• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRINCI VILHELM VIDI NË SHQIPËRI DHE QËNDRIMI I AT GJERGJ FISHTËS NË REVISTËN “HYLLI I DRITËS”

November 18, 2021 by s p

Sokol PAJA/

Të gjitha besimet fetare në Shqipëri që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri në Shpalljen e Pavarësisë u shndërruan në një element bashkimi të fortë dhe atdhedashurie. Vuajtjet e gjata që përjetonte populli shqiptar prej pushtuesve, konfliktet e vazhdueshme me fqinjët, luftërat ballkanike, qëndresa e vazhdueshme e popullatës për mos copëtimin e territoreve shqiptare, lobimit në kancelaritë Perëndimore për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare, ishin faktorë themelorë që e mbajtën gjallë frymën e bashkëpunimit në popull si dhe midis klerit fetarë, të cilët e konsideronin një domosdoshmëri dhe detyrim kombëtar. Veprimtaria shpirtërore, atdhetare, diplomatike, klerikale e mediatike e klerit katolik pati një rol te rëndësishëm dhe kontribuoi në bashkimin e shqiptarëve për interesa kombëtare. Në kushtet e tensioneve dhe rebelimeve të vazhdueshme në Ballkan, shqiptarët kishin qëllim kryesorë ruajtjen e paprekshmërisë së Shqipërisë së Pavarur dhe konsolidimin e Shtetit në rang Kombëtarë dhe Ndërkombëtarë. Klerikët katolikë me në krye At Gjergj Fishtën patën ndikim pozitiv dhe mbështeste ardhjen në Shqipëri të Princit, Vilhelm Vidi Vidi. Princ Vidi erdhi në Shqipëri në 7 mars 1914 dhe gjeti mbështetjen e klerit katolik duke shpresuar se do të gjenin shpëtim kombëtar edhe për shkak se Ai ishte perëndimor dhe gëzonte mbështetjen e Austro-Hungarisë si dhe për faktin se Perandoria Habzburge ishte mbrojtëse e krishterimit në Evropë. Për ardhjen e princ Vidit dhe për politikën që do të ndiqte në Shqipëri shkruan gazeta dhe revista të ndryshme të kohës. Në këtë publikim do të veçoja shkrimet e revistës “Hylli i Dritës”, drejtuar prej At Gjergj Fishtës, kryesisht në numrin 6 e 7 të vitit 1914. Shkrimeve e botuar ne revistën“Hylli i Dritës”,  referohen  me titujt përkatës: “Kena Mretin tonë” dhe “Kohë e re n Shqypnijë”. Aty  tregohet qartë se me ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, vendi do të ndryshohet për së miri dhe do të forcohet më shumë aparati shtetëror dhe politika e jashtme. Në shkrimin e parë vërehet dhe del në pah pritja me entuziazëm e Princ Vidit, shpëtimi dhe autoriteti që do të vendoste Princi i huaj për forcimin e shtetit shqiptar. Po aty citohet se Fishta nuk harron së theksuari se nuk mjaftonte që të thërrasim rroftë Shqipëria por që të gjithë të ndërgjegjësohemi dhe të punojmë për të mirën e atdheut tonë dhe për ndërtimin e shtetit shqiptar. Dita e ardhjes së Princit, sipas Fishtës është një ditë e madhe për kombin shqiptar pasi e konsideronte si shpresë dhe mundësi e mirë për të shuar problemet e brendshme të krerëve të ndryshme shqiptar dhe për konsolidimin e Shtetit në gjeopolitikën perëndimore. Më e rëndësishmja dhe themelorja sipas Fishtës në këto dy shkrime del formimi dhe përdorimi i një statuti  bazë si ligjë që drejton shtetin dhe institucionet. Gëzimi dhe përkrahja shfaqet në mënyrë maksimale dhe entuziaste në faqet e revistës “Hylli i Dritës” me titull: “Koha e re n’Shqpnije” në numrin 6, faqe 169 të vitit 1914. Citoj: “Kaa Shqypnije kaa. Edhe pak ditë e Mreti po vjen me xanë vendin që i takon e selinë e tij, e armiqtë e Shqypnijës që janë mundue me paat shkimun e t’hupun prej ftyrës së tokës popullin dhe komin shqiptar, kanë më cuce ambasadorët e vet me përshëndetë Mretin e Shqiptarevet Vidin. Shqypnija u ba mretni vetëm prej Evropet, e jo prej noj veprimit të vedit, por për me gjallnue e për me gzue duhet me veprue. Me dashtë me e majtë n’jetë mretninë tonë të Shqypnijes lypet qi qeveria posa e ndertueme, do të jetë e pamvarme e as s’do të jete e detyruese me i dhanë arsye kërkujt për punët e veta, pose Mretit tonë dhe kombit”. Ardhjen e Princ Vidit klerikët katolikë e personifikonin me rilindjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe me vendosjen e një rregulli të gjithëmbarshëm. Vetëm mbreti Vilhelm Vid mund ta shpëtonte një vend si Shqipëria që vinte me ato trazira dhe një robërie 500 vjeçare osmane. Shqipëria sipas Fishtës do të bëhet dhe do të eci sa më lart në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të kombit dhe të shoqërisë shqiptare. Pra, ardhja e Mretit u prit me shumë entuziazëm dhe pëlqim pasi tek ai vareshin shpresat e kombit dhe të rindërtimit të shtetit dhe të administratës shtetërore shqiptare të brishte. Ky shtet sipas Fishtës do të ndërtohej dhe nuk do të ishte i detyruar që të jepte llogari tek askush veç do të punonte më ç’të mundte për një zhvillim dhe përparim të shtetit shqiptar. Revista “Hylli i Dritës” në botimin pasardhës, numër 7, viti 1914, faqe 203 titullohet: “Kena mretin tonë” At Gjergj Fishta shprehet: “Ky Mret  tue u dhanë mendve shqiptare shkas kish diea, kaa me i ardhë vendit përparmi i vërtetë, e lirija e popullit tonë s’ka me kënë ma e aq e kundërshtueme. Ky Mret ka me ditë me avitë zëmrat e popullit që për fat të zi u gjetne larg njana-tjetrës , e drejtësie qi ky ka me çue zanin e vet kundra njatyne qi n’çdo mndyrë trazojnë qetësinë e vendit, apo me shkrrye visaret e kombit. Kena Mretin tonë teri lotët moj nanë shqiptare e gzou, gzoju ti qi tuj përkunde foshnjen e gatoshe vetun per me u ba aj fli n’therore të atdheut”. Fishta bën thirrje në “Hyllin e Dritës” për përkrahje të përgjithshme për Princ Vidin pasi do të quhet me plot gojën si një shpëtimtar për popullin shqiptar. Sipas At Fishtës, ardhja e Mbretit Vidi duhet të gëzonte të gjithë sepse Ai do të ndriçojë mendjen e shqiptarëve, do të mbrojë Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm dhe do ta forcojë automatikisht shtetin shqiptar me diturinë dhe personalitetin e tij siç ishte Mbreti i shqiptarëve në një kohë kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për bashkim. Në këto shkrime del qartë se kleri katolik, me në krye at Gjergj Fishtën shprehu besueshmëri dhe optimizëm në suksesin e Princ Vidit në për stabilizimin e vendit dhe për konsolidimin e Shqipërisë në aspektin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

U PROMOVUA NË VATËR “VESHJA E NUSËNISË KRAJANE”

November 16, 2021 by s p

Sokol Paja/

New York, më 16 Nëntor 2021, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” u zhvillua promovimi i librit “VESHJA E NUSËNISË KRAJANE” i studiuesit Hamid Alaj. Vatranë, studiues, gazetarë, klerikë, historianë, etnografë u bënë pjesë e një ceremonie festive që la shumë mbresa te të gjithë të pranishmit. Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën përshëndetëse deklaroi se: “Vlerësimi për etnografinë është vlerë për ruajtjen e kulturës dhe traditës të një populli dhe kombi. Pasqyrimi i etnografisë është në vetvete pasqyra e shpirtit të kombit. Pasuria jonë, kultura jonë, identiteti ynë europian, tregojnë përkatësinë tonë kulturore dhe vlerat në popujt e tjerë të botës. Ata studiues që promovojnë, ruajnë e trashëgojnë kulturën tonë, meritojnë nderim e respekt përherë. Vatra do mbështesë e promovojë në çdo kohë studime e nisma të tilla në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore” përfundoi fjalën e tij Dr. Camaj. Edin Gjoni, Imami i Xhamisë Shqiptare të Queens u shpreh rreth vlerave etnografike, historike, kulturore dhe mbi të gjitha teologjike. Ai theksoi se libri është një kryevepër përsa i përket dëshmive dhe intervistave që autori ka sjellë në punim duke dëshmuar kulturën e gjërë dhe pasurinë e jashtëzakonshme të trevës së Krajës. Imami Edin Gjoni falenderoi për organizimin Vatrën e Diellin dhe kryetarin Elmi Berisha për punën në dobi të çështjes kombëtare dhe rivitalizimin e Vatrës. Selman Haxhimurati në fjalën e tij u ndal në aspekte të veçanta të veshjes së Krajës që përbëjnë vlera të veçanta të kësaj treve në krej viset shqipfolëse. Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij theksoi se: “Autori ka bere një pune te thelluar ne literaturën perkatese per pasurimin e librit me bibliografi, edhe pse studimet per Krajen nuk jane te mjaftueshme per objektet qe lidhen drejt per drejt me veshjen krajane, etnografine dhe kulturen e kesaj treve te rendesishme shqiptare duke na sjelle ne vëmendje te lexuesit disa intervista si dhe ilustrime me foto te larmishme, te cilat pasqyrojnë mese se miri vlerat e veshjes dhe te traditës krajane. Punimi eshte i pasur me hulumtime dhe reflektime, i radhitur sipas tematikave te studimit qe nga origjina e veshjeve, materiali i përdorur dhe objektet e qëndisjes, ku per keto veshje tradicionale, i japin vlera te rendesishme folklorike historike. Punimi na jep informacione dhe detaje te shumta per veshjen krajane, strukturen e veshjes, dizajnin, dekorin e tyre dhe per stolite e përdorura, duke i dhene vleren dhe imazhin e nje perfaqesimi dinjitoz te femres krajane. Ne liber kemi informacione te shumta për ritualet e ndryshme, duke trajtuar me kujdes edhe menyren e veshjes qe përdoret nga nuset për te shkuar ne dasëm, ne Pazar, ne jetën e perditshme apo dhe ne rast (Zie) mortje”. Hamid Alaj në fjalën e tij theksoi se: “Libri është një studim për veshjet tradicionale të zonës së Krajës. Veshjet kombëtare e tradicionale vishen për të shfaqur identitetin kombëtar dhe atë kulturor të një populli. Ato përveç që përfaqësojnë një komb në tërësi, herë përfaqësojnë edhe një trevë apo një zonë të vogël rajonale, nëpër periudha të ndryshme kohore. Njëra nga karakteristikat kryesore të një treve, krahine, madje edhe të një kombi, pa dyshim se është edhe veshja si pjesë e kulturës popullore. Njëjtë është edhe për trevën e Krajës, e cila karakterizohet me anë të veshjes së nuses krajane. Veshjet popullore janë zhvilluar dhe kanë ndryshuar vazhdimisht nga një epokë në tjetrën. Ky zhvillim i veshjes është bërë në varësi të kushteve konkrete historike, ekonomike dhe shoqërore në të cilën ka jetuar një komunitet” theksoi studiuesi Hamid Alaj. Në përfundim të promovimit, patrioti Toni Musaj në bashkëpunim me Vatrën shtroi një koktejl në respekt dhe nderim të të gjithë pjesëmarrësve.

Filed Under: Featured Tagged With: Hamid Alaj, Sokol Paja

SHKOLLA SHQIPE “SCANDERBEG” NË PARMA TË ITALISË

November 14, 2021 by s p

Sokol  PAJA/

Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë dhe mësuese pranë kësaj shkolle, rrëfen për “Diellin” e Vatrës në New York historinë e themelimit të shkollës, organizimin e mësimit shqip në Parma, bashkëpunimin prindër-nxënës, ndikimin e pandemisë në mësimin shqip, dhe sfidën për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën kombëtare shqiptare në Itali. “Themelimi i Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma erdhi si një dëshirë e madhe që kishin shqiptarët për t’i mësuar gjuhën amë fëmijëve të tyre, ndërsa shkolla fillimet e saj i ka që në vitin 2009” shpjegon për “Diellin” Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”. “Mësimi në shkollën tonë zhvillohet të shtunën në orën 15:00. Mes shumë viteve sakrificë stafi i mësuesve në shkollën tonë vazhdon të japë kontributin vullnetar në shërbim të komunitetit shqiptar” saktëson drejtuesja Pjeci. Mësuesit e angazhuar pranë shkollës shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë janë: Durim Lika në lëndën Histori- Gjeografi, Elvira Lashi- Muzikë, Traditë, Mimoza Cerri- Letërsi, Sabrije Kulla- Gjuhë Shqipe, Zamira Shkurti- Abetare, Nertila Celmeta- Abetare, Erlinda Pjeci- Abetare, Elona Marika- Mësuesja e artit. Në këtë shkollë kanë kontribuar edhe mësues të tjerë ndër vite të cilët edhe pse nuk janë më pjesë e stafit të shkollës kanë dhënë një kontribut në zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare. “Për të njohur kulturën, historinë dhe vlerat e Shqipërisë duhet t’ia përcjellim gjuhën amtare të trashëguar brez pas brezi, fëmijëve tanë. Gjuha ,është ajo  e cila i bashkon ata me gjakun e tyre” shpjegon për “Diellin” e Vatrës në New York, Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”.  Sipas drejtueses Pjeci bashkëpunimi prind- nxënës është padyshim çelësi i arritjes së suksesit në objektivin e gjuhës shqipe. Prindi ka rolin më të rëndësishëm në këtë proçes. Është ai i cili duhet t’ia ushqejë fëmijës dashurinë për rrënjët nga vijnë, t’i flasë në shqip, t’i japë kohë fëmijës që të dëgjojë, të mësojë dhe të flasë shqip kur ata janë gati. Pra, mbill sot, korr mot. Vetëm atëherë nxënësi është i përgjegjshëm dhe ka dëshirë të mësojë më tepër gjuhën shqipe, arsyeton drejtuesja e shkollës Pjeci. “Në fillimet e pandemisë padyshim ne si shkollë hasëm vështirësi. Mësimi në prezencë ishte e pamundur. Për këtë sfida më e madhe ishte mësimi online. Duke parë vështirësitë që hasën edhe mësuesit e sistemit shkollor italian,  na frikësoi jo pak. Por me ndihmën e kolegut tonë Durim Lika, i cili ofroi seminare për të na mësuar platformat e Google Meet, Power point, si edhe ambientet e punës së tij për të qenë pranë nesh për ndonjë vështirësi teknike, e kaluam shumë shpejt. Sfidë tjetër ishte ajo, se si ne mund t’i bënim nxënësit të merrnin pjesë me dëshirë në mësimin online. Për këtë përveç librave në dispozicion gjetëm teknika, metoda duke i gërshetuar së bashku. Pjesëmarrja e lartë e nxënësve na lumturonte. Kjo tregonte që ne kishim gjetur rrugën e duhur. Suksesi që ne patëm vjet, si edhe numri i madh i  nxënësve të regjistruar që banojnë jashtë Parmës, na dha shtysë edhe për këtë vit shkollor që mësimin ta bënim online” kujton vështirësitë e mësimit shqip në kohë pandemie drejtuesja Erlinda Pjeci. Më tej ajo shton se: “Vështirësitë e fëmijëve dy gjuhësh janë: Shqiptimi i tingujve të shkronjave shqipe që ata nuk i dëgjojnë në gjuhën italiane. Tingujt që janë të ngjashëm midis dy gjuhëve por që shkruhen ndryshe” sqaron për “Diellin” e Vatrës drejtuesja e shkollës Erlinda Pjeci. Zonja Pjeci ka mbaruar  studimet e larta në Universitetin e Elbasanit dega Cikël i Ulët. Pas studimeve ajo u vendos në qytetin e Parmës ku shumë shpejt filloi të japë kontributin e saj vullnetar në mësimdhënie pranë shkollës shqipe “Scanderbeg”. Duke pasur një dashuri shumë të madhe për fëmijët dhe formimin e lartë profesional, profesionin e ushtron me shumë përgjegjshmëri, përkushtim dhe shumë pasion. Në përfundim të bisedës drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë, Erlinda Pjeci uroi Festën e Pavarësisë për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në mbarë trojet shqipfolëse.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

DR. AIDA MARAJ, NJË KRENARI SHQIPTARE NË UNIVERSITETIN E MICHIGANIT

November 12, 2021 by s p

Dr. Aida Maraj, Pedagoge e Matematikës në Universitetin e Michiganit rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, eksperiencën e saj në mësimdhënie, projektin me përmasa ndërkombëtare ku Dr. Aida është bashkë-iniciatore e shkollës ndërkombëtare verore për metodat matematike në analizen e të dhënave që do të mbahet më 18-29 Korrik 2022 në Universitetin e Tiranës, analizon sistemin arsimor dhe kërkimin shkencor në Shqipëri dhe shprehet se eksperienca ndërkombëtare është një domosdoshmëri. Me Dr. Aida Maraj bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

KËRKIMI SHKENCOR NË STATISTIKË ALGJEBRIKE

Puna ime është në statistikë algjebrike. Kjo është një fushë e algjebres që ndërthur disiplina të ndryshme e frymëzuar nga nevoja për metoda të reja efikase në statistikë kur ato klasiket nuk funksionojnë. Një gjë e tille ndodh shpesh kur modeli statistikor është mjaftueshëm i komplikuar apo kur modeli është me një numër të lartë të panjohurash (ndryshoresh). Ekspertiza ime është në të dyten, ku me anë të algjebres, kërkoj rregullin në modelet me dimensione të pafundme. Përqendrohem në zbulimin e veçorive algjebrike dhe gjeometrike të modeleve hierarkike dhe ato të Gausit.

NDARJA E NJOHURIVE ME BREZAT E RINJ

Pjesë e rëndësishme e jetës akademike është ndarja e njohurive me brezat e rinj, gjë që e bëj me kënaqësi. Eksperienca e parë vjen me studentë shqiptarë në Universitetin e Vlorës. Në Kentucky, dedikimi im ndaj studentit u njoh dhe vlerësua me një çmim nga universiteti. Hapat e ardhshëm janë që të udhëheq studentë masteri e doktorature. Uroj që mes tyre të kem studentë shqiptarë.

SHKOLLA VERORE “METODA MATEMATIKE NË ANALIZË TË DHËNASH” NË SHQIPËRI

Së bashku me dy matematiciene nga diaspora, Prof. Fioralba Cakoni dhe Dr. Mirjeta Pasha, morëm iniciativen për shkollën verore “Metoda Matematike në Analizë të Dhënash” që do të ndodhë me 18-29 Korrik, 2022 në Tiranë. Projekti është me përmasa ndërkombëtare. Lektorët janë profesorë të njohur në fushat respektive. Tema lëviz nga aplikime të algjebres e kombinatorikes, tek modelet në sistemet dinamike, problemet e anasjellta, dhe tomografi me rreze X, këto të shoqëruara me programim. Shkolla mbështetet nga shoqata e mirënjohur franceze CIMPA (Centre International de Mathématiques Pures et Appliquées). Sponsorët lokal janë Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, me këtë të fundit si institucion mikpritës. Gjej rastin ti bëj thirrje të fortë studentëve të matematikës, informatikës, dhe të inxhinierisë në universitetet shqiptare te regjistrohen nëpërmjet faqes sonë zyrtare: https://sites.google.com/vieë/mathschoolinalbania/home. Shkolla është falas. Ne po ju mirepresim! Qëllimi kryesor i këtij projekti është që studenti nga Shqipëria të dijë që mundësitë janë një aplikim larg. Bazuar nga eksperienca personale, kjo, aq e thjeshtë duket, aq e vështirë është kur të mungojnë burimet dhe shembujt. Shkolla është një hap serioz që takon studentët dhe profesorët me këto mundësi në një mjedis miqësor.

NEVOJA E REFORMIMIT TË SISTEMIT ARSIMOR SHQIPTAR DHE PËRSHTATJA ME MODELET E PERËNDIMIT

Ndihem e pasigurtë të jap përgjigje të gjata rreth sistemit arsimor në Shqipëri. Këshilla që do të jepja për sistemin universitar dhe atë pasuniversitar, kjo në shkallën institucionale dhe individuale, është mos izolimi. Eksperienca ndërkombëtare është kritike për avancimin e shkencës duke filluar nga impakti që ka në punime shkencore deri tek njohja dhe këshillimi i studentëve për një karrierë të suksesshme. Kjo është një pikë ku lidhjet me diasporen bëhen shumë të dobishme.

NJË KËSHILLË: SHEMBUJT KANË GJITHMONË RËNDESI

Praktika e zbulimit të teoremave në matematikë është me anë të shembujve. Në moment kur llogaritjet ecin, ne e lejojmë shembullin të na drejtojë në zgjidhjen e përgjithshme. E njëjta praktikë vlen më gjërë. Në vit të fundit të masterit në Shqipëri mësova për herë të parë për arritjet e Prof. Cakonit në USA dhe më gjërë. Kjo mjaftoi të ëndërroja nëse unë mund të vazhdoja studimet jashtë shtetit. E kuptova rëndësinë e shembujve dhe mundohem të jem një shembull i mirë. Të dy institucionet ku kam punuar tanimë kanë studentë shumë të mirë doktorature nga Shqipëria: Edison Mucllari në Universitetin e Kentucky-it, dhe Elima Shehu në Institutin Max Planck për Matematikë në Shkenca.

NË PRITJE TË STUDENTËVE SHQIPTARË

Pres me padurim të takoj studentët shqiptarë këtë verë dhe ti njoh të ftuarit në shkollën tonë në Shqipërinë mikpritëse. Jam e lumtur që në këtë projekt që do të takoj dhe punoj me profesorët e mi dhe me matematicien të rinj të talentuar në Shqipëri. Shpresoj që shkolla ti forcoi këto lidhje. Në fund dëshiroj të përmend prindërit Hajdine dhe Agim. Si prindër të shumë bashkëmoshatarëve të mi në Shqipëri, ata kanë edukim 8-vjeçar. Megjithatë të dy e dinë vlerën e librave dhe shkollës, dhe unë i dedikoj plotësisht dashurinë për dijen nënës sime.

KUSH ËSHTË DR. AIDA MARAJ

Dr. Aida Maraj ka lindur në fshatin Lavdan të Mallakastres,ndërsa sot punon si pedagoge matematike në Universitetin e Michigan-it, ndan me krenari se është një produkt i Universitetit të Tiranës ku zhvilloi studimet e larta (2009-2012) dhe master shkencor në matematikë (2012-2014). Dr. Maraj punoi një vit si pedagoge e brendshme në Universitetin e Vlorës. Ne Gusht të 2015-es, me inkurajimin e profesorit të saj të algjebres Prof. Elton Paskut dhe mbështetje me letra rekomandimi nga Prof. Artur Baxhaku dhe Prof. Ligor Nikolla, ajo filloi doktoraturen në Universitetin e Kentucky-it, në të cilin njëkohësisht punoi si asistente mësimdhënëse. Pas doktoratures Dr. Maraj u bë pjesë e institutit të njohur gjerman Max Planck për Matematikë në Shkenca si kërkuese shkencore në algjeber. Në Universitetin e Michiganit ajo vazhdon kërkimin shkencor dhe jep mësim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aida Maraj, Sokol Paja

SHKOLLA SHQIPE NË BARI GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

November 9, 2021 by s p

Sofiela Ropi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, themelimin e shkollës shqipe në Bari të Italisë, bashkëpunëtorët, nxënësit, mësuesit e sfidat e të ardhmes, organizimin e mësimit shqip dhe historinë e shkollës shqipe në Bari, gjuhën shqipe si formë e identitetit kombëtar dhe sfidat e mësimit shqip mes teknologjisë, pandemisë dhe vështirësitë e fëmijëve me dy gjuhë. Me Sofiela Ropin bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

SHKOLLA SHQIPE NË BARI TË ITALISË DHE E ARDHMJA E MËSIMIT SHQIP

Prej më shumë se 1 vit në Bari të Italisë është themeluar shoqata Shqiponjat e Mëndafshta, themeluar kryesisht nga vajzat shqiptare që studiojnë, punojnë dhe jetojnënë Bari dhe në Puglia. Një nga projektet kryesore të kësaj shoqate ishte themelimi i një shkolle të gjuhës shqipe në Bari, duke qenë se mungonte në territorin e Puglias një realitet i tillë dhe kaq i rëndësishëm. Pra një iniciativë e lindur nga dëshira e përbashkët e të gjitha anëtarëve për të ruajtur me përkujdesje dhe përkushtim gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. Duke nisur nga muaji maj i ketij viti kemi filluar përgatitjet brenda shoqatës tonë për realizimin e këetij projekti. Në këtë mënyrë grupi direktiv i shoqatës Shqiponjat e Mëndafshta filluan të mbledhin kurrikulume të disa vajzave të anëtarësuara pëer të mbuluar rolin e dhënies së mësimit në mënyrë vullnetare. Në këtë mënyrë pasi u dorëzuan CV personale të secilës nga ne u krijua grupi i mësueseve i cili edhe aktualisht përbehet nga une Sofiela Ropi, Albana Hasku dhe Blerta Bala. Të koordinuara nga presidentja e shoqatës Aurela Hasku, kemi filluar dhe zhvilluar përgatitjet për organizimin e brendshëm midis nesh por edhe njohjen me metoda të ndryshme të dhënies së mësimit në mënyrë për të përzgjedhur atë më të përshtatshmen, si edhe njohjen me tesktet në dispozicion dhe seleksionimi i tyre. Gjithashtu një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari Genta Mburimi,e cila mirëpriti dhe mbështeti këtë iniciative tonën, duke theksuar mungesën e ndjerë deri në atë moment të një shkolle të gjuhës shqipe në territorin e Barit, dhe rëndësinë e gjithanshme të realizimit të këtij projekti. Falë konsullatës kemi arritur të këmi në dorë  tekstet për ne mësuesit dhe fëmijët. Dua të theksoj që përveç ne mësueseve ka dhe vullnetarë të tjerë të cilat u munduan për të gjetur vendin për zhvillim e mësimit dhe mbuluan gjithë pjesën burrokrtike të regjistrimit të shkollës. Ky grup vullnetarësh na mbeshtet dhe ndihmon në aspektin organizativ. Duke nisur nga shtatori kemi nisur takimet me prindërit dhe fëmijët, të djelave. Takime të cilat shërbyen për t’u njohur dhe ambientuar. Këto iniciativa janë mbështetur dhe organizuar nga kontributi i secilës prej nesh, por në mënyrë të veçantë nga doktoreshë Arianita Nebi. Për sa i përket nxënësve, janë fëmijë që vijnë nga familje shqiptare ose të përziera ku njëri nga prindrit është shqiptar dhe tjetri italian. Shkolla e gjuhës shqipe është një ndihmë e madhe për ta sepse shpesh është e vështirëe që në ambientet familjare të flitet shqip, sidomos kur njeri nga prinderit nuk zotëson gjuhën shqipe. Kur kemi nisur publikimin e lajmit të themelimit të shkollës, në fillim të shtatorit, vendosëm të mos ishim ne që të shkonim në çdo familje për të kërkuar regjistrimin e fëmijës, por të shikonim interesin e familjeve për të ardhur tek ne. Ne po ofrojmë një shërbim falas në të mirë të komunitetit, por nuk duam kurrsesi të kushtezojmë, tërheqim apo këmbengulim për pjesmarrjen, sepse kënaqesia jonë është vlerësimi i tyre ndaj nesh dhe punës tonë. Mund të konfirmoj që kemi pasur kërkesa. Aktualisht pjesa më e madhe e famijëve vijnë nga Bari por nuk mungojnë edhe nga provincat rreth e rrotull, madje kemi dhe femijë që vijnë nga Matera, e cila ndodhet rreth 1 orë e gjysëm larg Barit. Kjo na mbush me gëzim.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP NË SHKOLLËN SHQIPE NË BARI

Mësimi zhvillohet në fundjavë, çdo të shtunë pasdite. Orët e mësimdhënies janë të organizuara në bazë të teknikave të didaktikës e të marjes pjesë në orën mësimore. Jemi të vetëdijshëm që fëmijët e pranishëm si kontakt të parë të gjuhës shqipe vetëm në mënyrë verbale, dhe në disa raste është hera e parë që flasin në gjuhën shqipe. Jemi të vetëdijshëm gjithashtu për të gjitha vështirësitë që lindin në dygjuhësitë të folësve në fazën shkollore, dhe përpiqemi të japim gjuhën shqipe me didaktikë që prezanton një gjuhë pak e njohur nga nxënësit. Ne mundohemi që të krijojmë një ambient sa më të rehatshëm, pa shumë kërkesa përgatitjeje të larta studimi nga ana e nxënësit, sepse ky është qëllimi jonë kryesor, ai dhe i kolegeve të mia, eështë që fëmijët të kenë interes dhe entuziazëm për të dedikuar një pasdite dëgjimit, leximit, mësimit të gjuhës shqipe. Interesi jonë është që ata të kuptojnë rëndësinë e kontaktit me gërmat, theksin, tingullin e një gjuhe që i përket nga lindja, nga ardhja në këtë botë. Rëndësia që duhet t’i japin njohjes së historisë shqiptare, gjeografisë apo traditave që kanë prekur dhe përjetuar brezat paraardhës, duke filluar nga prinderit e tyre.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Identiteti i një populli, kultura dhe në përgjithësi një grup njerzish është i lidhur në pënyrë të pa diskutueshme me gjuhën e folur. Një  gjuhë  në të vërtetë është një thesar i vlerave kulturore e pikvështrimit të ndryshëm të vëna në dukje nëpërmjet tingujve, instrumenteve leksikore, rregullat gramatikore dhesintakore. Gjuha është konfermimi i kolektivit e cila është një burim kryesor i identifikimit, bashkë me faktorë të tjerë, që bëjnë pjesë në të njëjtit komunitet.  Vetënjohja kolektive nëpërmjet gjuhës, e cila fillon nga individi dhe arrin në të gjithë komunitetin, është një element themelor i konfermimit  të identitetit kolektiv dhe të përbashkët, pra parimi që përkrah çdo koncepti të popullit të komunitetit, të kombit.

BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE

Bashkëpunimi midis shkollës dhe familjes është një parakushtim themelor për suksesin shkollor dhe arsimor të çdo nxënësi nga i cili nuk është e mundur të injorohet. Në këtë rast familjes i jepet detyra për të mbështetur mësimin, duke propozuar gjuhën e re si një aktivitet të përditshëm për të bërë së bashku në familje këtë komunikim të zakonshëm në familjet e tyre. Bashkëpunimi prindër nxënës kuptohet nëpermjet sjelljes, afrimitetit, tërheqja e vëmendjes të fëmijës nga mësuesi në shkollë, për tja bërë sa më të dashur orën e mësimit, ti futë dëshirën për t’i mësuar gjuhën shqipe. Per sa i perket bashkëpunimit me shkollat e tjera të gjuhës shqipe në Diasporë na ka dhënë mundëësinë për të trajtur më së miri nxënësit dygjuhëfoës. Ne si mësuese kemi ndjekur edhe seminare njëra prej të cilave ishte edhe ajo e shkolles se gjuhes shqipe  Skënderbeg në Parma. Po ashtu seminar i organizuar nga Qëndra e Botimeve për Diasporën me mbështetjen e Ministrit të Shtetit  për Diasporën dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Seminari tjetër ishte ai me temë” Përdorimi i fjalëve të përbashkëta”-  nga grupi i zhvillimit WAW – Shoqata Women Alb World.  Pra aty ku flitet për aspektin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe organizimit jashtë kufijve shqiptare, ne si grup pune të shkollës së gjuhës shqipe në Bari, jemi në dizpozicion dhe të gatshëm për të degjuar dhe bashkëpunuar. Jemi të vetëdijshëm që ne jemi të reja, kemi nevojë të mësojmë nga ata që këtë lloj pune kanë vite që e çojnë përpara, dhe si rrjedhojë kanë më shumë eksperiencë. 

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË, VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Sot, me mësimin në distancë së pari dhe pastaj mësimin e integruar dixhital, bashkëpërgjegjësia arsimore shkollë-familje merr një rëndësi të madhe, pikërisht sepse mjedisi didaktik/ arsimore, i përbërë nga hapësira alternative dhe momente të veçanta, presupozon një bashkëpunim të thellë dhe kurrë të parashikueshëm. Është ende herët për ne që të jemi në gjendje të bëjmë gjykime mbi vështirësitë e fëmijëve tanë, pasi jemi ende në një fazë të hershme.

NJË PËRSHËNDETJE PËR VATRËN, DIELLIN DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Të flasësh për Vatrën dhe Gazetën Dielli në USA duhet një libër më vete, jo artikull. Si për nga historia që mbart, si për nga rëndësia që ka por edhe për respektin e emrave më të njohur të historisë shqiptare që e kanëe përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejt. Unë sot flas në emër të grupit të mësueseve të shkollës shqipe në Bari, dhe secilës prej nesh ti krijohet mundësia për të folur për realitetin tonë në Gazetën Dielli është një emocion i veçantë. Dhe për këtë ju falenderoj të gjitheve por veçanërisht ty Sokol, sepse je i pranishëm dhe na kushton vëmendje, dhe kjo për në do të thotë shumë. Është për t’u vlerësuar dhe theksuar rëndesia e punës suaj, por edhe e shumë gazetarëve të tjerë si ti, sepse me anë të kësaj pune krijojnë  ura informacioni, komunkimi dhe ajo çka është me e rëndesishme krijoni Ura afrimiteti. Për këtë nuk duhet reshtur së falenderuari.

KUSH ËSHTË SOFIELA ROPI, NJË PREZANTIM PËR VETEN, FORMIMIN DHE KARRIERËN

Une vij nga qyteti i Korçës, kam mbarur studimet e larta për mësuesi dega Cikël i Ulët në Universiteti Fan Stilian Noli në Korçë. Kam kryer praktikën profesionale në shkollën 9-vjeçare “Sevasti Qiriazi”. Mbas mbarimit të studimeve kam qënë e vetpunësuar.  Më pas u transferova në Itali për të jetuar dhe duke qënë në kontakt me shoqaten “Shqiponjat e Mëndafsha” mu dha rasti që  të jem nje nga mësueset e para të shkollës se gjuhës shqipe në Bari. Puna ime arrin objektivat falë bashkëpunimit me koleget e mia, mësuese; Albana Hasku, e cila ka  studiuar për Histori – Gjeografi në Universitetin e Tiranës dhe ka eksperiencë në mësimdhënie në cikël të ulët dhe  tetë vjeçar, ne Shqiperi. Dhe Blerta Bala,  e cila ka studiuar për Pedagogji dhe psikologji  në Universitetin Alksandër Moisiu në Durrës. Ne kryejmë një punë tërësisht në mënyrë vullnetare, por e bëjmë me përkushtim dhe pasion.

Filed Under: Featured Tagged With: Sofiela Ropi, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT