TAHSIM SPAHIU, INSTRUKTORI USHTARAK I ÇETËS “SHQIPONJA” TË HYSNI LEPENICËS./
SINAN IMAMI, MJEKU I ÇETËS/
Tahsin Spahiu është nderuar me titullin “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Republikës prof. dr. Sali Berisha./
Nga Isuf Spahiu dhe Enver Lepenica/
Formimi i çetës antifashiste “Shqiponja”, të Hysni Lepenicës/
Pushtimi i vendit nga Italia fashiste i ngriti në këmbë shqiptarët për të mbrojtur lirinë dhe vatrat e tyre. Një prej çetave të para antifashiste e formuar sipas traditave të shqiptarëve në luftë për liri ishte ajo e Hysni Lepenicës.
Në fillim të vitit 1942 Komiteti Qarkor i Ballit Kombëtar të Vlorës, në ilegalitet dhe për arsye sigurie ishte vendosur dhe vepronte në shtëpitë e Hysni Lepenicës në vendlindjen e tij në Lepenicë, 36 kilometra nga qyteti i Vlorës. Po në këtë kohë ishte formuar edhe një çetë e vogël antifashiste, me qëllim që të siguronte udhëheqësit e Ballit Kombëtar të Vlorës. Në vjeshtën e vitit 1943, kjo bërthamë ishte rritur në numur afro 70 luftëtarësh dhe do të merrte emrin çeta “Shqiponja” dhe pamjen e plotë të një formacioni ushtarak e organizuar në skuadra me oficerë kariere, mjekë, prapavijë etj.
Nga deponimet e luftëtarve të Ballit Kombëtar në hetuesinë komuniste, del e qartë se Hysni Lepenica e ka krijuar bërthamën e çetës “Shqiponja”, që në fillim të vitit 1942.
Kështu psh Mete Ali Myftari (1918-2001) nga Dukati, ka deponuar në hetuesi: “Në muajin mars të vitit 1942, duke qenë në Vlorë, ushtar në repartet e xhenjos, jam arratisur i vetëm nga ushtria… Mbasi ndenja disa ditë në fshatin tim në muajin mars të vitit 1942 , kam shkuar në çetën e Ballit Kombëtar të Hysni Allushit, dhe ndënja 22 ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk u bë ndonjë përpjekje, vetëm se rrinim si ushtar, hanim dhe pinim mbi fshatarët e Lepenicës. Mbas 22 ditëve ika me lejen e Hysniut dhe shkova në shtëpinë time dhe u mora me bujqësi. Kur ishte Maliq Koshena Komandant i Ballit i fshatit tonë më mobilizonte nganjëherë dhe bëja roje me armë në fshatin tonë. Unë nuk kam rënë asnjëherë në përpjekje me partizanët”.
Janë shumë luftëtarë të tjerë të Ballit Kombëtar të Vlorës, të arrestuar dhe dënuar që në hetuesinë komuniste, pa menduar se deklarimet e tyre do t’i shërbenin historisë kanë deklaruar se që në vitin 1942, kishte pas organizime të fshehta të armatosura nëpër fshatra. Këto çeta bashkoheshin me çetën “Shqiponja”, për të kryer aksione luftarake, po kështu ishte formuar edhe një Komitet Ushtarak që përbëhej: Imer Çelua, Bego Gjonzeneli, Rrapo Metua, Sulo Shehu, Arif Elmazi, Mane Aliu, Neki Saliu, Hysen Çobua, Shahin Nuredini me komandnat Hysni Lepenicën. (Nga kujtimet e Isuf Luzajt)
Major Besim Belishova, që u var në litar prej komunistëve, ka deponuar në hetuesi: “Në pranverë të vitit 1942 në një mbledhje që është bërë në Vlorë për kordinimin e veprimeve luftarake të çetave nacionaliste ndërmjet Vlorës, Himarës, Fierit e Mallakastrës, Hysni Lepenica është caktuar komandant i Qarkut të Vlorës”. (Arkivi MPB, D.2070, f.168, 237)
Xhevit Mëhilli nga Dukati ka deklaruar: “Mbas Konferencës së Pezës Qemal Agolli nga Dibra më dërgoi rezolucionin e Pezës në Itali ku isha student. Pastaj bëmë një mbledhje të studentëve… Këtu u fol që të gjith studentët duhet të shkonin në Shqipëri me qëllim që të merrnin pjesë në luftë… Kur u ktheva nga Italia vajta në Vlorë. Mbasi bëra pak pushim shkova tek vëllai im me nënë Skënder Muçua nga Tragjasi i cili kishte dalë në mal qysh në tetor të vitit1942 në luftë kundra okupatorëve. Gjatë kësaj kohe unë isha pro luftës…”
Dihet gjithashtu se në tetor të vitit 1942, veç Skënder Muços kanë dalë ilegal edhe Hysni Lepenica, Isuf Luzi etj.
Zenel Çelo Zenelaj nga Velça, trimi dhe bashkëluftëtari i Hysni Lepenicës ka treguar se çeta e parë nacionaliste që mori emrin “Shqiponja” u formua në mal të Tragjasit në shtator të vitit 1942.
(Arkivi i familjes Zenelaj nga Velça. Enver Memishaj “Hysni Lepenica…”, Tiranë 2000)
Pohimet e sipërme si dhe shumë të tjera, duhen marrë në konsideratë, sepse nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi harmonizohen dhe e forcojnë njera tjetrën. Rëndësia dhe roli çetës “Shqiponja” në Luftën Antifashiste, përveç të tjerave beteja ve të zhvilluara, duket edhe nga personalitetet që merrnin pjesë në këtë çetë me komandant Hysni Lepenicën dhe komisar doktorin në drejtësi Skënder Muçon.
Në këtë shkrim do të trajtojmë sado shkurt mjekun e çetës Sinan Imamin dhe instruktorin ushtarak, toger Tahsim Spahia.
Sinan Imami mjeku ushtarak i çetës “Shqiponja”
Sinan Imami ishte mjeku ushtarak shëmbullor dhe korrekt i çetës “Shqiponja”. Ai lindi në Përmet më 2 shkurt 1905 në një familje qytetare me ndjenja atdhetare. Vazhdoi qytetsen në Gjirokastër (1912-1921) dhe mandej për shtatë vjet rresht përfundoi në vitin 1927 Liceun Francez të Korçës me rezultate shumë të mira.
Pas përfundimit të Liceut, Sinanit iu akordua një bursë shteti ushtarake për të studiuar në fakultetin e mjeksisë në Paris. Në Universitet Sinan Imami u shqua për zellin e tij të veçantë, korrektesën dhe dëshirën e madhe për të studiuar shkencat mjeksore. Këto cilësi i dhanë atij jo vetëm diplomën si mjek por ai grumbulloi dije të plota si intelektual i klasit të parë.Në vitin 1935 përfundoi studimet dhe u kthye në atdhe. Fliste e lexonte: latinisht, italisht, frengjisht, gjermanisht dhe greqisht.
Me kthimin në atdhe ai u emërua mjek me gradën toger në Ushtrinë Mbretërore Shqipëtare në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në vitin 1938 u dërgua për specializim në Firence të Italisë për të përfunduar kursin e mjeksisë ushtarake. Dy muaj para pushtimit fashist u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të shërbejë si mjek në spitalin ushtarak.
Në vitin 1940 u gradua kapiten dhe në vitin 1943 major duke vazhduar të shërbejë si mjek ushtarak. Sinan Imami ishte patriot dhe në zhvillimet e Luftës Antifashiste nuk mund të qëndronte indiferent. Me kulturën që kishte dhe me përvojën që kishte marrë në Europë ai nuk mund të besonte dhe nuk mund të pranonte të bashkohej me komunistët prandaj në pranverën e vitit 1943 iu përgjegj thirrjes së Hysni Lepenicës për t’u inkuadruar në çetën “Shqiponja” si mjek ushtarak i kësaj çete. Në gushtin e vitit 1943 ai do të marshojë nga Vlorë në Mukje në përbërje të çetës “Shqiponja” dhe në krah të Hysni Lepenicës, si përfaqësues i Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes. Në përfundim të kësaj Konference Hysni Lepenica u emërua Komandnat i Prefekturave të Jugut .
Në kthim të çetës nga Mukja në Vlorë Sinan Imami do të marshojë me çetën deri në katundin Brataj të Vlorës ku Hysni Lepenica vendosi komandnën e fuqive të Ballit Kombëtar dhe bëri riorganizimin e forcave luftarake të Vlorës, për të kaluar mandej në Gjirokastër dhe ne prefektura të tjera të Jugut për riorganizimin e forcave të Ballit Kombëtar në zbatim të vendimeve të Mukjes. Sinan Imami nuk ishte vetëm mjek por edhe një luftëtar trim. Në katundet e krahinës së Mesaplikut ku shërbeu si mjek dhe luftoi si luftëtar ai la përshtypje të një atdhetari trim që do të kujtohej vazhdimisht jo vetëm nga luftëtarët e Ballit Kombëtar por edhe nga fshatarët e varfër të kësaj krahine, ku hyri në çdo shtëpi për t’i vizituar e mjekuar me dashuri, por edhe për t’u folur për luftën kundër fashizmit dhe komunizmit.
Në fillim të shtatorit të vitit 1943 në përbërje të çetës “Shqiponja” marshoi në krah të Hysni Lepenicës për në Gjirokstaër, ku Hysni Lepenica do të merrte komandën e kësaj prefekture dhe do të bënte riorganizimin e forcave të Ballit Kombëtar.
Sinan Imami qëndronte në krah të Hysni Lepenicës jo vetëm si mjek, por edhe si luftëtar deri sa Hysni Lepenica së bashku me 35 luftëtarë të tjerë të Ballit Kombëtar më 14 shtator 1943 ra në fushën e betejës në Gërhot të Gjirokstrës, kundër forcave fashiste.
Pas rënjes së Hysni Lepenicës në tetor të vitit 1943 Sinan Imami u kthye në Tiranë me keqardhje se vendi po binte në duar të komunistëve. Më 10 janar të vitit 1944 atë e mobilizuan forcërisht në ushtrinë shqiptare të kohës.Pas çlirimit punoi me zell e përkushtim në spitalin ushtarak me gradën kolonel dhe shef shërbimi.Vdiq në Tiranë në vitin 1975, i nderuar dhe i vlerësuar. (Sipas kolonel dr. Emil Qirko)
Toger Tahsim Spahia instruktori ushtarak i çetës “Shqiponja”
Instruktori ushtarak i çetës “Shqiponja”, të Ballit Kombëtar, ishte toger Tahsim Spahia, diplomuar në Akademinë Ushtarake në Itali. Do të ndalemi më gjatë për të treguar jetën dhe veprën e këtij patrioti në shërbim të çështjes kombëtare, sepse ky nuk pati fatin e mirë të bashkluftëtarit të tij ballist doktor Sinan Imamit, por nga komunistët në pushtet, vuajti burgun, internimin dhe persekucionin e egër deri në fund të jetës, kur vdiq në internim në Savër të Lushnjës.Tasim Spahia lindi në vitin 1915 në fshatin Kolesjan, nga një familje me tradita të shquara patriotike. Gjyshi i tij, Islam Spahia qe udhëheqës legjendar i popullit të Lumës në luftën kundër hordhive osmane në vitet 1909-1912 si dhe në luftrat heroike patriotike kundër të shovistëve serb që nga viti 1912.
Kështu që ai u u rrit në vatrën e një familje atdhetare, familje e cila pati lidhje dhe bashkëveprim me figura të shquara historike. Në shtëpinë e gjyshit të tij Islam Spahia dhe Beqir Spahia ka bërë konak Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri etj., për çështje kombëtare ku bisedohej për fatin e Shqipërisë.
Tahsimi, shkollën fillore e bëri në fshatin e lindjes në Kolesjan. Kjo ish e para shkollë në gjuhën shqipe në zonën Verilindore, e themeluar dhe drejtuar nga xhaxhai i tij, mësuesi i merituar dhe patrioti Riza Spahia.
Ende në moshë të njomë në shkollën fillore, Tahsimi i vogël pësoi një traum të thellë shpirtrore: Beshir Isufi, në mal të Kolesjanit, vrau baban e tij Shaban Spahia, me shtysën e Muharrem Bajraktarit, gjoja për hakmarrje.
Vrasja e Shaban Spahiut realisht qe një vrasje politike sepse ai së bashku me Xhafer Spahin në vitin 1924 udhëhiqinin forcat ushtarake lumjane përkrah Fan Nolit kundër Ahmet Zogut. Muharrem Bajraktari, mbështetës i Ahmet Zogut, ishte Qarkkomandant i Prefekturës së Kosovës dhe duke u kthyer nga Kruma me forcat e xhandarmërisë që kish nën komandë u ndesh në Qafë të Kolesjanit me forcat fanoliste të udhëhequra nga Spahitë dhe u tërhoq i mundur.
Babai i Tahsimit, i plagosur, ende pa kaluar në agoni, u thotë vëllezërve dhe farë e fisit: “Ky gjak që ka përlyer shtëpinë time, mos e lini t’a lajë djali im i vogël”. E theksojmë këtë fakt për zhvillimet interesante të mëvonëshme.
Ahmet Zogu si politikan dhe për interest e vendit kërkoi të pajtohej me Spahijtë duke graduar Xhafer Spahin major rezervë, Sadik Spahin kapiten dhe Mahmut Spahin,toger.
Tahsimi, pasi mbaron shkollën fillore vazhdoi gjimnazin në Shkodër duke e përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Hartimet e studentit Tahsim Spahiu ishin model dhe më të bukurat, me ndjenjë të theksuar patriotik, siç kujton bashkëmoshatari dhe bashkënxënësi Miftar Spahiu.
Me mbarimin e gjimnazit të Shkodrës shkoi për studime në Akademinë Ushtarake të Romës. Ai ishte student i shkëlqyer, i disiplinuar dhe korrekt. Nuk ish i dhënë pas qejfeve rinore, por shquhej për një vullnet të papërkulur dhe karakter të fortë, me predispozita të shkëlqyera në përvetësimin e artit ushtarak duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e trupës drejtuese të akademisë.
Për karakterin e Tahsimit na tregon ndërmjet të tjerëve Abdurrahman Guri, që studjonte në degën e artilerisë, së bashku me Tahsimin e banonin në një familje fisnike të Romës dhe ai kujton: “Në familjen ku banonin ish një vajzë e bukur italiane, bashkëmoshatare me ne. Ajo ish lozonjare dhe një ditë prej ditësh duke luajtur, unë po e ndiqja nga kopshti në koridor. Ndërkohë ajo i kërkon ndihmë Tahsimit. Tahsimi duke kujtuar se unë veproja dhunshëm, nxjerr revolverin dhe më kërcënon ndonëse më kishte nip:
-Ndal se të vrava! Si na merr nëpër këmbë moralin dhe dinjitetin shqiptar.
Ndërkohë ndërhyri i ati i vajzës:
– Tahsim , kujdes se këta po luajnë…
Me mbarimin e studimeve në Akademinë ushtarake, studentëve u kërkohet që të bëjnë betimin para flamurit italian dhe flamurit shqiptar me shenjat e lektorit. Tahsimi nuk pranoi, duke rrezikuar të humbas diplomën dhe titullimin si oficer. Benito Musolini kur i kishin raportuar për kundërshtimin e studentëve shqiptarë për t’u betuar para flamurit italian kishte thënë: “Duhet ta zbutim këtë egërsi shqiptare dhe ta bëjmë për vete”.
Me zemër të thyer Tahsim Spahiu kthehet në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët italianë dhe emërohet toger i forcave tokësore në Vlorë. Më vonë, me qëllim për ta bërë për vete, italianët e emërojnë Qarkkomandant të Vlorës, detyrë të cilën shumë kush ia kishte zili. Por Tahsim Spahiu kishte vendosur t’i shërbente me besnikëri vendit të vet, atdheut të vet, dhe nuk mashtrohet nga miklimet e pushtuesit italian.
Ai, siç tregojnë disa vlonjatë, mbasi bën për vete gardianin e burgut dhe disa milic nga Veriu, e lëshon burgun e Vlorës dy herë, me pretekst se është thyer. Shumë nacionalistë e komunistë të dënuar me vdekje dolën në liri.
Lufta e Selenicës së Vlorës më 1 prill 1943 dhe kapja rob e Tahsim Spahisë.
E shohim me interes të ndalemi në luftimevet e Selenicës së Vlorës sepse ajo luftë është objekt i falsifikimit nga ana e autorëve komunist, ajo luftë u bë shkak por edhe shtytsë e operacionit të italianëve në Jug, me pasoja të rënda. Nga ana tjetër kjo luftë përcaktoi fatin e ardhshëm të togerit të ri të ushtrisë italiane Tahsim Spahisë dhe bashkimin e tij me çetën “Shqiponja” të Hysni Lepenicës.
Historia e luftimeve në qytetin e serës nis në mesnatës së 21 shkurtit 1943 kur çeta Plakë e Mallakastrës dhe çeta Plakë e Vlorës sulmuan Selenicën dhe të nesërmen, qyteti ishte në duart e partizanëve. (Gazeta “Zëri i Popullit”, prill 1943, viti II, nr. 17)
Më 1 prill 1943 një kolonë e forcave të policisë e përbërë nga kompania e 17 e karabinierëve: një skuadër e posaçme karabinierësh e një skuadër mitralierësh, marshoi për në Selenuicë, për të rimarrë pushtetin atje.
Kolona e komanduar nga nënkolonel Ricci udhës për në Selenicë, në fshatin Lubonjë, pa disa fshatarë, që duke i marrë për pjestarë të çetave “rebele”- ata nuk ishin as partizanë, as ballistë, por thjesht bënin dru në pyll- hapi zjarr dhe i vrau.
Në zonën ku u dëgjuan pushkët ndodhej çeta balliste e Isuf Luzajt e cila menjëherë rrethoi vendin në fshatin Armen. Pas luftimesh të ashpëra që zgjatën deri në mbrëmje, fashistët lanë mjaft të vrarë dhe të plagosur. Nga ana e Ballit Kombëtar u plagos Hasan Lepenica i cili u trasportua në spitalin partizan në Vranisht të Vlorës për t’u mjekuar.
Një pjesë tjetër e kolonës që mundi të çajë rrethimin, me nënkolonel Ricci-n në krye u shty në tisin e buzëmbrëmjes të kthehej në Vlorë, por ra në pritën e çetës Plakë të Vlorës të komanduar nga Neki Ymeri – Vangjua, e cila ndërkohë kishte zënë pozita luftimi. Nga ana tjetër e lumit Vjosë hapte zjarr edhe çeta Plakë e Mallakastrës e komanduar prej Mehmet Shehut. Fashistët duke pandehur se e gjith zona ishte e rrethuar nga forcat nacionaliste u dorëzuan.
Çeta e Ballit roberit pasi i çarmatosi i liroi. Çeta e Neki Ymerit robërit i kaloi në bregun tjetër të Vjosës dhe ia la në ngarkim Mehmet Shehut. Ai i tërhoqi thellë në një zgërbonjë, vrimë e fshehtë të pyjeve të Mallakstrës, dhe pas disa ditë torturash i xhveshi lakuriq dhe i vrau pa mëshirë për tu marrë rrobat për partizanët.
Humbja e armikut në luftime sipas burimeve italiane ishte 11 të vrarë mes tyre një oficer, 16 të plagosur dhe 106 të zhdukur ndërmjet të cilëve edhe nënkolonel Ricci me dy oficerë të tjerë.
(Tanush Frashëri “Ali Këlcyra arisokrati kuqezi”, Tiranë 2005, f. 215)
Ali Këlcyra për sa më sipër shkruan se pas torturave të tmerrshme robërit italianë i vrau Mehmet Sheu me duart e tij. E njëjta gjë thuhet në një trakt të hedhur nga Balli Kombëtar: “Këtë luftë e filloi vetëm një çetë e Ballit Kombëtar nën komandën e Isuf Luzajt në orën 1 pa pes minuta të datës 1 prill 1943 dhe në orën 4 të po asaj dite u plotsua rrethimi i 136 karabinierëve dhe 116 bersialerëve. Në orën 4 e 20… arriti çeta partizane nën urdhërin e Neki Ymerit… Të gjith italianët … u zënë robë… u çarmatosën prej Ballit … dhe u lanë të lirë. Kurse robërit e çarmatosur nga partizanët u vranë”. (AQSH, F. 270, V.1943, D. 11, f. 554, Trakti i datës 11 tetor 1943)
Vrasja e robërve të luftës është një nga shfaqjet më mizore të komunistëve, fak që e kanë vënë re dhe e kanë evidentuar edhe misionet anglo-amerikanë që shërbyen këtu gjatë luftës.
Toger Raffaelo Jardella, ka deklaruar ndërmjet të tjerave përpara komisionit të hetuesisë italiane: “Është mirë të vëmë në dukje se gjith robrit që ranë në duart e nacionalistëve sapo u çarmatosën u lanë të lirë ndërsa ata që ranë në duar të komunistëve përfshirë edhe nënkolenelin dhe një kapiten jo vetëm u pushkatuan por vdiqën përmes torturash rrënqethëse”. (Cituar nga Tanush Frashëri “Ali Këlcyra arisokrati kuqezi”, Tiranë 2005, f. 216)
Kiço Ruci nga Dhërmiu, në kohën që u zhvillua lufta e Selenicës ka qenë mësues në Selenicë dhe tregon: “Partizanët e komanduar nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapua u bënë pritë 150 karabinierëve, i rrethuan dhe i detyruan të dorzoheshin. Më von i dërguan përtej në breg të Vjosës dhe pasi u mbajtën një fjalim të shkurtër i pushkatuan të gjithë. Klithmat dhe të bërtiturat e italianëve dëgjoheshin deri në kodrat përreth”. (Kiço Ruci “Kujtime dhe ngjarje të Bregdetit”, Triptik, Vlorë 2011, f. 85)
Hakmarrja e italianëve për pabesinë e komunistëve për vrasjen çnjerëzore të robërve.
Komanda italiane u mundua në mënyrë të pa ndërprerë të hynte në bisedime me komunistët që të linin të lirë robërit e luftës, por Mehmet Shehu e Hysni Kapua nuk pranuan asnjë kusht. Vrasja e robërve italianë nga komunistët solli pasoja tragjike mbi popullsinë e pafajshme të Jugut të Shqipërisë. Për hakmarrje italianët ndërmorën një operacion spastrimi në zonën Berat – Vlorë – Gjirokastër, bilanc i të cilit ishte tragjik për popullin tonë.
Sipas burimeve të armikut: “Operacioni në zonën e Kurveleshit vazhdon. Deri tani janë arritur këto rezultate: U vranë 14 partizanë, u kapën 236 persona prej të cilëve 36 u vërtetua se ishin pjesmarrës në rebelim; u shkatërruan banesa në Kuç, Ramicë e Bolenë që bëjnë pjesë në të vetquajturën Republika e Kuqe e Kuçit…, në Bolenë u shkatërrua një depo monicioni e rebelëve. Armë të kapura: një mortajë e rëndë, 267 pushkë, 7 pistoleta, dhe një numur i papërcaktuar pjesësh armatimi, granata dore dhe municion”. (Cituar nga Tanush Frashëri “Ali Këlcyra arisokrati kuqezi”, Tiranë 2005, f. 228)
Me pasoja shumë të të rënda vazhdoi operacioni edhe në zona e krahina të tjera të Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Ja pra këta ishin komunstët terroristë, Mehmet Shehu e Hysmi Kapo, që me veprimet barbare të pushkatimit të robërve i sollën popullsisë së pafajshme tragjedinë e madhe të vrasjeve, pushkatimeve djegies së shtëpive dhe dëmtimit të pasurisë.
* * *
Tani le të ndjekim fatin e Tahsim Spahisë i cili ka depunuar në hetuesinë komuniste: “Më 1 prill të vitit 1943, jam zënë rob në Selenicë të Vlorës ku shërbeja si toger, komandant toge dhe përkthyes, nga partizanët e ballistët, të cilët më mbajtën 15 ditë . Pasi më lanë të lirë me vullnetin tim shkova në çetën e Ballit Kombëtar që komandohej nga Hysni Lepenica. Kam qëndruar këtu dhe kam ardhur në Mbledhjen e Mukjes bashkë me Hysni Lepenicën, Skënder Muçon, Isuf Luzin etj…. “ (Arkivi MPB, Dosja 2226, f, 17)
Kshtu pra Tahsim Spahija si patriot pranoi thirrjen e Hysni Lepenicës për t’u bërë efektiv i çetës së tij. Ai u banonte në Lepenicë dhe qëndroi në çetën “Shqiponja” për të strëvitur efektivin e kësaj çete dhe për t’i përgatitur ata për luftë kundër fashizmit italian. Siç pohon ai vetë qëndroi në këtë çetë nga prilli i vitit 1943 kur u kap rob deri më 3 gusht të vitit 1943, kur përfundoi Konferenca e Mukjes.
Në përfundim të kësaj Konference Hysni Lepenica e ngarkoi me detyrën e lartë patriotike që në zbatim të vendimeve të Mukjes të shkonte në Kukës dhe atje të formonte njësi të Ballit Kombëtar me qëllim të luftës së përgjithshme antifashiste për të çliruar Shqipërinë. Kështu, Tahsim Spahiu niset drejt detyrës së lartë atdhetare merr përsipër themelimin e Ballit Kombëtar në rrethin e Kukësit.
Në zbatim të kësaj detyre në gusht të vitit 1943 në një lëndinë të Kolesjanit, me emrin Ornicë, Tahsim Spahiu themeloi organizatën e Ballit Kombëtar të rrethit të Kukësit me këtë kryesi: Tahsim Spahiu, kryetar, Hilmi Dan Selmani, n/kryetar dhe anëtarë: Asllan Sul Petku nga Shteqni, Nuhi Ramadan Onuri nga Kolesjani, Dalip Nuhi Miflorolli nga Topojani, Shaqir Shaban Gjana –nga Gobuza.
Pas firmosjes nga ana e Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar të marrveshjes së Mukjes, si edhe krijimit të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë me atributet e një qeverie provizore, u duk se fatet e shqiptarëve do të rridhnin ndryshe.
Pikërisht me këtë mesazh të madh,burrat e shquar të kombit tonë, Mid’hat Frashëri, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Ali bej Këlcyra, Isuf Luzi etj, iu drejtuan trevave të Veriut të shtetit amë, duke u kumtuar vendimet e Mukjes për bashkimin e madh, për çlirimin e kombit dhe atdheut, sa më parë. Ndërsa në Jug ishte nisur Hysni Lepenica, Skënder Muçua etj.
Në mbrëmjen e 25 gushtit të vitit 1943, burrat nacionalistë, Abaz Kupi, Muharrem Bajrakatri, Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti, Isuf Luzi etj, u mblodhën në Lurë, në kullat e njohura për trimëri të Menajve. Aty u vendos që kuvendi të mbahej tri ditë më pas, deri sa të mblidheshin trimat e krejt trevave veriore.
Në krah të Sadik Spahisë që përfaqësonte Kolesianin në këtë kuvend do të merrte pjesë edhe nipi tij Tasim Spahia dhe fjala e tij për luftë pa kompromis me fashizmin, do të tërhiqte vëmëndjen e parisë së Veriut dhe do të dëgjohej me vëmëndje.
Mesazhet dhe vendimet e këtij kuvendi për bashkimin e të gjith shqiptarëve në luftë për liri ishin dhe mbeten, mesazhe të shpresave të mëdha, jo vetëm për trevat veriore shqiptare por për krejt Shqipërinë Etnike. Kjo ishte një nga arsyet që klika e komunistëve me urdhër të Miladin Popoviçit e abandonojë e anatemoi dhe e falsifikojë këtë kuvend shqiptarësh atdhetarë sikundër kishte bërë edhe me vendimet e Konferencës së Mukjes. (AQSH, F. 270, D. 4, f.3-7, Lurë, gusht 1943)
Në këto rrethana historike edhe Muharrem Bajraktari kërkoi të bëj pajtim me Spahijtë për ngjarjet e ndodhura në vitin 1924 dhe më vonë dhe për këtë qëllim ai shkoi tek Lama e Sherif Dullës në Kolesjan dhe i kërkoi atij një takim me Sadik Spahinë. Ky i fundit i çoi tek Lama, Ramadan Hasan Omerin për ta thirrur dhe e priti tek shtëpia e tij së bashku me nipin e tij, Tahsimin dhe kështu u bë pajtimi, lidhje që nuk u prish asnjëherë.
Fill mbas këtij pajtimi u organizua një mbledhje tek shtëpia e Gani Hetem Spahiut ku morën pjesë: Muharrem Bajraktari, Sef Xheladini, Sadik Spahiu, Tahsim Spahiu, Ramadan Çiku, Gani Spahiu etj. Kjo mbledhje përcaktoi platformën politike të mbledhjes historike të më vonshme të Krojt të Bardhë dhe gjithë veprimtarinë kundër pushtuesve italianëve dhe gjermanë, deri në kohën që komunistët sulmuan pabesisht, pas krahëve në Gostil forcat e Muharrem Bajraktarit. Mbledhja e Kroit të Bardhë ka mbetur e pa studjuar megjithse paraqet interes për historinë.
Organizata e Ballit Kombëtar e themeluar prej Tasim Spahisë ka bërë përpjekje për krijimin e një çete luftëtarësh, por të gjitha veprimet e saj kanë qenë mbrenda kuadrit të veprimtarisë bashkpunuese me Muharrem Bajraktarin ku Tahsim Spahiu pas pajtimit me Muharrem Bajraktarin ka shërbyer si Shef Shtabi i këtyre forcave duke ia njohur e vlerësuar dhuntitë, meritat dhe ndjenjat atdhetare.
Forcat komuniste nuk mund të pranonin autoritetin e një antikomunisti si Muharrem Bajraktarit, ata nuk mund të pranonin ndikimin dhe besimin që populli kishte te ky nacionalist i ndershëm dhe i pa kompromentuar me pushtuesit. Komunistët menduan të shfrytëzojnë armiqësinë e hershme të Spahive me Muharrem Bajraktarin, prandaj bënë një takim në shtëpinë e Rasim Spahiut.Në këtë takim udhëheqësit e Brigadës komuniste të Kosmetit Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, por më i rëndësishëm ndër ta ishte një partizan malazez me pseudonim “Xhura”, i bënë Tahsim Spahiut propozim se: “Ne jemi gati ta vrasim Muharrem Bajraktarin me që ai të ka vrarë babën, në se ti pranon të bashkpunosh me ne!”
Tahsim Spahiu kundërshtoi prerë: “Unë ia kam njohur vlerat dhe meritat Muharrem Bajraktarit, por në sytë e mi tani në kohën e Luftës Antifashiste vlerat atij rriten njëqint fish dhe unë do t’i rri besnik deri në fund pajtimit, për hirë të interesave të atdheut dhe Shqipërisë”.
Muharrem Bajraktari ishte luftëtar antifashist dhe i gatshëm për të bashkpunuar me komunistët për lirinë e vendit të tij. Por siç dihet komunistët e pa besë e sulmuan pas krahve Muharrem Bajraktarin. Në këtë përpjekje Tahsim Spahiu u zu rob nga forcat partizane të komanduara nga Shefqet Peçi e Manush Myftiu dhe së bashku me Selim Lozin (Nokën) që ishte kapur befasisht në Bicaj, të lidhur dorë për dore u shoqëruan nga një togë partizanësh për në Dibër. Atje nga një gjyq formal partizan u dënuan me vdekje: Selim Noka, Zyber Lita, Sherif Lita dhe me ndërhyrjen e Haxhi Lleshit, për të përçarë lëvizjen antikomuniste në Lumë, Tahsim Spahiu u la i lirë.
Tahsim Spahiu ishte në dijeni edhe për një korrespondencë të Drazho Mihajlovit me Muharrem Bajraktarin me ndërmjetësimin e Abdurrahman Gurit, oficer finance, që banonte në shtëpinë e një serbi në Prizren. Kjo korrespondencë ishte survejuar nga Beqir Spahiu. Drazho Mihajlovi i kërkonte Muharrem Bajraktarit bashkëpunim kundër fashizmit dhe komunizmit duke e lënë çështjen e Kosovës për zgjidhje me anën e një referendumi. Beqir Spahiu që ish qendra midis dy krahve të kundërta të Spahive e quante të pa pranueshëm e të parakohshëm luftën kundër komunizmit.
Si i ndau lufta Spahijtë e Kolesionit?
Lufta i ndau Spahitë e Kolesjanit në dy grupime njëra palë anonte nga komunistët dhe pala tjetër ishte kundër komunistëve.Në grupimin e majtë komunist ishin: Niazi Spahiu, Rifat Spahiu, Rim Spahiu, Rrapo Spahiu dhe më të rinjtë Ramadan Spahiu, Ibrahim Spahiu, Ismail Spahiu.
Niazi Spahiu, i biri i Rasim Spahiut kishte propagandur idetë komuniste në Lumë si pjestar i Grupit Komunist të Tiranës që nga viti 1937.
Në krahun e djathtë antikomunist bënin pjesë të gjithë ata që ishin me arsim të lartë: Tahsim Spahiu, Jaup Spahiu, Fehmi Spahiu, Enver Spahiu, Imer Spahiu, Nezir Spahiu etj.
Në vitin 1948, Nezir Spahiu në emigrim, nga kundërshtarë bëhet bashkëpunëtor me Ahmet Zogun, dhe djali i tij Ylli Spahiu luan një rol mjaft të rëndësishëm në oborrin mbretëror të Leka Zogut.
Beqir Spahiu që ish qendra midis dy krahve të kundërta të Spahive të ndara ideologjikisht dhe politikisht, por që anonte më shumë nga e majta mbante lidhje dhe veprim të trefishtë:
Ai bashkëpunonte me krahun komunist: Emin Durakun, Muhamet Oruçin, Shyqyri Hafizin, Xhavit Nimanin, Elhami Nimanin, Xhevdet Dodën etj.
Po kështu Beqir Spahiu në teqen e Shën Hasanit kishte krijuar me nacionalistët një Komitet Nacionalist të përbërë nga: Sheh Hasani, Sheh Musai, Halim Spahiu, Ali Alushani, kapiten i ushtrisë Sabaudin Resuli ku mbanin lidhje me Bedri Pejanin dhe kishin krijuar njësi të armatosura, aktet e së cilës janë lufta e Kabashit kundër bullgarëve që kishin pretendime territoriale ndaj Kosovës. Halim Spahiu si anëtar i këtij grupi u pushkatua prej UDB-së Jugosllave në vitin 1946.
Nga ana tjetër Beqir Spahiu bënte pjesë edhe në grupin e intelektualëve të Prizrenit me Kol Margjinin, Brahim Fehmia, Skënder Curri, Myzafer Gostivari, të cilët në Lidhjen e Dytë të Prizrenit më 16 – 20 shtator 1943, ishin ndër 42 delegatët e kësaj lidhje dhe që pas vitit 1945 të gjithë u pushkatuan nga qeveria Jugosllave me përjashtim të Myzafer Gostivarit.
Beqir Spahiu u vra më 6 maj 1943 nga SIMI fashist Italian. Një partizan jugosllav i shtruar në atë kohë në spitalin e Suharekës ka deklaruar se po të mos e kishin vrarë italianët do ta vrisnin shërbimet e fshehta jugosllave, par arsye të aktivitetit të tij antisllav. Pas vitit 1990, Beqir Spahiu është vlerësuar “Mësues i popullit”.
Pajtimi midis dy grupeve kundërshtare të Spahive do të bëhet vetëm në vitin 1956 kur Rifat Spahiu u dënua nga Konferenca e Tiranës dhe djali i tij Fate Spahiu që ishte kanidat i shkencave mjekësore diplomuar në Bashkimin Sovjetik u dënua me 18 vjet burg për veprimtari “armiqsore”!.
Tahsim Spahiu i burgosur dhe internuar nga diktatura komuniste.
Pas çlirimit të vendit Tahsim Spahiu si oficer i përgatitur në shkollat më të mira europiane u emërua pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, detyrë në të cilën u dallua për aftësitë e larta si oficer e mësues dhe dallonte nga i gjith efektivi komandës së shkollës.
Në vitin 1948 Partia Komuniste Shqiptare u nda me Lidhjen e Komunistëve Jugosllavë. Në vitin 1949 Koçi Xoxe ish Ministër i Brendshëm u dënua nga Kongres Parë i Partisë Komuniste. Një grup pro jugosllav u organizua ta nxirrte Koçi Xoxen në Jugosllavi. Në këtë grup bënte pjesë edhe Ismail Spahiu, i cili formulon një letër për Ambasadën jugosllave dhe ia lexon letrën edhe Tahsim Spahisë, por ky e këshilloi të mos merrej me këtë punë dhe të mos e dërgonte këtë letër atje ku mendonte Islami. Pavarësisht nga këshillat e Tahsim Spahisë, Islami e dërgoi letrën. Grupi i Ismail Spahisë u zbulua dhe u arrestua.
Në hetuesi ai në mes të tjerash deponoi se letrën e ambasadës jugosllave ia kish lexuar edhe Tahsim Spahiut, gjë e cila u bë shkak për arrestimin e Tahsimit. Ndonëse në gjygj u vërtetua që Tahsim Spahiu nuk kishte asnjë lidhje me grupin në fjalë u dënua me tetë vjet burg, gjoja tentativë arratisje në Jugosllavi.
Kështu filloi për Tahsim Spahiun kalvari i burgimeve dhe internimeve. Në burg është treguar stoik dhe i papërkulur. Në një vizitë që bëri në burg zëvendësministri i brendshëm i asaj kohe e pyeti Tasim Spahinë se sa ishte dënuar.
-Tetë vjet, u përgjegj ai.
-Pak je dënuar, i thotë zëvëndës ministri, unë do të kisha dënuar 25 vjet!
-Kjo tregon, i thotë Tasimi, se juve i dënoni shqiptarët sipas dëshirës dhe jo sipas ligjit.
Kjo përgjigje i kushtoi Tahsim Spahisë tre muaj në qeli të burgut.
Pas lirimit nga burgu Tahsim Spahinë e internuan familjarisht në Savër të Lushnjës. Atje kaloi sëmundje të rëndë në pa mundësi kurimi. Ishte i martuar me një grua të nderuar që i qëndroi besnike dhe i fali dy vajza të cilat sot janë të martuara në Itali.
E ama e tij, Zija, që rridhte nga një familje e nderuar antikomuniste nga fshati Gjinaj, tërë jetën mbeti e cilësuar kulake, armike populli. Sinan Gjini, vëllai Zijes u vra nga forcat e Sigurimit komunist pa asnjë faj. Kështu që nëna e Tahsim Spahisë u detyrua të jetoi tek niprit e burrit, djemt e axhës së Tahsimit, të cilëve u bënte presion organizata bazë e Partisë së Kolesjanit që ta përzinin nga shtëpia këtë armike të rrezikshme, por ata si fisnik që ishin e mbajtën më mirë se nënën e tyre, se ajo i kishte rritur dhe edukuar si bijtë e saj.
Një ditë ajo shkoi për të parë të birin e internuar në Savër të Lushnjës dhe vdiq atje, ku edhe u varros pa asnjë ceremoni.
Pas saj, në vitin 1986, vdiq në skamje dhe mjerim edhe i biri Tahsim Spahiu. Edhe kur vdiq Sigurimi i Shtetit nuk lejoi të varrosej në varret e përbashkëta, por si heretik komunist ai u varros në një kodër të Savrës, dhe varri tij humbi përgjithmonë.
Jeta e Tahsim Spahiut, është jeta e një atdhetari e luftëtari antikomunist që fati e solli të mos shohë asnjë ditë në liri. Ai do të nderohet përjetësisht.Presidenti Republikës prof. dr. Sali Berisha e ka nderuar Tahsin Spahinë me titullin “Martir i demokracisë”.