• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË BOSNJE-HERCEGOVINË DHE BETEJA E SHTETIT BALLKANAS NDAJ COVID-19

June 30, 2020 by dgreca

Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, Shefe e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën që po zhvillon Bosnje-Hercegovina ndaj pandemisë globale Covid-19 dhe kryesisht gjëndja në Sarajevë. Me Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

BOSNJE-HERCEGOVINA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Situata në Bosnje dhe Hercegovinë në këtë moment është relativisht stabile lidhur me COVID-19, në valën e parë të pandemisë, në muajin prill dhe maj, numri i të infektuareve me COVID-19 ka qenë jashtzakonisht i ulët, mendoj se faktori kryesor i cili ka ndikuar që situata në Bosnjë dhe Hercegovinë të jetë e tillë është organizimi i shpejtë me kohë si dhe adekuat i të gjitha institucioneve e posaçërisht e institucioneve shëndetësore të cilat qysh në fillim të pandemisë është organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Në muajin qershor, ka ardhur deri te lehtësimi i të gjitha masa rigoroze, ku si pasojë në këtë moment është rritur numri i të sëmurëve me COVID-19. Fatkeqësisht, numri i të sëmureve nga Covid është gjithnjë në rritje. Në këtë moment, në Qendrën tonë Klinike Univerzitare kemi të shtrirë 20 pacient me COVID-19 të cilit kanë simptoma të lehta dhe nuk kanë nevojë ende për respirator. Në lidhje me gjetjen e vaksinës kundër Covid? mendoj se edhe në të ardhmen numri ose llojlloshëmria e viruseve do të jetë gjithnjënë rritje e sipër, për fat të keq. E faktorët të cilët ndikojnë në këtë rritje janë të shumtë. Ne duhet të adaptohemi dhe te jetojmë me këtë situatë të re të krijuar globale.

SHQIPTARËT NË BOSNJE-HERCEGOVINË

Në bazë të burimeve arkivore Shqiptarët për herë të parë u vendosën në Bosnje e Hercegovinë në kohën e Perandorise osmane. Si shkaqe kryesore të migrimit të Shqiptarëve nga trojet e tyre ishin kryesisht sociale, shoqërore dhe ato politike. Fillimisht Shqiptarët që vinin në Bosnje ishin nga Shqipëria veriore e në kohërat në mes të dy luftërave botërore, e në vecanti pas Luftës së Dytë Botërore shënohet migrimi më i madh i Shqiptarëve dhe atë nga Kosova, Maqedonia, Mali Zi dhe Serbia (Medvegjë, Bujanovcë e Preshevë). Popullata Shqiptare në Bosnjë e Hercegovinë kryesisht u vendosën nëpër vende urbane dhe qytete si: Sarajevë, Tuzëll, Zenicë, Banjallukë, Mostar, Travnik, Doboj, Brqko, por edhe nëpër vende rurale. Fillimisht ata ishin barinjë, mjeshtër artizanatesh, roje kufitare  dhe një numër shumë i madhe  gjatë kësaj kohës u asimilua dhe mori nacionalitete të popullit vendore. Shqiptarët në Bosnjë e Hercegovinë,nëvitet e 50-ta të shekullit tënjëzet në Sarajevë formojnë Shoqatën e studentëve “Lulëzimi”, ndërsa në fillim të viteve të 70 krijohet Klubi Shqiptarë “Bajram Curri” në kuadër të se cilit funkciononte Shoqëria Kulturo-artistike “Bajram Curri” si dhe shkolla e plotë tetëvjeqare në gjuhen shqipe.  Në fillim të viteve 80 të shekullit të njëzet, për shkak ngjarjeve në Kosovë në Sarajevë strukturate politike te asaj kohe e mbyllin klubin “Bajram Curri” , si dhe shkollën tetëvjecare në gjuhën shqipe. Në vitet 90 të shekullit të kaluar Shqipëtarët në BeH organizohen dhe krijojnë partinë politike “Lidhja Demokratike e Shqipëtarëve në Bosnjë e Hercegovinë” , me seli në Sarajevë, rikthejnë  institucionalisht emrin e Klubit Shqiptarë “Bajram Curri”. Shqiptarët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga agresioni Serb dhe me qindra veta flijuan jetën e tyre ndër të cilit është dhe dëshmori Bajram Zenuni, inxhinjer në televizionin e Sarajevës, e që sotë rruga përballë televizionit të Bosnjës e Hercegovinës mbanë emrin e këtij dëshmori “Rruga Bajram Zenuni”. Për dallim që në të kaluarën Shqiptarët që ndër vite identifikoheshin si sharanxhi, puntorë fizik, furrtarë e zanatli të ndryshëm , sot Shqipëtarët në Bosnje e Hercegovine kanë arritur një nivel tjetër shoqëror, me personalitete që kanë arritur famë botërore dhe grada më të larta shkencore si në disa degë të mjekësisë sic janë; Kardikirurgjia, Mikrobiologjia, Pediatria, Psikologjia e Psikiatri ashtu edhe në fushat tjera shoqërore siç janë: Jurispondenca, Ekonomia e Menaxhmenti e edhe diplomat në ministrinë e punëve të jashtme me tituj Ambasador etj. Shqiptarët në Bosnje e Hercegovinë, aktualisht janë pronar dhe menaxher të Univerziteteve më të njohur në BeH edhe më gjerë. Përndryshe,  aktualisht sot në Bosnje e Hercegovinë jetojnë rreth 12 mijë Shqiptarë të organizuar në shoqata e klube Shqiptare të udhequr nga Bashkësia Shqiptare në Bosnjë e Hercegovinë. 

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Porosia ime për mergatën tonë në SHBA është që të edukohen sa më shumë që të munden, të punojnë sa më shumë që munden se vetëm në këtë menyrë mund të arrijme aspiratat tona shekullore dhe që si popull të prezentohem sa me dinjitozë ne shoqëritë e civilizuara botërore se vetëm ne këtë menyrë do të ndihet zëri i Shqiptareve në të gjitha instancat botërore qoftë në aspektin ekonomik apo shkencorë.

KUSH ËSHTË PROF. DR. ILIRIJANA HAXHIBEQIRI – KARABDIĆ

Mjekësia për Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić gjithmonë ka qenë profesion inspirues. Ajo rrjedh nga familja mjekësore, ku babai i saj, Prof.Dr. Sami Haxhibeqiri, ka qenë kirurgu i parë shqiptare në ish-Jugosllavi që nga viti 1965 i cili ka qenë edhe në ekipin e parë të kirurgëve, të cilet kanë bërë operimet e zemrës në fillimin e viteve te 70-ta në ish-Jugosllavi , njëkohësisht është njëri ndër themeluesit e fakultetit të mjekësisë në Prishtinë dhe person i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për mjekësinë Kosovare, jo vetëm si kirug torako-abdominal por duke krijuar plejadë të tërë profesionist mjekësor e në veçanti si kirug duke qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës qoftë në paqe ashtu edhe në luftë, duke qenë kirurg i parë që ka shkuar në zona të luftës në Kosovë që nga shkurti i vitit 1998 deri në ditën ku edhe u flijua. Pas luftës në Kosovë,  për kontributin e dhënë gjatë jetës së tij, Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë e emërtojën me emrin e babait te saj “Dr.Sami Haxhibeqiri“.  Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, motra dhe vëllai saj kanë vazhduar rrugën e babait të tyre. Motra Dr. Shpresa është anesteziologe, e vëllau Dr. Shpendi është psikiatër forenzik. Dashuria  ndaj kardiokirurgjisë daton qysh nga ditët e para të studimeve. Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić  studimet e mjekësisë i ka filluar në Universitetin e Prishtinës dhe i ka mbaruar në Universitetin e Sarajevës. Specializimin nga lëmia e kardiokirurgjisë e ka filluar në Sarajevë dhe e ka mbaruar në Berlin Deutsche Herzzentrum në vitin 2004 ku edhe është bërë kardiokirurge e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë specializimit në Berlin, në vitin 2004 ka qenë anëtare i ekipit të parë për transplantimin e zemrës dhe Mechanical Circulatory Support në Deutsche Herzzentrum Berlin i cili në fillim të vitit 2000 ka qenë një nga qëndra kryesore në Evropë për operimet në zemër. Mbas specializimit, ka vazhduar krahas punës profesionale edhe atë shkencore duke magjistruar dhe doktoruar në lëminë e kardiokirurgjisë dhe ka fituar titullin e Profesorit të Kardiokirurgjisë, është mentore për specializime dhe subspecializime në Ministrinë Federale të Shëndetësisë të Bosnje dhe Hercegovinës për lëminë e kardiokirurgjisë. Me kardiokirurgji merret që 22 vite dhe është shefe e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës. Njëkohësisht, është profesore e kardiokirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë – SSST dhe njëherësh e vetmja femër profesoresh në lëminë e kardiokirurgjisë në Ballkan. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe seminare profesionale ndërkombëtare si ligjëruese, dhe mysafire e ftuar si në Zvicër, Spanjë, Suedi, Sloveni, Angli, Gjermani, Itali dhe SHBA (Houston, Texas). Është autore e punimeve shkencore të publikuara në Bosnjë dhe Hercegovinë edhe në revista shkencore me karakter ndërkombëtar. Është Anëtare e Shoqatës së Kardiokirurgëve Evropian dhe shoqatave të ndryshme ndërkombëtare për lëminë e kardiokirurgjisë. Është autore e librit “Praktikumi për Kirurgjinë Ambulantore” dhe bashkëautor në librin “Mjekësia Urgjente” të publikuar nga Universitetit i Sarajevës.
Gjatë punës profesionale ndër vite ka marrë mirënjohje dhe dekorata të shumta në Bosnje dhe Hercegovinë. Është nënë e dy fëmijeve, dhe me këtë rast fëmija i saj i parë, vajza e saj është po ashtu studente e fakultetit të mjekësisë andaj Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić është shumë e lumtur që tradita e tyre familjare në fushën e mjekësisë do të vazhdojë edhe për një brez. Duke qenë se ska shumë kohë të lirë për arsye të obligimeve të shumta profesionale dhe akademike ende ka pasion leximin e një libri dhe të luajë në piano e cila i jep shumë relaks. Motoja e jetës së saj është: “Jam e lumtur – puna ime e ditë  përditshme nënkupton  luftën per një jetë njerëzore“.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, sarajeve, Sokol Paja

STOMATOLOGËT SHQIPTARË NË GJERMANI NË BETEJËN NDAJ COVID-19

June 29, 2020 by dgreca

Dr. Nertsa Çunoti dhe Dr. Rezart Qorri bashkëshortët mjekë në qytetin Plauen në Landin Sachsen, Gjermani, rrëfejnë ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rolin e mjekut stomatolog në luftën ndaj Covid-19 në Gjermani. Me bashkëshortët mjekë Çunoti-Qorri bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

KLINIKAT DENTARE NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Ashtu si çdo profesion edhe stomatologët patën përballjen e tyre me luftën kundër COVID-19. Në fillim të muajit mars ishim në pritje të udhëzimeve lidhur me protokollet e punës kundrejt pandemisë së shkaktuar nga SARS-COV-2. Pas shumë debatesh edhe me tone të “ashpëra”midis Dhomës së Dentistëve dhe stomatologëve  për mbylljen e përkohshme të klinikave dentare, pas konsultuave me specialistët mjekësorë, Dhoma Qëndrore e Dentistëve në Berlin në bashkëpunim me Landet përkatëse, arriti në një marrëveshje definitive, e cila urdhëronte vazhdimësine e punës së çdo klinikë dentare por me reduktim oraresh dhe duke patur qëllim kryesor vetëm trajtimin e  urgjencave akute dentare, nën masat e shtuara mbrojtëse si për stafin ashtu dhe për pacientin. U ndërmorën disa masa parandaluese të cilat më duhet të them u zbatuan dhe vazhdojnë të zbatohen edhe sot në mënyrë tejet rigoroze nga të dyja palët mjek-pacient: Deri në datën 15 Qershor në çdo klinikë duhej të qëndronte vetëm një mjek dhe një ndihmës, nqs klinikat kishin më shumë dentistë të punësuar atëherë funksiononte një listë rrotacioni ku çdo ditë punonin grupe të ndryshme mjek-ndihmës. Pacientët duhet të telefononin paraprakisht për të lënë një orar trajtimi dhe ishin të detyruar të plotësonin një formular informues lidhur me historikun  e dy javëve të fundit, nëse kanë  patur udhëtime jashtë Gjermanisë,  kontakte me persona të dyshuar me COVID-19 dhe në qoftë se kishin shfaqur një nga simptomat dyshuese. Pacienti në mënyre kategorike duhet te paraqitej në ambjentin e brëndshëm me maskë mbrojtëse  dhe të qëndronte me të deri ne momentin e kryerjes së një procedure dentare. Ndërkohë stafi mjekësor ishte dhe vazhdon të jetë i pajisur me veshjet e posaçme të udhëzuara nga Ministria e Shëndetësisë. Trajtimi i planifikuar përfshinte  një afat kohor rreth 60 minuta, pacienti qëndronte i vetëm në ambjentet e klinikë dhe pas largimit të tij kishte rreth 15 minuta kohë nga pacienti pasardhës, kohë kjo që shfrytezohej për ajrosjen e ambjentit  të punës dhe dezinfektimin e plotë të saj.

MODELI GJERMAN NË PËRBALLIMIN E KRIZËS

Edhe sot mbeten në zbatim të gjitha masat e lartpërmendura, me ndryshimin e vetëm, që oraret po kthehen drejt normalitetit dhe i gjithë stafi kooperon i plotë pa rrotacione apo turne. Numri i pacientëve është shtuar por të gjithe respektojnë në mënyre tepër fanatike distancën prej 1.5m. Shpeshherë preferojnë të qëndrojnë në ambjentin e jashtëm të klinikës, deri në largimin  e pacientit të fundit. Më duhet të pëmend edhe fondin ekonomik që Gjermania vuri në dispozicion për të gjithë punonjësit e saj, të cilët edhe pse me orare të reduktuara morën dhe vazhdojnë të marrin nga Prilli 2020 deri në Shtator 2020 një “pagë lufte” e cila përbën 60-68 % të rrogës së secilit dhe orët e shpenzuara më pas në punë paguhen si orë shtesë nga shefat e klinikave përkatëse. Kjo ndihmoj në tërësi si punëmarrësin ashtu edhe punëdhënësin dhe uli riskun e falimentimit.

MJEKËT BASHKËSHORTË NË NDIHMË TË BASHKATDHETARËVE

Në Landin Sachsen, Plauen-i qyteti në të cilin unë dhe bashkëshortja ime jetojmë e punojmë, mund të them me bindje se ka shumë shqiptarë por edhe në dy qytetet kryesore studentore Leipzig dhe Dresden ( kryeqytet), të preferuar për studimet e larta univeristare nga studentët shqiptarë në dijeninë time nuk ka asnjë të dhënë për infektime me Covid-19. Të bashkuar  me nismën vullentare të shoqatës së Mjekëve Shqiptar në Gjermani për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë atdhetarëve që jetojnë ketu apo edhe ata  që  fatkeqësisht u gjendën të izoluar brenda shtetit gjerman në një kohë të ashpër pandemie, vura edhe unë si kolegët e mi në dispozicion një numër kontakti dhe adresë E-maili ku mund të them që kam patur shkëmbime E-mailesh në nivel informues për problemet e tyre dentare si dhe në  bashkëpunim me një klinikë, ku si stomatologe është e punësuar bashkëshortja ime kam dërguar bashkatdhetarë për të marrë shërbimin e duhur kundrejt asnjë pagese, duke patur parasysh që çdokush i pa sigurur nga ana shëndetësore në Gjermani merr vetëm shërbime private  kundrejt një kostoje shumë të lartë.

MASAT STRIKTE NË SPITALE

Në ambjentin spitalor, masat e marra kundrejt pandemisë nga SARS-COV-2 janë akoma edhe më strikte. Në përditshmërinë time kam të bëj shumë pak me dhimbjet e gjeneruara drejtëpërdrejtë  nga dentuara orale, por përballem me pacientë që si pasojë e aksidenteve të ndryshme referojnë fraktuar komplekse në regjionin facial dhe kranial dhe nuk janë të pakët edhe ata të cilët duhet ti nënshtohen opeacioneve për heqjen e lezioneve tumorale dhe metastazave që arrijne nje përhapje deri në regjionin e qafës të quajtura ndryshe edhe “Neck Dissection”. Të gjithë pacientët e lartpërmendur që shtrohen në pavjonin tonë të OMF -së janë të detyruar të kryejnë testin e Covid-19 në momentin e parë kur paraqiten dhe ndiqen më pas nga një test i dytë  pas shërimit, pra daljes nga qëndra spitalore ose në rastin kur dërgohen në katedrat e tjera të specializuara  për të vazhduar nderhyrjet e rradhës. Për sa i përket urgjencave mjekësore me rrezikshmëri të lartë për jetën,hyn në zbatim menjëherë protokolli Covid-19, cka do të thotë që pacienti trajtohet sikur është i infektuar, stafi mjeksor pajiset me veshjet e protokolluara, kryhet tamponi, pacienti i nënshtrohet ndërhyrjes kirugjikale dhe në përfundim të operacionit izolohet në dhomat përkatëse Covid-19 deri në marrjen e përgjigjes nga analiza e kryer.

STOMATOLOGËT NË KOHË PANDEMIE

Në këtë kohë Pandemie, Stomatologët ishin përgatitur për të trajtuar vetëm urgjencat dentare por në realitet  u përfshinë shumë në  kërkesat lidhur  me estetikën.  Ankesat më të shpeshta vinin edhe nga ata tek të cilët për shkak të situatës ju ishin anulluar seancat për rinovimin e mbushjeve të vjetra ose seancave te zbardhimit ( Bleaching). Pra edhe pse në kohë lufte me një virus të padukshëm ,të izoluar dhe me lëvizje të detyruara me maksa mbrojtëse që mbulonon tërësisht regjionin oral dhe rrjedhimisht edhe atë dentar, kërkesa për punime estetike nuk u vendos asnjëhere në plan të dytë. Disa lista pacientesh të koduar me punimet përkatëse të kryera  nga disa klinika të shpërndara në landin Sachsen ku jetoj, u shqyrtuan nga një grup kërkimor psikologësh dhe sociologësh pjesë e fakultetit të mjekësisë Dresden të cilet dolën në një përfundim, që duhet ta nënvizoj është ende fillestar, por që paraqet konkluzione  paraprake lidhur me rolin shumë të rëndësishëm që pamja, estetika luan në gjëndjen psikologike të secilit duke rritur vetbesimin në përditshmëri.

NDIHMA NDAJ BASHKATDHETARËVE DHE NJË APEL

Jam i lumtur që kam dhënë dhe vazhdoj jap sadopak ndihmë për komunitetin tim larg vendlindjes, ku padiskutim do të doja të isha prezent, e të ushtroja gjithë eksperiencën tim të ndërtuar në një shtet që e tregoi edhe njëherë, në një kohë të jashtëzakonshme për të gjithë, se ka baza te forta jo vetëm në sistemin shëndetësor por edhe në respektimin e një hierakie ku zëri i specialistëve të fushave të ndryshme dëgjohet me shumë vëmendje dhe qëndron mbi çdo mendim apo opinion pesonal të drejtuesëve qëveritarë, e ku çdo qytetar padiksutim, i beson me bindje dhe zbaton me seriozitet gjithçka. E kundërta e asaj që lexoj çdo ditë për Shqipërinë, ku duket se u harrua shumë shpejt gjithçka, qytetarët thyejnë dita ditës të gjitha rregullat që mbrojnë jetën e gjithësecilit, nuk ka më distancim social, maska mbrojtëse në ambjentet e mbyllura dhe duket se tek ne nuk ka me luftë, e ky virus është thjeshtë larg gjithësecilit, ndërkohë numri rritet frikshëm dita-ditës. Edhe pse situata duket se po shkon drejt një normalizimi nuk duhet të harrojmë se kjo betejë nuk është fituar ende, prandaj është koha kur të gjithë sëbashku të dëshmojmë sesa mendojmë dhe se sa bëjmë për njëri-tjetrin.

KUSH JANË ÇIFTI I BASHKËSHORTËVE DR. NERTSA ÇUNOTI DHE DR.REZART QORRI

Dr.Nertsa Çunoti ka lindur në qytetin e Korçës më 23 Shkurt 1990. Në Korrik 2013 përfundoi  studimet e larta univeristare dhe u diplomua si studente e ekselencës  në Albanian University, Fakulteti i Shkencave Mjekësore, Dega Stomatologji. Zotëron shumë mirë gjuhën franceze, italiane, angleze dhe gjermane.

Pas diplomimit punoi si asistent-petagoge në Universitet në katedrën e Endodontisë dhe Pedodontisë. Rrugëtimi i Dr. Çunotit në Gjermani filloi prej vitit 2016 duke u përgatitur për provimet konvertuese të diplomës shqiptare në atë gjermane, të cilën e kurorëzoi me sukses në vitin 2018 duke u pajisur me licencën gjermane si mjeke Stomatologe. Që prej vitit 2019 është e angazhuar në një projekt kërkimor shkencor në Universitetin Teknik të Dresden-it (TUD), në Fakultetin e Mjeksisë “Carl Gustav Carus”.

Dr.Rezart Qorri ka lindur në Elbasan më 06.03.1986. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2009, në Universitetin Mjekësor të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, i diplomuar me rezultate shumë të larta. Mbas diplomimit ka punuar rreth 3 vite në një klinikë Italo-Shqiptare ku e tërhoqi së tepërmin aspekti i kirurgjisë orale i cili u kthye në pasjon dhe në  punën e tij të përditëshme. Prej vitit 2014 ushtron profesionin në Gjermani si mjek stomatolog; Aktualisht ndjek vitin e fundit të specializimit për Kirurgjinë Orale në sptitalin rajonal “Heinrich-Braun-Krankenhaus” Zwickau/Sachsen në repartin e Oro-Maxillo-Facial-it (OMF) dhe është në ndjekje të  kurikulumit në fushën e implantologjisë. Paralelisht i angazhuar në dy projekte kërkimore shkencore në Universitetin Teknik të Dresden-it (TUD), në Fakultetin e Mjeksisë “Carl Gustav Carus” si dhe në klinikën universitare Leipzig, Fakulteti i Mjekesise- Katedra OMF. Është anëtar i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar në Gjermani dhe Drejtues i Grupit të Punës së Stomatologëve Shqiptarë. Themelimi i këtij grupi ka per qëllim hapjen e rrugës, koordinimit të punës, bashkëpunimit, shkëmbimit të eksperiencës midis të gjithë mjekëve stomatologë në Gjermani e më gjerë.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Nertsa Çunoti Dr. Rezart Qorri, Sokol Paja

COVID-19, PËRMES NJË STUDIMI GJINOR DHE STATISTIKOR

June 26, 2020 by dgreca

Dr.med.Aurora Dollenberg, University of Oldenburg, Oldenburg, Gjermani prezanton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, studimin sesi ndikon pleqëria, mbipesha, duhanpirja dhe sëmundjet kronike në infektueshmërinë  me Covid-19. Me Dr.med Aurora Dollenberg bisedoi gazetari Sokol PAJA.

COVID-19 DHE E ARDHMJA E PANDEMISË GLOBALE

Rezultatet e Studimit të fundit të Dr. Aurora Dollenberg mbi ´´Faktorët e Rrezikut të COVID-19´´: Në 6 muajt e fundit, pothuajse 8 milion njerëz në të gjithë botën janë prekur prej COVID-19. Bllokimi i udhëtimeve, distancimi social  dhe maskat mbrojtëse kanë frenuar epideminë në shumë vende javët e fundit, por rezistenca e popullatës  shqiptare ndaj kufizimeve të lirive është rritur, dhe si pasojë është rritur edhe numri i të infektuarëve me COVID-19. Rreth 80% e rastevetë COVID-19 janë me simptoma të lehta ose asimptomatik dhe pacientët shërohen plotësisht. Por disa infeksione janë kërcënuese për jetën dhe fatale. Për të përcaktuar faktorët e  rrezikut të lidhur me Infektimin nga COVID-19, sipas rezultateve të studimit, pothuajse gjysma e  pacientëve (48%)  nuk kishin sëmundje të dokumentuara shoqëruese. Pacientët zakonisht shërohen pas një ethe dhe kolle dymbëdhjetë ditore. Shërimi vazhdoi mesatarisht për 14 ditë.  Një në tre pacientë reaguan me përmirësim të shpejtë të sëmundjes pastrajtimit profilaktik me një antibiotik (Azitromycin, Doxycilinetc); shkalla e të shëruarëve arriti75%. Rezultatet e  studimit treguan se pleqëria, mbi pasha dhe sëmundjet kronike rrisin rrezikun e  infektueshmërisë. Përqindjae të Infektuarëve me COVID-19 rritet nga 10% tek mosha 25 vjeç deri në70%  tek mosha 70 vjeç, sepse numri i faktorëve të rrezikut rritet me moshën.  Kjo është arsyeja pse më pak njerëz janë në rrezik në vendet me një popullsi më të re, siç është Shqipëria e trojet shqiptare. Përqindja e duhanpirësve aktivë midis të infektuarëve ishte 10% – krahasuar me 4% të pacientëve të infektuar që nuk pinë duhan. Pra, nikotina rezultoi të jetë në studimin tonë një faktor rrezikues. Me 6%, burrat kanë dy herë më shumë të ngjarë të rrezikojnë nga gratë me  3%. Dendësia më e lartë e  popullsisë dhe ekspozimi më i ulët i diellit rrisinin fektueshmërinë me COVID-19. Të dhënat, pra, japin shpresë se ekspozimi i rritur në rrezet e diellit do  të çojë në një rrafshim të kurbës së të infektuareve në muajt e  ardhshëm të verës. Pra, ekspozimi ndaj  diellit ka një efekt të rëndësishëm mbrojtës ndaj COVID-19. Dyshohet se një rritje e  ndotjes së ajrit shoqërohet me një rritje të rasteve të reja të COVID-19.  Një fakt ky shumë shqetësues për metropolet shqiptare si Tirana, Durrësi, Prishtina etc. Për shkak se  udhëtimet ajërore me aeroplane u anulluan gjatë kësaj kohe të izolimit në nivel global, u zvogëlua në 3 mujorin e  fundit edhe ndojtja e ajërit dhe kjo gjithashtu ka ndihmuar që virusi të përhapej më pak.

MËSIMET PREJ COVID -19

Të moshuarit janë veçanërisht të rrezikuar nga infektimi me COVID-19. Sa më i vjetër të jeni,  aq më i lartë është shkalla e vdekshmërisë.  Arsyeja për këtë është sistemi imunitar i dobësuar shpesh dhe sëmundje të ndryshme para-ekzistuese.   Sidomos sëmundjet kronik e rrisin ngarkesën virale dhe përkeqësojnë prognozën. Nëse një pacient që vuan nga COVID-19 pranohet me tre faktorë të rrezikut, pritet një ecuri kërcënuese për jetën. Përcaktimi i  faktorëve të rrezikut ndihmon mjekët në të ardhmen të identifikojnë pacientët me SARS-CoV-2  me prognozë të dobët në një fazë të hershme,  t’I izolojnë ato dhe të fillojnë një ndërhyrje optimal antivirale. Sfida për studimet në vijim ëhtë raportimi mbi vaksinën e parë ndaj COVID-19. Rezultatet e  deri tanishme tregojnë se  Vaksina është me efikasitet të sigurtë dhe tolerohet mirë. Asnjë efekt negative serioz nuk u gjet brenda 28 ditëve pas vaksinimit. Antitrupat u  formuan në pjesëmarrësit me një rritje të konsiderueshme pas 14 ditësh. Kulmi i prodhimit të antitrupave u  mat 28 ditë pas vaksinimit.

MJEKU I FAMILJES NË SISTEMIN SHËNDETËSOR GJERMAN

Në Gjermani mjeku gëzon një status të lartë në shoqëri.  Vashdon të jetë edhe këtu në gjermani imazhi, që mjeku është një person human dhe shërues, të cilin e respektojnë maksimalisht gjithë shtresat e shoqërisë. Si  mjeke familje unë trajtoj çdo sëmundje të përgjishme dhe speciale. Si mjeke urgjence ndihmojnë në shpëtimin e jetëve të pacientëve nga sëmundjet acute vdekjeprurese. Si psikoterapiste kujdesem që me anë të një shëndeti më të mirë psiqik të pacientëve, të rrisë cilësinë e jetës së tyre në afatgjatë. Ne si mjekë veprojmë në bazë të Protokolleve me të fundit mjekësore të OBSH. Në këtë pikë  të njohurisë mjekësore nuk bëj kompromise. Patjetër si psikoterapiste kam mësuar dhe nga experienca ta dëgjoj gjithmonë edhe zërin e shpirtit të pacientit dhe emocionet e tyre.  Kështu vendimet e mia kushtëzohen nga një njohuri e mirë mjekësore dhe dëgjuese e vëmëndshme  e emocioneve të mia dhe të pacientëve.

MESAZHI JUAJ PËR GAZETËN DIELLI DHE DIASPORËN NË USA

Rreziku i infektimit me COVID-19 do na shoqërojë përgjatë gjithë vitit 2020,  prandaj të dashur bashkëatdhetarë në USA  duhet të qëndrojmë vigjilentë derisa të arrihet vaksinimi i popullatës. Eshtë një sfidë e madhe të marrësh diçka positive nga kjo krizë, por mund t’ia dalim duke  respektuar masat mbrojtëse dhe në fund të kësaj krize të dalim edhe më të forte fizikisht e  psiqikisht.

KUSH ËSHTË  DR.AURORA META DOLLENBERG

Ishte dëshira që në fëmijeri për të pasur një ndikim të rëndësishëm positive në jetën e të tjerëve dhe shpëtimi i një jete njerëzore ishte një ëndërr e madhe. Aurora Meta-Dollenberg  ka lindur në qytetin e Fierit. Mjekja dhe shkenctarja shqiptare është vetëm 34 vjec, por ajo ka  arritur deri tani 3 specializime në Gjermani: Specialiste e Mjekësisë së Familjes, e  Mjekësisë së Urgjencës dhe Psikoterapisë. Paralelisht Dr. Aurora ka ndjekur edhe karrierën akademike ne  universistetet më të njohura në Gjermani, ku ka përfunduar 2 kërkime shkencore mbi çrregullimet e Ankthit-Depresionit dhe Kancerit tek Gratë.  Pavarësisht barriereva të mëdha që kishte në fillim si e emigruar në gjermani, Dr. Aurora arriti të hapte në vitin 2018 dy klinikat e saj private në Ëolfenbüttel afër Hannoverit, ku trajton edhe shumë pacientë të trevave shqiptare. Dr. Aurora është e  lumtur që edhe pse në emigrim vazhdon të ndihmojë dhe shpëtojë jetë të shqiptarëve.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dr. med Aurora Dollenberg, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË PORTUGALI DHE BETEJA E SHTETIT IBERIK NDAJ COVID-19

June 25, 2020 by dgreca

Altin Ndrio doktor në Spitalin “Centro Hospitalar Universitário de São João” në Porto, Portugali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën e shtetit portugez ndaj covid-19 dhe gjëndjen në shtetin iberik. Me Dr. Altin Ndrion, bisedoi gazetari Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË PORTUGALI

Deri në ditën e sotme statistikat në Portugali tregojnë më shumë se 39392 raste positive që nga fillimi i pandemisë, si dhe 1534 viktima. Të shëruar janë mbi 25550 persona. Në 24 orët e fundit kemi patur 259 raste të reja dhe 4 viktima. Në fakt në fillimin e pandemisë masat që u morën këtu treguan efektshmeri të lartë. Masat ishin: përdorimi i maskës sidomos në ambjente të mbyllura, ndalimi i grumbullimit të personave si dhe distancimi midis  njerëzve, larja dhe dezinfektimi më i shpeshtë i duarve, higjienizimi i ambjenteve të punës dhe perreth, ashtu sikurse izolimi dhe diagnostikimi i personave të infektuar, për të parandaluar përhapjen e virusit. Këto masa bënë që situata të kontrollohej sa më mirë. Për këtë Portugalia merrej si shembull nga vendet e tjera të Bashkimit Europian si një nga vendet me numrin më të ulët të të prekurve për një milion banorë. Që nga fillimi i muajit qershor filloi hapja graduale e aktiviteteve në fushat e ndryshme. Në këto momente që kur filloi lehtësimi i masave dhe rikthimi gradual në normalitet, duket se kontrolli i situatës ka dalë nga duart, duke treguar një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja. Kjo do të bëjë që të ketë kthim mbapa.

VAKSINA ANTI-COVID, AFËR DHE LARG

Përsa i përket prodhimit të një vaksine të efektshme në parandalimin e infeksionit nga virusi sars-cov2, për memdimin tim në këto momente, është herët të themi nëse bota po has vështirësi apo jo. Që nga zbulimi i virusit për herë të parë në Kinë dhe me përhapjen e tij në të gjithë botën, nga studimet gjenetike që janë bërë, tregojnë se ai ka pësuar më shumë se 170  ndryshime (mutacione) në strukturën e tij. Kjo gjë e vështirëson akoma me shumë prodhimin e një vaksine të vetme efikase. Kompani të ndryshme farmaceutike në Europë, SHBA, Australi dhe Azi po punojnë me ritme të shpejta për prodhimin e vaksinës. Nuk duhet të harrojmë që për të konfimuar efekasitetin dhe rezultatet e vaksinës duhet kohë, shumë herë vite të tëra. Njihen rreth 40 lloje virusi që bëjnë pjesë në familjen e Coronaviridae dhe që e kanë shoqëruar njerëzimin që nga zbulimi i tyre deri më sot. Prandaj mendoj se dhe sars-cov2 si pjesë e kësaj familje të madhe do të na shoqërojë për shumë vite.

SHQIPTARËT NË PORTUGALI

Komuniteti Shqiptar në Portugali është shumë i vogël. Nuk ka burim të saktë për numrin por mendoj se nuk i kalon 100 vetë. Në rrethin shoqeror që ne njohim situata është normale dhe pa probleme. Në qytetin e Portos ku unë jetoj dhe punoj numri është shumë i reduktuar. Nuk kam të dhëna. Sa i përket të ardhmes në Protugali, situata akoma nuk është e kontrolluar ashtu siç duhet, prandaj kujdesi dhe masat duhet të vazhdojnë. Duke ruajtur veten, ruajmë dhe të tjerët. Distancim, higjienë dhe përdorim maske. Të gjithë bashkë për një ambjent të pastër dhe shoqëri të shëndetshme.

KUSH ËSHTË DOKTOR ALTIN NDRIO

Altin Ndrio ka kryer studimet në Fakultetin e Mjeksisë në spitalin Nënë Teresa në Tiranë. Diplomuar në 1994. Pas diplomimit punoi për disa vite në Drejtorinë e Shëndetit Publik, shërbimin ambulator dhe ASHR në qytetin e Tiranës. Që nga viti 2001 është vendosur në Portugali. Në 2005 bëri njehsimin e diplomës këtu në Portugali. Në vitet 2007 – 2010 ka kryer specializimin pasuniversitar në degën Patologji Klinike në “Centro Hospitalar Universitário de São João ” në qytetin e Portos ku vazhdon të punojë dhe sot. Gjithashtu jep orë mësimi si pedagog vullnetar në fakultetin e mjeksisë në spitalin “Centro Hospitalar Universitário de São João ” në qytetin e Portos.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Altin Ndrio, shqiptaret en Portugali, Sokol Paja

ROLI I MJEKUT TË FAMILJES NË SISTEMIN SHËNDETËSOR GJERMAN

June 24, 2020 by dgreca

Dr. med Angjelina Karamani nga Klinika Rhenumed në Meerbusch (Dusseldorf, Gjermani) rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rolin e mjekut të familjes në sistemin shëndetësor gjerman në luftën ndaj Covid-19. Me Dr. Angjelinën bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

OGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I MJEKUT TË FAMILJES NË GJERMANI

Së pari do ta nisja me rrugëtimin në Universitetin e Tiranës, një rrugëtim i veshtirë por edhe

inkurajues. Unë jam larguar në vitin 2011 për tu bërë pjesë e stafit gjerman të një spitali në Passeëalk  (në  Gjermaninë veri-lindore). Specializimi është  “të bësh doktorin pa patur thjeshtë një titull de juro”. Përgjegjësitë janë të shumta dhe shpesh  edhe të  rënda por kjo në profesionin tonë është sfida që kemi pranuar. Specializimi ka një kohë zgjatje prej 5 vitesh dhe finalizohet në provimin shtetëror, i cili të jep mundësinë për të ushtruar profesionin e mjekut. Në rastin tim bëhet fjalë për specializim në mjeksinë interne, pra si mjeke për sëmundjet e brëndshme. Tani punoj në klinikën Rhenumed në Meerbusch (Dusseldorf). Në fushën e mjekësisë asnjëherë nuk ka një finish, thjesht ka vend për azhornime të herëpashershme. Ne si mjekë familjeje jemi të regjistruar në Dhomën e Mjekëve, e cila na detyron në pjesëmarrjen në specializime dhe azhornime gjatë gjithë vitit. Specializime këto që vlerësohen me pikë të ndryshme, të cilat paraqiten pranë Dhomës së Mjekëve çdo 5 vite (max 500 pikë). Tani do të thellohem tek roli i mjekut të familjes. Çdo qytetar gjerman i siguruar nga ana shëndetësore në mënyrë shtetërore ose private, ndiqet nga një mjek i familjes. Pacientët me simptoma akute në të shumtën e rasteve kurohen direkt nga mjeku i familjes ose nëpërmjet një rekomandimi drejtohen tek specialistë të fushave të ndryshme si psh kirurgu, ortopede, urologe etj ose në rastet më të rënda si infarkti i zemrës, iskemia cerebrale ose urgjencat kirurgjikale, rekomandimi i menjëhershëm për në spital. Një arsye tjetër është zhvillimi ciklik i check up-ve  të detyrueshme ose jo. Në shtetin gjerman duke nisur nga mosha 18 vjeçare e deri në 35 vjeç një check-up komplet është i subvenksionuar nga shteti për të vijuar më tej nga mosha 35 vjeçare me një cikël më të shpeshtë kontrollesh (çdo tre vite). Kontrolli komplet konsiston në analizën e gjakut, urinës feceve (mbi 50 vjeç për të parandaluar kancerin e zorrës së trashë). Perveç check up-ve rutinë një peshë zënë dhe programet e kontrolleve  3 mujore për të sëmurët kronikë me diabet, bronkit kronik, azme dhe sëmundje kardiovaskulare. Pikërisht ky kontroll është një pikë shumë e fortë në sistemin shëndetësor gjerman sepse parandalimi në përkeqësimin e mëtejshëm të këtyre sëmundjeve përkthehet në një jetë më të qetë dhe më të gjatë për pacientët. Nuk mundem të anashkaloj dhe sëmundjet psiko-somatike për të cilat ne mjekët e familjes luajmë  rolin e psikologut  dhe kërkojnë një trajtim specifik dhe delikat. Dhe në rend të fundit por jo nga rëndësia është vaksinimi i detyrueshëm dhe i cili bëhet pranë mjekut të familjes.

ROLI I MJEKUT TË FAMILJES NË KOHËN E PANDEMISË

Roli i mjekut të familjes në kohën e pandemisë globale është shumë deçiziv ku fokusohet te ristrukturimi i vizitave, konsultat, konsultat online, cilët pacientë u lejuan të futen në klinikë dhe cilët u këshilluan përmes telefonit, testet e bëra, subvencionet  e shtetit etj. Për fatin tonë të keq viti 2020 nisi me një peshë të madhe mbi supet e qytetarëve mbarë botërorë dhe për më tepër mbi supet tona si mjekë. Ju mund ta kuptoni fare thjeshtë që ne nuk kemi bërë thjeshtë rolin e mjekut por edhe atë të prindit, fëmijës, shoqes së ngushtë, psikologut, sepse u gjendëm në pozicionin e fatit të shpresës në mes të detit. Ka qenë një rol primar, gjithnjë në linjë të parë, pra kemi qenë dhe jemi kontakti i parë me pacientin. Një nga momentet më të vështira për mua ishte mbyllja e dyerve të klinikës, ishte vendimi i strukturave të larta shtetërore dhe duhej zbatuar. Kjo nuk na ndaloi asnjë moment për të zhvilluar konsultat online dhe ato telefonike dhe më besoni kanë qenë të shumta. Përsa i përket anës praktike mbi subvensionet shtetërore dua të them se funksionon dhe madje është shumë efikase. Instituti i studimeve Robert Koch vendosi disa kritere mbi të cilat vendosej zhvillimi i testeve për Covid-19: 1. Kontakti me një të infektuar, 2. Simptomat bazë të kësaj pandemie, pra kollë e fortë dhe temperaturë e lartë, 3. Për moshat mbi 60 vjeç dhe më së shumti për të moshuarit që jetojnë nëpër azile, 4. Ardhja nga zonat që konsideroheshin të rrezikshme (zonat e kuqe), kusht ky fillestar por i cili humbi vlerën me kalimin e kohës sepse e gjithë bota tashmë ishte një zonë e kuqe. Numri i testimeve ka qenë relativisht i lartë, flasim për mbi një milion testime në javë në të gjithë territorin. Pasi rasti ishte bindshëm serioz  qytetarët drejtoheshin në qëndrat e posaçme shtetërore për tamponë. Në klinikën time janë kryer një numër i konsiderueshëm testimesh, ku shumica kanë qenë të subvencionuara nga shteti dhe një pjesë e vogël të paguara privatisht (me një çmim që varion nga 90 deri ne 150 euro). Në rastet kur pacientët nuk paraqisnin simptoma por dëshironin të bënin tamponin  për arsye të ndryshme si psh udhëtimet brenda europës ose qëllime personale kemi aplikuar tarifën e sipër përmendur.

SHQIPTARËT NË DUSSELDORF

Raste me pacientë shqiptarë kam pasur, edhe pse dua të përmend faktin që unë në klinikën ku punoj kam bashkëkombas dhe kjo është një ndjenjë që të ngroh disi. I kam trajtuar me të gjitha mënyrat e mundshme për të bërë më të mirën dhe këtu vlen për tu përmendur fakti që unioni i mjekëve shqiptarë në Gjermanivuri në dispozicion të plotë telefonat e çdo mjeku anëtar të tij. Vendosëm kontakte dhe në rrjetet sociale për të bërë të  mundur çdo lidhje me bashkëkombësit tanë. Do të ndaloj tek një rast i veçantë të lidhur me pamundësinë e një vajze të re shqiptare e cila ndodhej këtu për motive familjare dhe u gjend e bllokuar në shtetin gjerman. Vajza në fjalë pati disa simptoma që të bënin të mendoje se mund të ishte prekur nga Covid-19, por fatkeqësisht per shkak te sigurimit shendetesor gjerman që vajza nuk zotëronte testimi i saj u bë i pamundur. Megjithatë me shumë këshilla mjekësore munda ta ndihmoja dhe jo vetem kaq por sot ne ruajmë një miqësi disi të veçantë. Kjo do të thotë të jesh mjek familjeje fundja.

KTHIMI NË NORMALITET

Klinika ka rreth tre javë që i është rikthyer normalitetit në anormalitetin e momentit që jetojmë por kuptohet me zbatimin e disa rregullave të higjenës kundër Covid-19. Në klinikë nuk lejohen të qëndrojnë më shumë se tre pacientë në të njëjtën kohë dhe kjo organizohet paraprakisht nga sekretaria ime në mënyrë telefonike. Kemi detyrimin e maskerinave mbrojtëse dhe dorezave, pa harruar këtu edhe higjenizimin e menjëhershëm të duarve sapo hyjmë në klinikë. Besoj këto masa do të qëndrojnë të pandryshuara deri në formalizimin e një vaksinë dhe një vendimi të ri të stukturave më të larta shëndetësore.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Kjo pandemi vetëm ka shtuar besimin e pacientëve tek mjeku i familjes. Kjo do të thotë që pasoja janë pozitive në një situatë e cila pozitive nuk është. Kjo na bën ne mjekë vetë japim më shumë dhe më të mirën tonë dhe këtë unë e bëj në mënyrë të pakushtëzuar.  Kjo është një pyetje të cilës më duhet ti përgjigjem jo më shumë nota optimizmi pasi në duhet të jemi vigjilent, sepse stina e vjeshtës, e cila përkon me pikun përhapjes së virozave nuk është larg. Masat i kemi marrë dhe formalizimi i një vaksinë kundër Covid-19 nuk do të vonojë. Gjithçka do të shkojë mirë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gjermani, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NËNAT SHQIPTARE — DRITË E PASHUAR
  • “Shqiptarja”, botim shoqëror, kulturor dhe ekonomik, organ i Shoqërisë Gruaja Shqiptare
  • Roli i gruas në shoqërinë e sotme
  • Dita Ndërkombëtare e Gruas: Top 100 Femrat Shqiptare të Vitit 2026
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT