• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ITALIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SITUATA E SHQIPTARËVE NË BARI

May 1, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dritan Hila, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), dhënë gazetarit Sokol Paja./

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), Italia po tregon hapa të rëndësishëm pozitiv në luftën ndaj covid-19. Ulja e numrit të infeksionit dhe e vdekshmërisë si dhe e ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive ka bërë që shteti italian të fillojë në ditët në vazhdim rihapjen e ekonomisë dhe sektorëve jetik për zhvillimin e qendrueshmërinë e vendit. Sipas doktor Hilës, kjo pandemi dëmtoi edhe shumë shqiptarë të cilët nuk e fituan dot betejën ndaj covid-19. Rihapja ekonomike dhe leja për aktivitete të rëndësishme tregtie në fillim të muajit maj duket se do i japë një tjetër frymë Italisë. Sipas doktor Dritan Hilës, kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij dhe bota do ta fitojë këtë betejë të tmerrshme.

SITUATA NË SHTETIN ITALIAN 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian paraqitet nën kontroll, ku kemi ulje të numrit të infeksionit nga virusi Covid-19 dhe ulje të vdekshmërisë. Një lajm i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Itali ëshë dhe ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive. Në kuadër të menaxhimit të situatës që ka krijuar pandemia botërore covid-19, masa më e rëndësishme sipas doktor Hilës ishte izolimi social. Nga data10 mars 2020 e deri më tani i gjithë vendi është i izoluar si e vetmja rrugë për mbajtjen nën kontroll të përhapjes së virusit. Njerëzit mund të shkojnë nga një vend në tjetrin për arësye shëndetësore ose për motive pune e shoqëruar nga një autocertifikatë.  Aktivitetet që janë lejuar në këtë kohë izolimi janë supermarketet, dyqanet e ushqimit, dhe farmacitë. 

SHQIPTARËT NË ITALI 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian e bashkatdhetarëve shqiptarë ka qenë e rëndë. Si e gjithë popullata që jeton në Itali dhe shqiptarët janë infektuar nga virusi Covid-19 dhe për fat të keq një pjesë ka humbur dhe jetën. Aktualisht nuk kemi një numër të shqiptarëve të infektuar. Në raport me ditët e rënduara sipas doktor Hilës, fatmirësisht kurba e të infektuarve është në ulje. Në rajonin e Pulja-s (Puglia) ku unë jetoj ka një rënie të theksuar të rasteve të reja por duhet thënë që në përgjithësi jugu i Italisë ka qenë më pak i prekur nga virusi.

SI PARAQITET E ARDHMJA 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), e ardhmja duket premtuese dhe se shkaqet e vdekshmërisë që lidhen me virusin covid-19 kanë qenë mbi të gjitha kryesisht pulmonare. Pacientët kanë humbur jetën kryesisht për insuficiencë respiratore dhe insuficiencë multi-organore. Pandemia është në rënie të vazhdueshme dhe ky përbën një lajm të mirë për popullatën. Parashikimet jane të vështira për tu bërë në kohë të gjatë, por mendoj që kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe mbase ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij. Siç dhe e thashë dhe më parë situata tashmë është nën kontroll dhe izolimi social ka dhënë rezultat të dukshëm në uljen e infeksionit nga virusi covid-19. Në Itali me datë 04/05/2020 do të rifillojë hapja graduale me përjashtim të disa kategorive si lokaleve, restoranteve, kinemave, palestrave etj që do të rihapen në një moment të dytë. Kjo fazë lirimi të masave shtrënguese do jetë e shoqëruar me vazhdim të masave personale  si psh mbajtja e maskës e cila është kthyer e detyrueshme për çdo qytetar në ambiente të përbashkëta.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), në këtë moment të vështirë të përballjes me covid-19, këshilla kryesore është ajo e izolimit social, sidomos në moshat mbi 50 vjeç, dhe jo vetëm më të huajt por dhe me njerëzit e rrethit familjar pasi shpeshherë ky virus nuk tregon shenja të sëmundjes dhe kështu i heshtur mund të kalojë nëpër individë pa u kuptuar (rastet asimptomatike). Është e domosdoshme sipas doktor Hilës, në mënyrë që pandemia të kalojë pa pasoja, duhet të ruajmë largësinë nga njëri-tjetri (të pakten 1.5 m). Shumë me rëndësi është përdorimi i maskës në ambientet e përbashkëta pasi është vënë re që përdorimi i maskës e ulën ndjeshëm mundësinë e infeksionit nga ky virus vdekjeprurës. Po kaq rëndësi sipas doktor Hilës ka dhe larja e shpeshtë e duarve sidomos mbasi kemi prekur objekte që ndodhen në ambiente të përbashkëta me njerëz të cilët nuk janë rrethi ynë i ngushtë familjar. Duhet të evitohet prekja me duar e fytyrës e mbi të gjitha të pjeseve të mukozës (goje, sy) pa larë së pari duart. 

Dr. Dritan Hila gjate nje operacioni…

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Dritan Hila, Interviste, Sokol Paja

BETEJA E ITALIANËVE KUNDËR SARS-COV-2 NË LOMBARDI DHE ROLI I SHQIPTARËVE

April 28, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Albert Trocit, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, dhënë gazetarit Sokol Paja. /

Kirurgu Albert Troci një mjek shqiptar që punon e jeton prej dy dekadash në Itali, rrëfen me detaje dhimbjen e vuajtjen në betejën që po zhvillon sot shteti Italian për të menaxhuar pasojat e tmerrshme nga Covid-19. Si drejtues i shëndetësisë në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, doktor Alberti nuk lë pa përmendur edhe xhestin human të shqiptarëve që kanë ofruar shërbime restoranti e picerie për të gjithë punonjësit e shëndetësisë në Milano duke dhënë një kontribut human për ekipet e palodhura të shëndetësisë, në një betejë që goditi pa mëshirë sidomos Italinë. Lombardia krahinë e veriut të Italisë ishte i pari vend perëndimor liberal që u godit nga pandemia botërore.

SHPËRTHIMI I VIRUSIT NË LOMBARDI

Doktor Alberti tregon se në fillim shpërthimi i virusit i gjeti të papërgatitur italianët edhe pse nga Kina po arrinin informacione rreth këtij virusi vdekjeprurës. Numri i viktimave që në këtë pikë të pandemisë  ka arritur shifrën e tmerrshme 26.644,  është nga ndër më të lartët në botë pas SHBA-së. Për fat dhe si rrjedhojë e masave të marra,  në momentin që po shkruaj, kemi një trend në ulje të pacientëve të ri që preken nga virusi sars-cov-2 dhe tensioni në spital është ulur shumë. Sipas Doktor Albertit, jemi akoma me masa shtrënguese të lëvizjes së qytetarëve dhe po përgatitemi për fazën e 2-të falë indikatorëve pozitivë që po vërejmë ditët e fundit. 

MASAT E MARRA NGA QEVERIA

Nga data 8 mars e këtij viti, na shpjegon doktor Albert Troci, nga shteti italian u morën masa shtrënguese me mbylljen e të gjithë aktiviteve jo esenciale si bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, pezullimi i aktiviteteve didaktike, të ceremonive, spektakleve dhe kompeticionet sportive. Ky lockdown është ndër më të zgjaturit në kohë pas 77 ditëve të Wuhan-it në Kinë. Këto masa, sipas doktor Trocit pas kaq shumë kohe po shtypin egër indin social dhe ekonomik të vendit, por ishin të domosdoshme për të evitur skenarë edhe më tragjikë. Në spitalin ku punoj, rrëfen doktor Alberti, që nga identifikimi i rastit të parë me Covid-19 nisi riorganizimi i shtretërve. U përcaktua korridori që ne i quajme ”biokontenimento” se si të trajtohen këta pacientë nga momenti i arritjes në spital e deri tek trasferimi sipas nevojës në reanimacion. Jeta jonë si specialistë rrëfen doktor Alberti ndryshoi totalisht si brenda dhe jashtë spitalit. Unë  si shumë kolegë me specialitete të tjera, nga Kirurg, u shëndërrova në mjek që trajton pacientë me COVID-19. 

SHQIPTARËT NË LOMBARDI

Ashtu sikurse dihet tashmë, Italia ka një ndër komunitetet shqiptare me numrin më të lartë jashtë atdheut. Të gjithë shqiptarët sipas doktor Trocit, ju janë përgjigjur në mënyrë ekselente masave dhe urdhrave ekzekutivë të shtetit italian. Në luftë me pandeminë botërore shqiptarët në Milano sipas doktor Albertit u treguan shumë fisnikë. Në shumë raste shumë shqiptarë që kanë aktivitete shërbimi si restorante dhe piceri u kanë ofruar ndihmë punonjësve të spitaleve në shenjë falenderimi për punën e bërë në betejën kundër Covid-19. Një xhest shumë human që është duartrokitur dhe ka lënë një shije të jashtëzakonshme te qytetarët italianë në Milano. Një tjetër problem sipas doktor Albertit janë pezullimi i fluturimeve dhe mbyllja e kufijve. Ka patur edhe plot shqiptare që në momentin që u ndaluan udhëtimet, të cilët ndodheshin në Itali për motive të tjera, kanë mbetur fatkeqësisht të bllokuar dhe po presin që të kthehen në Shqipëri.  

KURBA E TË INFEKTUARVE NË LOMBARDI

Po të analizojmë kurbën e Italisë, sipas doktor Albert Trocit, tani jemi në ulje të bindshme të të prekurve të ri dhe R0 (R me zero) që është indeksi i infeksionit të coronavirusit është ulur nën shifrën <1 dhe ndodhet ndërmjet 0.2 dhe 0.5. Ky indikator bashkë me indikatorë të tjerë si numri i pacientëve të shtruar në spitale dhe atyre që kanë nevojë për terapi intensive (thembra e Akilit e shumë sistemeve shëndetësore në botë)  po ulet gradualisht. Indikatori që do të ulte më vonë se të tjerët është numri i vdekjeve ditore i cili në ditët e fundit edhe pse me shifra të larta po jep një lloj frymëmarrjeje. Mbetet akoma e lartë përqindja e letalitetit (d.m.th. raporti ndërmjet vdekjeve dhe rasteve pozitive) që është akoma mbi 13%.  Personat aktualisht pozitivë janë 106.103, të shëruarit 64.928. Nga personat e infektuar kemi 21.372 të shtruar në spital me simptoma dhe 82.722 ndodhen në vetëizolim në shtëpitë e tyre.

RIHAPJA DHE RIMËKËMBJA E EKONOMISË

Përgatitja për kthimin në jetë normale në Lombardi sipas doktor Albert Trocit ka hasur shumë vështirësi për të cilën qeveria ka krijuar task forcë “ad hoc”.  Jeta jonë, sipas doktor Albertit, ka qenë në këtë periudhë e pezulluar si në limbon e famshme të Dante Alighierit. Këtë radhë në vend të Virgilios ndodhet Kryeministri Giuseppe Conte i cili po mundohet të nxjerrë vendin nga ky rreth. Plani i pasqyruar është ndarë në faza. Me datë 4 maj do të nisë faza e dytë ku është e detyrueshme mbajta e maskave sa herë që ndodheni në ambjente të mbyllura ose në prezencë të personave të tjerë. Mund të vizitosh të afërmit por nuk lejohet kryerja e festave publike dhe private. Lejohet aktiviteti fizik. Më e rëndësishmja është se do të rihapet shumica e industrisë së rëndë dhe të lehtë.  Distancimi social do të mbetet pika kyce në të gjitha fazat. Mjetet publike do të kenë sinjale për distancimin dhe mënyrën e uljes duke e ulur kapacitetin për të ruajtur distancimin social. Më 18 maj, nqs, nuk do të ketë ringritje të kurbës do të ketë lehtësira të tjera masash. Do vërehet me shumë kujdes sjellja e kurbës dhe nëse në disa zona do të regjistrohet rritje të numrit do të krijohen mini zona të kuqe. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT

Në këtë luftë botërore që nuk e zgjodhëm ne, e cila na u prezantua në jetën tonë si një mik i padëshiruar, kundër këtij armiku të padukshëm dhe tinzar, sipas doktorit  Albert Troci  nuk duhet të ulim asnjëherë nivelin e kujdesit deri në fitoren përfundimtare. Është sëmundje reale dhe jo fantazi apo çmeduri kolektive. Kur shikon pacientë edhe në moshe jo të thyer që vdesin në vetmi pa praninë e të afërmeve dhe që përcillen në banesën e fundit në një qetësi shurdhuese të thyhet  zemra. Shpresoj që ky hall botëror të nxjerrë njerëz më të mirë. Të kuptojmë se kush janë idealet e rëndësishme që duhet të ndjekim  në jetë, deklaroi për gazetën Dielli, Albert Troci, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Albert Troci, Interviste, Sokol Paja

KOSOVA NË BETEJËN KUNDËR COVID-19 DHE RASTI I PODUJEVËS, FLET LIRIDONA MUSTAFA

April 28, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Liridona Mustafa, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, dhënë gazetarit Sokol Paja.

Gazetari Sokol Paja.

Nga data 8 shkurt deri më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, sipas Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, janë testuar gjithsej 6.479 raste të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre (763) raste, ndërsa gjithsej njëzet e dy (22) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Kosova është ndër vendet e fundit në Ballkan që është prekur me koronavirusin COVID-19. Më 13 mars 2020, Kosova konfirmoi dy rastet e para me koronavirus (Covid-19). Një shtetase italiane 20-vjeçare dhe një i moshuar 77-vjeçar shtetas kosovar ishin dy raste e para të cilat kanë rezultuar pozitiv me koronavirus (COVID-19) në Kosovë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë (166) raste. Komuna me më së shumti raste të infektuar me covid -19 në Kosovë është Ferizaj me 98 raste, ku prej tyre 2 kanë vdekur dhe 3 janë shëruar. Komuna e Malishevës është komuna e dytë për nga numri i të infektuareve në Kosovë, ku janë 73 raste me covid-19, 1 prej tyre ka vdekur dhe 55 janë të shëruar dhe Komuna e Pejës me 72 raste, prej tyre 2 kane vdekur dhe 4 janë të shëruar. Java e dytë e muajit Prill kishte më së shumti raste, ku me datë 12 prill rezultuan 79 qytetarë  të infektuar me covid-19.

SITUATA NË PODUJEVË

Sipas Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare- në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, rasti i parë pozitiv me COVID-19 në Podujevë ka rezultuar më 15 mars. 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme e Podujevës që tashmë është shëruar plotësisht, kishte ardhur nga Italia më 5 mars nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”. I njëjti kishte infektuar edhe prindin e tij 82-vjeçar dhe motrën 54-vjeçare nga fshati Bradash. 82-vjeçari më 22 mars ka vdekur, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosovë si pasojë e koronavirusit. Përveç infektimit, viktima vuante nga sëmunundjet kronike të zemrës dhe të mushkërive dhe në ditën e gjashtë të infektimit, ai kishte pneumoni masive në anën e majtë. Komuna e Podujevës deri më tani numëron gjithsejtë 9 të infektuar me Covid-19, prej tyre një i infektuar ka vdekur ndërsa tre të tjerë janë shëruar plotësisht. QKMF në Podujevë ka aktivizuar punktin shëndetësor në pikën kufitare-Merdarë gjatë 24 orëve me katër ekipe mjekësore, të cilat janë pajisur me mjetet e nevojshme dhe material mbrojtës, duke zbatuar kështu rekomandimet e dhëna nga IKSHPK për kontrollën e udhëtarëve në rast dyshimi për COVID-19 në mënyrë që të 

bëhet parandalimi dhe përhapja e sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu është krijuar ekipi kujdestar 24h çdo ditë, për triazhimin e pacientëve në QKMF-Podujevë për COVID-19. Komuna e Podujevës po ashtu ka siguruar hapësirën e duhur për ekipin psikologëve vullnetarë, i cili do të ofrojë shërbim psiko-social online për qytetarët e Podujeves të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë të pandemisë COVID-19 për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të përjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja dhe simptoma të depresionit.

MASAT KUNDËR COVID-19 NË KOMUNËN E PODUJEVËS

Nga ditët e para të shfaqjes së pandemisë, veçanërisht nga shpallja e emergjencës shëndetësore, sipas infermjeres Mustafa, jemi mobilizuar me tërë potencialin dhe mekanizmat që posedojmë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Në Komunën e Podujevës janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme preventive nga institucionet shëndetësore, policia, inspektorati komunal dhe organet e tjera, konform rekomandimeve të IKSHP, Ministrisë së Shëndetësisë dhe vendimeve të Qeverisë. Përveç mbylljes së institucioneve arsimore dhe apelit për reduktimin e lëvizjeve të qytetarëve, Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë ka pezulluar të gjitha ritualet e faljes së namazit nëpër xhami. Me vendimin e KBI-së është pezulluar edhe e pamja në familjet që kanë raste të vdekje. Gjithashtu, gjatë periudhës së pandemisë, kërkohet që në rastet e vdekjeve, ceremonitë e varrimit të kryhen me një prani sa më të vogël të qytetarëve. Si masë preventive, po vazhdon dezinfektimi i hapësirave publike dhe pajisja e institucioneve shëndetësore me material mbrojtës. Eshte bërë furnizimi me mjete mbrojtëse dhe dezinfektuese edhe i institucioneve të tjera dhe ndërmarrjeve shërbyese-publike. Komuna e Podujevës, lidhur me masat për parandalimin dhe luftimin e Coronavirusit COVID-19, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike; vendimin për lirimin nga taksa komunale e të gjitha subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 si dhe; vendimin për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës Komunale për vitin 2020. Inspektorët komunalë vazhdimisht janë në terren dhe po përcjellin zbatimin e vendimit të qeverisë, për mbylljen dyqaneve dhe lokaleve hotelierë. Nga qytetarët është kërkuar t’i shmangin lëvizjet e panevojshme, të marrin masat mbrojtëse si dhe të ruajnë qetësinë publike, kurse rastet e dyshuara të vetëizolohen dhe të kërkojnë asistencë profesionale shëndetësore.

TRAJTIMI I TË SËMURËVE

Në QKUK, në Klinikën Infektive po trajtohen 59 pacientë me COVID-19, prej tyre 9 po trajtohen me oksigjeno-terapi, kurse dy pacientë janë në gjendje të rëndë. Njëri nga ata është në kujdesin intenziv është intubuar, po ashtu eshte edhe një pacient tjetër që është në gjendje mjaft të rëndë duke përfshirë faktin që është edhe në dializë. Sa i përket kulminacionit të pandemisë në vendin tonë, sipas Liridona Mustafës, kjo varet nga disa faktorë, ndër të cilët më kryesorët janë: se sa i kanë respektuar rregullat dhe rekomandimet qytetarët, por edhe nga numri i testimeve që

Liridona Mustafa

realizohen për ditë. Tashmë jemi në javën e fundit të muajit prill, përndryshe java e shtatë nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, dhe nëse virusi sillet pak a shumë ngjashëm si në shumicën e shteteve tjera, atëherë mund të presim që deri në fund të këtij muaji të kemi numër të konsiderueshëm të rasteve, dhe të shpresojmë që gjatë gjysmës së parë të majit të marrim frymë më lirshëm. Ndikimi eventual i temperaturave të larta dhe rrezeve ultravioletë ndaj virusit, po ashtu mund të shihet si një faktor favorizues në këtë drejtim.

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Qytetarë të nderuar, unë si personel shendetesorë, ju lutem që të respektoni masat e shpalluara të parandalimit nga Instituti Kombëtar dhe Ministria e Shëndetësisë! Ruajeni shëndetin tuaj! Pakujdesia kushton me jetë! Qëndroni në shtëpi, kjo ua shpëton jetën! Mbani distancë fizike për së paku 2 metra! Na ndihmoni pak që të ju ndihmojmë shumë, ishte apeli për gazetën Dielli e Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare- në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Liridona Mustafa, Sokol Paja

MJEKËT SHQIPTAR NË GJERMANI , FLET DR.ILIR ARIFI

April 27, 2020 by dgreca

MJEKËT SHQIPTAR NË GJERMANI NË NDIHMË TË BASHKËATDHETARËVE NË BETEJËN KUNDËR COVID-19 /

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Ilir Arifit, mjek në “Regiomed Klinikum- Hildburghausen”, Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja. 

Gjermania është shteti europian model në luftën kundër Covid-19, përballimin e pasojave, menaxhimit të rasteve, masave të marra dhe planit të hapjes e rimëkëmbjes së ekonomisë. Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë ´´Regiomed Klinikum- Hildburghausen´´, Gjermani ka deklaruar për “Dielli”-n se situata në Gjermani po shkon drejtë normalizimit dhe fatmirësisht numri i shqiptarëve të prekur nga pandemia botërore ka qenë modest.

 SITUATA NË GJERMANI 

Doktor Ilir Arifi na shpjegon se duke parë trendin pozitiv të rënies së intensitetit të virusit dhe menaxhimit me sukses të situatës, Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn deklaroi se përhapja e virusit në Gjermani është bërë tashmë e menaxhueshme, si rrjedhojë qeveria gjermane ka vendosur t’i zbusë në mënyrë të kujdesshme masat kufizuese të jetës publike, edhe pse masat e vendosura nuk ishin ekstreme si në vendet e tjera të prekura me COVID 19. Aktualisht sipas doktor Ilir Arifit Gjermania është në një situatë shumë më të relaksuar se sa para 2-3 javesh, pasi është arritur qellimi kryesor i qeverisë në zbritjen e shkallës së riprodhimit të virusit, pra një person me COVID 19 infekton më pak se 1 person (0,7). Kjo përhapje mundëson imunizimin e kontrolluar të popullates pa e ngarkuar sistemin shëndetësor. 

E ARDHMJA 

Momentalisht në Gjermai sipas dokor Ilir Arifit numri i të sheruarve me COVID 19 (11000) është dyfish më i lartë sesa i të prekurve (45000), dhe vdekshmëria (5800) mbetet ende në shkallë të ulët në raport me të prekurit. Shkaqet e vdekjes janë kryesishtë pasojat që shkakton virusi në rrugët respiratore, por zakonisht virusi është me rrezikshmëri të ulët te pacinentët pa sëmundje shoqëruese. Personat e rrezikuar janë ata me sëmundje respiratore, duhanpirësit, sëmundje të zemrës, diabet dhe semundje që dobësojnë imunitetin. 

PLANI I RIMËKËMBJES 

Tashmë në Gjermani, na raporton doktor Arifi, ka filluar hapja e bizneseve të vogla, dalja në natyrë dhe për blerje ka qenë vazhdimisht e lejuar me kusht që të respektohet distanca 1.5 m dhe të mos levizin më shumë se 2 persona së bashku, me përjashtim të familjarëve. Nga 4 Maji sipas doktor Ilir Arifit, është planifikuar hapja graduale e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme, me kushte të rrepta të mbajtjes së distancës dhe higjienës dhe poshtu është bërë obligative vendosja e maskave në hapsirat e mbylluara. Gjatë periudhes së pandemisë, në Gjermani vendoset çdo dy javë për masat e mëtutjeshme. 

SUKSESI GJERMAN

 Në betejën e fituar nga shteti gjerman ndaj Covid-19 doktor Ilir Arifi rendit disa arsye: marrja me kohë e masave adekuate, sistemi shumë i avansuar shëndetësorë, në veçanti mjekimi intenziv modern, shtimi i mbi 10 mijë shtretëve të kujdesit intenziv, krahas 30 mijë ekzistues, numri i madh i testimeve, po ashtu zbulimi dhe menaxhimi i shpejtë i vatrave të infeksionit. Mbi të gjitha këtë sukses e ka mundësuar kultura e lartë e popullit gjerman në respektimin e masave të vendosura dhe ndërprerja e herëshme e kontakteve te të moshuarve me gjeneratat e reja, sidomos të gjysheve/gjyshërve me nipat dhe mbesat. 

PARASHIKIMI

 Sipas parashikimeve të Institutit Robert Koch vala e dytë e infektimeve me COVID 19 parashikohet në vjeshtë të këtij viti, e treta në pranverë të vitit të ardhshëm dhe e katërta në vjeshten e 2021. Vetëm atëherë do të arrihet infektimi i 60-70 % i popullatës, si rrjedhojë edhe imunuizimi. Ky imunizim sipas doktor Arifit do të realizohej më shpejt me zbulimin e Ilaçit apo vaksinës, e cila këtë javë ka filluar të testohet nga një Institut në Gjermani. SHQIPTARËT NË GJERMANI Në bazë të dhënave ka një numer modest të Shqipëtarve të prekur me COVID 19 dhe poashtu për secilin Land të Gjermanisë janë vënë në dispozicion numrat e telefonit dhe E-mailet e Mjekve Shqipëtarë që punojnë në Gjermani për këshilla dhe ndihmë të bashkatdhetarëve. 

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT

 Bashkëatdhetar të dashur në USA, si mjek i cili po përballet çdo ditë me pacientët me COVID 19, ju lutem mos e nënvlersoni këtë situate shumë serioze, respektoni rregullat e distancimit dhe higjienes, bëni durim edhe një kohë, qëndroni në shtëpi! Bëjeni këtë për veten tuaj, për familjarët tuaj më të moshuar, apo edhe të rinjë me sëmundje shoqëruese. Moskujdesi juaj mund të jetë fundi i më të dashurve tuaj, u shpreh për gazetën Dielli, Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë “Regiomed Klinikum- Hildburghausen” Gjermani.

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste, Sokol Paja

Shqipëria dhe Kosova të kthejnë sytë nga Presheva

April 26, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Driton Salihut, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës dhënë gazetarit Sokol Paja. /

Doktor Driton Salihu, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës në kuadër të masave të marra për të luftuar COVID-19, ka apeluar për vëmëndje urgjente dhe ndihmë konkrete ndaj Luginës prej Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Për lexuesit e gazetës “Dielli” dhe gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë e në vecanti, ata nga Lugina e Preshevës që jetojnë në New York, New Jersey, Chicago, doktor Salihu siguroi se po bëhet një punë kolosale për ta mbajtur popullatën të paprekur.

SITUATA NË PRESHEVË

Në Preshevë, sipas doktor Salihut situata me pandeminë është nën kontroll. Falë punës së ekipeve të shëndetësisë edhe pse kanë kaluar 50 ditë gjëndja ka qenë e qetë. Deri tani Presheva për fat të mirë, nuk ka as të dyshuar dhe as të infektuar. Shteti serb sipas doktor Salihut po përjeton tani rënien e kurbës të infektuarve dhe po shpresojmë se ne po kalojmë më së miri këtë situatë të pandemisë botërore. Në luginë masat e karantinimit kanë qenë shumë strikte. Momentalisht sipas doktor Salihut qytetarët po përjetojnë orën policore nga dita e premte, ku Presheva është mbyllur nga dita e premte ora 18 dhe do të qëndrojë çdo banor nëpër shtëpi deri ditën e hënë ora 05:00. Tashmë në Serbi sqaron doktor Salihu, kanë filluar të lirohen masat, nga nesër do të hapen qendra e parukerisë, ato të bukurisë si dhe fitness qendrat, ndërsa pas festave të 1-2 majit pritet që të lirohen edhe më shumë, sigurisht nën masa të kontrollit kafiteritë, restoranet si dhe aerotransporti do të qëndrojë i kufizuar si rrezik për përhapjen e rasteve të reja.

MASAT KUNDËR COVID-19

Sipas doktor Driton Salihut, Shtëpia e Shëndetit në Preshevë ka ndërrmarë masat me kohë me rekonandime nga Ministria e shëndetësisë dhe Enti për shëndet publik. Ne kemi hapur CoVID ambulancën ku trajtohet vetëm pacientët me simptome febrile, si ata me tempetarurë, ethe dhe vështirësi në frymëmarje. Kjo ambulancë punon cdo ditë, 7 ditë në javë me orat 07-22 me mundësi të orarit deri në 24 orë.

Hapja e kësaj ambulance ka të bëj me ndarjen e pacientave tjerë që vijnë për të shkruar terapinë kronike. Pacientat tanë kanë mjekun e zgjedhur dhe te mjeku sipas mundësisë lajmërohen me telefon dhe mund ta shkruajnë terapinë e barnave pa ardhë fare të mjeku për 9 muaj. Sipas doktor Salihut përgjatë gjithë kësaj periudhe dihma e shpejtë funksionoi 24 orë në 24 për t’iu përgjigjur lërkesave të qytetarëve. Sa i përket materialit mbrojtës për stafin, sipas doktor Salihut ne jemi të pregaditur, si me maska, doreza, dezinfektimin e objektit, zyrave dhe oborrit çdo ditë dhe masa të tjera në mbrojtje nga virusi ku janë ndërmarë edhe disa aksione duke shpërndarë maska dhe doreza për qytetarët e rastit në këtë mënyrë të rritet vetëdijësimi i qytetarëve për masat mbrojtëse ndaj Covid-19. HARRESA KOMBËTARE Komuna e Preshevës sipas doktor Salihut, ka nevojë emergjente për mbështetje si nga shteti i Shqipërisë po ashtu nga shteti i Kosovës. Deri tani mbështetja e shteteve asmë ka qenë zero. Sipas doktor Salihut, vetëm ditët e fundit, qeveria Kurti në Kosovë ka premtuar 500,000 euro për Luginën e Preshevës për ta lehtësuar gjendjen me Corona virus, një ndihmë shumë e nevojshme, po para kësaj, tre vitet e fundit, Shtëpia e Shëndetit nuk ka marr asnjë ndihmë, duke krahasuar ndihmën me të cilën qeveria e Republikës së Serbisë sa po ndihmon komunitetin serb në Kosovë. Sipas doktor Salihut, qeveria e Republikës së Shqipërisë deri tani nuk ka ofruar asnjë ndihmë. Gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është shumë e rëndë, andaj edhe çfarëdo ndihme për shqiptarët e Luginës do të jetë e mirëseardhur, deklaroi për gazetën Dielli, Driton Salihu, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Presheva, Sokol Paja, Syte nga Shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët në Kolorado festuan festën e Flamurit kombëtar
  • Si Izraeli copëtoi të majtën dhe bashkoi të djathtën amerikane
  • Gratë për gratë
  • Platforma diplomatike e çështjes çame
  • Vatra Tampa Bay festoi në mënyrë madhështore festën e Flamurit Kombëtar
  • “RRETH FLAMURIT TË PËRBASHKUAR …”
  • Shuhet “Sokrati” shqiptar, Federata “Vatra” telegram ngushëllimi
  • Dita e Pavarësisë në Kastrovillari\ Kalabri \ Itali
  • NJË LAVDI KOMBËTARE NË NJU JORK!
  • 100 – VJETORI I LINDJES SË POETIT  DHE PEDAGOGUT VEHBI BALA
  • Vatra Miami dhe Emina Cunmulaj mbledhin për herë të parë diasporën e Miamit për të celebruar ditën e Flamurit !
  • #SiSot, më 4 dhjetor 1912, u themelua qeveria e parë shqiptare
  • Sot, përkujtojmë 103-vjetorin e lindjes së historianit Kristo Frashëri
  • AJO COPĒZ QIELLI DIMĒROR I POETES ANTONIA POZZI
  • SHKA “Dardania” me dardanët mërgimtarë, kremtuan 28 nëntorin dhe 29 vjetorin e SHKA “Dardania”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT