• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Syrja bej Vlora, një diplomat kalibri europian

April 11, 2015 by dgreca

Nga Ilir Ikonomi/
Syrja bej Vlora (1860 – 1940), djathtas, fotografuar në Vjenë me një diplomat tjetër. Syrja beu, i ati i Eqrem bej Vlorës, i vëllai i ish-Kryeministrit Osman Ferit pashës, ka qenë një figurë me ndikim tek qarqet politike evropiane. Mendoj se ai e përdori këtë ndikim në të mirë të Shqipërisë. Publiku është njohur më shumë me këtë figurë karizmatike këto 10-15 vitet e fundit. Para ca kohësh u botuan në shqip kujtimet e Syrja beut. Në turqisht ato ishin botuar në vitin 2009.
Më 1912, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej, Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë. Intervista e mëposhtme e Syrja beut është botuar në gazetën e Bukureshtit, Universul, të datës 25 nëntor 1912, vetëm tri ditë para se Ismail Qemal Vlora të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.
——————————-
Ja deklaratat që bëri mbrëmë lideri shqiptar, i cili pranoi të më presë në pallatin e tij në Pera (të Stambollit) dhe të bisedojë me mua:
SYRJA VLORA: Dje më priti në audiencë ministri i Brendshëm dhe pastaj veziri i madh. I pari më deklaroi se qeveria është e gatshme të japë gjithçka për një Shqipëri autonome. I dyti, me të cilin pata edhe bisedën më të gjatë, më deklaroi se është absolutisht me mendimin e shqiptarëve, që Shqipëria duhet të jetë autonome, por do ta bëjë këtë pasi të jetë këshilluar me kolegët dhe do t’ia paraqesë çështjen për miratim Padishahut, i cili do të udhëzojë sesi duhet vepruar. Siç e shikon, ngurrimi tradicional i burrave të shtetit turk nuk mungon as në çastet më kritike, kur ngjarjet ndodhin me shpejtësi marramendëse, sepse derisa të vijë miratimi nga Padishahu, Shqipëria do të jetë gllabëruar plotësisht nga pushtuesit ballkanikë. Që këtej del edhe vërtetësia e thënies se diplomati më i mirë është bajoneta.
GAZETA UNIVERSUL: Çfarë kuptoni me Shqipëri autonome?
SYRJA VLORA: Unë, si gjithë udhëheqësit shqiptarë, që interesohen për fatin e Shqipërisë, kam qenë dhe jam kundër autonomisë. Ne kërkojmë shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur nga çasti kur nuk është më e mundur të ruhet statukuoja e paraluftës në Turqinë europiane.
GAZETA UNIVERSUL: Më duket se jo të gjithë shqiptarët e duan pavarësinë e Shqipërisë…
SYRJA VLORA: Po, keni të drejtë. Janë disa që duan të jenë shtojcë e Greqisë dhe shumica e tyre janë të krishterë ortodoksë. Të tjerët, janë ata që nuk gjejnë shpëtim përveçse te Kalifati dhe Sheriati, por nuk duhet harruar se të gjithë shqiptarët e vërtetë, pa dallim feje, e sidomos katolikët dhe gjithë intelektualët e larguar – dhe tek ata qëndron e gjithë forca e Shqipërisë – besojnë se nuk ekziston tjetër shpëtim përveçse shpallja e një shteti të pavarur. Kjo është edhe bindja ime. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi mbështetjen e Aleancës Treshe dhe në veçanti të Austrisë katolike dhe apostolike, e cila edhe me rrezikun e një lufte nuk do të lejojë që Shqipëria të ndahet mes pushtuesve. Në qoftë se Madhëria e Tij, veziri i madh Qamil Pasha do të më kishte dëgjuar që në fillim dhe do ta kishte shpallur Shqipërinë autonome, të gjithë malësorët shqiptarë, që sot luftojnë krahas malazezëve për qytetin e rrethuar të Shkodrës, do të ishin kthyer tani në shtëpitë e tyre për të treguar se me ç’guxim të madh rezistoi armiku.
GAZETA UNIVERSUL: A mund të na thoni se cilët janë udhëheqësit e shtetit të ardhshëm shqiptar?
SYRJA VLORA: Sipas meje, udhëheqësit e një Shqipërie etnografike janë të shumtë dhe do t’i shndërronin në hiç sukseset e serbëve në veri e lindje dhe të grekëve në jug dhe perëndim, por Shqipëria, ashtu siç është delimituar në kabinetet e Vjenës dhe të Romës, është një territor i kufizuar në veri nga Mali i Zi, në perëndim nga Deti Adriatik dhe me një vijë vertikale që fillon nga Prizreni. Italia dhe Austria, garantojnë se i gjithë bregdeti adriatik, deri përtej portit të Sarandës, do t’i mbetet Shqipërisë. Austria garanton gjithashtu edhe Pazarin e Ri dhe që serbëve nuk do t’u lejohet dalja ne det e as pushtimi i një pëllëmbe të vetme territori. Me pak fjalë, shqiptarët i kanë varur shpresat në mbështetjen e vyer dhe të dobishme të Austrisë dhe të gjithë botës katolike, e cila nuk e sheh me sy të mirë pushtimin greko-sllav të një toke të zotëruar prej mijëra vjetësh nga raca shqiptare.
GAZETA UNIVERSUL: Ç’mendoni për jetëgjatësinë e Lidhjes Ballkanike?
SYRJA VLORA: Lidhja Ballkanike është krijuar që prej një viti dhe do të zgjasë derisa koalicioni të bëhet zot i të gjithë Turqisë europiane. Sukseset e tyre besoj se i detyrohen edhe rënies së pritshme të Janinës dhe të Shkodrës.… Që ta mbyll, ne shqiptarët e kishim parashikuar këtë katastrofë dhe me kohë i kishim paralajmëruar dhe këshilluar qeveritarët të ishin më të sinqertë dhe më të shpejtë në zbatimin e reformave të vërteta, jo vetëm në letër. Por fatkeqësisht kemi folur kot. Mëkat që edhe sot, kur gjenden përballë një fakti të kryer, pra kur Turqia europiane është pushtuar nga aleatët, qeveritarët ngurrojnë të marrin masa për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohet. Ndoshta ka qenë e shkruar që Perandoria Osmane, ashtu si ajo Bizantine, të bjerë nën barrën e mëkateve të bijve të saj.
Me këto fjalë plot hidhërim e mbylli intervistën lideri shqiptar.

Filed Under: Histori Tagged With: Ilir Ikonomi, kalibri europian, një diplomat, Syrja bej Vlora

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT