• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEMINISTRI KURTI PËR MEDIA NË BRUKSEL: TAKIMI ISHTE KONSTRUKTIV NGA ANA JONË…

June 15, 2021 by dgreca

BRUKSEL, 15 Qershor 2021- Gazeta DIELLI/ Zyra për Komunikim Publik -Zyra e Kryeministrit dërgoi deklarimin për media të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Bruksel pas takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian:

Sot u zhvillua takimi i parë në Bruksel me delegacionin nga Serbia. Unë isha bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi i cili është përgjegjës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog dhe kjo u bë më ndërmjetësimin e zotërinjve Borel dhe Lajçak.Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë, përderisa pala tjetër po fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja. Propozimi i parë ishte që ta avancojmë marrëveshjen CEFTA të Ballkanit Perëndimor në marrëveshje SEFTA me ç’rast do ta përdorim modelin e shteteve  si Islanda, Lintenshtajni dhe Norvegjia, që kanë me Bashkimin Evropian pra EFTA- EEA. 

Propozimi i dytë ishte një ditë pas samitit të djeshëm të NATO-s, ku u dhanë porosi shumë të qarta dhe unanime, Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një deklaratë të paqes, ku ne zotohemi si shtete që nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën  dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes, sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë.Propozimi ynë tjetër që e bëmë ishte që te çështja e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë,  duhet të largohet nga delegacioni serb zotëri Velko Odaloviq i cili përndryshe ka qenë udhëheqës famëkeq në vitet 1997-99 dhe bashkë me Angjelkoviqin e kanë udhëhequr Kosovën e okupuar, siç e kanë quajtur atëherë ‘qarkun e Kosovës’. 

Pra, vetë zotëri Nenad Çanak ka pohuar që ekzistojnë 16 varreza masive në Serbi, por vetëm 5 prej tyre janë hapur. Janë zhvarrosur mbi 1000 shqiptarë, prej tyre 744 vetëm në Batajnicë, por janë edhe 11 varreza të tjera masive dhe nuk kemi pse e komplikojmë çështjen, kur zotërinjtë Odaloviq e Angjelkoviq e dinë se cilat janë ato varreza të tjera, ndërsa Nedad Çanak pati thënë se këtë e ka dëgjuar nga ish-ministri i brendshëm në kohën e kryeministrit të vrarë, Zoran Gjingjiq, z.Dushan Mihajloviq. 

Propozimi ynë i katërt, sa i përket çështjes së pakicave, ishte reciprociteti bilateral, i cili është parim i përgjithshëm, por në veçanti në Kosovë, për serbët e Kosovës, ne do të mund të kishim një Këshill nacional, ashtu siç është në Serbi për shqiptarët dhe boshnjakët. 

Tri propozimet tona të fundit u refuzuan. Propozimi ynë i parë për SEFTA-n, nuk dhanë përgjigje, por unë sinqerisht shpresoj që do ta konsiderojnë seriozisht këtë propozimin tonë, që e bëmë sot, kur të kthehen ata në Beograd. 

Ndërkaq, takimi i radhës do të jetë para pushimit të verës, që nëse nuk gaboj i bie më 25 korrik. 

Pra, ne do të jemi të gatshëm për pjesëmarrje në proces, mirëpo nuk ka ende dakordim sa i përket agjendës për dialogun e ardhshëm në këtë takim, të parin, që u zhvillua sot. 

Press:Përse u ngrit çështja e të zhdukurve, duke marrë parasysh që në shtatorin e vitit të kaluar vetë Lajçak ka thënë se palët janë dakorduar për këtë çështje. Keni informacion se për çfarë janë pajtuar palët, në dialogun, i cili është stopuar në shtator të vitit të kaluar, kur zyrtarisht është përmbyllur kjo temë? Pse tani del përsëri në sipërfaqe? 

Përgjigje:Ne dialogun e shohin si dialog për njohje të ndërsjellë. Këtë e ka thënë edhe Presidenti Biden dhe ne plotësisht pajtohemi me këtë formulim, pra njohje e ndërsjellë. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe një Serbi që e njeh Kosovën, e njeh edhe Kosova më pas. Kështu, dy republikat tona krijojnë marrëdhënie të mira fqinjësore, sipas modelit evropian. 

Mirëpo, nga marrëveshjet e mëhershme, të cilat janë zhvilluar, duhet ta keni parasysh që janë bërë nga një qeveri, e cila doli të ketë qenë jo vetëm jolegjitime, por edhe kundërkushtetuese. 

Në anën tjetër, asnjëra prej dakordimeve të mëhershme, nuk vlen, përderisa nuk ka dakordim të përgjithshëm për të gjithë. 

Rrjedhimisht nuk mund të thuhet që ka pasur marrëveshje në të kaluarën, mirëpo është zotimi ynë si Qeveri e Republikës së Kosovës, që nëse ka një gjë që nuk pret, është çështja e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, meqenëse familjet nuk jetojnë në dhembje, pikëllim, por edhe në ankth. Dhe, nëse në rastet tjera, ndoshta, koha edhe i zbut ca plagët, e kundërta vlen për të pagjeturit, për ata që u zhdukën me dhunë. 

Prandaj, edhe ne, e trajtuam këtë çështje, mirëpo nuk duket që ka gatishmëri për t’u marrë me njerëzit përgjegjës të asaj kohe, të cilët fatkeqësisht janë ende në pozitat e rëndësishme shtetërore. Pra, nuk bëhet fjalë për njerëz që janë bërë deputet me votat e qytetarëve, por për njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm në ato pozita që i kanë. 

Press: Z. Kryeministër, thatë që nga pala tjetër nuk ekziston gatishmëria. Edhe Presidenti serb Vuçiq e tha që ka qenë një prej takimeve më të vështira që ka pasur deri tani, këtë radhë. Nga takimi i parë që keni pasur, keni shpresë, që megjithatë mund të arrihet një marrëveshje e shpejtë me palën serbe apo procesi do të zgjatet sikur prej vitit 2011 e deri më tani? 

Press: Unë kam shpresë se nëse i diskutojmë qysh në fillim, pa ekuivoke, sinqerisht e seriozisht, çështjet kryesore në krye të herës, atëherë me siguri që nuk ka vend për skepticizëm, meqenëse qasja është e duhur. A do të jetë vështirë? Vështirë do të jetë. Mirëpo, unë nuk do të thosha se jam pesimist, meqenëse tash po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë, e kjo është se Presidenti Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë, meqë aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë. 

Serbia nuk e pranon Republikën e Kosovës, Kosova nuk e pranon Republikën e Serbisë dhe kjo duhet të ndryshojë. 

Press:  Z.Kurti, si ka qenë atmosfera, sepse presidenti i Serbisë tha se pala shqiptare, siç tha ai, ka ardhur për të dëshmuar se nuk do asnjë marrëveshje, nuk e zbaton asnjë marrëveshje dhe se ai nuk sheh absolutisht asnjë çështje, rreth së cilave palët janë pajtuar. Po ashtu, rreth të zhdukurve, ai përsëriti atë që shpesh e thonë, le të tregojnë shqiptarët se ku mendojnë se ka varreza, e ne do të shkojmë e ti kërkojmë, ndërsa nga pala e Kosovës nuk ka gatishmëri për hulumtime aty ku ata kërkojnë. 

Përgjigje: Po, ky ishte një takim, në të cilin u ruajt distanca fizike, pra ishim më shumë se dy metra larg njëri-tjetrit dhe mund të them që për bindjen time nuk kishte shumë befasi, por unë prezantoj interesat e Republikës së Kosovës, të drejtat e popullit të Kosovës dhe në veçanti përpiqem që procesi të ketë parime, sepse vetëm në atë mënyrë është i qëndrueshëm. Nuk mund t’i pyesim shqiptarët çerek informacionin që kanë se ku ka varreza masive në Serbi, kur mundemi shumë kollaj ta pyesim Velko Odaloviqin, Zoran Angjelkoviqin, Dushan Mihaloviqin. Ata e dinë. Ndërkohë që Presidenti i Serbisë po thotë që nuk di gjë, por edhe nëse ky nuk di gjë, ka të tjerë që dinë aty dhe le t’i pyesin, sepse nëse në Bosnjë dhe Kroaci ka qenë ndoshta e mundur të thuhet që serbët e atjeshëm janë përfshirë në konflikt, ndonëse Serbia nuk ka qenë neutrale, padyshim, në çdo aspekt, në Kosovë askund nuk kanë qenë krimet joshtetërore. Prandaj, e vërteta për krimet e Serbisë e Millosheviqit në Kosovë, ndodhet sërish në Serbi, pra në Beograd. 

Andaj, ne bëjmë thirrje, që këta persona që janë gjallë, e kanë qenë në pushtet në atë kohë, të hiqen nga pozitat që i kanë sot në Serbi dhe të merren në pyetje për të vërtetën kriminale të Serbisë së Millosheviqit në fund të shekullit të kaluar. 

Press: Z. Kryeministër, a keni dëgjuar ju nga përfaqësuesit e BE-së, të thonë që finalizimi i dialogut, është njohja e ndërsjellë dhe se anëtarësimi i Serbisë, kalon përmes njohjes së pavarësisë së Kosovës? 

Përgjigje: Ndoshta nuk e thonë kështu në mënyrë eksplicite, mirëpo unë besoj që kjo është e qartë. Kosova dhe Serbia nuk do të mund të integrohen në Bashkimin Evropian pa njohje të ndërsjellë dhe sa më parë që realizohet ajo, aq më mirë. 

Unë theksova, që në kuadër të mandatit të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Siguri, z.Borel dhe në kuadër të mandatit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Anerikës, z.Biden, do të duhej të bëhet marrëveshja, mirëpo, sa më herët që bëhet, aq më ‘kollaj’ është, përveçse më mirë. Meqenëse, sa më shumë kohë kalon dhe nuk bëhet marrëveshja, aq më vështirë do të jetë të bëhet ajo. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë fillimin e mandatit edhe të Qeverisë sonë, edhe të Presidentit Biden, në mënyrë që ta realizojmë këtë marrëveshje. Pra, brenda kësaj kohe sa zgjat mandati i zotërinjve Biden dhe Borel. 

Press:  Ju e thatë, që disa prej politikanëve që kanë aso kohe në pushtet janë edhe tani. E keni përmend edhe mundësinë e aktakuzës për gjenocid. Do të ketë diçka në këtë drejtim? Do ta akuzoni Serbinë për gjenocid? 

Përgjigje: Ne kemi filluar me përgatitjet e para të padisë për gjenocid ndaj Serbisë mirëpo çdo herë kur ne e përmendim këtë gjë, jemi duke u bërë thirrje edhe institucioneve të Kosovës, edhe qytetarëve të Republikës edhe partnerëve ndërkombëtarë, që të na ndihmojnë në dokumentim e në përgatitje, pra ka punë përgatitja e kësaj padie për gjenocid, mirëpo meqenëse ka ndodhur gjenocidi në Kosovë, duhet të ndodhë edhe padia për këtë gjenocid.

Sa kohë do të marrë është më shumë çështje e ekipeve punuese dhe ekspertëve dhe shpejtësisë së dokumentimit dhe përgatitjeve që do t’i bëjmë. 

Press: Z. Kurti, rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, edhe pala serbe por edhe BE-ja insiston që kjo duhet të zbatohet? 

Përgjigje: Asociacioni i komunave me shumicë serbe si një entitet një-etnik është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, meqenëse nuk është në përputhje me plot 23 nene. Gjithashtu qytetarët e Republikës kanë realizuar peticion masiv dhe opozita ka bërë edhe veprime radikale në kundërshtim të Asociacionit. Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizejnuar, pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës.Ne e dimë shumë mirë që atje më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe u patën bërë bashkë, të cilët më 9 janar 1992 e shpallën pavarësinë. Më 28 shkurt 1992 e aprovuan kushtetutën e tyre dhe më 14 tetor 1995 në Dejton të Ohajos e fituan njohjen ndërkombëtare të asaj që njihet si Republika Srspka. Pra ne jemi për të drejtat e qytetarëve për t’ua plotësuar atyre nevojat mirëpo jo për t’ia territorializuar  brenda Kosovës ambiciet Serbisë, e cila vuan për humbjen që ia ka shkaktuar regjimi i Millosheviqit. Unë besoj që pushteti në Beograd sot, do të duhej që ta fajësonte fajtorin. Serbia e ka pasur të okupuar Kosovën dhe e ka humbur në shekullin e kaluar nga regjimi i Millosheviqit. E nuk do duhej tash të vajtojnë për humbjet e Serbisë si shtet por do duhet të bashkëpunojnë me neve për marrëdhënie të mira në Ballkan e të karakterit Evropian. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Albin Kurti, takimi ne bruksel

Kosovë-Serbi, takimi i tretë presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel

March 23, 2018 by dgreca

-Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i sotëm është i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve/1 Thaci Vucic

PRISHTINË, 23 Mars 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidëntët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, vijojnë sot në mbrëmje bisedimet në Bruksel me lehtësimin e shefes  së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht ka nisë takimet e ndara me krerët e dy shteteve para takimit trilateral.Kosova dhe Serbia sot në Bruksel në nivel të lartë presidencial bisedojnë për “fazën e dialogut që ka të bëjë me normalizimin gjithëpërfshirës”, e po ashtu “do të shqyrtohet puna që është në vijim rreth vënies në jetë të marrëveshjeve ekzistuese”, sipas raportimeve të medias në Prishtinë.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i sotëm është i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, para 5 viteve, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Vuçiç, Presidenti Thaçi, takimi ne bruksel

Kosovë-Serbi, në Bruksel sot takimi i dytë i presidentëve dhe kryeministrave

February 1, 2017 by dgreca

1 Bruksel

-Nga Kosova, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Isa Mustafa, e nga Serbia Presidenti Tomislav Nikoliç e Kryeministri Aleksandar Vuçiç, do të ulen sot sërish së bashku në tryezën e dialogut të ftuar e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht do zhvillojë takime të veçanta me delegacionet/

PRISHTINË, 1 Shkurt 2017-Behlul Jashari/ Në dialogun Kosovë-Serbi, të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, realizimi i marrëveshjeve në vazhdimësi të dhënies fund të situatave tensionuese e retorikave do jetë në fokus të raundit të dytë të takimeve të nivelit më të lartë, të presidentëve dhe kryeministrave, sot në Bruksel, një javë pas të parit në 24 janar, që pasonte 30 raundet kryeministrore, të nisura në 19 tetor 2012, e së fundi të munguara plot një vit pas të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar.

Nga Kosova, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Isa Mustafa, e nga Serbia Presidenti Tomislav Nikoliç e Kryeministri Aleksandar Vuçiç, do të ulen sot sërish së bashku në tryezën e dialogut të ftuar e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht do zhvillojë takime të veçanta me delegacionet.

“Ky takim është vazhdim i atij të 24 janarit, ku të dy palët u dakorduan të lënë prapa tensionet dhe të përqendrohen në punë përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, theksohet në njoftimin nga zyra e Mogherinit. Përfaqësuesja e Lartë dhe Nënpresidentja Mogherini, shtohet më tej, pret me padurim vazhdimin e diskutimeve për çështje me rëndësi dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun.“Progresi drejt BE-së është i lidhur për të dyja, për Serbinë dhe Kosovën, përbrenda dialogut”, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogerinit.Takimi i 24 janarit 2017, ku në fokus ishte dhënia fund situatave tensionuese, u mbajt ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të pasuara edhe me retorika e të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.

Në zhvillimet pas takimit në mbrëmjen e së martës së javes së kaluar në Bruksel, në Prishtinë dhe Beograd deklaratat ishin të matura e nuk kishte retorika.

Të shtunën e 28 janarit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan një bisedë telefonike.“U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka  bërë të ditur Thaçi.Ndërkohë, ndodhi edhe një zhvillim i shmangies së tensioneve të mundëshme: Nga autoritetet e Prishtinës nuk u rrënua muri në veri të Mitrovicës edhe pse dje ishte dita e fundit e afatit të përcaktuar me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës ndërsa u tha se vetë serbët lokalë do e rrënojnë dhe për këtë po bisedohet. Një zhvillim tjetër është se, treni provokues që shkaktoi tensione me nisjen nga Serbia drejt Mitrovicës së Veriut, sipas një njoftimi të mbrëmshëm nga Beogradi, nuk do qarkollojë në relacionin drejt Merdares, vendkalimit kufitar me Kosovën, me nisje prej sot siç ishte paralajmëruar më herët, por në një relacion tjetër – drejt Vërshacit (qytet në krahinën e Vojvodinës, në Serbi).

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.Deri tani, në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, takimi ne bruksel

Në rendin e ditës gjyqësori në veriun e Kosovës

February 12, 2014 by dgreca

Pas 220 orë bisedimesh kryeministrat e Kosovës e Serbisë takohen sot (12.02) për të 22-tën herë në Bruksel. Suksesi i dialogut Beograd-Prishtinë është evident, siç janë evidente edhe çështjet e pazgjidhura.Raundi i sotëm i 22-të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës është vazhdim i bisedimeve të 27 janarit, kur të dy delegacionet nuk arritën të bien dakord për dy çështje kyçe të marrëveshjes së Brukselit: përfshirjen e sistemit gjyqësor të veriut, institucionet, gjykatësit dhe prokurorët serbë në një sistem unik kosovar të drejtësisë, si dhe formimin dhe funksionimin e asociacionit të komunave serbe. Bashkimi Evropian pret që edhe këtë vit të vazhdojnë negociatat për zbatimin e të gjitha çështjeve të pambyllura nga marrëveshja e prillit dhe sipas fjalëve të kryeministrit serb, Ivica Daçic, çështja e organizimit të gjykatave në veri të Kosovës është e para në rendin e ditës.”Nuk kemi arritur të biem dakord dhe ekzistojnë dallime të mëdha në qëndrime”, pati thënë Dacic pas raundit të janarit të bisedimeve në Bruksel. Ai shpjegoi se Prishtina ende këmbëngul që në juridiksionin e gjykatës komunale në Mitrovicë, përveç katër komunave serbe, të përfshihen edhe tri komunat me shumicë shqiptare në jug të lumit Ibër, gjë që në mënyrë të konsiderueshme ndryshon përbërjen etnike të rajonit në fjalë.” Qëndrimi i Beogradit është se kjo cënon direkt parimin, për të cilin është rënë dakord, përfaqësimn e policisë dhe gjyqësorit në bazë të strukturës etnike në terren.

Një çështje tjetër është krijimi i asociacionit të komunave serbe. Në Mitrovicën e Veriut me 23 shkurt pritet përsëritja e votimit për kryetar bashkie. Duhet të pasojë edhe hartimi i statutit dhe konstituimi i komunave të asociacionit serb, të cilat, sipas fjalëve të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, duhet të ketë formën dhe kompetencat, që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. “Krerët lokalë thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe unë mezi pres të fillojmë të zgjidhim çështjet praktike”, tha kryeministri i Kosovës, me rastin e zgjedhjes së kryetarit të bashkisë në komunat serbe.

A do të ndryshojnë zgjedhjet dialogun mes Prishtinës e Beogradit?

Përveç përsëritjes së zgjedhjeve lokale në Mitrovicë, në Bruksel do të mund të diskutohet edhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të planifikuara për 16 mars, mënyrën se si ata mund të ndikojnë në rrjedhën e mëtejshme dhe dinamikën e dialogut në Bruksel, por edhe për zgjedhjet parlamentare, që mund të mbahen në shtator të këtij viti në Kosovë. Kryeministri i Serbisë me këtë rast u bëri thirrje serbëve të Kosovës: “Serbët duhet të dalin në zgjedhjet parlamentare. Pyetja kryesore është se si të binden serbët në veri të Kosovës që të bëhen konstruktivë dhe se bashkëpunimi është në interesin e tyre”, tha Daçiç.

Temë e bisedimeve të sotme në mes të Beogradit dhe Prishtinës do të mund të jetë edhe arrestimi i njërit prej udhëheqësve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, që ka ndodhur pikërisht në këtë moment delikat për asociacionin e komunave serbe.
Në bisedimet në Bruksel, përveç dy kryeministrave dhe përfaqësueses së lartë i Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, duhet të marrë pjesë zëvendëskryeministrin i parë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dacic, takimi ne bruksel, Thaci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT