• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAZER STANI PER DIELLIN: KOLIQI DHE CAMAJ, MAJA TË LETËRSISË SHQIPE

July 27, 2020 by dgreca

Shkrimtari Lazër Stani komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit ku shprehet se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga sigurimi i shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të trajtohen si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Me Lazër Stanin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

BALTË MBI ERNEST KOLIQIN DHE MARTIN CAMAJN. PSE PIKËRISHT SOT KY DEBAT?

Nuk mund të them se është debat. Në këtë rast nuk ke se për çfarë të debatosh. Në këtë rast vetëm mund të refuzosh me përbuzje, riciklimin e akuzave të hartuara nga Sigurimi i Shtetit Komunist që synonte të denigrojë dhe të defaktorizojë dy prej personaliteteve kulturore më të rëndësishëm shqiptarë në shekullin e shkuar. Eshtë një praktikë e njohur kjo e përdorur nga shërbimet sekrete Lindore, ndaj personaliteteve kulturore disidentë, që nuk pajtoheshin me regjimet e dhunshme të instaluara në këto vende. Vlerësimi për Ernest Koliqin, Martin Camajn, por edhe Arshi Pipën, Petro Markon e ndonjë shkrimtar tjetër nuk mund të bëhet duke përdorur trillimet e Sigurimit të Shtetit ndaj tyre. Vepra e tyre letrare është dëshmia më e mirë e personalitetit të tyre letrar të padiskutueshëm, por edhe dëshmi e atdhedashurisë, e lidhjes se tyre shpirtërore me kombin dhe gjuhën shqipe. Joseph Brodsky shkruan se “për shkrimtarin ekziston vetëm një lloj patriotizmi, qendrimi i tij ndaj gjuhës.” Nëse i shohim në këtë kontekst, unë nuk di patriotë më të mëdhenj se Koliqin dhe Camajn. Të dy kanë shkruar një shqipe të mrekullueshme. Nëse e lexon krijimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve, gjen një lidhje shpirtërore të fuqishme me gjuhën, arketipin, shpirtin dhe identitetin shqiptar, të pandotur nga rrjedhat e historisë. Vetëm një njeri që e do shumë vendin e vet, gjuhën e vet, kombin e vet, mund të shkruajë një letërsi të tillë. Në Shqipëri nuk kemi shumë gjëra për të cilat mund të krenohesh, por emrat e këtyre dy shkrimtarëve, gjithmonë më kanë bërë të ndjehem krenar për vendlindjen time, vendin tim. 

PSE SULMOHEN SHKRIMTARËT KUNDËRSHTARË TË REGJIMIT? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT KOMUNIST?

Në librin tim të fundit “”Rugë pa krye” në njërën nga esetë kam shkruar ndër të tjera: “Dosjet e policisë sekrete, dosjet e sigurimit të shtetit patën tmerruar njerëzit për dekada me radhë. Njeriu në këto dosje gjymtohej, shtrembërohej, tjetërsohej, ngarkohej me një mijë e një të zeza, faje e krime të pabëra kurrë, deri sa një ditë ky njeri i dosjes e çonte njeriun e vërtetë në bankën e të akuzuarve, e shndërronte në viktimë të ndëshkimeve dhe dënimeve të padrejta”. Pikërisht kjo ka ndodhur, dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit kërkojnë të çojnë edhe tani pas tridhjetë vjetësh, në bankën e të akuzuarve dy prej personaliteteve më të shquar të kulturës shqiptare, dy maja të ndritshme të letrave shqipe. Duket se “studimi” i prezantuar me dokumente të manipuluar dhe raporte të shkruara nga Sigurimi” është vetëm vazhdim i punës së nisur shumë vite më parë për të goditur këto personalitete, që me emrin dhe veprën e tyre i bënin hije shkëlqimit të rremë të diktaturës. Unë mendoj se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të merren si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Dosjet e përpiluara prej tij janë të mbushura me shpifje, intriga, shtrembërime, falsifikime e manipulime të së vërtetës. Ato dosje vetëm se dëshmojnë se sa kriminal, monstruoz dhe antinjerëzor ishte regjimi në të cilin kemi jetuar; një ferr për njeriun dhe një parajsë për të ligun, kriminelin, të pashpirtin, intrigantin, manipulatorin, gjithfarë lloj monstrash që për fat të keq toka jonë i ka prodhuar me shumicë. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Koliqi dhe Camaj janë individualitete krejt të veçantë të letrave shqipe, vijnë si zë autentik i shpirtit shqiptar, të pandotur e të papërçudnuar nga masakra që iu bë kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet. Eshtë kjo arsyeja ndoshta që ata urrehen nga bartësit ende aktivë të ideologjisë së diktaturës.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË?

Shoqërinë e dëmton sigurisht. Akte të tilla poshtëruese i bëjnë njerëzit të demotivohen, të ndjehen të zhgënjyer në vendin e tyre. A këta jemi ne? Nëse jemi kështu, e meritojmë këtë fat që kemi, ndaj hajt të ikim nga sytë këmbët, të shpëtojë kush mund të shpëtojë, në mos veten, të paktën fëmijët. Ndërsa për shkencën është vështirë të flitet. Ajo qëndron përtej këtyre banaliteteve.

ÇDO TË THOTË TË SULMOHEN MITET LETRARE TË NJË KOMBI?

Historia jonë është e mbushur me barbarizma të tilla. Eshtë përçmuar letërsia e vjetër shqipe dhe krijuesit e saj, autorët e Rilindjes, Faik Konica dhe Gjergj Fishta, At Anton Arapi dhe Ernest Koliqi e shumë e shumë shkrimtarë të tjerë. Komunizmi si filozofi në ADN-në e vet ka urrejtjen, sepse është i mbështetur mbi urrejtjen klasore dhe konfliktin që lind midis klasave të një shoqërie për shkak të kësaj urrejtjeje. Kjo ka sjellë shumë shkatërrime në vendin tonë, Shqipërinë. Dhe që për fat të keq është ende e pranishme, si sindromë, si lëngatë, që bren vlerat dhe virtutet e kombit. Një komb matet me njerëzit e tij të shquar, shkruante Ernesto Sabato. Nëse ne si komb i asgjesojmë njerëzit tanë më të shquar, e në mes tyre edhe Koliqin e Camajn, atëherë me çfarë do të matemi, me partizanin e vogël Velo? Megjithatë, në fund dua të shtoj se letërsia e mirë është superiore, është e paasgjesueshme. Të tillë janë edhe Koliqi e Camaj si autorë të një letërsie të tillë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Koliqi-Cama-Maja e letersise, lazer Stani, Sokol Paja

RRËFIM EKSKLUZIV PËR DIELLIN: FILMI SHQIPTAR NË FESTIVALIN E FILMIT NË NEW YORK

July 25, 2020 by dgreca

Julian Biba, Drejtor i Përgjithshëm Festivalit të Filmit “New York True Venture Film Festival – NYTVFF” rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rreth festivalit të filmit që do mbahet në New York dhe filmat shqiptarë që konkurojnë me dinjitet përkrah filmave botërorë. Me Julian Bibën bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

EDICIONI I PARË I “NEW YORK TRUE VENTURE FILM FESTIVAL”

Më 6 shtator të këtij viti mbahet në New York edicioni i parë  New York True Venture Film Festival. Ky festival filmi në fakt ishte planifikuar të mbahej në daten 2 maj të këtij viti, por për  shkak të pandemisë, e cila goditi mbarë globin, (ashtu siç edhe shumë aktivitete të tjera), u shty për në muajin shtator. Pasioni për kinematografinë më ka shoqëruar gjithë këto vite, dhe jam përpjekur që kohën time të lirë t’ja kushtoj këtij zhanri aristik, i cili sa më thellë të hysh brenda tij, kupton se gjenden akoma më shumë labirinthe të panjohura e rrugë ende të pazbuluara. Në fillim copëza kujtimesh të hedhura në letër, e më pas shkolla për të marrë leksione të mirëfillta skenari, dashur pa dashur mi lidhi të dyja këmbët në këtë rrugë që sot me plot gojë them se ja vlen. Ja vlen kur njeriu ndjek një ëndërr. Kështu që festivali nuk erdhi kot, erdhi si pasojë e gjithë asaj ëndrre, pune, studimi e pasioni.

AFATI I DORËZIMIT TË FILMAVE PËR FESTIVAL

Festivali mbyll pranimin e filmave për konkurim në fund të muajit korrik pikërisht më 31, dhe pastaj është radha e jurisë për të përzgjedhur më të mirët, ata që do të shkojnë në finale, e cila mbahet në datën 6 shtator. Ne si staf festivali jemi të kënaqur sepse përveç shtrirjes së gjërë (pasi festivali është ndërkombëtar) cilësia, produktiviteti, shumëllojshmëria e tematikave, është  mjaft e mirë, sa edhe unë vetë ndonjëherë kur i shoh, jam në dilemë midis përzgjedhjes, por e di që juria ka për të përcaktuar saktë më të mirët. Anëtarët e jurisë janë të fushave të ndryshme, regjisorë, skenaristë, kompozitorë, nga fusha e medias, etj dhe njerëz me mjaft përvojë dhe të suksesshëm në profesionin e tyre, kështu që e di që kanë për të gjykuar drejtë dhe saktë.

FILMI SHQIPTAR NË NEW YORK

Festivali ka patur një shtrirje jo vetëm në Amerikë, Europë, kontinentin aziatik por edhe në Shqipëri edhe Kosovë. Janë disa filma dhe dokumentarë nga këto shtete, ku të rinj të talentuar janë pjesëmarrës me prodhimet e tyre në NYTVFF. Do të thosha me plot gojën që konkurojnë në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë, përballë edhe disa emrave të njohur që ne kemi në festival, që nëse filmi nuk do të kishte titra, nuk do të arrijë të kuptojë se cilit shtet i përket. Teknikat e xhirimit, muzika, efektet, loja e aktorëve, ngjarja, i bën të jenë të barabartë me të tjerët. 

ZHANRET E KONKURIMIT NË FESTIVALIN E FILMIT

Në NYTVFF konkurohet në disa zhanre si film me metrazh të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, video muzikore etj dhe prurjet kanë qenë të shumta në numër dhe realizime të shkëlqyera. Ajo që do të veçoja unë dhe që natyrisht është edhe një nga fushat që e dua është ajo e dokumentarit. Janë jo vetëm historik, biografik, ose që kanë të bëjnë me një temë të caktuar por vijnë disa dokumentarë me tematikë natyrën dhe burimet nënujore saqe mrekullia e kameras të përdorur nën ujë, vërtet të magjeps e të lë pa frymë. Do veçoja pastaj një gazetar të njohur suedez i cili në mënyrë mjaft profesonale sjell bukur botën e brëndshme të njeriut, luftën me veten dhe të tjerët, denigrimin, forcën e ringritjes. Do të veçoja gjithashtu zhanrin horror dhe thriller, të cilët herë pas here të ndërthurur me komedinë sjellin një tjetër larmi në këtë edicion të parë. Janë pastaj cartoon animation me teknikat e punuara pasurojnë festivalin. Janë shumë dhe mua më vjen jashtë mase mirë. E di që juria ka një punë jashtëzakonisht të vështirë për të bërë, por unë si drejtor i festivalit jam i kënaqur dhe i befasuar me cilësinë.

ELONA PAJA GAZETARJA E TVSH DREJTORE EKZEKUTIVE E  FESTIVALIT

Ne si staf kemi rreth 1 vit që përgatitemi dhe natyrisht që përgjegjësia e secilit është e madhe. Unë kam fatin të kem në krahe si Drejtore Ekzekutive një ish gazetare të Televizionit Publik Shqiptar, e cila gjatë karrierës së saj televizive ka prodhuar disa dokumentare si regjisore dhe skenariste, gjithashtu ka lëvruar edhe fushën e filmit, ajo është Elona Paja, me të cilën kemi gjetur një gjuhë të shkëlqyer të përbashkët në organizim dhe menaxhim. Ajo eksperincën, unë pasionin po përpiqemi që këtë festival ta mbajmë në nivele të larta profesionalizmi dhe në vitet në vazhdim të vijë gjithmonë në ngritje. Janë pastaj përkrahja dhe dashamirësia e njerëzve që na rrethojnë, të cilët e duan të bukurën dhe artin dhe janë pranë nesh duke na mbështetur dhe përkrahur në realizimin e këtij festivali madhështor në New York. 

FESTIVALI I FILMIT NJË MARKË SHQIPTARE

Sivjet është edicioni i parë i këtij festivali dhe ne si staf mendojmë që tashmë ta kthejmë në traditë. Ky është një festival që bëhet nga shqiptarët, pasi vetë organizatorët janë shqiptarë dhe unë do ta shihja pak edhe si një ngjarje shqiptare. Sa më shumë aktivitete të kemi ne shqiptarët, sa më të mirëorganizuar të jemi aq më mirë e më fort nxjerrim në dritë vlerat tona si popull. Sa më të shumë organizata,sa më shumë biznese, sa më shumë aktivitete artistike, aq më shumë identitet dhe pasuri kombëtare.           

Filed Under: Featured Tagged With: Festivali i new York-ut, Filmi Shqiptar, Sokol Paja

RESTAURIMET NË KORÇËN E TURIZMIT HISTORIK, KULTUROR, TRADICIONAL E ARKITEKTUROR

July 24, 2020 by dgreca

Gjergji Koki, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e monumenteve të kulturës dhe restaurimet në veprat muzeale në qarkun e Korçës. Me Gjergji Kokin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MUZEU I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE “ABC” DREJTË MUZEALIZIMIT

Në lidhje me restaurimet në Korçë, nuk kam si ta nis ndryshe sepse imazhi që më vjen në mëndje direkt dhe e po e them shkurt është ABC. Ky objekt simbol ka pothuajse pak muaj që ka mbaruar restaurimin, por nëse kalon në pedonale, nuk mund të mos të marrësh nga ndjesia që të përcjell. Restauruar Tradicionalisht këtij objekti historik, pas dëmtimeve të shumta ndër vite por edhe pas tërmetit, iu rikthyen vlerat në aspektin arkitektonik, e ndërsa në proçes është faza e muzealizimit.  Kjo e fundit do të shpalosë gjithë historikun dhe ndjesitë e vërteta të të përjetuarit të ABC së vjetër në ditët e sotme. Kisha e Ristozit, objekt me rëndësi të veçantë në rajonin tonë, pas shumë vitesh në proçes restaurimi, ka përfunduar duke u rikthyer besimtarëve një tempull të denjë besimi. Dhe ky objekt ka pasur problematika të mëdha pasi është zhveshur nga restuarimet e gabuara ndër vite dhe është resturuar duke e kthyer në identitet kishën. Mbase me fjalë një proçes restaurimi do të duket i thjeshtë sidomos kur e shikon të përfunduar, por të gjitha hapat kanë vështirësi të cilat mund të jenë dhe fatale për monumentin prandaj ndiqen deri në detaj.

NËPËR RRUGICAT ME KALLDRËM

Nëse ecën në Korçë, në rrugicat të duket sikur do të humbasësh. Ti hyn në një prej tyre qetësisht, ecën në kalldrëm, rrethohesh nga vila dhe për një moment e gjen veten në zhurmën e Bulevard Republikës, por shumë shpejt ndjen përsëri rrugicën tjetër dhe vazhdon qetësisht të shijosh kalldrëmin dhe nëse fokusohesh do të kuptosh arkitekturën e qytetit vetë. Të duken të pafundme këto rrugica ndonjëherë dhe të njëjta për ata që vizitojnë, por jo secila  të ofron një gjë të re për të parë. Aty gjen, stile të pafundme të përdorura të dekoracioneve në fasadë, kornizime, konfiguracione kangjëllash, herkelat e dekoruar, format e banesave, kapitelet e mahnitshme, portat hyrese, rrethimet…. dhe nëse hyn brenda tyre do të doje të jetoje aty ta siguroj, hapësira të mëdha, oborre me lule.. Por nëse do të ishe me fat, do të mund të shihje dhe dy brendi vilash ku do të humbisje në pikturat e mureve dhe tavanëve, po po do të humbisje sesi një vilë ka çdo mur të pikturuar me skena relaksuese për të cilat do të doje tju tregoje të gjithëve. Por kur ecën nëpër rrugica diku të hapen dhe sheshe, diku del në Bulevard, diku ngjitesh dhe del tek “Kryqi”. Bulevardi pastaj është një muze i hapur ku ecen dhe tregon me gisht, uaaa sa e bukur kjo vila dhe kjo tjetra, po këto kapitelet me figura. Por çfarë është më e rëndësishmja se ti këto vila në Bulevard mund ti shijosh hërë si bujtina, si bar apo dhe si restaurant. Kjo falë investimeve dhe restuarimeve që u janë bërë vitet e fundit në kë objekte me vlera të trashëgimisë ndërtimore. Pronarët kanë invetuar duke ruajtuar dhe duke nxjerrë në pah çdo vlerë të kësaj tipologjie objektesh në këtë zonë. Kështu ti mund ta shijosh kafen në oborrin e një prej këtyre vilave. Dhe objektet të cilat janë në rrugica dhe i nënshtrohen ndërhyrjeve ndjekin këtë linjë, ruajnë vlerat e tyre, harmonizohen në lartësi dhe formë me objektet në zonë, dhe nëse një objekt nuk është në karakter me zonën, kur realizon ndërhyrje kthehet në një objekt me karakteristika të banesës korçare.

OBJEKTET QË RUAJNË VLERAT E QYTETIT

Çdo objekt i ri apo i vjetër si qëllim ka ruajtën në tërësi të vlerave të qytetit. Rrugicat e gjallëruara nga banesat të cilat faqen që nxjerrin nga rruga e kanë të pasuaruar me dekorancione fantastike siç shihet dhe në fotot në shkrim. Herë këto objekte janë të rrethuara me kangjella dhe herë me mure rrethuese. Mobilimet zakonisht janë të ngarkuara dhe dritare të shumta ku thyhet drita nga grilat. Qilimat e leshit mbulojnë dhomat cep më cep në ngjyrë të thellë të blusë e të kuqes. Këto dhe mobilje të punuara janë si karakteristike të banesave të vjetra. Banesat edhe pse mund të jenë në zgjidhje planimetrike të njëjtë, trajtimi i jashtëm ndryshon. Për të mos harruar pazarin që sot është destinacioni ku mund të “flesh, hash, kërcesh” së bashku me kulturën, historinë, traditën, arkitekturën e qytetit tonë. Aty ku ndodhet dhe Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit,  xhamia e parë me kub e ndërtuar në Shqipëri. Së bashku me një numër ndërtimesh përreth saj si imareti, banja, furra etj. Xhamia e Mirahorit formonte në mesjetë një qendër urbane pranë tregut të qytetit. Përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa të mëdha, e mbuluar me kupolë mbi tambur, e cila paraprihet nga hajati i hapur nga një arkadë me harqe të mprehta mbi mbështetje masive, i mbuluar me tri kupola të vogla. Në skajin veriperëndimor të sallës ngrihej minareja. Mori statusin monument kulture në vitin 1948. Ka akoma shumë për të trëguar, muzetë në Korçë janë fokusi i viteve të fundit dhe në proces kemi dhe hartimin e projektit për restaurimin dhe muzealizimin e Muzeut Arkeologjik. Korca është një muze i hapur do të thoja ku ecën dhe ke gjithmonë diçka për t’u bërë kurioz për të ditur, kuptuar, njohur më shumë në aspektin e trashëgimisë.

TË VEÇANTAT NË ARKITEKTURËN E BANESAVE KORÇARE

Karakteristikë që ka marrë vëmëndje është dhe shprehja e arkitekturës dhe detajeve në banesë, por dhe teknikave konstruktive. Materialet kryesore guri dhe tulla por nuk mungojnë dhe elementët e drurit. Gurët më të përdorur për detaje arkitektonike ishin gurët me ngjyrë gri ose të zezë dhe shtufi që nxirreshin nga kodrinat e zonës. Këto elementë janë përdorur aty ku kërkohej një theksim arkitektonik. Portat e jashtme kanë një mënyrë të veçantë të trajtimit arkitektonik. Kolonat gjithashtu janë një element që duhet përmendur. Përkujdesje më të madhe tregohej në kapitelet me motive të ndryshme. Zakonisht suvatimi i ndërtesave bëhej për arsye të mbrojtjes nga agjentët atmosferike dhe realizohej me kujdes dhe i kushtohej një rëndësi e veçantë. Për llaçin përdorej rërë e larë mirë, gëlqere e stazhionuar dhe një raport i drejtë i përbërësve të llaçit.

PUNIMET NË GURË

Suvatimi ka shërbyer edhe si një mjet për trajtimin dekorativ të ndërtesave. Guri si element më i fisëm i liheshin pjesët më të theksuara, kurse në elemente të tjere e zëvëndësoi suvaja, si korniza pilastra, qarkime dritaresh. Kështu ky dekoracion u përhap gjërësisht dhe në familjet ku zbukurimet me gurë ishin të paarritshme ekonomomisht. Kornizimet kishin forma të ndryshme nga të harkuarat deri në ato trekëndësh të ruajtura deri në ditët e sotme dhe të ripërdorura për ndërtime në këtë zonë në kohën e sotme. Më të zakonshme janë përdorimet e kornizave përreth dritareve, pra në të gjithë perimetrin e saj. Shumë të përdorshme janë dhe pllakat dekorative me reliev të vendoura poshtë dritareve. Nuk mungojnë dhe kornizat nënçati apo dhe në ndërkat. Format janë përgjithësisht të drejta por nuk mungojnë dhe rastet me motive të ndryshme të stiluzuara si lule gjethe etj. Elementët e hekurit e plotësojnë objektin nga ana e trajtimit dekoratov. Ku në fillim përdoreshin vetëm si skara për dritaret por më vonë u zgjeruan në parapetet e shkalleve, ballkomeve etj. Të gjitha këto karakteristika janë fokusi i ndërtimeve në ditët e sotme në lagjet historike të qytetit. Objektet më të rëndësishme monument kulture gjithashtu mund ti aksesoni në një tur virtual, e bërë e mundur kjo dhe e promovuar edhe gjatë muajve mars prill të pandemisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergji Koko, Restaurimet ne Korce, Sokol Paja

DR. ALBA KUQI RRËFEN PËR DIELLIN SHTETIN E PHILADELPHIAS NË PËRBALLJEN ME COVID-19

July 22, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI/

SITUATA NE PHILADELPHIA (COVID-19) – Në momentin që po flasim 07/18/2020, ka rreth 28.159 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe rreth 1665 vdekje në Philadelphia. Edhe pse situata e pandemisë ka qenë tepër serioze, masat që janë marrë, si psh urdhëri për të qëndruar në shtëpi apo pezullimi i përkohshem i aktivitetit të bizneseve të ndryshme, ka parandaluar mbipopullimin që mund të ndodhte në shumë spitale dhe ka shpëtuar mijëra jetë. Qyteti i Philadelphia-s përballet me një sfide tjetër tani, ajo e rihapjes apo kthimit në normalitet. Si pasojë e gdotijes që mori shteti prej pandemisë globale, rimëkëmbja ekonomike, menaxhimi i pasojave të shkaktuara nga kriza shëndetësore do jenë një sfidë shumë e vështirë për shtetin këtu.

VAKSINA – Bazuar në të dhënat e tanishme, vaksina që është në investigim, mRNA1273, është toleruar mirë në përgjithësi dhe ka shkaktuar përgjigje neutralizuese me anë të antitrupave në individët e shëndetshëm. Faza e tretë e zhvillimit të SARS-CoV-2-Vaçine fillon me 07/27/2020. e gjithë bota i mban sy e veshë nga laboratori apo kompania që do prodhojë vaksinën e cila do i rikthejë botës qetësinë dhe vazhdimësinë e dikurshme. Po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme. Le të shpresojmë që vaksina të vijë tek ne edhe më shpejt seç thonë shkencëtarët.

KOMUNITETI SHQIPTAR NE PHILADELPHIA – Për momentin nuk ka një kërkim shkencor apo statistikë shtetëroe të specifikuar për situaten e komunitetit shqiptar në Philadelphia për sa i përket COVID-19. Ng kontaktet që kam dhe bisedat me të afërm apo të njohur nuk kam pasur dijeni në lidhje me infektime e aq më pak për fatalitete me kombësi shqiptare. Duke qenë se shteti nuk boton apo njofton për statistika kombësish, është e vështirë pasja e të dhënave zyrtare në lidhje me një komunitet të caktuar kryesisht zbulohet me anë të organizatave, shoqaatave, përfaqësive diplomatike etj. Fatmirësisht me informacionet që unë kam, komuniteti shqiptar gëzon shëndet të plotë.

MENAXHIMI I PASOJAVE – Situata e pandemisë globale COVID-19 nuk ka qenë aspak e lehtë në Philadelphia. Si çdo shtet tjetër, edhe Philadelphia do ta ketë shumë të veshtirë rikthimin atje ku ishim.  Megjithate kjo situatë është menazhuar shumë mirë nga qeveria lokale, me masa të ndryshme të ndermarra për distancimin social, gjithashtu edhe duke ndihmuar njerëzit në nevojë. Kjo ka ndihmuar në minimizimin e pasojave që ka lënë COVID-19. Masat dhe hapat e ringritjes ekonomike dhe shëndeti mendor i popullatës do jenë dy supërsfida jo vetëm në qytetin ku unë jëtoj e punoj, por gjykoj edhe sfida globale.

MESAZHI PëR LEXUESIT E DIELLIT- Kjo situatë është pak delikate, dhe do pak durim nga ana jonë, megjithatë do kalojë. Duhet shumë kujdes nga ana jonë, duke respektuar të gjithë masat që janë vendosur të distancimit social, mbajtjes së maskës dhe higjenës sa më të lartë vetjake. Nga ana tjetër unë mendoj që shqiptarët duhet të marrin shumë informacion rreth situatës aktuale, të informohen dhe të komunikojnë sa më shumë me njëri-tjetrin.Të gjithë bashkë do ta kalojmë këtë virus vdekjeprurës.

DR.ALBA KUQI- Punon si Clinical Documentation Specialist Supervisor. Ajo është një mjeke (MD) që punon në një ACH (Acute Care Hospital) në Philadelphia që supervison të gjithë dokumentacionin klinik në spital. Në fillim të qershorit, është botuar artikulli i saj tek Journal of AHIMA mbi COVID-19. Dr. Alba është një mjeke (MD) që zotëron 6 çertifikata në fushën e mjeksisë: CDIP: Certified Documentation Improvement Practitioner, CDS: Certified Clinical Documentation Specialist, CS: Certified Coding Specialist, CRCR: Certified Revenue Cycle Representative, CICA: Certified Inpatient Coding Auditor, EPIC: EPIC HIM Hospital Coding, CSCM: Certified Specialist Managed Care. Dr.Alba Kuqi zoteron edhe 4 gjuhë të huaja (Anglisht,Gjermanisht, Italisht, Spanjisht). Dr. Alba Kuqi ka publikuar në : Journal of AHIMA : 2020 The Conundrum of Kidney Disease Documenting COVID-19 Harnessing Artificial Intelligence to Fight COVID-19, ACDIS 2020 Syncope Primer COVID-19 Primer CDI Coding and Documentation Challenges related to Syncope Clinical validation, denials, prevention and appeals Most common COVID-19 respiratory manifestations Ischemic heart disease conundrums.

Filed Under: Politike Tagged With: COVID-19, Dr.Alba Kuqi, Philadelphia, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË FLORIDA DHE GABIMET QË E KTHYEN SHTETIN EPIQENDËR TË COVID-19

July 20, 2020 by dgreca

DR. BERNARD TOPI FLET PËR GAZETËN “DIELLI” NGA FLORIDA/

Dr. Bernard Topi, Kardiokirurg në Florida, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Floridas dhe analizon gabimet që e kthyen këtë shtet në epiqendër të Covid-19. Me Dr. Bernard Topin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

FLORIDA PËRBALLË PANDEMISË COVID-19

Fillimisht, në kundërshtim me atë ç’ka pritej, Florida i “shpëtoi masakrës” së virusit. Për fat të keq, siguria e fituar nga numri krahasimisht i vogël i të infektuarve, u shndërrua në një bumerang. Njerëzit nxituan të shkojnë në plazh pa u kujdesur për të mbajtur distancën e nevojshme. Pushuesit ardhur prej shteteve të tjera, perfshirë New York-un, bashkë me bagazhet sollën edhe gjurmë të reja të virusit. Në përputhje me rregullat e vendosura rishtaz, baret e restorantet rifilluan punën me numër të kufizuar klientësh por kjo veçse zgjati kohën e pritjes në rradhë (me një gotë në dorë, pa distancimin e duhur) e u kthyhe gjithashtu në një faktor aktivë të shpërndarjes së virusit duke e shpëne numrin e personave të infektuar nga rreth 100,000 (Qershor) në 287,000 (Korrik). Duke filluar në 10 ditëshin e fundit të Qershorit, Florida është kthyer në epiqendër të Covid-19. Të dhënat e muajit Korrik (10,000 raste të reja në ditë) e kanë kthyer Floriden, sipas një analize të Reuteurs bazuar në 15,300 infektime të datës 12 Korrik, në një shembull famëkeq. Mesatarja e vdekjeve ditore nga Covid-19 është 81 persona; deri më tani, mbi 4,400 vetë kanë vdekur përfshirë edhe një vajze 11 vjeçare. Mosha e re e të infektuarve është një tjetër veçori e Covid-19 në Florida. Për të dhënë një shembull sqarues, mosha mesatare e personave Covid-positive në Miami-Dade County është 40 kurse në Tallahaasse është 25 vjec.

DREJTË VAKSINËS ANTI-COVID-19

Me mbi 9 milionë raste të konfirmuara në botë, kërkuesit shkencorë kanë përqendruar vëmendjen si mbi një vaksinë të mundshme ashtu edhe në menyra të tjera për të përballuar Covid-19. Sigurisht që disa nga sygjerimet e para për tu shqyrtuar janë medikamente ekzistuese të aprovuara për sëmundje të ndryshme e të testuara ndaj viruseve të njohur e studiuara më parë. Që prej muajit Maj, dy mjekime kanë marrë autorizim në raste urgjence (emergency use authorization) nga FDA: remdesivir (1) e një ilaç që përdoret për pacientët nën ventilatorë(2). Duhet përmendur gjithashtu që, në Mars, FDA autorizoi edhe përdorimin e hydroxychloroquine (anti-malarje) por më pas e tërhoqi autorizimin si të papërshtatshëm për tu fshirë në listën e mjekimeve që luftojnë coronavirus. Dy ilaçet e sipërpërmendura janë akoma në fazë testimi për të gjetur përdorimin dhe dozën e saktë. Duhet mbajtur parasysh se proçesi i krijimit të një vaksine/compound është i gjate e jo gjithmonë përfundon suksesshëm ndaj përherë e më shpesh zgjidhja (të paktën e përkohshme) po kërkohet në rradhët e kurave të njohura siç bën të ditur edhe një studim i plotë botuar në British Journal of Pharmacology ndër të cilat përfshihen Remdesivir, Arbidol, EIDD-2801, Favipiravir, Kaletra, Merimepodib (VX-497), Convalescent plasma, Immune modulators, dhe Stem cells.

COVID-19 GODITJET NË EKONOMI DHE SHËNDET MENDOR TË POPULLSISË

Përveç buxhetit të balancuar, Florida ka AAA bond rating e në ndryshim nga shumë shtete të tjera, rezerva monetare e situatave emergjente janë sa pothuaj 15% e revenue-s të përgjithshme. Ky lloj kujdesi financiarë lejon Floridën të shpenzojë në mënyrë strategjike fondet federale shtesë. Për më tepër, mësuar të menaxhojnë situata kritike të shpeshta (hurraganë/stuhi/fatkeqësi natyrore), mentaliteti tipikë vendas është disi më i gatshëm të mos stepet nga ndeshja me coronavirusin por të kërkoj rrugën e duhur për të dalë nga kjo situatë e paprecedent. Megjithëse është e vështirë të gjykohet efekti i masave të marra (sidomos kur Covid-19 ka marrë, për fat të keq, ngjyrime politike të pavendta), Florida mirëpriti 100 infiermjere shtesë për zonën Miami-Dade (Jackson Health) e po aq në Tampa (Bay Care) ndërkohë që spitalet do të furnizohen me 17,080 doza remdesivir shtesë. Gjithashtu me rëndesi të veçantë është sistemi arsimor në Florida. Urdhëri i situatës emergjente për vitin shkollorë 2020-2021, i mëshon faktit se nxënësit e prindërit e tyre janë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimit përfundimtarë midis shkollës tradicionale, asaj online ose një sistemi hibridë. Ndonëse të marra veç e veç asnjë prej këtyre masave nuk është e mjaftueshme, të gjitha së bashku, në mos ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e gjendjes, të paktën krijojnë një lloj sigurie (mëse të nevojshme) përsa i përket qytetarit të thjeshtë.

COVID-19 DHE SULMET NË ZEMËR

Shumëçka mbetet e panjohur për mënyrën se si Covid-19 ndikon mbi zemrën por një sërë studimesh përfshirë edhe Potential Effects of Coronaviruses on the Cardiovascular System botuar në JAMACardiology, i mëshojnë faktit se personat me sëmundje kardivaskulare janë më të rrezikuar nga komplikacionet e coronavirusit. Virusi mund të shkaktoj sëmundje të zemrës – inflamacion vaskular, thrombosa Vasulare, miokardi dhe aritmi kardiake; ka gjithashtu raste kur mund të shpjerë në congestive heart failure. Ndonëse studimet vazhdojnë, mjekët nuk dinë ende mjaftueshëm për të thënë nëse efekti i coronavirus-it mbi zemrën është i përkohshëm e i trajtueshëm me medikamentet e duhura apo shkakton dëme afatgjata. Ndër pacientet e mi, kam vërejtur se virusi ka shkaktuar inflamacion të muskulit të zemrës si edhe mbyllje/ngushtim të arterieve koronare. Në klinikën time e spitalin me te cilin bashkëpunoj, është praktikë e rekomandueshme bërja e EKG gjatë evaluimit fillestarë të pacientëve që vijnë me simptoma të Covid-19.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Ndonëse jetoj e punoj prej 20 vjetësh në USA, ky është viti im i parë në Florida, madje përfitoj nga kjo intervistë për tu prezantuar, në një lloj mënyre, me komunitetin shqiptarë lokal. Përveç miqësive personale, gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur kontakte të shpeshta me bashkëatdhetarët, ç’ka shpresoj se do të ndryshoj sapo gjërat t’i kthehen normalitetit. Ajo c’ka këshilloj ndërkohë është të mos humb as durimi e as shpresa ndërkohë që distancimi social, izolimi vullnetar (në raste të caktuara), e sidomos përdorimi i maskës vazhdojnë të jenë të domosdoshëm. Kjo nuk do të thotë aspak qe njerëzit të privohen nga përditshmëria, puna, etj. Përkundrazi, kujdesi i sotëm, siguron të ardhmen.

KUSH ËSHTË DOKTOR BERNARD TOPI

Dr. Bernard Topi, mjek praktikantë prej shumë vitesh në NY, USA është specializuar fillimisht si kardiolog i përgjithshëm e me pas si interventional cardiologist. Dr. Topi është anëtarë i American Academy of Cardiology (member) si edhe i çertifikuar e riçertifikuar nga American Board of Internal Medicine dhe American Board of Cardiology. Duke filluar nga Shtator 2019, Dr. Topi e familja e tij janë vendosur në Tampa, Florida për një balancë më të drejtë midis jetes familjare e asaj profesionale. Dr. Topi praktikon pranë Citrus Cardiology Group e është i gatshëm të jap ndihmë/këshillë në çdo kohë për cilindo anëtarë të komunitetit tonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr.Bernard Topi, florida, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT