Situata e përgjithshme e sigurisë në Europë ka ndryshuar në mënyrë dramatike prej momentit kur Rusia aneksoi një pjesë të një shteti tjetër dhe nga ai moment jo vetëm në Suedi, por edhe në vende të tjera ka shtuar aktivitetin e spiunazhit/
NGA XHAVIT ÇITAKU/Suedi/
Geteborg, 7 prill- Në mjetet e informimit suedez sot në mënyrë sensacionale opinioni e këtushëm u njoftua se shteti fqinjë Rusia ka ngritur shkallën e gatishmërisë luftarake dhe se ka shtuar aktivitetin e spiunazhit në këtë vend skandinav. Shefi për analitikë i Shërbimit Sekret të Suedisë SEPO WIlhelm Unge tha në një konferencë për shtyp se: shteti ynë fqinjë ka shtuar aktivitetin e spiunazhit në vendin tonë nga fillimi veprimeve për e rreth Krimës. Mirëpo, ai për shkak të rrethanave të sigurisë nuk deshti të përmend detaje të këtij aktiviteti. Kjo ka ngjashmëri me një atak simulativ të aeroplanëve luftarak kundër Suedisë që Rusia kishte zhvilluar kundër Suedisë vitin e kaluar.
-Një gjë e kemi të qartë dhe ky është se Shërbimi i fshehtë ushtarak rus gjendet në vendin tonë dhe zhvillon aktivitet dhe, po ashtu, është fakt se gatishmëria luftarake e Rusisë është në veprim, tha ai. Megjithatë, SEPO nuk beson se do të këtë invadim rus në këtë vend. Me një fjalë, nuk ka grumbullim të tankeve luftarake në kufirin ndërmjet këtyre dy shteteve, të cilat do të hynin brenda territorit suedez, theksojnë mjetet e këtushme të informacionit bazuar në të dhënat e këtij shërbimi.
Një gjë është e qartë se situata e përgjithshme e sigurisë në Europë ka ndryshuar shumë dhe në mënyrë dramatike për shkak se Vladimir Putini i dha vetës të drejt që të aneksoj Krimën, një pjesë të një shteti tjetër të njohur ndërkombëtarisht. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se është rritur shkalla e kërcënimit kundër Suedisë.
Rusia në fakt aktivitetin e spiunazhit ushtarak e ka shtrirë edhe në disa shtete tjera. SEPO bën me dije, po ashtu, se nuk është vetëm Rusia që zhvillon aktivitet spiunazhi në këtë shtet, por një gjë të tillë e bëjnë edhe 15 vende të tjera duke përfshi me këtë rast Kinën dhe Iranin. Po ashtu, sulmet armiqësore elektronike kundër institucioneve të ndjeshme shtetërore dhe firmave të ndryshme suedeze janë shtuar në mënyrë markante. Me këtë rast Katarina Sohlberg, nga SEPO, hedhi në dritë edhe faktet e “ gjalla” që dogana suedeze kishte arritur të zbuloj. Në fakt, doganieret e kishin kapur në flagrancë një iranian duke bartur disa ventila të vlefshëm, apo më mirë me thënë të atillë që mund të përdorën për pasurimin e Uranit.
Se kur e ka ndërmend të ndalet Rusia me këto provokime që po fusin panik në shumë shtete mbetët të shihet, por edhe qëndrimi jashtëzakonisht pasiv i perëndimit sikur po i jap krah regjimit të Moskës që të zhvilloj aktivitete çfarë ai dëshiron dhe i shkon për shtati liderit rus që i ka duart e lira për të ndërmarrë edhe aktivitete spiunazhi, edhe luftarake, por edhe të gllabëroj pjesë të territoreve të shteteve sovrane.