Kryeministri Rama nga Kukesi, mesazh mirënjohje ndaj paraardhësit të tij, Sali Berisha-
Nga Ylli Pata/- Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në ditën e përkujtimit të 15 vjetorit të eksodit të kosovarëve ka dhënë një mesazh të fortë drejt bashkëpunimit me opozitën.
Edi Rama, në fund të fjalës së tij, në takimin përkujtimor ka falenderuar publikisht paraardhësin e tij Sali Berisha dhe Partinë Demokatike për kontributin e dhënë për pavarësinë e Kosovës gjatë kohës që PD drejtonte qeverinë e vendit.
“Shpreh mirënjohjen edhe për Sali Berishën edhe për PD-në që si qeveri bënë përpjekje deri te pavarësimi i Kosovës. Ne në politikë ndahemi për shumë gjëra por nuk ndahemi për atë që deri dje ishte çështja e Kosovës dhe sot është çështja e shqiptarëve. Kosova ka vlejtur edhe për të unifikuar shqiptarët e Shqipërisë kur ata duket se ishin të pa unifikueshëm”, deklaroi Kryeministri Edi Rama, duke dhënë mesazhin e unifikimit mes veti dhe integrimit të shqiptarëve në një hapësirë të përbashkët sociale, ekonomike dhe kulturore me kohezion qytetar drejt Europës së bashkuar.
Duke e vijuar këtë mesazh, Rama në fjalimin e tij në takimin përkujtimor të eksodit të 1999-ës, ka elaburuar dhe përforcuar projektin e nisur nga qeveria për unifikimin mes shqiptarëve.
“Është fat që sot të jesh këtu dhe unë ndjehem dhe më me fat që kam nderin të mbaj këtë fjalë përmbyllëse të këtij takimi 15 vjet më pas nga ato momente që dukeshin si fundi i botës, e ku ne sot mund të flasim për partneritet strategjik. Të jemi komb i bashkuar në një Europë të bashkuar. Kjo ëndërr varet nga ne për kohën kur do të bëhet. Për sa na takon ne do të bëjmë më të mirën. Të tjerët do të bëjnë më të mirët pas nesh’, theksoi Rama, i cili ka renditur prioritetet e një bashkëpunimi që nuk është thjesht një marrëdhënie e përbashkët.
Kryeministri shqiptar ka deklaruar se do të hiqet barriera doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke lehtësuar shqiptarët dhe deklaroi se së shpejti do të krijohet Dhoma Kombëtare e Tregtisë.
“Në më pak se ditë nga takimi i Prizrenit kjo kohë e re nuk është koha e teatrit nacionalist apo e skeçeve me abetaren por koha e një pune intensive në të gjitha planet, punë që po ndërton urat e bashkimit të shqiptarëve të gjeneratës tjetër në një sistem të njësuar arsimor”, tha Rama, i cili i ka mëshuar projektit të rëndësishëm në fushën e energjisë.
“Autostrada energjetike është një përpjekje që duhej bërë më parë dhe ne po ecim shpejt për të materializuar të gjithë projektet që siguria energjitike të jetë reformuar totalisht duke reformuar tregun energjik që jo vetëm ta sigurojmë për vete por të kthehemi në fuqi eksportuese e energjisë me përfitim të përbashkët”, theksoi Rama, i cili e quajti borën e rënë një ogur i mirë për të furnizuar më shumë hidrocentralet tona.
Kryeministri shqiptar, mesazhin e unifikimit dhe partneritetit strategjik e ka lidhur me një realitet të ri ballkanik, i cili ka nisur pikërisht 15 vjet më parë dhe e ka zanafillën në dramën e madhe të Kosovës që me zgjidhjen e saj u kthye në shansin e madh të shqiptarëve.
Zoti Rama, duke sjellë një detaj nga takimi që zhvilloi në Berlin pak kohë më parë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, tha se “Për askënd nuk ishte e imagjinueshme të ndodhte që në 100 vjetorin e luftës së parë botërore ballkani të gjendej në paqe dhe ne të gjithë përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë të gjendeshim së bashku në krye të vitit në Londër jo për të diskutuar si do të ndahen territoret apo si do të merreshim vesh për armëpushim, por për të diskutuar se çdo të bëjmë me paqen, një paqe që në këndvështrimin tim është shumë e madhe për shpatullat e brishta e secilit prej vendeve të rajonit tonë. Është paqe që kërkon Europën në rajonin tonë, kërkon të kapërcejmë ato pengesa që të vetëm nuk i kapërcejmë dot”.
Duke cituar ish-presidentin e SHBA-së, Bill Klinton, Rama tha se tani është e rëndësishme që pas luftës të menaxhohet paqja që të prodhojë mirëqenie.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosvës, Hashim Thaçi, deklaroi se ajo që nuk është bërë për 15 vite në lidhje me bashkëpunimin Shqipëri Kosovë është arritur vetëm 7 muaj të qeverisë së re dhe për këtë ka falënderuar publikisht Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Axhenda e përkujtimit të vjetorit të eksodit ka vijuar më pas me një vizitë te panairi artizanal. Në orën 15.00 zhvillohet ndeshja miqësore mes Kukësit dhe Mitrovicës. Në orën 17.00 do të ketë takime me familjet kosovarë që erdhën 15 vjet më parë dhe familjet pritesë, si dhe vizitë në Kullën e qëndresës, Në darkë do të ketë aktivitete artistike dhe koncert me këngëtarët më të mirë në sheshin qendror të Kukësit