-Presidenti Thaçi: Sot bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara/
-Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, deklatoi sot ae pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë institucional, që do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi nga shteti i Serbisë.
“Këtë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës”, thekson deklarata e dërguar pak më parë.
Shtohet se, zhvillimet e së hënës, më 26 mars 2018, janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Bëj ftesë që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim”, shprehet Presidenti.
Sot, vijon Thaçi, bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara.“Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara”, bën të ditur Presidenti i Kosovës.Ai vijon se, Kosova mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit në tërë territorin e saj dhe do të kërkojë gjithmonë që të gjithë t’i respektojnë ligjet e Kosovës.“Më vjen keq që ngjarjet e djeshme kanë trazuar paqen dhe kanë shqetësuar të gjitha komunitetet e Kosovës, por i ftoj të gjithë që ta ruajnë arsyen”, thekon Thaçi.
Presidenti përfundon se, derisa policia ka treguar profesionalizëm në punën e saj, e përshëndes edhe reagimin e institucioneve të shtetit, veçanërisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Kosovës që kanë reaguar me kohë, si dhe gatishmërinë e tyre që të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë të gjitha zhvillimet e ditës së hënë, 26 mars 2018, të lidhura me hyrjen ilegale të Marko Gjuriçit në Kosovë./b.j/