• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MBYLLUR PËR PUSHIME”, SI TA SHOHIM TË SHKUARËN ME SYTË E HUMBËSVE

May 7, 2021 by dgreca

Shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Stefan Çapaliku sjell para lexuesit romanin e tij më të ri “Mbyllur për pushime”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, shkrimtari Stefan Çapaliku tregon se romani i vendos ngjarjet gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga dita e kapitullimit të Italisë, shtator 1943 deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944. Romani që na fton ta shohim të shkuarën me sytë e humbësve. 

“MBYLLUR PËR PUSHIME”, FATET DHE DASHURITË E PALUMTURA

Romani “Mbyllur për pushime” i vendos ngjarjet gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga dita e kapitullimit të Italisë, shtator 1943 deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944. “Mbyllur për pushime” na merr përdore dhe na nxjerr nga bregu tjetër, prej nga kurrë se kemi parë historinë tonë. Ai është romani që na fton ta shohim të shkuarën me sytë e humbësve. “Mbyllur për pushime” është romani që merret me fatet e njerëzve, të shtrënguar të jetojnë ndër kontekste krejtësisht të gabuara. Romani merret me dashuritë e palumtura të disa njerëzve, të nisur për të ndërtuar të ardhme të lumtura.

TRE LINJAT KRYESORE TË NARRACIONIT TË ROMANIT 

Narracioni i romanit është ndërtuar në tre linja kryesore që vijnë dhe bëhen gërshet në mënyrë simetrike. Ngjarjet e këtij romani zhvillohen në 3 qytete kryesore, në Beograd, në Tiranë dhe në Shkodër. Linja e parë përfaqësohet nga Herman Janas, guvernatorit gjerman të Ballkanit me ndenje në Beograd dhe Milicës, studentes serbe të albanologjisë; linja e dytë përbëhet nga profesor Shiroka dhe gruaja e tij austriake, Margarita; dhe linja e tretë nga piktori Ibrahim Harapi dhe pamundësia e tij për t’u riintegruar në mjedisin shqiptar mbas kthimit aksidental nga studimet në Itali. 

QYTETE PA BULEVARD, BULEVARDE PA QYTET (Citime nga libri)

Kam parë shumë qytete pa bulevard, por kurrë nuk kisha parë bulevard pa qytet. Tirana e asaj kohe nuk qe as si Korça e as si Shkodra. Ajo ishte një lesheli entuziaste, që zgjohej si oksidentale në mëngjes e binte të flinte si orientale. Profesor Shiroka ishte një student i magjepsur. Atë natë ai nuk fjeti. Atë natë ai vuajti nga dyshimet e mëdha. Atë natë ai ishte një Verter i Gëtes. Nëse kishte një djalë të pashëm Tirana e fillimviteve ’40, një djalë me kokë Apolloni e trup prej Davidi, një artist të talentuar me një të ardhme të sigurtë, një mashkull, pas të cilit çmendeshin të gjitha femrat që i dilnin përpara, një top model të veshur me më të fundmet e modës që krijohej përtej detit, ky ishte Ibrahim Harapi.

FATE NJERËZISH QË JETOJNË NË KONTEKSTE TË GABUARA

Atë natë Milica fjeti vetëm. Ajo qe e mbushur plot e përplot me përshtypjet që i kishte lënë Filipi, një djalë që dilte kryekëput jashtë prej përshtypjeve të parafabrikuara në vendin e vet për arketipin e shqiptarit. Gjithë ai burrë i gjatë dhe i shëndoshë gjunjëzohej para një kartoni, mbi të cilin vendoste këmbën klientja. Sigurisht që ajo vendoste shputën e këmbës të veshur me një çorap të hollë, pas së cilit shiheshin qartë gishtërinjtë e deri forma e thonjve, ngandonjëherë. Ti flet sikur të jesh një njeri, që nuk i ka frikë qenjtë, ngaqë kurrë nuk ka hangër mish qeni. Por ajo për të cilën nuk rezistonin as ajo e as i shoqi, ishte rituali i të shkuarit për të bërë foto në studion e Gegë Marubit, këtij zotërie të ardhur nga Parisi. 

MILICA, VAJZA E NATËS PA HËNË

Mëngjesi i 31 janarit 1944 ishte një kohë perfekte për vetëvrasje. Qielli plumb. Gri. I ftohtë kërcënues. Erë e marrë dhe e rrezikshme. Xhamat e dritareve dridheshin. Pemët dukeshin të thara, kurse toka e oborrit e shkretë, si një petë e tharë byreku. Kjo donte të thoshte se po asistonin në duelin më të madh, më të fortë dhe më të famshëm të gjelave që kishte ndodhë ndonjëherë në Tiranë. – Si nata e Shën Bartolomeut – tha me vete Renato, diku nga mëngjesi, kur mbaruan të shtënat. Si, si? Pyetën njëzëri Mani i Liut dhe Lapi e Lijes. Por kësaj here Renato nuk kishte as dëshirën e as fuqinë t’ia shpjegonte. Kaq e gjë duhej ta dinin vetë, mutin! I kishin thënë se e kanë parë Milicën natën duke kaluar nëpër Skadarlije me një tufë qensh rrotull vetes. Rojet i kishin raportuar adjutantit të vet se ajo, Milica Zhuniç, dilte diku rreth orës dy të mëngjesit, netëve pa hënë, dhe shkarraviste muret duke shkruar në një gjuhë të çuditshme dhe të pakuptueshme për ta.

STEFAN ÇAPALIKU, NGA POEZIA E PROZA TE REGJIA, FILMI DHE TEATRI

Stefan Çapaliku u lind në Shkodër në vitin 1965. Më 1988 diplomohet për filologji në Universitetin e Tiranës. I vazhdon studimet në Itali, Çeki dhe Angli. Në vitin 1996 doktorohet. Nga viti 1993 deri më 1998 ka qenë profesor në Universitetin e Shkodrës. Nga viti 1998 deri në vitin 2005 ishte drejtor në Ministrinë e Kulturës. Që nga viti 2005 punon si studiues në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Mban titullin Prof.Dr. Nga viti 1995 merret sistematikisht me teatër. Tekstet dhe shfaqjet e tij janë dhënë në disa festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, ku është nderuar me çmime. Stefan Çapaliku u shpall nga Ministria e Kulturës si dhe nga ente të tjera si dramaturgu më i mirë për vite me rradhë. Ai ka qenë pjesëmarrës në rezidenca të ndryshme letrare si në Amerikë, Austri, Francë, Kroaci, Bullgari. Që prej viti 2006 krijimtaria e tij është shtrirë edhe në fushën e regjisë së teatrit dhe filmit. Ai ka publikuar veprat në poezi: Asgjë më shumë se kaq s’ka ndodhë, Shkodër 1993; Kohë e ndalur, Shkodër 1994; Fjalë për fjalë, Tiranë 2000. Në prozë: Kronikë në lindje (roman), Shkodër 1996; Tregime përAnën, Tiranë 2002; Secili çmendet simbas mënyrës së vet, tre vëllime, Tiranë, 2016, 2027, 2018. Në ese dhe studime: Fishta satirik, 1995; Prijes për gjeografinë dhe sociologjinë e letersisë shqipe, 1997; Letersia e interpretuar, 1998; I vetëm në Europë, 2005; Estetika moderne, 2006; Libri i vogël i dramatikës, 2011; Z.M.H dhe teatri ’30, 2015; Ars Albanica, 2017; Sita estetike, 2019. Koleksioni i dramave është përmbledhur në librat: Pesë drama dhe një korn anglez, 2004; Allegretto Albania dhe drama të tjera, 2006; Pesë komedi të përgjakshme, 2010; Tri drama, 2014. Disa nga veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në gjuhët kryesore europiane.  

Filed Under: LETERSI Tagged With: “MBYLLUR PËR PUSHIME”, Sokol Paja, Stafan Capaliku

SFIDAT E NEUROKIRURGJISË PËRGJATË PANDEMISË GLOBALE NË ITALI

May 5, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/

Dr. Edvin Zekaj, neurokirurg në spitalin “IRCCS Galeazzi” – Milano, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Italisë si vendi i parë në Europë i prekur nga pandemia dhe sfidat e kirurgjisë gjatë kësaj periudhe, vështirësinë e realizimit të kirurgjive në pacientë të infektuar dhe si ndikojnë negativisht veshjet dhe masat anti covid në lëvizjet dhe manovrat kirurgjikale. Neurokirurgu Edvin Zekaj shpjegon se në valën e parë të përballjes me pandeminë Sistemi Shëndetësor në Itali ishte i pa përgatitur për pandeminë dhe kjo ndikoi negativisht në cilësinë e shërbimit të reparteve e kirurgjisë. Reagimi i parë i sistemit shëndetësor ishte ndërprerja e ndërhyrjeve dhe vizitave për sëmundjet jo urgjente dhe kjo shkaktoi një mungesë shërbimi për një numër të lartë pacientësh. Një problem tjetër shpjegon imtësisht neurokirurgu Edvin Zekaj, ishte transferimi në “kohën e duhur” i pacientëve me probleme urgjente nga një spital në tjetrin. Në transferim kërkohej rezultati i tamponit e cila sillte një tejzgjatje të kohës së transferimit. Një problem i veçantë ishte trajtimi i pacientëve Covid pozitivë. Neurokirurgu Zekaj qartëson se cilësia e shërbimit u përmisua në momentin që u zhvilluan protokolle të qarta për manaxhimin e pacientëve. Në lidhje me protokollet e ndjekura dhe organizimin e strukturës dhe menaxhimin e pacienteve Neurokirurgu Edvin Zekaj shpjegon se u krijuan disa protokolle në spital të cilët ndahen në: Protokolle të shërbimit kirurgjikal në urgjencë, Protokolle të shërbimit kirurgjikal jo urgjente dhe Protokolle të trajtimit kirurgjikal dhe jo kirurgjikal të pacientëve Covid pozitiv. Rreth infektimeve në personelin shendetësor dhe ndikimi i tyre në ecurinë e ndërhyrjeve kirurgjikale Dr. Edvin Zekaj shpjegon për “Diellin e Vatrës në New York se personeli shëndetësor ishte një nga kategoritë më të prekura përgjatë pandemisë. Edhe në spitalin ku punoj patëm disa kolegë që u infektuan ku prej të cilëve për fat të keq një koleg nuk arriti të mbijetojë, kujton me dhimbje neurokirurgu Zekaj. Ndërhyrjet kirurgjikale të pacientët covid pozitiv bëhen më të komplikuara për gjithë pajisjet dhe masat që duhen marrë për tu mbrojtur nga infeksioni shpjegon Neurokirurgu Dr. Edvin Zekaj. I gjithë ekipi duhet të përdorë një skafandër dhe veshje që ndikojnë negativisht në lëvizjet dhe manovrat kirurgjikale, citon Dr. Zekaj. Në përballjen me pandeminë globale, Italia po mundohet të krijojë një normalitet në këtë situatë surreale, informon Dr. Zekaj. Shpresa është që me një vaksinimin masiv të ketë si një kontroll të përhapjes së infeksionit edhe një ulje të rasteve më të rënda nga infeksioni. Si në fillim të kësaj historie rolin kryesor do e luajnë qytetarët me sjelljet e tyre duke respektuar disa rregulla bazë, përfundon intervistën e tij për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, neurokirurgu Edvin Zekaj.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Edvin ZEKAJ, Sokol Paja

DIELLI me shqiptarët në Teksas – USA

May 3, 2021 by dgreca

–SHKOLLA “UDHA E SHKRONJAVE” NË HUSTON, GJUHA DHE IDENTITETIT KOMBËTAR  SHQIPTAR NË TEKSAS /

Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Teksas, USA nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Edmond Shkurtin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “UDHA E SHKRONJAVE”

Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas tregon për “Diellin” se fillimet e para të kësaj shkolle filluan në vitin 2005, me iniciativën e komunitetit të Huston-it u bë e mundur që të hapej kjo shkollë, e cila funksionoi për rreth 6 muaj. Jeta e saj ishte e shkurtër si rezultat i një komuniteti të ri, të cilët nuk bënë të mundur vazhdimësinë e kësaj shkolle. Pavarësisht nga dëshira e komunitetit për të angazhuar fëmijët për të mësuar gjuhën shqipe, vijimi i kësaj shkolle u bë e pamundur për shkak të një komuniteti të ri.

RIHAPJA E SHKOLLËS MË 2016

Viti shkollor 2016-2017 do të ishte shumë i lumtur për prindërit dhe nxënësit e shkollës shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas pasi ajo vihet në funksion të plotë dhe më e organizuar se kurrë. Duket se pas një mungesë të madhe, kishte rifilluar me energji dhe pasion patriotik më të fortë se kurrë. Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas tregon se mundësia e komunitetit dhe dëshira e prindërve bënë të mundur që shkolla të rihapej sërish në Shtator 2016. Hapja e shkollës ishte inciativë e Znj. Pranvera Selenica Haxhillari dhe Z. Ergi Agolli, të mbështetur nga mësuesit: Znj. Rafaela Bani, Znj. Nora Sulejmani, Znj. Erjona Rramaj dhe Z. Edmond Shkurti. Një kontribut të shquar në këtë shkollë ka pasur dhe Znj. Ilira Struga Pitarka, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Sipas z.Shkurti organizimi ishte model, interesimi po ashtu dhe themelet e shkollës sapo kishin filluar të viheshin në një dimension tjetër, më të sigurtë dhe afatgjatë për vitet në vazhdim. Drejtuesi i Shkollës z.Shkurti kujton se me fillimin e shkollës, u krijuan 3 klasa me rreth 50 nxënës në total. Një ndër klasat përbëhej nga nxënës duke filluar nga mosha 6 vjeç e në vijim, të cilën e drejtonte Z. Edmond Shkurti dhe Znj. Erjona Rramaj. Klasa e dytë përbëhej nga nxënës të grupmoshës 3-6 vjeç dhe drejtohej nga Znj. Nora Sulejmani. Klasa e tretë përbëhej nga nxënës të moshës nën 3 vjeç dhe drejtohej nga Znj. Rafaela Bani. Përkushtimi, profesionalizmi dhe devotshmëria e këtyre mësuesve të talentuar dhe me eksperiencë janë një garanci e shtuar për  nxënësit, prindërit, komunitetin dhe Shkollën Shqipe “Udha e Shkronjave” në ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Teksas nëpërmjet mësimit të gjuhës së bukur shqipe. 

KOMUNITETI SHQIPTAR MBËSHTET SHKOLLËN SHQIPE NË HUSTON

E gjithë kjo veprimtari e shkollës do të ishte e pamundur nëse nuk do të ishte mbështetur nga komuniteti shqiptar në Huston. Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas, tregon për Diellin e Vatrës se në shkollë bëjnë pjesë femijë të cilët kanë të dy prindërit shqiptarë ose një nga prindërit shqiptarë. Qëllimi i shkollës shqipe është t’i mësojë komunikimin në gjuhën shqipe këtyre fëmijëve, si dhe bëjnë të mundur krijimin e identitetit shqiptar në atë vend ku nesër do të jetojnë e punojnë. Përkushtimi i mësuesve, gatishmëria për të punuar me nxënësit pavarësisht vështirësive dhe përgatitja e lartë shkencore e mësuesve kanë bërë që shkolla shqipe “Udha e Shkronjave” nëHuston të jetë një model i shkëlqyer funksionimi për të gjitha shkollat shqipe të Diasporës Shqiptare. Sipas z.Shkurti, në gjithë aktivitetin e saj shkolla ka bërë të mundur mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e një sërë aktivitetesh lidhur me festat shqiptare (festa e fëmijëve, festa e flamurit, Krishtlindjet, Vitin e Ri). Gjithashtu, janë organizuar festat e ditëlindjeve të fëmijëve pjesë e shkollës, si dhe janë zhvilluar orë mësimore në natyrë. Aktiviteti i shkollës është më i gjerë, por u përpoqa të jap një panoramë të shkurtër për atë çfarë kjo shkollë ka zhvilluar këto 5 vite, të cilat për ne si mësues kanë qenë vite sfiduese të mbushura me gëzim e krenari për atë që i kemi ofruar nxënësve dhe komunitetit shqiptar në Huston të Teksasit.

SHKOLLA “UDHA E SHKRONJAVE”HUSTON PËRGJATË PANDEMISË

Viti i shpërthimit të pandemisë globale ka qenë një vit i mbushur me vështirësi edhe për shtetet më të fuqishme jo vetëm për shkollën tonë apo komunitetin shqiptar në Teksas, kujton Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”. Edhe pse pandemia na kufizoi fizikisht, shpirtërisht nuk jemi ndalur për asnjë moment dhe ne i kemi shërbyer nxënësve tanë e komunitetit tonë këtu. Aktualisht, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, shkolla funksionon online nëpërmjet platformës “Zoom”, por me shpresë që gjatë muajit shtator të vitit 2021 çdo gjë ti kthehet normalitetit dhe shkolla shqipe “Udha e Shkronjave”do të kthehet me klasa të reja, nxënës të rinj dhe bashkëpunëtorë të rinj- përfundoi bashkëbisedimin e tij për Diellin e Vatrës në New York, z.Shkurti.  

Filed Under: Featured Tagged With: Edmond Shkurti, Shkolla shqipe, Sokol Paja, UDHA E SHKRONJAVE

ALBANOLOGJIA NE UNIVERSITETIN E SOFJES

April 28, 2021 by dgreca

-ALBANOLOGJIA NË UNIVERSITETIN “SHËN KLIMENT OHRIDSKI” NË SOFJE TË BULLGARISË

Albanologe Ekaterina Tarpomanova, profesore e asociuar, përgjegjëse për gjuhën shqipe në Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indo-Evropiane dhe Ballkanike të Fakultetit të Filologjive Sllave në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, tregon historikun e gjuhës shqipe, interesin e të huajve për të mësuar shqip dhe lidhjet gjuhësore të shqipes me bullgarishten, rumanishten dhe greqishten. Qëllimi ynë sipas Prof. Ekaterina Tarpomanova është që t’i motivojmë studentët dhe të ndezim tek ata dashurinë ndaj Ballkanit, por një dashuri që buron nga kuptimi i thellë i proceseve që zhvillohen në këtë kënd interesant të Evropës.

GJUHA SHQIPE DHE LIDHJET GJUHËSORE ME BULLGARISHTEN, RUMANISHTEN DHE GREQISHTEN

Pasi u diplomova në degën e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes, nisa doktoraturën time me temë “Funksionet e përemrave në gjuhët ballkanike”. Mentorja ime ishte ballkanologia e shquar, prof. Petja Asenova. Studimi im përfshin katër gjuhët e lidhjes gjuhësore ballkanike – bullgarishten, shqipen, rumanishten dhe greqishten, të cilat kanë zhvilluar tipare të përbashkëta në strukturën e tyre gramatikore në sajë të kontakteve shumëvjeçare intensive midis popujve dhe gjuhëve të Ballkanit. Kjo bashkëjetesë e shoqërive dhe kulturave në Ballkan ishte shkaku që të formohet lidhja gjuhësore, ose Sprachbundi. Pra, studimi im është një pjesë e gjuhësisë ballkanike – fusha shkencore, e cila studion proceset në lidhjen gjuhësore ballkanike. Gjuha shqipe është një pjesë e rëndësishme si në punimin tim të doktoratës, ashtu edhe në gjuhësinë ballkanike në përgjithësi, sepse pa ditur proceset në këtë gjuhë, nuk mund të shpjegohen proceset në Sprachbund-in ballkanik. Nga ana tjetër, ajo është një sfidë e madhe për studiuesit. Meqë bullgarishtja është pjesë e gjuhëve sllave, rumanishtja – e gjuhëve romane, për greqishten kemi burime me shkrim shumë të hershme që datojnë para erës sonë, zhvillimi i këtyre gjuhëve gjatë shekujve është pak a shumë i qarte, ndërsa për shqipen punojmë gjithmonë me hipoteza. Por pikërisht kjo, sipas mendimit tim, e bën interesante dhe tërheqëse për studiuesit.

HISTORIKU I GJUHËS SHQIPE NË UNIVERSITETIN E SOFJES 

Dega e Ballkanistikës u themelua në vitin 1994, në kuadër të Fakultetit të Filologjive Sllave të Universitetit të Sofjes. Ideja e saj është të formohen specialistë me dituri të thella dhe të shumëanshme për historinë, kulturën, letërsinë dhe gjuhëve të Ballkanit. Studentët mësojnë të gjitha gjuhët e lidhjes ballkanike. Me qenë se bullgarishtja është gjuha amtare e shumicës prej tyre, ajo mësohet vetëm teorikisht. Tri gjuhët e huaja – shqipja, rumanishtja dhe greqishtja, mësohen me orare të barabarta. Studentët kanë mundësi për specializim në vitin e fundit, duke zgjedhur mësime suplementare të gjuhës së preferuar. 

GJUHA SHQIPE NË KATEDRËN E GJUHËSISË SË PËRGJITHSHME INDO-EVROPIANE DHE BALLKANIKE

Katedra e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indo-Evropiane dhe Ballkanike është ajo që administron degën e Ballkanistikës. Jemi nëntë pedagogë, specialistë në fusha të ndryshme të gjuhësisë dhe të ballkanistikës. Kuptohet se kemi shumë bashkëpunëtorë nga fakulteti, universiteti dhe institucione të tjera, sepse programi i degës përfshin lëndë të ndryshme. Studentët njihen me historinë e tërë Gadishullit Ballkanik që nga kohët e lashta deri më sot në kontekstin e zhvillimeve në Evropë, gjuhët paleoballkanike dhe gjuhët e lashta klasike, si latinishtja dhe greqishtja e vjetër, letërsinë antike, letërsinë e Rilindjes, letërsinë moderne të vendeve të Ballkanit, gjuhësinë dhe teorinë e kontakteve gjuhësore. Për të siguruar cilësinë e këtij programi ambicioz, ne punojmë me specialistët më të shquar në vend. Qëllimi ynë është që t’i motivojmë studentët dhe të ndezim tek ata dashurinë ndaj Ballkanit, por një dashuri që buron nga kuptimi i thellë i proceseve që zhvillohen në këtë kënd interesant të Evropës. Pas rënies së regjimeve totalitare dhe pas hapjes së Evropës dhe të botës ka mundësi të shumta për mobilitet studentor. Kështu studentët kanë mundësi të vizitojnë vendet fqinje në Ballkan, të takohen vetë me kulturën e popuvje fqinj dhe të krijojnë kontakte me të rinjtë në moshën e tyre. Bashkë me studentët tanë organizojmë dhe shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, në të cilat  zakonisht kemi shumë pjesëmarrës nga Shqipëria dhe Kosova. Kohët e fundit krijuam një shkollë për doktorantë shqiptarë dhe në gjuhën shqipe, disa prej tyre tashmë i mbrojtën me sukses doktoratat në universitetin tonë, para jurive ndërkombëtare.

BALLKANOLOGËT NJË KONTRIBUT PËR INTEGRIMIN EVROPIAN TË VENDEVE TONA

Tani për tani interesi ndaj degës së ballkanistikës është i qëndrueshëm. Çdo vit pranojmë 15 studentë, të cilët kalojnë ciklin pesëvjeçar të studimeve dhe marrin diplomën e masterit në fushën e ballkanistikës. Pastaj mundësitë për realizim profesional janë të shumta – në diplomaci, në gazetari, në shkencë, në administratën shtetërore, në institucionet evropiane. Specialistët në fushën e ballkanistikës janë të domosdoshëm në kohët tona, kur kontaktet ekonomike, tregtare dhe kulturore midis vendeve ballkanike janë të lira dhe mund të thellohen gjithnjë e më shumë. Ballkanologët mund të kontribuojnë edhe për integrimin evropian të vendeve tona. Kështu që unë mendoj se dega jonë do të vazhdojë të jetë tërheqëse për të rinjtë që dëshirojnë të krijojnë këto lidhje midis Ballkanit dhe Evropës.

KUSH ËSHTË ALBANOLOGE EKATERINA TARPOMANOVA?

Jam profesore e asociuar në Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indo-Evropiane dhe Ballkanike të Fakultetit të Filologjive Sllave (Universiteti i Sofjes Shën Kliment Ohridski). Unë vetë i bëra studimet në degën e Ballkanistikës. Atje nën ndikimin e pedagoges sime të gjuhës shqipe Rusana Bejleri fillova të merresha seriozisht me këtë gjuhë. Pasi mbarova studimet, punova disa vjet në redaksinë shqipe të Radios Kombëtare Bullgare. Në Universitetin e Sofjes fillova punë në vitin 2012. Aktualisht jam shefe e katedrës. Puna me të rinjtë më frymëzon dhe më provokon. Besoj se jam nga ata njerëzit e lumtur të cilët e duan shumë punën e tyre. Kur e do punën, kjo tashmë nuk është punë, është si hobi, diçka që bën për kënaqësi.

Filed Under: Featured Tagged With: Albanologjia, Sokol Paja, Universiteti i Sofjes

SHQIPËRIA, NGA GREMINA TE EMERGJENCA PËR NDRYSHIM

April 23, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA/

Shqipëria gjendet në një fazë kritike. Nevoja për ndërrimin e kursit politik është më i nevojshëm se kurrë. Shteti ka rënë. Shteti ka tradhëtuar interesat e qytetarëve. Pushteti ka shkallmuar themelet e shtetit. E drejta nuk ekziston më në shtetin e së drejtës. Partia-shtet nëpërmjet qeverisjes ka uzurpuar të gjitha institucionet e varuara dhe të pavarura. Pushteti nëpërmjet oligarkisë ekonomike dhe mediatike ka asfiksuar çdo frymë kritike, opozitare, civile dhe qytetare. Të gjitha institucionet e shtetit nën kontroll dhe shërbim të kryetarit të partisë-shtet. Kryeministri pasi shkatërroi vendin nërpërmjet qeverisjes skandaloze, së fundmi ka ndërsyer dhe kriminelët ndaj kundërshtarëve dhe të varfërve me qëllimin e vetëm mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Qeverisja është përkeqësuar frikshëm dhe qytetarët meritojnë një qeverisje dinjitoze jo një shërbesë skandaloze. Varfëria është ulur këmbëkryq. Shteti ecën mbrapa. Qeveria ka harruar qytetarët e zakonshëm dhe njerëzit e ndershëm. Qeveria është vënë në shërbim të të pasurve dhe kriminelëve të veshur me pushtet politik dhe ekonomik që mbajnë qeverinë me oksigjen ekonomik-kriminal në çdo fushatë elektorale. Shqipëria sot gjendet në greminë politike, ekonomike, sociale dhe institucionale. Qeverisja e ka degdisur vendin në një humnerë të frikshme, që duhen vite të tëra rikuperimi. Borxhi publik në stratosferë, krimi dhe rendi publik në greminë, sipërmarrja dhe biznesi në asfiksi, meritokracia në zhdukje, militantët partiakë në qelizat profesionale të shtetit, institucione shtetërore nën presion, qytetarët nën përgjim e survejim, institucione që mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve të përfshira në trafikim të dhënash për interesa të partisë-shtet. Tetë vite ishin shkatërruese për çdo shqiptar me përjashtim të socialistëve që janë shpërndarë në çdo qelizë të shtetit të pushtuar nga pushteti. Pushtimi neokomunist mbi institucionet kanë prodhuar vrasjen e meritokracisë, të garës, të konkurseve, të vlerave, të profesionistëve dhe xhandarët partiake të partisë- qeveri nëpërmjet partisë në pushtet kanë shkatërruar gjithçka në Shqipëri. Në 25 prill 2021 shqiptarët duhet të votojnë ndryshimin që vjen nëpërmjet profesionistëve më të mirë që ka Shqipëria. Opozita ofron shpresë dhe oksigjen në apatinë dhe asfiksinë e socialistëve. Vota për opozitën është nevojë emergjente për ndryshim në Shqipëri. Në tetë vitë të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, qeverisja e Edi Ramës fatkeqësisht ka sjellë në Shqipëri hapa shumë mbrapa në çdo drejtim: pasurim të tejskajshëm të oligarkëve, varfërim të qytetarëve të thjeshtë, mungesë të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, humbje të gjyqeve të njëpasnjëshme në Strasburg, presion dhe kontroll absolut mbi median, zgjedhje moniste, përndjekje të kundërshtarëve politikë, presion të vazhdueshëm mbi organet e Vettingut, korrupsion alarmant në nivelet më të larta të qeverisjes dhe institucioneve shtetërore, arbitraritet shtetëror në vendimmarrje, dhunë policore, masa të rënda dhe gjoba të pamëshirshme ndaj qytetarëve, shkatërrim shtetëror të pronës private, politizim dhe uzurpim i partisë-shtet të institucioneve të hetimit e parandalimit të krimit, policisë së shtetit, të forcave të armatosura, të drejtësisë, rënie të investimeve të huaja, shkatërrim të klimës së biznesit, rrënim ekonomik nëpërmjet Partneritetit Publik Privat, shpërdorim e vjellje masive të të ardhurave, tendera gjigandë pa garë, tenderat sekretë në pandemi, mungesa e transparencës me vaksinimet, politizimi i fushatës së vaksinimit, strehimi i kriminelëve që nga Parlamenti deri në kryepleqësitë e fshatrave, veshja e të fortëve me pushtet ekonomik e politik, rritje të varfërisë dhe papunësisë, emigrimi masiv i profesionistëve, një qeverisje e lidhur me mafien e betonit dhe pastrimin e parave të pista të organizatave kriminale evropiane, dështim i reformës në arsim, i reformës në drejtësi, në shëndetësi, i reformës së pronave, i legalizimive, i shërbimeve ndaj qytetarëve etj. Qytetarët janë të tradhëtuar nga shteti i tyre. Ndryshimi politik dhe qasja e qeverisjes së vendit në shërbim të qytetarëve duhet të ndryshojnë një herë e përgjithmonë. Vota për Partinë Socialiste është votë për shkatërrimin e Shqipërisë. Vota për Partinë Demokratike është vote për ndryshimin që shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë. Është votë për shpresën e vrarë në vend. Është votë për rigjallërim të qelizave të shkatërruara nga Rama dhe sekti i tij neokomunist. Vota për ndryshim është vote për shtetin, për familjen, për mbarë shoqërinë, për mbarë Shqipërinë. Vota për PD është votë për të çliruar ekonominë, për të kryer reformat që stabilizojnë tregun, sipërmarrjen dhe reformat që afrojnë Shqipërinë me Europën dhe rrisin sigurinë e mirëqënien e qytetarëve shqiptarë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Shqiperia fiton, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT