Stërmadhim i numrit të të zhvendosurve:Per Vuçiq, janë rreth 204 mijë…/
*UNHCR llogaritë se ka rreth 107 mijë veta të zhvendosur që ende kërkojnë zgjidhje. Rreth 88 mijë janë në Serbi, mbi 1 mijë e 400 në Mal të Zi dhe rreth 617 persona në Maqedoni”, ka thënë Rao.
Nga Bekim Bislimi/*
Strategjia për kthimin e personave të zhvendosur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, strategji kjo e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës, e paraparë për periudhën katërvjeçare , 2014 deri 2018, po zbatohet në bazë të mundësive, por po ballafaqohet me mjaft pengesa, vlerësojnë zyrtarët e kësaj ministrie, të cilën e udhëheq ministri Dalibor Jevtiq.
Urosh Staletoviq, zëdhënës i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pronat e uzurpuara janë pengesë e theksuar për zbatimin e procesit të kthimit të serbëve të zhvendosur gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Sipas tij, deri më tash janë kthyer vetëm 10 për qind e personave të zhvendosur, apo rreth 20 mijë persona të tillë. Por, sipas tij, kjo ministri planifikon që në tre vitet e ardhshme t’i kthejë në Kosovë të gjithë personat e zhvendosur, të cilët do ta shprehin dëshirën për tu kthyer.
“Ministria për Komunitete dhe Kthim i posedon të dhënat për numrin e personave të zhvendosur, të dhëna të cilat janë marrë nga UNHCR (Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë), si organizatë me të cilën bashkëpunon ngushtë. Ai numër, sipas të dhënave jozyrtare të UNHCR-së, është më shumë se 200 mijë të zhvendosur, në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni”, ka thënë Staletoviq.
Ai ka shtuar se në kuadër të nismës rajonale, Ministria për Komunitete dhe Kthim është duke punuar për kthimin e këtyre personave ose për integrimin e tyre në mjediset ku ata kanë vendosur të mbesin.
Shifrat të cilat i jep Ministria për Kthim dhe Komunitete lidhur me numrin e personave të zhvendosur, gjithmonë duke u thirrur në të dhëna të UNHCR-së, korrespondojnë me shifra të cilat i pretendojnë edhe autoritetet e Serbisë.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në paraqitjen e tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar rikthimin e personave të zhvendosur gjatë luftës, duke theksuar që janë rreth 204 mijë persona të zhvendosur nëpër Serbi.
Por, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i misionit të UNHCR-it në Kosovë, Narasimha Rao, ka folur për të dhëna krejtësisht tjera.
“Për momentin, UNHCR llogaritë se ka rreth 107 mijë veta të zhvendosur që ende kërkojnë zgjidhje. Rreth 88 mijë janë në Serbi, mbi 1 mijë e 400 në Mal të Zi dhe rreth 617 persona në Maqedoni”, ka thënë Rao.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se numrat për të zhvendosurit nga Kosova, të cilat po i ofrojnë autoritetet e Serbisë, janë të stërmadhuar. Ky stërmadhim, sipas tij, nuk është rezultat i mosdijes së autoriteteve të Serbisë për numrin e të zhvendosurve, por është tendencë.
“Pse Qeveria e Serbisë i stërmadhon këta numra, është për të krijuar një bazë tjetër, mbi të cilën do ta ngritë arsyetimin për ta akuzuar Qeverinë e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare se nuk po bën mjaftueshëm për këtë proces. Ndërkohë që faktet flasin për të kundërtën.”
“Ekzistojnë komuna ku ndërtohen shtëpi për këta të kthyer dhe ajo që është shumë e rëndësishme, ne si Qeveri konsiderojmë se ky kthim duhet të bëhet me ndihmën dhe bashkëpunimin konstruktiv të institucioneve të Kosovës. Kthimet e ndryshme në mosbashkëpunim me institucionet e Kosovës, janë drejtpërsëdrejti në dëm të komunitetit serb”, thotë Abdullahu.
Ai ka shtuar se një nga rastet e një kthimi të tillë të serbëve të zhvendosur, po tentohet të bëhet pa bashkëpunim me institucionet e Kosovës, në veri të Mitrovicës, në të ashtuquajturën “Lugina e diellit”, ku po ndërtohen objekte banimi të financuara nga Qeveria e Serbisë , pa lejen e institucioneve të Kosovës.
Numrin e personave të zhvendosur nga Kosova e sheh të stërmadhuar nga ana e autoriteteve të Serbisë, por edhe nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, edhe Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Përvojat që ka ky këshill nga vizitat që u ka bërë të zhvendosurve në Serbi tregojnë për shifra krejtësisht më të vogla.
Sipas tij, pavarësisht nismave dhe ofertave që të zhvendosurit të kthehen në Kosovë, shumica e tyre nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë, duke kushtëzuar me kërkesa politike, se një gjë të tillë do ta bëjnë kur në Kosovë të kthehet policia dhe administrata serbe.
Shumica e tyre, sipas zoti Shala, janë integruar në hapësirat ku janë zhvendosur, por megjithatë, një numër i vogël i tyre jetojnë në kushte shumë të rënda.
“Këto janë lojëra politike dhe në këtë kontekst më së shumti pësojnë, pikërisht, një numër, ta them simbolik, i atyre serbëve që duan të kthehen, por nuk mund të kthehen. Duhet ta kemi parasysh që gjatë vizitave që ne kemi bërë në Serbi, atje, pjesa dërmuese e këtyre serbëve të zhvendosur nga Kosova jeton në kushte të mjerueshme. Jetojnë me asistencë sociale, marrin ndihma nga Kryqi i Kuq. Nuk janë ata që jetojnë mirë. Ata kanë qenë në një ‘sandviç’, midis kërkesave politike të çështjeve të kundërta, dhe ata janë edhe viktima reale të këtij problemi”, thotë Shala.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Abdullahu ka thënë se Qeveria konsideron se të gjithë të zhvendosurit meritojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, me përjashtim të personave që janë të përfshirë në krimet që janë bërë ndaj popullatës civile në Kosovë. *(REL)