• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LËPUSHA, NJË ZANË E VËRTETË MES MALEVE

December 4, 2020 by dgreca

Dritan Zaimi, ekspert i turizmit dhe eksplorues, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, bukuritë e turizmit në Kelmend në Malësinë e Madhe. Tamara po jeton një epokë të re. Tamara duket shkëlqyeshem, me një qendër të qytetit, me godina shërbimi që ndjekin arkitekturën e zonës dhe me një bulevard për shëtitje këmbësorësh. Ndërtesat tipike prej guri dhe druri, trotuaret me kalldrëm prej guri, parqet e gjelbërta dhe malet gri sipër, kornizat prej druri kafe, retë e bardha dhe qielli i thellë blu, tejkalojnë imagjinatën edhe të krijuesit më kreativ… Me Dritan Zaimin bisedoi gazetari i DIELLIT Sokol PAJA.

MALËSIA E MADHE E SKALITUR ME BUKURI TË PASHOQE 

Udhëtoni dhe shëtiteni Shqipërinë tonë sa më shumë, veç atëherë do ta kuptoni sa e bukur është, se i kemi të gjitha, madje bukuri të kategorisë së parë, që nuk ngopesh duke i shijuar e dëshiron të kthehesh sërish e sërish. Çdo pëllëmbë e vendit tone është e skalitur me bukuri të pashoqe, jug a veri, lindje a perëndim. Pavarësisht senë çfarë stine apo moti, aventurën e gjeni kudo e kurdo në Shqipëri, gjithmonë do të gjeni një vend dhe kohë për ta lënë shpirtin tuaj të vrapojë i lirë. Të gjithëi njohim mrekullitë e Thethit apo Valbonës në veri të Shqipërisë, po sot po ju ftoj të më ndiqni në një udhëtim në një zonë po aq të bukur dhe mahnitëse, veçse nuk është aq e njohur sa dy të parat tëcilat njihen dhe eksplorohen prejshumë vitesh tashmë. Sot do ju rrefej për Kelmendin! Kelmendi është një komunë në zonën e Malësisë së Madhe në skajin më verior të Shqipërisë në kufi me Malin e Zi, që përfshin fshatrat Brojë, Tamare, Selce, Vukël, Nikç, Lepushë e Vermosh. Do ju rrefej sot për bukuritë e tij, për magjinë dhe dashurinë e tij që e ndjen në çdo hap të udhëtimit tënd, për bjeshkët, lumenjtë, ujvarat, kullotat e malet, një arratisje e ëmbël mes blegërimave, gurgullimave, cicërimave, fëshfëritjeve të gjetheve e të flladit të lehtë për të ndjerë fuqishëm ëmbëlsinë e kësaj toke dhe madhështinë e majave të maleve. Edhe për mua ishte risi e surpize kjo zonë, sapo pashë një mundësi udhëtimi, përgatita çantën time, mora mikun tim më të ngushtë të udhëtimit, d.m.th. aparatintim fotografik dhe u nisa mjaft herët në mëngjes si pjesë e një ekipi eksploruesish.

UDHËTIM MIDIS SHPATEVE TË THEPISURA

Nisja nga Tirana ishte rreth orës 6:00 dhe udhëtuam drejt qytetit të Shkodrës, ku patëm ndalimin e parë për një kafe ose çaj buzë lumit Drin. Pas një pushimi të shkurtër, lamë pas ultësirën e Shkodrës dhe filluam udhëtimin tonë midis shpateve të thepisura dhe maleve të larta të pjerrëta, thellë brenda Alpeve Shqiptare. Shumë shpejt horizonti u afrua ndërsa po shikoja muret e maleve në të dy anët e rrugës, maja të larta, humnerë të thellë dhe male që ngriheshin menjëherë mbi lugina. Për një moment më dukej sikur isha pjesë e filmit Avatar. Doja të zbrisja dhe të kapja fotografi dhe të shkrepja skena të ndryshme, ose të gjurmoja me lentet e mia shqiponjat dhe skifterët që fluturonin lart e poshtë humnerës, por destinacioni ishte diku tjetër, kështu që u dorëzova dhe thjesht e lashë syrin t’i shijonte të gjitha. Rreth orës 10:00 kishim mbërritur në stacionin e parë, patëm një ndalesë të shkurtër te “Leqet e Hotit” siç e quajnë vendasit këtë vend. Këtu mund të adhuroni rrugën e bukur që gjarpëron buzë faqes së malit nga maja derinë fund ku shihet lugina e lumit Cem. Koha është shkurtër  për të parë peisazhin që të lë pa frymë dhe për të bërëfotografi njëkohësisht. Dëshira është të qëndrosh më shumë por destinacioni është tjetër kund, ndaj pa vonesë hipëm në fugon për të vazhduar udhëtimin më tej.  Stacioni tjetër është fshati Tamarë. Pak kisha dëgjuar më parë për këtë fshat unik, kryesisht mund të kisha dëgjuar për të vetëm në dimër pasi rruga bllokohej shpesh nga bora e madhe, por kjo është një histori e së kaluarës pasi rruga e re ishte në gjendje të përsosur. Ishte e qartë, Tamara po jetonte një epokë të re, sot Tamara dukej shkëlqyeshem, me një qendër të qytetit, me godina shërbimi që ndjekin arkitekturën e zonës dhe me një bulevard për shëtitje këmbësorësh. Ndërtesat tipike prej guri dhe druri, trotuaret me kalldrëm prej guri, parqet e gjelbërta dhe malet gri sipër, kornizat prej druri kafe, retë e bardha dhe qielli i thellë blu, tejkalonin imagjinatën edhe të krijuesit më kreativ. Dhe dielli që shkëlqente fuqishëm  mbi fshatin Tamarë i jepte një bukuri përrallore këtij fshati të strukur mes malesh. Por kjo nuk është e gjitha; pak metra nga qendra, shkallet na çojneposhte në shtratin e lumit Cem. Ujërat e tij kristal të pastra më bënë të pendohem që nuk mora rrobat e banjos me vete. Në të tilla kushte më mbetej të shikoja të tjerët ndërsa kridheshin në ujrat e ftohta dhe unë të merrja sado pak nga kënaqësia e tyre e të ngulitja këto momente me aparatin tim. 

SELCA, KANIONI I KELMENDIT, LUMI CEM

Pas një ore udhëtimi nga Tamara, arritëm në fshatin Selcë ku zbritëm nga fugoni për të ecur drejt destinacionit tonë të ardhshëm, Ujëvara e Selcës. Selca shtrihet në 353-1100 m mbi nivelin e detit. Ndodhet 8 km në veri të fshatit Kelmend. Selca fsheh disa nga thesaret më të bukura të natyrës si kanioni i Kelmendit, shpella të shumta, ujëvara, peisazhe të lëjnë pa frymë, arkitekturë dhe artizanat të pasur etj. Ndërkohë për adhuruesit e rafting, Selca propozon lumin Cem, i cili ofron më të mirën gjatë Prillit dhe Majit, kohë kur mund të shijoni edhe kanionin Gerrli. Nga ana tjetër, ujëvarat e Selcës janë një tërheqje natyrore spektakolare që ia vlen të vizitohen, kështu që vizita tek njëra prej tyre ishte thjesht qershia mbi tortë në këtë udhëtim. Shtegu drejt Ujëvarës së Selcës (Sqapi) ishte buzë malit, në një shteg shkëmbor të rrëshqitshëm, ku duhej të ishe i kujdesshëm se ku të shkelje pasi mund të rreshqisje lehtë mbi shkëmbinjtë e vegjël dhe te përfundoje në drejt e tek shtrati i lumit. Gjatë rrugës, pamja e maleve përreth, në këto ditë të vjeshtës, ishte thjesht mahnitëse. Pas rreth 90 minutash ecje midis shkëmbinjve, gjetheve, pemëve, duke shijuar aromën e luleve të malit, kishim mberritur tek ujvara e Selces, gurgullimën e së cilës e kishim ndjerë fuqishëm që nga larg. Një bukuri spektakolare, e fshehur mes maleve, thellë brenda pyllit, me fytyrën e bardhë plot shkëlqim që ia vlente të vizitohej. U ulëm para saj dhe shijuam drekën tonë të paketuar dhe pimë nga uji i freskët i ftohtë i ujëvarës. Pasi pushuam për disa orë nën freskinë  ujrave të bardha dhe mblodhëm gjithçka qëkishim sjellë, me përtese morëm rrugën e kthimit për tek mjeti i transportit. Stacioni tjetër do ishte pikërisht fshati Lëpushë ku edhe do të akomodoheshim për të kaluar natën. Një mbrëmje e këndëshme rreth e qark oxhakut me zjarr duke pjekur gështenja, duke pirë verë e duke biseduar me banorët  bujarë e mikpritës, duke dëgjuar rreth gojëdhënave e legjendave të zonës. Herë pas here, dilnin në ballkon për të shijuar qiellin e pastër plot me yje, gjë qëna mungon shumë në qytetet tona të zhurmëshme.

LËPUSHA, NJË DASHURI MES MALESH

Mëngjesi do të vinte shpejt dhe ne u zgjuam për një tjetër ditë me aventura mes malesh që do të kulmonin me Majën e Vajushës. Mbërritja natën vonë një natë më parë në Lëpushë nuk na kishte dhënë mundësi ta shikonin dhe ta shijonim bukurinë e fshatit.  Kështu që herët në mëngjes, pasi shijuam ushqimin e shijshëm me produkte lokale nxituam që të dalim përjashta për të shijuar një kafe mes malesh nën rrezet e para të diellit. Po na shijonte ngrohtësia e diellit dhe me përtese filluam të bënim gati gjërat që na duheshin për udhëtim. Lepusha ishte krejt ndryshe nga Thethi apo Valbona, nuk ishte një fshat në fund të një lugine të thellë ku malet ngrihen thikë, por as edhe një fshat në majë të malit, përkundrazi ishte diku në mes të lartësive, rreth 1200 m mbi nivelin e detit, një avantazh i pakrahasueshëm për të shijuar në maksimum përvojat në natyrë. Lëpusha ishte një zanë e vërtetë mes maleve, një fshat i shtruar në një luginë të butëmes maleve, mes kullotash, pyjesh e ujvarash.Vendasit thonë se emri i fshatit vjen nga një bimë me lule të verdha që rritet shumë në këtë zonë dhe quhet Lëpushtra. Një vend i pasur me burime, ku ekonomia shtëpiake është e përqendruar tek blegtoria dhe bujqësia, por sëfundmi është turizmi ai që sjell jo vetëm të ardhurat por edhe vetë klientin direkt në Lëpushë. Kjo zonë ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit nëçdo stinë të vitit dhe këtë gjë e dinë shumë mirë edhe vendasit që kanë filluar të investojnë cilësisht në këtë drejtim. 

SHTEGU PËR TEK MAJA E VAJUSHËS

Shtegu për tek Maja e Vajushës kalonte në një pyll me pemë të larta që në këtë kohë i kishin lëshuar gjethet, pak kish mbetur nëpër degë por bukuria ishte shtruar në tokë në një tapet të trashë gjethesh ku do të kishe kujdes edhe të mos rrëshqisje. Ecnim e soditnin natyrën e mrekullueshme, majet e maleve që zbuloheshin dal nga dal tek sa dilnim nga pyjet e larta dhe vendin ia linin kullotave të hapura alpine. Ecnim dhe uleshim herë pas here për të pushuar, për tu shplodhur e për të marre forca pasi ngjitja fillonte e bëhej më shumë impenjative. Kullotat të ofronin një ngjitje të ëmbël mes stanesh, ku kishim mundësi të shtriheshim, të loznim, të bënim foto por edhe të freskoheshim nga përrenjtë që buronin nga majat e maleve e rridhnin butë përmes kullotave. Në vend të gjetheve këtu mund të kundronim kërpudha të ndryshme dhe zhyteshim mes barit të artë. Ngjitja vazhdoi përreth 2 orë e gjysëm, herë intensive dhe herë butë, për të kulmuar me Majën e Vajushës 2100m mbi nivelin e detit, ku pamja qëna u shfaq menjehere pasi arritëm majën ishte thjesht një surprize e pabesueshme. Një pamje spektakolare që mbetet e fshehtë dhe surprizë që nuk pranon të zbulohet asnjë çast pa arritur majën, si një shpërblim i merituar dhe i pa kompromentueshem vetëm për ata që sfidojnë ngjitjen përfundimtare. Menjëherë pas mbërrin majën, ti shikon dhe shijon madhështinë e alpeve shqiptare tek sa ngrihen fuqishëm me majat e tyre të ashpra. Një kontrast i fortë kaq pranë, nga njëra anë Maja e Vajushës, maja e një kullote alpine mbushur me bar, dhe pastaj përballë teje shkembijnë të egër, maja të thepisura malesh që ngrihen thikë njëri mbas tjetrit, njëri më i lartë se tjetri, shumë të mrekullueshëm për ti soditur por tepër të frikshëm për ti ngjitur. 

BJESHKËT E NAMUNA

Këtu fillojnë Bjeshkët e Namuna dhe dëshira për të bërë foto e video këtu nuk njeh fre. Koha kalon kaq shpejt këtu lart, nën diellin e shndritshëm, nën një ledhatim të ëmbël flladi që mëma natyrë na e dhuron për ta bërë të papërsëritshme këtë vizitë tonën thellë në gjirin e saj. Duhet të ishim shumë të vendosur për ti kthyer shpinën majave të maleve dhe për të nisur rrugën e kthimit, por ishte një domosdoshmëri pas nuk duhej që nata të na zinte në mal dhe tëna gllabëronte sado pak nga magjia e këtij udhëtimi. Ndaj, pa dëshirën por me mirëkuptimin tonë të plotë filluam zbritjen duke shijuar ndërkohë perëndimin e diellit, koloritin dhe dritëhijet e tij. Gjithçka kaloi kaq shpejt, u lodhëm paksa por e shijuam në maksimum. A u ngopa? Jo! E ndjeva se kisha lënë diçka pas. Çfarë të ishte vallë? Nëse dashuri do të thotë të mos duash të ikësh, apo të duash të kthehesh me vrap sapo ikën, atëherë patjetër Kelmendi u bë një dashuri e madhe brenda zemrës time. Si mund të jetë Kelmendi në dimër, në pranverë apo verë? Mezi pres të vij e ta takoj sërish! 

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan Zaimi, LËPUSHA, Sokol Paja

IDENTITETIT KOMBËTAR DHE GJUHA SHQIPE NË SUEDI

December 2, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË SUEDI/


Fatmire Ismaili Bunjaku mësuese e Gjuhës Shqipe në Göteborg në Suedi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Suedi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Fatmire Ismaili Bunjaku bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË SUEDI

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet nga organet kompetente duke filluar nga Parlamenti suedez ku ka dhënë vendim që të gjithë nxënësit të cilët kanë një gjuhë amtare tjetër, jo gjuhën suedeze, mund të mësojnë gjuhën e tyre në shkollën fillore dhe në gjimnaz. Mësimi i gjuhës  amtare  u ofrohet të gjithë nxënësve që dëshirojnë të ndjekin  gjuhën shqipe dhe u jepet mundësia që përveç suedishtes të mësojnë gjuhën shqipe si lëndë në shkollë. Komunat janë të obliguara të ofrojnë arsimim në gjuhën amtare sipas atyre dispozitave dhe kushteve që janë të përcaktuara në Rregulloren e shkollës fillore dhe të gjimnazit. Në Goteborg është Qendra gjuhësore (Språkcentrum) që organizon dhe bën mbështetjen në mësimin e gjuhës amtare. Në qendrën gjuhësore jemi rreth 300 mësues te gjuhës amtare ku gjithsej janë më shumë se 70 gjuhë. Kemi 8 shefe të njësisë (Rektore), 6 mësues të gjuhës shqipe dhe shefe kemi Aldis Einarsdottir dhe Shefen kryesore të Sektorit Inger Fält udhëheqëse e suksesshme në Göteborg.
Për çdo nxënës, prindërit duhet të aplikojnë tek drejtori në shkollë ku drejtori miraton kërkesën e nxënesit dhe pastaj raporton atë në Qendrën gjuhësore ku organizohet gjuha amtare. Në Suedi gjuha shqipe ka karakter vullnetar dhe mësimi nuk është i obligueshëm, është prindi që aplikon per mësimin e gjuhës amtare, këtu ka të bëjë me ndërgjegjësimin e prindërve se sa janë të interesuar për vijimin e fëmijëve të tyre në  gjuhën shqipe. Çdo nxënës që regjistrohet për  pjesmarrje në gjuhën shqipe ështe i obliguar të marrë pjesë në orarin e caktuar. Mësimi i gjuhës shqipe mbahet pas orarit të mësimit të rregullt ,ku  një grup duhet të ketë së paku pesë nxënës dhe për të pasur orarin e plotë si mësues duhet të kemi 110 nxënës gjithsej. Një orë mësimore zgjat 80 minuta për një grup, ne mësuesit mundohemi të formojmë grupet sipas niveleve dhe grupe heterogjen nga kl.1-9. Ka dallime komuna ndaj komunës në organizimin e grupeve të nxënesve dhe orëve mësimore. Në Goteborg  punojmë 6 mësues të gjuhës shqipe dhe kemi përafërisht 400 nxënës që vijojnë mësimin e gjuhës shqipe në Goteborg.

QYTETET KU ORGANIZOHET DHE KURRIKULAT MËSIMORE

Gjuha shqipe mësohet/organizohet në çdo qytet /shkollë të Suedisë. Mësimet e para të gjuhës shqipe organizoheshin për fëmijët e emigrantëve  nga trojet shqiptare ku daton që në të 60-tat ku kanë marrë pjesë një numër i vogël nxënësish. Mësimi i gjuhës amtare u zyrtarizua me 1968 ku mësimi i rrregullt dhe i organizuar mbahej në qytetet më të medha të Suedisë si në Stokholm, Goteborg, Malme dhe Jonshoping. Mësuesit e parë ishin Sadulla Zendeli- Daja, Kosovë Rexha-Bala etj. Mësimi vazhdon të mbahet dhe organizohet dhe tani në çdo qytet të Suedisë. Numri më i madh i migrimit në Suedi ishte gjatë viteve 1990-1992 ku tani kemi  përafërsish 9-10 mijë fëmijë të banuar në Suedi, ku  5-7 mijë marrin pjesë në gjuhën amtare. Nxënësve shqiptar u ofrohet mundësia  të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe, ata të cilët kanë njohuri themelore ose të mira për gjuhën amtare. Ekzistojnë planprograme pedagogjike për gjuhën amtare (Pedagogisk planering LGR 1 skolverket ) dhe notat e gjuhës amtare kanë vlerë kualifikimi të njejtë sikurse notat në lëndët e tjera. Në raste të duhura përdorim planprogramin-kurrikulen e Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë. 

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR 

Gjuha shqipe ka rëndësi të madhe në ruajtjen e identitetit kombëtar në Suedi. Suedia është një ndër shtetet më të njohura që të hap dyert dhe të jep mundësine për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tënd si shqiptar. Vitet e 2000-ta, në Suedi fliten shumë gjuhë, përse mos ta flasim dhe ruajmë dhe ne identitetin tonë. Unë bazohem gjithmonë tek fëmijët e mi, të vëllait dhe motres që i kam edhe nxënës, të gjithë e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe rrjedhshëm dhe bukur. Kështu  lidhjet tona me atdheun, vizitat çdo vit në atdhe, pastaj miqësia, martesat me shqiptar, kjo na bën edhe më shumë që të mbajmë gjallë gjuhën dhe kulturen shqiptare. Festat kombëtare janë traditë në mësimet e gjuhës shqipe, festojmë të  gjithë së bashku me nxënësit, vishemi me ndonjë simbol kombëtar, ftojmë në klasë mësuese suedeze, shokë dhe shoqe, ju tregojmë se ne shqiptaret kemi traditë ti ftojme miqtë në festat tona, siç e kemi ditën e Flamurit. Është shumë e rëndësishme të jesh mësuese që mëson fëmijët me zemër dhe jo vetëm me libra. Për të mbajtur gjallë mësimin e gjuhës shqipe  dhe për të ruajtur identitetin kombëtar, si mesuese duhet të jesh e sinqertë me nxënësit, ti afrosh, të jesh e hapur me ata, ti dëgjosh, ti respektosh dhe të pyesesh çfare duan të mësojnë ,atëherë nxënësit  edhe më shumë tregojnë interesim për të marrë pjesë në gjuhën SHQIPE. Të punosh me fëmijë shqiptar është gjëja më e bukur për mua që përjetoj në klasë.

SI PRITET MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË SUEDI

Organet kompetente të entit shkollor në Suedi na e mundësojnë që mësimi i gjuhës amtare të mbahet në shkolla dhe nxënësit i lejohet të përdorë gjuhë të ndryshme, ata shohin se gjuha është vegël për zhvillimin e njohurive të reja tek nxënesit dhe ështe një sukses për nxënësit në shkolla të Suedisë. Numri i nxënësve që nuk vijojnë gjuhën shqipe nuk është jo aq i madh, duke ju falenderuar prindërve që kanë interesim të madh dhe me shumë dëshirë i sjellin në gjuhën shqipe që nga parashkollorët. Gjithashtu edhe mësuesit suedez çdo herë ju rikujtojnë nxënësit dhe prinderit se sa ështe e rëndesishme të mësosh gjuhën amtare.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Ai që e zotëron gjuhën e vet vlen më tepër se ai që pushton një qytet “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e perbën gjuha shqipe”M.F. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë. Përshëndetje të ngrohta nga Suedia e ftohtë me zemër të ngrohtë, për patriotët shqiptar në USA.

KUSH ËSHTË FATMIRE ISMAILI BUNJAKU

E lindur në Kumanovë të Maqedonisë, shkollimin fillore dhe të mesëm e mbaroi në Kumanovë. Ka mbaruar Studimet Universitare drejtimi Gjuhën dhe Letërsi  Shqipe në Universitetin e Prishtinës,nëndega Gjilan. Pas studimeve u punësua në Kumanovë në shkollën fillore Vllazërimiku ku punoi 5 vite me radhë si arsimtare e Gjuhës shqipe me klasat e larta, ku si kolegë kishte babain, motren dhe dy kushërinjtë e saj që ishin dhe  arsimtarët e saj. Pas pesë viteve punë u detyrua të lërë Kumanovën për arsye të dygjuhesisë shqip-maqedonisht të asaj kohe. Brenda dy ditesh vendosi të ikë në Suedi, 7 shkurti 1987, ishte dita më e vështirë e jetes së saj, që te largohej nga vendi dhe njerëzit e saj. Arriti në Stokholm, në kryeqytetin e Suedisë, qytet i bukur por me një temperaturë  -27 gradë. Se imagjinonte dot që do të jetonte tërë jetën e saj aty. Pas lindjes së tre fëmijëve Flamuri,Vlora dhe Atdheu filloi të punonte në profesionin e saj ,në vitin 1993 në Goteborg ku si mësuese do ua kushtojë jeten dhe karrieren  nxënësve të saj. Ndihet e bekuar dhe me fat që zgjodhi Suedinë (me dëshirë apo e detyruar) të jetojë dhe punojë në atë shtet demokrat, ku të hapen të gjitha dyert në çështjen e ruajtjes së identitetit dhe të gjuhës amtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatmire Ismaili Bunjaku, Sokol Paja, Suedi

OLIGARKËT – NJË GRUSHT TȄ PASURISH QË SUNDOJNË SHQIPËRINË

December 1, 2020 by dgreca

Diplomati Vili Minarolli, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet para publikut librin e tij të fundit “Oligarkët”. Z.Minarolli rrëfen se si qeveriset Shqipëria nga një grusht njerëzish që kanë në duar qeverisjen e vendit dhe ushtrojnë kontrollin politik dhe ekonomik për përfitime personale dhe korruptive. Në roman tregohet si u krijuan oligarkët në Shqipëri, që sot drejtojnë politikën jo vetëm me pjesmarrje të drejtëpërdrejtë në të duke qënë deputetë, apo kryetarë bashkish  por edhe indirekt duke emëruar  deputetë apo antarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit lokal, duke qënë pronarë mediash private si mjete të manipulimit të individëve dhe të  mendësisë kolektive të shoqërisë, nëpërmjet një propagande të llustrosur, që ka si elemente kryesore mashtrimin , shpifjen dhe fshehjen e së vërtetës.

DIELLI:  ZOTI MINAROLLI, SË FUNDMI JU KENI BOTUAR ROMANIN OLIGARKËT. KUR FLITET PËR OLIGARKË, NË PËRGJITHËSI NJERËZIT KANË PARASYSH TË PASURIT NË RUSI PAS RËNIES TË REGJIMIT KOMUNIST .  PSE KY TITULL ?

Dr. VILI MINAROLLI: Titulli Oligarkët  nuk është as metaforik  as simbolik, po i drejtëpërdrejtë ashtu siç e ka kuptimin e përdorur që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Platoni i  cilëson  oligarkët  si një grusht njerëzish që kanë në duar  qeverisjen e vendit dhe ushtrojnë kontrollin politik dhe ekonomik për përfitime personale dhe korruptive. Virtyti pushon së luajturi një rol themelor në politikë sepse këtë rol e zë prona, pasuria. Sipas Platonit një qeveri e drejtë dhe një qeveri e kapur nga oligarkët nuk mund të bashkëjetojnë. Edhe  Aristoteli në veprën “Politika’ thotë se kjo formë nënkupton  fuqinë e të pasurve. Nganjëherë spekullohet me termin Oligark, sikur këta janë sipërmarrës të suksesshëm që sigurojnë të ardhura shumë më tepër se të tjerët nga puna e tyre. Një nga kapitujt e librit ka si nëntitull një thënie të Frantz Fanon: “Pasuria nuk është frut i  punës por i grabitjes të organizuar dhe të legalizuar.” Pavarësisht si fshihet thelbi,në realitet oligarkët janë ata që influencojnë drejtëpërdrejtë vendimmarrjen e qeverisë apo të parlamentit dhe diktojnë axhenda të caktuara politike  në funksion të interesave të tyre  financiare. E gjykova të nevojshme për të bërë këtë hyrje për të treguar se në çdo kohë dhe në çdo vend oligarkët janë të njëjtë.

DIELLI: TEK NE, NË  FILLIM TË  VITEVE ’90 NË SHQIPËRI NUK KA PATUR NJË SHTRESË NJERËZISH TË PASUR. SI U KRIJUA TEK NE KJO SHTRESË?

Dr. VILI MINAROLLI: Oligarkët janë krijuar në vende të rilindura pas një diktature apo një lufte, me një sistem ligjor inekzistent, pa një traditë demokratike apo akoma më keqsi tek ne pa një traditë shtetformuese. Këto ishin disa nga premisat që oligarkët e rinj lindën pas shkërmoqjes të regjimeve komuniste në Europën lindore dhe qëndrore, që kishin afërsisht të njëjtin sistem të organizimit politik dhe ekonomik, ku mbizotëronte prona kolektive  ose më saktë monopoli shtetëror mbi pronësinë. Në vendin tonë të gjitha sa thashë më lart ishin më të theksuara. Regjimi komunist gati pesëdhjetë vjeçar kishte kolektivizuar çdo pronësi me përjashtim të antarëve të  familjes dhe mendohej se në një nisje normale  drejt ekonomisë së tregut të gjithë do të kishin mundësira pak a shumë të njëjta, në kushtet e një ndarje  të barabartë të asaj që quhej pronë e përbashkët. Por si në të gjitha vendet ish komuniste, dukej ishte përpunuar pak a shumë e njëjta strategji, që në roman shprehet në një udhëzim që u jep diktatori i fundit drejtuesve të partisë sunduese të vendit, që ndoshta mund të ishte po ai udhëzim që u dha për të gjitha vendet e ish kampit komunist. Në një nga mbledhjet me drejtuesit më të lartë të vendit, kur ishte bërë e qartë  fundi i regjimit komunist, ai shprehet: “Sistemi ynë socialist ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo strategji do të synojë në dy drejtime: në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik. Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe, deri diku, mund të abuzohet me to, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan: të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga ne. Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë po ne. Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që përkrahin strategjinë tonë. ” dhe më tej shton :”“Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, të cilin e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”. Kur i mendon se këto fjalë janë thënë në vitin 1989, kur akoma  regjimi nuk kishte falimentuar dhe më pas  e mendojmë rrugën që kemi ndjekur në këto tridhjetë vite, pa frikë themi se gjithçka ka qënë e projektuar me saktësi që në atë kohë. Unë mendoj se fillimi i realizimit të kësaj strategjie  ishte krijimi i asaj që u quajt Qeveria e Unitetit Kombëtar në pranverë të vitit 1991. Kjo qeveri duke patur në një rol kyç një person, pinjoll i një prej familjeve më të larta në hierarkinë komuniste, tashmë përfaqësues i rëndësishëm i opozitës antikomuniste që pretendonte se kishte më shumë se të tjerët njohuri për ekonominë e tregut, realizoi  politikën antikombëtare të privatizimeve strategjike që kishin të bënin me shpërndarjen e pronës të përbashkët ( më saktë duhet thënë me grabitjen  e pronës) nga ata që vazhdonin të kishin pushtetin politik. U miratua ligji 7501 për shpërndarjen e tokës antarëve të kooperativave bujqësore, duke u mohuar të drejtën e pronarëve të vërtetë që iu ishte rrëmbyer prona dhe konfiksuar me dhunë nga regjimi komunist. Pasurinë e kooperativave bujqësore dhe të fermave shtetërore  e  përvetësuan drejtuesit e tyre shtetëror apo partiakë, ato që quheshin baza grosiste kryesisht me mallra importi u grabitën  nga drejtuesit e tyre dhe më pas iu vu flaka për të humbur çdo gjurmë të vjedhjes, të gjitha lokalet e shërbimeve , magazinat dhe dyqanet e të gjitha llojeve iu dhanë kundrejt një pagese fare simbolike  atyre që punonin në to që në përgjithësi ishin njerez të lidhur me regjimin. Dhe në ato ditë të zymta të dimrit të vitit 1991 kur shumica e popullit mendonte për të siguruar bukën e gojës, ishin këta grabitës që  përbënë shtresën e parë të kapitalistëve shqiptarë. Ata dolën në treg si tregtarë mallrash duke siguruar një pasuri financiare për të vazhduar më tej në rrugën e tyre të pasurimit. Dhe po këta  do të bëheshin pas disa muajsh  blerësit e  fabrikave, punishteve, trojeve, anijeve të flotës tregtare dhe gjithçkaje që kishte vlerë në këtë vend, sepse jo vetëm tashmë kishin një bazë të mirë financiare, por edhe shteti që po shkërmoqej kishte menduar të shpërnadante tek këta rezervat e veta valutore që i mbante jashtë sistemit bankar.

DIELLI: Ç’FARË ISHIN KËTO REZERVA VALUTORE JASHTË SISTEMIT BANKAR TË VENDIT?

 Dr. VILI MINAROLLI: Kjo çështje është analizuar në roman. Dihet që prej shumë vitesh udhëheqja komuniste në Shqipëri për efekte propagandistike  financonte jo lirë parti apo lëvizje që quheshin marksiste leniniste, apo edhe individë  që gjoja ishin zëdhënës të  politikës shqiptare në botë. Për këtë qëllim  prej vitesh në KQ të PPSH ekzistonte Fondi i Solidaritetit dhe shpërndahej sipas urdhërit të kreut të partisë. Nuk është e rastësishme që shefi i financës i këtij institucioni  u bë që në fillim një biznesmen me fabrikë  ku punësuan disa qindra punonjës. Po ashtu për qëllim të kundërspiunazhit që mendohej se funksiononte në shumë vende të botës, që ndiqte dhe survejonte çdo lëvizje dhe përpjekje që  mund të rrezikonte regjimin në Shqipëri, Ministria e Brendshme kishte një fond të veçantë që paguante agjentët  e saj. Nga ana tjetër  edhe banka e Shtetit kishte depozitën e saj të fshehtë që përdorej vetëm nga udhëheqja e saj për kurimin e tyre dhe vizitat private e pushime në vendet  e huaja, doktorët e huaj apo vilat dhe personelin që shërbente në to në vende të Europës siç ishte në Francë. Të gjitha këto rezerva valutore iu shpërndanë njerëzve më të besuar të regjimit, veçanërisht atyre që kishin punuar në tregëtinë e jashtme dhe apo edhe në ambasada si atashe tregtarë që në shumicë ishin njerëz të Sigurimit të shtetit, por edhe njerëzve brenda vendit që paraqisnin garanci të plota që ky “ investim” nuk do të shkonte dëm. Këta persona u quajtën njerëz të “shkathët” në ekonominë e tregut që po zhvillohej dhe ata arritën shumë shpejt ta shumëfishonin kapitalin e tyre financiar, sepse për ta “trau i doganave” nuk mbyllej asnjëherë , sistemi i tatimeve  që në këtë kohë filloi të funksiononte si një sistem i korruptuar dhe sistemi informal i ekonomisë ishte në kulmin e lulzimit.

DIELLI:  DHE KËTA PËRBËNË ATA QË JU I QUANI OLIGARKË?

Dr. VILI MINAROLLI: Sigurisht që jo, sepse  akoma nuk kanë dalë në skenë ata që më pas do tëquheshin oligarkë në kuptimin e  asaj që thanë në fillim të shkrimit. Është akoma koha e konsolidimit të partive politike dhe e eleminimit të shumë prej tyre në krahasim me periudhën e parë kur u lejua pluralizmi politik në vend. Krijimi i kësaj shtrese të pasur u bë e mundur atëhere kur politika , si pasojë e ashpërsimit të klimës për më shumë pushtet, e ndjeu nevojën e mbështetjes nga fuqia e kapitalit të tyre financiar. Jemi në hapat e para të krijimit të kësaj shtrese, kur qeveritë që ndryshohen  si rezultat i rotacioneve kanë nevojën  për më shumë kapitale financiare për shkak të shpenzimeve në fushatat elektorale dhe janë  të pasurit, kryesisht ndërtuesit në zonat urbane dhe hapësirat turistike që ua ofrojnë me dëshirë këtë mbështetje pothuaj të dy forcave politike kryesore të vendit. Por akoma qeverisja e vendit nuk është shndërruar në një simbiozë të politikës dhe oligarkëve. Në  vitin 2013 ndodh rotacioni normal i qeverisjes, por pas disa muajve do të kuptohej se qeverisja e re e të majtës që u quajt Rilindje, kishte bërë pakt me krimin e organizuar dhe pushteti politik qëndror dhe lokal kishte në përbërjen e tij kriminelë të dënuar për krime në vend, por në shumicën e rasteve në vendet europiane.Këta kishin fituar pushtet politik me anë të pasurisë të vënë në rrugë kriminale, me anë të bandave  që drejtonin në vend, me anë të kërcënimeve dhe shantazheve ndaj zonave ku kandidonin si dhe me anë të blerjes të votave të shtresave të varfëra të popullsisë. Në këtë simbiozë të politikës me krimin e organizuar filloi kanabizimi i vendit dhe furnizimi i bandave që vepronn jashtë me drogën “Made in Albania”.Jo vetëm kaq po krimi i organizuar shqiptar që tashmë kishte mbështetje politike u lidh me krimin ndërkombëtar dhe shpejt vendi do të bëhej shpërndarës i drogave që vinin nga Amerika latine  apo nga Lindja e Mesme, veçanërisht nga Afganistani dhe Turqia. Vendi u kthye në një lavatriçe e pastrimit të parave që vinte nga aktivitetet kriminale dhe qeveria ishte pjesë e fitimeve nga ky aktivitet, që i siguronte pushtetin politik. E gjithë kjo veprimtari kriminale kryhej nën ditën me diell dhe bandat kriminale kishin mbështetjen e institucioneve ligj zbatuese dhe sytë e veshët e mbyllura të përfaqësive diplomatike dhe organizmave ndërkombëtare monitoruese në Shqipëri. Pikërisht në këtë periudhë u duk qartë se qeverisë jo se i mungonte aftësia për t’u përballur dhe luftuar krimin e organizuar, jo vetëm u idendifikua si pjesë e tij,por ishte e detyruar të bënte lojën e tij. Ajo e nxorri në ankand pasurinë publike dhe fituesit e garave në tenderat formalë dhe me fitues të parazgjedhur ishin pikërisht kjo shtresë  që shtypi dhe opinioni publik filloi ta quajë oligarkia e re. Qeveria u shpërndau “bono” në formë koncesionesh pjestarëve të oligarkisë dhe vuri në funksionim  ato që u quajtën Partneriteti Publik Privat, duke u dhënë privatit të zgjedhur prej saj (lexo oligarkut) të drejtën e financimit nga buxheti i shtetit. Kjo mund të ishte një formë e efekshme në një shtet  ku funksiononin ligjet dhe institucionet  e pavarura ligjore, por jo në Shqipëri, ku kreu i qeverisë me anë të parlamentit kukull kishte tre vjet që kishte suprimuar gjykatën kushtetuese dhe gjykatën e lartë dhe me atë të ashtuquajturën reformë në drejtësi, kishte futur në kolaps sistemin ligjor të vendit. Prandaj dhe parlamenti monopartiak miratonte në vazhdimësi ligje që mbajnë emrat e oligarkëve që është forma më klasike e një shteti oligarkik. Në roman tregohet si u krijuan oligarkët në Shqipëri, që sot drejtojnë politikën jo vetëm me pjesmarrje të drejtëpërdrejtë në të duke qënë deputetë, apo kryetarë bashkish  por edhe indirekt duke emëruar deputetë apo antarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit lokal, duke qënë pronarë mediash private si mjete të manipulinit të individëve dhe të mendësisë kolektive të shoqërisë, nëpërmjet një propagande të llustrosur, që ka si elemente kryesore mashtrimin , shpifjen dhe fshehjen e së vërtetës. Thuhet se në vend funksionojnë vetëm dy burime që sigurojnë rritjen e financave të individëve, ndërtimi dhe droga. Në fillim të aktivitetit ndërtuesit ndoqën rregullat normale të tregut, por kur konkurenca u bë e pandershme sidomos me përfshirjen e politikës në biznesin e tyre dhe prishjen e tregut për shkak të përfshirjes të parave të drogës në këtë industri, sot këta oligarkë, që në përgjithësi vijnë nga bota e krimit apo të lidhur me të, drejtojnë edhe politikën e vendit. Fitimet nga droga dhe prostitucioni i bosëve të krimit shqiptar  vijnë e pastrohen  në Shqipëri në ndërtim apo në aktivitete të tjera fitimprurëse dhe lavatriçe të pastrimit të tyre janë institucionet financiare private,  agjensitë e transfertave dhe këmbimit të valutave, sallat e kumarit dhe të basteve etj. Në interes të grupit të oligarkëve që mbajnë në këmbë qeverisjen e vendit  shpërndahen fonde nga buxheti i taksapaguesve të vendit  apo shpërdorohen këto fonde. Koncesioni i Check UP me një vlerë prej 120 milion eurosh iu dha një oligarku që ka monopolin e cigareve në vend dhe ndërsa taksapaguesi paguan detyrimin e konçesionit, efekti është pothuaj i papërfillshëm sepse mungon infrastruktura dhe kontrolli sepse sistemi shëndetësor është në kolaps të plotë. Koncesioni i dializës  prej disa milion eurosh  iu dha një pronari kafeneje në një nga qytetet  e vendit, për të fshehur përfituesin kryesor. Konçesioni i sterilizimit spitalor është një tjetër rast flagrant. Trualli ku ishte Teatri Kombëtar dhe disa mijra të tjerë  pranë tij me një ligj të posaçëm të parlamentit iu dhanë një oligarku tjetër të qeverisë për të ndërtuar kulla të larta. Prishet kontrata e  ndërtimit të një autostrade me një firmë të huaj të lidhur me qeverinë paraardhëse, për ta vazhduar ndërtimin firma e një oligarku dhe arbitrazhi ndërkombëtar e detyron qeverinë të paguajë një detyrim prej 45 milion euro. Mbyllet me dhunë një televizion i huaj për shkak se ishte i pafutur nën sqetullat e qeverisë dhe se dëmtonte interesat e oligarkëve të mediave që i shërbejnë pushtetetit dhe përsëri arbitrazhi e detyron qeverinë shqiptare të paguajë një dëm prej 110 milion eurosh. Dhe skandali  i fundit  ishte ai i inçeratorëve të plehrave, tenderi i të cilave i jepet një personi që është në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa një qytetar i varfër i vendit kur nuk paguan faturën e  energjisë prej  2 apo 3 qindmijë lekë afërsisht 200 euro burgoset duke lënë në mëshirë të fatit fëmijët e tij.

DIELLI:  ZOTI MINAROLLI, SI SHPJEGOHET FAKTI QË SHQIPËRIA CILËSOHET EDHE NGA INSTITUCIONET E SPECIALIZUARA NDËRKOMBËTARE  SI NJË VEND I  KAPUR NGA KRIMI DHE KORRUPSIONI DHE NGA ANA TJETËR, KOMISIONI I ZGJERIMIT TË BE-SË E KLASIFIKON VENDIN TË AFTË PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE TË ANTARËSIMIT NË BE?

Dr. VILI MINAROLLI: Edhe kjo ide është  trajtuar artistikisht në roman. A është e interesuar qeveria të hapë  negociatat e antarësimit? Para vitit 2013 parlamenti europian kishte vënë si kusht votimin e tre ligjeve në parlament. Opozita e atëhershme që drejton sot vendin nuk pranoi t’i votonte këto ligje dy vite me rradhë. Sot parlamenti europian  ka vënë 15 kushte për hapjen e negociatave të antarësimit ku përfshihen ngritja e Gjykatës kushtetuese, penalizimi sipas ligjeve i  autorëve që organizuan vjedhjen e votave, luftë pa kompromis të krimit të organizuar etj. A është e interesuar qeveria aktuale për hapjen e negociatave të antarësimit në BE? Kjo temë trajtohet në një kapitull të veçantë, ky proçes konsiderohet nga dy personazhe të interesuar si cënim të sovranitetit që do të thotë si pamundësi për të realizuar ato veprime antiligjore, antikushtetuese dhe anti demokratike që janë në kundërshtim me standartet e BE. Si  ilustrim të asaj që  trajtohet në roman që ka të bëjë me rolin dhe qëndrimin e faktorit ndërkombëtar në vendin tonë, shërben edhe ky fakt: Kryemonitoruesi i Parlamentit europian për Shqipërinë që në përfundim të misioneve të tij paraqiste informacione të shkëlqyera për gjendjen e vendit duke fshehur të vërtetat, pasi nuk u votua për një mandat tjetër si deputet në parlamentin europian, është punësuar si këshilltar i kryetarit të parlamentit shqiptar. Jo vetëm për mua që kam shërbyer disa vite në shërbimin diplomatik por edhe për qytetarët e thjeshtë tashmë është i pakuptueshëm për të mos thënë i dyshimtë roli i përfaqësuesve ndërkombëtar qoftë i atyre të misioneve monitorues, qoftë i disa emisarëve të posaçëm  që vijnë për të justifikuar të pafalshmen për standartet që kanë në vendet e tyre, qoftë i disa përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë. Çdo kapitull ka si nëntitull  një thënie nga njerëz të shquar. Në këtë rast  dua të përmend dy prej tyre, të Platonit: “Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.” dhe të Xhorxh Oruellit :”Populli që zgjedh politikanë të korruptuar nuk është viktimë …por bashkëpuntor.”

DIELLI:  PYETJA E FUNDIT, JU ZOTI MINAROLLI  PARA DISA VITEVE, NË MOS GABOJ PARA  SE TË KALONI NË KRYE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE NË ATHINË DHE NË VJENË, KENI QËNË ANGAZHUAR NË POLITIKËN AKTIVE NË SHQIPËRI DUKE QËNË  EDHE DEPUTET I NJË PREJ FORCAVE POLITIKE KRYESORE. SI E MENDONI TË ARDHMEN E VENDIT?

Dr. VILI MINAROLLI: E vërtetë, unë u angazhova në politikë në një forcë të pozicionuar si antikomuniste për shkak të trashëgimisë familjare dhe të dëshirës për të bërë diçka të mirë në dobi të vendit. I shërbeva këtij qëllimi gjatë gjithë karierës time politike dhe profesionale. Kapitulli i fundit ka si nëntitull thënien e famshme të Martin Luter Kingut në mitingun para memorialit të Linkolnit :” Unë kam një ëndërr.” Kjo ishte ëndrra për të cilin ai kishte luftuar gjithë jetën dhe për të cilën edhe e vranë. Por ëndrra e tij nuk mbeti hipotetike. Ajo u realizua dhe është frymëzim për arritje të tjera po aq të mëdha që luftoi Martin Luter King. Kapitulli i fundit ,epilogu i romanit është ëndrra ime, që një ditë jo shumë të largët edhe Shqipëria do të bëhet një shtet demokratik, ku të sundojë ligji. Romani Oligarkët është një ilustrim dhe frymëzim  nga filozofia e Karl Popperit se në kundërshtim me teorinë klasike të demokracisë që është sundimi i popullit dhe njerëzit kanë të drejtë të sundojnë, ai thotë se askund populli nuk sundon në të vërtetë. Janë qeveritë ato që sundojnë dhe për fat të keq edhe burokratët . Ai pranon “jo një qeveri të sundimit të popullit, por një shtet i sundimit të ligjit, që paralajmëron shkarkimin pa gjakderdhje të qeverisë më shumicë votash”.  

DIELLI: Faleminderit për intervistën!

Dr. VILI MINAROLLI:Kënaqësia ishte imja.Faleminderit Diellit!(Publikoi gazeta Dielli, SHBA)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dr. Vili Minarolli, Oligarket e Shqiperise, Sokol Paja

VATRA FESTOI MË GËZIM E KRENARI FESTËN E PAVARËSISË

November 29, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA-

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një ceremoni festive patriotike me rastin e 108 vjetorit të festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Të mbledhur në Vatër me gëzim e vëllazëri, patriotët vatranë në zbatim të rregullave të guvernatorit të New Yorkut në lidhje me masat e pandemisë globale, në rakordim me masat e autoriteteve shëndetësore, festuan ditën e lirisë së shtetit shqiptar.

Një traditë e shkëlqyer që u ruajt edhe këtë vit edhe pse kushtet ishin të jashtëzakonshme.Takimi vëllazëror u hap me mbajtjen e një minuti heshtje për vatranët e humbur këtë vit dhe viktimat e Covid-19.

Takimin e hapi Editori i Diellit Dalip Greca i cili pasi falenderoi miqtë, uroi Pavarësinë dhe theksoi rëndësinë historike që ka kjo datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar. Editori i Diellit Dalip Greca i cili prej 11 vitesh ka bërë një punë të jashtëzakonshme në krye të gazetës Dielli, sidomos me numrat special të Pavarësisë, pasi uroi shqiptarët kudo ndodhen për festën e Flamurit, bëri një retrospektivë nga Pavarësia te gjendja e vështirë e shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. Z.Greca ndër të tjera tha: “Është një ditë e shënuar, dita e ngritjes së flamurit kuq e zi, e cila e ka zanafillën e saj që në  28 Nëntorin e vitit 1943 në fortesën e Krujës, ku Gjergj Kastriot Skënderbeu heroi ynë kombëtar lartesoi flamurin dhe shpartalloi garnizonin turk dhe vendosi atje flamurin kuq e zi të cilin dorë pas dore e trashëguan shqiptarët derisa e ringritën duke bërë përpjekje herë pas here. Gjurmët e Flamurit i gjejmë nëpër vite,ku shqiptarët e Amerikës e kanë që në 1908, e kanë çuar edhe në Shqipëri dhe janë kthyer prapë, ndërkohë që në 6 Prill 1911 malësorët tanë më në krye Ded Gjon Lulin e ringritën flamurin kuq e zi për të ardhur dita e madhe të ciles i paraprijnë edhe kryengritjet e Malësisë dhe të Kosovës të viteve 1910 -1911 dhe 1912. Shqiptarët qenë të pafat që atë Flamur ta kishin ngritur në Shkup dhe qe aty ta shpallnin Shqiperine e mosvarme nga Turqia. Për të ardhur tek data 28 Nëntor 1912, ngritja e Flamurit në Vlorë nga Ismail Bej Qemali, duke pase prane kreret nga e gjithe Shqiperia Etnike. Vatra ka meritën se e orientoi pavarësinë e Shqipërisë, orientoi edhe Kuvendin e Vlorës, duke qënë Faik Konica Kryetar i Vatrës në ato momente, pra në Nëntorin e 1912 ai do ti dergonte një telegram Kuvendit të Vlorës dhe do të kërkonte që Kuvendi i Vlorës dhe shqiptarëve në përgjithësi, orientojeni Shqipërinë nga perendimi, gjeni një Princ që të na vijë nga perendimi sepse 28 Nëntori e gjeti Shqipërinë aty ku ishte pa asnjë lloj infrastrukture, asnjë shkollë Shqipe dhe asgjë tjetër. Të tre armiqtë kryesorë të Shqipërisë ndër shekuj edhe sllavët,grekët e turqit, shkollën Shqipe e kishin halë në sy dhe nuk e lejuan gjuhen kombetare shqipe. Kjo ishte arsyeja që Konica orientonte që Shqipëria të kishte orientim perendimor. Fatmirësisht princi perendimor, princ Vidi erdhi por fat i keq ishte që iku para se të vinte. Qe në ato momente s’kemi më shtet shqiptar nga 1914 deri në vitin 1920. Kemi Vatrën tonë që i priu mbrojtjes së shtetit, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë” përfundoi editori i Diellit z.Dalip Greca. 

 Më tej fjalën e rastit për të uruar festën e flamurit e mori Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Ai uroi shqiptarët për unifikim, bashkim, paqe, zhvillim dhe shpresë. Kryetari Berisha deklaroi: “Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA uron të gjithë shqiptarët GËZUAR FESTËN E FLAMURIT. Kjo ditë e shenjtë për të gjithë ne, është një ditë krenarie, lavdie dhe reflektimi të thellë. Sot më shumë se kurrë përkujtojmë aktin e lartë patriotik të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 firmëtarët e Pavarsisë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot u shpreh mirënjohje të thellë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij. Në emër të VATRËS, vatranëve dhe diapsorës shqiptare në Amerikë, perzemersisht shpreh nderimet e mia më të thella, respektet më të veçanta dhe përuljen time ndaj çdo patrioti të nderuar që me veprimtarinë e tyre atdhetare e perpjekjet e pa ndalura, ne gëzojmë shtetin që kemi sot. Uroj të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet etnike që të festojnë me krenari e shpirtin plot 28 Nëntorin, ditëlindjen e shtetit shqiptar. Në këtë ditë nderimi dhe mirënjohje, ftoj të gjithë shqiptarët që të jemi më të bashkuar, më solidarë, më të dashur, më bashkëpunues me njëri-tjetrin që ta çojmë përpara drejtë përparimit, progresit, zhvillimit dhe lulëzimit atdheun tonë të bukur e të shtrenjtë. Jetojmë në kohë të vështira globale për shtetin dhe kombin tonë, ndaj lutjet tona në këtë moment shkojnë për të gjithë ata që kanë humbur jetën në përballje me pandeminë globale. VATRA do të mbështesë me çdo mjet dhe me çdo kusht Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në rajon dhe çdo shqiptar kudo në botë. VATRA do jetë çdo herë një zë unifikues dhe i fuqishëm dhe do të luftojë për Shqipërinë, Kosovën e çdo shqiptar. Vatra do të afrojë edhe më shumë patriotë, bij e bija të nderuar të Shqipërisë e Kosovës, intelektualë, duke bërë krenar çdo shqiptar për formacionin patriotik që do i bashkangjitet elitës shqiptare në VATËR. Bashkë do të jemi më të fortë. Ne do ta bëjmë atdheun tonë krenar çdo ditë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha viset shqiptare. Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë” uroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Agim Rexhaj Presidenti i Nderit të Vatrës u shpreh: “Të nderuar dhe të dashur vatran, Kryetar i nderuar, zonja Sekretare , Kryeredaktor, Nënkretar, Anëtar dhe të gjithë ju të pranishëm me gjithë zemer ju uroj Gëzuar Festën e Flamurit, të 28 Nëntorit. Shfrytëzoj rastin të uroj dhe të përshëndes të gjithë vatranët që sot s’munden të jenë me ne, të gjithë vatranëve kudo që janë nëpër të gjitha degët e Vatrës. Në të njëjten kohë përshëndes dhe uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, dashtë Zoti që shqiptarët në një të ardhme të afërt të jenë të bashkuar. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Pavarësinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohërat. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë Vatrën dhe vatranët, gazetën Dielli që e kemi gazetën më të vjetër në botën shqiptare më në krye Kryeredaktorin dhe zotin Sokol i cili po bën punë të mrekullueshme, stafin e tyre dhe të gjithë ata që kanë kontribuar dhe po kontribuojnë. Kjo gazetë në këto kushte edhe pse jemi në pandemi del rregullisht dhe sot ka dal me një numër mjaft special, dhe jam i bindur sepse që prej 11 vitesh Kryeredaktori ka bërë një punë të shkëlqyer. Edhe një herë ju përgëzoj për punën, ju përshëndes të gjithëve dhe Gëzuar Festën” u shpreh ai. Dr. Pashko Camaj, Nënkryetari i Vatrës, uroi në emër të të gjithë nënkryetarëve ku theksoi: “Gëzuar Festën e Flamurit të gjithëve. Vitin që vjen do ta festojmë pa maska. Situata e pandemisë do kalojë shpejt. Ishte një vit i vështirë me sfida. Vitin që shkoi kishim ditët e tmerrshme të termetit në Shqipëri. Ju uroj dhe përgëzoj të gjithëve për këtë festë shumë të rëndësishme. Uroj për të gjithë gëzim dhe të shohim përpara për të mirën e secilit prej jush dhe për të mirën e Vatrës e gjithë shqiptarëve kudo në botë” uroi Dr.Camaj. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu përkujtoi në ditën e Pavarësisë Nolin e Konicën: “Desha të them që bashkë me ne sot janë shpirtrat e Nolit e Konices, shpirti i Zotit Ndreu, i Kryetarit Karagjozi dhe i Zotit Zef Perndocaj. Qoftë në amshim shpirti i tyre dhe njëkohësisht gjithnjë pranë nesh për patriotizmin dhe për mundësinë që ata patën që të na e lënë Vatrën kështu siç e kemi. Faleminderit dhe Gëzuar Festën” uroi ajo. Ibrahim Kolari, anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Ju të gjithë që keni ardhur sot Gëzuar dhe dhashtë Zoti që vitin e ardhshëm ta festojmë më madhështore. Faleminderit që na keni ardhur dhe fjalët e bukura që thatë. Gëzuar Festën e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve” uroi ai. Luigj Gegaj, Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë dega Malësi e Madhe, deklaroi në Vatër për Pavarësinë: “Kam nderin të jem pjesëmarrës në këtë festë. Për shqiptarët është një festë jashtëzakonisht e madhe, është identiteti dhe pashaporta e shqiptarit. Më bëhet zemra mal që ju shoh të bashkuar dhe që as pandemia s’po mundet tju ndajë. Ju shpreh ngushëllimet familjarëve dhe Vatrës për disa vatranë që kanë humbur jetën nga Covidi. Të falenderoj ty Dalip për punën e palodhur, uroj Kryetarin për detyrën që ka marrë, është një detyrë shumë fisnike, më shumë se 1 shekullore, që ta përmbushni me sukses sepse është një mision i bekuar. Ju po mbani kulturen gjallë, po mbani shqiptarizmin gjallë  edhe ndonëse shumë larg amës, ju po e mbani gjallë. Ky është një akt shumë fisnik. Ju përshendes të gjithëve dhe Gëzuar” u shpreh ai. Të gjithë të pranishmit uruan e përgëzuan njëri-tjetrin në fund të takimit festiv përmbyllës për ditë më të bukura e më të lumtura për Vatrën, familjet e tyre dhe gjithë shqiptarët kudo në botë. 

Vatra falenderon z. Tony (Tush) Musaj, i cili sponsorizoi darken qe u shtrua me rastin e Festes, nderkohe pijet i sponsorizoi Kryetari Elmi Berisha.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: 28 nentori, Sokol Paja, Vatra festa

GJYKATA SPECIALE E INSKENUAR NGA SERBIA. SHPRESË VETËM TEK AMERIKA

November 27, 2020 by dgreca

Metush Kryeziu, Komandant Batalioni në UÇK, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Malishevë, ushtrues detyre i Nënkryetarit të OVL në Selinë Qëndrore Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale ka si qëllim diskreditimin e luftës së UÇK. Kjo gjykatë sipas Komandant Kryeziut është e inskenuar nga Serbia dhe se e vetmja shpresë për zgjidhje të drejtë është Amerika.

GJYKATA SPECIALE DO TË DISKREDITOJË LUFTËN E UÇK

Gjykata Speciale tregoi se qëllim të vetëm ka diskreditimin e luftës së UÇK-së dhe jo drejtësinë, sikur e pretendon. Gjykata Speciale është gjykatë e njëanshme dhe kjo gjykatë arrestoi krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës pa të drejtë juridike. Tashmë, është e qartë për secilin, që nuk i mbyll sytë me dashje, se themelimi i Gjykatës Speciale në Kosovë është një mashtrim dhe padrejtësi e madhe që po i bëhet popullit shqiptar. 

GJYKATA SPECIALE E INSKENUAR NGA SERBIA

Kjo Gjykatë e inskenuar nga Serbia dhe qarqet anti shqiptare ishte një mashtrim dhe vetëmashtrim i imponuar edhe me joshje e beneficione, por edhe me shtrëngim, kërcënim e shantazhim individual e kolektiv, me gjoja rrezikun e një Gjykate të njëanshme të miqve të Serbisë në Këshill të Sigurimit e në OKB, nga njëra anë, dhe me liberalizim vizash e përshpejtim të integrimit euroatlantik, në anën tjetër. Kjo Gjykatë naziste ashtë një e pa drejtë më e madhe që njeh historia ndonjëherë, e cila po tenton te degradojë luften e shenjtë të Kombit Shqiptar, luften e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

AKUZA ME DËSHMITARË TË RREMË

Këto akuza mbi të cilat ka prerë fletëarrestet Prokuroria Speciale, janë akuza të fabrikuara në Serbi me dëshmitarë të rremë. Një proces farsë. I gënjeshtërt dhe i papranueshëm. Gjykata Speciale po bën një krim të madh me këtë drejtësi të stisur. Kjo është një Gjykatë e rremë e krijuar në një proces politik të rremë e të padrejtë mbi kauza që nuk qëndrojnë dhe nuk kanë qenë kurrë të vërteta. Kur akuza e Gjykatës ra për trafikimin e organeve, në mënyrë djallëzore dhe tinëzare, kjo Gjykatë ndërroi kahjen dhe ngriti akuza të tjera të bazura në prokurori e kriminelë serbë. Asnjë gjykatë, asnjë prokurori, asgjë institucion në këtë botë nuk mund të hedh baltë mbi luftën e drejtë e të pastër të UÇK.

AGRESORI U KTHYE NË VIKTIMË

Turpi më i madh i kësaj Evrope është që merret me akuzimin e viktimave të luftes, ndërsa agresorin e ka kthyer në viktimë. Kjo gjykatë po vret edhe njëherë 13.000 viktimat që vrau Serbia. Kjo gjykatë po “perdhunon” prapë 20.000 motrat tona. Kjo gjykatë po vret të mitur pleq e gra. Kjo gjykatë po shfaros, po shkatërron gjithçka që është ndërtuar në Kosovën e pas luftës. Kjo është tepër e rëndë për popullin tonë, për shtetin tonë, për kombin tonë. 

SITUATA E RËNDË INSTITUCIONALE

Arrestimet e padrejta të krerëve të shtetit të Kosovës dhe të krerëve të luftës kanë shkaktuar një situatë të rëndë në vend. Institucionet në Kosovë janë të brishta. Situata pandemike po bëhet çdo ditë më e rëndë. Arrestimi i kreut të shtetit dhe atyre që udhëhoqën për të ardhur kjo liri përbëjnë një ngjarje tepër të papranueshme. Krerët e shtetit dhe të luftës akuzohen padrejtësisht në emër të Drejtësisë. Situata është e pa përballueshme. Vendi ynë jeton ditë të zymta. 

GJYKATA SPECIALE NË KUSHTETUESE

Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës jemi duke punuar për ti mledhur nënshkrimet nga Deputetët për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë gjykatë Speciale. Kjo gjykatë është një maskaradë. Kjo gjykatë është e paligjshme. Asnjë Gjykatë në botë nuk mund të veprojë me mandat të skaduar. Gjykata Speciale është e vetmja gjykatë në planet që po vepron pa mandat. Si mundet Evropa ta pranojë këtë? Kjo nuk ndodh askund. Që nga Gushti i këtij viti, kjo gjykatë nuk ka më asnjë mandat dhe asnjë të drejtë. Disa deputetë na kanë premtuar për inicim të procesit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Po punojmë fuqishëm. Jemi duke menduar dhe skenarin e protestave dhe çdo skenar të mundshëm deri sa të dalë e drejta jonë. Askënd në këtë botë nuk do ta lejojmë të veprojë padrejtësisht në kurrizin tonë. 

SHPRESA VETËM TEK AMERIKA

E vetmja shpresë në Kosovë dhe në këtë proces të pandershëm dhe të padrejtë është Amerika. Shpresojmë, u bëjmë thirrje dhe kemi besim se Shtetet e Bashkuara do ta ndalin hovin dhe qëllimet e kësaj gjykate poshtëruese që ka per qëllim të barazojë luften e popullit, luften Çlirimtare me agresorin serb që ushtroi genocid në Kosovë. Kjo Gjykatë Speciale po përkrahet fatkeqësisht edhe nga disa shtete Evropiane si dhe qarqe të brendshme për interesa personale , duke lënë mënjanë interesin kombëtar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Koamndanti, Metush Kryeziu, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT