-Rreshter majori i FSK-së Genc Metaj nderohet në Akademinë e Rreshter Majorëve në SHBA/Prishtinë, 13 prill 2016/ Në Akademinë e Rreshter Majorëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) pas analizave dhe sukseseve të rreshter majorëve të cilët kanë kryer këtë akademi, e kanë shpallë dje rreshter majorin e parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) Genc Metaj rreshterin më të mirë, që ka kaluar nëpër këtë akademi prestigjioze të përgatitjes së rreshter majorëve. Akademia e Rreshter Majorëve e SHBA-ve, e ka vendosur foton-biografinë e Rreshter majorit të FSK-së, Genc Metaj në “Korridorin e Famës”.
“Korridori i Famës” për studentët ndërkombëtarë është mirënjohje më e lartë për arritjet personale dhe për kontributin e dhënë në ngritjen, zhvillimin dhe avancimin e trupës së nënoficerëve, thekson sot njoftimi i Ministrisë së FSK.
Rreshter majori i Parë i FSK-së, Genc Metaj pas pranimit të këtij çmimi prestigjioz në Akademinë e Rreshter Majorëve premtoi përkushtimin e tij për të vazhduar punën për avancimin e ushtarëve dhe nënoficerëve të FSK-së dhe gjithashtu shprehi falënderimet e thella për këtë institucion, në të cilin kishte ndjekur studimet në vitin 2012-2013.
Shkollimi dhe trajnimi i oficerëve dhe nënoficerëve të FSK-së në SHBA është vazhdimësi e bashkëpunimit së ndërsjellët në mes të Ushtrisë së SHBA-ve dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Gjithashtu, Rreshter majori i Parë i FSK-së, Genc Metaj, pas pranimit të këtij çmimi, në të njëjtën kohë është duke marrë pjesë së bashku me Rreshter majoren Rachel Fails nga Garda Kombëtare e Ajovës në simpoziumin për zhvillimin e udhëheqësve dhe trajnimeve ndërkombëtarë, i ftuar nga Rreshter majori i Ushtrisë Amerikane Daniel Dailey./b.j/