Bisedimet trepalëshe, Basha: “është rënë dakort për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Rama: Konsensus janë dhe dy të tretat e votave në parlament/
Në Shqipëri palët politike duket se po bëjnë një përpjekje të fundit në kërkim të një marrëveshjeje për Reformën në Drejtësi. Në përfundim të takimit të sotëm mes kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, i cili zgjati pak më shumë se 100 minuta, palët kanë vendosur të rinisin bisedimet. Zoti Basha njoftoi se është rënë dakort që “secili të angazhojë nga një përfaqësues për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Sipas kryetarit të opozitës Basha kjo është “një mundësi për të përmbyllur me sukses reformën”.
Pak më vonë, duke folur për Reformën në Drejtësi, kryeministri Edi Rama nuk shfaqi ndonjë shenjë optimizmi mbi takimin e sotëm. “Edhe një herë sot kam bërë të qartë që ne pranojmë çdo propozim dhe cdo zgjidhje që ofron PD, me kusht që zgjidhja në fjalë të konsiderohet zgjidhje dhe jo zgjedhë mbi sistemin e drejtësisë, nga partnerët tanë”, deklaroi zoti Rama. Ai shtoi se “ne nuk mund t’i lejojmë vetes për asnjë arsye, për asnjë interes të natyrshëm legjitim, politik, partiak apo numerik që të pranojmë në heshtje pengmarrjen e vendit tonë dhe që në heshtje të shohim se si Shqipëria në vend që të çelë dyert e BE jo vetëm ta humb këtë mundësi por të damkoset si vendi që nuk pati kurajon për shkak të përfaqësuesve në parlament të kalojë Reformën në Drejtësi dhe refuzoi përfshirjen e partnerëve tanë në procesin e pastrimit të sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”.
Pavarësisht se uroi që më 21 korrik Reforma të kalojë me konsensus, zoti Rama nuk duket se ka shumë shpresë për këtë, por se Reforma do të mund të votohet “me konsensus apo pa konsensus. Kushtetuta ka një konsensus, me dy të tretat”, theksoi ai si një përgjigje që tingëllon t’i drejtohet edhe aleatit të vet LSI-së, drejtuesi i së cilës, Ilir Meta deklaroi një ditë më parë se “miratimi i Reformës në mënyrë të diskutueshme, jo plotësisht legjitime dhe me integritet, mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të shtetit ligjor”.
Në pamje të parë duket se opozita ka bërë një hap të lehtë pas, duke pranuar që bisedimet të mbështeten te propozimi i bërë nga Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, më 10 korrik në Tiranë, ndonëse zoti Basha përsëriti se “ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid tërësisht brenda paramatrave të Komisionit të Venecias është dëshmia e përkushtimit dhe sinqeritetit të PD”. Praktikisht zoti Basha nënvizon se sipas tij propozimi hibrid nuk është në përputhje me rekomandimet e Venecias, ndërkohë që si ambasadori amerikan Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, por edhe vetë zonja Nuland, mbështesin të kundërtën.
Gjatë paradites, në përgjigje të ftesës së djeshme të zotit Meta për takimin e sotëm, zoti Basha kishte deklaruar se “PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjesisë politike, bashkëpunimit dhe parneritetit strategjik”, saktësonte zoti Basha, në deklaratën e cila niste me përkrahjen e idesë tjetër të zotit Meta për një qeveri teknike pas miratimit të Reformës në Drejtësi.
Por kjo përgjigje e tij nuk është mirëpritur nga ambasadori amerikan Lu dhe kreu i Delegacionit të BE-së Vlahutin të cilët dje kishin deklaruar se ishin të gatshëm të përfshiheshin në bisedimet të cilat duhet të kishin si bazë propozimin hibrid të zonjës Nuland. Në një deklaratë të përbashkët, ambasadorët Lu dhe Vlahutin shpjeguan se kishin informuar kryetarin e Parlamentit Meta se “pas deklaratës së zotit Basha, nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Zoti Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik”, nënvizohej në deklaratë, duke shtuar se “nëse zoti Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”.(VOA)