Dr. Elez Biberaj/
Fjala në Ceremoninë e Vlerësimit për Arritjet Jetësore-/VATRA/
Nju Jork/
1 qershor 2018/
I nderuar zoti Mishto!/
Ju falenderoj Ju personalisht, anëtarët e kryesisë, dhe anëtarët e VATRES për këtë vlerësim për arritjet jetësore.
Të nderohesh nga VATRA, nga kjo organizate historike qe ka shërbyer si qendër e veprimtarisë patriotike të shqiptarëve të Amerikës dhe që ka dhenë një ndihmesë të madhe për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e kombit tonë, është ndere dhe privilegj i madh.
Për mua ky është ndër vlerësimet më të çmuara. Unë kam patur lidhje te gjata dhe të ngushta me VATREN. Veprimtarinë time publicistike e kam filluar pikërisht në VATREN tone të përbashkët dhe prandaj ju falenderoj përzemërsisht.
Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë familjes, veçanerisht bashkëshortes sime, Kadires, femijeve te mi, vellezerve e motrave. Një mirënjohje të veçante prindërve te mij – Hysen dhe Ajshe Biberaj. Ishin ata që na ushqyen me dashurinë dhe krenarinë për kombin tonë, dhe me ndjenjën që e kemi për detyrë të përpiqemi, me aq mundësi që kemi, të ngrejmë lart vlerat e kombit dhe të atdheut tone të dashur.
Falenderoj edhe kolegët dhe bashkëpunëtorët e shumët, të cilët me kanë ndihmuar gjatë karierës sime.
Ky vlerësim nga VATRA është edhe më domethënes për mua për arsye se përkon me një përvjetor të rëndësishëm për familjen tone. Dje, me 31 maj, ne kemi shenuar 50 vjetorin e imigrimit në Amerike – në kete vend te lirise dhe te mundësive të shumta.Familja jonë është shumë me fat që ka realizuar ëndren amerikane dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës këtij vendi të bekuar demokratik.
Shtetet e Bashkaura na kanë dhënë mundësinë të jemi shtetas besnikë amerikanë dhe, në të njejtën kohë, të përpiqemi të japim një ndihmesë modeste në mbështetje të aspiratave te kombit tone për liri, pavarësi dhe demokraci.
Edhe njëherë, Ju falenderoj përzemërsisht dhe me mirenjohje të thellë.