• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTOHET DITA E ASHURES NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN

September 5, 2020 by dgreca

Eliton Pashaj, Dervishi i Teqesë Bektashiane Shqiptare në Michigan, rrëfen për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, festimin e festës së Hashures organizuar nga Teqeja e Baba Rexhebit në Michigan. Me Dervish Eliton Pashaj bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

ASHURE NË KOHË PANDEMIE

Ashtu siç është tradita fetare e Bektashinjve edhe këtë vit në SH.B.A u bë përkujtimi i ditës së Ashures, ndryshe nga vitet e tjera për arsye të pandemisë globale Teqeja e Baba Rexhebit ka bërë një  risi në këtë organizim duke e bërë shpërndarjen e Ashures në drive-through për të ruajtur shëndetin e të gjithë besimtarëve por dhe për të mos e shkëputur traditën 66 vjeçare të filluar nga themeluesi i Komunitetit Bektashian Halife Baba Rexheb, në vitin 1953. Falë përkushtimit të klerikut të këtij institucioni dhe ndihmës së vullnetarëve edhe në këtë kohë pandemie globale, besimtarët Bektashi në Amerikë morën pjesë në  ceremoninë e Ashures që u drejtua nga Dervishi Eliton Pashaj, kleriku i Teqes Bektashiane Shqiptare në Michigan.

LUFTA E QERBELASË

Lufta e Qerbelasë është tragjedia më ngjethëse në historinë e Fesë Islame. Ky përkujtim bëhet dhjetë ditë me radhë në dhjetë ditët e para të hënës Muharem, sepse ngjarja e Qerbelasë ndodhi pikërisht në këtë hënë, në vitin 63 të Hixhretit. Ky përkujtim, në persisht quhet matem, fjalë e cila do të thotë të mbajtur zi. Për kujtim dhe nderim të Dëshmorëve të Qerbelasë, besimtarët gjatë dhjetë ditëve të Matemit nuk pinë ujë. Përveç kësaj, gjatë Matemit, të gjithë bektashinjtë mënjanojnë lukset dhe dëshirat, dhe për të përkujtuar ngjarjet e paharrueshme të Qerbelasë shkojnë në teqe me zëmër të pikëlluar dhe me këto fjalë në gojë: Ja Imam! Ja Imam! Por në kohën e Matemit, bashkë me ngjarjet e Qerbelasë, përkujtohen edhe të gjitha ngjarjet dhe sakrificat e mëparshme, të bëra në shërbim të njerëzimit. Përmenden me radhë vuajtjet dhe mundimet që hoqën të gjithë Profetët për plotësimin e misionit të tyre të shenjtë. Këto përmendje, gjatë dhjetë ditëve të matemit bëhen sipas kësaj radhitje: Natën e parë përkujtohen mundimet që hoqi Profeti Adem në kryerjen e misionit të shenjtë. Përmendet edhe krimi që ndodhi midis djemve të tij si edhe ngjarjet që ai vetë përshkoi në misionin për tu përsosur. Përkujtohen ngjarjet e Nuhut, i cili në plotësimin e misionit të vet, vuajti shumë prej popullit. Përkujtohen vuajtjet e Ibrahimit, i cili u hodh në zjarr prej Nemrodit të mallkuar sepse predikonte rrugën e drejtë të Perëndisë. Natën e dytë përkujtohen vuajtjet e Profetit Muhamed, i cili hoqi shumë mundime për ta nxjerrë popullin nga errësira e skllavërisë në dritën e mirësisë e të njerëzimit. Natën e tretë përkujtohet i Madhi Ali, i cili ra Dëshmor për ta udhëhequr botën në rrugën e mbarë. Natën e katërt përkujtohet Imam Hasani, i cili u helmua prej njerëzve të pabesë e të pashpirt, sepse predikonte paqen dhe rrugën e vërtetë. Natën e pestë përkujtohet gjithë jeta e Imam Hysejnit. Natën e gjashtë përkujtohet emigrimi i Imam Hysenjit prej në Medine në Mekë, që e bëri për të mos shkaktuar grindje me Jezidin. Natën e shtatë përkujtohet Myslim Ibën Akili, i cili shkoi si delegat i Imam Hysejnit në Kufe, ku u tradhtua dhe ra dëshmor bashkë me të dy djemtë e tij të vegjël, Muhtarin dhe Ibrahimin. Natën e tetë përkujtohet udhëtimi i Imam Hysejnit për në Kufe, ku shkonte i ftuar nga populli për t’i drejtuar në rrugën e mbarë. Natën e nëntë përkujtohet arritja e Imam Hysejnit në Qerbela, në të cilin vend mori letrën e Myslimit, me të cilën Myslimi e paralajmëronte të mos shkonte në Kufe, sepse populli e pat prerë në besë. Natën e dhjetë që është nata e fundit, tregohet lufta e Qerbelasë, ku Imam Hysejni ra Dëshmor në fushën e Fesë së bashku me shokët e tij. Kur merr fund Matemi, atëherë në Teqetë fillon të përgatitet Ashurja, ëmbëlsira e përmotshme në kujtim të ngjarjes së Qerbelasë. Ashurja përgatitet me një ceremoni fetare të veçantë, gjatë së cilës këndohet me zë të lartë Merthijeja, një vjershë vajtimi për Imam Hysejnin. Në mbarim të kësaj ceremonie, dhe pasi bëhet lutja fetare në një heshtje të madhe të zisë, populli i mbledhur në teqe fillon të hajë Ashure, duke përkujtuar me adhurim Imam Hysejnin dhe duke mallkuar Jezidin dhe pasuesit e tij.

TEQEJA BEKTASHIANE E BABA REXHEBIT HUMANIZËM E SOLIDARITET NË KOHË PANDEMIE

Bujaria, zëmërgjerësia dhe mirënjohja janë ndër virtytet më të larta të shqiptarit. Në një kohë kur bota përballet me një virus vdekjeprurës global, të shprehësh mirënjohje e falënderim për luftëtarët e vijës së parë është një mirënjohje shumë e veçantë. Këtë e bëri Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan ku gatoi dhe shpërndau ushqime për policë e zjarrfikës të shtetit të Michiganit. Në çdo sfidë që ka kaluar shteti shqiptar dhe historia shtetformuese e kombit tonë, padyshim kleri fetar ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Bektashinjtë shqiptarë kanë qenë kurdoherë një vatër e ngrohtë atdhedashurie. Bujaria, mikëpritja dhe atdhedashuria kanë qenë përherë virtyt i lartë i bektashinjve shqiptarë. Teqetë Bektashiane historikisht i janë gjendur pranë komunitetit shqiptar si në kohë të begata ashtu edhe në kohë të vështira. Dyert shpirtërore dhe institucionale të këtyre institucioneve klerikale kanë qenë të hapura për çdo njeri pa dallim rrace apo feje.

Filed Under: Featured Tagged With: Dervish Eliton Pashaj, Pandemi, Sokol Paja

PIKTURA SI NJË POEZI E HESHTUR PËRMES NGJYRAVE DHE MOTIVEVE

September 4, 2020 by dgreca

Piktorja Besa Dauti, kuratore dhe udhëheqëse e sektorit artistik në Institucionin Nacional në Galerinë e Arteve Pamore Tetovë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, artin si forcë krijuese dhe emancipuese në shoqëri. Me Besa Dautin bisedoi gazetari i Diellit, Sokol PAJA. 

TRËNDAFILI NË KRIJIMET ARTISTIKE, MISTICIZMI.

Në jetën time profesionale jam kujdesur gjithmonë që me artin tim të përcjell vlera dhe pozitivitet. Kam zgjedhur trëndafilin si një formë komunikimi e cila gjithmonë në thelb të saj ka mesazhin e dashurisë, anën njerëzore, ëndërrat, vështirësitë, këmbënguljen. Trëndafili shpreh simbolika të caktuara duke i dërguar sipas rastit të dashurve tanë mesazhet e paqes, dashurisë dhe lumturisë. Misticizmi i  trëndafilit qëndron në aftësinë e tij për të kamufluar nën petkun e një ngjyrë të caktuar një mesazh, ashtu si njeriu edhe trëndafili duron diellin, duron shiun. Kjo më ka bërë mua të jem një adhuruese e trëndafilit duke e bërë pjesë të jetës time artistike e cila më mbush me pozitivitet. Trëndafili në veprat e mia është një manifestim special i një ndjesie time të caktuar me publikun. Ky korelacion e ka bërë të bukur marrëdhënien tonë dhe pranueshmëria që më është bërë nga artdashësi im më ka motivuar të emetoj të gjithë ndjesinë time në pikturat e mia. Mundohem të ruaj këtë vrull krijues me veprat e mia dhe ti jap vetes dhe të gjithëve lumturi që nuk krahasohet me asgjë. Ka një thënie: Për piktorin e vërtetë më e vështirë është të pikturojë një trëndafil pasi së pari duhet të harrojë të gjithë trëndafilat që janë pikturuar ndonjëherë.

ARTI, FORCA QË CIVILIZON SHOQËRINË

Unë besoj shumë në fuqinë e artit për të bashkuar dhe jo për të ndarë, për të dashur dhe jo urryer, për të mbjellë paqe dhe jo luftë, për të pranuar ndryshimin dhe jo margjinalizimin e askujt. Kjo është forca  e artit e cila nuk mund të krahasohet me asnjë lloj force tokësore në botë. Përfitimet që vijnë si rrjedhojë e edukimit me artin janë një kultivim i gjeneratave të reja me aftësinë për të përqafuar të bukurën duke arritur të ruajnë një raport shumë të drejtë me tradicionalen. Përmirësimi i gjykimit dhe rritja e aftësisë krijuese tek njerëzit dhe brezat e rinj bën që ata të jenë më kreativ dhe mendjehapur duke dhënë një kontribut të paçmuar në vijimësinë e civilizimit të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj tonës në veçanti, dhe kjo është ideale për mendimin tim. Mënyra se si e përjetojmë botën, e cila për çdo piktor është një shtrirje e personalitetit, diçka më personale e asaj që shprehim nëpërmjet ngjyrës dhe motivit e cila është një poezi e heshtur dhe vetëm shikohet.

DEPËRTIMI TEK PUBLIKU SI SFIDË ARTISTIKE

Arti është sinonim i të bukurës dhe patjetër tek ne shqiptarët që kemi qënë të privuar në njëfarë mënyrë në manifestimin e të gjitha ndjesive të brendshme në vepra të ndryshme artistike,  kjo ka bërë që veçanërisht në këto tri dekadat e fundit ta duam më shumë artin. Nuk  mund të them që kjo na ka trazuar rrugën ne artistëve sepse njëkohësisht ndryshimet shoqërore, të shpejta dhe te dhunshme bënë që përballë sfidave të reja arti të ishte shumë luks, por ajo që desha të theksoj konsiston në artdashurinë e shqiptarëve për të marrë mesazhin e artit.

PIKTURA SI KOMUNIKIM I NGROHTË ME PUBLIKUN 

Edukimi i hershëm artistik ndikon në rritjen e aftësisë së pari për ta njohur artin dhe më pas për të marrë mesazhet e tij. Mesazhet që përcillen përmes artit krijojnë tek artdashësi një komunikim i cili ndikon në mënyrën e konceptimit të gjërave. Kjo ka bërë të mundur që tek njerëzit të përcillet mesazhi i tolerancës, të kuptohet që nëpërmjet kreativitetit mund të lësh një gjurmë të mirë e cila do kontribuojë në komunitetin ku jeton apo do të jetojnë. Aftësia përceptuese fitohet duke kuptuar dhe edukuar mesazhin e ngjyrave. Së fundmi në ekspozitat e mia mund të them që kam vërejtur që njerëzit gjithnjë e më tepër kanë simbolikat e ngjyrave, pra kjo tregon që një koncept minimalist por një hap pozitiv në njohjen e artit dhe mesazhit të tij. Jam shpesh edhe një vëzhguese e mprehtë e botës,mjedisit të përditshëm qoftë e mirë apo dëshperuese, ku nxjerr çdo herë më të mirën dhe stimulohem nga situatat që më frymëzojnë qoftë edhe diçka shumë e vogël apo e thjeshtë sepse mbi të gjitha një vepër arti është një aventurë e mendjes.

MESAZHET MË TË FORTA SI ARTISTE 

Mesazhet e pikturave të mia konsistojnë në një përzgjedhje të kujdeshme të ngjyrave në mënyrë që energjia e përgjithshme e një pikture të dominohet nga mesazhe pozitive. Nuk mund të them që janë ngjarje të caktuara që  më ndikojnë në punën time artistike. Është një gjë që e bëj me pasion dhe në mënyrë periodike, është një nevojë e një grumbullimi të caktuar ndjesish të cilat krijohen nga një botë e imja artistike dhe nevojës që ato të materializohen në pëlhurë duke nxjerr kështu një vepër të caktuar, e cila deri tani faleminderit Zotit dhe publikut tim ka qënë shumë motivuese për të më ndihmuar në rrugën time. Kur nis të pikturoj jam gjithmonë e qetë por nëse ndonjëherë jam e dëshpëruar nga shumë faktorë, është ngjyra pika ku tërhiqem plotësisht nga bota e jashtme, është kënaqësi e papërshkrueshme kur sheh ngjyrat e këndshme si shkëlqejnë në pëlhurë.

MOTIVET JETËSORE FRYMËZUESE

Krijimtaria ime ushqehet në vazhdimësi nga përditshmëria ku gjithnjë përpiqem të marr më të mirën e mundshme nga ambienti dhe njerëzit që më rrethojnë. Për punën time diçka shumë pozitive është fakti që kur ndodhem në një gjendje të caktuar shpirtërore i vetmi shpëtim është brusha e cila më bën të futem në botën e pikturës duke u harruar nga çdo energji negative. Nëpërmjet ngjyrave mund të shpreh rrëmujën apo qetesinë e brendshme e cila fillon në disa raste me diçka konkrete dhe më pas e gjej veten të fluturuar në kohë dhe me një punë të avancuar goxha. Kjo më bën ta dashuroj punën time dhe mund të them pa frikë që nuk është puna ime por jemi një, pra jetoj për ta bërë këtë art.

RAPORTI DRITË-ERRËSIRË, JETË-VDEKJE NË PIKTURË

Në punën time jam udhëhequr gjithmonë nga jeta dhe drita. Ngjyrat që përdor në vijimësi janë të ëmbla dhe të këndshme që përcjellin vetëm pozitivitet. Përpjekja është që ti jap sa më shumë që të jetë e mundur ngjyra jetës dhe të bukurës që na rrethon. Të gjitha fenomenet negative të cilat na rrethojnë në ditët e sotme besoj që janë më se të mjaftueshme për krijimin e nje sinergjie e cila fatkeqësisht dominohet nga intoksikimi i shoqërisë. Prandaj kontributi i punës sime është gjithmonë në ekspozimin e të bukurës së jetës. Nuk është kaq e thjeshte por këtë bëj dhe do bëj gjithmonë sepse besoj është ajo çfarë kanë më shumë nevojë njerëzit.  Bukuria e jetës që na rrethon është shumë atraktive dhe duhet me patjetër të marrim më të mirën e mundshme prej saj.

HAPËSIRA E ZOTIT NË KRIJIMTARINË ARTISTIKE

Zoti për mua është forca e brëndshme e cila na jep fuqi secilit sipas nevojave që kemi. Unë jam shumë e kënaqur që marr forcë nga besimi në Zot dhe mbështetje sa herë që jam me një moral te ulët. Si çdo njeri edhe unë kam ulje ngritjet e mia dhe besimi më ka bërë një njeri më të plotë, më të ndjeshëm, më njerëzore. Pra mendoj që besimi në Zot na bën ne njerëzve minimalisht më të mirë, më të kuptueshëm, më kreativ dhe për rrjedhojë më të suksesshëm.

MESAZHI JUAJ PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Ju falenderoj shumë për këtë intervistë duke më bërë pjesë të dritares suaj shumë të rëndësishme të komunikimit me publikun. Jam shumë krenare kur dëgjoj, shikoj apo përjetoj momente të cilat tregojnë që ne shqiptarët kur jemi të bashkuar nuk reshtim së prodhuari suksese të cilat lartësojnë dhe nderojnë emrin e shqiptarëve anë e mbanë globit, por edhe çojnë përpara amanetin e të parëve tanë për një Shqipëri dinjitoze për të gjithë shqiptarët. Ju jeni një ndër këta kontribues të heshtur me një punë jashtëzakonisht të vlerësuar.

KUSH ËSHTË BESA DAUTI

Besa Dauti ka kryer studimet te Universiteti i Arteve të Bukura, dega Pikturë. Tetovë, Maqedonia e Veriut. Besa Dauti eshte Kuratore dhe Udhëheqëse e sektorit artistik në Institucionin Nacional në Galerinë e Arteve Pamore, Tetove. 

Filed Under: Opinion Tagged With: kuratore, Piktorja Besa Dauti, Sokol Paja

4 FILMA SHQIPTARË KONKUROJNË PËR TROFE NË NEW YORK

September 3, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI-

Katër filma të katër prej regjizorëve Shqiptarë janë vlerësuar lart nga juria e Festivalit të Filmit “New York True Venture Film Festival – NYTVFF” dhe janë nominuar në kategori si: montazhi, të drejtat e njeriut, filmi eksperimental, fëmija aktor, romanca, regjia më e mirë etj. Këta janë filmat dhe regjizorët e vlerësuar më lart nga juria dhe të nominuar: “RRUGA” me regji të Besim Ugzmajlit; “LUGATKA” me regji nga Altin Sulaj; “Një Dashuri”  nga regjizori Viron Roboci; si dhe “VULA” e regjizorit Valmir Tertini. Për shkak të Pandemisë globale, në 6 Shtator në orën 15:00 do shfaqen në faqen e festivalit në Facebook (facebook.com/NYTVFF) videot prezantuese të filmave të nominuar dhe do të përgëzohen  artistët që kanë fituar çmime në kategoritë përkatëse. 

ANËTARËT E JURISË

Juria e New York True Venture Film Festival ka bërë vlerësimin e filmave të ndarë nga tre filma në 24 kategori. Puna e jurisë ka qënë voluminoze dhe transparente, ndërsa një pjesë e  filmave kanë një diferencë shumë të ngushtë pikësh mes tyre. Dhjetë anëtarët e jurisë janë profesionistë të suksesshëm në fushat e tyre respektive të artit. Tre  prej tyre janë me origjinë Shqiptare: 

GJILBERTA LUCAJ COHEN është një profesioniste e muzikës dhe mësuese e  violincelit si dhe një aktore e talentuar. 

ADRIATIK BERDAKU është një drejtor fotografie me  shumë çmime dhe me një eksperiencë 25 vjeçare në këtë fushë, një pjesë të së ciles në radiotelevizionin Italian. 

GEORGIOS BENO s’ka 2 vjet që ka mbaruar St. John’s University për Film dhe Televizion dhe ka punuar në disa filma dhe seriale, ndersa ka asistuar dhe mjeshtrin e njohur të fotografisë zotin Fadil Berisha. Përsa i përket pjesës Amerikane të jurisë, ata janë gjithashtu profesionistë të shquar në fushat e tyre.

ALEXA SERVODIDIO është një aktore,prezantuese në emision e saj në radio, psikiatre, dhe autore librash.

JOE ËOOLEY është një aktor profesionist i cili shërben në Shtetin e New York_ut dhe Komitetin Kombetar të SAG-AFTRA (Screen Actors Guild – American Federation of Television & Radio Artists).

JOSH SHULL është skenarist, producent, dhe menaxher i vendeve të xhirimit i cili  ka punuar për kompani të mirënjohura produksioni si: Viacom Media Network, VH1, HBO, NBC studios etj.

MARDIG BIDANIAN është anëtar i bordit drejtues të Montreal International Wreath Award Film Festival (MIWAFF)që prej vitit 2015 dhe anëtar jurie që prej vitit 2017, si dhe asistent në produksion filmi.

WILHELM LEWIS është një aktor dhe model që është shfaqur në filma përkrah aktorëve të njohur si Queen Latifa, Denzel Washington, Alan Kingetj.

VANESSA KING është producente dhe profesoreshë skenaresh në New York dhe Londër. Ajo ka fituar disa çmime duke perfshirë AMPAS/Oscar’s Nicholl Screenwriting Fellowship dhe Sony Worldwide Entertainment’s Emerging Filmmaker Program (TV Series), ndërsa prej shumë vitesh është asistentja e aktores së njohur Julianne Moore.

JON RUSSELL CRING është regjizor dhe producent me 13 çmime nga festivale të akredituara në IMDB (Internet Movie Data-Base). Ai ka qënë regjizori dhe producenti i qindra projekteve vetëm në 10 vitet e fundit.

EDICIONI I PARË I “NEW YORK TRUE VENTURE FILM FESTIVAL”

Më 6 shtator në orën 15.00 live në faqën e FB të New York True Venture Film Festival do të bëhet edhe ndarja e çmimeve. Në NYTVFF u konkurua në disa zhanre si film me metrazh të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, video muzikore etj dhe prurjet kanë qenë të shumta në numër dhe realizime të shkëlqyera. Dokumentari i prezantuar nuk është vetëm historik, biografik, ose që kanë të bëjnë me një temë të caktuar por vijnë disa dokumentarë me tematikë natyrën dhe burimet nënujore saqë mrekullia e kameras të përdorur nën ujë, vërtet të magjeps e të lë pa frymë. 

FESTIVALI I FILMIT NJË MARKË SHQIPTARE

Ky është një festival që bëhet nga shqiptarët, pasi vetë organizatorët janë shqiptarë dhe pjesë e jurisë janë shqiptarë ndaj në thelb ky festival është një ngjarje shqiptare. Sa më shumë aktivitete të ketë shqiptare, sa më të mirëorganizuar të jenë shqiptaërt aq më mirë e më fort nxjerrim në dritë vlerat tona si popull. Sa më të shumë organizatat,sa më shumë biznese, sa më shumë aktivitete artistike, aq më shumë identitet dhe pasuri kombëtare.               

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: 4 Filma Shqiptare, ne Festivalin e New York-ut, Sokol Paja

BUJAR ZELA: ARTI SI NJË PROCES KËRKIMI I GJYSMËS TJETËR TË JETËS

September 3, 2020 by dgreca

Piktori Bujar Zela rrëfim ekskluziv nga Viena për Diellin e VATRËS – New York, në një intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA. –

ARTI SI EDUKIM DHE ZHVILLIM I AFTËSIVE KRIJUESE

Arti është një ushqim shpirtëror që ushqen çdo njeri dhe aspiron ato në jetën e përditshme, edukohet tek njerëzit frymëzimi, guximi dhe iniciativa. Dinjiteti dhe individualiteti janë veti të njerëzve të mëdhenj, por nëpërmes artit artisti mundohet të personifikojë individualitetin dhe stilizimin e tij në mënyrë që të depërtojë tek publiku. Tek pikturat dhe grafikat e mia shumë piktorë kolegë dhe njerëz të thjeshtë dashamirës të artit e kanë cilësuar artin tim autokton dhe kjo është një meritë për një krijues, pra të jesh vetvetja.

NË KËRKIM TË GJYSMËS TJETËR TË JETËS

Piktura dhe arti arrijnë zhvillimin e aftësisë artistike duke punuar dhe kërkuar gjithë kohen. Gjysmën e jetës piktorët e kalojnë vetëm në studiot e tyre duke punuar dhe studiuar. Një pedagog i piktures më ka thënë është 10% talent dhe 90% punë sepse vetëm nëpërmjet punës vjen frymëzimi e talenti dhe arrin nivelin artistik cilësor që kërkon. Kjo varet dhe nga perceptimi i krijuesit dhe rrymave të ndryshme që dëshiron. Mesazhet  e forta artistike  më frymëzojne,  jeta e përditeshme njerëzore, ngacmimet shpirtërore të njerëzve të punës që mundohen të sigurojnë jetën e përditeshme dhe të ndershme në familjet e tyre, punëtori në fushë, malësori në mal me bageti, ajo nëna që shet zarzavate të mbjellë vetë me aq mundim dhe mundohet të sigurojë familjen, edhe një lyps me qenin e tij për të mbijetuar që të fitojë ndonjë qindarkë. Këto janë motivet më të dashura të jetës sime që më bëjnë të shpërthej dhe ti punoj në studio. Natyra është mësuesi më i mirë. Vjeshta me ngjyrat e saj të vlorijta dhe deti me madhështinë e tij. Një portret të nënës time që më rriti me aq mundim me napën e bardhë mbi kokë dhe thinjat e bardha që është një realitet i kohës së shumë vuajtur,  kisha nderin që u ekspozua në ekspoziten e jubileut të 100 vjetorit të Tiranës.                

ZOTI, NJERIU, NATYRA

Çdo krijues ka individualitetin e tij. Ai paraqet nëpërmjet ngjyrës apo vizatimit ekspresivitetin dhe koloritin e tij. Unë jam gjithmonë optimist në pikturë dhe në jetë dhe këtë e paraqes sipas imazhit tim si psh: tek peisazhet apo portretet dominon ngjyra e kuqe dhe blu, ku e  kuqja tregon gjithmonë optimizëm  dhe dashuri ndërsa ngjyra blu tregon shpresë. Ka  raste që paraqes hidherim dhe deshpërim dhe përdor ngjyrën e zezë me sfumaturen e saj.                                          

        Me emrin Zot unë perceptoj gjithësinë, drejtësinë, dashurinë e njerëzve me njëri tjetrin, ndershmërinë, bujarinë, sinqeritetin dhe humanizmin. Kjo më ka shoqëruar gjithë jetën sepse pa emrin Zot nuk kisha këto hapësira dhe aspirata të artit tim dhe unë prandaj i dedikohem Zotit për arritjet e mia deri tani në art dhe në jetë. Në vitin 1990 kur emigruan shumë shqiptarë për një ekonomi  më të mirë, kisha pikturuar portretin e Jezusit si prijës i rrugëtimit dhe ashtu ndodhi dritë ma bëri gjithë udhëtimin.          

ARTI SI MJET PËR TË LUFTUAR DIKTATURAT

Arti ka qënë dhe është një mjet për të luftuar sistemin sidomos atë diktatorial që e përjetuam kur merrnim pjesë në ekspozitë kombëtare ku tematikat kanë qënë të kufizuara dhe intepretimi i ngjyrave i kursyer sepse ndoshta shpërndan rrymë dekadente. Si në poezi, muzikë, skulpturë edhe arti figurativ është një armë e fuqishme kundër diktatures por kjo varet nga niveli i popullit, mënyra  si e percepton dhe frymëzon popullin. Mendimi im është që  arti është një reaksion revolucioni kundër mendimit dhe idesë së diktatures dhe fjala e lirë është forcë e madhe njerëzore frymezimi  për të gjithë.

KUSH ËSHTË PIKTORI BUJAR ZELA

Bujar Zela ka lindur në Tiranë 30.1.1956. Ka mbaruar shkollen Artistike “Jordan Misja” në Tiranë, ka marrë pjesë në shumë ekspozita vetjake dhe kombëtare në galerinë e Arteve në Tiranë. U largua nga Shqipëria në vitin 1991 në  Austri në Vienë,  qytet në të cilin punon dhe jeton duke u marrë me pikturën më vehte, aty ku lindi arti, frymëzimi dhe tradita e tij kombëtare. Natyra ështe mësuesi  më i mirë për të, perla e gjithçkaje, por jo ti besosh e të bëhesh skllav i saj, por shpirti i artistit të vërtetë di të përceptojë ndjenjat krijuese. Një tjetër gjini e frymëzimit artistik është grafika e cila i ngjall emocione dhe e frymëzon për krijimtari dhe teknika të reja me kontrastin e thellë bardhe e zi. Forma, natyra dhe ekspresiviteti i hedhur ne Telajo. Pikturat e Bujar Zelës shikohen, flasin dhe ndihen si ai. Bujar Zela ka hapur ekspozita në Tiranë në vitet 1973, 1985, 1986, 1990. Ndërsa në Vienë dhe Tiranë në vitet 1995, 2005, 2009, 2010, 2012, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Bujar Zela, piktori, Sokol Paja

SHQIPONJAT SJELLIN SHKENCËN NË SHQIP

September 2, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI-

25 MJEKË DHE PUNONJËS SHKENCORË SHQIPTARË BOTIM SPECIAL ANTI-COVID –

Të ndodhur përpara një periudhë të vështirë, ku projeksionet më serioze janë duke dëftuar një rritje potenciale të rasteve në muajt në vazhdim, ekipi Anti-COVID-19 i HEDA Albania , tashmë i zgjeruar me më shumë 25 anëtarë, nga më shumë se 35 institucione, spitale, organizata kërkimore shkencore, akademike, klinike dhe epidemiologjike (brenda dhe jashtë Shqipërisë), sjell për profesionistët shqipfolës të shëndetit për herë të parë një përditësim shkencor të standartit më të lartë dhe me peer-review në shqip, me mbi 50 ilustrime dhe skema sqaruese, tabela, projeksione dhe algoritme klinike, për të mbështetur profesionistët shqifolës të shëndetit. Ky botim vjen me një mesazh të dedikuar nga anëtarja e Komitetit Teknik-Shkencor Anti-COVID-19 të Qeverisë Italiane Prof. Dr. Giovannella Baggio. 

STUDIMI “PËRTEJ MUSHKËRISË”

Kjo punë është realizuar pas shqyrtimit të kërkesave që kanë ardhur në adresën tonë gjatë kësaj periudhe 3 mujore dhe pas nëj konsultimi aktiv me anëtarë të personelit shëndetësor shqipfolës. Si rrjedhojë ekipi i zgjeruar Anti-COVID i HEDA Albania, ka realizuar këtë sintetizim të më shumë se 500 hulumtimeve shkencore dhe ka botuar një ‘Përditësim shkencor me temë gjithpërmbledhëse ‘PËRTEJ MUSHKËRISË’: një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19’. Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19. Qëllimi i këtij dokumenti është përmbledhja sa më e përshtatshme dhe e saktë e evidencave të disponueshme aktualisht, në mënyrë që t’i vihet në ndihmë dhe në dispozicion profesionistëve dhe asaj pjese të publikut që është e interesuar për informacion e përditësim të detajuar shkencor të bazuar në evidenca. Këtu ofrohen ‘mjete’ praktike për epidemiologjinë, gjurmimin, terapinë, dhe evidencat më të fundit shkencore mbi menaxhimin e pacientit nga burimet më të përshtatshme dhe besueshme, si dhe nga komunikime aktive me profesionistët dhe institucionet ku një pjesë e ekipit të HEDA është duke ushtruar veprimtarinë kërkimore, epidemiologjike apo klinike. Ky dokument është realizuar pa mbështetje financiare të institucioneve nga brenda apo jashtë Shqipërisë. Të gjithë autoret nuk kanë asnjë konflikt interesi. E gjitha është realizuar nga një bashkëpunim i pashembullt i profesionistëve e shkencëtarëve Shqiptar nga e gjithë bota.

STUDIMI I RI

“Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19”. Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania sjell për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 . Për realizimin e këtij dokumenti janë sintetizuar më shumë se 500 hulumtime shkencore. Ky botim prej 112 faqesh përbëhet nga shtatë elementë  integral si vijon: Udhëzues mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19, Konsiderata sistemike patologjike për pacientët me kushte shëndetësore ekzistuese dhe COVID-19, Pasqyra praktike për praktikën epidemiologjike dhe klinike, Konsiderata të terapive aktuale, Përmbledhje të hulumtimeve që konfirmojnë manifestimet sistemike të COVID-19, Ilustrime përmbledhëse në shqip, Vizion për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri.

KUSH JANË SHKENCËTARËT SHQIPTARË QË PËRGATITËN STUDIMIN

Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania që solli për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 me titull:  “Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19” janë: Erand LLANAJ, MPH, MSc, PhD (c), Denisa BACI, PhD, Aldi PUPULEKU Phd, Julia DARAGJATI PhD, Mirela KUKA PhD, Livia TEPSHI PhD,Teuta MUHOLLARI, MPH, MSc, PhD (c), Ina MEXHITAJ, PhD, Irma KUKA MSc, Aseda TENA MSc, PhD (c), Lisiena HYSENAJ MSc, PhD, Novruz CAUSHAJ MD, MSc, Edvin ZEKAJ MD, Geriolda TOPI MD, PhD (c), Ambra HYSKAJ MPH, MSc, PhD (c), Rigers GJYLI MD, , Hamëz GACAFERI, MD, DPhil (c), Drieda ZAÇE, MD, MSc, PhD (c), Ilda HOXHAJ, MD, MSc, PhD (c), Eriona HETA, MSc, PhD, Meri LUKA MD, Bledi MASATI MD, Nertil PETRO MD, Genada SINANI, PhD, dhe Gentian MUSA,PhD. 

Filed Under: Politike Tagged With: 25 Mjeke, Anti COVID, botim special, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin
  • NJË FESTË E BUKUR E SHKOLLËS SHQIPE NË BOSTON
  • Kosova mes diplomacisë pasive dhe rrezikut të izolimit të heshtur: a po humbet momenti historik i ingranimit në organizma ndërkombëtar?
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1934) / KUSH ËSHTË EKREM LIBOHOVA, AMBASADORI I RI I SHQIPËRISË NË BELGJIKË ?
  • Dr. VLORA MEHMETI – TËRSHANI, NJË FENOMEN I BOTËS SË SHKENCËS
  • Shqiptarët dhe Maqedonia e Veriut midis reformimit dhe stagnimit të procesit eurointegrues
  • Mes poezisë, këngës dhe mirënjohjes : Komuniteti shqiptar në Montreal feston 7 dhe 8 Marsin
  • Arnautët e Damaskut zotohen për riaktivizimin e Shoqërisë së parë shqiptare të themeluar më 1947
  • Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork shfaqi dokumentarin “Narhelmi” të autorit Mark Lucgjonaj
  • “Thinking of You”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT