• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE” FESTOI NË VATËR DITËN E GJUHËS AMTARE

March 1, 2021 by dgreca

-Poezi për gjuhën shqipe, për festën e Flamurit, për pavarësinë e Kosovës e për ngjarje të shënuara për kombin shqiptar i dhanë një emocion të veçantë mbrëmjes festive. 

– Drita Gjongecaj ndër të tjera tha: “Mirënjohje Vatrës që na ka vënë në dispozicion ambjentet e saj dhe na ka mirëpritur në çdo kohë…..

-Nxënësja Terezina Parubi Ditëlindjen e 11 të saj nuk do ta harrojë sepse e festoi në Vatër së bashku me bashkëmoshatarët e saj….

NGA SOKOL PAJA-

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” që zhvillon aktivitetin e saj prej 5 vitesh në shtetin e New York-ut me rastin e ditës ndërkombëtare të gjuhës amëtare, zhvilloi në VATËR koncert të larmishëm festiv. Nxënësit e mrekullueshëm të kësaj shkolle recituan, kënduan, kërcyen dhe vallëzuan me motive të pastra shqiptare. Poezi për gjuhën shqipe, për festën e Flamurit, për pavarësinë e Kosovës e për ngjarje të shënuara për kombin shqiptar i dhanë një emocion të veçantë mbrëmjes festive.

Z.Elmi Berisha, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” përshëndeti koncertin festiv të Shkollës Shqipe: ” Children of the Eagle” në New York me rastin e ditës ndërkombëtare të gjuhës amëtare. ” Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar që ju bijtë e shqipes e zhvilloni këtë koncert kaq të rëndësishëm në VATËR, familjen atdhetare të të gjithë shqiptarëve. Jam i impresionuar nga ky koncert festiv pasi zhvillohet në VATËR dhe uroj me shpirt që nga kjo klasë nxënësish të shkëlqyer uroj të na dalin arkitektë, inxhinierë, diplomatë, mësues, mjekë, senatorë, kongresistë e deri Presidentë të SHBA.

Faleminderit për këto motive patriotike. Faleminderit që ruani gjuhën, traditën, kulturën, identitetin shqiptar. Zoti ju bekoftë” – mbylli fjalën përshëndetëse kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha. “Program me modesti por me shumë patriotizëm e dashuri. Edhe pse jemi në kushte të jashtëzakonshme për shkak të Pandemisë, nxënësit punuan me shumë përkushtim dhe na gëzuan me këtë koncert kaq të bukur. Ju faleminderit të gjithëve” – përfundoi drejtuesja e Shkollës Shqipe Drita Gjongecaj.

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, nënkryetari Besim Malota dhe Editori i Diellit z.Dalip Greca organizuan një takim bashkëpunimi me bordin e organizates AADLC-se dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” Drejtuesja e organizates dhe e shkollës Drita Gjongecaj ndër të tjera tha: “Mirënjohje Vatrës që na ka vënë në dispozicion ambjentet e saj dhe na ka mirëpritur në çdo kohë. Mirënjohje të veçantë editorit z.Dalip Greca i cili ka qenë i gatshëm në çdo ditë pushimi për të na mbështetur. Me aktivitetet që bëjmë i ndihmojmë fëmijët dhe familjet e tyre dhe shoqërinë me veprimtarinë në ruajtje të gjuhës shqipe e kulturës kombëtare. Në bordin tonë janë mësuesit më të mirë të licencuar dhe të përkushtuar në ruajtje të gjuhës shqipe.

Marjana Bulku dhe Arjeta Ferlushkaj po japin një kontribut të madh në bordin e Organizatës si në fushën e medias dhe të letërsisë. Dua të falenderoj dhe mësueset e përkushtuara Holta Ahmataj, Arjana Kurti, Ornela Hasandoçaj. Po krijojmë një rrjet mësuesish për trajnime dhe certifikime në dobi të secilit prej nesh por mbi të gjitha gjuhës dhe kombit tonë. Rrjetëzimi i mësuesve filloi para 4 vitesh në Vatër, jam e gëzuar për këtë bashkëpunim” përfundoi drejtuesja e organizatës AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle” Drita Gjongecaj. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha u dha mbështetje maksimale bordit dhe mësuesve pjesëmarrës. “Në të ardhmen shpresojmë të ndërtojmë një bashkësi organizatash në Vatër ku secila shoqatë të ketë zyrat e saj dhe të bashkëveprojmë sëbashku. Për të ardhmen e kombit tonë dhe të aktiviteteve që bëni, Vatrën do ta keni në mbështetje kurdoherë. Mirënjohje për këtë takim dhe koncertin festiv. Ishte shumë emocionuese. Faleminderit për gjithçka” përfundoi kryetari i Vatrës z. Berisha. 

Nxënësja Terezina Parubi Ditëlindjen e 11 të saj nuk do ta harrojë sepse e festoi në Vatër së bashku me bashkëmoshatarët e saj….

Filed Under: Featured Tagged With: Children of The Eagel, Elmi Berisha, Sokol Paja, Vatra

STEFAN ÇAPALIKU RRËFEN SERAFIN FANKON, FELININ E TEATRIT SHQIPTAR

February 27, 2021 by dgreca

Shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Stefan Çapaliku sjell para lexuesit librin e tij më të ri monografik kushtuar Serafin Fankos, Felinit të Teatrit Shqiptar. Ky libër është vëllimi i tretë i kolanës “Imago & Verbum”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, dramaturgu Stefan Çapaliku tregon në libër njohjen me mjeshtrin e madh të Teatrit Serafin Fankon, bashkëpunimet e ngushta, dhe përmasat gjigande të një artisti të kalibrit europian.

KUJTIMET E PRAGËS

Për shkak të disa rrethanave familjare, mjeshtrin e kam njohur që herët. Por njohja e vertetë profesionale, ndodhi në vitin 1994. Ishte një koinçidencë e çuditshme, fakti që unë kisha pak muaj që isha kthyer nga Praga, ku 30 vite më parë ai kishte qenë student. Pra, kujtimet e Pragës na lidhnin të dyve. Atë si student universitar dhe mua si student pasuniversitar. Aso kohe unë kisha provuar të shkruaja pa sukses një dramë, e cila për fatin tim të mirë, më ka humbur. Thjesht mbaj mend se titullohej “Gjurmë mbi borë” dhe se qe shkruar një vit para rënies së komunizmit. Ishte njëfarë teksti revisionist, diçka si hibrid i ideve të reja me rrënjët e kalbura të sistemit të kaluar. Pastaj kaluan kund pesë vjet dhe unë pata disa përvoja teatrore jashtë Shqipërie, natyrisht si spektator, më e çmuara e së cilës ndodhi kur qeshë si student në Pragë, më 1993.

DRAMA “FTESË PËR DARKË”

Kësisoj, drama që më lidhi profesionalisht me Serafin Fankon ishte “e dyta”, “Ftesë për darkë”. Kështu pra, me dramën time “të parë” ndën sqetull, ngjita shkallët e katit të tretë të pallatit “me hark”, ku jetonte mjeshtri. E hapi derën ai vetë. Aso kohe Serafin Fanko duhej ishte rreth mesit të pesëdhjetave, aq sa jam unë sot. Ai zakonisht rrinte ulë mbi një divan përballë televizorit, me një gotë të vogël, që gjerbej me ngadalë. Vështirë të kishte televizioni një spektator më të mirë se ai. Kur unë i dhashë tekstin, doli pa fjalë nga dhoma tjetër, si të qe duke u nisur drejt një tempulli, ku do kryehej në heshtje rituali i shenjtë i leximit. Thjeshtë, ai më la vetëm me televizorin e vet. Dhoma ku shkoi ndahej me atë të ndenjes prej një vetrate. Atje ishte biblioteka, një tavolinë e rëndë njëkëmbëshe dhe disa karrige druri të errët, me një tapiceri vishnje. Mbi tavolinë shtrihej një tavëll shumë e madhe dhe mjaft e rëndë prej kristali. Në murin përballë bibliotekës disa piktura. Në mos gaboj njëra ishte e vetë Serafin Fankos dhe tjetra e kolegut të vet, aktorit Bep Shiroka. Gjithashtu në një cep të murit vareshin edhe dy rrahje në bakër, rezultat të kapriçiove të tij. Unë pra mbeta këndej këtyre sendeve të vyera dhe ia nisa të tymosja cigaret e mia, pa pasur nevojë të përdorja shkrepse. M’u duk sikur edhe ai kishte nisur të tymoste të vetat, pa pasur nevojë të përdorte shkrepse. Druhem se kjo qe hera e parë dhe e fundit që asistoja në një seancë tymosje simultane. Kisha një padurim të jashtzakonshëm dhe doja të gjeja një mënyrë për ta shtyrë kohën që nuk ecte kurrsesi. Ai po konsumonte historinë time, që nëse do t’i pëlqente unë do bëhesha dikushi, nëse jo, nuk e di se me çfarë punësh të tjera do merresha. Mirëpo mbas kund treçerek ore, ai doli me syzet në majë të hundës dhe me tufën e letrave në dorë. Vërehej një farë hutimi në sytë e tij. Pasoi një pauzë, me gjasë teatrale. Pastaj ai tha: Po. Më pëlqen. Më pëlqen, përsëriti. Do ta vë në skenë, theksoi, dhe u duk se i vuri pikën aty për aty muhabetit. Atë çast mu duk se perceptova sesi ai u shndërrua në kumbarën tim në altarin e shenjtë të teatrit.

T’I HYSH TEATRIT NGA SHPINA E SKENËS

Me atë rast pata mundësinë t’i hyja teatrit nga shpina e skenës. Të dilja në skenë, kur salla qe bosh. Të kundroja me andje trarët, litarët dhe shtangetat, që rrinin të varura si gijotina të fshehta, të thikta dhe të befta. Të verbohesha lumturisht prej projektorësh gjithfarë ngjyrash. Pra, të përjetoja atë magji, atë abragadabra që të bën të biesh në dashuri njëherë e përgjithmonë me teatrin. Pata mundësi pastaj të mos mungoja asnjë ditë në prova dhe të nisja e ta kuptoja procesin e ngjizjes së asaj materie organike, që thirret shfaqje dhe që kryen misionin e mishërimit të fjalës, siç thotë Gjoni në ungjillin e vet. Pra me pak fjalë nisa të kuptoj zanatin e këtij prestigjatori, duke e parë nga të gjitha perspektivat e mundshme.

KUR SABOTONTE TEATRI KOMBËTAR

Fatkeqësisht, për mua ky qe bashkëpunimi i parë dhe i fundit në fushë të teatrit. Diku nga gjysma e dytë e viteve ’90 patëm edhe dy tre tentativa të tjera për bashkëpunime, të sabotuara mendjelehtësisht, mendjehollësisht dhe mendjedjallëzisht nga Teatri ynë Kombëtar. Gjithsesi, bashkëpunimi i dytë mbeti në dokufiksionin “Qyteti në menopauzë” më 2001. Një film ky i realizuar në Shkodër, si bashkëpunim i Serafin Fankos, Arian Çuliqit dhe meje. Dhe bashkëpunimi i tretë paska qenë ky libër. Ka kaluar shumë kohë nga momenti kur më vetëtoi ideja e shkrimit të këtij teksti, derisa u gjenda përmbi dramat, platformat, letrat, fotot dhe posterat e tij; përballë kolegëve të vjetër dhe të rinj; bri bisedave të gjata me të gjithë ata që e njohën nga afër dhe punuan me të. 

Filed Under: Featured Tagged With: RRËFEN, SERAFIN FANKON, Sokol Paja, STEFAN ÇAPALIKU

ITALIA NËN “PUSHTIMIN” E MUTACIONIT ANGLEZ, BRAZILIAN DHE JUGAFRIKAN TË COVID-19

February 24, 2021 by dgreca

-Dr. Arben Gjeka nga Torino-Itali flet ekskluzivisht për gazetën DIELLI në SHBA-

Dr. Arben Gjeka mjek në Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Mjeksore në Torino, Itali, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon Italianë në përballjen me pandeminë globale, procesin e vaksinimit anticovid, shqiptarët në Torino dhe punën si mjek në kushtet e shpërthimit masiv të pandemisë globale. Me Dr. Arben Gjekën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol Paja.

VARIANTI  BRITANIK  I COVID-19 NË 88% TË ITALISË

Ka disa javë që situata në Itali është stabilizuar, me një indeks pozitiviteti < 5% dhe Rt <1.  Masat e kufizimit kanë funksionuar në bazë të ngjyrës (kriticitetit) që Ministria e Shëndetësisë i cakton një Rajoni në bazë të indeksit Rt, incidencës (nr. të personave të infektuar për 100.000 banorë), përqindja e shtretërve të zënë në terapinë intensive dhe në repartet covid jo në gjendje kritike. Aktualisht janë vetëm 6 Rajone në zonën me ngjyrë portokalli (Abruzzo, Liguria, Provinca Autonome Bolzano, Provinca Autonome Trento, Toscana dhe Umbria). Të gjithë rajonet e tjerë janë në zonën e verdhë. Ka një rritje të sinjalizimeve të tre varianteve të koronavirusit që Istituti i Lartë i Shëndetësisë po monitoron që nga muajt e fundit të vitit 2020 dhe që po bëhen një preokupim: varianti anglez, brazilian dhe jugafrikan të cilët ka disa javë që janë identifikuar në persona kovid pozitiv në Rajone të ndryshme të Italisë. Sipas rezultateve të një hetimi të shpejtë të datës 4 dhe 5 shkurt nga Istituti i Lartë i Shëndetësisë, në bashkëpunim me laboratoret Rajonale, varianti Anglez është i përhapur në pjesën më të madhe të territorit Italian, të paktën në 88% të Rajoneve. Por ajo që u konstatua ishte fakti që kjo përhapje nuk është uniforme: në disa zona prevalenca e variantit Anglez arrin në 59%. Është një shpërndarje e rëndësishme nga fakti që ky variant ka një indeks infektiviteti të lartë. Përhapja e këtyre varianteve, në mënyrë të veçantë varianti anglez, preokupon ekspertët, disa prej të cilëve kanë kërkuar një lockdoën për disa javë në mënyrë që të ulet numri i të infektuarve, sepse parashikojnë që së shpejti problemi do të bëhet serioz. Në një deklaratë të Istitutit të Lartë të Shëndetësisë thuhet: “Evidenca të reja na bëjnë të hipotizojmë një rritje të rasteve të rënda për shkak të përhapjes së variantit Anglez. Personat e infektuar nga koronavirusi rrezikojnë të ri infektohen nga variantet”. Unë jetoj në qytetin Torino (Rajoni Piemonte); aktualisht jemi zonë e verdhë por javët e fundit kemi vënë re një rritje të trendit të infektimit të moshës 6-10 vjeç. Moshat e reja po infektohen me një shpejtësi më të madhe karshi moshave të vjetra. Numri mesatar i te infektuarve me covid në ditë është 718, por po vëmë re edhe ulje të lehtë të shtrimeve në terapinë intensive dhe subintensive. Aktualisht varianti Anglez po qarkullon edhe në Rajonin tonë me përqindje që arrin 59% dhe një mesatare prej 17%; për fat të mirë vaksina është efikase karshi këtij varianti. Ky variant është shumë më infektues por për momentin nuk ka evidenca mbi rritjen e agresivitetit. Në Piemonte janë identifikuar 23 raste me këtë variant. Përsa i përket popullatës, në Itali pjesa dërrmuese e qytetarëve respektojnë rregullat. Si në gjithë botën, edhe këtu kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia covid ka goditur rëndë shumë kategori personash dhe sipërmarrësish sidomos sektoret e hotelerisë,  turizmit, ristoracionit; u shpresua në hapjen e pistave të skive javën që kaloi por Qeveria nuk e lejoi duke provokuar një zemërim të kategorisë të prekura nga ky vendim.

VAKSINIMI KUNDËR COVID-19 NË ITALI

Vaksinimi në Itali filloi në datën 27 dhjetor 2021 (Vaçine Day) për mjekët në vijën e parë. Mbas autorizimit të vaksinës Astra Zeneca nga EMA, në 30 janar 2021 u autorizua përdorimi edhe nga AIFA – Agjensia Italiane e Barnave por vetem për moshat 18 – 55 vjec. Kjo bëri që të rishikohej edhe plani i vaksinimit i cili aktualisht parashikon vaksinimin e popullatës në 4 faza: Faza 1-A: vaksinimi i të gjithë operatorëve publik të shendetit (mjekë, infermierë dhe operatore spitalore), si dhe Shtëpitë e Pleqve me objektiv përfundimi në 21 shkurt 2021. Faza 1-B: vaksinimi i të gjithë profesionistëve të shëndetit (dentistë, farmacistë, veterinerë, biologë, specialistë të kimisë dhe fizikës, obstetrikë, teknik të radiollogjisë, teknik të rihabilitacionit, informatorët farmaceutik) me objektiv përfundimi në 15 mars 2021. Faza 1-C: Over 80 (që nuk jetojnë në shtëpitë e pleqve) që fillon në 21 shkurt 2021 me vaksinat Pfizer dhe Moderna. Faza 2: Over 60, personat me sëmundje kronike, personat me risk personal dhe shkollor me prioritet të lartë; vaksinimi do të filloje me mbylljen e fazës 1-C me vaksinat Pfizer dhe Moderna. Faza 3: Personeli shkollor, Forzat e Rendit, burgjet, personat që jetojnë në komunitet, personat me patollogji të ndryshme të gradës së moderuar duke filluar nga 8 shkurti 2021 me vaksinën Astra Zeneca. Faza 4: Pjesa e mbetur e pupullatës me vaksinën Astra Zeneca dhe vaksina të tjera që mund të autorizohen. Koha për fillimin e vaksinimit do të përcaktohet nga Komisari i Jashtëzakonshem për Emergjencën Covid-19. Objektivi fillestar ishte të vaksinoheshin 80.000 – 120.000 persona në ditë për të arritur në një vaksinim të 70% të popullatës (imunitet tufe) brenda 12 muajve nga fillimi. Aktualish janë vaksinuar 2.046.189 persona me dozën e parë (3.4% e popullatës) dhe 1.322.811 me dozën e dytë (2.2% e popullatës). Këto janë shifra të ulëta në krahasim me objektivat fillestar. Shkaqet janë, në radhë të parë mungesa e zbatimit të kontratave nga kompanitë farmaceutike me riduktim të furnizimit të dozave dhe në radhë të dytë mungesa e personelit vaksinues. Dje, Instituti i Lartë i Shëndetësisë dhe Agjensia Italiane e Barnave autorizuan fazën e dytë dhe të tretë të eksperimentimit të vaksinës Italiane ReiThera dhe fillimin e prodhimit dhe shpërndarjes nga shtatori i këtij viti me 100 milion doza në vit.

NJË SHQIPTAR NË QENDRËN E KOORDINIMIT TË EMERGJENCAVE MJEKSORE NË TORINO

Me fillimin e Pandemisë u gjenda në grupin e gjashtë mjekëve që u zgjodhën për të menaxhuar Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Mjeksore në Torino 24 orë/24. Krijimi i këtij grupi të mbyllur mjekësh kishte dy qëllime: 1- ulja e rrezikut të përhapjes së infeksionit Sarscov2 në centralin operativ, qendër nevralgjike në menaxhimin e emergjencave 2 -rritja e nivelit profesional në këtë menaxhim, azhornimi ditësor me protokollet e reja kombëtare dhe rajonale. Përsa i përket aspektit profesional, me pak fjalë doja t’ju shpjegoja në çfarë konsiston roli i mjekut në qendrën e koordinimit të urgjencave – emergjencave mjekësore: – Mjeku i centralit operativ të emergjencave, duhet të ketë një eksperiencë të provuar në fushën e emergjencës urgjences. -Centrali është i ndarë në disa seksione ku punojnë infermierë profesional me eksperiencë spitalore dhe territoriale në fushën e emergjencës urgjencës: seksioni i vlerësimit telefonik të kërkesave të filtruara nga centrali unik rajonal 112, seksioni i mjekut, seksioni i menaxhimit të qytetit të Torinos, seksioni i menaxhimit të provincës së Torinos, seksioni i menaxhimit të helikopterëve të emergjencës dhe seksioni standbay i centralit remot për operacionet e ndihmës mjekësore (CROSS) – janë dy në Itali – Torino dhe Pistoia – aktivizohet në rast maksiemergjence nga departimenti kombëtar i mbrojtjes civile. Roli kryesor është ai i mbikqyrjes dhe mbështetjes (suportit) të aktivitetit infermierist në centralin operativ për të garantuar përgjigjen korrekte kërkesave për ndihmë si dhe mbështetja e personelit mjekësor dhe jo në territor. Organizimi i trasferimit në struktura të tjera spitalore të pacienteve që paraqesin nevoja urgjente për një trasport të asistuar, organizimi i trasportit të avancuar neonatal në emergjencë për Torinon dhe Provincën, kordinimi i operacioneve të trasportit të lidhura me marjen (eksplantin) e organeve njerëzore dhe trasplantin, monitorimi dhe menaxhimi i postës elektronike të certifikuar, aktivizimi i suportit psikollogjik në emergjencë, mbajtja e kontakteve me entet, institucionet, shërbimin publik, shërbimin e sigurisë dhe mbrojtjes civile dhe shoqatat që marrin pjesë edhe në mënyre okazionale në shërbim të urgjencave publike.

PSE VERIU I ITALISË U GODIT RËNDË NË FAZËN FILLESTARE TË PANDEMISË?

Përhapja e virusit favorizohet nga faktorë demografike, ambientalë dhe zakonet kulturale. Kurthi gjeografik dhe klimatik: lugina e lumit Po sidomos në zonen e Codogno dhe Vò, por mbi të gjitha, fakti që Veriu i Italisë u godit më me shumë forcë dhe shpejtësi nga pandemia ishin edhe faktorë të tjerë: rrjeti kapilar i autostradave në zonën padane, përqindja e madhe e personave në këtë zonë që përdorin përditë trenin për të shkuar në punë, ndotja e lartë atmosferike, dendësia e madhe e popullatës në Veneto dhe Lombardia dhe përqindja e madhe popullatës me moshë të shkuar. Mos të harrojmë që Italia u gjet e pa përgatitur; plani pandemik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ishte azhornuar që nga viti 2006, materialet mbrojtëse për personelin mjekësor ishin të pakta dhe u ezauruan që në javët e para të pandemisë. Shërbimi i Mjekëve të Familjes dhe vazhdimësisë asistenciale u paralizua për mungesë të dispozitivave të mbrojtjes individuale.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË TORINO

Komuniteti shqiptar e përballoi pandeminë si gjithë qytetarët Italianë. Rastet e para shqipetare të infektuar ishin disa miqte e mi në Rajonin e Aostës. Në fillimin e vitit 2020 para se Italia të merrte masat e izolimit, u bë gabimi i parë; u mbyllën shkollat pa marrë masa të tjera, kështu që 10 – 20 mije Milanezë shkuan në Aosta për të bërë ski atë fundjavë.  Bashkëshortja e mikut tim punonte në një lokal në lokalitet turistik (bar – restorant) dhe u infektua se bashku me një kamarier tjetër (shqiptar) dhe natyrisht infektoi edhe gjithë familjen (bashkeshortin, vajzën dhe dhëndërrin). I ndihmova në aktivizimin e shërbimit të higjenës dhe epidemiologjisë që u bënë tamponat familjarisht dhe i vunë në izolim shtëpiak dhe monitorim telefonik nga mjeku i familjes. Policia bashkiake i ndihmonte me furnizime ushqimore dhe hedhjen e plehrave gjatë gjithë periudhës së karantinës. Për fat të mirë e kaluan sëmundjen në gjëndje të lehtë dhe të moderuar, pa komplikime. Natyrisht, si në valën e parë por edhe në valën e dytë shumë bashkatdhetarë miq, shokë apo dhe të panjohur nga Italia dhe Shqipëria me probleme kovidi, më kanë kontaktuar për këshilla shëndetësore telefonike.

MESAZH PËRSHËNDETËS PËR SHQIPTARËT NË USA

Përshëndes përzemërsisht të gjithë shqiptarët në USA. Kam përshtypjen që duke qënë më larg atdheut janë më të organizuar dhe më të lidhur me njëri-tjetrin. Në Itali, ndoshta distanca e vogël me Shqipërinë ka bërë që mos të jemi shumë të lidhur mes shqiptarëve. Frekuentojmë normalisht lidhjet familjare dhe miqësore. Sigurisht, situata që po kalojmë por dhe koha moderne e teknologjisë ka bërë që të krijohen grupe në media sociale ku mbahen lidhjet dhe komunikohet më lehtësish. Diaspora shqiptare në USA ka qënë gjithmonë model i veçantë dhe shembull për të gjithë shqiptarët jashtë atdheut. Nderime dhe respekt për të gjithë patriotët tanë në USA.

KUSH ËSHTË DOKTOR ARBEN GJEKA

Doktor Arben Gjeka ka lindur në Seman (Fier), ne 8 dhetor 1967. Është pjesë e asaj gjenerate  që jetoi regjimin komunist, tranzicionin dhe demokracinë. Shkollën 8 vjeçare e kreu në Fier. Frekuentoi Shkollën e Mesme Mjekësore “Jani Minga” në Vlorë 1982 – 1986 dhe Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë në periudhën 1986 – 1991. Në vitin 1991 – 1993 punoi si mjek me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë – Reparti 751 Vlorë, por me situatën që po kalonte  Shqipëria në atë periudhë preferoi të emigrojë në Itali ku u diplomua në Universitetin e Torinos në vitin 1997. Në vitin 1998 mori licencën profesionale dhe filloi punë si mjek i vazhdimësisë asistenziale. Ne 1999 u emerua Zv/Drejtor i një Laboratori Analizash Mjeksore. Në vitin 2000 – 2001 frekuentoi Kurs trajnimi Rajonal për Emergjencën dhe në 1 qershor 2001 filloi punë në Emergjencë me kontrate ⅓ e orëve në Pronto Soçorso (Urgjence Spitalore), ⅓ e orëve në Emergjence Territoriale dhe ⅓ e orëve në qendrën e kordinimit të urgjencave mjekësore. Nga 1 prilli 2010 punon në emergjencë si Dirigente Medico (Medicina e Chirurgia D’Açettazione e D’urgenza). Azhornohet gjithë kohën që mundet në fushën e emergjencës,  bën pjesë në disa grupe pune ku përpunohen protokolle dhe guidelines për përdorim të brendshëm. Interesi i tij është përqëndruar në terapinë e dhimbjes në ambient paraspitalor dhe në TÇC (Tactical Combat Casualty Care) e TEÇ (Tactical Emergency Casualty Care). Në këtë periudhë pandemie, dha edhe kontributin e tij modest në një grup Mjekësh Shqiptare nga gjithë bota: “Mjekët Shqiptarë në luftën kundër Coronavirusit COVID-19” grup FB me mbi 6000 mjekë, me publikim protokollesh, përkthim artikujsh, këshilla dhe diskutime me kolegët.  

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Arben Gjeka, Italia, Sokol Paja

GREVA E URISË DHE PËRMBYSJA E DIKTATURËS NË SHQIPËRI

February 22, 2021 by dgreca

Ndue Lugja, pjesëmarrës në Grevën e Urisë në Qytet Studenti, themelues i Partisë Demokratike në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet para publikut shqiptar Ditarin Personal me rrëfimet e studentëve të Grevës së Urisë tri dekada më parë në Qytet Studenti. Në librin ditar ‟ Ndryshimet 90 ”, Ndue Lugja rrëfen dhjetorin e lirisë në Shqipëri.

ALEKSANDËR MEKSI PËR LIBRIN E NDUE LUGJËS “NDRYSHIMET 90”

Nisma e Ndue Lugjës për ti treguar publikut të interesuar kujtimet e tija për ato ditë dhe muajt që pasuan është me interes dhe vlera. Sigurisht që kujtimet janë mbresa personale, shënime të mbajtura e veprime të evidentuar në mediat e kohës dhe dëshmi të të tjerëve pjesëmarrës. Ato nuk pretendojnë të jenë studime e analiza, por megjithëkëtë ato janë të domosdoshme kur jepen nga protagonistë, që veprimet e tyre dhe vetë ngjarjet i bëjnë të kenë diçka për të na treguar, për të na thënë, për të dëshmuar. Është historiani dhe studiuesi ai që i vlerëson ato e ai të cilit i shërbejnë. Por këto dëshmi e kujtime vlejnë dhe për lexuesin e interesuar, sidomos për ata që ato ditë e ngjarjet që pasuan i njeh me të ndigjume e të turbulluara nga të thëna e të pa thëna, nga mungesa ende e analizave dhe dokumenteve sidomos për pjesën e padukshme e ato që nuk po thuhen. Kanë kaluar tre dhjetëvjeçarë që nga Dhjetori historik i vitit 90 të shekullit të kaluar dhe ende mungon një pasqyrim real i ndodhive, rrethanave në kuadër shqiptar e ndërkombëtar, që prunë atë ndryshim thelbësor. Mungon edhe një pasqyrim e analizë e vështirësive dhe pengesave, i rolit të forcës politike në pushtet e drejtuesve të lartë të saj e po aq dhe zbatuesve të  “vijës së Partisë” dhe mbrojtjes së pushtetit “të fituar me pushkë e gjak”. Çdo vit kur afrohen këto ditë historike dëgjojmë protagonistë e pjesëmarrës, analistë e opinionistë të ndryshëm, madje dhe të njëjtët personazhe që ndryshojnë nga viti në vit dëshmitë e gjykimet e tyre. Të gjithë ata që u përfshinë në ato ditë, që mbështetën forcat e reja politike dhe ndryshimet janë mbi 50 vjeç, disa nuk janë  më  mes nesh por emri i tyre, kontributi i tyre është ende ndërmjet nesh. Përveç ditëve të Lëvizjes Studentore ne mësojmë nga një dëshmitar për punën për krijimin e Partisë Demokratike si në qendër ashtu dhe në rrethe. Ai tregon për pjesëmarrjen masiv dhe përkrahjen e popullit në mitingjet  ashtu dhe qëndrimin e autoriteteve komuniste në antimitingjet në Durrës, Vlorë e Rrëshen. Me mjaft interes është gjithashtu dhe puna për organizimin e Grevës së Urisë, drejtuesit e saj, takimet me qeveritarët, në të cilën autori ishte pjesëmarrës e drejtues. Autori me thjeshtësinë që e karakterizon na njeh me kujtimet, gjykimet e tija për ato tre muajt e para vendimtare në përmbysjen e rendit politiko-ekonomiko-shoqëror në Shqipëri, me fundin e turpshëm e të pakthyeshëm të diktaturës komuniste. Ai duke qenë jo vetëm pjesëmarrës por dhe protagonist,  tregon me hollësira veprimet e atyre ditëve të Lëvizjes Studentore që nga data 8 dhjetor, të cilët me kurajën e tyre ngritë në këmbë kundër regjimit shumicën e shqiptarëve. Si dëshmitar i atyre ditëve tregimet e tija janë të vërteta dhe lexohen, sidomos kur janë dëshmi të veprimeve dhe ndijimeve të përditshme dhe me reagimet e tija, gjykimet dhe pritshmëritë. Sigurisht që dhe shumë të tjerë me dëshmitë dhe kujtimet e tyre tashmë të botuar plotësojnë dhe saktësojnë historinë e atyre ditëve e muajve e deri vazhdimet e mëvonshme. Secili ka dëshmi për ndodhitë ku ka qenë i pranishëm. Sigurisht do të ketë përherë dallime e kundërshti në qëndrimet dhe interpretimet e individëve, grupimeve dhe organizmave politike, që janë opinione personale e të dobishme për të kuptuar më mirë politikat dhe rezultatet. Në këtë vështrim Ndue Lugja me kujtimet e tija na njeh me aspekte që shumëkush nuk i di, nuk i ka lexuar dhe që ndihmojnë për të kuptuar më mirë ato ditë e muaj historikë, sidomos sot kur dasia politike dhe kundërshtia janë më shumë se në atë kohë të ndjeshme. Autori me këtë libër na kujton përjetimet tona, na ndihmon me të dëshmitë e tij dhe gjykimet personale, për të qenë më të saktë. E për këtë Ndue Lugja duhet lavdëruar dhe kontributi i tij real duhet vlerësuar pozitivisht. 

FAKTORET E JASHTËM NXITËS TË NDRYSHIMEVE TË MËDHA NË SHQIPËRI                

Identiteti demokratik reformist lindor me liri të kufizuara të shprehjes së lirë të fjalës e të mendimit, shprehjes politike e ushtrimit të saj si opozitë, i nxitur e inkurajuar nga Gorbaciov në   ish- bllokun lindor sovietik kishte filluar të përhapte e hidhte rrënjët e saj sipërfaqësore edhe në Shqipëri. Mjerimi, varfëria e humbja e identitetit personal, familjar, shoqëror, ekonomik, social e politik në ngjarjet e fundit të etheve komuniste, kishin filluar ta sjellin vendin tonë nga një “grip” influence të vogel në një ekzaminim më të madh “turbekulozi” ku mushkëritë popullore se pranonin më oksigjenin e huazuar të bllokut të Lindjes. Kjo vinte edhe pse me reformistet entuziaste o të detyruar nga masat popullore të revoltuara, po i linte vendet e ish  bllokut dalë ngadalë të lirë e sovran të shëronin e kuronin vetveten në vendet e tyre. Rrjedhojë e pasojë ishin ngjarjet e mëdha të luftës anti- komuniste në Evropën lindore të uzurpuar nga regjimi e Grupi lindor komunist Sovjetik të drejtuar nga Gorbaciov, një komunist i reformuar nga situatat ndërkombëtare e i predisponuar të ndërronte vijën e ndjekur më parë e te shkatërronte këtë sistem dalë ngadalë. Takimi i tij me presidentin gjerman Koln ndërroi të ardhmen e lindjes. Pas zgjedhjes Pape në Qytet – Shtetin më të vogël kilometrisht por më të fuqishmin ekonomikisht në botë të Karol Wojtyla me emrin Giovanni Paolo II, ishte ai që mbështeti fuqimisht lëvizjen polake për demokraci deri sa në mënyrë demokratike e dialogu përmes veprimit e fjalës së lirë arriti të fusë në jetën politike Solidarnostin e ta barasbazojë në tavolinën e rrumbullakët të shtetit Polak të 1989 siç e kuptojmë ne më pas. Në gusht 1980 në Poloni krijohet sindikata e parë Solidaritet, me fondator një elektricist Lech Ëalesa që pas shumë vitesh në 1989 arriti të krijojë një moviment revolucion të fuqishëm kundër sistemit komunist polak që edhe me presionet e premtimet e Mikail Gorbachev që mendonte e luftonte formalisht për mos shkatërrimin e sistemit sovjetik, lëvizja antikomuniste kishte vetëm suksese që pastaj me këmbënguljen e saj u be tavolina e rrumbullakët ku levizja merr pjesë në zgjedhjet elektorale të vitit pas revolucionit të 1989. Më 9 Nentor 1989 u realizua ëndrra 50 vjeçare e bashkimit të dy Gjermanive lindje e perendim duke hedhur poshtë murin ndarës të Berlinit, si mur i ngritur e quajtur antifashist. Më 15 gusht 1961 realizohet me elemente të prefabrikuara çimentoje e guri, muri që ndante fizikisht, moralisht, politikisht qytetin e Berlinit në dy pjesë, njëra socialiste e tjetra demokratike perëndimore. Një mur i gjatë 156 km e i lartë 3,6 m realizuar nga rusët me shpenzimet e Gjermanisë lindore. Revolucioni Rumen 16 dhjetor – 25 dhjetor 1989 solli shkatërrimin e sistemit komunist të drejtuar nga Nicolae Ceausescu, stalinisti më i madh në Evropë ku nga frika e madhe e protestave dhe revolucionit detyrohet të ikë spektakolarisht nga Bukureshti. Më vonë e detyrojnë të ulet nga helikopteri që po udhëtonte, drejt ikjes e arrestojnë policia dhe ja dorëzojnë ushtrisë ku e denojnë me gjithë bashkëshorten e tij e i vrasin me gjyq të improvizuar që duron vetëm 55 minuta. Era e re që po pushtonte Evropën e shtyrja reformiste e Gorbacovit, se ndaluan Ceausescu të instauroje ligjin marcial në Timisoara ku nisi revolta popullore më e përgjakshme për të cilën u ekzekutua si genocid. Ishte i vetmi monokomunizëm që u largua me luftë e jo si Cekosllovakia, Polonia, Bullgaria. George H. W.Bush, Karol Wojtila i quajtur Giovanni Paolo II dhe Reformisti Sovjetik Gorbacov i cili pohon se pa Giovanni Paolo II kurrë komunizmi s’kishte rënë, arritën suksesin e ndryshimit të Sistemit Komunist pa luftë e pa humbje të mëdha njerëzore e shihnin të sigurtë platformen reformiste anti komuniste, për ta çuar Botën drejt një ere të re Demokratike. Akullnaja e madhe e bllokut Lindor të Evropes po shkrihej dalëngadalë duke mbushur përdite e më shumë lumenjtë e shpërthimit e urrejtjes popullore të shteteve të ndryshme ex lindore e më komuniste se vetë Moska nga ku kishte lindur .

FAKTORËT E BRENDSHËM NXITËS TË NDRYSHIMIT NË SHQIPËRI

Lajmet nga bota vinin të vakta e pothuejse asgjë. Gazetat shkruanin në ndonjë kuadrat të vogël ngjarjet në botë, televizioni Rtsh i vetëm ishte shurdh memec. Sistemi ishte totalitar e shumë i kujdesshëm e i vendosur për të ruajtur popullin nga ndikimet e jashtme anti komuniste. E kisha dëgjuar diku, po s’mu hap dera unë nuk mund të them se hyra brenda. Edhe pse shumë kuriozë, politikanë, impreditorë, gazetarë të kamufluar si turistë vizitonin vendin tonë për të parë nga afër e për të ditur diçka më tepër se çfare po ndodhte në Shqipëri. Ata shoqëroheshin nga sigurimi i shtetit për të mos pasur takime direkte me popullin. Gusht 1989 Misionaria Nënë Tereza viziton Shqipërinë pas shumë e shumë kërkesave të bëra për të ndihmuar Shqipërinë. Qeveria e asaj kohe e quajti vizitë private. Ajo i kerkoi Ramiz Alise të hapte shtëpi bamirësie në Shqipëri por Ramizi iu përgjigj se ne s’kemi të varfër këtu në Shqipëri e ajo theksoi me cinizem …unë kam shpi bamirësie kudo në Bote, në Amerikë, Kanada, Angli, Itali e në 97 shtete e ku ka të varfër. Lumtë ju që s’paski të varfër e mos harro se e djeshmja ka kaluar, e nesërmja akoma s’ka ardhë, por shiko të sontmen se dikush po vuan e ka nevojë për ty. OKB 1990 Ramiz Alia merr pjesë në sezionin e 45 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara dhe flet në mbështetje të Kosovës gjë që alarmon Jugosllavine por gëzoi shqipëtarët e ikur ndër vitet e egra komuniste që atëherë e deri në këtë ditë quheshin kriminela e tradhëtare me thënjen se ju do ktheheni në atdheun tuaj e mëma Shqipëri do ju mirëpresë, ju ngjalli një shpresë. Me 11 maj 1990 Perez de Cuellar kryetari i OKB pas vizitave në Austri, Hungari, Cekosllavaki vizitoi edhe vendin tonë ku u takua me Ramiz Aline por kohën më të madhe e kaloi veçanërisht me ministrin e jashtëm Reis Malile, ku bisedat ishin shumë intime e shumë të papritura e të kundërshtueshme nga sistemi pothuajse i kalbur që s’mund të mbahej më në këmbë,të drejtat e njeriut, prona private e ajo kolektive, e drejta e lëvizjes ose e mendimit  te lirë. Ç’donte presidenti i OKB nga Shqipëria si vendi i fundit të shkatërrimit të komunizmit. Ligjin e ri të vizave e pashaportave si lëvizje e lirë e tre milion të burgosurve. Ku do ti çonte … Apo do të instalonte një sistem të ri prove laboratorike që koha e provoi. Të gjithë e dinë se Shqipëria është vendi më strategjik i kalimit nga Azia e Lindja për në Evropë. Shtetet e mëdha do të luanin kartën e fundit përseri në favor o disfavor të Shqiperisë. Ndërtimi i 600 mijë deri në 700 mijë bunkeresh ishin baraz me 700 mijë shtëpi në atë kohë e nuk do ta ndjente aq shumë ndihmen e perendimit. Kulti i individit e shkatërroi edhe më tepër Shqipërinë e vuajtur e stërvuajtur duke bërë aksione si Dita e Enverit, Java Enverit, Muaj i Enverit, e ne çfarë të hanim në fund të Muajit .

DEMOSTRATA E 14 JANARIT NË SHKODËR

Demostrata e 14 janarit në Shkodër ku u tentua të hiqej busti i Stalinit ku të mremën u arrestaun të gjithë organizatorët e të nesërmen populli u mblodh pranë bustit të Stalinit. Mungonin organizatorët e deshtoi si protestë por ajo vrau një frikë të madhe ku shteti i mobilizuar me ushtri e polici nga gjithë Shqipëria ngeli përpara një populli që shetiste i lirë e priste vetëm një shenjë. Demostrata e 25 Marsit në Kavajë erdhi si pasojë e një ndeshje futbolli ku qindra të rinj hodhën parulla kundër sistemit komunist e pati shumë të arrestuar. Të nesërmen më 26 Mars u organizua një manifestim i madh popullor me thirrjet : lironi shokët tanë …Liri Demokraci…Poshtë Diktatura, e cila u shtyp me forcë nga policia. Me 2 korrik 1990 shqiptarët mësyen Ambasadat e huaja në Tiranë. Mijera njerëz të vuajtur, të thjeshtë, punëtorë e intelektualë që kishin përjetuar dhunën e bishës së egër të sistemit, nxituan pa frikë të thyenin muret e telat me gjëmba e të hynin në Ambasada. Familje, gra, fëmijë të rritur e të moshuar nga gjithë Shqipëria u ngujuan për ditë të tëra nën hijen e Ambasadave. Qeveria Shqiptare filloi talljet e zakonshme duke i quajtur tradhtarë, kriminelë, hajdutë e deri në fjalën e fundit fyese për çdo shqiptar si jashtëqitjen e Atdheut thënë nga Ismail Kadare, ku më vonë me ikjen e tij në Francë edhe ai iu bashkua kësaj lëvizje. Dhuna e sistemit monolitar shihej në çdo fytyrë. Ikja nëpërmjet kufirit nga Saranda në Konispol shoqërohej me vdekje të përditshme të shqiptarëve në tentativen për të kaluar kufirin për në botën tjetër të lirë. Mali me Gropa filloi të priste e strehonte përjetësisht banorë të çrregjistruar e vrarë nga sistemi pa emra, pa identitet. Një ikje tjetër masive ishte ikja me pashaportë e viza të improvizuara që u qujt Riatdhesim i të gjithë shtetasve Italianë, Grekë, Gjermanë, Jugosllavë, Rusë, Polakë, Turqi e Çeki e fëmijet e nipër të tyre të lindur në Shqipëri nga martesat e kombinuara me shtetas ose shtetase të huaj, gjë e cila u realizua deri në Nëntor 1990 me kërkesë të Ambasadave të shteteve përkatëse. U lejua hyrja e gazetarëve të huaj. Informacioni tashmë qarkullonte lirshëm dhe më pak i censuruar. Liberalizimi falls i Ramiz Alise ishte një lloj lufte e trufe e fshehtë me konservatorët e kohës së tij, kishte frikë nga ata por përsëri i mbante zap. E dinte mire se ishte vendi më i shkatërruar në botë ekonomikisht e politikisht ku njerëzit kishin filluar të lypnin si Zani i zi e Loredana në qytetin Studenti, që na zgjonin në mëngjes duke mbedhur kavanozët në koshat e plehrave. Ishte vendi ku mungonte gjithçka deri te liria personale, ekonomike, sociale apo politike e mendimit e veprimit.

SHPRESA QË VINTE NGA QYTETI STUDENTI

Intelektualët e Tiranës venin e vinin nga Qyteti Studenti dhe dukej qartë se prisnin diçka të madhe prej nesh e na ngacmonin e përkrahnin ne mendime, me pyetje të ndryshme. Unë irritohesha shpesh me ta se nuk e dija se ishin të vërtetë o sigurimsa të veshur me petkun e zbulimit o të na nxisnin, por më kujtohej një thënje e babës tim që më relaksonte e qetësonte kur e mendoja. Ai mulli atë drith ka që të bluajë … I futja një buzëqeshje ironike e largohesha i qete. Ne jetonim një jetë të vështirë por duhej ta provoje që ta besoje. Lëvizja e vërtetë kishte nisur me ankimet e kushteve të jetesës së paimagjinueshme në një qytet ku po rritej elita e ardhshme e intelektualëve të rinj që në të nesërmen do shpërndaheshin në të gjithë anët e Atdheut. Koha s’priste me ankime por një dialog. Një letër e hapur e inxhinierisë mekanike – eletrike e menduar dhe e shkruar nga Pandeli Majko si sekretar i rinisë së fakultetit e dërguar Ramiz Alise dhe e afishur në gjamat e hyrjeve, u përhap si era në Qytetin Studenti, siç më thoshte Arben Sulo, që më vonë e përdorte si vërtetësi e vlerë kudo. Jemi ne në hapat pasardhës që e nisem si levizje, e sesi i lindi ideja e letrës Pandit është se ka patur ndonjë shtyrje, ndikim, propozim, mbështetje për qëllime të mëvonshme politike në shqipëri apo dhe  në qeveri, e quaj gjithmonë si një element të inkurajuar, nxitës e pozitiv për tu përballur o vlerësuar nga drejtuesit komunistë të kohës. Kjo letër e lexuar, komentuar e mbështetur plotësisht nga studentët erdhi si një thikë në gjoksin e kalbur të PPSH. Vetëm muret na dëgjonin e na kthenin zërat tanë si në një humnerë malesh që i përcillnin zërin njëra tjetrës. Duke kënduar …Ejani mblidhuni këtu këtu …poshtë Diktatura, Nexhmie rruspije, Enver Hitler … zbritëm në sheshin qëndror poshtë menses. Djem e vajza të guximshëm ata që në një farë lloji e kishin mundur frikën, po vinin nga të gjitha godinat e bashkoheshin me ne. Gjithë studentët u bënë një për idealin e lirisë. Ishte një turmë e çorjentuar e pa kokë drejtimi ku secili thoshte e bërtiste si të donte derisa në murin përballë u shfaq një djale me një xhubot të zi e thirri: Unë jam Azem Hajdari, kam dy femijë e i lë peng për çështjen studentore. Një heshtje ra pastaj me brohorima… ja vdekje, ja liri… poshtë Enveri… poshtë Nexhmija…thirrje e ovazione dhe unimanimisht u pranua si lider i yni. Nga një thirrje brënda turmës…Shkojmë drejt korpusit të Universitetit, u nisëm sipas grupeve o sipas të njohurish drejt korpusit të universitetit  e të tjerë që kërkonin të shkonim drejt qëndres së Tiranës. 

 

Filed Under: Featured Tagged With: NDUE LUGJA, Sokol Paja

30 VJET NGA RRËZIMI I MONUMENTIT TË DIKTATORIT

February 19, 2021 by dgreca

30 VJET NGA RRËZIMI I MONUMENTIT TË DIKTATORIT ENVER HOXHA, ARDHJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI/

Saimir Maloku, i përndjekur dhe i burgosur prej regjimit komunist shqiptar për 9 vite, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Rrëzimit të Simboleve Komuniste, i rrëfen ekskluzivisht gazetarit Sokol Paja për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, 20 shkurtin e vitit 1991, rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë dhe djegien publike të librave të tij. Sipas Malokut 20 shkurti është shembja e totalitarizmit shqiptar dhe fitorja e demokracisë në Shqipëri.

20 SHKURT VITIT 1991 SHEMBJA E TOTALITARIZMIT, FITORJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI.

Më datë 20 Shkurt të vitit 1991 u organizua një miting i madh i popullit të Tiranës me rreth 100 mijë veta në Qytetin e Studentëve në përkrahje të Grevës së Urisë të rreth 900 studentëve si dhe kundër regjimit të egër komunist. Unë kisha një urrejtje të madhe ndaj këtij regjimi totalitar dhe kërkoja të hakmerresha ndaj figures së diktatorit Hoxha. Kjo gjë m’u bë mua si dhe shtresës së gjerë të të persekutuarve politikë realitet në këtë ditë të shënuar historike. Jam krenar në jetë që sikur të ishte profeci e Zotit, pata shansin dhe fatin e madh historik që në ditën e 20 Shkurtit të vitit 1991 unë, i përkrahur nga një grup i madh të persekutuarish politikë, sindikalistë dhe nga mijëra protestues të kryeqytetit udhëhoqa turmën e parë dhe më kryesore të popullit të Tiranës nga godina e Radio – Televizionit Shqiptar drejt Sheshit “Skënderbej”. Në ato momente tepër delikate dhe të rrezikshme, unë, për të realizuar idealin tim dhe të popullit që thashë në gjyq, shpalosa vetitë më të mira të ushtarakut si strategjia e menjëhershme, këmbëngulja dhe guximi i madh, humanizmi im i lartë për të shmangur gjakderdhjen e mundshme si dhe urrejtjen tepër të madhe si ish-i burgosur politik që kisha për diktatorin Hoxha dhe regjimin komunist. Atë ditë një djalosh, i ri dhe jetim, me një rrip mëndafshi të kuq në ballë dhe rreth kokës, më solli një parullë rreth 3 metra të gjatë, ku shkruhej: LIRI DEMOKRACI. Ky djalosh, i quajtur Albert Risilia, e kishte bërë këtë parullë me perdet e dritareve të dhomës në Konviktin e shkollës ku banonte, duke e ngjyrosur me bojë këpucësh. Pasi vumë këtë parullë të madhe në krye të turmës unë, i shkëputur pak metra nga turma dhe si prijës i saj, i shoqëruar nga një fotoreporter i huaj, i bëja thirrje protestuesve të rrëzonim monumentin e E. Hoxhës si dhe të digjnim mijëra libra të tij në mes të Tiranës. Nuk harroja në ato çaste grisjen dhe djegien e dhjetëra librave artistike si dhe të Librave të Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze që kishin bërë oficerët e Sigurimit të Shtetit në shtëpinë time pas arrestimit. Ishte Jezu Krishti që më frymëzonte të hakmerresha ndaj këtij regjimi të urryer që dogji e grisi librat fetarë. Kështu, populli do të tregonte urrejtjen ndaj regjimit dhe do ta përqafonte përsëri fenë.

DJEGIA E MIJËRA LIBRAVE TË DIKTATORIT ENVER HOXHA

Gjithashtu, unë nxitja popullin protestues të digjte librat e diktatorit Hoxha dhe si hakmarrje ndaj tij për djegien e qindra mijëra librave fetare nga militantët komunistë në vitin 1967, kur me ligjin monstruoz të shtetit u hoq feja. Populli ka një shprehje: “Çfarë të keqe do të bësh, atë do ta pësosh po vetë”. Dhe kështu ndodhi me djegien e mijëra librave të diktatorit E. Hoxha. Me këtë veprim tepër të guximshëm, unë isha i vetëdijshëm se mund të arrestohesha përsëri për veprimtari të theksuar armiqësore dhe të përsëritur për të dytën herë kundër shtetit komunist dhe të pushkatohesha si nxitës ekstremist i turmës së protestuesve për rrëzimin e monumentit dhe si nxitës kryesor i trazirave popullore. Por, nga ana tjetër unë, i përkrahur nga dhjetëra shokë dhe shoqe, kryesisht të persekutuar politikë, shmangëm një masakër të madhe të mundshme, ku mund të ishin vrarë me qindra protestues të pafajshëm. Kjo për arsye se populli kërkonte të futej me forcë në Bllokun Qeveritar, ku ishin me qindra gardistë dhe policë të armatosur rëndë dhe mbi 20 tanke dhe autoblinda dhe gati 50 mitralozë të rëndë. Me këtë rast falënderoj z. Bujar Kore, operator televiziv dhe znj. Tefta Radi – gazetare e Televizionit Shqiptar, të cilët si të njohurit e mi, më vunë në dijeni për këtë gjë. Kjo sepse ata para një ore kishin qenë në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (e Punës) aty, në Bllokun Qeveritar. Informacioni i dhënë prej tyre ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme. Në rast se turma e madhe e protestuesve do të tentonte të futej me forcë në Bllokun e vilave të pushtetarëve dhe në godinën kryesore të Komitetit Qendror, ushtria, do të qëllonte ndaj mijëra protestuesve atëherë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” para Bllokut Qeveritar dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (të Punës) do të ishte mbushur me qindra të vrarë e të plagosur. Përfytyroni çfarë pasojash tepër katastrofike për Shqipërinë do të kishte kjo gjakderdhje e mundshme, kryesisht ndaj shtresës të persekutuarve politikë duke na kujtuar gjenocidin e tmerrshëm në Kamboxhia të Khmerëve të Kuq ndaj popullatës me kombësi vietnameze në vitin 1975.

USHTRIA ËSHTË ME NE. USHTARËT JANË VËLLEZËRIT TANË

Gjithashtu 6 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u kapën nga protestuesit dhe në këto momente të vështira unë dhe shumë të persekutuar politikë nuk lejuam që ata të masakroheshin nga protestues ekstremistë dhe provokatorë. Falë ndërhyrjes tonë energjike, ne i lame ushtarët të lirë, duke bërtitur: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Më vonë njëri nga këta ushtarët e liruar nga ne protestuesit, sa herë më takonte, më falënderonte për ndihmën që i dhamë në atë ditë trazirash (e filmuar). Itinerari i lëvizjes së turmës tonë të protestuesve niste nga mbrapa “Piramidës” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe drejt Sheshit “Skënderbej”. Në tarracat e shumë ministrive kishte ushtarë me pushkë snajper, të cilët mund të më qëllonin dhe të më asgjësonin mua nga çasti në çast si udhëheqës i turmës së madhe të protestuesve. Kjo për arsye se unë isha pesë apo gjashtë metra i vendosur në krye të turmës së protestuesve dhe i nxisja ata me parulla të shumta politike kundër regjimit komunist. Pastaj, të gjithë protestuesit brohoritnin një zëri dhe fuqishëm po këto parulla politike. Pra, u thye heshtja dhe frika e popullit të Tiranës ndaj regjimit komunist. Por Zoti më ndihmoi dhe një masakër e tillë nuk ndodhi. Kam besim që fotot e bëra nga fotoreporteri i huaj që më shoqëronte mua, ku isha si prijës i turmës së protestuesve, një ditë do të jepen në media.

GUXIMI ËSHTË FILLIMI I FITORES

Unë dhe gjithë turma e protestuesve në ato çaste marshimi ishim tepër të gëzuar, sepse erdhi dita që populli i Tiranës t’i jepte dënimin e merituar diktatorit Hoxha dhe regjimit gjakatar komunist. Në ato çaste më kujtoheshin fjalët e Plutarkut, filozof grek: “Guximi është fillimi i fitores”. Turma jonë e protestuesve ishte turma më energjike dhe më kryesore që mbërriti e para në Sheshin “Skënderbej” dhe zumë vend pranë monumentit të diktatorit komunist. Pastaj erdhën edhe tri turma të tjera protestuesish. Aty, në sheshin kryesor, u bë një përleshje e ashpër e popullit me Forcat e Policisë dhe të Ushtrisë si dhe me Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto forca policore ishin të pajisura me fishekë manovër stërvitjeje dhe jo vdekjeprurës. Policia përdori aty kundër popullit protestues makinën zjarrfikëse me pompa uji, disa makina policie me sirena të fuqishme dhe shumë qen kufiri. Në momentin që sapo rrëzohej monumenti nga turma e protestuesve, m’u shfaq papritur si në ëndërr portreti i Jezu Krishtit, i cili sikur thoshte për të më frymëzuar: “Shko Saimir dhe godite këtë kriminel të madh komunist që ndaloi besimin fetar dhe vrau e torturoi popullin e pafajshëm në Shqipëri”. Kjo ishte arsyeja kryesore dhe e jashtëzakonshme që unë u vërsula si shqiponjë dhe isha qytetari i parë që godita dhe pështyva kokën e monumentit të diktatorit komunist. Në ato momente mua m’u duk vetja sikur vendosa flamurin e Demokracisë mbi kokën e diktatorit komunist Hoxha dhe që shënoi rrëzimin e Komunizmit në Shqipëri. Ky ishte një fat i jashtëzakonshëm për mua dhe i rrallë në botë. Tri vajza dhe gra të persekutuara politike, me lot gëzimi në sy, më përshëndetën dhe më përqafuan gjithë entuziazëm në atë moment të jashtëzakonshëm historik. Ishte si një dëshirë e Jezu Krishtit që çasti më historik i shekullit të kaluar për popullin shqiptar të fotografohej nga fotografi i mrekullueshëm z. Armando Babani, i cili ishte edhe fotoreporteri i një agjencie amerikane lajmesh. Sot ai punon e jeton me familjen e tij në Gjermani. Unë dhe bashkëvuajtësit e mi e falënderojmë atë, që na lejoi të botohej në kopertinën dhe në faqet e librit tim kjo foto me vlera të jashtëzakonshme historike ku unë përpara mijëra protestuesve jam duke goditur dhe pështyrë kokën e monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha. Kjo foto i tregoi mbarë njerëzimit mallkimin e madh që i dha Zoti këtij diktatori komunist, që hoqi fenë nga Shqipëria. I takon Presidentit të Republikës ta dekorojë z. Armando Babani për këto foto, që u vlerësua nga mediat ndërkombëtare si edhe për kontributin e tij në pasqyrimin e Lëvizjeve Demokratike në vendin tonë. Në atë çast, rreth 100 mijë protestues ishin në ekstazë nga gëzimi i madh dhe në të njëjtën kohë bërtisnin: “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!”, “Fitore – Fitore”, “Enver – Hitler”. Pastaj unë bëra dy apo tre herë kryqin dhe nisa të falënderoja Jezu Krishtin duke u shprehur: “Faleminderit o Zot që shporre Komunizmin nga Shqipëria!” Ja sa kuptimplote është shprehja: “Qesh mirë ai që qesh i fundit”. Në atë moment m’u kujtuan përsëri çastet e fundit të gjyqit tim kur unë në gjuhën angleze i lutesha Jezu Krishtit: “Të lutem o Ati i Shenjtë, shporre Komunizmin nga Shqipëria dhe shpëtoje këtë popull nga vuajtjet!” si dhe këndoja këngën amerikane “Let’s Tëist Again”. Tani kjo ishte si kënga e Fitores së Demokracisë në Shqipëri .

LIRIA, DEMOKRACIA DHE NJË SAKRIFICË FAMILJARE

Isha tepër krenar sepse edhe dy fëmijët e mi, dy dhe katër vjeç, ishin protestuesit më të vegjël të asaj dite tepër të rëndësishme. Makina zjarrfikëse e Policisë para godinës së Liceut Artistik kishte lagur me bojë të kuqe gruan dhe dy djemtë e mi dhe ata të tre dukeshin si indianët me pupla të kuqe të xhunglave të Amazonës. Babai i gruas time gjatë protestës ishte plagosur rëndë në kokë dhe mbas disa muajve vdiq. Atë nuk e vrau ushtari gjerman gjatë luftës, ndërsa vdekjen e tij e shkaktoi Policia Komuniste duke qëlluar me gurë protestuesit. Plani ynë për të djegur librat e diktatorit Hoxha në Librarinë “Flora” nuk u realizua atë ditë, sepse në tarracat e pallateve aty pranë saj kishte shumë ushtarë të pajisur me pushkë snajper. Të nesërmen pasdite, rreth orës 17.00 pra më 21 Shkurt të vitit1991, unë dhe një grup i madh të persekutuarish politikë, kryesisht të Rrugës së Kavajës dhe të lagjes së Kombinatit si edhe dhjetëra protestues të tjerë ndezëm një zjarr të madh duke grisur dhe djegur me mijëra libra të diktatorit që ndodheshin në Librarinë e madhe “Flora” në mes të kryeqytetit. Kjo ishte si hakmarrje e popullit të kryeqytetit ndaj diktatorit Hoxha, që në vitin 1967 urdhëroi djegien e librave fetarë në formë publike. Ishte Jezu Krishti ai që më dha mua këtë ide për djegien e librave dhe rrëzimin e monumentit të diktatorit, që unë ta thosha në fund të gjyqit tim hapur para popullit: “Jeta tregoi se kush beson te Zoti dhe i lutet Atij për të mirën e popullit, Zoti, në të ardhmen, ia plotëson dëshirën”. Pra, edhe Zoti plotësoi dëshirën time që i kërkova më 28 gusht të vitit 1976, në gjyqin tim. Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjyqësore të gjyqit ndaj meje, dokumente të cilat janë në Arkivin Qendror të Shtetit. Unë isha tepër i gëzuar dhe i lumtur sepse populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ishte protagonisti kryesor për rrëzimin e monumentit të Diktatorit, të simboleve komuniste si dhe të djegies së mijëra librave të tij. Krahas djegies së mijëra librave, protestuesit rreth orës 12.00 hoqën edhe parullën e madhe 50 metra të gjatë ku shkruhej: “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë” nga tarraca e Pallatit të Kulturës, që ishte dhe godina më e madhe kulturore e Tiranës në atë kohë. Një ditë më parë, në çastin e rrëzimit të monumentit të E. Hoxhës në sheshin kryesor të Tiranës, agjencitë dhe stacionet e radiove dhe televizive të vendeve të botës dhanë njoftimin për këtë ngjarje tepër të rëndësishme që simbolizoi përmbysjen e diktaturës në vendin më të egër komunist të Evropës dhe shënoi fitoren e Demokracisë në vendin tonë.

KAMBANA E DEMOKRACISË GJËMOI DHE U DËGJUA NË ÇDO SKAJ TË SHQIPËRISË

Unë isha tepër i gëzuar sepse para popullit tonë u hap rruga që çdo qytetar i saj të gëzojë jetën, lumturinë, arsimimin dhe të drejtat e tij siç çdo qytetar europian. Gjithashtu porta e Evropës u hap për popullin tonë, të cilën e kishte mbyllur për 47 vite diktatori Hoxha dhe regjimi i urryer komunist. Kambana e Demokracisë gjëmoi dhe u dëgjua në çdo skaj të Shqipërisë. Tani ishim qytetarë të Shqipërisë dhe të Evropës. Shqiponja dykrenore shqiptare fluturonte e lirë në çdo skaj të kontinentit europian. Feja dhe funksionimi i objekteve fetare u vendos përsëri. Tani populli shqiptar i lutej Zotit që t’i bekonte ata për një jetë të re, pa vuajtje dhe plot gëzim. Në ditët në vazhdim, gjatë natës, Policia Komuniste arrestoi me dhjetëra protestues. Unë dhe shokët e mi ato ditë u detyruam të fshiheshim. Gjithashtu, unë i shkurtova shumë flokët, ndryshova veshje, mbaja syze të errëta që të mos njihesha nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Lëvizjet demokratike që ndodhën në vendet ish-komuniste të Evropës e goditën rëndë sistemin komunist. Në këto vende brenda një kohe të shkurtër fitoi demokracia dhe u përmbys komunizmi. Populli demokrat i Shqipërisë, me veprimet e tij tepër të guximshme, në këtë ditë, më të shënuarën e Demokracisë, ia preu kokën gjarprit komunist, i cili kishte helmuar shpirtin e tij me ideologjinë marksiste – leniniste. Prandaj, i takon këtij populli, si protagonisti kryesor i kësaj revolte, të emërtojë dhe ta festojë me madhështi këtë ditë të shënuar si dhe të demaskojë nostalgjikët e fundit të Komunizmit, që janë bërë pengesa kryesore për ecjen përpara të Demokracisë në Shqipëri dhe anëtarësimin e vendit tonë me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo të kujton shprehjen e famshme të Napoleon Bonapartit: “Mos u përballni me popullin, por bashkohuni me të, sepse do jeni gjithmonë të fituar”. Fjalimin që mbajta në gjyqin tim dikur, se çfarë do të ndodhte në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit, populli i Tiranës e realizoi me sukses duke e quajtur dhe duke bërtitur për diktatorin komunist: “Enver – Hitler”! “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!” “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Poshtë Komunizmi” “Liri – Demokraci”etj.

STUDENTËT E GREVËS SË URISË

Kontribut mjaft të madh në këtë ditë të shënuar dha Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, i cili organizoi Grevën e Përgjithshme në Tiranë. Kjo grevë bëri që të gjithë punonjesit e Kryeqytetit u grumbulluan në Qytetin Studenti. Bazuar në informacionet e mediave dhe të Sigurimit të Shtetit si dhe të popullit të Kryeqytetit bashkë me mua, atë ditë dhanë një kontribut të madh edhe qytetarët protestues dhe studentët e Grevës së Urisë si: Rajmonda Bulku, Gëzim Kalaja, Eqerem Kavaja, Blendi Gonxhe, Fiqiri Xibri, Gëzim Shima, Sami Karriqi, Hajredin Fratari, Lulzim Brahja, Skënder Topi, Fatmir Merkoçi, Artur Zadrima, Petro Luarasi, Ardian Heta, Astrit Hatellari, Gjovalin Çokani, Albert Risilia, Agron Spaho dhe vëllai i tij Besniku, Ridvan Peshkëpia, Arben Lika, Shinasi Rama, Blendi Fevziu, Edvin Shvarc, Mesila Doda, Kujtim Çashku, Neritan Ceka, Ilirjan Abazi, Arjan Manahasa, Gëzim Vojka, Kreshnik Ndreu, Ferdinand Temali, Met Ibrahimi, Merita Bejo , Ahmet Kalaja, Ilir Dizdari, Durim Hoxha, Naim Qyqja, Hajrije Hasani, Gani Lami, Xhemal Zhuri, Sulo Jaupaj, Sanije Vojka, Lida Bezhani, Hygert Borova, Vera Rada, Lindita Hamiti, Liljana Llapaj, Pranvera Bodinaku etj., sepse ne shmangëm gjakderdhjen e madhe në popull dhe rrëzuam monumentin e diktatorit si dhe simbolet e tjera të komunizmit. Një kontribut të madh në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve dhanë edhe operatorët e Televizionit Bujar Kore, Fatmir Çepani, Agim Buxheli dhe gazetarja Tefta Radi si dhe fotoreporterët Armando Babani,Gani Xhengo, Ali Begeja, Kujtim Çashku, Roland Tasho, Lulzim Lika dhe Besim Fusha. Shumica e këtyre qytetarëve protestues të mësipërm janë nga shtresa e ish-të persekutuarve politikë të Kryeqytetit. Në ato ditë Policia dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi me dhjetëra protestues, të cilët u dënuan nga gjykatat komuniste. Populli ka respekt të madh për këta qytetarë të nderuar për kontributin e tyre në atë ditë të shënuar të Demokracisë. Pothuajse të gjithë këta protestues dhe punonjës të mediave janë dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhra e medalje. Veprimet e mia të guximshme gjatë ditëve të 20 dhe 21 Shkurtit të vitit 1991 ishin si një hakmarrje ndaj diktatorit dhe regjimit komunist. Greva e Urisë së minatorëve të Minierës së Valiasit më 16 Maj të vitit 1991 si dhe Greva e përgjithshme kombëtare e ish-të dënuarve politikë më 30 Shtator të vitit 1991 i dha përsëri një goditje të rëndë diktaturës komuniste, e cila ishte në grahmat e fundit të saj. Monumenti i Stalinit u hoq në Tiranë më vonë nga Qeveria. Më parë ishte hequr edhe monumenti i Leninit.

Filed Under: Featured Tagged With: 30 vjet, diktatori, rrezimi i monumentit, Saimir Maloku, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT