• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dielli” me shqiptarët në Beograd, Serbi

March 31, 2021 by dgreca

KATEDRA E GJUHËS SHQIPE NË UNIVERSITETIN E BEOGRADIT/

Dr. Merima Krijezi, docente në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Beograd, me fokus shkencor albanologjinë, frazeologjinë, ballkanistikën dhe përkthimin, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e Departamentit të Albanologjisë në Universitetin e Beogradit në Serbi. Sipas Dr. Krijezit, merita më e madhe për zgjerimin e interesimit për studimin e gjuhës shqipe, i takon indoevropianit Henrik Bariq, i cili shkroi një numër shumë të madh studimesh gjuhësore, në të cilat tema albanologjike, çështja e prejardhjes së shqiptarëve dhe historia e gjuhës shqipe zënë një vend të rëndësishëm në studimet e tij. Me docenten Dr. Merima Krijezi bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

FILLIMI I INTERESIMIT PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NË SERBI

Fillimi i interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Serbi, e ka zanafillën më 1905, kur Universiteti i Beogradit, nxori rregulloren për fillimin e mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në kuadrin e seminarit të Gramatikës krahasuese të gjuhëve indoevropiane për dëgjuesit e Gjuhësisë së përgjithshme në Fakultetin Filozofik, në vitin shkollor 1920/21, u vu lënda “Historia dhe gramatika e gjuhës shqipe”. Ai vit merret edhe si fillimi i albanologjisë në Universitetin e Beogradit. Merita më e madhe për vënien e kësaj lënde dhe zgjerimin e interesimit për studimin e gjuhës shqipe,i takon indoevropianit Henrik Bariqit, lindur në Dubrovnik, që kish mbaruar studimet jashtë vendit, në Grac dhe Vjenë të Austrisë. Ai për shumë vite u mor me studimet e gramatikës krahasuese dhe historike të gjuhëve indoevropiane dhe ishte veçanërisht i interesuar për studimin e gjuhëve parasllovene dhe ballkanike, duke treguar prirje dhe interesim të posaçëm për studimin e gjuhës shqipe. Që nga punimet e para shkencore (1918) deri te faza e më e maturuar e tij (1950-60), ai shkroi një numër shumë të madh studimesh gjuhësore, në të cilat temat albanologjike zinin vendin kyç. Henrik Bariq, veç të tjerave, u mor me çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe historinë e gjuhës shqipe, u dallua si kryeredaktor i publikimeve, të cilatu vlerësuan për nivelin e lartë shkencor brenda dhe jasht vendit, midis të cilave mund të veçojmë : “Arkivi për vjetërsinë, gjuhën dhe etnologjinë shqiptare” I-IV (1923-28), „Biblioteka e Arkivit” I-IV (1925-27), „Biblioteka Linguistike“ I (1938), „Vjetari i Institutit Ballkanologjik“ I (1957).

MË 1924 THEMELOHET SEMINARI PËR FILOLOGJINË SHQIPE

Më 1924, Këshilli i Fakultetit Filozofik mori vendimin për themelimin e Seminarit për filologjinë shqipe, i cili iu besua Henrik Bariqit. Në vitin 1925, si lektor me honorar për gjuhën dhe letërsinë shqipe,u zgjodh Xhevad Korça, emigrant nga Shqipëria, ish-drejtor i gjimnazit në Shkodër. Profesor Korça lindi më 1893 në Korçë, doktoroi në Universitetin e Vjenës, më 1923, me punimin “Tri çështje nga jeta e Skënderbeut”. Gjendja erëndë financiare dhe mungesa e mjeteve,ndikuan qëkonkursi për lektorin e ri të gjuhës shqipe të shpallej me vonesë, në vitin 1935. Në këtë postu zgjodh Vojisllav Dançetoviq, serb nga Kosova, që e zotëronte shumë mirë gjuhën shqipe dhe qëatë vit u diplomua për romanistikë në Zagreb. Si lektor vullnetar Dançetoviq ka mbajtur periodikisht ushtrime lektore në gjuhën shqipe. Vendi i punës së tij paguhej me honorare, pasi nuk ishte rregulluar brenda buxhetit. Në këto rrethana ai u detyruatë punësohej si mësimdhënës në një shkollë të mesme, por ushtrimet lektore në Seminar (si vullnetar), ai i mbajti në vazhdimësi deri në vitin 1940 (shih Zbornik Sto godina Filozofskog fakulteta, 1963). Rrethanat politiko-historike çuan në mbylljen e Seminarit në 1937. Në vitin 1947 lektori Vojisllav Dançetoviq angazhohet përsëri nga ana e Fakultetit Filozofik dhe pikërisht në këtë vit dërgohet në Shqpëri për të marrë librat e nevojshëm për bibliotekën e Seminarit, që duhej të ribëhej. Me angazhimin e Dançetoviqit në punën e kërkimit dhe blerjen e materialeve dhe librave të nevojshëm, si edhe marrjen e librave-dhurata d.m.th. donacionet, biblioteka arriti të kapte shifrën prej 1.000 titujsh. Fondin e bibliotekës e pasuroi edhe fondii librave të paraluftës i Seminarit, fondi i bibliotekës i rimarrë nga Shoqata për Bashkëpunimin Kulturor midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, si edhe kompletet e botimeve të dikurshme, që kishte redaktuar prof. Henrik Bariq.

KRIJOHET BIBLIOTEKA E RIBËRË E SEMINARIT TË ALBANOLOGJISË

Gjatë viteve 1948-49 krijohet kështu biblioteka e ribërë e Seminarit të albanologjisë. Në vitin shkollor 1948/49 Seminari rifilloi punën dheligjërues ishte zgjedhur Vojisllav Dançetoviq. Dançetoviq mori përsipër organizimin e mësimdhënies dhe rregullimin e programit studimor deri në 1950, kur asistent ishte zgjedhur Anton Çeta dhe dy vjet më pas,në 1949 vjen si lektor Idriz Ajeti, i diplomuar në Universitetin e Beogradit, ndonëse studimet i kishte nisur në Zagreb, në 1938, në Departamentin e romanistikës. Në Katedrën e albanologjisëai dha mësim nga 1953 deri në 1960 (në atë periudhë mori  titullin e doktorit të shkencave filologjike, me temën “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga viti 1960 ai filloi punën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku dha disa lëndë). Me angazhimin e këtyre dy ekspertëve, vetë Seminari u forcua dhe u krijuan kushte më adekuate për organizimin e mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit. Pas hapjes së Fakultetit Filozofik në Prishtinë në 1960, asistentët prof. Anton Çeta dhe prof. Idriz Ajeti u larguan nga Beogradi dhe filluan punën në fakultetin e sipërpërmendur, në Prishtinë.Prof. Vojisllav Dançetoviq, në 1958 mbrojti doktoratutën dhe në 1962 u zgjodhsi ligjërues i lartë. Ai mbeti kështu i vetmi mësimdhënës, jo vetëm në Seminar, por në gjithëDepartamentin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, domethënë në Grupin studimor XXI në Fakultetin Filologjik. Në vjeshtë të vitit 1962 Remzi Nesimi zgjidhet lektor i ri. Në 1960/61 u themelua Fakulteti Filologjik i Beogradit, me hapjen e të cilit zyrtarizohet edhe ndarja e Fakultetit Filozofik dhe Fakultetit Filologjik.

DEPARTAMENTI PËR GJUHË DHE LETËRSI SHQIPE NË BEOGRAD

Seminari për albanologji mori një emër të ri dhe qënga 1961 quhej Departamenti për gjuhë dhe letërsi shqipe. Drejtuesi i këtij Departament, qëishte përgjegjës edhe për programin dhe zhvillimin e mësimit, ishte profesor Vojisllav Dançetoviq. Pas vdekjes së tij në 1974, shefi i këtij departamenti për një vit, u bëprofesori i ballkanistikës Momçillo Saviq, që për një kohë dha lëndën“Histori e gjuhës shqipe”. Më vonë, nëvitin 1975, shef i Katedrës u zgjodh dr.Halit Trnavci (u diplomua në Katedër për letërsi botërore, studimet pasuniversitare për gjuhë shqipe i kreu po në këtëKatedërdhe në vitin 1970 mbrojti doktoraturën me temë: Motivi i motrës dhe vëllait të vdekur në letërsinë gojore të popujve të Ballkanit). Në vitin akademik 2003/04,në Katedrën filloi të punonte prof. dr. Vanja Stanishiq, që nga ai viti akademik filloi ta mbante lëndënHistoria e gjuhës shqipe me dialektologji. Prof. Stanishiq magjistroi në 1990 në Fakultetin Filologjik të Beogradit,me temën “Marrëdhëniet gjuhësore serbo-shqiptare”, ndërsa në vitin 2000 mbrojti doktoraturën me temë“Baza fonologjike dhe forma grafike e gjuhëve ballkanike”.

PROFESORËT SHQIPTARË MË TË SHQUAR TË ANGAZHUAR NË MËSIMDHËNIE NË BEOGRAD

Gjatë viteve akademike 2012/13, 2013/14 lëndën “Historia e gjuhës shqipe me dialektologji” e ka dhënë profesor Dhimitri Bello, profesor i jashtëm nga Shqipëria dhe nga viti akademik 2015/16, profesor Vanja Stanishiq fillonpërsëri dhënien e kësaj lënde në Katedrën e albanologjisë. Deri në fund të viteve tetëdhjetë, në këtë Katedër kanë studiuar kryesisht shqiptarë me prejardhje nga Kosova, jugu i Serbisë dhe Mali të Zi. Numri i studentëve të regjistruar në studime themelore, ishte mbi njëzet. Në fund të viteve tetëdhjetë, situata filloi të ndryshojë. Një numër i madh shqiptarësh, shkollohen në Prishtinë dhe Shkup, ndërsa në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, fillojnë të regjistrohen gjithnjë e më shumë serbë dhe studentëme prejardhje nga martesa të përziera, që nuk dinin fare ose dinin shumë pak shqip. Programi studimor ndryshoi shumë here gjatë kësaj periudhe. Në 90-tat moduli i grupit përmbante lëndë të detyrueshme dhe lëndë me zgjedhje, që zhvilloheshin në dy semestra, por nga viti 2006, me vënien në zbatim të sistemit të Bolonjës, të gjitha lëndët janë njësemestrale. Në vitin 2007, si rezultat i bashkëpunimit të Fakultetit Filologjik të Beogradit me Shqipërinë, angazhohen në këtë katedër dy profesorë të jashtëm – dr. Stefan Çapaliku, për lëndën Letërsi shqipe dhe Primo Shllaku për lëndën Gjuhë shqipe, si dhe lektorja Ledia Dushi. Pas mbarimit të kësaj kontratetëprofesorëve të mësipërm, në maj të vitit 2010, angazhohen në katedër profesorTefë Topalli për Gjuhë shqipe dhe profesor Alfred Çapaliku për Letërsi shqipe nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës. Marrëveshja për bashkëpunim midis Serbisë dhe Shqipërisë është nënshkruar në vitin akademik 2010/11. Mbështetur në këtë marrëveshje,dy profesorë të Universitetit të Tiranës dërgohen në Katedrën e Albanologjisë në Serbi. Ata janë – Prof. dr. Avni Xhelili (për lëndën Gjuhë shqipe) dhe prof. dr.Adem Jakllari (për lëndën Letërsi shqipe), me një kontratë dy vjecare.Nga viti 2009 deri në 2013, si lektore për gjuhë shqipe ka punuar zonja Adelina Çaushi. Falë mirëkuptimit dhe ndihmës së madhe të profesorëve nga Tirana, studentët e Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe, për herë të parë ftohen dhe marrin pjesë në shkollën verore të gjuhës shqipe për të huajt, organizuar nga Fakulteti Histori dhe Filologji në Tiranë dhe patën mundësinë të rrinë një muaj të tërë në Shqipëri. Në vitin 2012 me kërkesën e Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Beogradit, Universiteti i Tiranës dërgon dy profesorë të Katedrës së albanologjisë, dr.Dhimitri Bellon dhe dr. Persida Asllanin. Profesori Bello ka mbajtur lëndët: Historia e Gjuhës shqipe me Dialektologji, Sintaksë I-II, Morfologji e gjuhës shqipe I-II, ndërsa profesoresha Asllani ka mbajtur ligjeratat për Letërsi shqipe nëtë gjitha kurset (për të gjitha vitet), gjatë dy viteve akademike 2012/13 dhe 2013/14. Nga marsi i vitit 2015, si profesorë të jashtëm angazhohen përsëri nga Shqipëria dr.Olimbi Velaj nga Universiteti i Durrësit dhe dr.Eljon Doçe nga Universiteti i Tiranës.  Deri në vitin 1960 në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe janë diplomuar rreth 400 studentë, ndërsa nga 1958 kanë magjistruar me dhjetëra. Midis tyre mund të permëndim profesorë dhe letrarë nga Kosova, si: Ramiz Kelmendi, Demush Shala, Mehdi Bardhi, Hilmi Agani, Besim Bokshi, Gani Luboteni, Latif Mulaku, Faredin Gunga, Enver Gjergjeku, Din Mehmeti etj., si edhe të tjerë që me kohë u bënë shkencëtarë, akademikë, profesorë dhe përfaqësues të shquar të jetës akademike dhe kulturore të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.

SERBËT DASHURI PËR GJUHËN SHQIPE

Në dhjetë vitet e fundit, në këtë Katedër regjistrohen nga çdo vit 12 studentë, shtatë të rregullt dhe pesë me vetëfinancim. Në vitin akademik 2015/16 interesimi për studimin e gjuhës shqipe rritet dhe në Katedër u regjistruan 26 studentë. Nga viti 2012 një numër studentësh serbë ndjekin studimet master në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Sot në këtë Katedër janë punësuar 4 pedagoge, dr. Nailje Mala Imami (profesore e asociuar) shefe e Katedrës, dr. Merima Krijezi (docente), ma Marija Popoviq (asistente) dhe ma Nora Bezera (lektore).Në Katedër është angazhuar një profesore e rregulltë me kontratë nga Shqipëria, dr. Olimbi Velaj (profesore e rregulltë). Kjo katedër është një nga katedrat më të vjetra e gjuhës shqipe në Europë. Karakterizohet nga një historik i begatshëm dhe interesant. U themelua shumë para Departamentit të gjuhës shqipe në Prishtinë (1960) dhe Tiranë (1968), themeluesi i saj ishte shkencatar i njohur, prof. Henrik Bariq, që ishte katolik me prejardhje serbe nga Dubrovniku. Duke mos llogaritur disa ndërprerje të shkurtra në punim, kjo katedër punon dhe ekziston njëqind vjet në Beograd. Shumë shqiptarë u arsimuan në këtë departament dhe u bënë profesorë të respektuar, akademikë, gazetarë, shkrimtarë, artistë etj.

KUSH ËSHTË DOCENTE DR. MERIMA KRIJEZI

Merima Krijezi është docente në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Beograd. Fushat e saj kryesore të interesit shkencor janë albanologjia, frazeologjia, ballkanistika, përkthimi. Aktualisht po punon në fazën e tretë të hartimit të një fjalori elektronik shqip-serbisht/serbisht-shqip, së bashku me kolegët nga Fakulteti Filologjik në Beograd (Prof. Dr. Predrag Mutavxhiq dhe Dr. Ana Sivaçki) dhe profesorët nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, Prof. Dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë dhe prof. Dr. Qemal Murati,këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë. Ky projekt u nis në vitin 2019 nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në bashkëpunim me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), me ndihmën dhe mbështetjen e Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Zyrës së Komisionerit të Gjuhëve në Kosovë. Njësitë e përpunuara në fazën e parë të hartimit të këtij fjalori tashmë mund të gjenden në faqen e internetit: https://ëëë.fjalor-recnik.com/ (mbi 30.000 fjalë). Merret edhe me përkthimin letrar dhe deri tani ka përkthyer një numër të madh tregimesh, novelash, si dhe poezi nga shqipja në serbisht dhe anasjelltas. Do të dëshironim të përmendim: përkthimin e poezisë nga Ariana Leka Ndreqje gabimesh, poezinë e Bardul Maliqit në serbisht, Dejan Gjorgjeviq dhe Gordana Pavlloviq në shqip, përkthimin e tregimeve nga Mirosllav Qurçiq (Hipnozë, Uria, Si mbeta pa gishtin e madh të dorës së majtë), Ag Apollonit, Ridvan Dibrës, Edmond Tupjes, Roland Gjozës etj. në serbisht. Në fillim të marsit të këtij viti u botua  përkthimi i saj i romanit “Ridënimi” nga Fatos T. Ljubonja në serbisht (u botua nga shtëpia botuese “Partizanska knjiga” (Kikindë, Serbi) dhe me mbështetjen e TRADUKI-t.

Filed Under: Featured Tagged With: Beograd, Katedra e Gjuhes shqipe, Sokol Paja

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID, NGA VAKSINIMET TE RREZIKU I INFEKTIMEVE MASIVE GJATË FUSHATËS ELEKTORALE

March 29, 2021 by dgreca

Prof. Dr. Arvin Dibra, Profesor i Kirurgjisë, Departamenti i Kirurgjisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti  i Mjekësisë Tiranë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon natyrën e sfidave me të cilat është përballur kirurgjia në Shqipëri gjatë pandemisë, si ka ndikuar pandemia negativisht në formimin profesional mjekësor të studentëve dhe të specializantëve, si fushata e vaksinimit është e pamjaftueshme në raport me nevojat e një vendi me një popullsi të vogël dhe frika që mund të stimulohen valë të reja infektimesh masive gjatë fushatës elektorale. Me Prof. Dr. Arvin Dibra bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT, Sokol Paja. 

SFIDAT E SHËRBIMIT TË KIRURGJISË GJATË PANDEMISË

Në gjykimin tim natyra e sfidave me të cilat është përballur kirurgjia në Shqipëri dhe gjithandej në periudhën tashmë mbi njëvjeçare të gjendjes së pandemisë nga infeksioni SarsCov 2 kanë qenë të shumta, dhe besoj se secili vend, veç të përbashkëtave, ka pasur edhe sfida specifike të lidhura kryesisht, me mënyrën sesi sistemi shendetësor të cilit i përket ka zgjedhur apo ka qenë i detyruar të menaxhojë pandeminë. Në Shqipëri unë mendoj se natyra e problematikave mund të konsiderohet në disa drejtime. I pari, ai teknik profesional, që vendos kirurgun përballë një pacienti Covid pozitiv apo, çka në eksperiencën tonë duket me impakt akoma më të gjërë e të thellë, pacienti post Covid që e ka kaluar sëmundjen relativisht rëndë dhe që mbart pasoja që vështirësojnë dhe komplikojnë traumën kirurgjikale. Ndërsa drejtimi tjetër lidhet me mënyrën e modifikimit të organizimit spitalor, me uljen e mundësisë për një akses të thjeshtë ndaj strukturave shëndetësore për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe që është përkthyer në një ulje të kujdesit shëndetësor. Kjo prodhoi, sidomos në pacientët që vuajnë me kancer, rritje të rasteve që në vëmendjen e kirurgut vijnë shumë vonë, shpesh kur nuk është më e mundur të realizohet një ndërhyrje kuruese dhe me pasojat që besoj kollaj imagjinohen. Impakti psikologjik i karantinës dhe i vështirësive që nxori në pah kjo periudhë, në një numër çuditshëm të madh pacientësh, ka qenë i tillë që i ka detyruar të vendosin në një plan të dytë një sëmundje të pranishme në organizmin e tyre për tu ruajtur nga një infeksion potencial siç është ai nga Sars Cov 2. Natyrisht duhet shtuar këtu edhe modifikimi i strukturimit të burimeve spitalore, veçanërisht të atyre njerëzore, kryesisht mjekë anestezistë dhe infermierë që në momente të ndryshme ka sjellë vështirësi në punën e përditshme të kirurgjisë. 

PROBLEMATIKAT E STUDENTËVE DHE MJEKËVE NË FORMIM

Në opinionin tim, por që tashmë ndahet botërisht nga kolegët, impakti i kësaj pandemie në formimin profesional mjekësor si të studentëve ashtu dhe të specializantëve ka qenë dukshëm negativ. Studentët e mjekësisë janë reduktuar praktikisht vetëm në aktivitet online në të cilin pavarësisht tentativave për të zhvilluar forma të ndryshme mësimore, praktika klinike dhe kontakti human janë të një rëndësie madhore e për pasojë problemi mbetet i madh. Në rastin e specializantëve, duke pasur një ulje të numrit të rasteve të operuara si shtrime të planifikuara (pasi një numër patologjish që nuk përbëjnë nevojë imediate për ndërhyrje janë ndërprerë), impakti gjithshtu ka qenë i ndjeshëm. Një tjetër problem lidhur me përgatitjen e specializantëve është vendimi për përqëndrimin e të gjitha urgjencave të kirurgjisë të përgjithshme larg QSUT. Një vendim ky që nëse në momentet e para të amullisë për përballimin e flukseve të pandemisë mund të kishte një farë kuptimi, pas majit të vitit të shkuar e ka humbur fare arsyen. Kjo impakton ndjeshëm në formimin e mjekëve specializantë të cilët, ndonëse shkojnë periodikisht për të shërbyer në urgjencën e Spitalit të Traumës, nuk e kanë as sasinë as cilësinë e dëshiruar të nxënies nga ky proces. Duhet të mendojmë se në një shkollë që zgjat 6 vjet si mjekësia apo 4 vjet për specializimet, kohëzgjatja që po merr pandemia është me influencë serioze.

HUMBJET DRAMATIKE NË PERSONELIN SHËNDETËSOR

Fatkeqësisht numri i të infektuarve dhe të humbjeve të jetës nga personeli shëndetësor ka qënë i lartë dhe mjaft dramatik. Kemi humbur dhjetëra kolegë, një pjesë e mirë e të cilëve edhe në moshë të re. Nuk mund të them që në spitalin ku punoj të ketë influencuar në cilësinë e shërbimit të dhënë pasi ka mbizotëruar ndjenja e sakrificës për të kompensuar mungesat por çfarë dallon ndër ne në këtë periudhë ka qenë ndjenja e dëshpërimit për kolegët e pacientët e humbur. Ndjenja e pafuqisë dhe e pamundësisë për ti dhënë atyre ndihmën e mjaftueshme për ti rikthyer mes nesh, e bashkuar me nevojën herë pas here për të kontribuar financiarisht në mënyrë vullnetare private për përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar kolegun, në të vërtetë ka mbjellë fort trishtim ndër ne.

NDËRHYRJET KIRURGJIKALE TEK PACIENTËT COVID POZITIV

Për fat të mirë, numri i ndërhyrjeve në pacientë Covid pozitiv nuk ka qenë i lartë dhe nuk ka evidentuar vështirësi në pjesën më të madhe të rasteve. Disi më i ndjerë është impakti i traumës kirurgjikale në pacientët që kanë kaluar Covidin në forma të rënda pasi, kompromentimi i mushkërive, i koagulimit të gjakut apo dhe organeve të tjera, rrit rriskun kirurgjikal dhe shpesh detyron në shtyrjen e ndërhyrjeve. 

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID-19, SFIDA DHE PROBLEMATIKA

Gjendja në Shqipëri sot përsa i përket pandemisë është mjaft serioze. Kemi luhatje valë valë të rritjeve drastike të numrit të të infektuarve, të shoqëruara me ulje të kapaciteteve për trajtim dhe me shifra të larta të humbjeve të jetës. Të dhënat krahasuese të vdekjeve në periudha të ngjashme të vitit në raport me vite më parë në fakt duket të jenë shumë shqetësuese. Mbi këtë duhet edhe të konsiderojmë impaktin e rëndë ekonomik të kësaj periudhe mbi familjet shqiptare. Ekonomia nuk ecën dhe njëkohësisht kostot për përballimin e trajtimit mjekësor janë vërtetë të larta dhe besoj për pjesën më të madhe të qytetarëve të papërballueshme. Fatkeqësisht edhe fushata e vaksinimit duket që ecën me ritme mjaft të ngadalta në raport me çfarë do të dëshironim.

FUSHATA ELEKTORALE RREZIKON KOLAPSIN E SISTEMIT SHËNDETËSOR

Natyrisht që të pasurit një fushatë elektorale në këtë periudhë kontribuon negativisht në aftësitë e shtetit tonë për të menaxhuar pandeminë. Vëmendja zhvendoset, vendimmarrjet janë të kushtëzuara nga kostot politike që mund të kenë dhe pavarësisht rregullave duket qartësisht e pamundur që ato të respektohen. Frika që mund të stimulohen valë të reja infektimesh masive në fakt është e arsyeshme. 

PROCESI I VAKSINIMIT DHE POLITIKA

Unë mendoj që fushata e vaksinimit në këto tre muajt e parë të vitit është fort e pamjaftueshme në raport me nevojat. Kur mendon pastaj për numrin e vogël të banorëve që ka vendi ynë kjo ngadalësi bëhet mjaft revoltuese. Një tjetër këndvështrim shqetësues është edhe ai i një fushate vaksinimi thuajse inegzistente në Kosovë. Në të vërtetë unë mendoj se veçanërisht në pikën ku kemi mbërritur, ne nuk e kemi luksin e të injoruarit të asnjë vaksine që jep shpresa për funksionim. Natyrisht do më pëlqente që të kishim mundësinë e produkteve të certifikuara nga FDA apo EMA por deri tani, në tre muaj akoma nuk është arritur të mbyllet vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërkohë që do duhej të ishim duke menduar për mbulimin e forcës së punës, të studentëve etj etj. Mendoj se me një hetim të mirë të të dhënave dhe të eksperiencës së vendeve që deri tani i kanë aplikuar, duhet të jemi të hapur për çdo vaksinë efektive. Nuk dua të mendoj që procesi i vaksinimit po politizohet. Do ishte fort neveritëse. Besoj gjithsesi se së shpejti secili prej nesh do e kuptojë nëse ishte kështu apo jo.

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr. Avni Dibra, Sokol Paja

DIELLI ME “SHQIPONJAT E MENDAFSHTA” NË NJË TAKIM ME VEPRIMTARË TË SHQUAR NË BARI DHE PUGLIA TË ITALISË

March 22, 2021 by dgreca

Aurela Hasku presidente e shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta” në Bari të Italisë në një bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja, rrëfen për Diellin e Vatrës në New York, takimin me gra shqiptare të suksesshme në rajonin e Barit dhe Pulias si dhe aktivitetin e zhvilluar nga autoritet italianë në Bari të Italisë në përkujtim të 30 vjetorit të eksodit shqiptar drejtë Italisë. 

ZONJAT NË INTEGRIMIN E SHQIPTARËVE NE ITALI

Shoqata “Shqiponjat e mëndafshta” – “Le Aquile di Seta” organizoi një takim online me gra dhe vajza shqiptare me vëndbanim në Bari dhe Puglia të Italisë. Organizueset e takimit kishin si qëllim bashkimin e anëtarëve të Diasporës shqiptare si një mundësi për fuqizimin e mëtejshëm të femrës shqiptare dhe komunitetit shqiptar në Itali dhe kudo në botë. Shoqata “Shqiponjat e mëndafshta” ka në qëndër të aktivitetit të vet forcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe përkujtimi i këtyre dy datave ishte nje fill i artë për prezantimin e figurave femërore që kanë kontribuar për integrimin e shqiptarëve ne Itali.

VËSHTIRËSITË E HASURA PËR INTEGRIM NË NJË TOKË TË HUAJ

Covid 19 ka përkeqësuar situatën në mbarë botën dhe gratë janë shtresa që ka vuajtur dhe po vuan në mënyrë të ndjeshme, prandaj shoqatat dhe istitucionet duhet të marrin përsipër të krijojnë sa më shumë momente të tilla për një dialog të vazhdueshëm e kostruktiv. Tema kryesore e bashkebisedimit ishte roli i gruas në nje shoqëri paralele italo- shqiptare. Pjesëmarrëset sollën eksperiencat e tyre personale si dhe vështirësitë e hasura për integrim në një tokë të huaj. Shoqata “Shqiponjat e mëndafshta” kishte ftuar 6 gra që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën sociale, ekonomike e politike të Diasporës ne këto vitet e fundit. Ishte prezente Znj. Klodiana Çuka, Presidente e Integra Onlus, një nga shoqatat më aktive si në Itali dhe në Shqipëri. Znj. Cuka foli midis të tjerave dhe për një nga iniciativat e fundit që kanë ndërmarrë si shoqatë për të shpëtuar shkollën “Cor Jesu” në Shkodër, duke ftuar këdo që dëshiron të kontribuojë, të vizitojë faqen website të shoqatës për t’u njohur më nga afër me këto programe. Presidentja e Integra Onlus foli gjatë për rolin e shoqatave dhe të grave në një integrim sa më cilësor dhe gjithë përfshirës.

PIANISTJA AKSINJA XHOJA, ART DHE LOBBYING NË INTERES TË SHQIPËRISË

Ndërhyri gjithashtu dhe argëtoi të gjithë ata që për 2 orë rresht ndoqën me interes aktivitetin, artistja me famë botërore Aksinja Xhoja, pianiste dhe producer që gjatë periudhës së lockdown nuk ka ndalur aktivitetin e saj kulturor dhe lobbying në interes të Shqipërisë. Bija e artistit te madh Nikolin Xhoja, e ardhur në jug të Italisë prej gati 30 vitesh tashmë. Jeton afër Brindizit dhe tashmë është shumë e njohur nga publiku italian. Një tjetër artiste kënaqi shikuesit me artin e saj, violinistja Anila Bodini, që gjatë karrierës së vet ka bashkëpunuar me artistë me origjinë nga e gjithë bota, duke u ndalur pikërisht në forcën e artit për integrim e bashkim. Anila është me origjinë nga Elbasani, mbesa e Mustafa Bodini ( autori i këngëve të famshme popullore, si “Lule t’bukra ka Tirona”). 

DY MJEKE SHQIPTARE TË SUKSESSHME NË BARI TË ITALISË

Ndoqën ndërhyrjet e Zonjave dhe ishin protagoniste edhe doktoreshat Arianita Nebi dhe Ina Ali, të dyja mjeke në Bari, të cilat folën për situatën pandemike, për sakrificat e personelit mjekësor dhe për punën e palodhur në repart dhe në familje për t’u qëndruar pranë fëmijëve të tyre. U fol për vështirësitë që has një grua me profesion mjeke që ndërkohë duhet edhe të perkujdeset edhe për familjen. Nuk mungonte në këtë takim edhe Valentina Ndou, e cila është pedagoge në Universitetin e Salentos dhe gjithashtu është edhe aktive në kërkime shkencore të teknologjisë së fundit. Valentina Ndou është nga Shkodra me origjinë dhe prej vitesh është trasferuar familjarisht në Leçe, ku edhe ka përjetuar edhe eksperiencën politike duke qënë një nga të paktat gra shqiptare të zgjedhura në grupin bashkiak të Leces. Së fundmi, bashkëbisedimi dhe historia e Suor Roza Biba prekën zemrat dhe shpirtrat e të gjithë pjesëmarrësve të cilët patën rastin të njihen me punën e palodhur të Motrave dhe Kishës në mbështetjen e shtresave e personave më delikate. Një dëshmi me shumë vlerë ishte ajo e mediatores kulturore, Znj. Anila Cili, që me punën dhe rolin e saj ka mbështetur anëtarët e Diasporës në rrugën e gjatë e të veshtirë për t’u bërë faktor dominues në zhvillimin e Italisë.

GRAVTË DHE VAJZAT SHQIPTARE SHEMBULL PËR BREZAT E RINJ

Synimi kryesor i këtij takimi, i moderuar nga 2 prej anëtareve të “Shqiponjave të mëndafshta”, Aurela Hasku dhe Fabiola Ismaili, ishte shkëmbimi i eksperiencave të grave dhe vajzave që kanë hapur dhe kanë lehtësuar rrugën për brezat e rinj. Gjithashtu, në përfundim të të gjitha diskutimeve dhe dialogut të përbashkët, doli në pah rëndësia e aktiviteteve të tilla në të ardhmen në mënyrë që të mbushet boshllëku i krijuar nga situata aktuale. Sepse qëllimi i shoqates është që ajo të shërbejë si urë lidhëse për të bashkuar komunitetin këtu në rajon por edhe për të shërbyer si pikë referimi për lidhjet me Shqipërinë dhe Diasporen Shqiptare anembanë globit. Është vullneti i këtij gupi organizues që duan të tregojnë historinë e gruas shqiptare ndër vite dhe të vënë në pah vështirësitë e hasura dhe të përballuara gjithmonë me kurajo dhe dinjitet.

PËRKUJTIM NË 30-VJETORIN E EKSODID SHQIPTAR DREJTË ITALISË 

“Shqiponjave të mëndafshta” mori pjesë në përkujtimin e eksodit të 30 viteve më parë drejtë Italisë. Tre dekada më parë në bordin e anijeve të vjetra tregtare, por dhe të çdo lloji tjetër mjeti lundrues, me mijëra shqiptarë ia mbathnin nga Shqipëria e zhytur në një krizë të thellë ekonomike ku e kishte lënë regjimi 50-vjeçar i diktaturës komuniste. Në natën e 6 marsit 1991, anijet shqiptare “Tirana” e “Iliria” me rreth 6500 emigrantë mbërritën në tokën italiane e bllokohen nga kapiteneria e portit me urdhër të prefektit të Brindizit Antonio Barrel. Pas tyre mbërrin anija “Apollonia” e gjatë gjithë natës deri në mëngjesin e 7 marsit mijëra shqiptarë të tjerë të nisur nga porti i Vlorës e Durrësit, mbërritën në portin e Brindisit. Në orën 10.00 të mëngjesit të 7 marsit urdhërohet zbritja e tyre në tokë. Mediat lokale të kohës informojnë mbi një situatë dramatike, higjenike e humane. Mijëra shqiptarë të uritur e të pa veshur, mes të cilëve mjaft gra e fëmijë, kishin mbushur hapësirën e betonuar në portin e Brindisit. Mijëra të tjerë kishin mundur t’i shpëtonin mbikëqyrjes së forcave të rendit duke populluar rrugët e qytetit. Autoritetet lokale në Brindisi deklaruan pamjaftueshmërinë e forcave e mjeteve për të përballuar këtë eksod, duke kërkuar ndihmën e qeverisë, ndërhyrjen e ushtrisë e të mbrojtjes civile. Kryetari i Bashkisë së Brindizit Giuseppe Marchionna regjistron në mediat lokale radio e TV mesazhin:  “Shqiptarët e mbërritur në Brindisi kanë vetëm uri e ftohtë. Ndihmojini”. Brenda pak orësh kudo në qytet u ngritën pikat e ndihmës ndaj shqiptarëve ku grumbulloheshin ushqime e veshje. Rreth 36 shkolla në provincën e Brindisit u vunë në shërbim të strehimit të emigrantëve shqiptarë që i kishin kaluar këto netë në qiell të hapur, mbi bordurat e portit apo më fatlumët në vagonët e vjetër të trenave. Me urdhër të kryetarit të Bashkisë mensat e punonjësve kudo në qytet gatuan çdo ditë rreth 2000 racione më shumë në ndihmë të emigrantëve. Solidariteti i qytetarëve të Brindisit ndaj shqiptarëve qe i jashtëzakonshëm. Brenda dy ditësh numri i shqiptarëve përllogaritej rreth 25 mijë e vetëm pas tre javësh nisi shpërndarja e transportimi i tyre nga rajoni i Pulias në rajone e provinca të tjera italiane.  

Filed Under: Featured Tagged With: Aurela Hasku, Shqiponjat e Mendafshta, Sokol Paja

MUHARREM XHYDOLLARI (HUDENISHTI) KUJTIMET E SPAÇIT, BURGOSJA, INTERNIMI DHE LIRIA…

March 19, 2021 by dgreca

Këndi i kujtesës në DIELL/

Muharrem Xhydollari (Hudenishti) i persekutuar, i përndjekur dhe i burgosur prej komunistëve me 9 vite në burgun e Spaçit, me 5 familjarë të pushkatuar prej komunistëve dhe i dënuar me 5 vite internim pas lirimit nga burgu, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, persekutimin personal dhe familjar, histori rrënqethëse të burgut të Spaçit, njohja me klerikët dhe elitën intelektuale të kombit si Imzot Zef Simoni, Imzot Ernest Troshani, Don Mark Hasi, At Zef Pllumi, Visar Zhiti, Evgjen Merlika, Dine Dine, Lek Mirakaj e të tjerë. Me Muharrem Xhydollarin (Hudenishti) bashkëbisedoi gazetari i Diellit Sokol Paja. 

SI U PERSEKUTUA PREJ KOMUNISTËVE MUHARREM XHYDOLLARI

Ndaluan pranë meje. Ju jeni Muharrem Xhydollari? Po, -u përgjigja. Do të vish me neve, -foli njëri prej tyre, jemi dega e brendshme. Nuk fola, u ula në sediljen prapa të xhipit, në mesin e dy civilëve dhe pa folur fare ndaloi në hyrje të fshatit tim. Ai që rrinte në vendin e parë të makinës, hapi xhamin dhe pyeti një person që u ngjante shoqëruesëve të mi. He, filluan, -tha ai. Mori përgjigjen po. (bëheshe fjalë për kontrollin e banesës time). Atëhërë dy anësorët e mi, nxorrën prangat dhe më thanë me zë shumë të butë: -Je i arrestuar, dhe mi lidhën duart para. Më zgjidhën kur më futën në dhomën e izolimit. Më morën pas dy javesh në pyetje. Kjo vonesë shpjegohej se mbas arrestimit mblidhnin denoncimet. Hetusi më dha të lexoj urdhërin e arrestit. E lexova, ishte urdhëri i prokurorit të përgjithshëm. -Kaq për sot, -tha hetuesi. Ai bëri prezencën e tij: -Jam Ferit Sula, tha, dhe më dorëzoi tek përgjegjësi i burgut. 

HETUESIA NË DY FAZA

Hetuesinë do ta ndaja në dy faza. Emri i xhelatit tim që e lart shkrova, vetëm njeri nuk mund të ishte. Por për fatin tim ai nuk qëndroi shumë në Pogradec, dhe shkoi me ngritje në Tiranë( thonë se sot është resident në Gjermani.) Atë e zëvendësoi Hektor Shehu (tepelenas), mësues kishte qenë profesioni i tij. Ai me pak specializime kishte përfituar profesionin më të ndyrë në botë, atë të xhelatit. Por ai nuk u tregua i tillë, nuk preferoi keqtrajtim përveç prangave dhe birucës. -Ti nuk mund të dalësh i pafajshëm, më tha, sepse rrethanat tuaja familjare nuk të favorizojnë aspak. Je ky që je prandaj je i fajshëm. Ti, vazhdoi ai, të kap ligji i parandalimeve të krimeve në fuqi, që shpjegohet me nenin e agjetacionit e propagandës. Ai fare shkurt mbylli dosjen dhe e çoi për gjykim. 

IZOLIMI NË BIRUCAT E HËTUESISË

Në dhomën e izolimit, u riktheva mendimit për të parë historinë time dhe arsyeve pse unë isha paracaktuar për tu dënuar. Unë u linda dhe u rrita në një familje që kanë nxjerrë njerëz me ndikim politik, në interes të fateve të atdheut që nga Rilindja, Pavarësia, Lufta e Parë Botërore, Formimi i Shtetit Shqiptar dhe Lufta Nazifashiste. Urrejtja anti- sllavo-komuniste që familja ime kishte, bëri që të pësoj shkallën më të lartë të persekutimit. Si i tillë, isha paracaktuar për tu dënuar. Ishte një periudhë që individë të cilët ishin në shënjestër të organeve të sigurimit, i thërrisnin në tubime masive në kooperativë bujqësore, ndërmarje shtetërore, ferma, fshatra etj. Dhe ju bëheshin kritika politike diskriminuese. Kjo për terror në popull. Por dhe gjyqet eksperimentale këtë qëllim kishin. Unë do gjykohesha në fshatin tim. Salla e gjykimit mbeti me shumë pak fshatarë. Morën maturantët e gjimnazit dhe i futën në sallë. Ata sapo më panë mua të prangosur dhe të shoqëruar me policë, ikën dhe nuk qëndruan në gjykimin tim. Vetëm dy tre persona të autorizuar u ngritën dhe folën kundër meje vetëm se unë isha biri i një familjeje që nuk ishte pajtuar me Politikën komuniste dhe si i tillë duhet të dënohesha. Disa kuadro të fshatit folën mbase dhe për të mbrojtur veten se nuk dinin gjë që unë kisha bërë agjitacion e propagandë. Se unë kisha folur pro B. Ballukut, dhe P. Dumes, me të cilët neve i kishim ndarë punët që nga 1944. Pse unë kisha folur se fusha e Kosovës ishte e madhe dhe shumë pjellore! -Ky qen bir qeni, tha dëshmtari, pse nuk thoshtë për fushën e Myzeqesë dhe atë të Korçës që janë hambarët e Shqipërisë por fliste për Fushën e Kosovës që janë revizionista. Ja kjo ishte llogjika që më quajtën mua fajtor dhe më dënuan me 10 vjet heqje lirie. Dhe fragementet e tjera që plotesonin dënimin maksimal për agjitacion dhe propagandë. Por ka dhe diçka që të çudit, sa mbaroi gjykimi, hetuesi erdhi në dhomën e izolimit dhe më tha: -E more vesh sa u dënove ? -Po, i thashë, 10 vjet. -Më pak do të dënoheshe, tha ai, por fshati të rëndoi më shumë. -Po fshatarët nuk folën keq për mua, i thashë. -Po pikërisht se nuk folën keq, pa more maksimumin, se po të flisnin keq ata do të kishte dënim më të ulët. Kjo do të thoshte se sa më shumë të të donte populli aq më shumë të dënonte partia-shtet. 

ME DON MARK HASIN DHE DJALIN E PETRO MARKOS

Ditën që shkova në Kaush-Burg, në  Tiranë po atë ditë erdhi dhe Jamarbër Marko (Mado), djali i shkrimtarit Petro Marko, i dënuar. Me atë kaluam së bashku një kohë jo shumë të gjatë e formuam shoqëri. Kaushi ishte plot me të burgosur. Kishte dhe të ardhur nga Kamp-Burgu i Ballshit. Don Mark Hasi, orator i madh i kishave katolike në Shqipëri dhe i tillë ishte. Zëri i tij kumbues tingëllonte, si kambanat e hershme të kishave, ai të tërhiqte dhe të bënte për vete. Na jepte këshilla dhe leksione të shkurtra plot moral. Për shkak të moshës së tij, unë dhe Madua, futeshim në garë se kush mund ti shërbente më shumë atij. Ai shkoi të vazhdonte vuajtjen e dënimet në Ballsh. I dhashë një palë çorape leshi t’ja jepte babait tim atje që vazhdonte të vuante 23 vit pa ndërprerje. 

BURGU I SPAÇIT NJË FANTAZMË E LLAHTARSHME

Tashmë vendi ku do të vazhdojë dënimi, aplikoheshe dhe puna e detyruar. Ishte miniera e Kamp-Burgut të Spaçit Mirditë. Porsa zbrita nga autoburgu, pashë një vend fantazmë, që as fantazitë hollivudiane nuk mund të improvizonin një skenë të ngjashme llahtare për filmat e tyre. Vend monster, ku parashikohej dhe mos dalja gjallë prej aty! Kjo sepse, emrat e të sapo arrestuarve politikë vijëzoheshin me vijë të kuqe në rregjistrat e gjendjes civile. Demogagjia komuniste e quante Spaçin kamp rehabilitimi. Mjetet e rehabilitimit ishin: uria, puna rraskapitëse, biruca dhe izolimi, përmes të cilave të dënuarit duhej të arrinin e ta çmonin diktaturën. Vetëkuptohet: jo vetëm të të rrah por dhe të mos qash. Por edhe ta duash. Kampi gjendej i futur mes grykës së Spaçit në faqen lindore të një shpati të ngushtë në fundin e të cilit gjarpëronte një përrua acid me ngjyrë okër në të jeshiltë, që do ti përshtatej ferrit. Në ato godina, nuk të besohej se banonin 1200 vetë. Në çdo 8 orë që quheshin turne, vargu i të dënuarve ishte i pa mbarimtë. Ku vinin gjithë ata njerëz të shpërfytyruar? Dilnin nga ky kafaz telash hermetik, e merrnin rrugën në një malore shumë të thyer për tu futur në galeritë e zeza të piritit dhe bakërit. Përshkrime për këtë vend vuajtje kanë bërë dhe shumë pena të tjera, dhe nuk dua të zgjatëm. 

KOMUNISTËT BËNIN TERRORIZËM, KUSH VRISTE SHPËRBLEHEJ ME LEJE

Mbamendja ime, nuk shkëputet nga tre-katër episode fare të veçanta për mua, mbasi kam asistuar vetë. Mbeten të paharruara. Ekzekutimi me armë zjarri i Miho Shëngjergjit, nga rrënjët e rrethimit, ishte i pabesueshëm. Miho ishte i moshuar dhe nuk mund të kalonte telat me shumë rrethime. Ata e vranë në kamp brenda rrethimit. Por një shqetësim të tillë të dënuarit e Spaçit e hoqën pak javë përpara. Kur rojet e rrethimit, kishin qëlluar të dënuarin Alem Luzi nga Kanina e Vlorës. Alemin, hetuesia e kishte çuar në atë fazë sa ai nuk mund ti rezistonte qëndrimit në këtë kafaz. Rexhep Goci nga Tropoja duhet të kryente dhe 11 ditë burg, për këtë nuk e kishte kapur amnistia e viti 1982. Ai u caktua të punonte në zonën e dytë. Rojet e rrethimit, e qëlluan me breshëri automatiku, jo në zonën e ndaluar. Roja që qëlloi u shpërblye nga komanda me leje për të shkuar pranë familjes, por mësuam me vonë nga Librazhdasit se mbas vitit 1990, ai drejtoi një seksion të partisë demokratike. Në javën e parë të qershorit na ranë të punonim turnin e tretë, grupi i Frederik Tarrellit me Luc Vukën e Arben Dilën, punonin në një front që rrezikohej jeta e tyre nga koha në kohë. Dhe ashtu ndodhi. Mali u shemb, Frederiku shpëtoi me pak lëndime, Arben Dila përfundoi në spital nga ku doli i shëruar. Ndërsa Luca, i dashuri dhe i dhimbsuri ynë, mbeti aty nën mal, ku eshtrat e tij do të vijë një ditë, të dalin si filiz i një përmendoreje e cila do tu bashkohet përmendoreve të shokëve tanë që ju mor jeta nga diktatura komuniste. Në kamp burgun shfarosës Spaç-Mirditë, Luc Vuka, ky djalosh i Malësisë së Madhe, luftoi deri ditën e fundit. Me armën e tij që ja kishte falur zoti (sarkazmën) me anën e të cilës për çdo ditë vrau, therri, rropi e poshtëroi diktatorët e sistemit më të urryer në botë ato komunist e enverist. Për këtë Luca rrjeshtohet i njëllojtë me atë që prodhuan letërsinë, brenda këtij ferri dhe jashtë tij. 

RIARRESTIMET E RIDENIMET E TË BURGOSURVE

Të paharruara mbeten dhe riarrestimet e ridenimet që individë fatzinj nuk do ti jepnin atë që quhej liri. Se simbas jeshileve (ngjyra rrobave të sigurimit të shtetit), përbënin rrezikshmëri shoqërore. Duke mos përshkruar hollësi në kujtimet e mia, i rikthehem porsaardhjes në këtë kamp shfarosës. Porsa zbrita nga autoburgu veç çfarë përshkrova më lart, pashë një dendësi të madhe të asaj popullsie që i ishte hequr liria. Njerëz të shpërfytyruar, fytyrat e tyre jo vitaminoze të jepnin përshtypjen se ishin jashtokësorë, si tablo të shpirtra të vdekur të Nikolla Gogolit. Ditët kalonin në ankth për tu ambjentuar në atë vend dhe me ata njerëz që unë kisha bashkuar fatet, jetën. Njerëz me mosha të ndryshme, me kultura të ndryshme por edhe të shtresave të ndryshme, që më vonë pashë dhe mësova që një pjesë e tyre, jetonin me shpresë dhe pjesa tjetër me besim. Në këtë kamp, ditët kalonin dhe jeta harxhohej, kujtesa e kësaj jete që harxhohej do të luftonte kundër harresës që i  duhej sistemit dhe pushtetit katil. Që përjetësohej kjo kujtesë, duheshin luftëtarë inteligjentë, trima e të besuar ndaj njëri-tjetrit, gjë që në këtë dendësi popullate nuk mungonin. Ndjeshmëria e atyre mendjendriturve, çdo eveniment që ndodhte me fshehtësi të madhe e hidhnin në letra duke shkruar në gjini të ndryshme, në poezi, prozë e të tjera. 

PERSONALITETE TË BOTËS SHQIPTARE NË BURGUN E SPAÇIT

E për të mos mbetur pa autorsi, ata gjenin (lulja-lulen), konsultoheshin dhe shkëmbenin shkrimet e njëri tjetrit, pra kështu formoheshin rrethe letrare që do të përjetonin ditët e vitet e zeza në këtë vend të zi. Kështu në një grupim djema pasionantë ishin Zydi Morava, Ylber Madani, Ferit Tahe, Shefqet Dobra, Ali Laze, Maks Rakipi, Hasan Bajo, Eqerem Muja, Gezim Medolli, Pellumb Lame, Xhemal Mustafarai, Vilson Zeko, Fatmir Lame. Por dhe në nivelin e profesionit, jo të pasionit ishin Visar Zhiti, At Zef Pellumbi, Evgjen Merlika, Dine Dine, Lek Miraka, të cilët jo vetëm që nuk harruan ato që shkruan në Spaç Burg por shkrimet e tyre projekti i të cilave ishin që nga ajo kohë e izolimit, qëndruan në një shkallë të lartë të dissidences kombëtare shqiptare. Shkrimet e autorëve të lartshkruar në Kamp-Burgun e Spaçit janë një ndërthurje e letersisë, dhe ngjarjeve reale. Kjo letersi e shkruar në kafazin hermetik me gjemba do të duhej që të kthehet në vizionin pamor nëpërmjet shiritave filmike, ku rolet kryesore ti realizojnë artistë, karakteret e të cilëve u shkojnë shkrimeve të autorëve që në librat e tyre kanë hedhur të vërtetat e asaj jete të hidhur që ende nuk ka kaluar. Për mua veç dënimit me 10 vjet heqje lirie, vështirësi të veçante më shkaktonin dhe vuajtjet e nënës, vëllezërve dhe motrës, të cilëve ju shumëfishua një luftë klase e tmerrshme, ballas jo vetem nga organet e sigurimit të shtetit por dhe me popullatën e fshatit, rrethit e me gjëre. Atyre ju ngarkuan një internim të gjatë me vite, dhe i levizen disa herë nga vendi i internimit derisa i degdisen në një mal mes Beratit, Permetit dhe Tepelenës. Ky ishte një fshat që si i thonë fjalës hante pula gure. Jetonin mes masash të rrepta sigurie. Asnjëhere nuk i lejuan që mua të më vinin në burg për takim. 

NGA AT ZEF PLLUMI, TE DON SEF SIMONI DHE KARDINAL TRASHANI

Pikësynimi kryesor i diktaturës ishte të luftonin klerikët katolikë dhe institucionet ku ata shërbenin deri në zhdukje të plotë. Vitet 1975-85, ishin të pak vona por në burgun e Spaçit vuanin dënimin disa nga këto personalitete. Ata edhe pse i përkisnin moshës së tretë, vazhdonin të qëndronin brenda shpirtit njerëzor. Të përndershmit: Ernest Trashani, Kolec Andoni, Zef Kol Hardhia (Simoni), Zef Ashta, Pader Zef Pellumbi, Dom Ndoc Sahatçija. Ata qëndronin shumë afër me bashkëvuajtësit e tyre, ishin të moralshëm dhe jepnin moral. Nuk përziheshin me biseda që komentohej politika. Përveç Zef Pellumbit, që ishte dhe më i freskët  në mendje se kolegët e tij. Ai kontaktonte me bashkëvuajtësit, i studionte ata dhe regjistronte në memorien e tij, ato material që do ti duheshin për shkrimet brilante që më vonë do ti realizonte. Padër Zef Pellumbi  edhe kur u lirua nga burgu nuk i humbi kontaktet me bashkëvuajtësit. Ai për humanzimin që kishte u lidh me disa shoqata humanitare që vepronin rreth Vatikanit dhe ju garantoi shokëve të burgut një shumë financiare modeste. Kjo ndihmë vazhdoi për disa muaj rresht dhe ishte në kohën më të përshtatshme, për të sapoliruarit nga burgjet komuniste. E shkuara mbetet një kujtesë krimesh që janë zhdukur vlera kombëtare. I ka kushtuar shumë zhvillimit të vendit tonë. Mund të them për sketerrën që e kaluam, nuk shkitet nga mendja dhe ëndrrat na shfaqen po për atë kohë. Por sot është për tu theksuar vetëm “e drejta” që mbajti të njëjtën linjë edhe në post-diktaturë. Duhet që komunizmi të lexojë vetveten, sepse njeriu shqiptar dhe mbas komunizmit trashëgoi një moral të deformuar, atë të mercenarit të cilën vazhdon ta këtë dhe mbas ndryshimeve politike për këto 30 vjet. Por ne, nuk i takojmë atyre që shpresojnë por atyre që besojnë. Prandaj dhe shoqëria civile mbetet e paralizuar. Për më të mirën, besojmë, besojmë, besojmë. 

FAMILJA PATRIOTIKE HUDENISHTI

Gjyshi im Muharrem Hudenishti, ishte oficer i Mbretërisë Shqiptare, luftëtar i lirisi i lidhur me rilindasit që nga viti 1905. Ai është ekzekutuar me 23 nëntor 1939 nga fashizmi italian. Babai im Besim Hudenishti, ekonomist i lartë mbaruar në Austri në 1934. I burgusor politik nga sllavo-komunistët. Kreu 29 vjet e gjysëm heqje lirie, mbas tre muajsh që u lirua vdiq në internim në vitin 1982. Babai im Besimi u dënua nga fashistët në 1941 me 16 vjet burg, një pjesë të dënimit e vuajti në Cambo Baso në Itali. Xhaxhai im Nuri Hudenishti, kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali në vitin 1937. U internua në Ulqin nga fashizmi një prej 37 vetëve të internuara për dy vjet e gjysëm. Formoi grupimin politik të legalitetit. Si drejtues i këtij grupimi për juglindjen e Shqipërisë, bashkëpunoi me Abaz Kupin dhe shumë veriorë zogistë. Aktivitetin e Nuriut kundër nazi-fashizmit, e vërtetojnë këshilltarët anglezë, që kanë vepruar në Shqipëri, Bill Maklean e David Smajli në librat e tyre. U pushkatua nga komunistët në 10 korrik të vitit 1946. 

Filed Under: Featured Tagged With: Muharrem Hudenishti, Sokol Paja

SHKOLLA »FAIK KONICA »- GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË BELGJIKË

March 17, 2021 by dgreca

Arian Bajraktari drejtues i shkollës “Faik Konica” në Namur, Belgjikë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Belgjikë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Arian Bajraktarin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA. 

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË SHKOLLËN “FAIK KONICA” BELGJIKË

Së pari dua t’ju falenderoj për mundësinë që më dhatë të prezantohem dhe të shprehem për aktivitetet tona përpara lexuesit të Gazetës Dielli në New York, e nëpërmjet saj dhe bashkëatdhetarëve tanë në USA, të cilët i admiroj dhe i dua për atdhedashurinë, patriotizmin e  potencialin që manifestojnë. Shkolla plotësuese shqipe ‟ Faik Konica ” është relativisht e  re. Ajo sivjet feston 5 vjetorin e krijimit të saj. E strukturuar në Shoqatën ’’Nënë Tereza’’  Namur, Belgjikë, me President z. Adnan Rexhepi, ajo ushtron mësimdhënien e gjuhës shqipe,  historisë, nocioneve të përgjithshme gjeografike si dhe artin e folklorin mbarë shqiptar.  Mësimi zhvillohet në ambientet e shkollës shtetërore çdo të shtunë, me kohëzgjatje prej 4  orësh. Ajo sot siguron mësimdhënien nga mësues të diplomuar në mësuesi, sipas lëndëve përkatëse. Përmban tri nivele, në tre klasa të ndryshme, ku nxënësit i nënshtrohen sistemit të notës mbi bazën e njohurive të përfituara. Pa përjashtim të gjithë janë të amzuar në librin e Amzës, dhe të rregjistruar periodikisht sipas frekuentimit, dhe të gjithë çertifikohen sipas aftësisë në mënyrën më korrekte të mundshme. 

BELGËT DUAN TË MËSOJNË SHQIP

Risia që ka shkolla jonë është se që nga viti i kaluar, është pionere në Belgjikë dhe ka të hapur edhe një kurs intensiv për të rriturit mbi 16 vjeç, ku 40% e tyre janë studentë Belg të origjinës. Pra mësimi i gjuhës shqipe ka hapur një interes të lartë dhe kur është për tu mësuar edhe nga jo shqiptarët, të cilët shquhen për evoluimin e tyre të shpejtë. Sot në vitin e dytë të mësimit, edhe pse në kushte jo komode të organizimit nga kriza sanitare Covid, arrijnë të shkruajnë e flasin mjaft mirë gjuhën tonë të dashur. Mësimi aktual i gjuhës shqipe në shkollën tonë, mund të themi me plot gojën, se është e vendosur mbi baza pedagogjike dhe profesionale. Më lejoni ju lutem që me këtë rast të falenderoj gjithë stafin e shkollës sonë, të palodhurit, të motivuarit Aida Kadare, Anila Celami, Gentiana Aziri, Muhamet Bektashi, Elsa Haskurti,  sekretaren Syndyze Saraishta, Adnan Rexhepi, dhe unë Arian Bajraktari, ndjehem i  previligjuar që drejtoj mbarëvajtjen e shkollës shqipe ‟Faik Konica ”.


QYTETET KU MËSOHET SHQIP, ORGANIZIMI DHE KURRIKULA MËSIMORE

Shkollës së parë shqipe, ja gjejmë gjurmët në qytetin Andenne në vitin 56, me arritjen e parë të kolonive masive shqiptare, larguar nga diktatura komuniste në Shqipëri, por nuk e përjashtoj faktin se ka ekzistuar spontanisht edhe më parë diku tjetër. Sot ato janë në disa qytete si Brukseli, Namuri, Genti, Anverpen, Ostende, Liege, Huy, Tongeren etj. Shumë nga ato shkolla shqipe funksionojnë mirë, por mendoj se duhet ende shumë punë për tu strukturuar dhe konsoliduar. Një shembull i mirë i funksionimit të shkollës shqipe është ajo e ‟Vatra” Bruksel, ku kontributi i z. Gjana, Dizdari, znj.Shkodra vlen për tu përshëndetur shumë. Shkolla jonë “Faik Konica” që prej krijimit të saj, funksionon me kurrikulë të njëhsuar me atë në Shqipëri dhe Kosovë, sigurisht e përshtatur me prioritetet tona dhe orët në dispozicion. Në një vizitë që vitin e kaluar Ministri i Diasporës z. Majko me një grup deputetësh e personalitetesh nga Shqipëria, i bëri shkollës sonë, përfituam nga rasti ti përcillnim sugjerimet tona për të arritur një marrëveshje me qeverinë Belge, për implementimin në të gjitha shkollat ku ka frekuentim me nxënës të origjinës shqiptare edhe gjuhën shqipe si gjuhë të dytë për gjithë ato që e dëshirojnë. Ekzistojnë marrëveshje për komunitetet turke, marokene, e spanjolle etj, përse jo me atë shqiptare. Mbase ky projekt kërkon shumë energji dhe këmbëngulje për tu realizuar, sepse nuk patëm vijim të asaj që propozuam, por mendoj se të gjithë së bashku duhet të vendosim presion mbi qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri, që ta ketë si prioritet këtë marrëveshje jo vetëm për Belgjikën, por kudo ku ka nxënës shqiptarë në çdo shtet në botë. Mendoj se do ishte një shërbim mjaft i vlerësueshëm që do i bëhej mos asimilimit gjuhësor dhe ruajtjes së identitetit tonë kombëtar. 


MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI  FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË BELGJIKË

Absolutisht, mësimi i gjuhës shqipe është shtylla kurrizore e ruajtjes së identitetit kombëtar jo vetëm sot, por edhe në dekadat që do vijnë për brezat e ardhshëm. Është detyrë e gjithë intelektualëve në mërgim, mësuesve, shoqatave, gjithë patriotëve shqiptarë të sensibilizojnë opinionin shqiptar dhe prindërit, që ti ofrojnë fëmijët pranë shkollave shqipe, pranë dijes, pranë atdheut. Shoqata “NënëTereza’’ kontribuon dukshëm edhe me mbajtjen e Simpoziumeve, Konferencave Shkencore dhe Historike, aktiviteteve kulturore, për të mbajtur e ruajtur trashëgiminë tonë kulturore, historike dhe ndërgjegjësuar të rinjtë tanë të lindur në mërgim se kush janë dhe nga vijnë. Mund të përmendim këtu Simpoziumin “Skenderbeu”:  Hero kombëtar, një mit Europian’’, mbajtur në Tetor 2018 , që për nga risia e disa dokumenteve të prezantuara për herë të parë në event, hulumtuar në arkivat e Vatikanit nga historiani që i mbijetoi ferrit komunist z. Lek Përvizi, me të drejtë u quajt shkencor. Kjo pati jehonë të madhe në opinionin shqiptar dhe të huaj edhe për faktin se kishte prezencë të madhe të Deputetëve europian, personaliteteve të larta Belge, historianë dhe hulumtues të ndryshëm. Në vitin 2019, u mbajt Konferenca ’’Nënë Tereza mes nesh’’, ku i treguam opinionit mbarë mbi Humanisten më të madhe, Shenjten tonë Anjezë Gonxhe Bojaxhi. Pra një komb i vogël që nxjerr dy figura diametralisht të kundërt por me famë botërore. Gjergj Kastriotin, luftëtar, kalorës i mbrojtës së vlerave të qytetërimit kontinental, dhe Nënë Terezën, simbol të paqes dhe humanizmit mbarë botëror. Albanologu Prof. Dok Ardian Marashi, Historiani Lek Përvizi, Humanistja Sandra Stillman, shkrimtari e hulumtuesi Prof. Dok Stefan Çapaliku, Pellazgologu Prof. Matieu Aref, Prof. Dok Nuri Bexheti, Historiani Safet Kryemadhi, kanë qenë konferencierët tanë që për nga profesionalizmi do i kishte zili Tirana dhe Prishtina, dhe që përmbushën më së miri pritshmërinë e kërkuar. Ndërsa viti 2021, është viti i Dardanisë. Me 28 Nëntor mbahet Konferenca  “Adem Jashari : Simbol i qëndresës, frymëzues i lirisë’’ në Teatrin e Namurit, para më shumë se 1000 bashkëatdhetarësh dhe jo vetëm. Duke parë konteksin aktual, prezent në mediokriotetin europian ku po kërkojnë padrejtësisht të kthejnë viktimat në agresorë e anasjelltas, mendojmë se i bëjmë një shërbim të denjë çështjes tonë kombëtare në sensibilizimin e mbarë opinionit ndërkombëtar, për një nga faqet më të lavdishme të UÇK dhe historisë moderne të shtetit të Kosovës. 


BELGJIKA, TOKA E MIKRPITJES

Belgjika quhet ndryshe “toka e mirëpritjes’’. Kjo ka inflencuar jo pak dyndjet e emigrantëve të shteteve të ndryshme nga e gjithë bota dhe sot kemi një shoqëri me prezencë multikulturore, multietnike (ndoshta modeli Amerikan në miniaturë), që përjashto disa incidente sporadike, jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Ndaj dhe mësimi i gjuhës shqipe, ka shfaqur si e thashë edhe më lart interes edhe te belgët vetë, prandaj në dijeninë time është mirëpritur kudo, në çdo sferë të shoqërisë. Fakti që ne japim mësim në ambientet e shkollës shtetërore, tregon më së miri hapjen, dispozicionin dhe mirëkuptimin e shtetit belg, ndaj kulturës sonë që quhet një vlerë e shtuar kulturore. Gjithsesi në qarqet intelektuale të shoqërisë belge dhe në ato shoqërore, quhet një vlerë kulturore e shtuar dhe po provokon dhe kërshërinë dhe interesin e shumë studiusëve të gjuhëve indoeuropiane, historianëve, të cilët kanë filluar ta çmojnë dhe ti japin vendin e saj, si një nga gjuhët më të vjetra dhe unike në botë. 


ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË BELGJIKË

Nuk kemi një statistikë të saktë se sa është numri i komunitetit shqiptar në Belgjikë, të njohur deri më sot. Supozohet afërsisht 100 mijë, të shpërdarë kryesisht në qytetet e mëdha. Mirëintegrimi i tyre në shoqërinë belge, iniciativa dhe zelli i lartë në punë, i ka kthyer në një faktor në shumë degë të ekonomisë belge, duke e rregulluar mjaft imazhin e rremë të krijuar në fundvitet 90. Sot kemi me qindra e qindra të rinj shqiptar që kanë mbaruar studime prestigjioze në Universitetet e Belgjikës, dhe kanë filluar të inkuadrohen në sferat e larta ekonomike dhe jetën politike belge, dhe shumë nga ato janë zgjedhur në forumet ku kanë aderuar. Mund të them me plot besim se pas disa vitesh, shumë nga të rinjtë tanë do kthehen në faktor kyç në ekonomi, shkencë e politikë. Sfida jonë dhe gjeneratave të ardhshme mbetet, se si gjithë kësaj energjie dhe potenciali intelektual, t’ja kthejmë vëmendjen tek rrënjët e tyre në shërbim dhe të kombit shqiptar.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Ne krenohemi me Diasporën tonë në USA. Ajo është shumë aktive dhe paraqet një mentalitet të ndryshëm me atë në Evropë. Mbi të gjitha është shumë më patriotike dhe i ka rezistuar më së miri asimilimit duke ruajtur vlerat tona më të mira. Funksionon shumë më e bashkuar, më patriotike dhe ka solidaritet më të fortë. Mbi të gjitha kur fatet e Kombit kanë qenë të kërcënuara ose në rrezik, ka qenë kjo elitë e Diasporës tonë në USA, që ka ndikuar fuqishëm dhe drejtëpërsëdrejti te politika amerikane duke e sensibilizuar problemin shqiptar. Aleanca e krijuar me USA, është rezultat direkt i lobimeve të shumta të Diasporës shqiptare atje. Interesante është se shumë të rinj e të reja tashmë të lindur dhe arsimuar atje, ruajnë më së miri vlerat tona kulturore dhe janë të implikuar në një farë mënyre edhe në vendin amë. Dëshirojmë ta ruajë statusin e promotorit për gjithë Diasporën shqiptare në mbarë botën. 

PATRIOTI ARIAN BAJRAKTARI, VEPRIMTARIA E TIJ NË DOBI TË KOMUNITETIT SHQIPTAR DHE VENDLINDJES SË TIJ

Quhem Arian Bajraktari vij nga një prej familjeve me emër patriotik në Malësinë e Madhe. Rrjedh nga trungu i Çun Mulës, Deli e Mul Bajraktarit, Bajraktarëve të Hotit, fakt ky që më ngarkon më së shumti me përgjegjësi mes bashkëmalësorëve të mi liridashës e kreshnikë. Familja jonë vuajti egërsinë e luftës së klasave në periudhën e diktaturës komuniste me burgje dhe internime politike, nga 1945 deri në vitin 1991. Me shumë peripeci që lidheshin me statusin e familjes, arrita të mbaroj shkollën e mesme dhe në vitin 1991 kur u lejua për herë të parë, fitova konkursin për pranim në shkollë të lartë. Jam diplomuar në fakultetin Gjuhë-Letërsi , fakultetin Juridik dhe nga 2006 kam marrë edhe liçensën si avokat, profesion të cilin nuk e ushtroj aktualisht. Përherë ngelem shumë i lidhur me Shqipërinë, dhe kemi arritur të vendosim ura bashkëpunimi mes Komunave në Belgjikë dhe atyre në Shqipëri me projekte konkrete. Një ndihmë serioze e gjitha falas, është konkluduar së bashku me z. Adnan Rexhepi, me dërgimin e mjeteve kundra zjarrit Bashkisë Malësi e Madhe, dy autopompa moderne zjarrëfikëse, ambulancë për spitalin e Koplikut dhe së shpejti një mjet zhbllokimi dhe ndihme të parë në rast aksidenti, duke e kthyer qendrën e MKZ, Malësi e Madhe, në më të mirën aktualisht në Shqipëri. Kemi ndërmjetësuar takime mes biznesit belg dhe pistave të mundëshme të investimeve në Shqipëri, me dëshirën e vetme, të krijojmë vende pune atje, të rikthejmë shpresën e vrarë, dhe të ndalojmë hemoragjinë njerëzore të boshatisjes së vendit. Projekte ambicioze janë në proces dhe presin finalizimin. Shpresojmë që burrokracia e administratës shqiptare dhe fragmentizmi i orientuar ekonomik të marrë fund, në mënyrë që ti hapet rrugë investimeve serioze e progresive. Ndihma të konsoliduara të ngjashme në mjete MKZ dhe hospilatore, janë dërguar në Prishtinë dhe Preshevë, duke ndikuar më së miri në sigurinë qytetare atje. E dua vendin tim dhe do i rri përherë biri i saj shëmbëllyes edhe pse në periudha të ndryshme, pinjoll të mbrapshtë të saj na shpifën, luftuan, plagosën, por kurrë s’na mundën. Rezistuam dhe besoj se patëm të drejtën e Zotit dhe si Hotjanë që jam, besoj edhe te Ora e çuet e saj. Faleminderit z. Sokol Paja për mundësinë që më dhatë para lexuesit në USA dhe më shumë, të prezantoj fragmente të jetës dhe punëve në favor të shqiptarisë kryer me dashuri dhe pasion për kombin tonë nga një segment i Diasporës shqiptare në Belgjikë ku unë aderoj.    

Filed Under: Featured Tagged With: belgjike, gjuha shqipe, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT