• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA PROMOVOI VEPRËN E SHKRIMTARIT YLLJET ALIÇKA

January 4, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 Janar 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e shkrimtarit dhe diplomatit z.Ylljet Aliçka “Parullat” dhe “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, diplomatëve, drejtuesve të shoqatave kryesore patriotike në New York e më gjërë, Federata “Vatra” si lideri i padiskutueshëm i veprimtarive patriotike e kulturore në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkoi shqiptarët në një festë kulturore dhe letrare që promovon vlerat atdhetare, kulturën e letërsinë më të mirë shqipe. Editori i Diellit në prezantimin e shkrimtarit Ylljet Aliçka para pjesëmarrësve u ndal te kontributi në letërsi, kinematografi, diplomaci dhe çmimet në arën ndërkombëtare si arritje personale por edhe kombëtare. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Vatra dhe vlerësoi personalitetin e shkrimtarit Ylljet Aliçkaj në diplomaci dhe letrat shqipe. Editorja e gjuhës angleze në gazetën Dielli Rafaela Prifti u shpreh në analizën e saj se vëllimi me tregime “Parullat” është letërsi artistike por aty ka ngjarje të një realiteti të përjetuar. Çështja është se e tashmja jone nuk është shumë larg atij realiteti. Prandaj sot mund te pyesim: A jemi më afër të kuptuarit të vetes kur kemi në duar “Parullat në gur”? Dr. Ardiana Mici pedagoge në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, analizoi veprën “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj. Dr. Mici u shpreh se Me romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Ylljet Aliçka vjen si një autor i afirmuar tashmë për mendimin e tij të mprehtë dhe provokues në veprat e mëparshme. “Metamorfoza e një kryeqyteti” është një roman që shpalos gradualisht transformimet që përjeton kryeqyteti shqiptar në kushtet e ndryshimeve të thella politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në periudhën kalimtare nga sistemi komunist drejt pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut. Edhe pse romani titullohet “Metamorfoza e një kryeqyteti”, në thelb ai fokusohet tek transformimet që pëson mënyra e jetesës dhe njerëzit e tij më shumë sesa tek ndryshimet që pëson peizazhi urban, ndonëse edhe këto nuk janë të pakta. Narrativa e romanit gërsheton mjeshtërisht historitë personale me ndryshimet e forta politike, shoqërore dhe ekonomike që ndodhnin në vend gjatë sistemit komunist, degradimit dhe rënies së tij. Duke zgjedhur pikërisht këtë sfond historik shkrimtari e ndërton romanin përmes përjetimeve të personazheve, përplasjes së brendshme të ndjenjave dhe mendimeve të tyre në përpjekje për të bërë zgjedhjen e duhur për ti mbijetuar diktaturës apo për të zgjidhur dilemat e mëdha në lidhje me identitetin dhe përkatësinë shoqërore dhe politike në momentet e ndryshimit.

Shkrimtari z.Ylljet Aliçka në fjalën e tij shprehu mirënjohje dhe falënderim për Vatrën e mërgatën shqiptare në New York për mikpritjen. Z. Aliçka theksoi se gjatë kohës së komunizmit teksa dëgjonte fshehurazi radion “Zëri i Amerikës” ishte njohur me aktivitet e Vatrës. “Vatra është qëndër shumë e rëndësishme emblematike, historike dhe patriotike” u shpreh shkrimtari Aliçka. Para të pranishmëve diplomati e shkrimtari Aliçka përgjatë bashkëbisedimit me të pranishmit prezantoi 6 veprat e tij në prozë dhe përkthimet ndërkombëtare, diskutoi rreth krizës së leximit në ditën e sotme, rëndësinë e përkthimit të veprave letrare në gjuhët e veçanta, situatën politike e shoqërore në Shqipëri, letërsinë shqipe si peisazh në raport me letërsinë ndërkombëtare, diversitetin kulturor, edukimin dhe integrimin e fëmijëve shqiptarë në kulturën dhe shoqërinë amerikane. Ky takim i ngrohtë dhe shumë i rëndësishëm kulturor e letrar te Vatra ngroh dhe fton shqiptarët drejtë komunitetit, aktiviteteve kulturore dhe librit si rrugë drejtë lirisë dhe zhvillimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

VATRA PROMOVOI VEPRAT E ADEM LUSHAJ RRETH KRIMEVE SERBE NË KOSOVË

November 9, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 9 Nëntor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e Adem Lushaj: “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore (si u konfiskuan pronat private nga Manastiri i Deçanit)”. Libri “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit”, botim i “Jalifat Publishing”, përmban mbi 300 dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve të krimeve serbe ndaj popullatës së Deçanit, Junikut dhe fshatrave të Pejës, Gjakovës dhe Klinës. Dëshmitë e mbledhura gjatë periudhës korrik-dhjetor 1999, dëshmi të mbledhura së bashku me Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG) dhe Tribunalin e Hagës, janë të përkthyera edhe në Gjuhën angleze dhe turke. Në këtë libër janë përfshirë edhe dhunimet seksuale të ndodhura në disa fshatra të Deçanit. Në librin “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore”, prezanton zhvillimet që kanë ndodhur rreth faljes së pronave të ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA në Deçan, falje që më vonë ishte njohur edhe nga Kolegji i Specializuar e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese. Në këtë libër janë bashkëngjitur edhe vendimet e këtyre gjykatave dhe dëshmi tjera të cilat prezantojnë atë se çfarë kishte ndodhur rreth pronave publike dhe pakënaqësitë ë e qytetarëve të Deçanit. Me pjesëmarrjen e aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, Ramiz Tafilaj, drejtor i “Jalifat Publishing”, autori Adem Lushaj,

Kryetari i Komunës së Deçanit, z Bashkim Ramosaj, dhe drejtori i Shërbimeve Civile në Komunë e Deçanit z. Jashar Dobraj u pritën përzemërsisht prej vatranëve e patriotëve të New York-ute më gjërë. Në fjalën e mirëseardhjes nga Rrustem Gecaj “Nderi i Kombit” personalitet absolut dhe veprimtar i shquar në mërgatën e Amerikës u theksua rëndësia e suksesit dhe botimit të librave historikë dhe z.Gecaj premtoi se sponsorizon në emër të Vatrës botimin në serbisht të këtyre veprave për të denoncuar krimet e tmerrshme të serbëve në Kosovë. Në fjalën e tyre Lek Përlleshi dhe veprimtari Agim Aliçkaj diskutuan rreth krimeve serbe, planeve serbe për të zhdukur kombin shqiptar dhe nevojën për të shkruar rreth krimeve e masakrave serbe në Kosovë. Ramiz Tafilaj, drejtor i gazetës së Alpeve vlerësoi Vatrën dhe mërgatën e Amerikës në përpjekje për Shqipërinë e Kosovën dhe nevojën për përkthimin e veprave dhe fakteve historike për Kosovën dhe krimet serbe ndër shqiptarë. Z. Tafilaj vlerësoi gazetën Dielli për dokumentimin historik të historisë së shqiptarëve dhe duskutoi rreth gazetës së Alpeve si kontribut komunitar dhe atdhetar. Bashkim Ramosaj, kryetari i Komunës së Deçanit shpjegoi ringritjen dhe rimëkëmbjen e Deçanit e Kosovës që pas luftës deri në ditët e sotme.

Ai vlerësoi autorët që kanë shkruar për Deçanin dhe historinë e Kosovës. Theksoi nevojën e botimit të librave historikë me argumente shkencore e fakte historike rreth Kosovës dhe ekspozimit të krimeve e gjenocidit serb në Kosovë.

Ai çmoi bashkëjetesën fetare me devizën “feja e shqiptarit është shqiptaria” e ardhur që nga Rilindja Kombëtare, nevojën për zhvillim ekonomik të rajonit dhe vlerësoi mërgatën për kontributin e saj patriotik. Autori Adem Lushaj ekspozoi krimet e tmerrshme serbe në Deçan dhe përmbajtjen e dëshmive të botuara në librat e tij ku faktojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët. Pas fjalës së gazetarit dhe aktivistit Shkumbin Tetaj, arkëtari i Vatrës Besim Malota falenderoi pjesëmarrësit në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha dhe solli një dëshmi të krimeve të Serbisë në Junik e Deçan. Ceremonia e promovimit u mbyll me dhurimit ndaj Vatrës prej kryetarit të Komunës së Deçanit, z.Bashkim Ramosaj të stemës zyrtare të Komunës. Një tjetër aktivitet i shkëlqyer patriotik e kulturor prej Federatës Vatra si lideri i padiskutueshëm patriotik e atdhetar në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

VATRA THEMELOI DEGËN NË LONG ISLAND DHE INAUGUROI SHKOLLËN SHQIPE “GJERGJ FISHTA” NË NEW YORK

October 27, 2024 by s p

Sokol Paja/

Long Island, New York – 26 Tetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” themeloi degën më të re të Vatrës në Long Island – New York dhe inauguroi shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Me pjesëmarrjen e kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, Sekretarit Dr. Pashko Camaj, Arkëtarit z.Besim Malota dhe editorit të Diellit u përgëzua dhe vlerësua iniciativa e shenjtë dhe puna e shkëlqyer e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë në Long Island-New York të cilët bashkuan energjitë patriotike e komunitare në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. Fjalën e hapjes e mbajti prifti amerikan Gil Lap i cili i ka ofruar ambientet e Parish Center per zhvillimin e mesimit per shkollën shqipe “Gjergj Fishta” për të zhvilluar të gjitha aktivitetet e veprimtaritë atdhetare e kulturore. Dega e Vatrës në Long Island u themelua nga studiuesi Dr. Paulin Marku dhe iu bashkangjitën si grup pune David Turkaj, Besnik Bajraktari e Afrim Gega. Në fjalën falenderuese për patriotët shqiptarë dinjitozë e të dinjitetshëm të Long Island, kryetari Dr. Berisha shprehu vlerësimet më të larta për shqiptarët punëtorë e të suksesshëm e patriotë që iu bashkuan Vatrës, kauzës kombëtare e shkollës shqipe. Dr. Berisha shpjegoi në fjalën e tij vizionin dhe transformimet e Vatrës e kontributin historik në dobi të çështjes kombëtare e deri në ditët e sotme ku Vatra është partner në Departamentin e Shtetit dhe institucionet amerikane. Dr. Berisha foli për bashkëpunimin e ngushtë në vite me studiuesin Dr. Paulin Marku dhe garantoi komunitetin për vlerat e tij intelektuale, patriotike e qytetare si garanci për të ardhmen e Vatrës dhe zhvillimin e komunitetit shqiptar në Long Island. Arkëtari i Vatrës z.Besim Malota dhe Sekretari Dr. Pashko Camaj vunë theksin në fjalën e tyre tek rëndësia e bashkëpunimit dhe bashkimit të shqiptarëve rreth Vatrës si institucioni historik kombëtar i mërgatës dhe përfaqësuesja më e shquar e shqiptarëve të Amerikës. Shkrimtari Mëhill Velaj vuri theksin te puna fenomenale e Federatës Vatra në mbështetje të komunitetit shqiptar, kombit, vlerave kombëtare dhe arsimit shqip si trashëguese e pavdekshme e kombit shqiptar. Studiuesi Frano Kulli në fjalën përshëndetëse dërguar nga Lezha theksoi se hapja e një shkolle shqipe në Long Island, NY, pa mëdyshje është ngjarje, është një ndër lajmet më të mira që vjen këto ditë nga përtej Oqeanit këtu në Shqipërinë tonë të vogël. Më tej studiuesi Frano Kulli shtoi se shkolla shqipe është garanci për mbrojtjen e ruajtjen e gjuhës sonë sot, si elementi më i rëndësishëm i idenditetit tonë kombëtar. Nuk kishte me qenë trashëgimi e pasuri më e madhe për brezin e ri që jeton sot në diasporë e brezat që do të vijnë sesa ruajtja e kultivimi i gjuhës shqipe, porositi z.Kulli. Në fjalën e tij kryetari i zgjedhur i Vatrës në Long Island Dr. Paulin Marku shprehu mirënjohjen për mbështetjen kryetarin e Vatrës Dr. Elmi Berisha për mbështetjen në procesin e themelimit të degës së re, vizionin dhe punën e shkëlqyer të Vatrës duke qenë udhëheqësja më e rëndësishme e proceseve kombëtare e patriotike në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dr. Marku mes emocionesh shpjegoi rrugëtimin për themelimin e degës së Vatrës Long Island dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta” ku ai bashkë me bashkëshorten e tij bashkëthemeluese Fabjola Gjinaj do të punojnë me fëmijët shqiptarë për ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës kombëtare, historisë, traditës shqiptare dhe identitetit kombëtar në mërgatën e Amerikës. Editori i Diellit përgëzoi degën e re: Dr. Paulin Marku-kryetar, Afrim Gega- nënkryetar, Klaudio Turkaj – sekretar i Degës dhe Besnik Bajraktari- arkëtar dhe çmoi angazhimin e tyre patriotik për ti shërbyer Vatrës, gjuhës shqipe, kombit shqiptar, atdheut e komunitetit. Me emocionesh themeluesja e shkollës shqipe Fabjola Gjinaj eksperte prej 12 vitesh në mësuesi prezantoi para te pranishmëve rendesine per projektin e nisur me shkollën shqipe si dedikim për shqiptarinë në përpjekjet e shenjta të ruajtjes së identitetit kombëtar e gjuhës shqipe në mërgatën e Amerikës. Në mbyllje të fjalës së saj, citoi vargjet “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”. Shkolla është falas dhe do të ofrojë mësim shqip, këngë e valle çdo të shtunë nga ora 10 am – 12 pm në adresën: 134 Middle Country Rd, Coram, NY 11727. Me rastin e themelimit të shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 30 gazeta Dielli dhe 30 libra shqip për fëmijët shqiptarë.

Kjo ishte një dite feste që do të mbetet e shënuar në historinë e Vatrës dhe të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në angazhimin e tyre për të mos harruar kurrë gjuhën shqipe, kombin dhe atdheun.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

“SHKOLLA SHQIPE” NË ZVICËR DHE PËRPJEKJET E MËRGATËS SHQIPTARE PËR GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR

October 26, 2024 by s p

Mirsime Muja Durmishi mësuese e shkollës shqipe në Zvicër në qytetet Kirchberg dhe Bern, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mirsime Muja Durmishi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ZVICËR

“Shkolla shqipe” në Zvicër u krijua në gusht të vitit 2019 si një përpjekje për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhej mësimi në gjuhën amtare. Bazuar në statistikat zyrtare, në Zvicër ka një numër prej 30-35 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare në Zvicër.  Ndër vite, masivizimi i mësimit të gjuhës shqipe ka qenë problematik dhe veçanërisht gjatë viteve 2013-2019 kishte një rënie drastike të numrit të nxënësve në shkollat shqipe ekzistuese.

Dhe në 4-5 vitet e fundit kemi një sensibilizim të prindërve shqiptarë falë punës dhe angazhimit të disa mësuesve dhe veprimtarëve të arsimit shqip nën drejtimin e Dr. Vaxhid Sejdiut, i cili në bashkëpunim me të gjithë ata, të cilët ishin dhe janë të gatshëm të punojnë në shërbim të gjuhës shqipe arritën ëndrrën e shumë mësuesve me bërë realitet. Puna e prof. Vaxhidit është shembulli më mirë se si punohet dhe se si koordinohen të gjitha përpjekjet në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe kudo ku ka fëmijë shqiptarë. Dhe sot e themi me krenari se numri i pikave shkollore në Zvicër është dyfishuar. Vlen të përmendet se nga marsi i vitit 2024 të dy shkollat në Zvicër L.A.P.Sh. “N. Frashëri” dhe “Shkolla shqipe” – Zvicër arritën të bashkohen dhe sot në momentin që po flasim veprojmë dhe funksionojmë si një trup i vetëm me dy bashkëkryetarë Z. Vaxhid Sejdiu dhe Z. Liburn Mehmetaj. Sa i përket angazhimit tim, që nga shkurti i vitit 2022, kam kënaqësinë të jem mësuese në Shkollën Shqipe, ku fillova të punoj në dy pika shkollore njëra në kantonin e Solothurnit konkretisht në Grenchen si dhe tjetra në kantonin e Bernit, Tavannes. Për një kohë më të shkurtër, kisha edhe një pikë shkollore në qytetin e Solothurn. Duke qenë se para një viti kam ndërruar vendbanimin, më është dashur ti ndërroj edhe pikat shkollore. Tani jap mesim në pikën shkollore në Kirchberg, si dhe në qytetin e Bernit, ka filluar regjistrimi i nxënësve në tri pika të tjera shkollore. Shfrytëzoj rastin që ti ftoj prindërit shqiptarë që jetojnë në Bernë që ti sjellin fëmijët në njërën nga këto pikat shkollore.

 Mësimi në gjuhën shqipe: Shkolla: “Statthalter”/  Çdo të Mërkurë;  Ora: 15:30 – 17:30 – Adresa: Bümplizstrasse 152, 3018 Bernë. Shkolla: “Manuel” /Çdo të Shtunë; Ora: 9:00 – 12:00 – Adresa:Mülinenstrasse 6, 3006 Bernë. Shkolla: “Wittigkofen” / Çdo të Mërkurë; Ora:13:30 – 15:30  – Adresa:Jupiterstrasse 35, 3015 Wittigkofen / Bernë. Shkolla: “Primarschule Kirchberg”  Çdo të Premte; Ora: grupi i parë16:00-17:30; grupi i dytë 17:30 – 19:00.- Adresa: Schulweg 13, 33422 Kirchberg. Mësimi zhvillohet në një ambient që promovon kulturën dhe gjuhën shqipe, duke u përkushtuar në mbështetje të fëmijëve shqiptarë  në diasporë. Klasat si gjithnjë janë si nga mosha ashtu edhe niveli i njohurive gjuhësore shumë heterogjene.

BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT DHE KOMUNITETIN SHQIPTAR

Përfshirja e prindërve është thelbësore për të arritur sukses në mësimdhënien e gjuhës shqipe. Bashkëpunimi i ngushtë midis mësuesve, prindërve dhe komunitetit shqiptar është shumë i rëndësishëm për të siguruar ruajtjen dhe përdorimin e gjuhës shqipe nga brezat e rinj. Mësuesit duhet të gjejnë një ekuilibër të duhur midis mbështetjes dhe pritëshmërive të larta ndaj nxënësve, siç ndodh edhe në arsimin gjerman dhe zviceran. Bashkëpunimi i mësuesve, prindërve dhe nxënësve nën ombrellën e institucioneve shqiptare dhe atyre kosovare është shumë i rëndësishëm për të siguruar mësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Që nga fillimi kam pasur klasa heterogjene, ku nxënësit ishin nga mosha 5 deri në 15 vjeç. Gjatë mësimit, kemi nxënës që flasin gjuhën shqipe në mënyrë të shkëlqyer, por gjithashtu edhe ata që kishin vështirësi të mëdha, përfshirë fëmijë me nevoja të veçanta si “Sindromi Down”. Fillimi ishte i vështirë, por dashuria e sinqertë e këtyre fëmijëve, që më përqafojnë me gëzim, më ka dhënë  edhe më shumë forcë dhe motivim.

Gjithashtu për mua shumë mbresëlënëse është, se si një nënë polake e martuar me një shqiptar, e cila sjellë pesë fëmijë në klasë. Kjo situatë e pasur me diversitet ka ndihmuar në rritjen e ndjeshmërisë dhe kuptimit të kulturave të ndryshme. Kur u transferova në Bern, vazhdova përpjekjet e mia për të mbështetur fëmijët dhe për të kontribuar në ruajtjen e identitetit të tyre kulturor edhe këtu. Puna në shkollën shqipe më ka ndihmuar të rikthehem te vetja dhe të shijoj çdo moment, përkundër sfidave që mund ti kemi… Kam organizuar aktivitete kulturore, duke festuar festat tradicionale dhe ditëlindjet, ditën botërore të fëmijëve, për të ndihmuar nxënësit të ndiejnë afërsinë me vendin e tyre të origjinës dhe të flasin shqip me krenari.

Këto përvoja, përveçse janë një mundësi për të mësuar gjuhën shqipe, janë një mundësi për të ndarë dashurinë për kulturën tonë dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një identiteti të fortë te fëmijët shqiptarë në diasporë. Pas diplomimit në gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë në vitin 2006, isha shume afër hapjes së një klase në Gjermani, qyteti ku jetoja Achern, por rrethanat e krijuara nuk e lejuan këtë. Megjithatë, sapo më është ofruar kjo mundësi këtu në Zvicër fillova këtë me shumë entuziazëm. Dashuria ndaj profesionit tim, gjuhës Amë dhe femijëve, vihet re që nga momenti që hyj në klasë. Besoj fort se çfarë japim, do të marrim prapë. Ky parim përpiqem ta transmetoj jo vetëm tek nxënësit e mi, por edhe tek fëmijët e mi, për t’i inkurajuar ata të përjetojnë jetën me dashuri dhe respekt.

KURRIKULA MËSIMORE

Si mësues të gjuhës shqipe në diasporë, kryesisht përdorim tekstin “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare” I dhe II,  të ofruar falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Ky është një burim i vlefshëm që na lejon të zhvillojmë mësimin e gjuhës shqipe dhe të zbulojmë kulturën tonë me nxënësit. Përveç këtij teksti, ne përpiqemi të integrojmë edhe materiale të tjera nga interneti, burime të ndryshme dhe madje edhe aktivitete e lojëra, të cilat i përshtatim sipas grupmoshave dhe niveleve gjuhësore të nxënësve.

Kohët e fundit kemi pasur mundësi të takohemi më shpesh me kolegët tanë në Zvicër nëpër trajnime apo festa të ndryshme, si dhe së fundmi në Prishtinë, ku kemi pasur mundësi të shkëmbejmë përvojat tona. Kjo përkrahje nga qeveritë tona, ambasadat dhe qendra botuese e diasporës është shumë e dobishme për ne si mësues të diasporës, pasi na ndihmon të rritemi profesionalisht. Mbështetja për ne si mësues të diasporës ka qenë shumë e dobishme pasi me kolegët zviceranë këmbimi i ideve është pothuajse i pamundur njëra nga arsyet mund të jetë edhe se jo të gjithë kolegët kanë pasur mundësinë të mësojnë mirë gjuhën e vendit. Por, gjëja vendimtare është orari në të cilin ne e zhvillojmë mësimin. Ne mbajmë mësimin mbas mësimit të rregullt pra, pasi të jetë mbyllur shkolla. Këtu do të shfrytëzonim rastin t’i lusnim përsëri qeveritë tona që të bëjnë gjithçka që të jetë e mundur që mësimdhënia e gjuhës shqipe të bëhet gjatë orarit normal të mësimit. Këtë e kërkojmë për dy arsye: e para siç e cekëm më lart të na mundësohet që të kemi më shumë mundësi të ndërrimit të ideve me kolegët zviceranë dhe e dyta kështu besojmë se do rritej numri i nxënësve mbase shumica e aktiviteteve të lira sporteve etj. janë po në të njëjtën kohë me mësimin e gjuhës shqipe. Kjo ua vështirëson atyre që mbase ata duhet të vendosin shkollën shqipe apo futboll, muzikë, balet, kurse të matematikës etj. etj. Edhe kjo na dhemb kur i shohim që ne ua “vjedhim” kohën e lirë mbase ashtu munden t’i tregojnë talentet e tyre edhe në gjëra të tjera dhe të bëjnë shoqëri jashtë oborrit të shkollës me nxënës të kombësive të ndryshme me të cilët ndajnë edhe të njëjtat interesa. Kjo do ulte edhe stresin e gjithë ditës duke guxuar të jenë edhe fëmijë mbase siç dihet orari i mësimit këtu në Zvicër është mjaft i gjatë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Mësimi i gjuhës shqipe është thelbësor për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve që jetojnë në Mërgatë. Kjo është e rëndësishme për shumë arsye. Mësimi i gjuhës amtare shqipe ndihmon fëmijët shqiptarë në mërgatë të zhvillojnë një ndjenjë më të fortë të identitetit dhe lidhjes me trashëgiminë e tyre kulturore. Kjo i bën ata të ndjehen pjesë e një komuniteti më të gjerë. Mësimi i gjuhës shqipe siguron që gjuha dhe traditat të ruhen dhe të transmetohen tek brezat e ardhshëm të shqiptarëve në diasporë. Kjo është thelbësore për të ruajtur identitetin kombëtar.

Mësimi i gjuhës shqipe në Zvicër luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimit ndërmjet komunitetit shqiptar dhe shoqërisë zvicerane. Kjo kontribuon në integrimin e suksesshëm. Gjuha shqipe nuk pengon aspak fëmijët tanë në mësimin e gjuhës gjermane, por përkundrazi i forcon ata. Shumëgjuhësia shihet si një avantazh i madh në Zvicër, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të mësojnë gjuhë të shumta në të ardhmen. Në përfundim, e them me përgjegjësi se mësimi i gjuhës shqipe është jetik për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Zvicër. Ai i ndihmon fëmijët të zhvillojnë një ndjenjë të fortë të përkatësisë, të transmetojnë traditën dhe të kontribuojnë në dialog ndërkulturor. Kjo është një përgjegjësi që të gjithë ne, prindër, mësues dhe komuniteti,  duhet ta marrim shumë seriozisht.

MËSIM SHQIP NË ZVICËR ME KATËR GJUHË ZYRTARE DHE 26 KANTONE

Shumë fëmijë rriten sot duke folur dy ose tri gjuhë. Zvicra ka katër gjuhë zyrtare dhe është e përbërë nga 26 Kantone. Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që nuk kanë gjermanishten si gjuhë të parë, mund të ndjekin “Mësimin në gjuhën dhe kulturën amtare – HSK” që nga kopshti. interesat kantonale përfaqësohen në Konferencën e përbashkët të Drejtorive të Arsimit  EDK. Ekzistojnë rekomandimet e EDK-së për arsimimin e fëmijëve me gjuhë të huaj, të bëra që nga viti 1991. Duke qenë se kantonet mbajnë përgjegjësinë kryesore, rreth 90%, për financimin e arsimit, mbështetja për mësimin e gjuhës dhe kulturës amtare, përfshirë edhe gjuhën shqipe, disi ndryshon nga kantoni në kanton. Një gjë, që më ka bërë shumë krenare është, një anketë e re e Zyrës Federale të Statistikave tregon: Për herë të parë pas më shumë se dhjetë vjet, në Zvicër flitet më shumë shqip sesa portugalisht. Kjo do të thotë që pas anglishtes, shqipja është gjuha e huaj më e folur në Zvicër në vitin 2024. Në kantonin, në të cilin unë jetoj dhe punoj, në Bernë, organizohen rregullisht seminare dhe kurse falas për mësuesit e HSK-së. Për shembull, seminari i fundit ishte për fëmijët me ADHS gjatë mësimdhënies, ndërsa seminari i radhës, për të cilin kam konfirmuar pjesëmarrjen time, do t’i kushtohet strategjive të mësimdhënies për fëmijët me çrregullime të spektrit autik (ASS). Pra kantoni rregullon pranimin e mësimit plotësues dhe të mësuesve na ofron klasat ku të zhvillohet mësimi dhe koordinon ofertën. Ai gjithashtu mbështet zhvillimin e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës amtare përmes ofertave të caktuara të zhvillimit profesional dhe konferencave. Duke u bazuar se si kolegët tanë këtu që ofrojnë gjuhët e tyre amtare përkrahen nga vendi amë apo edhe nga kolegët tanë të mësimdhënies se gjuhës shqipe në vende të tjera evropiane përkrahen nga vendi në të cilin jetojnë p.sh nga Austria, Norvegjia etj. kuptohet se definitivisht mund të bëhet edhe shumë më shume në këtë drejtim, si nga kantoni ashtu edhe nga qeveritë tona.

Për më tepër, në webfaqen zyrtare te kantonit të Bernit, për mësimin plotësues « HSK -Unterricht », shkruan se shumëgjuhësia është një fitim, është një mundësi shumë e mirë, dhe më pas ndër të tjerash e gjenë aty linkun e një studimi të bërë nga instituti Shtetëror i Edukimit të Hershëm – IFP në Mynih të Gjermanisë, i cili ka përgatitur edhe një udhëzues për prindërit, të cilët kanë fëmijë që rriten duke folur dy ose tre gjuhë.

Për më tepër mund të them me bindje të plotë se mësimi i gjuhës shqipe në Zvicër pritet në mënyrë pozitive nga shoqëria zvicerane, duke e parë atë si një hap të rëndësishëm për integrimin e komunitetit shqiptar.  Autoritetet zvicerane mbështesin mësimin e gjuhëve amtare, duke e parë atë si një mjet për të forcuar identitetin kulturor dhe integrimin. Ekziston bashkëpunim i ngushtë midis shkollave dhe organeve shtetërore për të siguruar kushte të përshtatshme edhe për mësimin e gjuhës shqipe.

Siç dihet, se ndër vendet shumëgjuhëshe, Zvicra konsiderohet si modeli ideal i kohezionit kombëtar. Ambasadat e Shqipërisë, Ambasada e R. së Kosovës, Ambasada e Maqedonisë së veriut, konsullatat tona si dhe Qendra e Botimeve  për Diasporën, organizatat dhe shoqatat shqiptare luajnë gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm në organizimin dhe promovimin e mësimit të gjuhës shqipe. Angazhimi i komunitetit shqiptar, duke përfshirë prindërit, mësuesit dhe vullnetarët, është jetik për vazhdimësinë dhe cilësinë e mësimit. Ky kontribut i komunitetit shqiptar dëshmon përkushtimin për të ruajtur identitetin kulturor dhe për të siguruar një integrim të suksesshëm. Mësimi i gjuhës shqipe në Zvicër gëzon mbështetjen e shoqërisë zvicerane, duke u parë si një instrument i rëndësishëm për diversitetin kulturor dhe integrimin e komunitetit shqiptar.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Ne, si mësimdhënës, kemi nevojë për një qasje të balancuar, duke kombinuar metodat tradicionale me ato të teknologjisë, si dhe kujdesin dhe entuziazmin tonë ndaj profesionit tonë të shenjt, si mësues në diasporë dhe ndaj nxënësve me dy apo më shumë gjuhësi. Ne gjithsesi duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe të zhvillojmë strategji për t’i tejkaluar ato. Megjithëse mësimdhënia përmes teknologjisë ofron shumë përparësi për fëmijët me dy apo më shumë gjuhësi, kjo kërkon vëmendje të veçantë nga ana jonë për të adresuar vështirësitë e mundshme. E ceka me më shumë gjuhë mbase fëmijët që rriten dhe shkollohen në Zvicër, konkretisht po flas për kantonin në të cilin unë jetoj, pra kantonin e Bernit është diçka normale. Një shembull konkret : fëmijët e mi në shtëpi me mua flasin shqip, në rrugë me shokë flasin dialektin zviceran, në shkollë flasin gjuhen standarde gjermane, ndërsa për tu regjistruar në gjimnaz kërkohet një nivel tejet i mirë i gjuhës frënge si dhe natyrisht edhe gjuhën angleze e mësojnë në shkollë.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Angazhimi ynë në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Zvicër është një hap i rëndësishëm për integrimin e komunitetit shqiptar. Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Zvicër ka gjithsesi një efekt të rëndësishëm në forcimin e identitetit dhe ndjenjës së tyre patriotike. Mësimi i gjuhës amtare ndihmon fëmijët të ruajnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre kulturor shqiptar. Përmes shkollës shqipe ata marrin ndjenjën e krenarisë për origjinën e tyre. Përmes mësimit të gjuhës shqipe, brezat e rinj shqiptarë në diasporë mund të forcojnë lidhjen e tyre edhe me vendin e prejardhjes dhe  të zhvillojnë një ndjenjë të fortë të identitetit kombëtar dhe ju rritet dëshira për ta vizituar vendlindjen. Pra, njohja e gjuhës shqipe ndihmon fëmijët të ndërtojnë ura midis kulturave, duke kontribuar në një dialog dhe mirëkuptim më të gjerë ndërkulturor. Mësimi i gjuhës shqipe luan një rol thelbësor në integrimin e qëndrueshëm të komunitetit shqiptar edhe në shoqërinë zvicerane, duke i bërë ata të ndjehen më të pranuar dhe të vlerësuar.

PËRSHTYPJET NGA SEMINARI I XVII MBARËKOMBËTAR I KOSOVËS

Kjo ishte hera e parë që mora pjesë në këtë Seminar. Ky ishte Seminari i XVII Mbarëkombëtar për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë. Gjithmonë ndjej kënaqësi të ndajmë përvojat nga aktivitetet e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë me kolegët nga e gjithë bota shqiptare që punojnë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Gjatë katër ditëve të seminarit pata rastin të dëgjoj kumtesa nga ekspertë të fushës së gjuhësisë, të marr pjesë në punëtori ku u diskutuan çështje të rëndësishme për përmirësimin e mësimdhënies.

Gjatë Seminarit XVII, unë prezantova nje rezyme të shkurtër temës së koleges Anita Duriçi për ndërthurjen e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare me atë të vendit pritës. Në Seminarin e XVII Mbarëkombëtar “Metodologji të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë”, së bashku me mësues të tjerë, diskutuam mbi metodologjitë e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë. Ne jemi të angazhuar për të mbështetur fëmijët shqiptarë që rriten jashtë atdheut, duke besuar se vetëm përmes bashkëpunimit do të ruajmë identitetin tonë kulturor. Një falënderim i veçantë për Shkollën shqipe « LAPSH » dhe veçanërisht koordinatorit tonë z. Vaxhid Sejdiut për mbështetjen dhe përkushtimin në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë. Ajo që ne na gëzoi veçanërisht ishte prania e autoriteteve të larta qeveritare nga Kosova dhe Shqipëria si kryeministri z. Kurti, ministren Gërvalla, ministren e Arsimit të R. së Kosovës z. Nagavci, ministren e arsimit dhe të Sportit të Shqipërisë znj. Orgeta Manstirliu. Kjo tregon përkrahjen dhe vëmendjen që i kushtohet punës sonë. Ishte një nder i veçantë që kjo ngjarje madhështore zhvillohej në vendin tim, në Prishtinën e bukur. Pra seminari u zhvillua në Prishtinë, qytetin ku unë i përfundova studimet, kjo më dha edhe një ndjenjë emocionuese të kthimit në shtëpi dhe sidomos vizita në bibliotekën kombëtare më beri  të ndjehesha përsëri studente, diçka që më ka munguar shumë gjatë viteve. Pjesëmarrja në këtë seminar më frymëzoi dhe më dha ide të reja për të forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore të vendeve pritëse, kjo mund të ketë efekte shumë pozitive për programet e mësimdhënies suplementare të gjuhës shqipe. Në tërësi, ky seminar ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u frymëzuar, për t’u përmirësuar profesionalisht dhe për të ndjekur përkrahjen që vjen nga shtetet tona amë për misionin tonë kombëtar.

KUSH ËSHTË MËSUESJA MIRSIME MUJA DURMISHI? 

Mirsime Muja Durmishi, e lindur më 28 tetor 1982 në Podujevë, ka përfunduar studimet universitare për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Në vendlindje, ajo ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme. Ajo ka punuar për rreth dy vjet në kalkulimin e mallrave në një nga supermarketet më të mëdha të kohës në Podujevë. Nga viti 2007 deri në vitin 2019, Mirsime Muja Durmishi ka jetuar në Gjermani, ku edhe e ka mësuar gjuhën gjermane. Ajo e ka përfunduar me sukses testin e gjuhës gjermane “telc C1 Hochschule” në Freiburg, Gjermani, në vitin 2018. Nga viti 2014 deri në vitin 2019, ajo ka punuar si përkthyese vullnetare në Achern, Gjermani. Që nga viti 2019, Mirsime Muja Durmishi jeton në Zvicër. Me dëshirën për të ofruar kurse në gjuhën shqipe për të rritur, ajo ka përfunduar me sukses kursin “SVEB I”, i cili është i domosdoshëm për mësimdhënie për të rritur në Zvicër. Ky kurs përbëhet nga disa module. Pasi ka përfunduar praktikën e kërkuar, në janar të këtij viti, ajo ka marrë certifikatën “SVEB I – Kursleiterin Erwachsenenbildnerin” nga Volkshochschule në Solothurn, ku e ka ndjekur këtë kurs. Deri në vitin 2021, ajo ka punuar si ndihmëse mjekësore në një ordinancë private.

Që nga shkurti i vitit 2022, Mirsime Muja Durmishi i është rikthyer pasionit të saj të vjetër për mësimdhënie, për të cilën edhe është diplomuar në vitin 2006, në Universitetin e Prishtinës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Pastaj, ajo ndoqi një kurs 1-vjeçar universitar në Universitetin e Vjenës, i cili përbëhej nga 6 Module, me gjithsej 30 ECTS, të cilin e përfundoi me sukses në shtator të këtij viti. Kursi udhëhiqej nga Prof. i.R. Mag. Dr. Renate Faistauer dhe Mag. Dr. Nino Tomaschek, Privatdoz. MA. Kursi quhet: “2023S Deutsch als Fremdsprache weltweit unterrichten – Online-Zertifikatskurs” në shqip “Mësimdhënia e Gjuhës Gjermane si Gjuhë e Huaj në Mbarë Botën – Kurs Online me Certifikatë Universitare në Vjenë”.

Pastaj, ajo ka vazhduar të marrë pjesë në seminare, webinare, punishte të ndryshme për mësimdhënës: në gjuhën shqipe, gjermane dhe angleze. Disa nga seminaret, webinaret  dhe punishtet e fundit ku ka marrë pjesë janë:

«Seminari Mbarëkombëtar XVII – Metodologjia e Mësimdhënies së Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Mërgim», Prishtinë (18.–21. Korrik 2024)

Konferenca 4-ditore e 50-vjetorit të FaDaF-it (Shoqata Profesionale e Gjermanishtes si Gjuhë e Huaj/ Gjuhë e Dytë) – 50. Jahrestagung Deutsch als Fremd- und Zweitsprache, 09.- 12.10.2024 në Göttingen- online

Webinar: Kush ka frikë nga AI? Inteligjenca Artificiale dhe Gjuha Gjermane si Gjuhë e Huaj (Niveli C1) – (Webinar: Who’s afraid of AI? Künstliche Intelligenz und DaF (C1)) – (Praxistag)

Webinar: Gjermanishtja si Gjuhë e Dytë në Vendin e Punës është më shumë se një ndryshim i vendit të të nxënit/mësuarit: Nga identifikimi i nevojave gjuhësore-komunikuese të nxënësve drejt identifikimit të nevojave gjuhësore-komunikuese në lidhje me organizimin dhe kërkesat e ndërmarrjes./ (Workshop: DaZ am Arbeitsplatz ist mehr als ein Lernortwechsel: Von der sprachlich kommunikativen Ermittlung der Bedarfe der Lernenden zur Ermittlung der sprachlich kommunikativen organisationsbezogenen Bedarfe des Unternehmens)

Punëtoria “Inteligjenca Artificiale në Arsim” me Joe Dale (në gjuhën Angleze) / (Workshop ‘Artificial intelligence in education’ with Joe Dale (in English)) – në Zürich

Trajnimi: Prezantim/hyrje në Big Blue Button (Einführung in Big Blue Button) me Flying Teachers – Zürich

Trajnimi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Bern:  Boxenstopp für Berufseinsteigende II (Klassenmanagement/Zusammenarbeit) / (Menaxhimi i klasës/ bashkëpunimi)

Trajnimi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Bern: “Mësimdhënia digjitale me OneNote (përfshirë Teams)”, nën drejtimin e Profesorit Universitar Jürg Widrig – (Digital unterrichten mit OneNote (inkl. Teams)

“Nxitja e të mësuarit të pavarur» – Weiterbildung Grundkompetenzen: Lernautonomie fördern bei Fachstelle Weiterbildung VSV, Bern.

Trainimi për trainere motivuese në akademin e suksesit “I am Power” që udhëhiqet nga trainerja motivuese, Mimoza Thaqi.

 Trainimi profesional “Blended Learning” me portalin mësimor të vhs (12.02. deri 25.04.2024) «Kongresi 22eme Congres Freinet Suisse», Herzberg bei Aarau (17.–20. Maj 2022)

«Kongresi 21eme Congres Freinet Suisse», Herzberg bei Aarau (25.–28. Maj 2022)

Trainimet nga shkolla shqipe dhe qendra e botimeve në Uster/Zürich (08. & 18.12.2022)

Mirsime Muja Durmishi vazhdon të jetë një shembull i përkushtimit në fushën e edukimit gjuhësor dhe integrimit kulturor. Ajo ofron njohuri dhe aftësi të rëndësishme për të gjithë ata që duan të mësojnë gjuhën gjermane dhe shqipe. Përveç kësaj, ajo është e gatshme të ofrojë edhe kurse private në formate të ndryshme si prezencë/në klasë, hibride, online ose blended learning për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë gjuhën gjermane ose shqipe. Mirsimen mund ta gjeni në portalet si Facebook dhe në Linkedin: Mirsime Muja Durmishi | LinkedIn. Duke qenë se Mirsimja vetë u integrua me sukses si në Gjermani ashtu edhe në Zvicër, ajo tani ndihmon me entuziazëm të tjerët duke ofruar kurse integrimi për të rritur të gjuhës gjermane.

Sapo u zhvendos në Bern, Mirsimja u pranua në një program – rrjet profesional, për emigrantë të kualifikuar, të quajtur «BERNETZ». Programi «BERNETZ», i udhëhequr nga Lora Slovak, është një program rrjetëzimi profesional i qytetit të Bernit, që synon të mbështesë emigrantët e kualifikuar për të hyrë në tregun e punës në Zvicër. Ky program është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që posedojnë një diplomë të huaj, për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale, për të rritur vetëbesimin dhe për t’u integruar me sukses në tregun e punës në Zvicër. Për një periudhë rreth dhjetë muajsh, nga shkurti deri në nëntor, programi ofron ndihmë të fokusuar përmes rrjeteve profesionale, trajnimeve dhe mundësive për lidhje të drejtpërdrejta me profesionistë të fushave të ndryshme.

Që nga nëntori i vitit 2023, Mirsimja është punësuar në institucionin gjuhësor Flying Teachers në Bern dhe Zürich, ku ka filluar të japë kurse hibride të gjermanishtes në Bern dhe gjithashtu kurse integrimi të gjuhës gjermane me qëllim tregun e punës: (Integrationskurs Deutsch mit Ziel Arbeitsmarkt) në Zürich, si dhe nga qershori 2024 kurse online po të gjuhës gjermane për kompani “Firmenkurse”. Nga dhjetori 2024 ka filluar mësimdhënien edhe në një institucion tjetër gjuhësor. Nga dhjetori, Mirsimja ofron kurset e saj edhe në Migros Klubschule në Bern, im Bahnhof (7 Welle). Në Migros Klubschule ajo ofron kurse të ndryshme për të rritur të gjuhës gjermane dhe shqipe.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Sokol Paja

FEDERATA VATRA NDEROI RAMUSH HARADINAJN, HEROIN E LIRISË SË KOSOVËS

October 20, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 19 Tetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nderoi heroin e lirisë së Kosovës z.Ramush Haradinaj si “Anëtar Nderi” i përjetshëm i Federatës Vatra me motivacion: “Për dashurinë dhe respektin ndaj Vatrës, për merita të jashtëzakonshme si udhëheqës, luftëtar e çlirimtar në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si burrështetas i shquar për forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe lidhjen e ngushtë të Amerikës me Kosovën e Shqipërinë, për merita të veçanta në lidershipin politik e institucional në Kosovë, dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha renditi vlerat dhe kontributin monumental të Z.Haradinaj për Kosovën e kombin shqiptar, si komandant, politikan, luftëtar e çlirimtar. Z.Haradinaj i tha Kosovës lavdi, nder dhe dinjitet tha z.Berisha. Në fjalën falenderuese z.Ramush Haradinaj shprehu mirënjohje dhe falenderoi Vatrën për nderimin dhe vlerësimin dhe u shpreh sa Vatra ka vlera të veçanta ashtu si Amerika, shpresa e njerëzve në vështirësi.

Në fjalën e tij z.Haradinaj theksoi se Kosova duhet të përmirësojë marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova e meriton në planin strategjik të sigurisë që të sigurojë nga bashkësia ndërkombëtare një plan masash për anëtarësim në NATO, pasi sipas Haradinajt Kosova ka ushtri të aftë, profesioniste, me standarde europiane dhe ushtrinë më të re në botë, një gjeneratë e shkëlqyer profesionistësh. Ushtria e Kosovës është ndër me të aftat në botë për demontimin e minave theksoi Haradinaj dhe shtoi se Kosova i jep vlera NATO-s dhe siguri rajonit të Ballkanit.

Anëtarësimi në NATO ndryshon strategjinë e brëndshme, perspektivën kombëtare dhe sigurinë shtetërore e rajonale ngulmoi z.Haradinaj.

Procesi për anëtarësim në NATO afron Kosovën me BE por Kosova duhet të ndryshojë kurs politik e diplomatik dhe përafrim me BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës porositi Haradinaj. Ai vlerësoi Shqipërinë në planin e sigurisë dhe afrimin me standardet dhe vlerat e NATO.

Z.Haradinaj kërkoi nga mërgata shqiptare e Amerikës një lobim në institucionet amerikane e politikanët e Amerikës në interes afirmimit të Kosovës e anëtarësimit të saj në NATO e BE. Z.Haradinaj i kërkoi mërgatës shqiptare të bëhen pjesë e ndryshimit të Kosovës më 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare. Hirësi Theofan Koja, nënkryetari i Vatrës Boston bekoi të gjithë të pranishmit me një lutje të veçantë për vëllazëri, paqe, zhvillim, bekim e mirësi. Në takimin e përzëmërt e vëllazëror me heroin e Kosovës Ramush Haradinaj, pyetën dhe diskutuan Tom Paloka e Asllan Bushati i cili bëri një analizë globale të çështjeve të sigurisë kombëtare dhe armëve bërthamore.

Takimi patriotik me pjesëmarrjen e personaliteteve më të shquara të mërgatës, i përzëmërt e vëllazëror vazhdoi me biseda të ngrohta e çaste të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT