhapjes së virusit. Shteti francez do sigurojë maska për ata që s’kanë mundësi ti blejnë dhe kjo maskë do jetë e detyrueshme për ata që frekuentojnë ambjentet e transportin publik, për nxënësit nga klasa e pestë e lart dhe profesionet që kanë kontakte direkte me fëmijët e vegjël. 

TESTET SEROLOGJIKE NË LIDHJE ME COVID-19 

Gjithçka që na mundëson të kuptojmë më shumë per këtë pandemi është e mirëseardhur. Testet serologjike jane diçka shumë interesante dhe për mendimin tim do kenë rëndesi shumë të madhe për të ndjekur ecurinë pandemisë dhe për të kuptuar gjëra që ne akoma nuk i dijmë. Me lejoni të shpjegoj me dy fjalë çfarë janë realisht dhe për çfarë do të shërbejnë. 

Pas kontaktit me virusin, organizmi jonë fillon të mbrohet duke prodhuar antikorpe që është çelësi i mbrojtes sonë imunitare, diçka e përkryer si sistem. Për tu mbrojtur nga agjentët patogjen, organizmi jonë prodhon antikorpe apo me emër tjetër njihen si imunoglobulina. Imunoglobulinat janë dy llojesh, IgM që zhvillohen të parat në fazën akute dhe IgG që zhvillohen më vonë. Këto antikorpe do të na mundësojnë të kuptojmë kush ka qenë në kontakt me virusin (i sëmurë apo asimptomatik); si do evoluojë imuniteti i një të prekuri në kohë; a do zhduken këto imunoglobulina pas disa muajsh gjëqë mund të mundësojë kthimin e infeksionit. Duhen afërsisht 15 ditë që titri i imunoglobulinave të jetë i mjaftueshëm që testi të jetë plotësisht i besueshëm. Testi serologjik nuk e zëvendëson aspak RT-PCR që ka për qëllim zbulimin e gjenomit të virusit, pra prezencen e virusit te nje person simptomatik apo asimptomatik. Ne këtë fazë prodhimi i imunglobulinave ndoshta akoma nuk ka filluar. Të dy këto analiza janë komplementare të njëra tjetrës. Testet stereologjike janë diçka fantastike për të vëzhguar ecurinë e pacientit 15 ditë pasi që është prekur me virusin Covid-19.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË SHBA

Të dashur bashkatdhetarë, njeriu është në vazhdimësi në luftë me sëmundjet. Ne nuk duhet të jetojmë me frikën dhe panikun e sëmundjeve por duhet të kujdesemi dhe të jemi të vëmendshëm ti largojmë ato sa më shumë. Mesazhi im është:“mbrojeni vetëveten dhe të tjerët nga Covid-19 duke respektuar në mënyre strikte masat kundër përhapjes së virusit dhe kthehuni jetës normale. Kontribuoni sa më shumë në ngritjen tuaj intelektuale dhe profesionale, jepni shembullin më të mirë të një shqipëtari të vlefshëm dhe bëni çmos për të ndihmuar bërjen e vendit tonë një shtet te fuqishëm në çdo aspekt. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Vedat Eljezi, France, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT